KISHA E FISI HOTIT PËR ZOT ATME E PËRPARIM
Shënime etno-gjeografike
Ne kontekstin etno-gjeografik Malësia e Madhe, si krahinë me një lidhje të brendshme natyrore, territoriale dhe shpirtërore e kombit shqiptar, shtrihet në skajin më verior të Alpeve Shqiptare. Si krahinë e veçantë etno-gjeografike, së bashku më Malësinë e Vogël, apo Malësia e Gjakovës, në shekujt XIII-XIV, përfshinte territorin e njësisë kishtare të Dioqezës së Pultit (Pullatum) antik.
Me daljen në skenën politike të principatës së Dukagjinasve në shek. XIV me qendër në Lezhë, dhe zgjerimin e saj në territoret përreth duke përfshirë Pukën e Mirditën dhe disa pjesë të Kosovës, Malësia – pra dioqeza e Pultit, tashme filloi të përmblidhej, në jug kufizohej nga dioqeza e Arbërit, veri lindje nga Arqidioqeza e Shkupit, përkatësisht dioqeza e Prizrenit dhe perëndim ajo e Shkodrës. Malësia, duke u tkurrur i kishte lëshuar vend, principatës së Dukagjinasve (Leknisë). Kështu, kjo ngjarje bëri që në shekujt XVI-XVII, Malësia si njësi etno-gjeografike, nga një territor shumë i gjerë, shndërrohej në një rajon mjaft të përmbledhur.
Sipas relatorëve të Selisë së Shenjtë, të cilët këtë krahinë në të shumtën e rasteve e regjistronin si dioqezë, Malësia si territor shtrihej, deri aty ku sot shtrihen 12 fiset apo Malet e Malësisë, në të dy shtetet: Shqipërisë dhe Malit të Zi. Dhe më konkretisht bëhet fjalë për: Hotin, Pipërrin, Vasojeviqët, Krasniqen, Kuçin, Kelmendin, Kastratin dal nga Drekalët, (Durham) Shkrelin, Grudën, Triepshin, Gashin dhe Bytyçin, si dhe për disa fise të tjera të moçme të cilat më parë qenë sllavizuar.
Më sllavizmin e fiseve Shkëmbor, në shek. XVII-XVIII: Pipërrit. Vasojviqëve, Kuçit, (ku mbeti shqiptare vetëm Koja e Kuqit), Drekaloviqëve dal nga Berisha, Bjelopavliqëve, (Palabardhesit), këto fise braktisen sistemin e lidhjeve fisnore dhe territoriale të Malësisë së Madhe, duke u shkrirë më fise malazeze.
Hoti dhe gjeneza e tij
Hoti,(Otti, Chioti, Coti, Octi), sipas studiuesit kroat, Milan Suffly, bënë pjesë në fiset më të vjetra në veri të Shqipërisë. Prejardhjen e tij, thotë, Sufflay, duhet kërkuar ndërmjet Plavës dhe Gucisë, në lumin Lim, qe në vitin 1330, me emrin Hotina Gora, apo Mali i Hotit (Kuj i Hotit). Edhe pse ka mendime të shumë studiuesve se Hoti, duhet të ketë prejardhjen nga fiset dalmate apo vendet e Hercegovinës si vende Ilire, kjo nuk bie ndesh me tezën e Sufflayt, për truallin vjetër të Hotit, nëse kemi parasysh se Hoti dal nga Lezer Keqi, apo i biri Gegë Lazri, të bij e të cilit përveç Hotit, mendohet të kenë prejardhjen, Pipërri, Vasojeviqët, Krasniqa (Nikaj,Mertur) Gruda, Trijepshi, Këto fise si territor shtriheshin deri në Plave e Guci. Me vonë mund të këtë pasur lëvizje dhe shkëmbin tokash ndërmjet vëllezërve të një gjaku. Por, që fisi është i kohës se mesjetës, shek. XIV, ketë mendim e ndaj të gjithë studiuesit dhe udhëpërshkruesit e kohës, si: Jeriçek, Sufflay, Durham, Cozzi, Valentini, etj.
