-Pritje në Rezidencën e Ipeshkvisë pranë Katedrales Nënë Tereza dhe mesha solemne/
-Në porosinë për Krishtlindje 2016, Ipeshkvi i Kosovës, Imzot Dodë Gjergji thekson se është festa e paqes, e dashurisë dhe e pajtimit, e cila na mbushë të gjithëve me shpresë dhe nxitë në ne entuziazmin e jetës/
-Në Kosovë, tradicionlisht festimet për Krishtlindjen nisin në mëngjes dhe vazhdojnë në mbrëmje nëpër familje me ritet e Buzmit bujar, një feste të lashtë iliro-shqiptare/PRISHTINË, 24 Dhjetor 2016-Behlul Jashari/ Kosova po feston gëzuar Krishtlindjen e 18-të vend i lirë, të 9-tën shtet i pavarur, me vlerë tradicionale themeltare tolerancën dhe mirëkuptimin ndërfetar, të ndërtuar e të kultivuar ndër shekuj, të theksuar edhe në urimet e drejtuesve institucionalë, politikë e fetarë.Ka nisur sonte pritja solemne në Rezidencën e Ipeshkvisë së Kosovës, pranë Katedrales Nënë Tereza Prishtinë, e cila është organizuar nga Ipeshkvi Imzot Dodë Gjergji, me rastin e Festës së Krishtlindjes 2016.Në Katedralen Nënë Tereza në këtë mbrëmje mbahet Koncerti i Krishtlindjes nga fëmijët e Famullisë së Prishtinës, e nga mesnata Mesha solemne e Krishtlindjes, të cilën do ta udhëheq Ipeshkvi Gjergji, i cili nesër në ora 11:00 do të kremtojë edhe meshën e Ditës së Krishtlindjes në Katedralen Zoja Ndihmëtare në qytetin e Prizrenit.Po nesër, në të njëjtën orë, mbahet mesha edhe në Katedralen Nënë Tereza në Prishtinë, e po në kryeqytetin e Kosovës në Kishën e Shën Ndout në Ulpianë nga ora 17:00 mbahet mesha në gjuhën angleze e nga ora 18:00 edhe një meshë tjetër.Në porosinë për Krishtlindje 2016, Ipeshkvi i Kosovës, Imzot Dodë Gjergji thekson se është festa e paqes, e dashurisë dhe e pajtimit, e cila na mbushë të gjithëve me shpresë dhe nxitë në ne entuziazmin e jetës.“Kosova jonë ka nevojë më shumë se kurrë për burra dhe gra të shenjëta, që me punën dhe sakrificën e tyre, ta bëjnë atë më të bukur e jetën e njerëzve të saj më të lumtur, në veçanti të të varfërve, të të përbuzurve, të të sëmurëve, të të papunëve”, është mesazhi i Imzot Dodë Gjergjit.Ipeshkëvi i Kosovës shprehet se, Kisha fton shoqërinë tonë dhe njeriun vullnetmirë, të vihet në mbrojtje të së vërtetës, të tolerancës ndërfetare dhe të dashurisë ndërvëllazërore.Në Kosovë, mesha mbahen edhe në kisha të tjera katolike, ndërsa tradicionlisht festimet për Krishtlindjen nisin në mëngjes dhe vazhdojnë në mbrëmje nëpër familje me ritet e Buzmit bujar, një feste të lashtë iliro-shqiptare që ruhet ende në shumë vise të vendit.
THAÇI: KY VIT NA SOLLI GËZIME TË GJITHËVE
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka shkruar sonte këtë mesazh urimi:Në këtë natë të shenjtë Krishtlindjeje, të gjithë besimtarëve katolikë iu uroj shumë gëzime, dashuri e mirëkuptim në familjet e tyre.
Ky vit na solli gëzime të gjithëve.U shenjtërua Nënë Tereza, jeta dhe veprat e së cilës janë udhërrëfyes për ne, por u lumturuan edhe 38 martirë shqiptarë të Kishës Katolike.Në audiencë private me Atin e Shenjtë, si president i vendit i konfirmova sërish përkushtimin e Kosovës për vlerat e paqes, dialogut dhe solidaritetit, si dhe mora konfirmimin për ardhjen e tij në Kosovë, ditë të cilën po e presim me padurim.Nata e sotme është kohë kur u gëzohemi të mirave e begative që na sjell jeta dhe festojmë me njëri-tjetrin.
MUSTAFA: PËR SHUMË MOT KËRSHËNDELLAT!
Kryeministi i Kosovës Isa Mustafa për Festën e Krishtlindjes drejton këtë mesazh urimi:
Të dashur qytetarë,
Në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës ju përcjellë urimet më të sinqerta për Krishtlindje.
Urime të veçanta edhe për trupin diplomatik, pjesëtarët e KFOR-it dhe të misioneve tjera në Kosovë.
Kjo festë e shenjtë përcjell te besimtarët anekënd mesazhet e dashurisë, paqes, mirësisë, optimizmit dhe të harmonisë ndërmjet njerëzve, virtyte që e karakterizojnë plotësisht popullin e Kosovës.
Për shumë mot Kërshëndellat! Urime!
VESELI: GËZUAR KRISHTLINDJEN
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, uron:
Gëzuar Krishtlindjen për të gjithë bashkëqytetarët katolikë dhe protestantë të Republikës së Kosovës. Uroj që ta kaloni këtë festë të shënuar sa më bukur, në ngrohtësinë e shoqërisë së njerëzve më të dashur. Bekime dhe gjithë të mirat, për ju dhe familjet tuaja.