Bledi FILIPI/
Në FESh I 2009, gjejmë këtë shpjegim: Simbol i kombit dhe i shtetit shqiptar, i luftërave shekullore të Shqiptarëve për liri e pavarësi, për ruajtjen e identitetit kombëtar kundër çdo përpjekjeje për nënshtrim dhe asimilim. Historia dëshmon se Gjergj Kastrioti – Skënderbeu kishte një flamur të kuq me shqiponjën e zezë me dy krerë. Shqiponja dykrenore ndeshet si simbol në kulturën tonë popullore dhe është pjesë e stemave të familjeve të mëdha feudale mesjetare edhe në variantin me një kokë. Pas pushtimit osman flamuri i Skënderbeut u ruajt edhe tek arbëreshët e mërguar. U përdor gjatë Rilindjes Kombëtare si simbol kombëtar dhe u mbajt gjatë kryengritjeve për pavarësi nga çetat atdhetare gjatë viteve 19091912. Ngritja e flamurit në Vlorë, më 28 Nëntor 1912, ishte shprehja simbolike e Shpalljes së Pavarësisë. Flamuri kombëtar u bë edhe simbol i shtetit të pavarur shqiptar. Flamuri shqiptar është i kuq me një shqiponjë të zezë dykrenore në mes (Neni 14/2 i Kushtetutës së RSH). Format, përmasat dhe rregullat e përdorimit të flamurit kombëtar janë përcaktuar në Ligjin nr. 8926, dt. 22.07.2002, Për formën dhe përmasat e flamurit kombëtar, përmbajtjen e himnit kombëtar, formën dhe përmasat e stemës së Republikës së Shqipërisë dhe mënyrën e përdorimit të tyre.
Po ç’thotë ligji për Flamurin Kombëtar?
Flamuri Kombëtar është i shqenjtë për çdo shqiptar kudo që ndodhet. Format dhe përmasat e Tij janë paracaktuar në Ligjin 8926/2002 të mbështetur në nenet 14, 78, 81 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë:
Ligjin 8926/2002 me disa ndryshime në dt. 8 gusht 2022, PËR DISA SHTESA NË LIGJIN NR. 8926, DATË 22.7.2002, “PËR FORMËN DHEPËRMASAT E FLAMURIT KOMBËTAR, PËRMBAJTJEN E HIMNIT KOMBËTAR,FORMËN DHE PËRMASAT E STEMËS SË REPUBLIKËS TË SHQIPËRISË DHE MËNYRËN E PËRDORIMIT TË TYRE”
Neni 3
Format dhe përmasat e flamurit kombëtar
1. Flamuri kombëtar paraqet një fushe me ngjyre te kuqe gjaku, me një shqiponje te zezë dykrenore në mes, me krahë të hapur anash. Secili nga krahët e shqiponjës ka nëntë pendë, ndërsa bishti ka shtate pende.
2. Përmasat e flamurit kombëtar përcaktohen ne raportin 1 me 1,4 njësi. 3. Pamja e flamurit kombëtar, fortësia e ngjyrave te tij dhe raportet janë ato te përcaktuara në shtojcën nr .1, që i bashkëlidhet këtij ligji dhe është pjese përbërëse e tij.
Një vështrim historik për Flamurin Kombëtar
Flamuri i Shqipërisë është flamuri kombëtar shqiptar, një flamur me fushë të kuqe dhe një shqiponjë dykrenare të zezë në mes. Flamuri shqiptar e ka prejardhjen nga një vulë e heroit kombëtar shqiptar Gjergj Kastrioti Skënderbeu, i cili i udhëhoqi shqiptarët në një kryengritje të përbashkët në shekullin XV kundër Perandorisë Osmane duke i sjellë trojeve shqiptare pavarësinë për një kohë të shkurtër (1443-1478). Shqiponja ishte pjesë e emblemës së familjes Kastrioti e cila e ka zanafillën në perandorinë bizantine.
