Mehmet Prishtina/
Jam i lumtur dhe me i forte se kurrë me pare sepse pikërisht në krahun e djathte kam Gjeneralin me Shajak Dibranin e madh Elez Isufi – Ndreu, ndërsa këtu bashke me mua ndodhen pasardhësit e themeltareve te Pavarësisë se Shqipërisë, pasardhës të Isa Boletinit, pasardhës të Idriz Seferit, pasardhës të Shaban Polluzhës, pasardhës të Azem Bejtes.
Jemi mbledh për një moment krejt të veçante, sot pas më shumë se 100 vite, në Dibër na bashkon Hasan Prishtina, Heroi Kombëtar i cili 100 vite më pare, do ta përfaqësonte Dibrën në Parlamentin Shqiptar. Tani ai po kthehet në Dibër i derdhur në bronz, përkrah Gjeneralit me Shajak Heroit Kombëtar Elez Isufi Ndreu, të dy së bashku nuk kursyen asgjë për çështjen kombëtare, nga sot ata do të jene bashkë në Dibrën heroike për të përçuar mesazhin e bashkimit kombëtar.
Hasan Prishtina, ishte njëri ndër ideologët kryesorë të çlirimit dhe bashkimi kombëtar të shqiptarëve. Vepra dhe tërë jeta e tij kanë qenë të lidhura me fatin e kombit e Atdheut. Me një natyrë të çiltër, tejet komunikues, i dashur dhe i përkushtuar për bashkatdhetarët e vërtetë e të devotshëm, në anën tjetër të karakterit të tij ai ishte kundërshtar i pa kompromis kundër kolaboracionistëve dhe politikanëve që bënin pazare mbi kurriz të popullit. Në luftë për të realizuar aspiratat kombëtare, ishte i vetëdijshëm se duheshin bërë sa e sa sakrifica. Ishte në shënjestër të forcave reaksionare të Perandorisë turke por edhe të shteteve grabitçare të Ballkanit. Në rrugën e tij jetësore iu kishte përmbajtur motos: “Mue n’idenë teme patriotike nuk ka mujtë as nuk do të mujë me më shtrue ari i të tanë botës, por as mënia e tanë armiqve! Ka me më shtrue vetëm vdekja”. Kredoja e tij jetësore, trimëria dhe temperamenti tipik i shqiptarit me prejardhje nga Drenica, (zona spartane të Shqipërisë ndër shekuj), bënë që në qenien e tij të manifestoheshin vetitë më karakteristike të shqiptarit intelektual dhe luftëtar në të njëjtën kohë, demokrat dhe atdhetar ndër më të dalluarit e kohës. Qëndrimi i tij i palëkundur në zgjidhjen e drejtë të çështjes kombëtare, bëri që jeta dhe vepra e Hasan Prishtinë të mbetet burim frymëzimi për të gjithë idealistët e kombit deri te Adem Demaçi, Adem Jashari dhe të gjithë trimat e trimëreshat e tri ushtrive tona çlirimtare. Emri i Hasan Prishtinës është emër nderi e respekti për brezat liridashës të shqiptarëve.
Hasan Prishtina mori pjesë aktive në përgatitjen dhe organizimin e Kongresit të Lushnjës 1920 dhe në prill të vitit 1921 u zgjodh deputet i Dibrës në parlamentin shqiptar. Më 7 dhjetor 1921, Hasan Prishtina krijoi kabinetin qeveritar që ekzistoj për pak ditë. Në këtë kabinet morën pjesë Zija Dibra si Ministër i Luftës, Luigj Gurakuqi si Ministër i Brendshëm, Fan Noli si Ministër i Punëve të Jashtme, Hoxhë Kadriu si Ministër i Drejtësisë, Kristo Dako si Ministër i Arsimit, Ahmet Dakli si Ministër i Financave, Haki Tefiku si Ministër i Punëve Botore dhe Bajram Curri si Komandant i Përgjithshëm i Ushtrisë. Forcat kundërshtare shfrytëzuan situatën e tensionuar me Jugosllavinë, për rrëzimin e kësaj qeverie. Shquhet si luftëtar për mbrojtjen e “Zonës neutrale” të Junikut nga forcat serbe, si udhëheqës i lëvizjes nacionalçlirimtare dhe i çetave kryengritëse në Kosovë kundër sundimit serb.
Telegrami i gjetur në Arkivin e Shtetit në Tiranë dëshmon se në janar 1921, si kryetar i Komitetit të Kosovës, Hasan Prishtina niste një letër nga Shkodra, të shkruar në frëngjisht, drejtuar Ministrisë britanike të Punëve të Jashtme, ku ai listonte disa nga krimet serbe në Kosovë, Dibër e Lumë në periudhën 1918-1920. Hasan Prishtina përshkroi vrasjen e 20.000 burrave dhe 1500 grave në Kosovë, si dhe djegien e 168 fshatrave dhe 4769 shtëpive, duke shtuar se për vetëm tri ditë të fund gushtit 1920 ishin vrarë 250 shqiptarë dhe ishin djegur 7800 shtëpi në krahinat e Dibrës dhe Lumës.
Në veprimtarinë e tij do të ketë pengesa të mëdha, si nga ana e shteteve ballkanike, Serbisë, Greqisë, Malit të Zi, Bullgarisë, të përkrahura nga Fuqitë e mëdha, sidomos nga Rusia e Franca, dhe nga shqiptarë, nga Esat Pashë Toptani, Ahmet Zogu, Ceno Kryeziu, etj.
Më 13 gusht të vitit 1933 u vra në Selanik nga dora tradhtare. Në vitin 1977, në kuadër te 100 vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, Shteti Shqiptar riatdhesoj eshtrat e Hasan Prishtinë. Sot eshtrat e Heroit Kombëtar Hasan Prishtina pushojnë në Kukës, dikur Qarku i Kosovës.
Nderim jetës dhe veprës së Heroit Kombëtar Hasan Prishtina