Nga dokumentet e kohës, del se fisi Hotit, që motit ka luajtur një rol të rëndësishëm me pjesëmarrje, në beteja të përmasave ndërkombëtare. Ajo kodrinë e Hotit, pra banoret e saj në vitin 1416-1417, gjenden në shërbim të ushtrisë së Venedikut, kur disa hotën u rebeluan nga Ballshajtë për të gjetur strehim pranë Venetëve të Shkodrës. Në dokumentet Venecian në vitin 1416, figuron emri i prijësit Andrea Hoti, i cili s bashki me fisin e tij u benë aleat të vyeshëm të kësaj republike, në luftërat kundër Ballshajve, 1416-1418, çfarë si shpërblim morë Rranzat e Mbishkodrës, ku pak a shumë përputhet me territorin e tyre aktual, midis malit të Veleçikut dhe Liqenit të Shkodrës, thuhet ne dokumentet e kohës. Personi me i spikatur dhe patriot i Shqipërisë, në vitin 1434, veçohej kapedani (capitaneus montanee Ottorum) Junch Hoth.
Në kohen e Stefan Gojçinajt (Çernojeviqëve), Atë Giuseppe Valenti, shënon se në vitin 1474, Hoti shfaqet si malësi, ose thënë ndryshe si fis kompakt, duke kërkuar të bien në një ujdi të re me Venecianët për tokat shqiptare me rastin pushtimeve osmane. Madje në ketë kohë, pasi osmanet pushtuan Malësitë, Hoti kishte filluar të emigroj për herë të parë në krahinën e Sicilisë, pasi aty gjendet mbiemri Hot. Për këtë dukuri, mjerisht nuk kemi informacionet e mëtejshme.
Në dokumente del se Hoti si dhe fiset të tjera kanë pasur brenda tyre dhe familje anas, pra ardhura nga vende të tjera. Durham, duke u mbështetur në dëshmitë e të urtit Marash Ucit, dëshmon se Hoti kishte 12 shtëpi te tilla dhe se mund të martoheshin me paraardhësit e Gegë Lazrit.
Hoti – Bashkësi Fetare
Hotin në rrjedhat e historisë, duhet trajtuar si Fis – njerëz të një gjaku dhe Bashkësi Fetare – Famulli, banor të lidhur nga ana idealit shpirtërore rreth prijësit të tyre famullitarit cili ishte simboli i unitet të shtëpive dhe banoreve të një fisi. Prandaj, Etërit shpirtëror, shquhen si autoritete më të larta të ndergjegjës njerëzore. Kjo formulë, ka qenë e zbatueshme dhe e vlefshme për të gjitha fiset dhe famullit.
Shënimet për ekzistencën e Kishave si objekte fetare në kohën Romake, i gjejmë të konsulli austriak, Theodor Ippen, i cili dëshmon se vende të tilla në krahinën e Hotit, janë: Drume në vendin Vitoj, Krevenicë, Kushe, Vuksanlekaj etj. Një shënime të me vonshëm me interes, jep Ippen duke u shprehur se, në krahinën e Hotit në anën perëndimore të Spijës, në vendin Qafkishë nga e cila zbritet për në Tuz, gjenden rrënojat e vjetra të varrezave dhe nen gërmadha, ndodhej planimetria e një Kishe dhe një fragment 90 cm i gjatë, ku në një arkitra, është një mbishkrimi i cili lë të kuptohet se është i vitit 1500. Në bazë të shkrimit kuptohet se ka pas një murg dhe një Kishë-kapël.
Shumë studiues dhe relatorë evidentojnë se Hoti ka pasur dy qendra kishtare, Traboini dhe Rapsha. Sipas Nopcsës, biri i Gegës, Pjetri themeloi Traboinin dhe biri tjetër Gjoni, Laj dhe Ymni janë te paret e Rrapshës. Të paret e Gjonit veçanërisht jetonin në Brigje. Sipas gojëdhënës ndarja ka ndodhur para 12 brezave, dëshmon Nopcsa. Kurse, Vuksan- Lekaj është shkëputur nga Traboni rreth vitit 1788. Valentini, këtë ndarje e përcakton, të ketë ndodhur që në vitin 1520.
Shënime për ndarjen e Hotit në dy pjesë na i sjell edhe provinciali etërve françeskan, Lovro Mihaçeviq, në vitin 1908, i cili shprehet se Hoti i ndarë në dy famulli kishte objekte e tyre kishtare. Rapsha, kishte dokumentacioni kishtar që në vitin 1699, dhe përbehej nga 6 fshatra me 1.838 banor. Traboini i vendosur në rrëzën e malit Bukovik, si famulli figuronte që nga vitit 1648, e numëronte 9 fshatra me 1.276 banorë. Kurse, Famullia e Vuksan– Lekaj e përberë nga hotjanët e themeluar në vitin 1908, kishte 5 fshatra me 397 banorë. Megjithatë edhe pse i ndarë, nëpër tubime nder fisnore figuron një bajraktar i vetëm, ku Rapsha është konsideruar si kuvendi i gjithë fisit, në krye me Deli Metën apo me vonë me Çun Mulën.
