Në vend të reagimit:/
Nga Jeton Kelmendi,/
Se jetojmë në një kohë, kur shëmtia po e dominon të mirën dhe të bukuren, nuk do koment, sepse është e vërtetë fatkeqësisht, por se jemi aq të ligj si shoqëri përballë ligësirave të llojit më unikat, kjo më dëshpëron përtej çdo mase.
Kur isha fare i ri, dëgjoja thëniet se ne jemi një popull i mirë, por vetëm udhëheqësit i kemi të këqinj.
Kjo mbase disi më kishte bindur deri diku, jo për faktin se kishte diçka që mund të bazohesha në të, por se unë aq mundja të merrja vesh. E jeta natyrisht se ecën përpara, dhe pas shumë proceseve: organizimit të institucioneve paralele, luftës çlirimtare, e deri tek ditët e sotme, që orvatemi ta ndërtojmë një shtet dhe një shoqëri normale sikurtë gjithë popujt tjerë, tani nëse jo më shumë, së paku u mësova ta njoh të vërtetën e shoqërisë tonë, pra flas për njerëzit e vendit tim, për shoqërinë kosovare.
Një thënie e vjetër kineze “secila shoqëri ka ata njerëz që meriton”, më erdhi në mendje teksa po lexoja një shkrim të një ‘njeriu’, që është nga vendi im, pra lexova një belbëzimë të këtij personi që po i thashkan Sali Kabashi. Hë pra, ky far “burri”, patriot deri në shkallë (picirruku), i cili jo se shanë dhe fyen shkrimtarin e madh, më të madhin e letrave shqipe dhe padyshim edhe botërore, por i jep guxim vogëlsisë së tij që të shajë edhe një parti politike që udhëheq një qytet, pra Pejën dhe motivin e ka pse nderon njërin nga tri figurat më të përndritur të kombit, pra Ismail Kadarenë, që së bashku me Gjergj Kastriotin dhe Nënë Terezën, paraqesin nderin dhe krenarinë kombëtare shqiptare.
Ismail Kadare ka arritur at nivel që shumë universitete dhe institucione prestigjioze ndërkombëtare e ftojnë dhe e nderojnë dhe e kanë nderuar shumë herë, madje edhe Presidenti i Republikës së Francës, Fraçois Hollande do t’ia jap në fund të këtij muaji dekoratën më të lartë që jep ky shtet, “Komandant i Legjionit të Nderit”. Thjeshtë, më duket e tepërt të flas pvr biografinë e Kadaresë, sepse është po aq i nohur sa që nuk mund të them asgjë për të, por do flas për një shëmti, që po ndodhë në vendin tim. Peja e ftoi dhe nderoi Ismail Kadarenë në 80 vjetorin e lindjes së tij. Këtu, edhe mund të them ndonjë fjalë, sa i përket nivelit të organizimit dhe pritjes së tij, ngase pa modesti kam parë pritje të tilla. Ismail Kadare kishte ardhur në Pejë për ta nderuar mikun e tij Azem Shkreli, por edhe për t’i nderuar qytetarët e Pejës, të cilët e duan dhe kishin për nderë për ta takuar edhe fizikisht. Organizimi ishte ashtu siç e pamë të gjithë ne që ishim pjesëmarrës, me një fjalë qëllimmirë…
Tani kur flasim për reagimet. Natyrisht se edhe Kosova ka sa të duash Saliha dhe Kabasha, pse jo edhe Sali Kabasha e bylykbasha, e tjerë e tjerë, të cilët bylmejnë diçka, ani pse nuk dinë, ani pse edhe janë qëllim këqij, ata kanë të drejtë të shkarravisin, dorën në zemër edhe mund ta kenë për mision, po po edhe mund të jenë të paguar nga ndokush për bruçkullat e tyre, mirëpo ajo që më shqetëson është se disa emra të njohur në Kosovë, jo se e pëlqejnë por edhe e çmojnë dhe komentojnë ketë reagim hiç njerëzor dhe tejet diallzor. Po prisja që të dalin dhe ta kritikojnë ketë farë të ligë njeriu, jo për t’iu përgjigjur Salihut, por qytetarëve të Kosovës. Peja dhe Kosova e kanë për nderë ta kenë mysafirë Ismail Kadarenë dhe dihet se në moshën që ka ky njeri, la shumë punë dhe aktivitete tjera për ta nderuar Pejën dhe Kosovën dhe erdhi, bëri aq rrugë të gjatë, madje edhe i lodhur bashkëbisedoi me qytetarët.
