*Historia e familjes Qypi e Kurbinit,që humbi 9 pjestarë në luftën kundër komunizmit, jetoi 3 vjet e arratisur në male/
*Si arriti Bardhok Ndreu të nxirrte gruan nga burgu i Krujës dhe si mundi që për një vit të bashkëjetonte maleve…?/
Nga Dalip GRECA/
Para ca vitesh, kur në faqet e gazetës shqiptaro-amerikane “Illyria” sapo kisha përfunduar shkrimin e tretë te një cikli kushtuar një prej figurave më enigmatike të nacionalistëve antikomunistë shqiptar, profesorit Alush Leshanaku, në redaksi telefonoi Hysen Blloshmi, i biri i njërit prej atyre që amerikanët i hodhën ne malet shqiptare në fillim të viteve ’50 të shekullit të kaluar për të rrëzuar regjimin e Enver Hoxhës, Xhevdet Blloshmit. Hyseni më tërhoqi vëmendjen se kishte një pasaktësi që binte në sy në atë shkrim; Alushin pas vrasjes me pabesi, rënien në kurthin që i pat ngritur sigurimi me anë të një gruaje, të nesërmen, trupin e pajetë ia vendosën tek shkolla pedagogjikë për të terrorizuar qytetarët.Ju nuk e keni përshkruar kështu, tha ai nga ana tjetër e telefonit.
– E kam parë me sytë e mi, këmbënguli Hyseni, pastaj shtoi: Njoh një njeri që e ka strehuar Alushin, i ka rrëfyer shtigjet; e ka ndihmuar kur Forcat e Ndjekjes e plagosën; ka qenë së bashku me të në një aksion, kur pritej hedhja e pajisjeve nga ajri, ku përveç tij ishte edhe Gjon Gjinaj, si dhe grupi i kosovarëve të dërguar prej Xhaferr Devës. Është histori interesante; ata u rrethuan nga forca të shumta të sigurimit dhe në përpjekje mbeti i vdekur komandanti kosovar, Ali Rizaj e Pashko Suma, u plagos Alushi, plagë mori edhe Gjon Gjinaj. Historia dukej interesante dhe lame ditën e takimit.
Së bashku me Hysenin trokitëm një ditë vjeshte të vitit 2003, në apartamentin e Bardhok Ndreut në Queens, i cili na tregoi historinë e mëposhtme; ç’ka la mangut Bardhoku e plotësoi Ndrec Gjergji, një mërgimtar që ka kaluar shumë vite në Belgjikë, e tri dekada i ka kaluar në Nju Jork.
Në gjurmët e familjes Qypi
Familja Qypi në Mal të Bardhë të Kurbinit është ndër familjet më të vjetra dhe më me tradita të asaj krahine. Ajo ka nxjerrë burra trima dhe të besës, që kanë bërë emër në historinë e zonës së Kurbinit dhe të Shqipërisë. Arkivat dëshmojnë se që në kohën e sundimit osman fisi Qypi është shquar për ndjenja atdhetarie dhe qëndrese. Nikollë Gegë Qypi, ka udhëhequr një kryengritje antiturke që tronditi Portën e Lartë. Turqia derdhi ndër ato anë taborre të pafund me ushtarë dhe e shtypi kryengritjen, por Nikollë Gegë Qypi nuk ra në dorë të pashait që udhëhiqte taborret e Sulltanit; ai u ngjit maleve dhe pyjeve dhe mbeti rrezik për turqit. Me forcën e armëve gjenerali turk nuk mundi ti bënte zap arnautët, siç i quante Porta e Lartë, por atë që nuk bënë armët, e realizoi kurthi; Pashaj u çon fjalë që të dorëzojnë armët se nuk do të kishin asnjë pasojë, do të ktheheshin në shtëpitë e tyre dhe ai nuk do t’u bënte asgjë të keqe. Shqiptari lidhet prej fjalësh. Turku u tregua i pabesë; i lidhi me hekura dhe i vuri në konop tek Arrat e Vromit në Fushë të Milotit. Kështu u shua një prej trimave të këtij fisi.
Prej derës Qypi do të dilte dhe një tjetër pinjoll, që u bë i dëgjuar; ai ishte Nikoll Ndre Bardheku, udhëheqësi i vonshëm, që gjithsesi ka lënë gjurmë pas në historinë e fisit. Nikollë Ndreu ishte bashkëpunëtor i ngushtë, si për çështje bese, ashtu dhe çështje kanunore e kombëtare i Gjin Pjetër Pervizit. Pa pjesëmarrjen e Gjin Pjetrit dhe Nikollë Ndreut nuk mblidhej pleqnia në Kurbin.
Emrin e Nikollë Ndreut e gjejmë edhe në ngjarjet që çuan në pavarësinë e Shqipërisë. Në ato kohë të vështira për kombin,kur sllavët në veri dhe grekët në jugë përpiqeshin që të shkisnin copa të mëdha nga trupi i nënëlokes Shqipëri, atdhetarët u përpoqën që t’i dilnin zot çdo copëze Shqipërie. Edhe Nikollë Ndreu qe një nga burrat që bënë sa mundën për ditën e shënuar të Flamurit. I njohur për ndikimin e tij në zonën e Kurbinit, Nikolla thirret nga Monsinjor Vincens Prenushi dhe zv/ kryeministri i ardhshëm i Qeverisë së Vlorës, Dom Nikoll Kaçorri në qelën e kishës së Dilbneshit. Aty u fol gjatë për ditën e bekuar të Flamurit, për plakun e urtë Ismail Qemali, që kishte marrë përsipër aktin historik të pavarësisë. Pyetja ishte shtruar fare hapur: Çmund të bëjmë ne këtu në Kurbin? Ndërhyn Nikollë Ndreu: Do të kërkoj ndihmën e Gjin Pjetrit, të cilit i digjet zemra për Atdhe e Flamur, mezi e pret pavarësinë e vendit. Veprojnë shpejt; sajonjë një flamur , si ai i Skënderbeut, duke marrë një copë të kuqe dhe një shami të zezë, me të cilën u imitua shqiponja. E merr Nikolla këtë flamur dhe shkon tek Gjin Pjetri në Skuraj. Ky mbledh pleqsinë e Kurbinit dhe aty në kuvend merret vendimi që Kurbini të solidarizohej me Vlorën dhe të bënte fakt të kryer pavarësinë. Në të njëjtën datë me Vlorën, me 28 Nëntor 1912, u mblodhën kurbinsit tek Shterporja e Kokës në Milot dhe përmes të shtënave të pushkëve lajmëruan aktin e pavarësisë dhe e festuan së bashku.
