

Athinë, 6 korrik 2022/
Në Tryezën vjetore të 26-të të organizuar nga “The Economist”, pas panelit ku ishte folës Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ishte një me Francis Fukuyamën, teoricienin e mirënjohur botëror nga Chicago, të sistemeve politike dhe ekonomisë politike.
Kryeministri Kurti u takua dhe bisedoi me Prof.Fukuyamën duke e njoftuar për progresin demokratik dhe ekonomik në Kosovë si dhe zhvillimet e reja që ndërlidhen me dinamikat gjeopolitike pas invazionit dhe agresionit rus në Ukrainë. Diskutuan për Bashkimin Evropian, NATO-n dhe marrëdhëniet e Kosovës me vendet e Ballkanit.
Gjatë këtij takimi, diskutuan edhe se çka mund të mësojmë nga historia dhe teoria për mbrojtjen e të drejtave, drejtësisë dhe demokracisë në të ardhmen. Kryeministri e ftoi Prof.Fukuyama të vijë në Prishtinë e ta vizitojë Republikën e Kosovës.
Kryeministri Kurti takoi Drejtorin Ekzekutiv të Komitetit Amerikan-Hebraik, David Harris.
Në margjina të pjesëmarrjes në Tryezën vjetore të 26-të të organizuar nga prestigjiozja britanike “The Economist”, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, takoi David Harris, Drejtor Ekzekutiv i Komitetit Amerikan-Hebraik (American Jewish Committee – AJC). Gjatë takimit u bisedua për zhvillimet në vendin tonë, si dhe mundësitë e thellimit të bashkëpunimit mes Republikës së Kosovës dhe Izraelit. Drejtori Ekzekutiv i Komitetit Amerikan-Hebraik e ftoi Kryeministrin Kurti për vizitë në Izrael.
Duke folur për situatën gjeopolitike në rajonin tonë, u theksuan përpjekjet e Kosovës dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor për integrim në Bashkimin Evropian. U diskutua edhe për zhvillimet rajonale e globale pas invazionit dhe agresionit ushtarak rus në Ukrainë dhe ndikimin e pasojat në ekonomi.