Nga B.Jashari/.-Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Memli Krasniqi, priti sot futbollistët e Përfaqësueses së Kosovës, bashkë me kreun e Federatës së Futbollit të Kosovës, Fadil Vokrri, si dhe shtabin teknik, me në krye përzgjedhësin, Albert Bunjaku.
“I gjithë populli i Kosovës ndeshjen e parë miqësore zyrtare ndërkombëtare po e përjeton si një festë”, tha Krasniqi duke vlerësuar se futbollistët tani pjesë e Përfaqësueses së Kosovës, kudo nëpër paraqitjet e tyre në botë kanë prezantuar imazhin më të mirë për Kosovën.
“Ne jemi të nderuar dhe krenarë që ju kemi dhe bashkë me ju po shënojmë një hap historik për Kosovën si shtet, e aq më tepër për sportin”, tha ministri.
“Ju dhe shumë bashkëmoshatarë tuaj që luajnë në shumë skuadra të tjera në Evropë jeni imazhi më i mirë i Kosovës dhe për më tepër jeni treguesi dhe fakti i pamohueshëm se sa i padrejtë ka qenë izolimi i Kosovës në futboll”, ka thënë ai teksa ka informuar futbollistët me investimet dhe mbështetjen që shteti po jep për sportin në përgjithësi.
Nga ana tjetër, kreu i FFK-së, Fadil Vokrri ka falënderuar ministrin Krasniqi për mbështetjen që ka dhënë në ndërkombëtarizmin e futbollit e veçanërisht në përmirësimin e infrastrukturës. Vokrri tha se bashkë edhe me MKRS-në po punohet që organizimi i ndeshjes të jetë sa më dinjitoz.