Në krah të atdhetarëve do të ishte Nikollë Ndreu edhe gjatë Kryengritjes antishqiptare të Haxhi Qamilit, të cilët do ta dënonin me vdekje për rebelizëm.Ishte kjo arsyeja që së bashku me 20 pjesëtarët e shtëpisë, Nikollë Ndreu braktis vatrën familjare dhe shkon e vendoset në katundin Lukth të Kthellës. Vendasit i lirojnë një shtëpi. Aty qëndron në ilegalitet derisa asgjësohet Haxhi Qamili.
Si e ndanë komunistët Gjin Pjetrin nga Nikollë Ndreu, pas vdekjes
-Për Gjin Pjetrin, komunistët folën dhe shkruan me respekt, ndërsa për Nikollën Ndreun, jo, përkundrazi e nxinë. Ata nuk mundën t’ia falnin atij ndjenjën antikomuniste. Për shkak të antikomunizmit e dënuan me burgim të përjetshëm në vitin 1949, ndërhyn në bisedë Ndrecë Gjergj, i cili shton edhe një detaj: Gjin Pjetri sa qe gjallë nuk ndahej nga Nikollë Ndreu. Mirëpo komunizmi i ndau. Pat lënë një fotografi ky, Gjin Pjetri, ku kishte dalë së bashku me shokun e armëve, mikun e pajtimit dhe pleqnimit, Nikollën. Komunistët e detyruan familjen e Pjetrit që edhe fotografinë, që pat lënë në kullën e vet, atje në fshatin Skuraj, ku pat dalë së bashku me Nikollën, ta përgjysmonin me gërshërë; hoqën nga fotografia Nikollën dhe lanë Gjinin, gjë që ishte njësoj sikur t’i hiqje atij një krah. Ç’them, jo jo, ishte njësoj si t’i hiqje një gjysëm zemre. Edhe sot e kësaj dite fotografia e Gjin Pjetrit qëndron përgjysëm, në pritje të vllamit të vet Nikollë Ndreu, i cili kur komunistët e dënuan me burgim të përjetshëm, u paska thënë:”Po më vjen keq se kam me i mbetë borxh qeverisë tuaj pasi nuk më kanë mbetë dhe shumë vite për të shlyer dënimin që më keni dhënë… Po më vjen keq se nuk jam mësue t’i mbetem kujt borxh. “
Ai do të vdiste në burgun e Tiranës. Nikollë Ndreu u dënua edhe pse ka qenë një nga shtyllat e Krahinës. Këshilli i Naltë e ka pasë zgjedh atë këshilltar të Këshillit krahinor të Krujës….
Kur fashistët italianë mbinë si mizat në Durrës ditën e pushtimit të Shqipërisë, shtëpia me emër e Qypve, dërgoi tri pushkë në mbështetje të Abaz Kupit; Gjergj Nikollën, Llesh Gjok Lalën dhe Frrok Preng Ndrecën.
Bardhoku më tregon se Nikollë Ndreu ka pasë pesë djem:Ndre Nikollën, Zef Nikollën, Gegë Nikollën, Gjergj Nikollën dhe Gjon Nikollën. Një ndër këta, Gjoni ka pasë mbaruar shkollën e oficerave në kohën e Mbretit Zog dhe kishte fituar gradën e kapitenit në ushtrinë kombëtare. Gjoni u vra në vitin 1944 në Pejë të Kosovës. Ishte kohë lufte dhe trupi i të vdekurit nuk mund të sillej pranë familjes. Një mik i familjes Qypi, Lek Tun Gjododa me të motrën dhe miqtë e tij, e qanë sipas zakonit dhe e varrosën në Pejë. Edhe sot e kësaj dite nuk i dihet varri, pasi Shqipëria dhe Kosova mbetën të ndara nga komunizmi. Nikoll Ndreu priste për kryeshëndoshë në shtëpinë Qypi, kur e ngushëllonin për t’i dhënë zemër, ai përgjigje:Ia kam pasë borxh një djal Kosovës!
Pse dhe si u arrestua kryetari i komunës (lokalitetit) të Milotit
Jeta u tregua e ashpër me Nikollë Ndreun, i cili mbeti vetëm me një djal, me Gjergjn. Kurbinsit tregojnë se Gjergji ishte sa për njëqind djem; i mençur, trim, burrë i Kanunit, bujar, i nderuar dhe i respektuar në të gjithë krahinën e Kurbinit, i përmendur në miqësi, në familje, fjalëmbël në kuvend, fjala i zinte vend, i matur, burrë vetëm i cilësive të mira. Ndoshta të tëra këto ishin të mjafta që komunistët, kur morën pushtetin më 1944 e emëruan kryetar komune(lokaliteti) në Milot, dhe anëtar të Këshillit për Pajtimin e Gjaqeve në Kurbin.
Shtëpia Qypi ka pasë marrëdhënie të ngushta me familjen Kupi në Krujë, që me Sajen e Sanen e Rustemit kundër Haxhi Qamilit, me Abas Kupin, Ibrahm Kupin e të tjerë. Kjo ishte arsyeja që Abas Kupi me gjithë shtabin e vet, së bashku me misionin anglez; Julian Emrin, David Smailin, me ekspertët kaukazian, që ishin me ta si dhe me krerët e Ballit Kombëtar si Mid’hat Frashërin, Abaz Ermenjin, përfshi edhe Fiqiri Dinen e Preng Pervizin, qëndruan më shumë se tri javë në shtëpinë Qypi.Kur iku Abas Kupi, la tek shtëpia e madhe Qypi shumë armatime; mitralozë të rëndë, bomba, pushkë, fishekë , duke u kërkuar besën se këto armë do të ruheshin aty derisa ai të kthehej. Shumë nga krerët nacionalistë ikën me mendimin se kthimi do të ishte i shpejtë.
