KRYEFAJTORI: PLANI I MADH I STALINIT PËR TË FILLUAR LUFTËN E DYTË BOTËRORE/
Nga Sajmir Lolja/
Në fund të vitit 1938, propaganda sovjetike kundër Hitlerit u shua menjëherë dhe kurthi i Polonisë filloi të
thurej. Franca e Britana kishin dhënë garanci për sigurinë e Polonisë. Pra, mjaftonte që të nxitej Gjermania të sulmonte Poloninë. Më 11-08-1939 Stalini mori vendim për të filluar bisedimet me Gjermaninë për ndarjen e Polonisë. Më 12-08-1939 delegacionet ushtarake të BRSS, Britanisë dhe Francës fillojnë bisedimet në Moskë për paqen Europiane. Më 19-08-1939, Stalini urdhëron ndërprerjen e këtyre bisedimeve. Po në këtë datë, ambasadori gjerman në Moskë merr idenë e shkruar sovjetike për marrëveshjen dypalëshe gjermano-sovjetike. Po më 19-08- 1939, Stalini urdhëron fillimin e mobilizimit (e fshehtë) të Ushtrisë së Kuqe. Po më 19-08-1939, nën urdhërin e Stalinit, Gjenerali Zhukov filloi sulmin rrufe [blitzkrieg] të Armatës 1 sovjetike kundër Armatës 6 Japoneze në lumin Khalkhin-Gol në Mongoli. Kjo luftë dhe disfata e ushtrisë japoneze nuk u përmend në shtypin e kohës, sepse taktika ushtarake e zbatuar atje nga ushtria sovjetike nuk duhej të bëhej e njohur. Po më 19-08-1939 u mbajt një takim i Byrosë Politike të Komitetit Qëndror të BRSS; për këtë takim u mësua vetëm në vitin 1993. Në
atë takim Stalini u shpreh: “…Lufta që do vijë është midis dy grupeve të vendeve kapitaliste. Për ne është mirë që ato të luftojnë e dobësojnë njëri-tjetrin. Ndërkohë, ne do të shtyjmë një shtet kundër tjetrit, luftimi do bëhet më i rreptë, të dy krahët do të drobiten prej luftës dhe atëhere hyrja jonë në luftë në çastin e duhur do na sjellë shumë përfitime. Prandaj marrëveshja me Gjermaninë duhet nënshkruar dhe pasi lufta botërore të shpallet, të përpiqemi që të vazhdojë sa më gjatë”.
Më 23-08-1939, Gjermania dhe BRSS nënshkruan marrëveshjen për ndarjen e Polonisë. Kjo njihet
zyrtarisht nën emrin Pakti i Mos-Sulmimit Molotov-Ribventrop, por që emri më i saktë do ishte “Marrëveshja e Moskës në vitin 1939 për fillimin e Luftës II Botërore”. Sipas kësaj marrëveshje, Gjermania e BRSS shkatërronin shtetin polak dhe sejcila merrte pjesë të barabarta të territorit të saj. Gjermanisë i intersonte kjo marrëveshje paqeje, sepse nuk do t’i ndërpriteshin importet e produkteve vajgurore dhe metaleve të veçantë nga BRSS. Nga ana e tij, BRSS i intersonte ta furnizonte makinën ushtarake gjermane me qëllim që ajo të ishte e aftë të pushtonte Europën (siç edhe bëri). Zbatimi i marrëveshjes u la për më 01-09-1939, datë në të cilën ushtria gjermane sulmoi dhe pushtoi Poloninë. Ndërsa ushtria sovjetike qëndroi pranë kufirit polak dhe, me gjithë habinë dhe kërkesën e vazhdueshme gjermane, sulmoi vetëm më 17-09-139 për të pushtuar pjesën tjetër të Polonisë. Tërë faji i fillimit të
luftës ra mbi Gjermaninë. Loja sovjetike doli e mbarë kësaj here, sepse më 03-09-1939 Britania e Franca i
shpallën luftë Gjermanisë.