Hoti në përballje me historinë
Fisi i Hoti i pari nder bajraqet e Malësisë, i nxitur nga nacionalizmi dhe forca e brendshme shpirtërore, gjatë pushtimeve osmane (1479-1912) të lidhur më besën e Zotit dhe të Kanunit, tregoj një forcë dhe diplomaci të pashembullt në luftërat çlirimtare, në ruajtjen e vetëdijes kombëtare dhe të fesë katolike në Shqipërinë e Veriut. Si i tillë bie në sy të relatorëve të Selisë se Shenjte, në beteja të zhvilluar për lirin e vendit nga pushtuesit osman, pas rrënjës se Shkodrës në vitin 1479, si qendër e rëndësishme katolicizmit shqiptar.
Pas organizimit të administratës si dhe vendosjes së sistemit feudal ushtarak të timarit, filloi edhe odiseja e Malësisë së Madhe dhe katolicizmit si forcë shpirtërore e tyre. Forcat ushtarake osmane, pasi kishin marr Shkodrën në vitin 1479, pikësynimin të tyre kishin për të nënshtruar Malësinë. Sipas njoftimit të Defterit të Sanxhakut të Shkodrës, të vitit 1485, fiset e Malësisë së Madhe: Hoti, Shkreli, Kastrati dhe Gruda etj., pas betejave të ashpra të zhvilluara kundër pushtuesve osman, në pjesën më të madhe qenë nënshtruar nga sunduesit, por ato asnjëherë nuk u pajtuan dhe nuk benë kompromise më pushtuesin gjakatar.
Burimet historike na tregojnë se Hoti, së bashku më fiset katolike të lartpërmendura, si dhe më Pipërrin, Kuçin, nga ditët e para bënë rezistencë aktive ndaj evazionit osman. Për këtë qëndrueshmëri të malësoreve dëshmon edhe relatori i Selisë së Shenjtë, kryeipeshkvi i Tivarit, Marin Bici (1608-1624) në relacionin e vitit 1610.Për një gjë e tillë mësohet edhe nga vizita e tij bërë tek papa Pali të V, më 11 dhjetor të vitit 1618, ku Bicci, ndër të tjera shkruan: se, “fiset e Malësisë së Madhe, si Kelmendi, Gruda, Hoti, Kastrati, Tuzi, Shkreli etj., janë vetëm të besimit katolik, përveç të gjysmës së Kuçit të cilët janë të besimit ortodoks dhe së malësorët jetojnë në bjeshkët e papërshtatshme, bëjnë rezistencë të madhe dhe asnjëherë nuk u janë nënshtruar turqve”.
Selia e Shenjtë, për ta mbajtur në mbikqyrje situaten, edhe pas Biccit, ka dërguar vazhdimisht vizitorët e vet në trevat shqiptare.
Sipas relacionit të Imzot Stefan Gasprit të vitit 1657, dërguar Selisë së Shenjtë, mbi viziten e bërë në Shqipëri, gjendja fetare në mesin e shek. XVII në Malësinë e Madhe, ishte si vijon: Malësia e Madhe si krahinë etno-gjeografike, i takonte, Dioçezës së Shkodrës, dhe përbehëj nga disa famulli, ku në krye të tyre ishte famullia e Hotit e cila sipas relatorit, kishte 130 shtëpi dhe 700 besimtarë dhe Kisha ishte kushtuar Shëna Prenës Martire.
Në shekullin e XVIII, për shkak të ekspansionizmit të sunduesit dhe përhapjes së fesë islame më anë të shpatës e nëpërmjet mjeteve të tjera shtrënguese, gjendja fetare në Malësinë e Madhe, kishte ndryshuar për të keq. Sipas, relacionit, vizitorit të Selisë së Shenjte, kryeipeshkëvit të Tivarit, Vinçens Zmajeviqit, shqyrtuar në Kongregatën për Ungjillëzim (Propaganda Fide) në vitin 1703/04, kishte filluar zbritja e numrit të besimtarëve të fesë katolike, të cilët kishin ngelur akoma në famullitë e Malësisë se Madhe. Hoti si fis i përberë nga dy famullit kishte: 141 shtëpi katolike më 1405 besimtarë dhe 5 shtëpi të islamizuara me 88 besimtarë. Në relacion bie në sy shënimi, ku islamizimi në famullit të tjera kishte marr hovë edhe me tepër se sa në famullin e Hotit.
