
Prof. Dr. Pal NIKOLLI/
Miratimi i reformës administrativo – territoriale të vitit 2026, që parashikon reduktimin e numrit të bashkive nga 61 në 46, shënon fillimin e një etape të re në organizimin territorial të Shqipërisë. Me miratimin e saj nga Kuvendi, debati nuk mund të mbetet vetëm te propozimet politike dhe numri i njësive vendore, por duhet të përqendrohet te zbatimi i reformës, përputhshmëria e saj me Kushtetutën, pasojat për vetëqeverisjen vendore dhe ndikimi real në jetën e qytetarëve.
Një reformë territoriale është shumë më tepër sesa një ndryshim harte. Ajo ndërhyn drejtpërdrejt në organizimin e shtetit, në mënyrën e ushtrimit të pushtetit vendor, në marrëdhënien ndërmjet qytetarit dhe administratës publike, si dhe në mundësitë e zhvillimit të balancuar të territorit. Për këtë arsye, suksesi i reformës së vitit 2026 nuk mund të matet vetëm me zvogëlimin e numrit të bashkive, por me aftësinë e strukturave të reja për të garantuar shërbime më cilësore, përfaqësim demokratik dhe zhvillim të qëndrueshëm në të gjitha zonat e vendit.
Pyetja themelore mbetet: a do të bëhet Shqipëria më efikase administrativisht, pa e larguar shtetin nga qytetari, apo përqendrimi i pushtetit në bashki më të mëdha do të krijojë vështirësi të reja për komunitetet periferike dhe malore?
I. Kushtetuta nuk e ndalon ndryshimin e hartës, por përcakton kufijtë e tij.
Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë nuk e përcakton numrin e bashkive si një element të pandryshueshëm të organizimit territorial. Për rrjedhojë, kalimi nga 61 në 46 bashki nuk përbën, në vetvete, shkelje të Kushtetutës. Kuvendi ka kompetencën të përcaktojë me ligj ndarjen administrativo – territoriale të vendit, por kjo kompetencë duhet të ushtrohet brenda kufijve kushtetues dhe në respektim të parimeve të vetëqeverisjes vendore.
Në këtë drejtim, rëndësi të veçantë ka neni 108 i Kushtetutës, sipas të cilit ndarja administrativo – territoriale bazohet në nevojat dhe interesat e përbashkëta ekonomike dhe në traditën historike. Po ky nen përcakton se ndryshimi i kufijve të njësive të qeverisjes vendore nuk mund të bëhet pa u marrë më parë mendimi i popullsisë që banon në to.
Kushtetuta, pra, nuk mjaftohet me njohjen e kompetencës së Kuvendit për të ndryshuar hartën administrative. Ajo përcakton edhe kriteret që duhet të udhëheqin këtë proces: interesat e përbashkëta ekonomike, traditën historike dhe përfshirjen paraprake të popullsisë së prekur.
Për këtë arsye, miratimi i reformës me ligj nuk e përjashton shqyrtimin e përputhshmërisë së saj me kërkesat kushtetuese. Duhet të dallojmë miratimin formal të një akti ligjor nga vlerësimi i përmbajtjes së tij dhe i procedurave që i kanë paraprirë miratimit.
Kjo nuk do të thotë se reforma është automatikisht antikushtetuese. Do të thotë se vlerësimi i saj juridik duhet të mbështetet në dispozitat konkrete, në dokumentacionin e procesit dhe në mënyrën se si janë zbatuar kriteret kushtetuese.
Kushtetutshmëria e reformës nuk përcaktohet nga numri 46, por nga respektimi i Kushtetutës në mënyrën se si është hartuar, miratuar dhe zbatuar ndarja e re territoriale.
II. Miratimi parlamentar nuk e mbyll debatin për mendimin e popullsisë.
Një nga çështjet më të rëndësishme të reformës territoriale është respektimi i së drejtës së komuniteteve për t’u dëgjuar përpara ndryshimit të kufijve të njësive të tyre të qeverisjes vendore.
Kërkesa kushtetuese për marrjen paraprake të mendimit të popullsisë nuk duhet të trajtohet si formalitet administrativ. Konsultimi duhet të jetë real, i dokumentuar dhe i zhvilluar në një kohë kur mendimet e komuniteteve mund të merren parasysh në procesin vendimmarrës.
