Nga Prof. dr.Halim PURELLKU/Revolucioni xhonturk dhe rivënia e kushtetutës osmane (23 korrik 1908) fillimisht krijuan kushte pak sa më të favorshme për zhvillimin e lëvizjes kulturore-kombëtare shqiptare. Por, xhonturqit pas forcimit në pushtet hoqën dorë nga premtimet që ua kishin bërë popujve të shtypur të Perandorisë. Tani në vend të premtimeve autonomiste për popujt jo turq, ata zbatuan opsionin e “osmanizmit” me të cilin formalisht të gjithë shtetasit e perandorisë shpalleshin për “osmanlinj” me “barazi të plotë para ligjit”. Mirëpo, Kushtetuta përcaktonte se gjuhë zyrtare e detyrueshme mësimi në shkolla ishte turqishtja, me këtë ju mohohej në thelb shqiptarëve e drejta për të u arsimuar në gjuhën amtare. Do të thotë se me opsionin e “Osmanizmit” turqit, nga pozitat e nacional shovinizmit turk i mbështetur dhe nga institucioni fetar mysliman i Shehulilamit, jo vetëm që luftonin emancipimin kulturor por dhe mohonin dhe luftonin identitetin kombëtar të popullit shqiptar. Prandaj dhe shpejt pas revolucionit Xhonturk shpërthyen kundërthëniet midis pushtetit osmanist të xhonturqve, i përkrahur dhe nga segmente të caktuara të shoqërisë shqiptare për interesat e tyre personale e klanore, dhe Lëvizjes Kombëtare Shqiptare.
Në prag të kongresit të Manastirit, në trojet shqiptare funksiononin vetëm 15 shkolla. Do theksuar se shkollat shqipe të asokohe shquheshin edhe për karakterin e tyre kombëtarë shqiptar dhe laik, që do të thotë se toleranca tradicionale ndër fetare tek shqiptarët mbretëronte edhe aso kohe në shkollat shqipe, ku ishin përfshirë nxënës të të gjitha besimeve fetare. Për Lëvizjen kombëtare Shqiptare mbetej dhe më tej objektivi kryesor përhapja e shkollave shqipe dhe futja e gjuhës shqipe si lëndë mësimore në shkollat shtetërore, si dhe zhvillimi i gjuhës kombëtare në përgjithësi, ndaj dhe si imperativ u shtrua nevoja e caktimit të një alfabeti të vetëm të gjuhës shqipe. Përgatitjet për caktimin e një alfabeti të vetëm zgjatën gjatë gjithë epokës së Rilindjes kombëtare, për të u kurorëzuar në fazën e fundit të saj (Rilindjes). Kjo u arrit fal veprimtarisë krijuese në lëmin e gjuhësisë dhe të letërsisë të brezave të tërë të rilindësve shqiptar; gjuhëtarë, shkrimtarë, poetë, publicist etj. Një ndihmesë të madhe dhanë dhe organet e shtypit të fundshekullit XIX dhe fillimi i shek. XX.
Iniciativën për organizimin e një kongresi kombëtar për të arritur në një përfundim të unifikuar të çështjes së alfabetit e mori klubi “Bashkimi” i Manastirit, në mbledhjen e 23 gushtit të vitit 1908. Pas përgatitjeve gjatë muajve gusht-shtator 1908, klubi “Bashkimi” në Manastir, thirri Kongresin e Parë të Përgjithshëm për diskutimin e një alfabeti të njësuar. Një alfabet i njësuar do të ishte fillimi i letërsisë mbarë shqiptare. U ftuan (Ftesa-”Zëdhënia”) për të marrë pjesë në kongres, klubet dhe shoqëritë patriotike brenda e jashtë vendit, të cilat dhe u zotuan se do të dërgonin përfaqësuesit e tyre në kongres.
