Mësuesi Imer A Ahmetaj:”Kthehuni vuthjanë se guri rëndë peshon në vend të vet , e vendin njerëzit e mbajnë,njerëzit janë ata që i japin jetë!”/
Nga Ukë Gjonbalaj/
VUTHAJ – Gusht 2014: Imer Ahmetaj, u lind më 22 prill 1929 në fshatin Vuthaj , në një familje malesore. Ende, pa i mbushur 3 pranvera më 5 maj 1931 prindërit e tij detyrohen të emigrojnë për në Shqipëri nga dhuna dhe terrori që i bëhej popullatës shqiptare në këto treva nga sundimi i padurueshëm i Mbretërisë së SKS. Familja Ahmetaj së bashku më se 98 familje, të tjera nga trojet shqiptare pas një rrugëtimi të mundimshëm u vendosën në rrethinat e Shkodrës, në Shtoj, e cila më vonë është quajtë Gucia e re. Më 1939-40 ai filloi shkollën por u detyrua t’a ndërpresë si shkak i Luftës së Dytë Boterore. Më 1 gusht 1943 , në moshën 15-të vjeçare kyçet në radhët e Batalionit, “Perlat Rexhepi,, dhe më vonë në Brigadën XXVll të- Divizionit të Korçës, deri me 11.02.1946.
Familja Ahmetaj e cila në atë kohë shquhej si familje përparimtare,ndoshta nga tradita dhe tiparet e veta që i mori nga fshati i tij Vuthaj, apo nga qyteti i Shkodrës, që ishte dhe është djep i dijës dhe kulturës shqiptare, në periferinë e të cilit jetoi , me gjithë varfërinë dhe skamjen që mbretëronte në atë kohë.Fëmijët i kyçi qysh atëhere në shkollë dhe ata treguan sukses.
Më 15.02.1947 kthehet në vëndlindjen e tij në Vuthaj, për të jetuar së bashku me prindërit dhe motrën – derisa vëllau më i madh Hyseni mbeti në Shqipëri.Ndonëse më i ri me moshë, ai u rritë dhe u edukua në një shoqëri burrash me Sadik Bekteshin, Rexhep Ramen, Sylejman B. Ahmetaj, Hysen A.Ahmetaj (vëllai i tij me të cilin kishte ndryshim moshe 18 vjet dhe në atë kohë kishte të kryer shkollën dhe e zotëronte mirë gjuhën italiane). Me të ardhur në Vuthaj , në vendlindje, filloi aktivitetin e tij me shoke të tjerë vuthjanë, ku kryen semimaturën.
Ne vitin shkollor 1947-1948 emrohet si mesues ne shkollen shqipe ne Vuthaj.Më 1948 përfundon kursin pedagogjik për aftësimin e mësuesve të përkohshëm në Ulqin. Më 1950 privohet nga liria lidhur me IB dhe pas 5 muajëve të kaluara nën hetime të egra në një nga burgjet e Malit të Zi, në Cetinje lirohet si i pafajshëm.Më 1951 emërohet si mësues në shkollën shqipe në Vuthaj, ndërsa më 1954 -56 emërohet në ciklin e lartë të shkollës fillore, në gjuhën amë në Guci, deri sa më 1956 kthehet përsëri në Vuthaj. Më 1962 burgoset përsëri dhe në mungesë të fakteve i shqiptojnë masën e sigurisë , internim-largim nga familja. Dy vjet e gjysmë i kaloi në burgun famëkeq në ishullin Grgur, ujëdhesë në detin Kroat. Pasi kthehet nga burgu ,nuk e rikthejnë në punë, dhe ai detyrohet të shkojë në Kosovë, në Pogragje të Gjilanit dhe Istog, duke punuar në profesionin e tij. Më 1967-68 kreu shkollën e lartë pedagogjike , të cilën e filloi në Prishtinë dhe më pastaj në Prizren – dega e gjuhës dhe letërsisë shqipe. Pensionohet në vitin 1989 dhe definitivisht kthehet në vendlindje të tij në Vuthaj.
Aty ku dhe unë me shumë mall dhe respekt e takova një ditë Vere, gjatë pushimeve në vendlindjen time. Megjithëse, në moshën 85 vjeçare ishte në një gjendje shumë të mirë shëndetsore, me një fizik karakteristik të burrave të këtyre anëve me një memorie të kthejlltë si më parë; u tregua i gatëshëm për të zhvilluar këtë bisedë për Gazetën Dielli në Amerikë.