Nuk është e njëjta gjë të dëgjosh qytetarët dhe të vlerësosh argumentet e tyre. Nëse banorët e një territori shprehin kundërshtime ose propozojnë alternativa, por këto qëndrime nuk shqyrtohen në mënyrë të argumentuar, lind pyetja nëse konsultimi e ka përmbushur realisht qëllimin e tij.
Kjo çështje lidhet edhe me nenin 5 të Kartës Evropiane të Vetëqeverisjes Vendore, i cili kërkon konsultimin paraprak të komuniteteve përkatëse për ndryshimet e kufijve territorialë të autoriteteve vendore, duke parashikuar mundësinë e referendumit kur kjo lejohet nga ligji.
Karta nuk kërkon automatikisht referendum për çdo ndryshim territorial, por vendos konsultimin paraprak si një standard të rëndësishëm të vetëqeverisjes vendore.
Tashmë që reforma është miratuar, është e nevojshme të shqyrtohet dokumentacioni i konsultimeve, përfshirja e komuniteteve të prekura dhe mënyra se si janë trajtuar mendimet e tyre. Nëse konstatohet se janë lënë pa përmbushur kërkesa ligjore ose kushtetuese, çështja duhet të vlerësohet përmes mekanizmave institucionalë dhe juridikë përkatës.
Në një shtet demokratik, vendimmarrja parlamentare dhe pjesëmarrja e qytetarëve nuk janë dy procese kundërshtare. Ato duhet të plotësojnë njëra-tjetrën.
III. Efikasiteti administrativ nuk garanton vetvetiu shërbime më të mira.
Një nga argumentet kryesore në favor të bashkimit të njësive vendore është forcimi i kapaciteteve administrative dhe financiare, ulja e kostove dhe përmirësimi i menaxhimit të burimeve publike. Këto objektiva janë të ligjshme dhe të rëndësishme, por duhet të provohen përmes rezultateve konkrete.
Një bashki më e madhe mund të ketë më shumë burime financiare, por kjo nuk do të thotë automatikisht se çdo qytetar do të marrë shërbime më të mira. Qytetari që banon larg qendrës administrative mund të përballet me distanca më të mëdha, kosto më të larta udhëtimi dhe vështirësi në komunikimin me institucionet.
Po kështu, një administratë më e përqendruar mund të ulë disa shpenzime, por njëkohësisht mund të dobësojë praninë institucionale në zona të largëta, ku nevojat për shërbime publike janë të veçanta.
Prandaj, efikasiteti nuk duhet të matet vetëm me numrin e punonjësve, me madhësinë e strukturave apo me shpenzimet administrative. Ai duhet të vlerësohet edhe në bazë të kohës që i duhet qytetarit për të marrë një shërbim, të cilësisë së tij, të aksesit në institucionet vendore dhe të shpërndarjes së investimeve në territor.
Reforma duhet t’u përgjigjet pyetjeve konkrete: Sa do të kursejë buxheti publik? A do të rriten të ardhurat vendore? A do të përmirësohet administrimi i pronës publike? A do të shkurtohen procedurat administrative? A do të ofrohen shërbime më cilësore edhe në fshatrat e largëta?
Pa tregues të matshëm dhe pa një vlerësim para e pas zbatimit, pretendimet për rritjen e efikasitetit mbeten objektiva që duhet të provohen në praktikë.
IV. Tradita historike, gjeografia dhe interesat e përbashkëta ekonomike.
Kriteret kushtetuese për organizimin territorial kërkojnë që bashkimet të kenë një logjikë reale gjeografike, ekonomike, shoqërore dhe historike. Nuk mjafton që dy territore të jenë të afërta në hartë ose që bashkimi i tyre të duket i leverdishëm nga pikëpamja administrative.
Duhet të shqyrtohen lidhjet ekonomike ndërmjet komuniteteve, rrugët e komunikimit, marrëdhëniet e tyre me qendrat e shërbimeve, traditat historike dhe mundësitë e zhvillimit të përbashkët.
Kjo është veçanërisht e rëndësishme për zonat malore, ku relievi, distancat, kushtet klimatike dhe infrastruktura mund të krijojnë pengesa serioze në aksesin ndaj administratës.