Që nga kjo datë Gjermanisë iu vendos bllokada tregtare dhe pa materialet e metalet e duhura Gjermania e
kishte të vulosur humbjen e saj. Prandaj një zgjidhje që i mbetej Gjermanisë ishte të pushtonte me luftë rrufe [blitzkrieg] vendet e kontinentit Europian për të kapur sa më shumë burime minerale (p.sh. minierën e Trepçes në Kosovë), burime vajgurore të përpunuara, furnizime të ndryshme, fabrika industriale e burime ushqimore. Me kalimin e kohës, lufta e saj u bë gjithnjë e më e dëshpëruar ndonëse ushtria e saj luftoi në mënyrë të përsosur deri në fund. Britania e Franca nuk i shpallën luftë BRSS pasi ky pushtoi e kreu krime në pjesën tjetër të Polonisë. Për Britaninë e Francën, emocionalisht Gjermania ishte armiku i trashëguar dhe zhvillimi i Gjermanisë ishte i papranueshëm për to. Për shëmbull, më 1936, Lojrat Olimpike të Verës të mbajtura në Berlin shiheshin drejtpërsëdrejti me televizion nga gjermanët jashtë stadiumeve; televizioni u shfaq në Amerikë vetëm pas 20 vjetësh. Amerika ishte në krah të Britanisë dhe do i bashkëngjitej luftës (siç ndodhi) dhe herët a vonë mbarë rruzulli do përfshihej nga lufta.
MOBILIZIMI I FSHEHTË
Më 01-09-1939 parlamenti sovjetik zyrtarizoi për herë të parë shërbimin e detyrueshëm ushtarak. Për t’i
mbledhur përfaqësuesit sovjetikë nga tërë cepat e Rusisë së Madhe urdhëri u lëshua më 19-08-1939, sepse shumë prej anëtarëve të parlamentit sovjetik iu duheshin dy javë udhë për të arritur në Moskë. “Rastësitë” e zbukurojnë historinë. Ligji i mobilizimit (të fshehtë) ushtarak kërkoi edhe përgatitjen e 18 milion rezervistëve. Sipas këtij ligji, koha e shërbimit në ushtri do ishte dy vjet. Nëse BRSS nuk sulmonte deri më 01-09-1941, atëhere tërë ato miliona ushtarë duhej të ktheheshin në shtëpitë e tyre dhe tërë njësitë ushtarake të posaçme dhe të stërvitura (sulmi ajror, tanket, pilotët, artilierët, etj.) do duhej të zhdukeshin. Një ushtri e tillë mamuthe nuk mund të mbahej më gjatë pa kryer luftë dhe vendimi konkret për të kryer një luftë të madhe u muar në Gusht 1939.
Mobilizimi masiv duhej fshehur dhe zgjidhja ishte bërë gati me kohë. Deri më 01-09-1939 ushtria
sovjetike i përzgjidhte ushtarët dhe mosha e marrjes në ushtri ishte 21 vjeç. Më 01-09-1939 u thërritën në ushtri edhe ato që nuk ishin marrë vitet e shkuara dhe mosha e marrjes në ushtri u bë 19 vjeç e për disa kategori 18 vjeç.
Pa llogaritur më të rinjtë e më të vjetërit dhe pa llogaritur rezervistët, tre breza të rinjsh (19, 20, 21 vjeç) u
thërritën njëkohësisht në ushtri. Në gjysmën e dytë të Korrikut 1939, 173’000 rezervistë ishin thërritur në ushtri për të fuqizuar Armatën 1 sovjetike në Mongoli për sulmin rrufe që do kryente pas tre javësh kundër Armatës 6 japoneze. Pa llogaritur trupat e marinës dhe forcat e kufirit, Ushtria e Kuqe numëronte 1’871’600 ushtarë në fund të Korrikut 1939 dhe 5’081’000 ushtarë më 22-06-1941.
Përgatitjet për luftën e madh kërkonin gjithashtu një industri të madhe për prodhim municionesh.
Ministria sovjetike e municioneve u krijua në Janar 1939 dhe i ngjante një mamuthi industrial. Nëse parashikohej një luftë mbrojtëse, atëhere këto uzina e fabrika duheshin ndërtuar prapa lumit Vollga, thellë në prapavijë ku nuk mund të arriheshin nga aeroplanët armiq. Nga ana tjetër, municionet e prodhuar kërkonin shumë njerëz e mjete, makina, trena e linja hekurudhore të lira për t’u mbartur nga fabrika e prodhimit në front. Nëse parashikohej një luftë sulmuese (siç ndodhte në të vërtetë), zgjidhja e vetme ushtarake ishte që këto uzina kimike e fabrika prodhimi municionesh të ndërtoheshin në Perëndim të BRSS; e mundësisht pranë kufinjve, sepse ndryshe trupat që ishin në sulm do ngelnin pa municione. Rrjedhimisht, fabrika municionesh u ndërtuan në Zaporozhie, Dnyepropetrovsk, Dnyeprodzerzhinsk, Kharkov, Krvoy Rog e Leningrad. Ndërtimi i fabrikave të muncioneve vazhdoi me ritme të shpejta sapo hyri viti 1941. Depot e ruajtjes së municioneve u mbushën në kufinjtë e lejuar dhe tërë municioni i tepërt dërgohej me vagona treni pranë kufinjve perëndimorë të BRSS. Në Prill 1941, ministrisë së prodhimit të municioneve i erdhi urdhëri që municionet e artilerisë të dërgoheshin pranë kufirit dhe të stivoheshin drejtpërsëdrejti në tokë; se ç’don të thotë kjo, çdo ushtarak e di mirë.
Pas sulmit gjerman, ushtria sovjetike humbi një sasi të panumërueshme predhash artilerie të stivuara mbi
tokë apo nëpër vagona treni; pa llogaritur këtu municionet e armëve të tjera. Vetëm në Bjellorusi, 4216 vagona plot me predha artilerie u kapën nga ushtria gjermane vetëm në stacionet hekurudhorë pranë kufirit. Veç municionit të gatshëm, ushtria gjermane kapi edhe 303 uzina e fabrika municioni, të cilat prodhonin 101 milion predha artileri, 32 milion mina, 24 milion bomba aeroplani dhe 3600 ton TNT [tri-nitro-toluen]; këto përbënin 85% të aftësisë prodhuese në municione për BRSS. Në këto uzina u kapën furnizime të gatshme me plumb, çelik të derdhur e kallaj dhe të gjitha këto u dërguan në Gjermani. Pa një plaçkë të tillë lufte Gjermania do e kishte patur të pamundur të vazhdonte sulmin e të arrinte 30 km larg Kremlinit në Dhjetor 1941. Ndonëse 15% i ngelur jepte përsëri një prodhim tepër të madh ushtarak e industrial, në Bashkimin Sovjetik vërshoi nga Amerika e Britania një ndihmë e madhe falas në armatime, lëndë shpërthyese, barut, municione, fabrika, ushqime, lëndë djegëse, etj. Pa këtë ndihmë historia do kishte qenë ndryshe, pavarësisht se propaganda në qarkullim rrëfen përrallën e çmonimit të uzinave e fabrikave gjatë tërheqjes së Ushtrisë së Kuqe (për tre muaj e gjysëm ushtria gjermane arriti Moskën) dhe ringritjes së tyre në prapavijën e thellë.
Zbulimi sovjetik raportonte se Japonia, ndonëse e uritur për lëndë të para, nuk do të sulmonte në drejtim
të Siberisë ku kishte burime shumë të mëdha minerale. Arësyeja ishte se nxjerrja dhe përpunimi i atyre lëndëve të para me qëllim me i bërë gati për përdorim kërkonte shpenzime të mëdha, kohë të gjatë dhe kohë të madhe për t’u mbartur. Japonia kishte nevojë për produkte të gatshme dhe të shpejta, prandaj qëllimin e kishte të pushtonte rajonet jugore të Kinës e Azisë. Zbulimi ushtarak sovjetik e dinte se industria gjermane punonte në regjim paqeje dhe nëse Gjermania do sulmonte Poloninë, ajo kishte bomba për avionë vetëm për 10 ditë. Dokumentat gjermane të pas-luftës treguan se këto bomba do zgjatnin jo për 10 ditë por për 14 ditë. Më 1939, Komanda e Lartë Gjermane e trupave tokësore kërkoi që të krijohej një rezervë municioni për katër muaj luftë; në fakt, kjo nuk u arrit dhe rezervat e municioneve ishin për një deri në dy muaj luftë.
