



Marinarët ulqinakë sjellin aromën e valëve ulqinake në pallatin e Kulturës “Aleksandër Moisiu”
nga Shefqet Kërcelli*
Grupe muzikore nga Ulqini afruan dje mbrëmjen ulqinake për qytetarët e Durrësit….
në një sallë të mbushur plot jo vetëm me banorë me origjinë nga Ulqini, por dhe qytetarë durrsakë, më 30 maj, në sallën kryesore të pallatit “Aleksandër Moisiu” u organizua mbrëmja muzikore Ulqinake.
Në një mbrëmje ndryshe, muzikantë, solistë e këngetarë nga Ulqini krijuan një atmosferë plot gjallëri duke interpretuar këngë tradicionale të Ulqinit.
Për mëse 2 orë këngëtarë të dy grupeve muzikore, Burimi dhe “marinarët”, sollën një repertor të pasur të këngëvë popullore qytetare të Ulqinit.
Nën moderimin e aktores me origjinë ulqinake Aishe Stari, këngëtarët e mirënjohur ulqinakë sollën nga repertori i tyre 18 këngë që u shoqëruan me duartrokitje gjatë gjithë kohës.
Është për tu theksuar se Ulqinakët kanë tradita të lashta e vlera të gjithanëshme jo vetëm si popull atdhedashës e patriot, ku gjuha shqipe dhe flamuri janë të shenjta, por ata kanë rol të vecantë në kultivimin e traditës së detarisë së popullit tonë. Janë me dhjetra detarë ulqinakë që ndihmuan në zhvillimin e detarisë në Shkodër, Durrës e krejt Shqipërinë. Jo më kot themi se, nuk ka fund deti pa detarë ulqinakë.
Por, Ulqinakët vërtet janë lundërtarë të zotë, por kanë shpirt artisti, ata dinë ti këndojnë traditës, jetës, natyrës, marinarëve. Kënga dhe vallja për ulqinakët, janë tradita që trashëgohen brez pas brezi, ashtu si profesioni i detarit. Janë një duet i pandarë për ulqinakët. Këtë e shohim më së miri në Durrës. ku ulqinakë të vjetër e të rinj, treguan se dairja, ky instrument aq popullor gjendej në cdo shtëpi ulqinake dhe nën tingujt e saj, shoqëroheshin këngët që përhapeshin e këndoheshin në cdo shtëpi. Fillimisht interpretuan solistët e grupit “Burimi” këngët : Vijn’ vaporat moj nano, një këngë e vjetër detarësh dhe pastaj “Shegë e amël, shegë e butë’.
Gjithmonë kanë thënë se Shkodra dhe Ulqini, janë si dy lagje të një qyteti. Janë shumë këngë të njëjta që interpretohen në Shkodër dhe Ulqin. Ndaj grupi “Burimi” solli një kolazh me këngë shkodrane.
Më pas “grupi marinarët” solli një sërë këngësh të vjetra ulqinake, si “o ti kisha krahët si pllumbi”, ” o moj bukuroshe”, “të djelën nadje”, etj. ndërsa këngët ja linin radhën njera-tjetrës, publiku interpretoi disa prej tyre bashkë me grupin muzikor. Në repertor ishin futur dhe këngë të reja si “Ulqinake me ty kam merak”, me tekst të Zyhni Beqirajt, orkestruar nga Erion Sheqeri.
Repertori dhe tematika e pasur solli që koncerti të ndiqej me vëmendje nga pjesmarrësit, duke e shoqëruar me duartrokitje të shumta gjatë gjithë kohës. Të dy grupet merituan falenderimet dhe mirënjohjen e qytetarëve durrsakë për nivelin dhe profesionalizmin e treguar në interpretimet e të gjithë këngëve. Plot ngrohtësi, kolor e dashuri. Aktivitete të tilla shtojnë lidhjet dhe miqësinë me vëllezrit tanë të një gjaku, ndaj pjesmarrësit evidentuan rëndësinë dhe vijimësinë e tyre. Kjo u tregua dhe në fund të koncertit, ku pati përqafime, gëzim e shkëmbim kontaktesh për tu takuar përsëri në Ulqin e Durrës. Një falenderim shkon për organizatorët e këtij aktiviteti mbresëlënës, që në prag të sezonit turistik, këto dy qytete, qëndra të turizmit shqiptar, ofrojnë një mbrëmje ndryshe, për tju larguar politikës e halleve të përditëshme.
* Per me shume fotografi shkoni ne Facebook Gazeta Dielli