Të dhenat për numrin e shtepive dhe banorëve në mbarim të shekullit XIX, duke mos evidentuar ndarjen fetare, jepen nga shumë autor të njohur, si: Wiet, 405, shtepi, Hecquard 450, Hahn 403, Pisko 400, Baldaci 500, etj., po keshtu edhe numrin e banorëve: Karaezav, 4000 banor, Hecquard, 1100, Hahn, 2500, Lippich 4180. Baldaci, 4500, etj,. Kurse, Nopcsa mendon se jane 4000 banor. Edhe keto shenim janë një tregues, se sa ndikues ka qenë Hoti edhe në qarqet nderkomebtare.
Islamizimi i Hotit
Perandoria osmane, meqenëse qe krijuar në baze të Sheriatit islamik, krahas oreksit pushtues, si synim kishte dhe përhapjen e besimit islam.
Më rastin e pushtimeve të trojeve shqiptare, Perandoria, solli me vete pos dhunës edhe besimin islam, duke ia imponuar shqiptarëve këtë besim të ri në forma të ndryshëm. Kjo gjë solli kundërshti të mëdha nga banorët vendas, duke e konsideruar pranimin e islamit si tradhti ndaj Zotit dhe kombit dhe vlerave biblike të trashëguara që në kohen Ilire. Preh këtij imponimi qe dhe fisi i Hotit, i cili i brez pas brezi, e ushtronte besimin e Kishës Katolike Romake.
Gjenezën e islamizimit në Hot, relatori dhe studiuesi Nopsca, e lidh më pasardhësin Ujkë Luca, i cili njihej si personi që ndihmoj ushtaret turq në vitin 1696, të mund kryengritësit shqiptarë në përpjekje për ta çliruar Ulqinin. Prandaj, thotë Nopcsa, Hotjanet të cilët çmoheshin në kohen e turqve si bajraku i parë i Malësisë se Madhe, si heronj të tyre kishin Ujk Lucën, i cili tek në vitet në vazhdim ishte islamizuar, duke përfituar privilegje të mëdha nga Pashai i Shkodrës. Ky islamizim sipas, Nopscës, nuk solli përçarje brenda fisit, sepse Ujkë Luca edhe pse ishte islamizuar e vazhdoi zakonin e çdo bajraktari qe festonin Shën Gjonin (Kryeprem) me 29 gusht, duke marr pjesë në meshë dhe duke shtruar gosti për miq.
Albanologu, Giussepe Valentini, duke shpjeguar se nga erdhi, qe bajraktari i Hotit të jetë i besimit mysliman, jep një variant të pranueshme. Ai, shprehet se disa familje hotjane të konvertuar me parë në myslimanë, (ndoshta nga koha e Ujkë Lucës) arritën në fillim të shekullit XIX, të fitojnë përfaqësimin e interesave të fisit Hoti pran Ibrahim Bushatliut, vezirit të Shkodrës, me titullin e Byllykbashit në personin e Hasan Agës. Valentin, është i mendimit se nga kjo familje besohet se rrjedh ajo e bajraktarit të sotëm të Hotit, Deli Meta e më vonë Çun Mula, qe janë mysliman në një bajrak katolik.
Gjithsesi, pavarësisht nga ndryshimi i feve, të gjitha familjet e Hotit konsiderohet të një gjaku, thekson Valeniti.
Në kohën kur po kryhej pozicionimi i popullit shqiptar, gjatë viteve 1878-1913, sipas burimeve austro-hungareze gjendja e islamizimit në Malsinë e Madhe, sipas përqindjeve ishte: Kelmendi në vitin 1901 të islamizuar 3-4 %, ; Gruda, në vitet 1900, islamizuar afro 60 %, ; Kastrati, 1878-1901, islamizuar, 14-20 %,22 ; Shkreli, viti 1904 islamizuar 16 %, ndersa, Hoti, pjesa e Traboinit në vitin 1901, kishte vetem 50 persona mysliman, kurse Rashpa, kishte 3%, të islamizuar. Kjo është një tregues, se islamizimi i bajraktarit të Hotit, me tëpër ka qenë një formalitet apo diplomaci, se sa një bindje fetare e tij.