Më 05-12-1941, ushtria sovjetike kundërsulmoi në frontin e Moskës. Më 07-12-1941, avionët japonezë
sulmuan bazën detare amerikane në Gjirin e Perlave [Pearl Harbour] në ishujt Havai, në Oqeanin Paqësor. Më 11-12-1941, Gjermania i shpalli luftë Amerikës, porse industria gjermane nuk u urdhërua të kalonte në regjim lufte. Vetëm në Janar 1942 ajo e mori urdhërin për të kaluar dalëngadalë në regjim prodhimi në shërbim të luftës.
Prandaj prodhimi ushtarak gjerman arriti kulmin në fund të Luftës II Botërore pavarësisht nga bombat që i binin nga qielli.
LUFTA E DIMRIT
Gjatë Luftës II Botërore Ushtria e Kuqe pati artilerinë më të fuqishme në botë. Mësymja e Ushtrisë së
Kuqe kundër Finlandës ndodhi midis datave 30-11-1939 dhe 13-03-1940. Për rreth 20 vjet finandezët patën ngritur vija mbrojtëse dhe në rripin e tokës që lidh Leningradin me Finlandën kishin ndërtuar vijën mbrojtëse Mannerheim, ku u zhvilluan edhe luftimet më të ashpra. Për analistët ushtarakë të Perëndimit kjo vijë mbrojtëse ishte e pathyeshme. Tërë rajoni mbrojtës ishtë një rrjet tunelesh, pritash, kurthesh, pengesahh natyrore e të ndëruara, bunkerësh, llogoresh, moçalesh, pyjesh, fushash të minuara, gropash, pozicionesh të panumërta snaiperësh, etj. Dhe në kushtet e dimrit, lufta solli humbje të mëdha.
Për shkak të atij sulmi, Lidhja e Kombeve përjashtoi BRSS nga rradhët e saj më 14-12-1939. Në mesin e
Marsit 1940 Ushtria e Kuqe kishte bërë të pamundurën: tërë rajoni mbrojtës ishte kaluar dhe vija Mannerheim ishte thyer. Me traktatin e paqes të firmosur në Moskë, Finlanda humbi 11% të territorit dhe 30% të burimeve ekonomike. Humbjet e Ushtrisë së Kuqe ishin: 127’000 të vrarë, 189’000 të dalë jashtë luftimit (të plagosur, të gjymtuar, të ngrirë, të djegur), 5’500 të kapur, 3’543 tanke dhe mbi 260 avionët të shkatërruar. Humbjet e ushtrisë finlandeze ishin: 26’000 të vrarë, 46’000 të plagosur, 1000 të kapur, 25 tanke dhe 62 aeroplanë të shkatërruar. Për Stalinin dhe Ushtrinë e Kuqe llogariteshin vetëm arritjet ushtarake, por jo humbjet në njerëz.
Pandaj me qëllim për të mbuluar fitoren e arritur, propaganda sovjetike që në atë kohë dhe më vonë (e ndjekur edhe nga propaganda perëndimore) vazhdon ta “mallkojnë atë luftë dhe të tallen me pa-aftësinë e Ushtrisë së Kuqe”. Për ta thelluar mashtrimin, Ushtria e Kuqe pushtoi pjesën e vet të Polonisë më 17-09-1939 me tanke të vjetër, ushtarë të veshur keq dhe armatim të vjetëruar. Në fakt nuk qe nevoja për më shumë fuqi ushtarake, sepse Polonia kishte mbaruar pas sulmit gjerman 18 ditë më parë dhe ushtria sovjetike vetëm marshonte përpara.
Tre muaj pas asaj lufte, shtetet balltike Estoni, Lituani e Letoni [Latvia) u dorëzuan pa luftë, u bënë
republika sovjetike dhe iu bashkëngjitën BRSS. Në Qershor 1940, BRSS i dërgoi një “kërkesë” Rumanisë që të lëshonte rajonin e Besarabisë [pjesa lindore e Moldavisë]. Rumania jo vetëm që nuk e zgjati, por i dhuroi BRSS edhe Bukovinën Veriore [pjesa veriore e Moldavisë] dhe trupat sovjetike hynë më 28-06-1940.(Vijon. Fillimi shihe ne Dielli online , 9 Maj 2015)
* Titulli: KRYEFAJTORI: PLANI I MADH I STALINIT PËR TË FILLUAR LUFTËN E DYTË BOTËRORE
Fritz Radovani says
Nje material me vlere te madhe historike, ku zbulohet edhe pse vone vetem e Verteta. Falemnderes z. Lolja.