– Për t’ia ruajtur amanetin komandant Abazit, së bashku me kushërinjët e mi materialin luftarak e fshehëm në pyll, më tregon Bardhoku. Mirëpo komunistët me të marrë pushtetin, puna e parë që bënë, ishte çarmatimi i popullsisë, veçanërisht në zonat që s’ishin të dominuara prej tyre. Në atë kohë, kush nuk dorëzonte armët, dënohej dhe pushkatohej pa gjyq. Gjergji qe kryetar i komunës së Milotit dhe kryetar komisioni për mbledhjen e armëve, kështuqë komunistët nuk mund t’ia falnin që shtëpia e tij ishte strehuese e armëve të Abas Kupit, i shpallur “armik në emër të popullit”. Një natë me shi e erë, rrethohet shtëpia Qypi, gjenden armët e Abaz Kupit dhe menjëherë shkojnë në zyrën e komunës, ku gjendet Gjergj Nikolla dhe arrestohet. Në fillim deshën ta pushkatonin në Milot, por duke qenë se ishte njeri me influencë të madhe, iu ruajtën ndonjë trubullire dhe e larguan për në Shpal të Mirditës. Atje deshën sërish ta pushkatonin, por Bardhok Biba, nuk pranoi, duke thënë se kishte miqësi me familjen Qypi dhe ajo ishte me zë në të gjithë krahinën. E dërgojnë në Shkodër, ku ligjin e bënte Tuk Jakova me vëllezër. As Tuku, nuk e mori atë vendim, duke relatuar lart në qeveri se familja Qypi ishte me tradita atdhetare, se kishte luftuar kundër të gjithë pushtuesve, se kishte marrë pjesë në ngjarjet e pavarësisë dhe në ato kundër pushtimit fashist e kundër gjermanëve. Duke qenë se ajo është familje bese dhe e lidhur me Kanun, nuk e shpërdoron amanetin e mikut, nuk është në favorin tonë ta bëjmë kundër nesh, argumentoi lart udhëheqsi komunist shkodran. Në këto rrethana Tuku arrin që ta lirojë me kusht,e ta dërgoj në shtëpi me porosi që të mos përzihej më në luftë kundër komunizmit.
Gjergji u kthye në shtëpi, por nuk hoqi dorë nga takimet me krerët nacionalistë, që vërtiteshin nëpër male si: Mark Gjomarkaj, Sif Merlika, Frrok Mëlyshi, Fran Miri e të tjerë. Komunistët ia ndjekin gjurmët dhe e arrestojnë sërish. Më pas në familje ka një tjetër ngatërresë që bie në sy të qeverisë; djali i Gjergjit, Prenga ikën nga ushtria, më pas arratiset… Ndëshkohet familja; të gjithë internohen në Berat. Pasi vritet Prenga në vitin 1948, rikthehet familja nga internimi. Lirohet edhe Gjergji nga burgu.
Përse la shtëpinë dhe u ngjit në mal Gjergj Nikolla vetë i gjashtë?
Presioni dhe përndjekja prej sigurimit nuk iu nda familjes Qypi. Jeta u bë e padurueshme, shtëpia qe kthyer gati në një burg a në një kamp internimi; vëzhgime të rrepta, presione, kurthe, shantazhe. Pikërisht për këto shkaqe, në vitin 1949 Gjergj Nikolla me pesë djem të shtëpisë Qypi, braktis shtëpinë dhe ngjitet në mal për t’mos u kthyer më aty. Krijohet kështu çeta antikomuniste e përbërë nga pjesëtarë të një fisi: Gjergj Nikolla, Bardhok Ndreu, Ndue Lala, Zef Gjergji, Pal Lala dhe Marka Gjoni.Masa e parë që mori sigurimi ishte internimi i pjestarëve të tjerë të familjes. Të gjithë ata iu nënshtruan kushteve të skëtershme të kampit shfarosës të Tepelenës, ndërsa më i moshuari i shtëpisë Qypi dënohet me burg të përjetshëm. Bardhok Ndreu ëshët i vetmi prej atyre të gjashtëve i mbetur gjallë, prandaj bisedën e bëj me të.
-Kush është Bardhok Ndreu?
Pyetjes time ai i përgjigjet pas një heshtje, që mu duk se zgjati ca si shumë.
– Këtu më thërrasin Bardhok Çupi. Është një mbiemër që më mbeti pasi kalova kufirin shqiptar dhe u hodha në Jugosllavi së bashku me gruan për të marrë më pas rrugën drejt Amerikës.
– Atje më pyetën si e ke mbiemrin?
– Qypi-u thashë.
Ata siç duket e ngatërruan “Q” me “Ç” dhe më mbeti Çupi. Ndërsa miqtë dhe shokët më njohin si Bardhok Ndreu.
Bardhok Ndreu ka lindur në Malin e Bardhë të Kurbinit më 5 maj 1915. Baba e ka lënë të vogël. Ishte vetëm 1 vjeç kur i vdiq i ati nga një aksident. Nëna e ka rritur dhe po ajo e ka martuar. Nikoll Ndreu dhe Gjergj Nikolla e donin Bardhokun njësoj si djemtë e tyre. Nga rinia e vet, Bardhoku nuk veçon ndonjë ngjarje, veç martesën në moshë të vogël. Vitet e Luftës së Dytë Botërore i ka kaluar duke u marrë me punët e bujqësisë dhe duke u përkujdesur për bagëtitë. Qypi, ishte familje e madhe dhe qenë pjesëtarët e tjerë të familjes që u rreshtuan në formacionet e Abaz Kupit për të luftuar kundër pushtuesve. Megjithatë, në një farë mënyre edhe ai u përzje me luftën, sidomos kur shtabi i Abaz Kupit, së bashku me anglezët u vendosën për më shumë se dy javë në shtëpinë e tyre.
– Ja me këto duar i kam shërbyer Mid’hat Bej Frashërit. Vetë ia shtroja dhe ia ngrija dyshekun. Ishte fisnik burrë. I shërbeja me qejf. Abas Ermenji ishte një çik mendje madh, por Mid’hati qe tepër i edukuar dhe shumë i sjellshëm. Kanë qenë në shtëpinë tonë edhe legalistët edhe ballistët, tregon Bardhoku.
– Pushteti komunist ju kishte shpallë person të kërkuar, armik të popullit, përse ndodhi kjo, kur ju s’kishit marrë pjesë në luftë?
– Sepse më 1949 unë kisha lënë familjen dhe qeshë ngjitë në mal me pushkë në dorë.
Si e nxori gruan nga burgu i Krujës Bardhoku dhe si e mbajti 1 vit në mal
-Kam qëndrura tre vjet maleve. Besoj se jam një përjashtim në luftën e maleve. Ndoshta jam i vetmi që për një vit kam qëndruar në mal me gjiithë gruan time, më befason këtë të fshehtë Bardhok Ndreu.
-Si ndodhi që e morët edhe gruan në mal?
Ndërhyn Ndrecë Gjergji për ta sqaruar këtë detaj:- Kur të gjithë pjesëtarët e shtëpisë Qypi i nisën drejt Tepelenës, gruan e Bardhokut, Bardhën, Sigurimi e la tek i ati i saj, në Fushë-Krujë. Ky ishte një kurth, që ata patën ngritur me mendimin se Bardhoku do të shkonte ta takonte gruan dhe ata do ta arrestonin ose do ta vrisnin direkt, por Bardhoku nuk ra në atë kurth.Sigurimi duroi një vit, duke e mbajtur shtëpinë në vëzhgim dhe kur e pa se Bardhoku nuk po binte në atë kurth, arrestojnë Bardhën me akuzën:Je takuar me Bardhokun dhe nuk ke lajmëruar qeverinë.!Filluan dhe për Bardhën ditët dhe netët e vështira të qelisë e torturave. Bardhokun nuk e zinte vendi që ai rrinte i lirë majë malesh, ndërsa e shoqja dergjej në qelitë e burgut të Krujës. Pas këtij momenti vjen aksioni për lirimin e saj nga burgu, aksion i organizuar nga Nikollë Gjergji e Bardhok Ndreu me miqtë e tyre që kishin në Krujë. Çeta ishte në mbështetje të aksionit. Kështu një natë dimri me shi e erë të fortë, me vetëtima e bubullima, hapet dera e qelisë dhe “njeriu i brendshëm” nxjerr që andej Bardhën, të cilën e priste jo më larg se 100 m i shoqi, Bardhoku me shokët e vet të Çetës. Si ndër përralla, Bardha fluturon nga qelia në mal dhe shpëtoi kështu prej torturave të komunistëve. Qeveria jep alarmin; si kishte mundësi që një grua të thyente derën e qelisë dhe arratisej? Ndjekjet e sigurimit shumfishohen. Kërkohej të kapej e gjallë, por atë e mbronte çeta. Bardhoku, i cili kishte dy vjet në mal, qëndroi edhe një vit tjetër së bashku me gruan e pastaj kaloi kufirin dhe morën rrugën drejt Amerikës.
-Përse e latë shtëpitë dhe u ngjitët në male? Si u konfliktuat me qeverinë?
– Hallet na ngjitën në mal. Jeta jonë u trodit që në fillim nga regjimi i komunistëve. Që në shtator 1947 jam internuar me 14 pjesëtarë të familjes, përfshirë dhe gjyshin Nikollë Ndreu. Na dërguan në Berat. Jeta e kampeve ende është në kujtesën time ashtu e rëndë e plot tmerre. Arsyeja e interrnimit ishte se një djal i Gjergjit, qe ushtar dhe iku nga ushtria. Pasojat ranë mbi të gjithë pjesëtarët e familjes, të cilët iu nënshtruan internimit. Në kampin e Beratit gjetëm të gjiitha familjet e mëdha shqiptare të shpallura “armike”, familjet nacionaliste, që qenë shpallë humbëse të luftës së bashku me pushtuesit edhe pse ne kishim luftuar pushtuesin me armë në dorë. Atje gjetëm familjet Kupi, të Blloshmeve, të Leshanakut, të Hamit Matjanit, të Previzve, Bajraktarët, Dinet, Kaloshët, ku numërohen të gjithë…
-Ç’punë bënit në Berat?
-Punuam fushave, më pas na çuan në Kuçovë, në fushën e aviacionit, në bujqësi, në kanale, mbillnim, korrnim.
– Kur ju liruan nga internimi?
-Një amnisti mashtruese , si për t’na vënë në gjumë na liron nga internimi në mars 1948. Por s’kaloi shumë dhe babën e Ndrec Gjergjit e arrestuan. Fati ynë dhe i atij, ndërhyri i gjithë rrethi miqsor dhe ai u lirua. Por nuk zgjati shumë dhe e kapën përsëri. Përse ke ndihmuar reaksionarët? Me këtë pyetje u arrestua. E çuan në burg në Durrës, Tiranë.
Sigurimi i dha Zefit helm që të helmonte Mark Pirolin
Por prap nuk na u ndanë hallet me qeverinë. Hetuan një djalë të Gjergjit, Zefin- vazhdon Bardhoku rrëfimin e historisë me plot të papritura të familjes Qypi… U akuzua se kishte furnizuar me bukë komitët që donin të rrëzonin komunistët. E kapën e çuan tek Nuri Luçi, e torturuan pastaj e ftuan për bashkëpunim. I kërkojnë që të priste në besë komitët që kishte ushqyer me bukë. Për këtë qëllim i dhanë helm që të helmonte Mark Pirolin. Në të vërtetë, ai i sigurimit, e kishte të vetin Mark Pirolin, por mbi të gjitha kishin besë ideologjinë e komunizmit… E merr helmin dhe nënshkruan një deklaratë, ku shkruhej e bardha mbi të zezë: Nëse për dy javë nuk helmohej ose vritej Mark Piroli, Zefi do të pushkatohej.E porositën që në shtëpi të mos tregonte asgjë, ndryshe e priste plumbi.
Kur erdhi djali në shtëpi u tregoi njerëzve të shtëpisë fill e për pe’ bisedën që kishte patur me ata të Sigurimit, për kushtet që i kishin vënë ata. Pasi u tregoi fill e për pe’ gjithçka, kërkoi mendim në kuvendin familjar: Ç’të bëj tani? Ç’ka të bëjmë? A të frikemi a të marrohemi?-pyetën më të moçmit. Familja mori vendimin që të mos marrohet, pra të mos priten në besë komitët që qenë ushqyer me bukë. Vendimi qe i formës së prerë: Të arratisemi nga shtëpia, të shkojmë në mal, atje ku sigurimi nuk ngjitet!
Dolën në mal, Bardhoku, Gjergj Nikolla me djalin, Zefin, Marku, djali i axhës tjetër, kushërinjtë e Bardhokut, Ndue e Pal Lala. Pra gjashtë vetë vendosën që t’i kundërviheshin qeverisë duke u ngjitur në mal.
– Si kaloi jeta e malit?, e pyes Bardhokun.
-Me halle të mëdha, strehë kishim qiellin, shtrojë kishim tokën. Zoti e bëri kiamet atë dimër, dëborë e madhe, acar. As bukë nuk kishim. Bazat, ç’kohë vinte, zvogloheshin. Sigurimi u xhindos. Ne kishim dalë grup i madh dhe për propagandën komuniste ky ishte një dëm i jashtzakonshëm… Inati i qeverisë u zbraz mbi të pafajshmit; familja u internua sërish në Tepelenë, në kampin e vdekjes. Forcat e sigurimit kërkonin gjurmët e grupit armiqësor që kishte guxuar të sfidonte shtetin.Natë e ditë forcat e ndjekjes kërkonin nëpër male e ndër shpella, por pa arritur dot tek foleja e çetës me 6 kundërshtarët e regjimit. Ata i ndiqnin këmba-këmbës. Në majë të Malit të Trolles, Sigurimit nuk i shkonte mendja se njerëz normal do të rrezikonin të jetonin në atë dëborë me shumë shtresa e në atë të ftohtë kallkan.
