Muzeu Historik Kombëtar/
Më 5 maj të vitit 1842 u lind Jorgji Karbunara (Babë Dudë Karbunara). U lind në Berat në një familje atdhetare. Ka qenë rilindës, mësues i gjuhës shqipe, atdhetar dhe iluminist shqiptar. Jorgji Karbunara u rrit në dyqanin e të atit, mes bisedave për çetat patriotike të Sinjës, Tërpanit e bëmave të Rrapo Hekalit. Shqipen e shkruar e mësoi fshehur me abetaren “Evëtari” të Naum Veqilharxhit. Në vitin 1898, Babë Dudë Karbunara u bë nismëtar në krijimin e degës së shoqërisë “Bashkimi” në Berat. Punoi për shpërndarjen e librave në gjuhën shqipe. Që ditën kur u shpall Kushtetuta Turke më 1908, patriotët beratas hapën shkollën shqipe në katin e fundit të një dyqani 3-katësh të Muharrem Rulit, të drejtuar nga Babë Duda e ku mësonin fillimisht 55 nxënës. Gjatë viteve 1911-1912, Babë Duda luftoi me atdhetarë për rritjen e lëvizjes së armatosur me çetat e Hysen e Servet Zaloshnjes. Beratasit në vlerësim të veprës së mësuesit të shqipes e zgjodhën delegat 72-vjeçarin Jorgji Karbunara në Kuvendin e Vlorës më 28 nëntor 1912 ku edhe nënshkroi Deklaratën e Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë.