
Ambasador Flamur Gashi/
Jurist, publicist, veprimtar i mërgatës antikomuniste dhe mbrojtës i çështjes kombëtare shqiptare.
Në historinë shqiptare të shekullit XX ka personalitete që kanë lënë gjurmë në ngjarje dhe zhvillime të rëndësishme, por jeta dhe veprimtaria e tyre ende nuk janë njohur në përmasën që meritojnë. Një prej tyre është Mentor (Hamdi) Çoku – Ohri, njeriu që përjetoi periudha të trazuara të historisë sonë dhe që, megjithëse kaloi më shumë se gjysmën e jetës në mërgim, nuk e shkëputi përkushtimin ndaj atdheut dhe çështjes kombëtare.
Mentor Çoku lindi më 3 prill 1914, në Elbasan, në familjen e njohur atdhetare të Hamdi Bej Ohrit. Ai ishte pasardhës i familjes së Iljaz Pashë Dibrës (Qokut), një prej figurave më të rëndësishme të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit të vitit 1878, kryetari i parë i Kuvendit të Prizrenit dhe udhëheqësi i Këshillit të Përgjithshëm të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Babai i tij, Hamdi Bej Ohri, ishte i lidhur me lëvizjen kombëtare shqiptare dhe përmendet ndër pjesëmarrësit e Kuvendit të Vlorës të vitit 1912.
Mentor Çoku shprehte gjithashtu krenari të veçantë për prejardhjen historike të familjes së tij Çoku, nga dera fisnike Gropa–Gropaj, duke e lidhur atë me Zaharia Gropën e periudhës së Skënderbeut.
Mësimet e para i mori në Ohër, vijoi shkollimin në Beograd dhe më pas në Shqipëri. Gjatë viteve 1936–1940 studioi drejtësi në Milano, ku fitoi një formim juridik dhe intelektual që do ta shoqëronte në veprimtarinë e mëvonshme politike, publicistike dhe shoqërore.
Gjatë Luftës së Dytë Botërore u përfshi në veprimtarinë politike të qarqeve nacionaliste shqiptare, veçanërisht në trevat e Ohrit, Strugës dhe Manastirit. Ishte pjesëmarrës në Lidhjen e Dytë të Prizrenit, të themeluar në shtator 1943, në rrethanat e pushtimit gjerman. Kjo periudhë e veprimtarisë së tij duhet trajtuar në kontekstin e ndërlikuar historik të luftës, duke dalluar aspiratat kombëtare nga kushtet politike dhe ushtarake në të cilat vepruan organizatat patriotike të kohës.
Në vitet 1943–1944 mori pjesë edhe në jetën parlamentare shqiptare. Në regjistrin historik të Kuvendit të Shqipërisë figuron si përfaqësues i Dibrës së Madhe, ndërsa angazhimi i tij politik ishte i lidhur ngushtë me trevat shqiptare të mbetura jashtë kufijve të shtetit shqiptar.
Në nëntor të vitit 1944, me përfundimin e luftës dhe vendosjen e pushtetit komunist, u largua drejt Italisë, duke nisur një mërgim politik që do të zgjaste deri në fund të jetës.
Roma u bë vendbanimi dhe qendra kryesore e veprimtarisë së tij për më shumë se pesë dekada.
Në mërgim, Mentor Çoku mbajti marrëdhënie me personalitete dhe organizata të ndryshme të diasporës politike shqiptare. Në mjediset ku veproi ishin edhe figura si Mid’hat Frashëri, Hasan Dosti, Ali Këlcyra, Faik Quku, Vasil Andoni, Xhafer Deva dhe përfaqësues të tjerë të rrymave të ndryshme nacionaliste dhe antikomuniste.
Krahas veprimtarisë politike, u angazhua edhe në gazetari dhe publicistikë. Sipas të dhënave biografike të botuara për të, bashkëpunoi me gazetën e njohur italiane Corriere della Sera, veproi si korrespondent i shtypit turk në Itali dhe shkroi për botime shqiptare të mërgatës në Danimarkë, Suedi dhe Norvegji. Në vitin 1946 themeloi botimin e “Valbona”, si pjesë e përpjekjeve për të ruajtur komunikimin dhe mendimin politik shqiptar në mërgim.
Veprimtaria e tij përfshiu gjithashtu kontakte në Turqi, vende të Lindjes së Mesme dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Pavarësisht dallimeve politike ndërmjet grupeve të mërgatës, Mentor Çoku mbeti kundërshtar i regjimit komunist dhe mbështetës i ndryshimeve demokratike në Shqipëri.
Një dimension tjetër i rëndësishëm i jetës së tij ishte veprimtaria shoqërore dhe fetare. Ai ishte presidenti i parë i Unionit Islamik në Perëndim, organizatë e themeluar në vitin 1947.
Njëkohësisht, kishte krijuar marrëdhënie me mjedise politike italiane dhe me qarqe të larta të Vatikanit.
Kjo veprimtari pasqyronte kulturën e tij të komunikimit dhe respektit ndërfetar, ku përkatësia fetare nuk përbënte pengesë për bashkëpunim me njerëz dhe institucione të traditave të ndryshme.
Mërgimi i gjatë Mentor Çokut i kishte dhënë edhe një anë të dhimbshme: ndarjen nga familja.
Kur Mentor Çoku u largua nga Shqipëria, e bija, Valbona, ishte ende foshnjë. Bashkëshortja e tij, Zihnije Resuli – Çoku, mbeti fillimisht në Shqipëri dhe më vonë u largua për kurim, duke aritur të bashkohej me të në Itali.
Vajza e tij Valbona mbeti në Shqipëri, ku u rrit e ndarë nga të dy prindërit. Në moshën gjashtëmbëdhjetëvjeçare u internua në Savër të Lushnjës, ku njohu Sokol Mirakajn, pjesëtar i familjes së njohur patriotike Mirakaj të Pukës, e përndjekur gjithashtu nga regjimi komunist.
Ata krijuan familjen e tyre në kushtet e internimit dhe u bënë prindër të tre fëmijëve, Vilma – vajza e madhe, Leon djali dhe Ledia – vajza e vogël. Valbona vinte nga një familje me traditë myslimane, ndërsa Sokoli nga një familje katolike.
Nuk i ndau feja, por i bashkoi ideali.
Historia e tyre është një dëshmi e qëndresës njerëzore dhe e harmonisë ndërfetare shqiptare.
Vetëm pas rënies së komunizmit, Valbona arriti të takohej me të atin, pas gati gjysmë shekulli ndarjeje. Por, sipas dëshmisë së saj, nuk arriti ta takonte më nënën.
Me fillimin e ndryshimeve demokratike, pas vitit 1990, Mentor Çoku iu rikthye Shqipërisë dhe u përpoq t’i vinte marrëdhëniet e krijuara gjatë mërgimit në shërbim të vendit.
Zyra e tij në Corso Trieste 90, Romë, u bë një pikë takimi dhe ndihme për shqiptarët që mbërrinin në Itali, si dhe për përfaqësues të jetës politike e shoqërore nga të gjitha trojet shqiptare.
Në fillim të vitit 1992, ai u përfshi në kontaktet që lidhen me takimin politik të Triestes, ku morën pjesë Fatos Nano, Sali Berisha dhe Aleksandër Meksi.
Një kontribut i rëndësishëm ishte edhe mbështetja për lidhjen e sindikatave shqiptare me organizatat europiane. Sipas të dhënave, më 22 prill 1991 ai mundësoi anëtarësimin e Sindikatës së Pavarur të Minatorëve të Shqipërisë në Internacionalen e Minatorëve të Europës.
Më vonë kontribuoi edhe në vendosjen e marrëdhënieve ndërmjet sindikatave shqiptare dhe konfederatës italiane CISL.
Këto angazhime dëshmojnë përpjekjet e tij për lidhjen e organizatave të reja shqiptare me strukturat ndërkombëtare.
Megjithatë, një prej shqetësimeve të tij më të mëdha mbetej Kosova.
Në fillim të viteve 1990, kur shqiptarët e Kosovës përballeshin me shtypje të rëndë politike, policoro-ushtarake dhe institucionale, Mentor Çoku ndiqte me vëmendje zhvillimet dhe interesohej për veprimtarinë e drejtuesve të lëvizjes politike shqiptare. Vëmendje të veçantë u kushtonte edhe shqiptarëve të Maqedonisë dhe perspektivës së çështjes kombëtare.
z.Mentor Çoku pata rastin ta njoh personalisht diku në fillim të vitit 1992, përmes profesor Ramadan Sokolit, mikut të tij të rinisë, me të cilin kishte edhe një lidhje familjare.
Nga bisedat që pata me të në Tiranë dhe Romë, ruaj kujtimin e një njeriu me kulturë të gjerë, njohuri të thella historike, edukatë të veçantë dhe përkushtim të qëndrueshëm ndaj çështjes kombëtare.
Në një nga takimet tona të para, z.Çoku shprehu dëshirën të takohej me dr.Ibrahim Rugovën dhe dr.Bujar Bukoshin. Kontaktet u mundësuan dhe takimet u realizuan…
Në dy takime me dr.Bujar Bukoshin kam qenë edhe unë i pranishëm, ndërsa për takimin me dr.Ibrahim Rugovën, të zhvilluar jashtë Shqipërisë, më foli më vonë vetë z. Çoku.
Në një prej takimeve me Kryeministrin e Republikës së Kosovës dr.Bujar Bukoshin në Hotel “Dajti” në Tiranë, z.Çoku foli për kontaktet dhe linte të kuptohej për takimet që kishte pasur me Papa Gjon Palin II dhe me Sekretarin e Shtetit të Vatikanit. Fliste me një konsideratë dhe respekt të veçantë për Papa Gjon Palin e Dytë.
z.Çoku i sugjeroi dr.Bukoshit të ndërtonte marrëdhënie sa më të afërta me këto autoritete, duke vlerësuar rëndësinë e mbështetjes ndërkombëtare për çështjen e Kosovës dhe sidomos të Vatikanit.
Pas këtij takimi, z.Çoku u angazhua edhe personalisht për të ndihmuar në forcimin e kontakteve me Vatikanin. Pas kësaj bisede z.Bukoshi zhvilloi takime dhe mbajti kontakte e marrëdhënie në vazhdimësi me Selinë e Shenjtë dhe besoj se z.Mentor Çoku ka dhënë një ndihmesë të madhe në këtë drejtim…
Në bisedat me profesor Ramadan Sokolin dhe gjatë takimeve me dr.Bujar Bukoshin, z.Çoku përsëriste një shprehje që më ka mbetur në kujtesën time:
“Partia ime është Lidhja e Prizrenit.”
Nga përmbajtja e bisedave dhe nga mënyra se si fliste për veprimtarinë e tij, kam bindjen se ai i referohej konkretisht Lidhjes së Dytë të Prizrenit, pjesë e së cilës kishte qenë.
Për të, ajo përfaqësonte një ideal politik e kombëtar që e kishte shoqëruar gjatë gjithë jetës.
Rreth vitit 1994, pas një bisede paraprake dhe dakordimi me mikun tim, regjisorin e mirënjohur nga Peja që jeton dhe punon në Romë, z.Gjon Kolndrekaj, i propozova z.Çoku realizimin e një interviste të gjatë dokumentare me të, nga regjisori Gjon Kolndrekaj, i njohur për veprimtarinë e tij profesionale në dokumentarë të lidhur me RAI-n dhe Vatikanin.
z.Çoku fillimisht e priti propozimin me hezitim, por më pas pranoi. Fatkeqësisht, intervista nuk u realizua përpara ndarjes së tij nga jeta.
Mosrealizimi i saj mbetet një humbje e madhe dokumentare, sepse një dëshmi e tillë do të kishte ruajtur kujtime të drejtpërdrejta për ngjarje dhe personalitete të rëndësishme të historisë shqiptare të shekullit XX.
Deri në fund të jetës, Mentor Çoku vazhdoi të interesohej për fatin e Kosovës.
Sipas kujtimeve të së bijës, Valbona, të rrëfyera në media, në ditën e fundit të jetës ai ndoqi përmes televizionit një manifestim të shqiptarëve në Bernë të Zvicrës për lirinë e Kosovës dhe shprehu bindjen se ajo do të çlirohej.
Mentor (Hamdi) Çoku ndërroi jetë më 18 prill 1996, në Romë, pa arritur ta shihte Kosovën të lirë.
Tri vjet më vonë, në vitin 1999, Kosova do të dilte nga kontrolli ushtarak serb, pas luftës dhe ndërhyrjes së NATO-s.
Jeta e Mentor Çokut mbetet e lidhur me disa etapa të rëndësishme të historisë sonë: traditën e lëvizjes kombëtare, veprimtarinë politike gjatë Luftës së Dytë Botërore, qëndresën antikomuniste në mërgim, gazetarinë, marrëdhëniet ndërfetare, lidhjet sindikale europiane dhe përpjekjet për ndërkombëtarizimin e çështjes së Kosovës.
Nëntëmbëdhjetë vjet pas ndarjes së tij nga jeta, Mentor (Hamdi) Çoku – Ohri mori një vlerësim të rëndësishëm nga shteti shqiptar.
Më 22 qershor 2015, Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani, me Dekretin nr. 9142, e dekoroi pas vdekjes me titullin e lartë “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut”, në vlerësim të veprimtarisë së tij atdhetare dhe kontributit në përpjekjet për triumfin e demokracisë mbi diktaturën komuniste në Shqipëri.
Dekorata iu dorëzua së bijës, Valbona Çoku – Mirakaj, në Presidencën e Republikës.
Në atë kohë shërbeja si Këshilltar për Çështjet e Rajonit dhe Diasporën pranë Presidentit të Republikës së Shqipërisë z.Bujar Nishani, dhe e ndiej për nder që pata mundësinë të jap kontribut në procesin e këtij vlerësimi.
Ishte një nderim për kujtimin dhe veprimtarinë e Mentor Çokut, një personalitet që jetoi për më shumë se pesë dekada larg atdheut, por që çështjen shqiptare e mbajti gjithmonë pjesë të pandashme të jetës së tij.
Jeta e Mentor Çokut na kujton se patriotizmi dhe atdhetaria nuk maten me vendin ku jeton njeriu, por me atë që bën për kombin e vet. Kufijtë mund ta ndajnë njeriun nga atdheu, diktaturat mund t’ia mohojnë kthimin dhe koha mund t’ia zbehë emrin në kujtesën publike, por nuk mund t’ia shuajnë veprën.
Njohja dhe nderimi i personaliteteve të tilla siç është Mentor (Hamdi) Çoku, nuk është vetëm detyrim ndaj historisë, por edhe përgjegjësi ndaj brezave që vijnë.
Një komb që ruan kujtesën për njerëzit që i shërbyen me përkushtim, ruan edhe vetëdijen për rrugën e tij drejt së ardhmes.