
Navanethem (Navi) Pillay, është shpallur fituese e Çmimit Nobel për Paqen për vitin 2026. Komiteti Norvegjez i Nobelit e ka vlerësuar me këtë çmim “për përpjekjet e saj për të promovuar paqen dhe të drejtën ndërkombëtare”.
Komiteti Norvegjez i Nobelit vlerësoi rolin e Navi Pillay-it, si një nga figurat më të rëndësishme në zhvillimin dhe forcimin e rendit juridik ndërkombëtar. Komiteti vlerësoi, mes të tjerash, edhe rigorozitetin e saj profesional, integritetin personal dhe guximin e treguar gjatë dekadave në mbrojtje të drejtësisë.
Sipas Komitetit të Nobelit, në një periudhë kur luftërat dhe konfliktet po shtohen dhe kur institucionet e së drejtës ndërkombëtare përballen me sfida gjithnjë e më të mëdha politike, puna e Navi Pillay përbën një kujtesë të rëndësishme se paqja e qëndrueshme mund të arrihet vetëm përmes respektimit të sundimit të ligjit. Një sistem ndërkombëtar që garanton përgjegjësi për krimet e luftës dhe drejtësi për viktimat mbetet një kusht themelor për një botë më paqësore.
E lindur më 23 shtator 1941 në Durban të Afrikës së Jugut, Navi Pillay ka ndërtuar një karrierë të gjatë në shërbim të drejtësisë dhe mbrojtjes së të drejtave themelore të njeriut. Ajo u bë e njohur fillimisht si avokate që mbronte aktivistët kundër regjimit të aparteidit në Afrikën e Jugut, duke u shquar për angazhimin e saj në mbrojtje të barazisë dhe dinjitetit njerëzor.
Gjatë karrierës së saj ndërkombëtare, ajo ka mbajtur poste kyçe në institucionet më të rëndësishme të drejtësisë ndërkombëtare. Si presidente e Tribunalit Penal Ndërkombëtar për Ruandën, ajo kontribuoi në vendime historike që përcaktuan se dhuna seksuale dhe përdhunimi mund të përbëjnë krime kundër njerëzimit dhe akte gjenocidi. Më pas shërbeu si gjyqtare në Gjykatën Penale Ndërkombëtare dhe si Komisionere e Lartë e Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut.