
Albanian Roots/
Ngjarja më madhështore e shqiptarëve në Amerikë, “Parada Shqiptare”, ka nisur aktivitetet për organizimin e këtij viti, duke bërë bashkë gjithë shoqatat shqiptare. Kësaj radhe, takimi u mbajt në selinë e Shoqatës “Peja” në Bronx, ku u diskutua për mënyrën e organizimit dhe detajet që do ta bëjnë këtë vit edhe më të veçantë e madhështor.
Më 20 qershor, kryeqendra e botës, Nju Jorku, do të stoliset kuq e zi. Në rrugët kryesore të tij do të parakalojë e gjithë shqiptaria: nga Shkodra në Prishtinë, nga Tuzi në Strugë, nga Presheva në Prevezë, Dibra Tirana, Ulqini e kudo ku ka shqiptarë.
Ky është një projekt që kërkon shumë punë dhe përkushtim, por që çdo vit përcjell një mesazh të fuqishëm uniteti, duke paraqitur traditën, vlerat kulturore dhe historike të kombit shqiptar. Të gjithë janë të mirëseardhur të shijojnë atmosferën kuq e zi, ushqimet tradicionale dhe krenarinë e të qenit shqiptar.
Të gjitha organizatat vendosën njëzëri që kryefjala e këtij viti të jetë “Gjuha Shqipe”, duke dhënë një mesazh të qartë e të drejtpërdrejtë për rëndësinë e saj dhe për domosdoshmërinë e ruajtjes nga çdo përpjekje për ta cenuar atë.
Takimi i radhës i grupit punues u caktua për më 19 maj.