Hoti në vitet në vazhdim
Në vitet kur përcaktohej fati i shqiptareve, si në Lidhjen e Prizrenit 1878, kryengritjet e Malësisë se Madhe, 1910-1912, Konferencën e Londrës 1913, Luftërave Ballkanike, etj., Hoti, shfaqej si pararendës në ruajtjen e identitetit kombëtarë e fetar. Ketë ide frymëzimi e merrte nga prijësit e tyre shpirtërorë të kohës, si dhe fatosat e tyre të pavdekshme të cilët me gjakun e tyre i shkruan faqet e historisë të popullit tonë.
Nëse e kujtojm ngritjen e flamurit kombetar më 6 prill 1911, në Bratil të De¬çiqit dhe përpjekjën e Dedë Gjon Lulit, për t’u plotësuar 12 kërkesat e “LIBRIT TË KUQ” të përpiluar më 10-23 qershor 1911, në Kuvendin e Gerçës, vertetojmë se kjo kryengritje, e paramenduar mirë, por e keqpërdorur nga mbretit i malazezëve krajl Nikolla, ishte në vazhdën e natyrëshme të betejave të parreshtura të mëparshme historike, për një Rilindje Kombëtare, e cila për malësorët kishte zënë fill, ndonëse fshehurazi, që nga dita kur këto male u robëruan përfundimisht (XVI) nga turqit e pa besë.
Rrolin e dorës së parë të çdo akcioni për t’u liruar nga robëria, gjithëherë e kishin klerikët e shkelqyer. Kështu, edhe këte akcion të paharruar të malësorëve, kur kisha katolike, nga turqit, pësonte një kalvar të vërtetë u bë ajo, promotori kryesor dhe frymëzuesi kryengritjeve, duke u dhënë zemër luftetarëve, që nga fillesa e saj, më 26 korrik 1910, kur Shefqet Durgut pasha erdhi në Shkodër dhe mori drejtimin kah Malësia, deri tek ngritja e flamurit në Vlorë me 28. nentor të vitit 1912.
Konferenca e Ambasadorëve e Londrës e vitit 1913, përfundimisht vulosi në mënyrë arbitrare copëtimin e trojeve shqiptare nga trungu i Atdheut, ku pothuajse gjysma e popullsisë mbetën jashtë kufijve shtetërorë, në veri të Shqipërisë. Ky vendim solli që famullitë katolike si: Traboini, me 9 fshatra dhe 1.276 shpirtra; Gruda, 15 fshatra dhe 2.242 shpirtra; Vuksan Lekaj, 5 fshatra dhe 397 shpirtra, dhe Kllezna me 235 shpirtra të bëhen pjesë e Mali të Zi, dhe më vonë pjesë e shtetit Jugosllav. Këto famulli, falë klerikëve atdhetarë dhe popullatës e cila në shpirtin e vet të plagosur e mbante një vetëdije të lartë kombëtare, nga ana kishtare, kishin ngelur në deri në vitin 1923, pjesë e Kryeipeshkvisë së Shkodrës. Por, me dt. 8 mars 1923, Selia e Shenjte, për shkak të rrethanave politike dhe qëllimit që këtyre famullive t’u sigurohej kujdesi shpirtërorë me i lehtë dhe më i mirë, vendosi t‘ i jepeshin nën administrim të përkohshëm, Kryeipeshkvisë së Tivarit. Në lidhje më këtë vendim të “Kongregatës për Ungjillëzimin e Popujve” (Kongregatio de Propaganda Fide) në Romë, Kryeipeshkvi i Shkodrës, Imzot Lazër Mjeda,(1922-1935) në letrën e tij nr. 223/ dt. 24 mars 1923, njofton kryeipeshkvin e Tivarit, Imzot Nikolla Dobriçiq (1912-1955). Por, meqenëse situata politike në Evropën Juglindore, nga dominimi i komunizmit ateist kishte gravura për të keq, famullit e lartpërmendura, në vitin 1976, në mënyrë definitive u benë pjesë të përhershme të Kryedioqezës se Tivarit.