Kongresi i zhvilloi punimet nga 14 e deri më 22 nëntor 1908, në hotelin “Liria” të Themistokli Gërmenjit, në Manastir. Në Kongres morën pjesë gjithsej 50 delegatë nga të gjitha anët e Shqipërisë, nga të cilët 32 delegatë me të drejtë vote, që përfaqësonin 26 qytete e shoqëri të ndryshme dhe 18 delegatë të tjerë si pjesëmarrës pa të drejtë vote. Nga delegatët pjesëmarrës ishin dhe Salaheddin beu, Gjergj Qiriazi, për Manastirit, Hafis Ibrahim efendiu, Emin beu, Haxhi Jashar efendiu dhe Rrok Berisha për Shkupin, Malik Elmazi për Nakoleter (mbase Nakolec, të Prespës) Xhemal beu dhe Beqir Dalipi për Ohrin, Ramiz beu për Dibrën, Sadik efendiu për Kërçovën, Haxhi Vildan efendi Dibra për Stambollin etj..
Delegatët zgjodhën për Kryetar të Kongresit, Mid’hat bej Frashrin, nënkryetar Gjergj Qiriazin dhe Luigj Gurakiqin, kurse sekretar Hil Mosin, Toma Avramin dhe Nushet bej Vrionin. Të gjithë Delegatët votuan propozimin që Gjergj Qiriazi të udhëhiqte seancën e ditës së parë të punimeve të Kongresit, deri sa të arrinte Mit’hat Frashëri, i cili për shkaqe objektive arriti me vonesë nga fundi i punimeve të ditës së parë. Dy ditët e të para të kongresit; të shtunën e të dielën (14-15 nëntor), ishin të hapura për gjithë publikun dhe ishin prezent rreth 400 veta. Në ditën e tretë të punimeve kongresi zgjodhi një komision prej 11 vetash, në krye me Gjergj Fishtën, anëtarë i komisionit ishte dhe Gjergj Qiriazi.
Detyra kryesore e Komisioni, sipas Gjergj Qiriazit, ishte: “Alfabeti duhet ta bashkoj kombin dhe i vetmi instrument me të cilin ai do të përparojë”. Në këtë kuadër, Komisionit iu njoh e drejta e pakufishme për sjelljen e vendimit rreth çështjes së alfabetit që do të obligonte të gjithë. Ndërkaq, në ditën e tretë, të katërt dhe të pestë të mbledhjeve, Komisioni diskutoi, veç të tjerëve, për themelimin e Alfabetit. Pas diskutimeve të shumta, me datë 20 nëntor 1908 komisioni miratoi rezolutën e hartuar në gjuhën shqipe, e cila qe miratuar me nënshkrim nga të gjithë delegatët e pranishëm në kongres. Në kongres u krijua një alfabeti i ri mbi bazën e atij latin, i cili u rekomandua që bashkë me alfabetin e Stambollit detyrimisht të përdoren në shkolla. Por, Alfabeti thjesht latin për shkak se ishte më praktik u përhap gjithnjë e më shumë dhe nga fundi i Luftës së Parë Botërore u bë tashmë alfabeti i përbashkët e i vetëm për gjithë shqiptarët alfabeti i sotëm i gjuhës shqipe.
Kurse në ditën e fundit të punimeve të Kongresit, ku ishin të pranishëm vetëm delegatët, u aprovuan dy rezoluta:
- Klubet në Shqipëri do t’i dërgonin raport një herë në muaj Klubit të Manastirit, ndërsa ky do t’u dërgonte atyre, si dhe shoqërive raportin e përgjithshëm.
- Pas dy viteve do të mbahej Kongresi në Janinë,në të cilin do të trajtohej çështja e gjuhës dhe e literaturës.
U vendos që klubi qendror, me të cilin do të mbanin lidhje të gjithë klubet tjera, të ishte Klubi “Bashkimi” i Manastirit, e jo Klubi i Stambollit për të cilin insistonin të moderuarit dhe turkoshakët, kjo dëshmon për dominimin e krahut kombëtar në Kongres. Njëkohësisht, me këtë vendim Klubi i Manastirit u ngritë në qendër kryesore të vendosjes për bashkërendimin e veprimtarisë organizative e politike-kulturore në luftën për të drejtat kombëtare.
