
Zef Ujkaj*/
Nelo Drizari (1902–1978) ishte një nga figurat më të shquara të diasporës shqiptare në Shtetet e Bashkuara: gazetar, gjuhëtar, studiues, romancier dhe piktor. Lindi në Drizar të Mallakastrës më 1902 dhe emigroi në Amerikë në moshën dhjetëvjeçare. Pas një fillimi të vështirë, për shkak të punëve të rënda dhe problemeve shëndetësore, u kthye për një periudhë të caktuar në Shqipëri pranë familjes, për t’u rikthyer më pas në Amerikë për të vazhduar shkollimin.
Drizari studioi gazetari në Columbia University, duke u bërë gazetari i parë shqiptar i diplomuar në një universitet amerikan. Më vonë u rikthye në këtë universitet si pedagog dhe ishte i pari që solli dhe përfshiu gjuhën shqipe në Columbia University, duke dhënë mësim për të. Pas Luftës, ai organizoi dhe drejtoi seksionin e Gjuhës Shqipe, pranë Institutit të Gjuhëve të Huaja, në Ministrinë Amerikane të Mbrojtjes. Gjatë viteve studentore botoi shkrime në shqip dhe anglisht, ndërsa artikujt e tij u dalluan për gjuhën e pasur e të pastër, si dhe për trajtimin me fakte dhe analiza të çështjeve shqiptare.
Veprimtaria e tij në shtypin shqiptar të Amerikës nisi herët. Emri i tij gjendet që në vitin 1916 në revistën “Përparimi”, ndërsa më vonë bashkëpunoi edhe me revistën “Studenti”. Ishte anëtar i Federatës Vatra nga viti 1921 dhe, në vitin 1928, drejtoi degën e Vatrës në New York. Në vitet 1937–1939 ishte editor i gazetës “Dielli”. Në vitin 1969, me rastin e 60-vjetorit të “Diellit”, mbajti një ligjëratë në aktivitetin jubilar të organizuar për këtë përvjetor.
Një nga kontributet më të rëndësishme të Drizarit ishte krijimi dhe zhvillimi i transmetimeve në gjuhën shqipe të “Zërit të Amerikës”. Atij iu besua krijimi i seksionit shqiptar, të cilin e drejtoi gjatë viteve 1941–1948. Gjithashtu, ai ishte sekretar i shoqërisë “Përparimi” dhe kryetar i Lidhjes së Studentëve Shqiptarë në Amerikë.
Drizari ishte veçanërisht i interesuar për gjuhën shqipe. Në vitin 1934 botoi fjalorin Shqip–Anglisht dhe Anglisht–Shqip, me parathënie nga Faik Konica. Në vitin 1947 botoi veprën gjuhësore “Spoken and written Albanian”. Sokol Paja, editor i gazetës Dielli, shprehet: “Kryevepra studimore e Nelo Drizarit “Spoken and Written Albanian” është ndër kontributet më të vyera publicistike, shkencore, historike e gjuhësore që ish editori i “Diellit” ka lënë trashëgimi për shqiptarët e Amerikës dhe studiuesit e gjuhësisë e historisë kombëtare”.
Drizari kontribuoi gjithashtu në përkthimin e veprave nga shqipja në anglisht dhe në hartimin e disa veprave me autorë të përbashkët. Në letërsi, Drizari fillimisht u mor me poezi, por suksesin më të madh e arriti në prozë, publicistikë dhe shkrime studimore. Në vitin 1957 botoi romanin “Song of Irena”, me subjekt dhe personazhe të lidhura me Mallakastrën, vendlindjen e tij. Nga letërkëmbimet e tij rezulton se kishte shkruar edhe një vepër tjetër me temë shqiptare, që mendohet të ketë qenë novela “Bijtë e Korbës”, e cila trajtonte luftën për çlirimin e Shqipërisë nga pushtimi fashist e nazist, por deri tani nuk janë gjetur gjurmë të saj. Në vitin 1969 botoi romanin “Four Seas to Dreamland”, i cili në mënyrë të tërthortë pasqyron edhe përvojat e jetës së tij.
Ndër shkrimet e tij të tjera përmenden eseja studimore “Jack London and the Impossible Dream” dhe vepra kushtuar misionit katolik Carmel të Kalifornisë, “The Picturesque Garden of Enchantment”. Ai dha gjithashtu një kontribut në përgatitjen e vepres kushtuar heroit kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu, botuar më 1968 me rastin e 500 vjetorit të vdekjes së tij.
Publicistika e Nelo Drizarit nuk u kufizua vetëm në shtypin shqiptar të Amerikës. Përveç “Diellit”, “Përparimit” dhe “Studentit” (organ i Lidhjes së Studentëve Shqiptarë) shkrimet e tij u botuan edhe në organe të njohura të shtypit amerikan, ndër të cilat The New York Times, Boston Globe, Brooklyn Eagle Magazine, Current History Magazine dhe Worcester Gazette Magazine.
Në pikëpamjet e tij politike, Drizari ishte për një shtet të fortë, ku sundonte ligji. Ai kishte bindje monarkiste dhe ishte përkrahës i Mbretit Zog, ndaj të cilit ruajti besnikërinë edhe pas pushtimit italian të Shqipërisë dhe rrëzimit të monarkisë. Ishte admirues i madh i Faik Konicës dhe i artistit shqiptar me famë ndërkombëtare Aleksandër Moisiut, të cilin edhe e intervistoi. Nëpërmjet veprimtarisë së tij akademike dhe kulturore, ai u përpoq të afronte edhe studiues e personalitete amerikane me Shqipërinë dhe gjuhën shqipe, duke i nxitur të mësonin shqip dhe të vizitonin vendin.
Përveç gazetarisë, letërsisë dhe gjuhësisë, Drizari ishte i apasionuar pas pikturës dhe organizoi disa ekspozita personale. Jeta dhe veprimtaria e tij u zhvilluan kryesisht larg Shqipërisë, së cilës iu ndalua kthimi nga regjimi komunist. Megjithatë, ai e ruajti deri në fund lidhjen shpirtërore me vendlindjen dhe komunitetin shqiptar.
Nelo Drizari ndërroi jetë në Kaliforni në vitin 1978, i malluar për vendlindjen. Për kontributin e tij, qytetet Ballsh dhe Fier e kanë shpallur qytetar nderi.
Nelo Drizari mbetet një figurë e rëndësishme e historisë së shqiptarëve në Amerikë dhe një intelektual që dha shumë për gazetarinë, gjuhësinë, letërsinë, arsimin dhe kulturën shqiptare dhe jo vetëm.
*Shkrimi është mbështetur mbi të dhënat e librit “Editorët e Diellit ne 110 vite histori” të autorit Dalip Greca, në librin “Për Vatrën dhe vatranët” të autorit Idriz Lamaj dhe në artikullin “Vepra e Nelo Drizarit “Spoken and Written Albanian”, si një kontribut gjuhësor e historik për mërgatën shqiptare të Amerikës” të autorit Sokol Paja.