Barit e vyer të dy Famullive
Famullia e Traboinit
Për tu njohur me situatën e dy famullive kemi shënime të vyera nga “Misionet Shtitëse” (Missione Volante) të jezuiteve si dhe të klerikëve që kanë shërbyere në këto zona.
Për situatën, fetare, politike e sociale në fiset e Malësisë së Madhe e në këtë rast për dy famullit në fjalë, Trabonin e Rapshen, kemi shënime të vyera të Atë Domenico Pasit, gjatë Misione shëtitëse Jezuit në vitit 1889 dhe 1903, të botuar nga Atë Fulvio Cordignano, Romë, 1934-42. (Libri është butuar në gjuhen shqipe me titull “Shqipëria”, nga shtëpia botuese “Almera”, Tiranë 2008).
Domenico Pasi, në shkrimet e tija, thekson së barit shpirtërore qenë ata që mbajtën gjallë edukimin e fetar dhe të atdhetarizmit heroik në përballje me pushtuesin osman.
Atë Domenico Pasi, jep disa shënime statistikore të vitit 1864, për famullit i Malësisë, ku do veçonim famullit në fjalë: Rapsha kishte 1253 besimtar, Traboini, 1187 besimtar. Famullit që administroheshin nga Eterit Françeskan, si qendër të tyre kishin misionin e Kastratin.
Për famullin e Traboinit, (Arrzës) D. Pasi, në vitin 1889 flet për famullitarin Atë Nikolla nga Trento i cili në valën e torturave osmane, me 17 tetor të vitit 1889, kishte arritur të organizoj përgatitjen e sakramentit të krezmimit për 50 fëmijëve, duke e ndarë nga Izmot Paschuale Guerrini, kryeipeshkëv i Shkodrës. Kurse, në valën tjetër të Misioneve, 1897, kur famullitar ishte, Atë Basilie nga Dongo, Misioni shëtitës, kishte arritur në një Kishë të vogël dhe të dërmuar, për të pajtuar disa gjaqe brenda dhe jashtë famullisë.
Sipas shënimeve të kohës, me vonë në krye të famullisë se Traboinit, gjejmë, Atë Luigj Bushatin dhe në Vuksanlekaj, Atë Karl Prennushi, të cilët përballuan torturat e dhunën e Turgut Pashës, kur poçi e dogji Malësinë në vitin 1911. Atë Marjan Prela, etnograf, folklorist i njohur, kur serbet e kishin djegur kishën dhe dokumentet e arkivit të famullisë, ai ndërtoi Kishën dhe qelën duke qëndruar nga 1923-1931. Në vitet në vazhdim, për një kohë të shkurtër qenë disa priftërinj dioqezën si : Don Ivo Bushiq, 1931-1935; Don Jure Filipoviq, 1935-1937, për tu rikthyer etërit françeskan, Atë Leonard (Zef )Tagaj, Gojani, i lindur në Ljarë të Shestanit, i cili veproi në Traboin gjatë vitit 1937 -1945, dhe qe pushkatuar nga Komunistet malazez më 19 shkurt 1945, i njohur se mjek popullor. Personi i cili veproi për një kohë shumë të gjatë në ketë famulli nga 1945- 1972, ishte, Atë Kolë (Eugjid) Gilaj, Berishaj, i cili punoi duke përballuar presionin fizik e psikologjik të sistemit komunist Jugosllavë. Ai, sipas dorëshkrimeve të tija, në vitin 1945, kishte lëshuar një dhomë në qelë të famullisë (shtëpinë famullitare) për shkollën shqipe për 10 vite me radhë. Atë Kola, në vitin 1950, kishte restaurua Kishën, ndërtuar kompanjelin dhe restauruar qelën e famullisë. Atë Kola, ishte studiuese i vyer i dokeve dhe zakoneve shqiptare në veri të Shqipërisë, duke lënë në dorëshkrim kujtime të vyera për këtë periudhë kohore. Në vitet në vazhdim, sipas kujtimeve të Don Nosh Gjolaj, Traboini, është administruar nga Misioni Françeskan i Tuzit, Atë Nokë (Ndue Senishtaj, 1974-1975; famullitarit, Atë Vito Smoljan, 1976-1980 i cili ishte marr me zgjerimin e Kishës dhe qelës; Atë Anselm (Gjergj) Marstepaj, 1980-1988 duke administruar Traboinin nga qendra e Misionit në Tuz. Dhe nga viti 1989 famullitar i tanishëm Atë Frano Dushaj me qendër ne Sukruq.
