
Nga Keze Kozeta Zylo/
Mbrëmja Gala e 8 Tetorit 2026 do të mbetet gjatë në mendjen e të gjithë pjesëmarrësve si një nga netët atdhetre, emocionuese të organizuara nga komuniteti shqiptar në Amerikë. Mbrëmja e 3-të Vjetore Gala e Shoqatës Illyria të Policisë së Nju Jorkut (NYPD Illyrian Society), nën udhëheqjen e presidentit të saj, Detektivit Mikeljan Agolli, nuk ishte thjesht një ndarje çmimesh, por një dëshmi e gjallë e bashkimit, traditës dhe vlerave tona familjare e kombëtare. Në këtë ngjarje të madhe të pranishëm ishin zyrtarë të lartë, oficerë policie për komunitetin shqiptaro-amerikan të zbatimit të ligjit në Nju Jork si dhe media e mirënjohur “Alba Life”, që pasqyroi nga afër këtë festë të madhe të suksesit dhe kulturës sonë.
Që në hyrje të sallës në Bronx, atmosfera festive nisi magjishëm ku Banda Muzikore e Policisë së NYPD-së na mirëpriste me këngë dhe melodi, duke krijuar një mjedis dinjitoz e solemn. Mbrëmja u hap zyrtarisht me ekzekutimin e ndjerë të hymneve kombëtare, shqiptar dhe amerikan, duke nderuar dy shtetet që formësojnë identitetin e këtyre oficerëve të guximshëm.
Bekimi i Mbrëmjes nga Kapelani i NYPD-së, Dr. Tahir Kukaj
Përpara se të niste darka dhe programi zyrtar, mbrëmja u bekua nga Imam Dr. Tahir Kukaj.
Dr. Tahir Kukaj gëzon një pozicion shumë të respektuar dhe të lartë: ai shërben zyrtarisht si Kapelan Mysliman i Departamentit të Policisë së Nju Jorkut (NYPD Chaplain). Ai është i vetmi kapelan që përfaqëson komunitetin shqiptar dhe atë mysliman në këtë njësi elitë të departamentit. Prania e tij mbartte një peshë të madhe institucionale dhe shpirtërore. Imam Kukaj foli si gjithmonë me elekuence dhe bukur. Fjalët e tij të vyera dhe lutja e tij e ngrohtë sollën një ndjesi paqeje, harmonie dhe mbarësie në tërë sallën, duke u kujtuar të pranishmëve rëndësinë e besimit, bashkimit dhe mbrojtjes.
Elegancë në sallë: Veshjet e grave police si për ballo dhe tere hijeshi
Përtej solemnitetit të uniformave, ajo që tërhiqte vëmendjen dhe i shtonte një shkëlqim të jashtëzakonshëm sallës ishin gratë police të pranishme. Larg petkut të përditshëm të punës dhe rreptësisë së detyrës, veshjet e grave police ishin tejet elegante, të kuruara me një stil të hollë si për ballo aristokratike. Ky shpërthim i hijeshisë dhe klasit u dha një dritë të veçantë festimeve, duke treguar një anë tjetër, po aq të admirueshme, të zonjave tona shqiptare në uniformë.
Fjalimi Prekës i Presidentit Mikeljan Agolli
Zoti Agolli nder te tjera tha: Të nderuar kolegë, miq dhe pjesëmarrës, sot festojmë jo vetëm arritjet tona profesionale në uniformë, por edhe lidhjen tonë të pathyeshme me rrënjët. Jam jashtëzakonisht krenar për secilin prej anëtarëve tanë që me nder dhe sakrificë lartësojnë emrin e shqiptarit në zbatimin e ligjit në SHBA. Kjo shoqatë do të vazhdojë të jetë një urë e fuqishme mbështetjeje për oficerët tanë dhe një zë i lartë i vlerave tona kombëtare në Amerikë. Faleminderit për shërbimin tuaj dhe përkushtimin ndaj komunitetit!
Në fjalën e tij, Presidenti i Shoqatës, Z. Mikeljan Agolli, veç arritjeve profesionale, zgjodhi të vendoste në qendër të vëmendjes shtyllën më të rëndësishme: familjen. Me fjalë të ndjera dhe plot mirënjohje, Mikeljani falënderoi atin e tij Nevzatin, prindërit e mrekullueshem per mirerritjen, bashkëshorten dhe fëmijët e tij, duke theksuar se pas çdo oficeri që shërben me sakrificë në rrugët e Nju Jorkut, qëndron një familje që lutet, mbështet dhe sakrifikon në heshtje.
Nderimi i Oficerëve dhe Personaliteteve të Vitit 2026
Pika kulmore e mbrëmjes ishte ndarja e çmimit kryesor “Person of the Year” (Njeriu i Vitit) për z. Philip Rivera, Shefin e Patrullës së NYPD-së (Chief of Patrol). Ky vlerësim dëshmon urën e fortë të bashkëpunimit, respektit dhe integrimit të shkëlqyer të komunitetit shqiptar brenda strukturave më të larta të Policisë së Nju Jorkut.
Chief Philip Rivera, u shpall “Personi i Vitit 2026” nga NYPD Illyrian Society
Me rastin e nderimit të tij si “Personi i Vitit 2026” nga NYPD Illyrian Society, Chief Philip Rivera përshëndeti të gjithë të pranishmit dhe shprehu mirënjohjen e tij për këtë vlerësim të veçantë. Në fjalën e tij, ai theksoi se Illyria nuk është thjesht një organizatë për të, por një familje e vërtetë, ku mbizotërojnë miqësia, respekti, solidariteti dhe krenaria për prejardhjen shqiptare.
