Dr. Hasan Bello/
Në arkiva gjendet një sasi e madhe dokumentacioni që konfirmon kujdesin e shtetit shqiptar dhe personalisht të Mbretit Zog lidhur me Kosovën. Mbreti ishte i bindur se krahas aksionit politik dhe diplomatik për të penguar shpërnguljen e popullsisë shqiptare të Kosovës, ishte e rëndësishme që të formohej një elitë kosovare. Për këtë arsye, ai do të zbatojë një strategji perfekte, e cila synonte arsimimin e të rinjve kosovarë në shkollat dhe gjimnazet shqiptare, në kurset dy-tre vjeçare të xhandarmërisë dhe ushtrisë shqiptare. Por shumë prej këtyre studentëve, ai do t`i dërgoi me bursë shtetërore në universitetet e Italisë, Austrisë dhe Francës. Për ta ilustruar po marim shembullin e albanologut dhe gjuhëtarit të njohur Prof.Selman Riza, i cili në vitin 1922 do vij në këmbë nga Gjakova në Tiranë për tu shkolluar. Pas mbarimit të shkollës plotore “Naim Frashëri” me rezultatet të shkëlqyera në vitin 1925, ai do të studioi si bursist në Liceun francez të Korçës. Në vitin 1932 ekselentit Selman Riza, Ministria e Arsimit do t`i akordoi një tjetër bursë, për të studiuar në Universitetin e Tuluzës në Francë. Në vitet 1932-1935 ai do të diplomohet në dy fakultete, për gjuhë-letërsi franceze dhe drejtësi. Kalvari dhe kontributi i tij pas vitit 1944 në gjuhësinë shqiptare është kapitull më vete.Por ashtu si Selman Riza në shkollat e mbretërisë shqiptare do të studiojnë edhe Fadil Hoxha (në Gjimnazin e Shkodrës dhe Normalen e Elbasanit), Emrush Myftari (shkollën ushtarake mbretërore dhe Liceun francez) etj, etj., personalitete nga kosova që më vonë do të bëhen drejtues të rëndësishëm të lëvizjes komuniste dhe institucioneve të ish-Jugosllavisë.Përpjekjet e Mbretit Zog për të krijuar një elitë intelektuale, ushtarake dhe politike për çështjen e Kosovës legata jugosllave në Tiranë e ndiqte me kujdes të posaçëm. Raportet e saj drejtuar Ministrisë së Jashtme në Beograd ishin të mbushura me informacione shqetësuese. Kështu, në vitin 1931, ajo i raportonte MPJ se “është brengosës kujdesi dhe angazhimi i qeverisë shqiptare ndaj kosovarëve”. Kjo legatë e konsideronte këtë strategji të Mbretit Zog si “hap i parë për krijimin e inteligjencës në radhët e shqiptarëve të Kosovës, të cilët më vonë do të dinë t`i mbrojnë dhe t`i kërkojnë të drejtat e tyre kombëtare”. Prandaj legata në fjalë do t`i propozojë Beogradit të merrte masa për “parandalimin e këtij aksioni të rrezikshëm”. Për të përgatitur elitën kosovare, me urdhër të Mbretit Zog në qytetet kryesore të Kosovës si në Gjakovë, Prizren, etj u përzgjodhën disa fëmijë që vinin nga familje nacionaliste dhe u kaluan ilegalisht në Shqipëri, për t`iu nënshtruar shkollimit brenda dhe jasht vendit. Për këtë qëllim, në vitin 1935 vetëm nga Gjakova kishin hyrë në Shqipëri 14 fëmijë, të cilët ishin sistemuar në konviktet e shtetit. Sipas legatës jugosllave, deri në këtë moment gjendeshin 1000 nxënës kosovarë që studionin në shkollat e cikleve të ndryshme dhe ato ushtarake të shtetit shqiptar. Këta të fundit, sipas saj, indoktrinoheshin si luftëtarë të zjarrtë të bashkimit të Kosovës me Shqipërinë dhe kundër Jugosllavisë. Përveç Mbretit Zog, legata jugosllave fajësonte edhe Italinë, e cila, sipas saj, nxiste nacionalizmin dhe irredentizmin shqiptar. Një aspekt tjetër shqetësues për këtë legatë ishte fakti se Mbreti Zog kishte emëruar si oficerë për mbrojtjen e kufirit me Jugosllavinë elementë të ardhur nga Peja, Gjakova, Prishtina, Ferizaj, Kaçaniku etj. Kjo ishte një zgjidhje perfekte, duke njohur patriotizmin dhe besnikërinë e kosovarëve, për të mbrojtur Shqipërinë nga Jugosllavia. Ajo i sugjeronte Beogradit të pengonte me çdo kusht politikën e Mbretit Zog për shkollimin e kosovarëve në universitet europiane. Ndërsa MPJ në Beograd akuzonte legatën dhe konsullatën shqiptare në Shkup për përhapjen e librit shqip në Kosovë.