Famullia e Rrapshës
Edhe pjesa tjetër e Hotit, Rrapsha (Brigja e Hoti) pati një seri famullitarësh të cilët luajtën një rolë të rëndësishme në ketë famulli, duke trajtuar at si pjesë e një tërësie të këtij fisi.
Atë Domenico Pasi, s bashku me ekipin e tij pajtues edhe pse kishte vizituar Rapshën, nuk sjell ndonjë shënim të veçantë, përpos pajtimit të disa gjaqeve dhe thekson kjo famulli nuk kishte famullitar të rregullt, por administrohej nga Bajza apo Kastrati.
Në pragun e largimit të Perandorisë osmane nga trojet shqiptare, në vitet 1911-1912 veçohet famullitari Atë Sebastian Hila i cili s bashku me besimtaret, mbrojti pragun e shtëpive nga sulmet e fundit të gjakatarit Turgur Pashës, si dhe ato të vitit 1913 nga sulmet malazeze, kur diskutohej çështja e kufijve me Malin e Zi.
Në kohërat e qeta të mbretit Zog, në vitin 1927, shënohet se kjo famulli që kishte Kishën e vet në Brigje, kishte 750 besimtar. Dhe në vitin 1938 gjejmë famullitar, Atë Pal Çurçia.
Me ardhjen dhe instalimin e sistemit komunist në Shqipëri, Kisha Katolike përjetoj përndjekje dhe persekutime të papara në botë. Klerikët katolik, në vorbullën e këtyre torturave, tani duhej ta mbronte jetën e jo me nga të huajt, por nga të vetët.
Gjatë kësaj kohe në famullin e Rapshës, me objektin e vet kishtar në Brigje, evidentohej një numër i vogël famullitarëve, por të vyere e të përshpirtshëm. Në vitin 1943-1946, kemi Atë Gaspër Suma, meshtarë i thjesht dhe përshpirtshëm i shkolluar në Insbruk, martir i Kishës, qe pushkatuar nga sistemi komunist në vitin 1947. Më pas për gjatë viteve 1952-1962, në krye të kësaj famullie vjen gjuhëtari, etnografi dhe etnologu i njohur shqiptar, Atë Benedikt Dema, i cili gjatë kësaj kohe shkroi vepra të vyera letrare e gjuhësore. Më pas deri në mbylljen definitive të kishave në Shqipëri në vitin 1967, famullia administrohej nga Bajza dhe famullia e Kastratit.
Në kohën e ardhjes se lirisë fetare në Shqipëri në vitin 1990 – 1991, sikur filloi një epokë e re kishtare. Kleri i moshuar qe kishte mbijetuar filloi të ringjallej duke u angazhuar nëpër Kisha në ungjillëzimin e popullit me ato mundësit fizike që kishin. Në ndihmë Kishës në Shqipëri kishin ardhur klerik nga Kosova, Mali i Zi si dhe misionar nga vende të ndryshme edhe jashtë kontinentit Evropian.
Në famullin e Rapshës, kemi françeskanin e nga Misioni i Tuzit, Atë Prelë Gjurashaj, i cili s bashku me hotjanët inicio ndërtimin e Kishës se re, jo më në Brigje ku ishte më parë, për shkak të mungesës se hapësirës, por në Kushe të Hotit. Puna në ndërtimin e Kishës e filluar në vitin 1992, e ndihmuar nga emigracioni në Amerikë, kulmoi me inaugurimin madhështor me 21. 08, 1994 me pjesëmarrjen prelatëve të lart kishtare si dhe përfaqësueseve nga Amerika, Marash Kolë Pllumi me të vellan, Gjok Deçka, Gjeto Frano Junçaj, Nikollë Ndou Junçaj, Nikollë Preka Junçaj Frano Shkreli etj.. Atë Prela si bari shpirtërorë qëndroi në Hot nga vitit 1993-1998, duke u rikthyer përsëri për të ungjillëzuar, nga viti 2000-2005. Rapsha me intervale ka qenë e administruar edhe nga Atë Marjan Lumçi, 1998-2000 dhe Dom Nikë Ukgjini, 2005. Famullitar i rregullt qe Dom Charbel Bachour, dhjetor të vitit 2005- 2013, dhe tani Dom Ardian Arra.
Shkrues: Dom Nikë Ukgjini