-Pikërisht atje në majë mali ndërtuam një kasollë dhe për tre muaj sikur u ndjemë rehat-, kujton Bardhoku. Por një ditë aty u ngjitën dy të panjohur. Nuk u kuptua të kujt qenë, të Sigurimit apo gjuetarë të rastësishëm, mëdyshet në kujtesën e vet Bardhok Ndreu. Nuk di ç’të them, përsëdytet ai duke u përpjekur të largojë mjegullnajën e kujtesës, pastaj shton: Por i pa roja jonë dhe ata ikën, si duket u trembën për vete. Sidoqoftë, kjo vizitë e papritur na dekonspiroi stanin, të cilit ne i vumë zjarrin dhe e braktisëm rreth marsit të vitit 1950.
-A u ndeshët ndonjë herë me Forcat e Ndjekjes?
– Jo vetëm një herë, por shumë. Ja një rast: Sa kemi dalë në një kryqzim rruge që vinte nga Gjormi, kryqzim me rrugën tjetër që vinte nga Laçi, u ndodhëm në një situatë të vështirë. Gjergji më nxiti që të dilnim, edhe pse ishte shpej. U ndodhëm ballë për ballë Forcave të Ndjekjes. Kërciti pushka. Ishte pyll. Ne dredhuam dhe u humbëm syshë, por ata vazhdonin që të shtinin; dukej se luftonin me njeri-tjetrin se ne kishim kaluar me kohë. Në të vërtetë ne nuk tentonim të vrisnim njeri, donim thjesht që t’i shpëtonim ndjekjes së tyre.
-Një herë tjetër ishim afër Laçit, në Tribnisht, edhe aty krisi pushka e ashpër, por shpëtuam. Ishte natë shtatori i 1950-ës, kujton Bardhoku.
Takimi me Alush Leshanakun
-Ju kujtohet se kur dhe në ç’rrethana u takuat me Alush Lleshanakun?
– Si jo?!- gjallërohet Bardhok Ndreu. Me 25 maj 1950 ka ardhë Alush Lleshanaku. Ne ishim në malet e Kurbinit.
– Alushi ishte i vetëm?
– Jo, ishte Alushi, Gjon Gjinaj, Pashko Suma, Pjetër Gjoci, Ndue Gjergj Lleshi, ,Luk Përzefi. Jemi takuar në Mal të Bardhë. Alushi kishte qëllim që të priste radion dhe materiale të tjera qe do te hidheshin nga ajri. Pra kërkohej një vend i përshtatshëm që të bëhej një zbarkim dhe ne duhej ta siguronim. Gjergji thotë se nuk ishte e arsyeshme që zbarkimi të bëhej në Kurbin sepse Tirana ishte jo më shumë se 2 orë larg dhe vinin shpejt përforcime të ushtrisë dhe gjithçka dështonte. Me këtë logjikë edhe Alushi pranoi që të mos bëhej zbarkimi aty. Atëherë u vendos që të bëhej në tjetër vend dhe një pjesë prej nesh duhej t’i shoqëronte mysafirët. Shkova unë, Pal Lala, Zef Gjergji. Kemi ecur drejt Shesh-Ulzës. I kemi ra përreth Kthellës. Kemi zënë vend megjithë mysafirët. U bë lidhja me radion. Atë ditë që është bërë lidhja me radio, po atë ditë është marrë sinjali nga sigurimi dhe është derdhur ushtria si miza lisi për rreth nesh. Gjithë Rajoni, Mat-Mirditë, zona e Kthellës është futur në darën e sigurimit, i cili i ka bërë tre rrethime zonës. U ndodhëm në një situatë të vështirë; bashkë me të ardhurit ishim 4 pjestarë të çetës së Kurbinit dhe tre të Mirditës. Nga 5 maj 1950 deri me 15 qershor 1950 vazhdonim të ishim me Alushin. Sidoqoftë sinjali ynë ishte marrë nga qendra dhe aeroplani erdhi në mbrëmje rreth orës 10.00. Pritej që të hidhej radio e Alushit. Sa u hap parashuta e parë pasi ne kishim ndezë zjarret, ka mbërritur ushtria e sigurimi. Dukej se ata nuk donin të qëllonin natën, prisnin agimin, që t’ia nisnin betejës me sy çelë. E vetmja shpresë jona ishte se forcat e sigurimit ishin të shumta dhe mund të asgjësonin njëri-tjetrin. Sidoqoftë ata e mbajtën rrethimin. Nga ana tjetër ne u vumë në kërkim të materialeve të zbarkuara nga aeroplani.Mbaj mend se kishin parashutuar edhe një grup kosovarësh, thoshin se ishin dërguar nga Xhaferr Deva.
-Ju kujtohen emrat?
-Po. Riza Alia ishte komandant i grupit, ishte prej Prizreni, Beqir Bajgora prej Peje, Ahmet dhe Shaqir Kabashi, dy kushërinjë, Destan Berisha, që mund të jetë diku gjallë ende. Shaqiri ka qëndruar në Bufalo. Ishte dhe Hajredin Vuciterna. I kam parasyshë si tani sepse kam qëndruar gjatë me ta. Ky grup do të shoqërohej prej Alushit drejt Kosovës. Gjetëm një pjesë të mallit: 6 marshina(tip pushkësh angleze, automatike, me 30 fishekë). Gjetëm bomba italiane, fishekë, ilaçe.
-Po radio që priste Alushi, a u gjet?
-Po, e gjetëm. Radion e Alushit e fshehëm në një masë me misër, (misrin e kishin sjellë fshatarët për ta fshehur nga sytë e qeverisë që t’mos u sekuestrohej a të mos u tatohej nga qeveria komuniste).Aty futëm ne dhe parashutën së bashku me radion e Alushit….
