Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi është takuar me përfaqësuesit e disa partive politike për të biseduar reformën zgjedhore./
Ftesës së presidentit Thaçi nuk u janë përgjigjur tri partitë opozitare: Vetëvendosja, AAK dhe Nisma. Këto parti mendojnë se ka ardhu koha për zgjedhje të reja dhe jo për reformën e sistemit zgjedhor.
Ndërsa nga partitë në pushtet, ftesës së presidentit Thaçi u janë përgjigjur kryeministri i Kosovës dhe njëherësh kryetari i LDK-së Isa Mustafa, nga Partia Demokratike e Kosovës Enver Hoxhaj, kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve Valdete Daka, si dhe kryetari i Partisë së Drejtësisë Ferid Agani, përfaqësuesi i Aleancës Kosova e Re, ai i Lëvizjes për Bashkim etj.
Presidenti i Kosovës e ka ftuar këtë takim “vetëm për konsultime” rreth reformës zgjedhore, ku partitë politike duhet të japin mendimet e tyre. Qëllimi është që të menjanohen problemet e vërejtura në zgjedhjet e kaluara.
Ndër temat e trajtuara do të jenë: mënyra e zgjedhjes së presidentit, rritja e zonave zgjedhore, listat e mbyllura apo të hapura, ndryshimi i pragut zgjedhor si dhe pastrimi i listave të votuesve.
Disa prej këtyre ndryshimeve parashikojnë edhe ndryshime kushtetuese, ndaj do të jenë vështirë të realizohen shpejt. Por presidenti i Kosovës mendon se disa gjëra të tjera, si ndryshimi i pragut zgjedhor për futje në parlament, mund të bëhen më shpejt.
Në kuadër të këtyre konsultimeve do të bisedohet edhe për mundësinë e zvoglimit të numrit të deputetëve nga 120 sa janë tani në 100. 20 vende në parlament janë të rezervuara me “diskriminimin pozitiv” për minoritetet.