Shkruan:Fetnete Ramosaj –Bashkëpunëtore profesionale në Institutin për Hulumtimin e Krimeve të Luftës (IHKL) – Prishtinë/Këto ditë nga Beogradi zyrtar u dha alarmi mediatik për sulmet që do të ndodhkan në Kosovë dhe në Kosovën Lindore gjatë kësaj vere. Parashikimet për “sulme terroriste në Kosovë” fillimisht u bënë nëpërmjet medieve serbe, të cilat i plasuan masivisht “copy/paste” edhe mediet shqiptare. Sipas këtyre paralajmërimeve pompoze vetëm ndërmjet datave 25-28 qershor, qenkan planifikuar të kryhen “tri aksione terroriste” nga shqiptarët!
Është interesant fakti se këtë informacion e bën publik hiq më pak se kryetari i Komisionit Parlamentar për Kontrollin e Shërbimeve të Sigurisë në Parlamentin e Serbisë, gjenerali Momir Stojanoviq, njëherësh deputet nga radhët e Partisë Progresive të Serbisë (SNS) të kryeministrit serb Aleksandar Vuçiq. Stojanoviq shkon edhe më larg në elaborimin e informacioneve për sulmet e paralajmëruara, duke thënë se “kreatorët e këtyre sulmeve janë të vetëdijshëm se kjo nuk do të komplikojë situatën e sigurisë. Qëllimi i tyre është para së gjithash që të eliminohen disa persona që mund të jenë dëshmitarë kundër ish-pjesëtarëve të UÇK-së, para gjykatës për krime lufte, që pritet të formohet në Kosovë. Duke qenë se formimi i kësaj gjykate është paralajmëruar për shtator, terroristët kanë për detyrë që deri atëherë të eliminojnë të gjithë dëshmitarët e palakmueshëm”! Informacionet e tilla, të cilat ua ka dhënë medieve, Stojanoviq ka thënë se i ka marrë nga burime të mirinformuara që nuk mund t’i zbulojë, ndërkaq i pyetur nëse ka leje që t’i transmetojë në opinion, ai ka thënë se nuk i duhet leja për publikimin e tyre dhe se për këtë nuk ka nevojë të kërkojë leje prej askujt!
Kur kemi të bëjmë me paralajmërime të tilla, që natyrisht nuk janë as të parat as të rastit, pa mëdyshje se ndër pyetjet e para që na vije ndërmend është: Kush është kryetari i Komisionit për Kontrollin e Shërbimeve të Sigurisë në Parlamentin e Serbisë Momir Stojanoviq?
Në politikë zyrtarisht u kyç në vitin 2007 në radhët e Partisë Radikale Serbe (SRS) të Sheshelit, për t’u pozicionuar një vit më pas në Partinë Progresive të Serbisë (SNS) të Tomislav Nikoliqit (të cilën tash e kryeson Vuçiq). Fillimisht u zgjodh deputet në Parlamentin e Serbisë në vitin 2012, dhe gjatë legjislaturës së kaluar i kryesoi Komisionin Parlamentar të Mbrojtjes dhe Punëve të Brendshme të Serbisë dhe Komisionin Parlamentar për “Kosovë e Metohi”. Ndonëse tani përfaqëson rajonin e Nishit, vendin e lindjes e ka në Kosovë – Gjakovën. Por, para angazhimit në politikë, Stojanoviqi më herët ka pasur një varg pozitash të rëndësishme ushtarake. Në vitin 2003, gjenerali Stojanoviq e pasoi mentorin e tij Aca Tomiq në krye të Agjencisë së Sigurisë Ushtarake të SMZ-së (Unionit Serbi-Mal i Zi) përgjegjëse për zbulim dhe kundërzbulim ushtarak. Kjo agjenci (serbisht: VBA – Vojno Bezbednosne Agencije) më herët është njohur si “KOS”-i ushtarak serb, dhe vetëm përmendja e emrit të këtij formacioni ka ngjallur tmerr tek popullata shqiptare, madje jo vetëm tek ajo. Stojanoviqi qëndroi në krye të VBA-së, deri pas deklarimeve që i bëri në janar e shkurt të vitit 2004, kur deklaroi publikisht se gjatë vitit që po e lëmë pas VBA-ja e ka rivendosur rrjetin e agjentëve në Kosovë, duke përmendur edhe shifra prej disa mijëra agjentësh të tillë, që ishte një deklaratë e pazakontë për kreun numër një të inteligjencës ushtarake të një shteti.
Që në vitet ’90-ta të shekullit të kaluar veprimtarinë e tij e ka zhvilluar në Kosovë në kuadër të KOS-it ushtarak serb. Gjatë viteve 1993-1996 ishte zëvendësshef i KOS-it ushtarak, ndërkaq gjatë katër viteve në vijim (1996-1999), pra edhe gjatë luftës frontale në Kosovë ishte kryesues i KOS-it ushtarak serb për Kosovën.