Beteja e ashpër e Sheshit të Shtjarthit, vrasja e Ali Rizait
Bardhoku vazhdon rrëfimin: – Morëm materialet dhe përpiqeshim të lëviznim ngadalë nën hundën e forcave të ndjekjes. Ishim jo më larg se 10 m prej ushtrisë, por ishte errësirë, nuk e shihnim njeri-tjetrin. Me gjithë kosovarët 16 vetë. Të gjithë së bashku nuk mund të iknim, atëherë u ndamë në grupe. Nën shoqërimin tonë duhej të ishin mysafirët. Kosovarët nuk orientoheshin fare, nuk e njihnin terrenin. U ndamë në grupe të vogla, ku në secilin grup kishte nga një prej nesh që njihnim vendin.Sa kemi ecur 200 metra, kemi ra në zjarrin e armëve te sigurimit. Nuk e mendonim se i kishim forcat përpara. Ka filluar pushka në tetë të mëngjesit, betohem se nuk e ndjenim nëse ishin krismat tona apo të forcave të ndjekjes. Kemi rrafshuar një mal me fishekë. Aq e madhe u bë masa me gëzhoja sa nuk shihnim dot përpara. Armët tona, vërtetë ishin të pakta ne numër, por zjarri qe i fuqishëm. Gjon Gjini, propozoi që të lëvizinim sepse ata mund të na kapnin të gjallë. S’kemi ecur më shumë se 100 metra, kur kemi hasur një perde të dendur zjarri, që nuk merrej vesh se nga ç’anë vinte. Nga të gjitha anët krisma automatike. Zjarri ishte i rreptë. Kosovarët luftonin trimërisht, por në zjarr e sipër mbetet kapedani Riza Alija, ai kishte në shpinë radion, me vete kishte dhe 800 napolona flori(më duket se ato iu mbetën komunistëve). E ka pa Zefi dhe ka kërcyer për ta ndihmuar, 20 plumba ka marrë kapota e tij. U vra dhe Pashku. Të vrarët mbetën në fushën e luftës. Një plumb e mori dhe Alushin. U plagos, por nuk qëndroi.. . Ishte trim djali. Nuk bënim dot hap pa u ndeshë me ushtarët e ndjekjes. Pas 100 metra u plagos Gjon Gjinaj. Dolën dy kushërinjtë e mi, u thërras të ndihmojnë Gjonin. Gryka pushkësh më dolën përballë. U tregova më i shpejtë, qëllova para tyre, nuk e di, por më pas më thanë se kisha palosur një duzinë prej tyre…
– Bardhoku është modest, nuk flet për qëndresën e vet, ndërhyn në bisedë Ndrec Gjergji. Bardhoku e tregoi veten sidomos në betejën e Fushë Shtjarthit në Mirditë. Lufta vazhdoi gjatë; Gjon Gjinaj dhe Alush Leshanaku u plagosën; Zef Gjergji mori plagë; kapedani Riza Alija dhe Pashko Suma humbën jetën; një pjesë e shoqëruesve u shpërndane. Bardhoku mbetet me të plagosurit dhe grupin e kosovarëve. Ai tregohet trim, u bën thirrje shokëve:- Burra të mos koritemi; të luftojmë deri në fishekun e fundit; të mos lëmë në dorë të komunistëve të plagosurit dhe jabanxhinjtë! Kur e pa se një pjesë e shokëve i qe shpërndarë, ai iu drejtua dy kushërinjëve; Pal Lalës dhe Zef Gjergjit: -Nuk do të marrohemi, do t’i shpëtojmë të plagosurit! Dhe prinë i pari e çan rrethimin.
Për këtë betejë, Ndue Llesh Gjergji ka pasë ngritë një këngë:Tash po vin’ retë e Kurbinit/ Si rrufeja shkrep prej qiellit/ Bardhok Ndreu dhe ai Ndue Gjergji,/ Ay Pal Marku dhe Zef Gjergji/ Dy shpi të ndershme në Kurbi/ Të përmenduna në histori/ Shpia e Qypit dhe e Gjin Pjetrit/ Qysh në kohën e Gjin Mjetit/ Kanë luftue kundra davletit/ Vra dhe djeg ushtrinë e Mbretit…
Dalja prej rrethimit, kthimi në Kurbin
Rrëfimi i Bardhok Ndreut ndjek hap pas hapi ngjarjet: Më pas i shpëtuam grykave të zjarrit. Etja na thau e na shkrumboi. Pas pak ramë në një përrua dhe shuam etjen, por zjarri vazhdonte nga të dy anët pandërprerje. Ne u kishim shpëtuar nga sytë forcave të ndjekjes, por ata qëllonin me tahmina, rrezik ngatërroheshin me zjarrin e njeri-tetrit. Ishin mijëra gryka zjarri, kishin ardhë përforcime nga rrethet fqinjë dhe nga Tirana. Kemi qëndruar të fshehur aty në përrua nga 8 e mëngjesit deri në 2 pasdite. Më pas kemi ecur vetëm këmba-dorazi, herë -herë zvarriteshim. Nëse do të na zbulonte njeri ashtu siç ecnim ne, jam i bindur se do të na qëronte sa kishim mbetur. Dualëm në një lëndinë, por nga pas dëgjonim zjarrin që s’kishte të pushuar. Siç duket luftonin me shoshoqin ata të ushtrisë, ne qemë larguar shumë larg prej andej. Duke qenë se pozicioni ynë dominonte mbi ata që luftonin, e kishim fushën e luftës në pëllëmbë të dorës. Shihnim ushtarët që lëviznin të maskuar, pa ditur ata se ne kishim një orë që i qemë larguar përroit dhe fushëbetejës.Kosovarët, që kishin luftuar si luanë, tash dukeshin të lodhur, mezi mbaheshin në këmbë. Pushkët, gati po u binin duarësh. Ne ishim mësuar me jetë mali dhe nuk e ndjenim aq lodhje. Sidoqoftë duhej të vazhdonim, ndryshe mund të binim në sy dhe rrezikonim. M’u ndanë katër shokë.. Ndue Gjergji, që e njihte vendin mirë, Pjetër Gjoci, Luk Perzefi, dhe Prenga nga Kthella. Ndoshta na ndau pushka, ndoshta…. Unë mbeta me dy kushërinjtë e mi, me Pal Lalën dhe me Zef Gjergjin, ndërsa Gjin Gjoni që ishte i plagosur së bashku edhe me Alushin, nuk po e jepnin veten. Nuk e di sa ditë u bënë që ndiqeshim këmba -këmbës nga Forcat e Ndjekjes. Më duket se kishte hyrë qershori. Derisa u err dëgjohej pushka atje poshtë në përrua. Më thotë Gjin Gjoni: Si me ia ba Bardhok?