Ndonëse zgjidhja e çështjes së një alfabeti të njësuar dhe të vetëm të shqipes, ishte çështja themelore në kongres, ai ka rëndësi të madhe jo vetëm në rrafshin linguisti por dhe në atë politik. Sepse krahas mbledhjeve plenare që i zhvillonte kongresi, u mbajtën edhe gjashtë (6) mbledhje të fshehta në shtëpinë e Gjergj Qiriazit, për të cilat nuk ishte njoftuar kongresi në mbledhjet plenare.
Në ato mbledhje merrnin pjesë atdhetarë më të vendosur e më të përgatitur në mendime, që e ndjenin si detyrim përpunimin e një platforme politike dhe hartimin e një programi të përbashkët kombëtar. Mbi bazë të vendimeve që u morën në këto mbledhje u hartua një program kombëtar prej 18 pikash, i cili është një nga dokumentet më të rëndësishme të Kongresit të Manastirit. Në këtë dokument nga kërkesat kryesore politike ishin:
- Autonomi territoriale-administrative për Shqipërinë;
- Njohja zyrtare e kombësisë shqiptare dhe të gjuhës shqipe;
- Ngritja e arsimit të pavarur shqiptar duke i kthyer të gjitha shkollat e ulta e të mesme shtetërore turke në Shqipëri në shkolla kombëtare shqiptare, në të cilat gjuhë e mësimit do të jetë gjuha shqipe, kurse turqishtja do të mësohej si lëndë e veçantë nga viti i katërt i shkollës fillore;
- Marrëdhëniet e shoqërive, të klubeve e të komiteteve shqiptare me organizatën e (xhonturqve) “Bashkim e Përparim” etj.
Rëndësia e veçantë e këtij Programi politik qëndron në atë se përmbysi pretendimet e turqve të rijë dhe turkoshakëve shqiptar për ta kufizuar Kongresin vetëm me çështje të alfabetit, por dhe për atë se dëshmonte që edhe pas shpalljes së kushtetutës objektivi themelor i Lëvizjes Kombëtare Shqiptare ishte realizimi i autonomisë së Shqipërisë. Më pas ky Programi prej 18 pikash, duhet të paraqitej nga deputetët shqiptar si kërkesa shqiptare në parlamentin turk,
Kështu, pas nëntë ditësh pune, më 22 nëntor 1908, Kongresi i Manastirit i përfundoi punimet me sukses dhe hyri në historinë e kulturës shqiptare si Kongresi që vendosi për njësimin e alfabetit të gjuhës shqipe.
Çështja e alfabetit nga pushteti turk nuk shihej si çështje kulturore, por u fry si çështje religjioze dhe politike. Ndonëse pushteti zyrtar turk formalisht bënte sikur mban qëndrim neutral, ai e nxiste dhe e mbështeste luftën kundër alfabetit shqip latin. Menjëherë pas Kongresit të Manastirit një nga mjetet kryesore që përdorte pushteti turk ishte propaganda që gjuha shqipe të shkruhet me alfabet arab. Ndërkaq, që në fund të vitit 1908 Ministria e Arsimit e Turqisë mori masa administrative dhe urdhëroi që në shkollat e vilajetit të Kosovës shqipja të mësohej me shkronjat arabe. Një urdhër i tillë iu dha në shkurt të vitit 1909 edhe prefekturës së Elbasanit.
