

Julika Prifti/
Në Tiranën e sotme, ku eci mes kujtimeve të mia dhe risive të mëdha që ka sjellë koha, spikat mundësia për të shijuar ngjarje arti dhe kulture, siç është ekspozita Amedeo Modiglian-it në Galerine Kalo. Ekspozita dyjavore u hap në mesin e majit dhe u mbyll këtë fundjavë. E mundësuar nga Fondacioni Kalo i çiftit Përparim dhe Ardjana Shehi Kalo, ekspozita u sjell kënaqësi artdashësve si unë. Për thuajse dy dekada, Galeria Kalo është modeli i vizionit largpamës të krijuesve si dhe promotore e arteve figurative dhe artistëve shqiptare dhe ndërkombëtarë. Për mua, që u largova nga Shqipëria tri dekada më parë, të gjendem para veprave të Modiglian-it në Tiranë është si të marr një dhuratë nga fati. Në të njëjtën javë shijova “Fundi i Golemeve ” operë shqiptare kompozuar nga Nikolla Zoraqi përpara më se gjysmë shekulli. Kjo është Shqipëria që ruan kujtesën e vet dhe që nuk pret më të shkojë te kultura evropiane, por që po e sjell atë në shtëpinë e vet.
Pikturat e skulpturat e Modiglian-it i kam parë për herë të parë në albumet e revistat e Bibliotekës së Institutit të Kulturës Popullore. Ato ishin vitet kur veprat e tij dhe mjeshtërave të tjerë nuk ekspozoheshin në muzeumet e Shqipërisë.
I vështroja nga afër disa nga portretet dhe punimet e stilit të tij të veçantë të Rilindjes italiane të frymëzuar nga maskat afrikane, dhe nuk mund të mos e doja edhe më shumë Modiglianin.
Ndonëse hapi vetëm një ekspozitë në gjallje dhe u nda nga jeta shumë i ri, ai pati talentin e një pararendësi që me mençurinë e tij shihte vlerë artistike aty ku të tjerët shihnin vetëm “ekzotizëm” apo “paturpësi”.
Edhe pas një shekulli, Modigliani në Galerinë Kalo në Tiranë na kujton se fuqia e artit as nuk është matur dhe as nuk matet me zotësinë për të sunduar të tjerët, por me aftësinë për të mësuar prej tyre.