Kujtime të largëta
(Kushtuar mësuesit tim në Vuthaj)
Në portën e shkollës dy milicë të zinj
Si dy sorra të zeza në një shkreti Ai midis tyre me hekura në duar
Atij ne i pamë vec dy pika lot
Që I ranë nëpër faqe me vertik
Kur s deshtëm ta linim me ta me ikë.
Ashtu I lidhur na përqafoj fort Prandaj cdo herë kur vjen Pranvera Kacurrelin e tij sikur ma tund era……
(Eshkruar nga nxënësi i tij:Mem Isufi Gjonbalaj,që me mbylljen e Tetëvjecares së Gucisë, doli në Shqipëri)
Zoti Ahmetaj let’ju kthehemi edhe një herë kujtimeve nga jeta juaj. Kur u hap për herë të parë Shkolla shqip në Vuthaj dhe kush ishin mësuesit e parë?
– Shkolla fillore me mësim në gjuhën shqipe në fshatin Vuthaj për herë të parë u hap nga mesi i muajit dhjetor 1945-1946 me dekretin e Ministrisë për arsim të Malit të Zi, edhe pse në mungesë të të dhënave , thuhet se Vatra e gjuhës shqipe – Shkollës shqipe në Vuthaj – Guci daton që nga viti 1916 – 17 me mësuesin Josip Rela. Ky vit mban në vehte ngjarje me karakter historik për tërë Vuthjanët e më gjerë, sepse, u hapën shtigjet e diturisë. Vuthjanët i thanë lamtumirë të kaluarës së errët historike. Vuthjanët, pasi dëgjuan lajmin u tubuan si rrufeja në vendin e caktuar për t’u hapur shkolla. Festuan sepse kjo ditë ka qenë endërr e parealizuar , ditë që na ishte mohuar nga osmanllinjët më se pesë Shekuj. Ditë, kjo që na është mohuar në kohën e robërimit serbomadhe, qëllimisht,duke na i mohuar të drejtat për shkollimin në gjuhën amtare. Një mohim i së drejtës të shkollimit në gjuhën shqipe, na u bë edhe në kohën e ashtuquajtur ,” Shqiperia e madhe ,,.
Mesuesit e parë apo t’i quaj më mirë – Pishtarët e arsimit në Vuthaj patën fatin të jenë : Ahmet Islami Rexhepagiq nga Plava, Ibrahim Shabani Gjonbalaj nga Vuthajt , Isa Elezi Ulaj nga Vuthajt, Hysen Cuku nga Ostrosi i Krajës, Sulejman Avdic nga Katerkolla-Ulqini dhe unë Imer Ali Ahmetaj nga Vuthajt.
Këta janë veteranët e arsimit, që ushtruan profesionin e mësuesit në shkollën fillore Vuthjane, në fillimet e para. Ndërsa mësuesi i parë që dual para nxënësve vuthjanë ishte Ahmet I .Rexhepagiq nga Plava.
Mësimi zhvillohej në kushte të vështira, çdo gjë mungonte për procesin mësimor, përveç vullnetit të nxënësve dhe mësuesve.
Në mungesë të objektit shkollor, kurset u mbajtën me heret në kasollen e Bali Syles Gjonbalaj (mejtepi), pastaj mësimi në shtëpinë e Dushe Dashes, shtepinë e Beqir F.Ahmetaj, Sherif M, Ahmetaj dhe në kullën Selman Fazlis Gjonbalaj , në katin e tretë. Dua t’a përmendi se Selman F. Gjonbalaj ishte nxenes i Josip Relës .
Më 1946-47 mësuesi i parë u transferua në shkollën fillore në Guci , po në gjuhën shqipe , ndërsa në Vuthaj emërohen dy mësues tjerë Sulejman Avdiqi e Hysen Cukoviqi , dhe pas një vit pune transferohen – Sylejmani në Martinaj e Hyseni kthehet në vendlindje, në Kraje-Ostros.
Ndërsa më 1947-48 , Ministria e Arsimit për herë të parë dekreton tre djem vuthjan për mësues në shkollën shqipe në Vuthaj – Ibrahim Gjonbalaj, Imer Ahmetaj dhe Isa Ulaj, të cilët me dinjitet, ndergjegje te madhe iu përveshën punës me nxënësit, dhe puna e tyre në procesin edukativo -arsimor vuri bazën e shkollimit të vuthjanëve, që nga ajo kohë e në vazhdim.
Mësuesit e permendur në atë kohë janë nismëtar të shumë aktiviteteve të zhvilluara në Vuthaj. Vlen të përmendet aksioni i ndërtimit të shkollës, që filloi e u krye me mjete dhe punë vetanake të vetë vuthjanëve. Me ndërtimin e objektit të shkollës nxënësve u afrua mësim më i mirë dhe kushte më të mirë se sa në shtëpitë private, ku zhvillohej mësimi. Objekti i shkollës u ndërtua ne vitin 1952-53,në mes të fshatit, në Mokën, ku mendohej se të gjithë nxënësit do t’a kishin më lehtë ardhjen në shkollë.
Vlen të përmendet se aktivitet tjetër ishte edhe elektrifikimi i fshatit ku të gjithë vuthjanët dhanë kontributin e tyre maksimal me punë fizike dhe për një kohë të shkurtër arriti edhe drita në çdo shtëpi, duke ndryshuar jetën e fshatarëve për të mirë.
– Çfarë ishin tekstet shkollore – mësimore, dhe nga furnizohej shkolla me libra programet mësimore?
– Në fillim tekstet mesimore kanë munguar për mësim në gjuhën shqipe dhe mjerisht, mungojnë edhe sot për nxënësit me mësim në gjuhën shqipe. Nuk kishte as fletore , nuk kishte banka dhe materiale të tjera logjistike. Fshatarët punuan prej drurit bankat, të cilat i quajtën atëhere “latna,, që kishin 3 metra gjatësi , dhe në shkollë ishin tri gjithsejt . Nxënësit kishin nga një copë dërrasë, ku shkruanin me shkumës dhe i fshinin përsëri, detyrat.
Nga librat kishim ,,Abetaren,, dhe ,,Libër Leximin,, derisa për lëndë të tjera as që bëhej fjalë mbasi nuk kishte libra, gjë që ishim të detyruar të merreshim me përkthimin joprofesional nga gjuha serbokroate dhe ua diktonim duke ju falenderuar vullnetit të fortë të mësuesve dhe intelegjencës natyrale të nxënësve – Megjithatë ne jemi krenarë sepse suksesi s’ka munguar. Dmth, në fund të vitit në bazë të suksesit, gjithmonë ka zënë vendin e parë ndër shkollat më të mira , kuptohet në gjuhën shqipe në atë trevë. Dhe , sipas një statistike, që e bëri Ministria e Arsimit e atëhershme , fshati Vuthaj – doli i pari në vend që e hoqi analfabetizmin ne ate kohe,dhe është interesant se nga vitet e 80-ta do jetë ndër fshatrat me më shumë njerëz me shkollim të lartë, në vend.
Programi mësimor i hartuar nga Ministria e Arsimit – ka qenë i cunguar në gjuhën shqipe sa i përket historisë kombëtare, gjografisë, edukatës muzikore, artit dhe mësimit për lendën e gjuhës shqipe. Mendoj se edhe sot mungojnë tekstet mësimore në gjuhën shqipe!
– Sa nxënës kishte shkolla e Vuthajt- në fillim të saj dhe sa ishin të përfshira vajzat vuthjane në shkollim e asaj kohe?
– Në vitin 1945-46 kur Shkolla fillore në Vuthaj nisi mësimet , nxënës të regjistruar përherë të parë kanë qenë mbi 90, të moshave të ndryshme prej 7-14 vjeçar, mbi 30 përqind ishin të gjinisë femërore.
Mësuesi i parë Ahmet I. Rexhepagiq, të gjithë nxënësit i ka grupuar në klasën e parë.Në mbarim të gjysmëvjetorit të parë, ai ka bërë seleksionimin e nxënësve. Duke patur kështu për herë të parë perparimin e nxënësve në procesin mesimor dhe moshën. Kështu që më shumë se gjysma e tyre, i ka kaluar në klasën e dytë.Pra, në mbarim të vitit shkollor, përfundojnë mësimin; klasën e parë dhe e dytë, kështu që në fillim të vitit të ri shkollor 1947/48 – shkolla nisë punën e saj me tri klasë ,e l-rë ,e ll-të,dhe e lll-të, me nga një paralele.
Vijimi i vajzave vuthjane në shkollë nuk ka qenë problem asnjëherë, mbasi ka rastisë, që gjinija femërore ka dominuar ndaj asaj mashkullore.
-Në se kthehemi në retrospektivë tek vitet- Viti 1956 ,si ju kujtohet ,kush ishin ata vuthjanë ,që e mbrojtën shkollën shqipe,e cila ishte e vetmja në Mal të Zi, që nuk u mbyll asnjëherë ?
-Viti kalendarik 1956 për shkollat me mësim në gjuhën shqipe ka qenë tragjik dhe i rënd! Në ketë vit organet shtetrore ndërrmarrin një aksion të maskuar, me qëllim të caktuar – lufte për mbylljen e shkollave në gjuhën shqipe në teritorin e Malit të Zi ,duke pretenduar jo mbyllje po , simbas tyre “reforma për riorientimin e shkollës shqipe”, në gjuhën serbokroate, duke aluduar gjoja në të mirë të shqiptarëve, që kur të kryejnë shkollën të punesohen më lehtë.
Ne si mësues e kundërshtuam këtë aksion në mënyrë kategorike dhe në mbledhjen e mbajtur me disa përfaqësues nga Ministria e Arësimit në Vuthaj bëmë kundërshtimet tona, që ju bashkangjitën edhe vuthjanët me këmbëngulje,kryesisht në perjashtim të dy tre vetave.
Ndër vuthjanët më të flakët ishin Adem Sadiku Qosaj. Adem Selmani Gjonbalaj, Bali Syla Gjonbalaj, Mustafe Arifi Çelaj, Ram Alia Ulaj,Bajram Hasani Gjonbalaj etj . Këtë program famëkeq të Ministrisë së Arsimit të atëherëshëm e kundërshtuan dhe nuk u pajtuan kurrë. Ata nxënës që kishin mbaruar mësimin në shkollën fillore, në gjuhën shqipe në Vuthaj, të moshave të ndryshme, nga pamundësia që të vijojnë në gjuhën shqipe ikën në Shqiperi, duke vazhduar atje shkollimin e metutjeshëm.Shumica nga ata nuk u kthyen më, por të gjithë kanë mbaruar fakultete të ndryshme.
Duke ju falenderuar vendosmërisë së vuthjanëve që mbrojtën shkollën shqipe, aq me vendosmëri, pas tri vjetëve u hapën shkollat shqipe në Martinaj, Doli dhe cikli i lartë në Guci.
-A mund të na sillni disa nga kujtimet tuaja për kolegët me të cilët keni punuar së bashku?
-Kur flet njeriu për kolegët e punës së përbashkët shumëvjeçare në të njëjtën shkollë , në të njëjtin profesion të shejtë të mësuesisë , nuk është lehtë, të kaplojnë emocionet, dhe ndjenjat e perziera – pasiqë, tani për shkak të viteve të gjithë pothuajse janë të ndjerë.Për të gjithë ata që punuam bashkë kam fjalët më të mira, dhe përulem me respekt të thellë për çdo njerin. Kanë qenë njerëz të ngritur, përparimtarë ,të pajisur me virtyte të larta njerëzore. S’ka qenë lehtë në një fshat si Vuthajt, paksa të mbyllur nga vetë natyra, një trevë e lenun pas dore, dhe e shtypur nga regjimi, me sakrifikua çdo gjë, për punën e mësuesit duke punuar me aq vullnet , duke perjetuar probleme të nderlikuara, por duke ju falenderuar karakterit të fortë njerëzor dhe kombëtar ishim të pamposhtur.S’kishim intriga, xhelozi me njeri tjetrin. Andaj edhe sot i kujtoj me respekt dhe kosideratë të lartë.
Gjithashtu, mund të them se mëkat do të ishte sikur të gjitha të arriturat në fshatin Vuthaj dhe sukseset në shkollën e Vuthajve, t’ua përshkruanim vetëm tre pishtareve të arsimit të permendur me lartë ,sepse do t’u hynim në hak mësuesve të tjerë që punuan më pastaj, me tërë qenien e tyre, në këtë shkollë. Dhe, aktivitete të tjera në fshat siç ishin dhe janë Ramiz I. Gjonbalaj, Sadri A.Gocaj, Ramadan B.Gjonbalaj, Hasan I. Gjonbalaj, Halil Z.Brucaj. Neriman Sadrijaj dhe Hasan R.Gjonbalaj. Pra do të thoja me plot gojën Respekt për të gjithë!
Cili ishte viti i largimit tuaj nga Vuthajt dhe arsyeja ?