Unë isha i ri, nuk ndjeja lodhje dhe isha i gatshëm që t’i ndihmoja. Ai më kërkon që t’i përcillja deri në Rrëshen, me u kthye andej nga Kthella, me shku në Mirditë, deri diku në Fushë të Lumit. Kjo ishte e pamundur, ushtria asaj ane ishte miza e lisit.
– Gjon, i thashë, për tërmal, për Zotin nuk mund të përcjell asnjë dekik, se nuk kam njerëz të besës që të mbështetem, nuk kam baza. I thashë se në Rrëshen kam dajat Mëlyshtë, Pal Mëlyshin me vllazën, por unë kam 3 vjet që nuk ua kam parë derën, s’e di, a janë ba komunista , a ç’dreqin janë ba, kështuqë nuk kam besim që të çoj andej. Për tëposhtë, (ishim larg prej Kurbinit, 6-7 orë) po qe për Kurbin nuk të lë vetëm, të çoj ku të duash. U vendos që të shkonim andej nga propozova unë. Sapo u err mirë ia nisëm marshimit. U priva. Kemi dalë tek K. Dervenit.Sa kemi dalë atje, zbardhi drita. Ishim të lodhur, bukë s’kishim as një kore. Kur u err zbritëm poshtë, në Shkopet. Ramë në lumin Mat. Mbaj mend se si Alushi, filloi të lahej me gjithë rroba. Sa dha ballë drita, për fat na erdhën ca bagti aty afër. Kapëm një berr dhe e therëm pasi ia paguam bariut. Na duhej ujë. E njihja vendin. Duhej të vazhdonim. U prina. Ishte një shkallë që duhej të ngjiteshim. Jam ndarë me Palin, ai i binte në njërën anë, unë nga ana tjetër dhe kontrollonim kështu të dy anët. Shkallën e kishim në mes. Pali i ka parë rojet nën rrezet e hënës. Ka qit pushkë . U afrua tek unë; i fola: -Pse qite pushkë? Ai ma ktheu: Partizanët, more, ushtarët…!
Alushin, Gjonin dhe pesë kosovarët i kishim lënë pas, ne ishim pararoja. Po lindëte dielli. Kur na dolën dhe tre partizane; ne i kishim si në pëllëmbë të dorës, ata nuk na shihnin. I qëlluam; dy i vramë, një u plagos.Vazhduam, iu ngjitëm malit këmbadoras. Dolëm tek Mali Trolles, ku ndanë Mat e Kurbin. Aty gjetëm ujë. Pimë dhe u freskuam.Kishte ardhë nata. Ecëm, arritëm në Skuraj, katundi i Preng Previzit. Dy kushërinjtë aty kishin baza. Ua dhamë emrat e bazave, ku të merrnin buke dhe ushqim. I Çova në Shën Mëri kosovarët, Alushin dhe Gjon Gjinajn. Atje ishte një gurrë me ujë të ftohtë, u lanë , u rruan dhe u bënë si njerëz. Një bari, që e njihja kishte nxjerre dhitë në kullotë. Sa më pa thirri i habitur:-Po ti gjallë qenke , o Bardhok?
-Pse, ç’ka ndodhë?-e pyeta.
-U ba nami, he burrë, ka zbarkuar ushtria dhe policia. Ka kris pushka ditë e natë. Ka 7 ditë që ushtria është duke qit pushkë dhe për shtatë ditë ushtarët ushqehen në vijë të luftës. Po si bre paskit shpëtuar, trima që paskit qenë!
Ndërkohë ai theri një dhi, e poqëm dhe shuam urinë. U kthyen dhe kushërinjtë që sollën bukë e furnizime të tjera, dhe u ushqyem. Na duhej të ecnim përmes një zone të mbushur me ushtarë. Kishim lënë takim me shokët tanë të Kurbinit. Qe bërë një muaj që qemë ndarë me shokët tanë, nga 25 maj me 21 qershor. U takuam edhe me shokët që qenë ndarë në mënyrë të papritur në kohën e betejës së Sheshit të Shtjarthit; Ndue Lalën, Preng Lleshin, Ndue Gjergjin, Luk Perzefin.
-Ç’ndodhi me mysafirët që kishit në shoqërim?
– Deri më 19 korrik i mbajtëm aty, në bazën tonë, në Mal të Bardhë.
Kur Alush Lleshanaku hyri në kinemanë e Tiranës
– Ndonjë mbresë nga takimi me Alush Lleshanakun?- e pyes Bardhokun.
– Alushi ishte shok besnik, gojëmbël, edhe me një fëmijë bisedonte sikur të kishte përpara një burrë. Alushi ishte trim mbi trimat, nuk i trembej syri. Për të tregoheshin gjëra të pabesueshme në popull. Ka shumë rrëfenja. Erdhi shpesh herë në Shqipëri. Më tregonte vetë një herë se kishte shkuar prej Urës së Zogut, përmes rrugës së makinës, drejt e në Tiranë. Veshur me shallvare elbasanse, nje çantë në shpinë, ku mbante veglat e punës, bishti i një çekiçi dukej jashte. Jam murator, thoshte, bëj shtëpi nëpër fshatra. Ai ishte aq trim sa ka hyrë edhe në kinema, ne mes të Tiranës, pa u kuptuar nga forcat e sigurimit, të cilët e kërkonin nëpër male e nëpër shpella. Dhe kjo nuk ndodhi një herë e dy, po shumë herë. Automatikun nuk e hiqte nga vetja, e mbante ngjitur pas trupit. Ishte kjo arsyeja përse e helmuan Alushin para se ta vrisnin. I trembeshin.
– Ju thatë se edhe Alushi u plagos, ku ia mjekuat plagët, ndërhyn në bisedë Hysen Blloshmi, që ndjek rrëfimin e Bardhokut.
– Aty në mal e mjekuam. Gjergji e mjekonte, Gjoni ia ndërronte plagën.
– Po ilaçet ku i merrnit?
– Ilaçet i merrnim tek Marka Zefi. Ai ishte ende në punë, punonte infermier në Milot. Është koha kur Sigurimi ende nuk i kishte rënë në gjurmë, nuk kishte zbuluar se ai mjekonte komitët që vinin për të rrëzuar qeverinë. Marka Zefi ishte infermier i zoti dhe vazhdonte të punonte për shtetin.
– Kur dhe si u largua Alushi nga ju?, e pyes Bardhokun.
