-Lajmi i 6 majit 1999 – shpresë shpëtimi…Që “bota ta marrë vesh”/
Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari/
PRISHTINË, 6 Maj 2019/ “Ai lajm na dha shpresë shpëtimi”, shpreheshin me falënderim të ngujuarit në Prishtinë derisa në Kosovë po vinte lira, para 20 viteve. Lajmin që kisha dhënë për Agjencinë shtetërore-zyrtare të lajmeve të Shqipërisë e kishin dëgjuar nga Radio Televizioni Shqiptar.
Ishte mbrëmja e 12 qershorit historik 1999, kur kisha hyrë në Prishtinë bashkë me një grup gazetarësh nga bota ende pa hyrë forcat e NATO-s, me kolonën e tankeve të para të të cilave kishim hyrë herët në mëngjes në Kosovë nëpër kufirin jugor në Han të Elezit – te Bllaca, vendi-kamp i shqiptarëve të dëbuar nga forcat serbe.
Në kërkim të një strehimi për të kaluar natën në Prishtinë, prej nga ende nuk kishin ikur forcat serbe, të cilat ende mbanin të uzurpuar edhe banesën time në lagjen Ulpiana, mes shumë rreziqeve shkuam në lagjen Dardania, pikërisht te posta e re, prej nga në 6 maj 1999 nga “mburojat e gjalla”, me thirrje në telefonin që kisha me lidhje zvicerane, kisha marrë një informacion tronditës se çka po ndodhëte. Posta ishte mundësia për telefonatën nga Prishtina në rrethanat kur shqiptarëve ua kishin ndërprerë telefonat…
Pas raportimeve nga Prishtina për fillimin në mbremjen e 24 marsit 1999 të goditjeve të aviacionit të NATO-s mbi caqet e forcave serbe, cak i të cilave ishte edhe ndërtesa e postës së vjetër që ishte bërë edhe bazë ushtarake e që u zhbë e nuk është më e ishte pranë ndërtesës së tashme kryesore të Qeverisë së Kosovës, kisha arritur të largohesha nga banesa ime para se të hynte aty policia serbe dhe raportimet i vazhdoja nga kufiri jugor i Kosovës.
Në lajmin e 6 majit të para 20 viteve, natyrisht, në rrethanat që ndodheshin të ngujuarit në Prishtinë, mes forcave kriminale, nuk përmenda burimin, telefonatën nga posta e re e Prishtinës që ishte bërë mes rreziqesh, po duke iu referuar “burimeve” tregova çka po ndodhëte. Që “bota ta marrë vesh” ç’po ndodhëte në Kosovë, siç shpreheshin të dëbuarit nga shtëpitë e banesat dhe vendi i tyre, që po kalonin kufirin jugor, drejt Maqedonisë…
LAJMI I PIKËRISHT PARA 20 VITEVE ISHTE KY:
Shqiptaret ne Prishtine – mburoje e gjalle
KUFIRI JUGOR I KOSOVES, 6 maj- Korresp. i ATSH-se, Behlul
Jashari, njofton: Shume banore te Prishtines po mbahen peng dhe
po perdoren nga serbet si mburoje e gjalle. Ata jane detyruar te
qendrojne ne shtepite dhe banesat prane vendeve ku jane fshehur
arme dhe mjete te mekanizuara ushtarake si dhe neper objekte qe
mund te bombardohen nga NATO-ja, bejne te ditur burime te ATSH-se
ne Kosove.
Shume familje jane detyruar te qendrojne per disa dite me
radhe prane postes se re te Prishtines, ne lagjen Dardania, thone
deshmitare okulare qe kaluan dje kufirin Kosove-Maqedoni.
Shumica e te ardhurve jane femije dhe gra,
ndersa burrat
jane marre nga forcat serbe. Gra nga rajoni i Llapit tregojne per
me se 200 te rinj e burra shqiptare qe i kane ndare nga familjet
dhe i kane marre ne rrugen midis Obiliqit dhe Prishtines. Te
deportuar nga fshati Hade i Obiliqit, tregojne per ekzekutimin e
13 shqiptareve. Mijrat e te debuarve gjate 24 oreve te fundit
jane krejtesisht nga rajonet e Llapit, Prishtines, fshatrat e
Ferizajt dhe te Lipjanit.
Ne Foto: 1- Posta e re e Prishtinës, ku forcat serbe para 20 viteve mbanin shqiptarët si “mburoja të gjalla”
2-Prishtina – Newborn-Foto:Behlul Jashari
3- Prishtine-Foto Behlul Jashari