Mendime mbi origjinën
Shqiponja ka qenë dikur, në periudhën e Romës antike, simbol i këtij shteti. Edhe sot të dy klubet e njohura të futbollit në Romë si Roma dhe Lacio mbajnë përkatësisht simbole antike, nga ku i pari kokën e ulkonjës së kapitalit dhe i dyti shqiponjën me krahë të hapur. Si simbol i Romës, shqiponja u përdor edhe nga strategët e saj si Kaj Mari, Luç Serg Katilina, Pompeu i madh, Çezari, etj. Ky i fundit përdorte si simbol të tij shqiponjën e artë të vendosur në një fushë të kuqe. Po kështu veproi me stemën e Çezarit edhe i nipi Oktavian Augusti, i cili u pasua më vonë edhe nga Kostandini i Madh. Me ndarjen e Perandorisë Romake në vitin 395 shqiponja u transformua me dy koka, duke simbolizuar njëra Perandorinë e Perëndimit me qendër Romën dhe tjetra Perandorinë e Lindjes me qendër Kostandinopojën (Bizantin). Ndërkohë Perëndimi u pushtua nga barbarët në vitin 476 duke humbur traditat më të vyera të antikitetit, e bashkë me to edhe simbolin e tij. Ndërsa Lindja (Bizanti) vazhdoi të jetojë edhe për dhjetë shekuj të tjerë duke ruajtur këtë simbol që vinte prej “qytetit të përjetshëm” (Romës). (Histori e Popullit Shqiptar. Tiranë 2002, fq.294)
Formën dhe ngjyrat e tij, flamuri bizantin i mori gjatë sundimit të Justinianit (527-562) që kishte origjinë ilire. Dukej se atij i pëlqente që dy kokat e shqiponjës ti identifikonte me vetveten dhe të shoqen, Perandoreshën Teodora. Më vonë me kalimin e kohës me anë të martesave dhe dhënies së privilegjeve, Bizanti ia dhuroi simbolin perandorak fisnikërisë së kombeve, që ishin integruar në këtë Perandori shumëkombëshe si princat rumunë, bullgarë, gjermanë, rusë, serbë, grekë, shqiptarë, etj. Kjo eshtë arsyeja që këtë simbol sot e përdorin një dyzinë popujsh e shtetesh, të cilat dikur kanë patur kontakte të ngushta ekonomike e kulturore me Bizantin. Ndërkohë që ai shfaqet si simbol i Kishës Ortodokse, pasardhëse e drejtpërdrejtë Perandorisë së Lindjes. Flamuri origjinal bizantin ruhet sot në një nga manastiret e malit të Shenjtë (Athos) në Greqi, në ngjyrat e tij fillestare me shqiponjën e zezë me dy koka, të vendosur në një fushë të artë.(Historia e Popullit Shqiptar, fq.433)
Deri sot shumica e shqiptarëve mendojnë se flamuri i tyre është flamuri i Skënderbeut, pa e ditur origjinën e tij. Edhe sot ne nuk e dimë me saktësi se kur Skënderbeu përdori si simbol të shtetit të tij shqiponjën dykrenore. Njihet fakti se këtë simbol ai e huazoi nga Muzakajt, duke e zëvendësuar stemën që kishte trashëguar nga i ati Gjoni. Ky i fundit përdorte si stemë figurën e një princi (burri) me flokë të gjatë dhe togë (Gjin Varfi, Heraldika shqiptare, Tirane 2000, fq. 27).
Shqiponjën dykrenore e kanë përdorur si simbol të tillë edhe Arianitët, Cernojeviçët e Zetës, Lek Dukagjini, etj. Për herë të parë në histori emblema e Gjergj Kastriotit me shqiponjën dykrenore shfaqet në vitin 1451. Ajo paraqitet në një libër uratash që ju dhurua Skënderbeut nga Alfonsi i V, Mbreti i Napolit, me rastin e nënshkrimit të traktatit të Gaetës më 26 Mars 1451. Ai ju dorëzua ambasadorëve të Skënderbeut që nënshkruan këtë traktat, Peshkopit Stefan të Krujës dhe at Nikola Bergucit nga Protonoteri i Alfonsit Arnaldo Fonoleda. Simboli përfaqësues i shtetit të Skënderbeut del përsëri në një katalog venecian stemash në vitin 1463, kur Gjon Kastrioti i biri i heroit mori titullin “Fisnik i Republikës”. (ASh, HPSh, f. 434). Po kështu ky simbol ruhet i gdhendur në varrin monumental të Kostandin Kastriotit, ndërtuar në vitin 1500 nga gjyshja e tij Donika, në kishën e Shën Marisë së Ëngjëjve në Napoli (Itali).
Njëlloj si në flamur Skënderbeu e përdori shqiponjën dykrenore me krahë të ulur dhe yllin me gjashtë cepa sipër, edhe në vulën e tij të madhe, të cilën e përdorte në dokumentat zyrtare. Ndërkohë kur Kastriotët u larguan në Itali pas vdekjes së Skënderbeut, ata jo vetëm e ruajtën simbolin e tyre por e përdorën gjerësisht atë si stemë të heraldikës së tyre.
Dy Nëntorët
Në mënyrë faktike, vetë data, simbolizohet nga një sërë rrethanash të paracaktuara ose jo, mbi çaste kyçe të një kombi të tërë.
Gjithçka, filloi më 28 nëntor 1443.
Ishte viti shumë i largët 1443, kur në këtë ditë të shënuar, heroi kombëtar i Shqipërisë, Gjergj Kastrioti, ngriti flamurin e shqiponjës dykrenare mbi kalanë e Krujës, duke e çliruar atë nga pushtimi osman.