Një komunitet i vogël malor nuk mund të trajtohet vetëm si numër banorësh në një tabelë statistikore. Ai ka histori, identitet, marrëdhënie ekonomike dhe shoqërore, si dhe nevoja të veçanta për transport, arsim, shëndetësi dhe shërbime administrative.
Nëse bashkimi me një qendër më të madhe e dobëson praninë institucionale në këto zona, atëherë duhet të parashikohen masa konkrete për të garantuar vazhdimësinë dhe cilësinë e shërbimeve.
Përndryshe, ekziston rreziku që territori të administrohet më lehtë nga qendra, por të bëhet gjithnjë e më pak i jetueshëm për banorët e tij.
V. Reforma territoriale përballë shpopullimit.
Shpopullimi përbën një nga sfidat më serioze të Shqipërisë, veçanërisht në zonat malore dhe periferike. Emigracioni, mungesa e vendeve të punës, dobësimi i ekonomisë vendore, infrastruktura e pamjaftueshme dhe përqendrimi i shërbimeve në qendrat e mëdha kanë ndikuar në tkurrjen demografike të shumë komuniteteve.
Reforma e vitit 2014, që e reduktoi numrin e njësive të qeverisjes vendore në 61 bashki, u mbështet, ndër të tjera, në synimin për forcimin e kapaciteteve administrative dhe financiare. Megjithatë, në vitet pasuese, shumë zona periferike vijuan të përjetonin rënie të popullsisë.
Nuk do të ishte e saktë që ky proces t’i atribuohej vetëm reformës territoriale, sepse shpopullimi është rezultat i një ndërthurjeje faktorësh ekonomikë, socialë, demografikë dhe politikë. Megjithatë, mënyra e organizimit të administratës, shpërndarja e shërbimeve dhe orientimi i investimeve mund të ndikojnë në qëndrueshmërinë e komuniteteve.
Pikërisht për këtë arsye, reforma e vitit 2026 duhet të vlerësohet edhe nga këndvështrimi i pasojave demografike. Duhet të analizohet nëse bashkitë e reja do të krijojnë mundësi më të mira zhvillimi apo do të përqendrojnë më tej burimet dhe shërbimet në qendrat urbane.
Nëse administrata bëhet më e përqendruar, por zonat periferike vazhdojnë të humbasin vende pune, shërbime dhe investime, atëherë riorganizimi territorial nuk do të mjaftojë për të frenuar zbrazjen e tyre.
Shqipëria ka nevojë për një politikë territoriale që jo vetëm administron popullsinë ekzistuese, por krijon kushte që njerëzit të jetojnë, të punojnë dhe të investojnë në vendbanimet e tyre.
VI. Subsidiariteti dhe e drejta e qytetarit për shërbime pranë vendbanimit.
Vetëqeverisja vendore nuk mund të reduktohet në ekzistencën formale të bashkive. Ajo kërkon që komunitetet të kenë mundësi reale të ndikojnë në vendimmarrjen vendore dhe që institucionet të jenë në gjendje t’u përgjigjen nevojave të tyre.
Parimi i subsidiaritetit mbështet ushtrimin e përgjegjësive publike nga niveli i qeverisjes sa më pranë qytetarit, kur kjo është e përshtatshme dhe efektive. Në këtë kuptim, bashkitë e reja duhet të organizohen në mënyrë që përqendrimi administrativ të mos shndërrohet në largim të vendimmarrjes nga komunitetet.
Njësitë administrative duhet të kenë funksione të përcaktuara qartë, personel të mjaftueshëm dhe burime të përshtatshme për shërbimet që u ngarkohen. Ato nuk duhet të mbeten vetëm zyra periferike, të cilat përcjellin kërkesat e qytetarëve drejt qendrës pa pasur mundësi reale për të zgjidhur problemet e tyre.
Po kështu, digjitalizimi i shërbimeve mund të lehtësojë marrëdhëniet me administratën, por nuk mund të zëvendësojë plotësisht praninë fizike të institucioneve, veçanërisht për të moshuarit dhe banorët e zonave me akses të kufizuar në internet.
