Sokol Paja/
New York, 28 qershor 2024 – Patriotët nga Mirdita z.Pjetër Marku kryetari i akademisë artit, shkencës dhe letrave “Mirdita”, gazetari Aleksandër Ndoja dhe Vat Biga nga shoqata “Bajraktari” vizituan Federatën Pan-Shqiptare të Amerikës “Vatra”. Ata u pritën nga Sekretari i Vatrës Dr. Pashko Camaj dhe editori. Përgjatë bashkëbisedimit vëllazëror Sekretari Dr. Camaj foli rreth vizionit të Vatrës, lobimit dhe organizimit, ndërsa editori u shpjegoi në detaje rrugëtim historik të Federatës “Vatra” e gazetës “Dielli”, kontributin për çështjen kombëtare, aspekte të veprimtarisë së mërgatës shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe veprimtaritë më të rëndësishme të zhvilluara gjatë vitit nga “Vatra”. Z.Aleksandër Ndoja gazetar prej shumë vitesh në Shqipëri, njëherit Kryeredaktor i revistës “Mirdita” tha se nuk mund të quhet e e suksesshme, pa vizituar këtë qender të shqiptarizmës, ku dhe sot ndjen praninë e Nolit, Konicës e shumë të tjerëve me gjithë madhështinë e veprës së tyre me nisje 112 vite më parë. Duke vijuar më tej Ndoja u shpreh se kjo Federatë erdhi si mision në histori në ato kohë të trubullta dhe këte mision e mbajti kryefjalë me dekada me radhë.
Duke folur për revistën ai u shpreh se vërtetë ka emrin “Mirdita” por ne faqet e saj ka Mirditë po aq sa ka Kosovë, Çamëri, Medvegjë, Ulqin apo çdo metër të hapësirës tonë mbarë kombëtare. Në fund ai falenderoi për pritjen nē këtë “oaz” historik e atdhetar të shqiptararizmës njëherit në emër të Akademisë së Artit, Shkencës e Letrave “Mirdita” premtoi bashkëpunim në të ardhmen. z.Pjeter Marku, piktor në Akademi të Arteve të Tiranës, falenderoi për Vatrën për mikpritjen dhe shtoi se një grup intelektualësh mirditas 11 vite më parë themeluan një shoqatë me të njejtën emër, ndërsa vendosëm dhe nxjerrjen e një reviste e cila nuk u ndal kurrë në rrugëtimin e saj. Sot jemi në numrin e 43 të saj. Kjo revistë tashme shkon në mbi 50 shtete. Çdo fundviti shoqata jonë dhe revista organizon takimin vjetor me pjesmarrjen e mbi 300 vetave ku ndajmë dhe çmime. Qëllimi ynë është identifikimi i mirditasve kudo janë në botë, por dhe miqve të Mirditës e vlerave kombëtare të kombit shqiptar, tha ndër të tjera z.Marku. Miqtë i dhuruan disa kopje të revistës “Mirdita” dhe librin e autorit Andris Lleskai “Laku i Plakut”.