Nga ajo që dihet botërisht, së pari, po të bëheshin vetëm pak përpjekje për të vënë drejtësinë në vend, Momir Stojanoviqi, nuk do të duhej të ishte në krye të njërit prej mekanizmave më të rëndësishëm të sigurisë së Serbisë, por do të duhej të ishte vënë para drejtësisë për urdhërdhënie dhe pjesëmarrje në kryerjen e krimeve të luftës, gjenocidit kundër njerëzimit dhe spastrimit etnik gjatë luftës në Kosovë, me theks të veçantë si njëri ndër përgjegjësit kryesorë për Masakrën e 27 prillit 1999 në Mejë e Korenicë të Gjakovës, ku Stojanoviq kishte rol aktiv. Madje, dëshmitarët okularë, dëshmitë e të cilëve i posedon Instituti për Hulumtimin e Krimeve të Luftës (IHKL) – Prishtinë, e kanë vënë theksin te urdhrat e tij për djegiet, shkatërrimet dhe spastrimin etnik të rajonit të Rekës së Keqe nga popullsia shqiptare (të cilëve paraprakisht ua konfiskuan e shkatërruan të gjithë dokumentacionin personal) si dhe ekzekutimin e qindra banorëve të kësaj ane. Brenda një dite forcat ushtarako-policore serbe i ekzekutuan në masë 377 civilë shqiptarë, të besimit islam e katolik, në mesin e tyre edhe fëmijë. Kufomat e tyre më pas i transportuan, i dogjën dhe i fshehën për t’i zhdukur pa gjurmë në varrezat masive nën asfaltin e poligoneve të stërvitjes së Njësive për Operacione Speciale (JSO) të Sigurimit Shtetëror (DB) të Serbisë në Batajnicë, në afërsi të Beogradit. Eshtrat e 237 të ekzekutuarve në masakrën e Mejës, u gjetën në varrezën masive “Batajnica 2”, u identifikuan, u kthyen në Kosovë pas disa vitesh dhe janë varrosur në varrezat e përbashkëta në Mejë, por askush nuk është përgjigjur për të ekzekutuarit pa gjyq në këtë masakër, që shënon masakrën me numrin më të madh të të vrarëve gjatë luftës në Kosovë.
Për masakrën e kryer në Mejë e Korenicë të Gjakovës më 27 prill 1999, në shkurt të këtij viti Interpoli nxori një urdhërarrest ndërkombëtar për shtatëmbëdhjetë ish-drejtues të forcave ushtarake e policore serbe përgjegjës për masakrën e Mejës e Korenicës. Ndonëse lista e personave përgjegjës për këtë masakër nuk është e plotë, lista e të kërkuarve nga Interpoli kryesohet pikërisht nga gjenerali Momir Stojanoviq.
Por, që nga ajo ditë, edhe pse me urdhërarrest aktiv ndërkombëtar të lëshuar nga Interpoli, Stojanoviqin nuk e ka shqetësuar askush dhe asgjë, sepse shteti serb qëndron pas tij dhe të tjerëve si ai, ose thënë më mirë ata janë vet shteti, duke filluar që nga presidenti i Serbisë, kryeministri, shefi i Shtatmadhorisë së Ushtrisë e shumë e shumë të tjerë, që e përbëjnë listën e personave të dyshuar për pjesëmarrje në krimet e luftës në Kosovë.
Stojanoviqi vepron i patrazuar nga organet e drejtësisë, vetëm pse të ekzekutuarit e rastit në trajtim në Mejë e Korenicë janë shqiptarë dhe askujt nuk i bëhet vonë për t’i nxjerrë përgjegjësit para drejtësisë. Ai edhe më tutje vazhdon t’i ketë fiksim Kosovën dhe Sanxhakun, shqetësohet për rrezikun që po i vika prej këndej, shqetësohet edhe për “Shqipërinë e Madhe” edhe për “ekstremizmin islamik” të shqiptarëve, por s’i ka shkuar mendja të sqarojë pak rastin e dhjetorit të vitit të kaluar, të Sllobodan Gavriqit, i cili vazhdon të mbahet në paraburgim, por që rastin e tij çuditërisht po vazhdon ta përcjellë heshtja mediale e politike.
Sikur të ndodhte, që inspektori i lartë aktiv i njërës nga ministritë e Serbisë fqinje, Sllobodan Gavriq, të mos kapej me eksploziv e të arrinte të finalizonte aktin terrorist ndaj Katedrales “Nënë Tereza” në Prishtinë, me hiq më pak se 12 kilogramë eksploziv plastik ushtarak, dhe atë në ditën e dytë të Krishtlindjeve, nuk ka fare dyshim se Serbia automatikisht do t’i fajësonte shqiptarët, sikurse ka bërë edhe në shumë raste të tjera. Do t’i akuzonte shqiptarët si “fundamentalistë islamikë”, dhe përmasat e mëpastajme të fushatës antishqiptare sikurse edhe rezultatet e saj nuk është vështirë të dihen. Serbia vet e kreu aktin terrorist të vrasjes së të rinjve serbë në kafenenë “Panda” në Pejë (dhjetor ’98) për çka për pesëmbëdhjetë vjet me radhë i fajësuan shqiptarët, por më në fund e pranuan autorësinë e këtij akti terrorist ndonëse ende askënd nuk e kanë vënë para drejtësisë për të. Ngjashëm veproi edhe në rastin e vrasjes së serbëve në fshatin Grackë e Vjetër të Lipjanit, pas përfundimit të luftës në Kosovë, madje edhe në rastet e likuidimit të dëshmitarëve të përpunuar nga shërbimet sekrete serbe. Edhe në dhjetëra raste të tjera jemi dëshmitarë, kur Serbia i viktimizoi minoritarët serbë në Kosovë për qëllime politike. Edhe aktet e paralajmëruara së fundi nga gjenerali me fletarrest aktiv ndërkombëtar për krime lufte, duhet parë në këtë prizëm dhe duhet marrë seriozisht.