Qytetari duhet të ketë mundësi të marrë shërbimet bazë pa u detyruar të përshkojë distanca të mëdha ose të përballet me procedura të panevojshme. Nëse kjo nuk garantohet, atëherë zvogëlimi i numrit të bashkive mund të sjellë kursime administrative, por edhe kosto shtesë për vetë qytetarët.
VII. Nga reforma e miratuar te kontrolli i rezultateve.
Pas miratimit të reformës, përgjegjësia institucionale është të sigurojë zbatimin e saj në mënyrë transparente, të organizuar dhe në përputhje me ligjin. Duhet të bëhet e qartë se cilat janë objektivat konkrete, si do të financohet riorganizimi dhe me çfarë treguesish do të vlerësohet suksesi.
Nevojitet një sistem monitorimi që të përfshijë koston e administrimit për banor, të ardhurat vendore, cilësinë dhe shpejtësinë e shërbimeve, distancën nga qendrat administrative, shpërndarjen e investimeve dhe ecurinë demografike të zonave periferike.
Po aq e rëndësishme është që të dhënat të publikohen dhe të krahasohen me gjendjen përpara zbatimit të reformës. Vetëm kështu mund të përcaktohet nëse ndryshimet kanë sjellë përmirësime reale apo thjesht një riorganizim të strukturave administrative.
Vlerësimi duhet të mbështetet në analiza ndërdisiplinore, ku të marrin pjesë ekspertë të gjeografisë, demografisë, ekonomisë, së drejtës, planifikimit territorial dhe administrimit publik.
Reforma territoriale nuk është një akt që mbaron me votimin në Kuvend. Ajo është një proces afatgjatë, rezultatet e të cilit duhet të maten dhe të vlerësohen nga institucionet, ekspertët dhe publiku.
VIII. Përfundim: më pak bashki nuk duhet të nënkuptojnë më pak shtet për qytetarin.
Reforma administrativo-territoriale e vitit 2026 është miratuar, por pasojat e saj do të përcaktohen nga mënyra se si do të zbatohet dhe nga aftësia e institucioneve për të garantuar se ndryshimi i hartës do të sjellë përmirësime reale në jetën e qytetarëve.
Në planin formal – juridik, Kuvendi ka kompetencën të ndryshojë ndarjen administrativo – territoriale dhe numri 46 nuk është, në vetvete, në kundërshtim me Kushtetutën. Në planin material, duhet të vlerësohen respektimi i kritereve kushtetuese, cilësia e konsultimit paraprak të popullsisë, logjika gjeografike dhe ekonomike e bashkimeve, si dhe garantimi i shërbimeve dhe i përfaqësimit për komunitetet periferike.
Nëse reforma sjell administratë më profesionale, financa vendore më të qëndrueshme, shërbime më cilësore dhe investime më të balancuara, ajo mund të shërbejë si instrument i modernizimit të shtetit. Nëse, përkundrazi, përqendrimi administrativ shoqërohet me dobësimin e shërbimeve në zonat e largëta, me zvogëlimin e mundësive të pjesëmarrjes së qytetarëve dhe me përqendrimin e zhvillimit në pak qendra urbane, do të jetë e nevojshme të shqyrtohen masa korrigjuese.
Shqipëria nuk ka nevojë thjesht për më pak bashki. Ajo ka nevojë për bashki më funksionale, më demokratike, më të qëndrueshme financiarisht dhe më pranë qytetarit. Ka nevojë për një organizim territorial që respekton historinë, gjeografinë dhe interesat ekonomike të komuniteteve, duke krijuar mundësi zhvillimi edhe për zonat malore dhe periferike.
Në një vend që përballet me tkurrje demografike, reforma territoriale duhet të shkojë përtej administrimit të territorit që mbetet. Ajo duhet të kontribuojë në krijimin e kushteve që popullsia të mos largohet, që ekonomia vendore të zhvillohet dhe që shërbimet publike të mos përqendrohen vetëm në qendrat e mëdha.
Prova përfundimtare e reformës territoriale të vitit 2026 nuk është numri i bashkive, por aftësia e tyre për të respektuar Kushtetutën, për të forcuar vetëqeverisjen vendore dhe për t’i shërbyer qytetarit. Një shtet mund të zvogëlojë numrin e njësive administrative, por nuk duhet të zvogëlojë praninë e tij aty ku qytetarët kanë më shumë nevojë për të.