Pushtetit të asaj kohe, natyrisht që nuk i konvenonte aktiviteti ynë, konkretisht puna ime, vullneti dhe kundërshtimi im për mbylljen e shkollës shqipe në Vuthaj, puna dhe suksesi me nxënësit. Si pasojë e gjithë kësaj më 1 mars 1962 – duke mbajtur orën e mësimit, në mënyrë jo njerëzore para nxënësave, më privojnë nga liria, duke më akuzuar për të gjitha veprat penale të veprimtarisë kundër popullit. Më kujtohen nxënësit , mbeten duke qajtë! Pas 6 muaj hetime, në mungesë të fakteve me shqiptuan dënimin me kohezgjatje dy vjet e gjysmë. Largim nga familja – internim, dhe me dërguan në ishullin famëkeq të ashtuquajtur Gërgur në Detin Adriatik – Kroaci. Nuk ishte lehte sepse në shtëpi lashë prindërit e vjetër, hallën ,motrën ,nusen e re dhe tri vajzat. Por, duke iu falenderuar familjes, dhe karakterit tim,i përballova dhe në fund të gushtit 1964 – u riktheva në shtëpi.
Dëshira që të kthehem në vendin e punës, aty ku e fillova me vullnet nuk mu realizua sepse Ministria e Arsimit ma refuzoi kërkesën time, dhe pranoi një mësues tjetër shqiptar.
U detyrova përsëri të dal nga shtëpia, lashë familjen, dhe shkova në Kosovë, ku më 30 shtator 1964 në bazë të një konkursi plotësues u pranova si mësimdhënës i gjuhës shqipe, në Shkollën fillore ,,Liria ,,në Pogragje të Gjilanit. Më vonë më zgjodhën edhe si drejtor të po kësaj shkolle. Aty punova 7 vite me radhë dhe duke ju falenderuar punës dhe sjelljes time, arrita nga autoritet të merrja dhe përkrahje të madhe në kolektiv të shkollës dhe tek pogragjalitë.
Në vitin 1970-71 kalova të punoj në shkollën fillore ,,17 Nëntori,, në Istog ,ku punova më se 19 vite ,më të njëjtin vullnet dhe pasion deri më 1 shtator 1989 – kur dhe u pensionova dhe u ktheva në vendlindjen time, në Vuthaj.
Tash kur mendoj dhe e kthej kohën pas, gjithë ato peripeti,gjithë ai vullnet i im dhe i shokëve është kurorëzuar me sukses, sepse shkolla shqipe në Vuthaj u bë vatër arsimi, çerdhe diturie prej së cilës dualën vetëm deri në vitet e 90-ta më se 218 veta me fakultet prej këtyre 54 vajza vuthjane janë edhe sot me fakultete të ndryshme.
Ideali im u realizua sepse arrita t’i shkolloj 6 fëmijët e mij, 5 vajzat dhe djali tash kanë të kryer fakultetin dhe njëra nga vajzat ka Doktoruar në lëminë e shkencave mjekesore, gjë që Kosovës i jam mirënjohës tërë jetën.
Së fundi – Cila është porosia e juaj për gjeneratat e reja vuthjane?
– Më beso, kjo është pyetja më e vështirë, më e rëndë për mua! Gjatë gjithë bisedës që e zhvilluam bashkë të fola me krenari, me respekt me emocione, për shokët – mësuesit e parë, për vuthjanët që bënë çmos dhe me guxim e mbajtën të hapur shkollën shqipe në Vuthaj. Pra, për nxënësit vuthjanë, që ishin të rrallë me një vullnet të paparë,në mosha të ndryshme, iu kapën shkollës ,në kushte shumë të vështira arritën sukses. Dhe, sot si në Kosovë, Shqipëri, e kudo nëpër botë, takon vuthjanë, janë me familje intelektuale dhe të suksesshëm. Por, fatkeqësisht, akoma vështirësitë për t’u punësuar, problemet e natyrave të ndryshme, dëshira për një jetë më të mirë dhe vuthjanët ikin, shpërngulen për çdo ditë. Nga frika se shkolla do të mbetet pa nxënës ,vendi është i zbrazët ,Vuthajt, janë shkretë, kam një porosi:” Kthehuni vuthjanë ,se guri rëndë peshon në vend të vet , e vendin njerëzit e mbajnë ,njerëzit janë ata që i japin jetë !
Ndërsa, së fundi të falenderoj Ukë Gjonbalaj , për respektin dhe kohën që ma kushtove!
Respekt për Ty dhe gjithe ata që dualën nga kjo shkollë nga ky vend!
Mos i harroni Vuthajt!
Vuthaj, Gsht 05.2014
Uke Gjonbalaj
Pune te mire Shoku ime te lumte