-Në mes të Sheshit të Flamurit simbolin e 4-topave, të cilat përfaqësonin katër vilajetet.
-Flamuri i Pavarësisë në hyrje të shtëpisë së pavarësisë kishte një shtizë 12 metra të lartë për të kujtuar vitin 1912
– Vendosi një llustraxhi këpucësh në hyrje të derës së bashkisë.
– Në hyrje një shomë ku vizitori të vishte kollaro para se të shkonte në zyrën e Kryetarit.
Përgatiti: Albert Z. ZHOLI
Më miqtë e mi poetë, apo vlonjatë gjithmonë do të bjerë biseda për të madhin Ali Asllani. Askush sot nuk mund ta besojë që qysh në vitet 1920 ai kishte një koncept perëndimor për ndërtimin e shtetit dhe sidomos për funksionimin e pushtetit vendor. Për të hequr një kureshtje miku im Flamur A, që ka lexuar shumë për jetën e tij më tha që Ali Asllani qysh në moshën 21 vjeçare nuk e hoqi kurrë kollaren nga qafa dhe pse punonte në administratën Osmane.
Jeta e madhe në pak rreshta
– Ali Asllani, njëri ndër poetët dhe intelektualët tanë më të njohur u lind më 28 nëntor të vitit 1884 në fshatin Vajzë të Vlorës, ku edhe kreu mësimet e para, Shkollën e mesme, Gjimnazin e njohur “Zosimea” e mbaroi në vitin 1888. Në këtë gjimnaz arsimoheshin shumë shqiptarë, të cilët më vonë iu drejtuan studimeve në Universitete të ndryshme në Turqi, por edhe në vendet e Evropës.
– Në fillim ishte përcaktuar të studionte mjekësinë, por ndërroi mendje dhe mësimet e larta i bëri në Institutin e Lartë të Shkencave politiko-shoqëroro-administrative në Stamboll. Pas shkollës kreu stazhin në prefekturën e Janinës. Në vitin 1908 zëvendësoi për tre muaj nënprefektin e Delvinës dhe u kthye përsëri në Janinë. Ai ishte një nga anëtarët e shquar të Klubit “Bashkimi”. Për mbështetjen që i dha Ismail Qemalit filloi të persekutohej nga organet qeveritare turke, madje u dha urdhër të internohej në Halep të Sirisë. Mundi t’i shpëtojë internimit; kaloi në Korfuz dhe prej andej në Vlorë. Mori pjesë në Kuvendin e Dibrës, si përfaqësues i Klubit “Bashkimi” të Janinës. Në vitin 1910, Ali Asllani u kthye në Stamboll, meqë ishte ndërruar Kabineti qeveritar, i cili e kishte përjashtuar. U emërua sërish nënprefekt, por me kusht që të punonte në viset shqiptare. Deri në 1912 punoi si nënprefekt në Akseqi, Ellgen dhe Boskër të Vilajetit të Konjës në Anadoll. Pas shpalljes së Pavarësisë, Ismail Qemali, i besoi atij detyrën e Sekretarit të Përgjithshëm të Presidencës të Këshillit të Ministrave, ku qëndroi deri më 22 janar të vitit 1914. Më pas punoi për disa kohë si nënprefekt i Fierit e kajmekan i Ballshit. Pas largimit të Princ Vidit shkoi disa kohë në Itali e u kthye sërish ku administrata lokale e caktoi sekretar të përgjithshëm (10 nëntor, 1915 – 1 janar, 1917). Pushtimi italian e gjeti nënprefekt, por, meqenëse kundërshtoi pushtimin, u pushua nga puna. Nga 20 dhjetori i vitit 1918 gjer më 5 nëntor të vitit 1920 ishte kryetar i Bashkisë së Vlorës. Në vitet 1921 – 1922 ishte kryekëshilltar i qeverisë dhe më pas sekretar i përgjithshëm i kryeministrisë. Më pas u caktua konsull në Triestë, ku qëndroi deri në fund të prillit 1925. Po atë vit u emërua “Zëvëndës i ngarkuar me punë” në Sofje e më pas, po aty, “sekretar i parë” dhe “i ngarkuar me punë”. Në vitet 1930 – 1932 ishte ministër i akredituar në shtetin grek. Më 1934 përsëri ishte kryetar i Bashkisë së Vlorës deri në prag të pushtimit fashist 1939, ku u emërua anëtar i Këshillit të Lartë në Tiranë. Pak kohë më pas u largua nga jeta politike dhe vajti në fshatin Vajzë të Vlorës. Pas çlirimit të Shqipërisë nga forcat naziste-fashiste, luftë të cilën e kishte përkrahur pa rezervë, Ali Asllani ishte ndër themeluesit e parë të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë. Mori pjesë në shumë aktivitete kulturore. Poezia e tij u prezantua në të gjitha nivelet arsimore, në shkollat fillore dhe të mesme. Vdiq në Tiranë në 20 dhjetor 1966.