Kadare erdhi me xhipin e botuesit të tij Z. Bujar Hudhri dhe as nuk ishte i blinduar dhe as i shtrenjtë siç thotë ky far Salihu.
Ismail Kadare është shkrimtar i madh, me të cilin shqiptarët krenohen dhe nuk është shkrimtari më i pandershëm siç shkarravit ky person, për ketë dihet se kush ka të drejtë. Për derisa qysh në vitet e 90-ta kishte të tillë që tentonin ta shanin dhe fyenin, por miku i tij Azem Shkreli kishte thënë “Kadare ka të drejtë të flas për të gjithë neve, por jo të gjithë ne kemi të drejt të flasim për Ismail Kadarenë” dhe me të drejt jo çdo njëri mund të flas për të, sepse të vegjlit në mendje dhe shpirt as nuk dinë as nuk mundin të flasin për të mëdhenjtë. E unë, nuk dua ta mbroj Kadarenë, sepse ketë burrë të madh të kombit, jo se e mbron, por e ka ngritur dhe do ta mbajë lartë në stratosferën e vlerave kombëtare e letrare puna e tij, por provova të bëjë ketë shkrim në vend të reagimit, jo për t’iu përgjigjur Sali Kabashit dhe Qosajve të tij, por për të treguar se intelektualet nga Kosova i çmojnë vlerat kombëtare shqiptare. Kadare është vlerë e madhe kombëtare shqiptare, dhe me librat e tij unë dhe shokët e mi kemi qenë edhe në Luftë Çlirimtare, edhe sot jetojmë me to. Shqiptarët, në Shqipëri, Kosovë dhe kudo që jetojnë kanë të ardhme Evropiane dhe Kadare së bashku me Ibrahim Rugovën janë prijatarë të rrugës së Shqiptarizmit Evropian, ndërsa ata që u ka humbur rruga në oborret e tyre dhe po ngrehin drejt lindjes e kanë gabim. Zoti u ndihmoftë dhe i kthjelltë në rrugën e drejtë Evropiane, përndryshe janë të humbur.
Sa i përket LDK-së komuniste, seç e quan ky person pushtetin në Pejë, nuk do merrem kësaj radhe, sepse më duket se nga inatet primitive, që kanë këta orientalistë me frymën Evropiane, po i gabojnë edhe caqet, edhe kohet edhe çdo gjë dhe vetëm po përjargën si puna e këtij Sali Kabashi. Fundja unë edhe nuk munda ta kuptoj se ku po i dhimb këtij Qosisti fundamentalist, që paarsyeshëm ja hanë bukën Parisit dhe shpirtin e ka në Stamboll. A e kishte ky person inatin pse LDK e nderoi Kadarenë, apo pse Kadare e nderoi Pejën, që po udhëhiqet nga LDK bashkë me PDK-në?
Dhe krejt për fund: kurrë në jetë time nuk kam pasur asnjë interes personal, apo familjar nga Ismail Kadare, mirëpo emri i tij dhe vepra e tij më bëjnë të ndihem krenarë me qenien time shqiptare dhe ky është interes mbi krejt interesat tjera, prandaj duke e dashur kombin dhe vendin tim, për çka u mundova ta dëshmoj: nga UÇK-ja deri tek ditët tona, ndjeva obligim moral dhe intelektual ta them të vërtetën. Ismail Kadare mundet fare lehtë pa mua, pa ty Salih, pa shumë të tjerë, madje aq merret vesh gjë pa ne, por sa më i vogël do të ishte kombi dhe letërsia jonë pa të, prandaj vërja gishtin kokës, ose diku tjetër veje dhe thirri mendjes, e kërkoi falje, jo për hir të tij, por për hir tëndin në radhë të parë, pastaj për lexuesin shqiptarë në përgjithësi dhe thuaj se nuk ke qenë mirë kur je përjargur.
*Jeton Kelmendi, P.S Autori është Anëtar i rregullt i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Evropës, Salsburg Austri