Nga Keze Kozeta Zylo/
Një telefonatë nga simotra ime Natasha Gaba nga Dolestown, Filadelfia për dhënien e lajmit të ndarjes nga kjo botë të mamit të saj dhe të hallës sime më hidhëroi pamasë.
Halla ime e shtrenjtë ishte shenja e vetme që kishte ngelur nga motrat dhe vëllezërit e babait.
Ajo ishte bija e Vatranit në Amerikë, Hamit Veis Mezhgoranit, emri i të cilit është në Kalendarin e Vatrës të motit 1918, Kalendar që e botoi Federata Panshqiptare “Vatra” e Amerikës dhe e editoi At Fan S. Noli.
E sjell këtë fakt dhe për arsyen se emrin e bukur që mbante me lulen e Zymbyles
(The Hyacinth) që e kishte pagëzuar i Ati e trashëgonte me krenari dhe për të gjithë që e kanë njohur emërues të përbashkët kishin se ishte lule e mirësisë, dashurisë dhe urtësisë.
Babai më tregonte shpesh se kur i Ati ishte në Amerikë kishte parë shumë lule zymbylash në lulishte, anës rrugëve dhe kishin një bukuri të veçantë, ndaj që atje e kishte vendosur të pagëzonte një vajzë me këtë emër. Ta vendosa këtë emër i thoshte i Ati, sepse është simbol si lulja e Perëndisë së Diellit Apollon, simbol i paqes, përkushtimit dhe bukurisë, por edhe i fuqisë dhe krenarisë.
Unë vazhdoja të mësoja dhe të mahnitesha nga memorja dhe virtytet e saj. Në Tiranë e kishja si një nënë të dytë ngase shtëpia e saj ishte gjithmonë e hapur, mikpritëse si ajo dhe me një dashuri të jashtëzakonshme. Edhe kur martoi djalin e vetëm, ne vinim si tek halla jonë përsëri, ngase nusja që erdhi ishte një ëngjëllore e vërtetë me emrin: Dritë Perëndie, Loka.
Qemali iu thoshte shpesh: Epo ju tërheq dera!
Ata ishin një çift bujar së bashku me bashkëshortin e saj fisnik Agimin dhe më tregonin histori të vyera deri sa ajo dha frymën e fundit në moshën 89 vjeçare. Natyrisht hallat duhen shumë, sepse është gjaku, vatra, trungu, por zemra pasurohet edhe më shumë, kur hallën e ke nënë të dytë, por edhe si shoqe.
Çfarë dashurie na fale o Lule e bukur e mirësisë, çfarë kujtimesh i le familjes sime dy vajzave të mia që nuk i ndaje nga nipërit dhe mbesat e tua, por dhe Qemalin e trajtuat si birin tuaj.
Jam shumë krenare me ty hallë, për familjen e mrekullueshme që krijove! Ti udhëhoqe me shembullin tënd të paqes dhe urtësisë. Ju si çift edukuat tre fëmijë të mrekullueshëm, Artën një nxënëse e jashtëzakonshme, pedagoge e anglishtes në Universitet, Deputete e Kuvendit, gruan e parë ministre të Puneve të Jashtme të Republikes së Shqipërisë, prezantuesen e Festivalit në RTSH, ndonëse politika nuk të pëlqente kurrë, por ju ishit mendje hapur.
Sa e lidhur ishje me djalin simpatik dhe të mençur Çikun (Shyqyriun) dhe Tashën intelektualë të integruar plot kulturë kudo ku kanë punuar.
Une pashë tek ju nje lidhje hyjnore midis jush dhe Atit tim si motër e vëlla që mezi prisnit të pinit kafetë dhe të ndanit të mirën dhe të keqen së bashku. Çfarë shembulli vital jeni për ne të gjithë, fisnin Gjoni!
Ju patët rastin të shërbenit me dekada në punë të thjeshta në Tiranë, ndërkohë kam pasur fatin të takoj shumë shkrimtarë, artistë në Diasporë, veçanërisht nga Shtëpia Botuese “Naim Frashëri”, Tiranë ku ju nga dyqani shtetëror në banakun tuaj ju servirnit kafenë shkrimtarëve dhe krijuesve me vite me radhë. Po sjell një detaj nga biseda me të ndjerin, shkrimtarin e shquar Naum Prifti i cili kishte pirë kafenë nga duart e florinjta të Zymbyles vite me radhë. Ai më thoshte shpesh se: “Dita fillonte dhe më e bukur kur pija kafenë nga Zymbylja. Shumë kolegë të mi vinin me vite atje, sepse sjellja e saj, kultura në shërbim, thjeshtësia e tejskajshme e tërhiqte klientin. Do të desha vazhdonte penarti që ajo t’i trainonte shumë kamerjerë që të shërbejnë me kulturë, pastërti dhe mikpritje…”
Unë do të jetoj me kujtimet e vyera të arta që na le!
Të qofte i lehtë dheu i Tiranës!
Dritë të pastë shpirti në parajsë atje ku e ka vendin soji juaj i mirësisë, ndershmërisë!
Lamtumirë halla ime e shtrenjtë Zymbyle Dade!
Lamtumirë Lule e Mirësisë!
29 Gusht, 2023
Staten Island, New York