Sokol Paja/
Shtet fetar, brënda një shteti laik, pushtet fetar brenda një pushteti politik. Marrëzi, pak ta quash. Baba Mondi dhe Baba Rama kalojnë nga administratorë shtetërorë në spiritualista administrativë. Një çmenduri allashqiptare. Një gajasje prej lotit, gazit e marazit. Kush shkatërron unitetin kombëtar, është tradhëtari dhe antishqiptari më i madh. Pasi katandisi brutalisht prej 11 vitesh shtetin shqiptar, Edi Ramës nuk del inati, nuk ngopet, nuk i mbushet syri, mendja e egoja e tij e sëmurë pa krijuar një tjetër shtet me të njëjtin përfundim: shkatërrimin e tij. Lojë e rëndë shtetesh. Duke qenë se e pati të lehtë të shpopullojë e shkatërrojë një shtet e një komb, Ramës mendja i thotë: ore pse mos ta krijoj fundja ashtu për qejf një tjetër shtet? Mania e liderit global pasi bëri çorap dynjanë me Ballkanin e Hapur, dialogun Kosovë-Serbi, tashmë kokministri kalon në menaxhim shpirtëror: Prestigjator për rehabilitim shpirtrash. Para se të ikë përfundimisht nga politika dhe pushteti afro 25 vjeçar, Rama siç duket do i bëjë dhe një tjetër dëm kombit: copëzimin mbi baza fetare. Me qëllimin e largimit të vëmendjes së opinionit publik nga korrupsioni qeveritar, skandalet, kapjen e shtetit, vjedhjet rrënqethëse e abuzimi total me asetet kombëtare, Rama prodhoi një shashkë që po rezulton e suksesshme në këtë vit elektoral politik. Në një kohë kur na ndajnë 6 muaj nga zgjedhjet parlamentare dhe partitë, mediat, shoqëria civile e opinioni publik duhej të debatonin për programet elektorale për zhvillimin e Shqipërisë, merren me një marrëzi artificiale “Shteti Bektashi”. Politikanët inteligjentë i krijojnë “karremet” politiko-elektorale me qëllim shmangien e vëmëndjes publike kur nuk kanë çfarë i ofrojnë më publikut, zgjedhësve. Rama është konsumuar totalisht. As arnojcat, shtojcat e pataricat patronazhisto-aktivistë nuk i japin më oksigjen. Nga realja kalohet në abstrakte. Njeriu ka nevojë të mashtrohet. Njeriu shpesh herë priret të besojë më shumë një gënjeshtër sesa një të vërtetë. Qenies njerëzore i pëlqen të manipulojë dhe të manipulohet. Një taktikë të tillë ndoqi dhe kryeministri Berisha kur pllakosi kriza ekonomike në Shqipëri 2009-2010. Në vend të një plani shtetëror masash për daljen nga kriza, hodhi në publik çmendurinë: “Do prodhojmë bombën atomike në Velipojë”. Media dhe ekspertët i kushtuan muaj debatit, kriza e asokohe kaloi në një tjetër fazë, publiku u manipulua, kritika dhe pakënaqësia u tjetërsua, eksperimenti publik e politik kaloi me sukses.
Përtej shakasë së dhimbshme: krijimi i një shteti mbi baza fetare në Shqipëri, është antikushtetues, antikombëtar, antimoral, antihistorik, antiidentitar. Trajtimi preferencial sot i një komuniteti fetar në një shtet multifetar do të prodhojë nesër pasoja të pariparueshme e të pa imagjinueshme. Çmenduria e krijimit të “Shtetit Bektashi” jo vetëm që nuk promovon harmoninë fetare shqiptare por e shkatërron atë. Nxit ndasi, dhunë, urrejtje, përçarje, ekstremizëm e fanatizëm. Me këtë ide idjote, Rama shkatërron dhe trashëgiminë e shkëlqyer e historike të Bektashinjve shqiptarë që luftuan për komb dhe atdhe pa asnjë dallim feje, krahine apo ideje, veç për kombin e flamurin kuq e zi. Bektashinjtë janë në altarin e artë të lirisë dhe historisë sonë kombëtare. Klerikët Bektashi kanë kontribuar e luftuar heroikisht e historikisht për një Shqipëri të bashkuar jo të ndarë në shtete, copa apo pjesë. 70% e bashkëpunëtorëve të Ismail Qemalit ishin Bektashianë, ata krijuan shtetin e pavarur shqiptar, ata ishin vetëm për një shtet, për një komb. Ideja e shtetit bektashi është tallje dhe maskaradë që iu bëhet bektashinjve shqiptarë. Nuk ka nevojë shteti eksperimental prej kartoni i i Ramës që bektashinjtë ti dëshmojnë botës harmoninë fetare, ata e kanë dëshmuar me shekuj atdhedashurinë, paqen e vëllazërinë.
Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë e thotë qartë:
*Republika e Shqipërisë është shtet unitar dhe i pandashëm.
*Në Republikën e Shqipërisë nuk ka fe zyrtare.
*Shteti është asnjanës në çështjet e besimit e të ndërgjegjes dhe garanton lirinë e shprehjes së tyre në jetën publike.
*Shteti njeh barazinë e bashkësive fetare.
Kaq mjafton për ti thënë idesë së çmendur të të çmendurit Rama: NDAL, sot, nesër dhe përgjithmonë.