Një pjesë e veçantë e fjalimit iu kushtua figurës së heroit tonë kombëtar, Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, simbolit të lirisë, guximit dhe qëndresës së popullit shqiptar. Në shenjë nderimi dhe vlerësimi për kontributin e tij, Chief Rivera u nderua me një bust të Skënderbeut, një dhuratë me domethënie të veçantë historike dhe kombëtare.
Ky moment shënoi jo vetëm një vlerësim për figurën dhe kontributin e Chief Philip Riverës, por edhe një dëshmi të lidhjes së fortë që bashkon anëtarët e NYPD Illyrian Society, duke e kthyer Illyrinë në një familje të bashkuar nga vlerat, traditat dhe krenaria shqiptare.
Krahas këtyre momenteve plot dritë, shoqata ndau çmimet vjetore për heronjtë e saj në uniformë dhe kontribuesit e dalluar të komunitetit, ku u nderuan:
• Çmimi për Arritje gjatë Karrierës (Lifetime Achievement): Detektivi i Gradës së Dytë Faton Alickaj. Z.Alickaj ne fjalen e tij nder te tjera tha: Ky çmim është një nderim për përkushtimin dhe punën ndër vite. Suksesi nuk arrihet vetëm, por falë bashkëpunimit dhe besimit të ndërsjellë.
Shërbimi me integritet dhe përgjegjësi është vlera më e madhe e një karriere. Ai vazhdoi se cdo sfidë është një mundësi për të dëshmuar karakterin dhe përkushtimin.
Trashëgimia më e rëndësishme e një karriere është ndikimi që lëmë te të tjerët.
• Çmimi i Lidershipit (Leadership Award): Nënkoloneli (Lieutenant) Silda Kokomeci dhe Rreshteri (Sergeant) Liridon Ahmedi.
• Çmimi i Mirënjohjes (Recognition Award): Detektivja e Gradës së Dytë Merita Hoxha, si dhe Oficerët e Policisë (Police Officer) Burim Djonbalaj, Valmir Nikqi dhe Afërdita Manllio
• Çmimi për Shërbim ndaj Komunitetit (Community Service Award): Imam Tahir Kukaj dhe Louie Suljovic (Louie’s Pizzeria & Restaurant).
Kjo mbrëmje Gala tregoi se distinktivi i NYPD-së dhe dashuria për atdheun e të parëve bashkëjetojnë në mënyrë të përsosur, duke lartësuar emrin shqiptar në majat e zbatimit të ligjit në Amerikë. Faleminderit oficerëve tanë për shërbimin dhe familjeve të tyre për qëndresën!
Shefi Rivera kembekryq me Shqiptarët
Momenti më kulmor dhe më drithërues i natës erdhi me nisjen e këngëve të traditës. Kur jehuan rreshtat e fuqishëm të këngës për Hajredin Pashën dhe ajo për Komandantin Legjendar Adem Jashari, salla përjetoi një emocion të jashtëzakonshëm. Si në kuvendet e dikurshme të burrave, të gjithë u mblodhën së bashku për të kënduar me një zë që zgjonte krenarinë kombëtare.
Në këtë atmosferë unike, i nderuari i mbrëmjes si “Njeriu i Vitit”, Shefi i Patrullës së NYPD-së, Philip P. Rivera, u bë pjesë e këtij rrethi të madh. Pa asnjë distancë zyrtare, Rivera u shkri një me shqiptarët, duke përjetuar e respektuar nga afër forcën, kulturën dhe shpirtin bujar të komunitetit tonë. Përtej vlerësimeve zyrtare, ajo që e ktheu këtë gala në një festë të paharrueshme kombëtare ishte ruajtja e identitetit dhe historisë shqiptare në zemër të Amerikës. Atmosfera u ndez dhe ngriti peshë zemrat e të pranishmëve kur anëtarët e shoqatës interpretuan këngën “Mora fjalë” — himnin që zgjon krenarinë tonë kombëtare dhe nderon sakrificën sublime të Komandantit Legjendar Adem Jashari dhe familjes heroike Jashari.
Ishte një moment thellësisht prekës që tregoi se distinktivi i policisë amerikane rrahin fort krahas zemrës dhe gjakut shqiptar.
Nga ana e tij, Presidenti i NYPD Illyrian Society, Z. Mikeljan Agolli, falënderoi të gjithë kolegët dhe pjesëmarrësit për përkushtimin dhe kontributin e tyre të pandalur në shërbim të sigurisë publike dhe lartësimit të emrit të shqiptarëve. Lidershipi juaj, kontributet tuaja të jashtëzakonshme jane krenari kombetare! Faleminderit oficerëve të policisë së Nju Jorkut për shërbimin!
Autorja e shkrimit mban titullin e lartë: Kalorës i Urdhrit të Flamurit nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Medaljen e Meritës Presidenciale dhënë nga Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani. Është publiciste, shkrimtare, autore e tetë librave, mësuese dhe bashkëthemeluese e Shkollave Shqipe “Alba Life” në New York, Ambasador i Kombit, Gruaja e Vitit 2022, NY dhënë nga Motrat “Qiriazi”.