Do theksuar se përkrah reaksionit turk u vu edhe kupola më e lartë e fesë myslimane; Shejhylislami, i cili i kërkoi Ministrisë së Arsimit ndalimin e përdorimit të alfabetit lanin për gjuhën shqipe dhe, më 5 prill 1910 me anë të një qarkoreje të njëjtën ua kërkoi edhe të gjithë myftinjve të Shqipërisë. Shumica e myftinjve u rreshtuan në zbatimin e kësaj politike, nga të cilët u shquan myftiu i Manastirit, Rexhep Nuredini (Voka), por dhe myftinjtë e Prishtinës, Dibrës etj. Sa që, po në prill të vitit 1910, Shehylislami bashkë me shehlerët e hoxhallarët fanatikë e turkoman mallkuan shkronjat shqipe dhe ua ndaluan myslimanëve përdorimin e tyre.
Ndërkohë, pas shtypjes së kundërrevolucionit në prill të vitit 1909 dhe pasi i forcuan pozitat në Stamboll, xhonturqit ndërmorën masa shtypëse ndaj lëvizjes kulturore shqiptare. Në Shkup dhe në Manastir zhvillohej agjitacion i rreptë kundër zbatimit të alfabetit latin, ashtu që në Manastir qe ashpërsuar lufta midis atdhetarëve shqiptar dhe xhonturqve rreth alfabetit shqip. Për rrjedhojë, në vitin 1909 qe ndaluar nga pushteti alfabeti latin, në shkollat ku mësohej në gjuhën shqipe. Kjo luftë vazhdoi dhe në vitin 1910. Pas hartimit të alfabet të ti ri turko-arab “me katër germa të reja”, pushteti turk me anë të qarkores së datës 6 .o2.1910 e ndaloi kudo në Shqipëri alfabetin latin, dhe urdhëroi që gjuha shqipe në të gjitha shkollat myslimane private dhe shtetërore të mësohet me alfabetin arab, kurse urdhëroheshin autoritetet e pushtetit të i mbyllin të gjitha shkollat ku mësohej gjuha shqipe me shkronja latine, si që ishte rasti në Shkup ku u ndërpre kursi i gjuhës shqipe me shkronja latine pranë shkollës idadije të këtij qyteti.
Njëkohësisht, Qeveria turke urdhëroi dhe ndalimin e botimit dhe shpërndarjes së librave, gazetave, revistave me alfabetin shqip.
Krahas shpërndarjes së abetareve me alfabetin arab, që në janar 1909, Qeveria osmane organizonte dhe financonte mitingje kundër alfabetit shqip me shkronja latine si në Shkup, Manastir, Ohër, Tetovë, Dibër, Përlepe, Follorinë etj. Këto mitingje organizoheshin pran xhamive e objekteve tjera fetare dhe drejtoheshin nga hoxhallarët. Një miting i tillë qe organizuar në xhamin e sulltan Muratit në Shkup, nën organizimin e Said Hoxhës deputet i Shkupit. Mitingjet organizoheshin nën parullën: se përdorimi i shkronjave jo arabe paraqit rrezik për fenë myslimane.
Pushteti ndërmori masa represive ndaj të gjithë mbështetësve të alfabetit shqip; qofshin ato nëpunës, veprimtarë, intelektual, nxënës etj. Masat ishin të natyrave të ndryshme si arrestim, përjashtim nga puna, transferim në ndonjë vend tjetër të perandorisë, si p.sh. nën akuza të këtilla nga fundi i majit të vitit 1909 vetëm në Ohër, në Pogradec e në Strugë u arrestuan 17 veta, midis të arrestuarve ishin edhe Hamdi Ohri, Xhemaledin Beu, kryetar i klubit të Ohrit dhe Mehmet Beu, sekretar i klubit, si dhe u përjashtuan një numër i nxënësve nga shkollat, si në Shkup, në Manastirit, në Korçë etj.
Megjithatë, përkundër gjithë këtyre masave të ashpra nuk pushoi puna e klubeve për hapjen e shkollave private dhe botimin e librave shqip me alfabetin latin të ndaluar,. Me veprimtarinë e tyre kombëtare klubet dhe gazetat e kohës që botoheshin brenda e jashtë vendit ndihmuan që për një kohë të shkurtër të bëhet një ndarje e plotë shpirtërore midis shqiptarëve e turqve, vlerësonte konsulli serb në Manastir, Luba M. Mihajlloviq.