– Të veçantat e Ali Asllanit kur ishte Kryetar Bashkie në Vlorë
– Ali Asllani nga 20 dhjetori i vitit 1918 gjer më 5 nëntor të vitit 1920 ishte kryetar i Bashkisë së Vlorës. Në atë periudhë ai solli shumë risi në mënyrën e qeverisjes vendore që kishin erë perëndimore por dhe shumë patriotike. Konkretisht…Ishte viti i largët 1934,Ali Asllani në pozicionin e kryetarit të Bashkisë Vlorë përzgjodhi projektin e një arkitekti italian për të vendosur në mes të Sheshit të Flamurit simbolin e 4-topave të cilat përfaqësonin katër vilajetet . I shoqëruar sëbashku me shatërvanin i cili u nis po atë vit për ndërtim. Këtë veprim patritik nuk e ka bërë asnjë politikan, akademik apo drejtues i Bashkisë së Vlorës për mëse 120 vjet. 4 topat e Sheshit të Flamurit morën famën e tyre në mbarë trevat shqiptare si një nga vlerat kryesore të qytetit të historisë dhe Pavarësisë.
– Risia tjetër është se ai me idetë gjeniale shtizën e flamurit në vendin kur u ngrit flamuri I Pavarësisë e bëri të gjatë 12 metër për të përjetësuar vitin 1912.
Gjithmonë përpara Bashkisë (sipas Gëzim Llojdisë) , ai kishte urdhëruar që të punonte një lustraxhi, kurse brenda në korridor, të vendosej një gardërobë me disa xhaketa e bluza. Dhe kushdo që do të shkonte për ta takuar Kryetarin e Bashkisë, duhet t’i fshinte këpucët dhe t’i lyente me bojë, aq sa ato mbanin. Në qoftë se qytetari nuk kish mundësi të paguante lustraxhinë, atë e paguante Bashkia nga fondi i saj dhe pastaj sipas kohës dhe nevojës vishte dhe një xhaketë, e shkonte për të takuar Kryetarin, Ali Efendinë. Dalë nga dalë, qytetarët filluan ta kuptojnë dhe në takim me të shkonin më të pastër dhe të veshur më mirë, sipas edhe mundësive që kishin. Ali Asllani i vendosi këto kushte, jo vetëm se ato ndikonin në rritjen e kulturës qytetare,që atëherë ishte shumë e nevojshme, por edhe për të ndërgjegjësuar qytetarët, se në ato zyra të shtetit, që iu zgjidheshin problemet dhe hallet, që iu mbrohej prona dhe iu garantohej dhe jeta, të shkoje i rregullt, t’i doje e respektoje ata nëpunës e pushtetar, sepse doje dhe respektoje shtetin tënd që ahere ndihej shumë nevoja e tij. Ishte ky qëndrim dhe ky preokupim i Ali Asllanit që institucionet në qytetin e Vlorës, të funksionin normalisht, e të ecnin në rrugë të mbarë, duke i zgjidhur më së miri, hallet e problemet që kishin në atë kohë, Vlora dhe qytetarët e saj. Prandaj ishin të shumtë e përditë jo vetëm banorët e qytetit të Vlorës, por edhe banorët të fshatarëve të rrethit, që përherë shkonin të takonin Ali Asllanin, Kryetarin e tyre. Edhe ai i priste me kënaqësi e në bazë të kompetencave dhe mundësive që kishte, iu zgjidhte ankesat që kishin dhe nuk e mbyllte zyrën, pa ikur i kënaqur edhe qytetari i fundit. Ai i realizonte këto detyra të rëndësishme, jo vetëm me punën e tij të ndershme, por edhe me punën që bënin vartësit e tij, që punonin në zyrat e Bashkisë e kudo në qytet, sepse në to ai kishte zgjedhur dhe vendosur intelektualët më të mirë, ekonomistë, inxhinierë dhe teknikë që kishin mbaruar shkollat jashtë vendit.
foto: wikipedia.org