Në mënyrë faktike, vetë data, simbolizohet nga një sërë rrethanash të paracaktuara ose jo, mbi çaste kyçe të një kombi të tërë.
Plot çerek shekulli, me një ushtri të përbërë nga 10 mijë ushtarë, ai qëndroi i palëkundur ndaj forcave osmane. Kështu, duke u bërë një qëndrestar i vërtetë, i cili e mbajti larg Evropës pushtuesin Osman, deri në çastin kur vdiq, më 17 janar 1468.
Do të duhet të kalonin 469 vite, për ta riparë Shqipërinë sërish larg zgjedhës osmane – të lirë.
Nëntori i dytë
Nëntori më i rëndësishëm për shqiptarët mbetet pa diskutim ai i vitit 1912 – edhe pse i dytë.
Nën gjurmët e historisë, duke ndjekur Skënderbeun, Ismail Qemali, nisi rrugëtimin e tij drejt qytetit bregdetar të Vlorës, ku dhe nga ballkoni i shtëpisë së tij, ngriti flamurin – sërish me shqiponjën dykrenare, të qëndisur nga Marigoja – dhe e shpalli Shqipërinë të pavarur nga perandoria osmane.
Kuvendi Kombëtar i Vlorës, ishte organi i cili e shpalli mëvehtësinë. Ky akt shpalljeje, përbën një ndër ngjarjet më të rëndësishme në historinë e popullit shqiptar. Kjo ditë, përkujtohet si fryti i përpjekjeve dhe i luftërave shekullore të shqiptarëve, për të mbrojtur tërësinë tokësore të atdheut dhe për të formuar shtetin e pavarur shqiptar.
Dalja nga zgjedhja pesëshekullore e osmanëve, ishte një aspekt. Por aspekti tjetër – edhe më i rëndësishëm – ishte ai i krijimit të një Shqipërie me zhvillim ekonomik. Kjo, si thirrje për daljen nga prapambetja e pushtimit.
Me pushkë dhe me penë, Shqipëria ishte e pavarur dhe historia moderne e saj, do të merrte jetë.
Rreth etimologjisë së fjalëve flamur dhe shqipe
Në këtë shkrim nuk mund të rrija pa dhënë edhe etimologjinë shkencore të fjalëve flamur dhe shqiponjë. Dhe
FLÁMUR (FLAMUR) m. “copë pëlhure që shërben si simbol i një shteti”. Fjalë e mbarë gjuhës, që e kanë edhe ligjërimet e diasporës. Huazim nga gr. e re φλάμουρον, φλαμού- ρι me burim prej lat. flamma “flakë”. Dy pozicionet e theksit (flámur e flamúr) e kanë burimin në format e ndryshme të gjuhës dhënëse. Nuk e ka Buzuku, që përdor bandjerë (nga it. bandiera), por del te Budi: e flamuri ende munë baretë (RR). Rrjedhoja: flamurtar, flamuras “një lojë që luhet me flamur”. Ka depërtuar në toponimi: Mal’e Flamurit në Margëllëç të Çamërisë. Përdoret si antroponim.
(Bibl.: Camarda II 165, Miklosich AF II 27, Meyer EW 107, Weigand Wört. 20, Rrota Fj. 16, Uhlisch NL 130, Çabej SE IV 199).
SHQIPE f. “shqiponjë; lat. Aquila melanaetus”. Fjalë e mbarë gjuhës. Për burimin e saj duhet pasur parasysh se shqipja është një shpend grabitqar me sqep të fuqishëm, me të cilin rrëmben qenie të gjalla, prandaj është emërtuar prej sqepit të saj. Përmban parashtesën sh- me kuptim intensiv, rrënjën qep “sqep” dhe formantin -e të emrave femërorë, që e ka kthyer zanoren e njëjtë të rrënjës në -i- me anë të disimilimit (khs, shteg shtigje). Dëshmohet së pari te Buzuku: aty të embeli- dhenë edhe shqypetë “congregabuntur et aqui- lae”. Prej emrit shqipe, rrjedhoja shqiponjë me prapashtesë mocioni. Të dy këta emra përdoren si antroponime për gjininë femërore. I fundit edhe si patronim (Gramsh). Ka depërtuar në toponimi: Mali i Shkypes në Blinisht të Pukës, Guri i Shqipes në Korçë, Librazhd, Mirditë e Bulqizë, Bregu i Shqipes në Çamëri.
(Bibl.: Stier nr. 74, Camarda II 152, Meyer EW 276, Jokl LKU 307, Xhuvani-Çabej BSS 4, 1956, 96, Taglia- vini Strat. 141, Hetzer BA N. F. 7, 1982, 130, Landi SLA 14, 1989, 120, Orel AED 434, Topalli Sist, zan. 187).