Rreth 400 mijë qytetarë të Kosovës jetojnë në vende të ndryshme të Evropës dhe botës. Këto shifra janë evidentuar nga procesi i regjistrimit të diasporës, proces ky i filluar në vitin 2013.Qëllimi i regjistrimit është evidentimi i numrit të saktë të pjesëtarëve të diasporës dhe mërgatës, shtrirja e tyre gjeografike, struktura demografike në funksion të ruajtjes së identitetit kulturor, gjuhësor dhe arsimor.Zyrtarë të Ministrisë së Diasporës, për Radion Evropa e Lirë, kanë treguar se procesi i regjistrimit aktiv të diasporës ka përfunduar, kurse regjistrimi pasiv do të vazhdojë edhe pesë vjetët e ardhshëm, periudhë kjo kur pritet që të bëhen publike të dhënat përfundimtare tëkëtij procesi.
Këshilltari i lartë politik në Ministrinë e Diasporës, Kushtrim Sheremeti, thotë për Radion Evropa e Lirë, se ky proces, tashme është duke përfunduar.
“Procesi i regjistrit pasiv i diasporës do të vazhdojë edhe pesë vitet e ardhshme, ky është vendim i Qeverisë. Kurse, procesi i regjistrimit aktiv ka përfunduar këto dy vite. Do të thotë, vitin e kaluar edhe sivjet kemi pasur një regjistrim aktiv. Shifrat e përafërta mund të them se i kemi identifikuar, rreth400 mijë bashkatdhetarë për këtë proces të regjistrimit aktiv, që është një numër mjaft inkurajues për neve, dhe jemi shumë të lumtur më numrin që kemi arritur”, thotë Sheremeti.
Ai tregon për procedurat e procesit të regjistrimit pasiv, i cili pritet të fillojë vitin e ardhshëm. Ky proces do të realizohet në ambasadat dhe konsullatat e Republikës së Kosovës në vendet e ndryshme të Evropës dhe botës.
“Natyrisht, ambasadat aktualisht janë të furnizuara me fletëregjistrime, por faza e promovimit dhe shpjegimit të mundësive, por edhe të një trajnimi të zyrtarëve nëpër konsullata, do të bëhet deri në fund të këtij viti, që të jemi të përgatitur që prej vitit tjetër të vazhdojmë këtë punë.
Normalisht, që një ndihmë shumë të madhe në këtë drejtim po na jep edhe Ministria e Punëve të Jashtme, e cila të gjithë infrastrukturën e vet të zyrave konsullore, e ka vënë në shërbim të procesit të regjistrimit”, shpjegon Shermeti.
Pjesë e këtij regjistrimi është çdo person që ka vendbanim apo vendqëndrim jashtë Republikës së Kosovës, që ka lindur ose ka prejardhje nga Kosova.
Regjistrimi i diasporës është proces i duhur dhe i nevojshëm për të dhënat e tyre, thonë demografët, sipas të cilëve, autoritete kompetente janë duke e realizuar në nivel të duhur.
Demografi Rifat Blaku, për Radion Evropa e Lirë, thotë se ky proces edhe pse i vonuar, është i domosdoshëm, pasi natyra e emigrimit ka qenë e parregullt në dekadat e fundit, në vendet anëtare të Bashkimit Evropian.
“Në shtetet e Evropës kemi një kontingjent disa breza, dhe numri i tyre do të dalë jashtëzakonisht i madh. Meqë kemi disa breza, fëmijë të lindur në migracion, jo vetëm në Evropë, por edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kështu që projekti i Ministrisë së Diasporës është i një rëndësie të veçantë dhe do të shërbejë që të kemi një bazë të tw dhënave të përafërta”, thotë Blaku.
Sipas tij, qytetarët kanë emigruar pasi në Kosovë kanë munguar burimet dhe mundësitë për t’i përmbushur nevojat dhe aspiratat e tyre.
Në bazë të regjistrimit të deritashëm, vërehet se numri më i madh i qytetarëve të Kosovës jetojnë në shtetin e Gjermanisë, pasuar nga Zvicra dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Ndryshe, sipas disa të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, vlerësohet se janë rreth 700 mijë kosovarë që jetojnë në vende të ndryshme të botës. (Kortezi:Nadie Ahmeti- REL)