– Me 19 korrik, kam marrë Palin e Zefin dhe e kam përcjellë Alushin deri në kufindarje me Kurbinin; i dhamë me vet një dele të pjekur, 10- 12 kg miell misri, ujë dhe u ndamë në Rubik. Nuk u takuam më dhe nuk dinim se çfarë ndodhi më vonë. Në New York kam takuar Gjon Gjinaj, kam takuar dhe një herë Shaqir Kabashin, Destan Berishën, dhe më tej s’di gjë. Mësova më vonë se Ahmet Kabashin e vranë, Haredini ishte dorzuar, Beqir Bajgora është vra, edhe Gjon Gjinaj u vra këtu në Amerikë….Ndërsa për Alushin e mësova vonë vdekjen me kurth…E kishin helmuar…
Beteja e Bushneshit dhe rrethimi me tradhëti i Nikollë Gjergjit
Çetat antikomuniste ishin rralluar shumë në malet e Shqipërisë. Forcat e Ndjekjes dhe ato të Sigurimit po dilnin fitimtarë të ndihur edhe nga sovjetikët e sidomos agjenti i tyre në Uashington, anglezi i perfolur Kim Philbi, që më vonë e shpallën hero të Moskës. Shumë prej atyre që vinin nga jashtë binin drejtpërdrejtë në duart e sigurimit shqiptar. Gjergj Nikolla, që pat zgjedhë qëndresën në malet e Kurbinit dhe jo arratisjen jashtë Shqipërisë, vazhdonte të qëndronte e të mos i dorzonte armët. Ai i pat kapërcyer të gjithë kurthet që i qenë ngritur , por me 5 maj 1952, i tradhëtuar, rrethohet në Fushën e Bushneshit në Mamurras. E gjithë çeta e tij e përbërë prej 7 vetash ishte futur në një darë të hekurt rrethimi. Gjergj Nikolla së bashku me Pjetër Lalen, Gjon Lok Piroli, Pjetër Marku, Gjok Pali, Gjon Perjaku dhe Bib Brahja, nuk iu përgjigjën thirrjes për t’u dorëzuar. Ata qëndruan trimërisht me besë për të luftuar deri në vdekje. Ka shkruar për aktin trimëror të kësaj çete dhe komandantit të saj, Gjergj Nikoll Ndreu, edhe Mark Dodani, i njohur për librat për sigurimin dhe skenarët e filmave me diversantë, i cili nuk ka mundur ta fsheh aktin trimëror. Çeta rrethohet në mënyrë të trifishtë; tre kordona forcash të sigurimit dhe të ushtrisë ishin vendosur njëri pas tjetrit. Rrethimi ishte realizuar në një vend të vështirë, terreni ishte fushor, s’kishte afër as kodra as pyje. Çeta arrin që të luftojë edhe të bëjë disa gropa që t’u fshihej plumbave që binin si breshër. Mitrolozat dëgjonin gjithandej. Zëri i Gjergj Nikollës u jepte zemër shokëve. Ai u përcillte kurajo bashkëluftëtarëve me thirrje kundër rrethuesve. Tashmë e ka të qartë se ka ardhur akti i fundit i luftës së tij. Kronikani i kohës ka përcjellë çastet e kësaj beteje, kur Gjergj Nikolla thërriste: Poshte komunizmi! Poshtë Enver Hoxha! Rroftë Shqipëria, poshtë këlyshët e Rusisë! Lufta ndizet e rreptë, përforcimet nga Tirana vazhdojnë të vijnë. Dëmtimet në radhët e ushtrisë, e cila ishte shumë e ngjeshur, sa vinte e shtohej. Mitrolozat e rëndë siç dukej qëllonin forcat përballë; vrisnin njeri-tjetrin… Për shumë orë lufta mbetet e ndezur. Thonë se luftën e drejtonte përmes telefonit vetë Mehmet Shehu, ish Ministri i Mbrojtjes, i cili po nervozohej me oficerët e vet: Si nuk po arrini të asgjësoni një çetë me 7 vetë?! Ç’qenka ai Gjergj Nikolla?!U perdoren te gjitha armet. U erdhi radha edhe tankeve, thotë Bardhoku, të cilët gjëmojnë në fushën e betejës. Kur mbërritën tanket, Gjergj Nikolla e pa se çetës i erdhi fundi. Ai jep urdhër për sulmin e përfundimtar, sulmin e vdekjes: Në sulm, për jetë a vdekje! Sulmi qe i fuqishëm, ashtu siç mund të jetë një përpjekje për të sfiduar vdekjen, që kishte zgjatur thonjtë e përgjakur për të rrëmbyer jetët e të shtatëve. Kalohet rrethimi i parë, por në të dytin, plumbat vërshojnë nga të gjitha anët dhe përplasen në gjoksin e komandantit të çetës, Gjergj Nikolla. Thuajse të gjithë ishin plagosur. Pjetër Llesh Lala, i kushëriri, i thotë Gjergjit se nuk do të ndahet nga ai as në vdekje dhe me një plumb vret veten, pa rënë i gjallë në dorën e ushtrise. Pjestarët e tjerë të çetës kapen të gjallë. Gjon Lok Piroli varet në litar në Milot, të tjerët dënohen me burgim të përjetshëm.
***
Ja kjo ishte një copëz nga historia e familjes atikomuniste Qypi, e cila u përgjak me komunizmin. Ajo i ka dhënë nacionalizmit djemtë e saj më të mirë, ndërkohë që një pjesë prej tyre u detyruan që të largohen nga Atdheu dhe të emigrojnë në dhe’ra të huaja, një pjesë këtu në SHBA.
Ja pjestarët e familjes Qypi, që janë të vrarë nga komunizmi:
- Gjergj Nikolla, vrarë me 5 maj 1952
- Prend Gjergji, vrarë me 24 korrik 1948
- Zef Gjergji, vrarë me 20 qershor 1951
- Marka Gjoni, vrarë me 20 qershor 1951
- Kole Gjoni, vrarë me 10 nëntor 1951
- Jak Mark Lala, vrarë me 10 nëntor 1951
- Pjetër Llesh Lala, vrarë me 5 maj 1952
- Mark Preng Ndreca, varrë në tetor 1947
- Nikollë Ndreu, vdes në moshën 84 vjeç në burgun e Tiranës.
–
What i do not realize is in reality how you’re no longer actually
a lot more smartly-appreciated than you may be now.
You’re so intelligent. You already know therefore considerably when it comes to tis
subject, produced me in my view imagine it from a lot of various
angles. Its like men and women are not fascinated except it is one thing to ddo with Woman gaga!
Your personal stuffs excellent. Always deal with it up!