
Vaso Pasha (Pashko Vasa) është një nga figurat më të rëndësishme të Rilindjes Kombëtare Shqiptare.
Ai lindi më 17 shtator të vitit 1825 në Shkodër. I ati quhej Hilë Gjokë Vasa, e ëma Drande Gjegja. Të parët e fisit të tij, nga i ati, ishin shpërngulur nga Mirdita dhe ishin zhvendosur në Shkodër, n’atë shtëpi ku sot është shtëpia-muze e Pashko Vasës.
Pasi kreu mësimet e para në vendlindje, shërbeu si sekretar i konsullatës britanike nga viti 1842 gjer në vitin 1847, ku pati mundësinë të përmirësonte dijet e tij në gjuhët e huaja: italisht, frëngjisht, turqisht dhe greqisht.
Karriera e tij u zhvillua kryesisht në administratën osmane, ku mbajti detyra të larta si vali i Libanit dhe më pas i Egjiptit, duke u dalluar për aftësitë e tij diplomatike e organizative. Megjithatë, Vaso Pasha mbetet i paharruar për kontributin e tij në çështjen kombëtare shqiptare. Ai ishte një nga themeluesit e Lidhjes së Prizrenit dhe autor i shkrimeve të rëndësishme që mbrojtën gjuhën dhe identitetin shqiptar.
Në vitin 1864, në Stamboll, u bashkua me Kostandin Kristoforidhin, Hasan Tahsinin dhe Ismail Qemalin për sigurimin e fondeve financiare, lidhur me formimin e shkollave shqipe, si dhe me caktimin e një alfabeti të vetëm.
Më 1867-n ai qëndron në krye të përpjekjeve për themelimin e një shoqërie kulturore dhe të një alfabeti të përbashkët mbi bazën e alfabetit latin.
Më 1869-n merr pjesë në grupin nismëtar për krijimin e një shoqate shqiptare me karakter kulturor, arsimor e gjuhësor.
Më 1871-shin, në Stamboll, bashkë me Jani Vreton dhe Sami Frashërin, nis orvatjen për krijimin e një organizate atdhetare shqiptare.
Në vitet 1878-1882 krahas Abdyl Frashërit u shqua si një nga figurat kryesore të Komitetit të Stambollit për mbrojtjen e Shqipërisë.
Më 1879-n ishte ndër veprimtarët më aktivë të “Shoqërisë së të shtypurit shkronja shqip”.
Vaso Pasha ishte autor i një vargu veprash me karakter politik e historik, në të cilat mbrojti çështjen e popullit shqiptar, të drejtën e tij për të jetuar i lirë dhe i pavarur. Botoi “Skicë historike mbi Malin e Zi sipas traditave të Shqipërisë” (Esquisse historique sur le Monténégro d’après les traditions de l’Albanie), Konstandinopojë, 1872, ku përshkroi pashallëkun e Shkodrës nën Bushatasit, “E vërteta mbi Shqipërinë dhe shqiptarët» (La vérité sur l’Albanie et les Albanais), Paris 1879, në të cilën, krahas të dhënave historike, kritikoi administratën burokratike osmane dhe paraqiti kërkesat e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare. Ai hartoi veprën “Bosnja dhe Hercegovina gjatë misionit të Xhevdet Efendiut” (Bosnie et Hercegovine pendant la mission de Djevdet Effendi), Kostandinopojë 1865.
Vaso Pasha shkroi një varg veprash të tjera, të cilat i shërbenin zgjidhjes së çështjes së shkrimit dhe mësimit të shqipes; “Alfabeti latin i zbatuar në gjuhën shqipe” (L’alphabet latin appliqué à la langue albanaise), Konstandinopojë 1878; “Gramatika shqipe për të u përdorur nga ata që dëshirojnë ta nxënë këtë gjuhë pa ndihmën e një mësuesi” (Grammaire albanaise à l’usage de ceux qui désirent apprendre cette langue sans l’aide d’un maître), London 1887).
Si shkrimtar, ai la gjurmë si autor i vjershës së njohur “Moj Shqypni, e mjera Shqypni!” (1880), e cila u botua si fletë fluturuese, dhe me romanin “Bardha e Temalit”, një nga veprat e para të letërsisë shqiptare, por edhe me poezinë e tij patriotike. Thirrja e tij e famshme “Feja e shqiptarit është shqiptaria” u bë moto e Rilindjes Kombëtare dhe mbetet deri sot një nga shprehjet më të fuqishme të unitetit kombëtar.
Vaso Pasha u nda nga jeta më 29 qershor 1892 në Bejrut, duke lënë pas një trashëgimi të pasur letrare, politike dhe patriotike që e vendos ndër figurat më të ndritura të historisë sonë kombëtare.