Kryediplomati Hoxhaj: Kosova nuk mund të shihet si e ndarë nga proceset në rajon/
PRISHTINË, 29 Tetor 2016-B.Jashari/ Kosova nuk mund të shihet si e ndarë nga proceset në rajon, tha ministri i Jashtëm Kosovar, Enver Hoxhaj, sot në Sllovaki. Në këtë kontekst, vijoi ai, procesi i zgjerimit të Bashkimit Evropian duhet të shfrytëzohet për mbylljen e të gjitha temave të hapura në rajon.“Nëse Serbia nuk e njeh Kosovën, rajoni do vazhdojë të mbetet në status quo”, tha ministri Hoxhaj.Për më tepër, ai, duke përshkruar kontekstin e ri të zvillimeve në Ballkanin Perëndimor, potencoi edhe rëndësinë amerikane në të gjitha proceset. “Pa angazimin e SHBA-ve, si dhe kontributin e BE-së, nuk do të ishim në gjendje të kishim progres, i cili bërë deri më tani”, tha Hoxhaj.Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, po merr pjesë në konferencën ndërkombëtare “Globsec Tatra Summit” që po mbahet në Bratisllavë, Sllovaki. Në këtë forum ndërkombëtar, ku po diskutohet për aspektet e rëndësishme politike, ekonomike dhe financiare evropiane, po marrin pjesë edhe ministra të jashtëm nga Evropa dhe Ballkani Perëndimor, komisionerë nga BE dhe personalitete tjera.
Njoftimi i dërguar thekson se, në adresimin në panelin me temën “Ballkani Perëndimor, pjesa e munguar e BE-së”, ku është diskutuar për të ardhmen e Ballkanit perëndimor, respektivisht, procesin e zgjerimit të BE-së, Hoxhaj ka vlerësuar se rajoni në përgjithësi, në 20 vitet fundit ka bërë progres të jashtëzakonshëm, por ende mbetet punë për t’u bërë.Në këtë panel kanë marrë pjesë edhe ministra dhe zëvendës ministra të jashtëm të Ballkanit Perëndimor.Sa i përket zgjerimit të mëtejmë të BE-së, ministri Hoxhaj ka theksuar se është bërë punë e mirë në sundimin e ligjit, etj, por pa zhvillim ekonomik, nuk do të jemi në gjendje të ecim përpara. Megjithatë, sipas tij, duhet të ketë politikë më fleksibile sa i përket zgjerimit.