Këtë fjalë rasti do ta përmbyll me një vlerësim të prof dr. Petro Janurës në veprën e tij me titull: Nga historia e alfabetit të gjuhës shqipe, Shkup, 1969, i cili thotë: “Alfabetin e sotëm që e përgatitën shekujt me anën e njerëzve dashamirë të shkrimit e të kulturës shqipe, zyrtarisht e stilizoi në formë definitive dhe e vuri në zbatim data 1908, që u ratifikua prej datës 1912 edhe pse në këto data nuk u dha asnjë urdhër, por etika e ndërgjegjes së ndershme kombëtare, që i pruri këto data, u bë urdhër për tu pranuar përgjithnjë ky alfabet.”
Tetovë, 21.11.2016
Jakov says
Ky artikull jep njohuri per historine e alfabetit te gjuhes shqipe .Bukur deri ketu ,por cpo ndodh akoma ne ditet e sotme per problemin e gjuhes ne Shqiperi ?Shihet haptas dhe nuk do shume mend per te kuptuar se vendin po e mbyt islamizmi radikal ne formen e nje “miqesie te lashte ” qe Shqiperia e paska kryesisht me Turqine dhe me vendet arabe .Negativisht kane influencuar edhe donacionet e vendeve islamike .Ne perhapjen ndertimore te shume XHAMIVE qe kane mbire si kerpudhadhat pas shiut ne gjithe fshatrat e qytetet shqiptare .Madje ne vizitat e Ergoanit ne Kosove u deklarua pa turp se Kosova eshte Turqi dhe Turqia eshte Kosove .Cila eshte prapaskena e kesaj fjalie qe u morr si shprehja e dashamiresise turke per te ndihmuar Kosoven dhe Shqiperine .E ka tjetrkund hallin Ergoani .Ai do me cdo forme ta fuqizoje influencen Turke atje permes “ndihmave dhe firmave qe punojne aty dhe ti veri keto vende nen vasalitetin turk si njeqindevjet me pare >Edhe TV shqiptare kane rene nen kete trysni duke blere pa rreshtur telenovelat turke qe dashur pa dashur bejne propagande islamike ne vend permes cmimeve te lira qe i blejne nga dhjetra kinostudio turke .Fakt eshte si disa qytete te Shqiperise se Mesme ku influenca turke ka qene me e theksuar –duke perdorue akoma sot me qindra e mijra fjale turqisht ,kur i kane keto fjale ne shqipen e paster –e duke lene akoma toponime me prejardhje turke si El-Basan (Vura doren )ku kjo ifluence eshte akoma e spikatur -Pastaj Karaborun e Sazan e plot te tjera -fjale puro turke kur ne shqip i ke HUnda e zeze dhe Sazani ,forma e nje lloje peshku qe turqit ja vune emrin sapo u futen ne ato ujra .Nuk ka aq shume vend ketu per ti shkruar gjithe ato fjale qe perdoren aq dendur ne Shqipen e sotme -Kur i kemi fjalet paster ne shqip ,pse na duhen ato Barbarizma qe si kacabunje kane zene vend ne muret e shtepive shaqiptare ? Ne perdorim neologjizmat sepse nuk i kemi ato fjale shumica teknike te prejardhura nga anglishtja -dhe sjam kunder tyre –por kur ke 5kg miell ne shtepi dhe shkone merr tek komshija gjysem kilo miell –kjo nuk ka llogjike .Per nje perdorim masiv te nje fjalori te huaj (jo vetem nga turqishtja )fajtor per kete bej mediat ne pergjithesi qe ju duket se kjo eshte forme moderne ,qe po e perdore sot rinia shqiptare ,gjasme demonstrojne kulture europiane –vetem sa felliqin gjuhen aq te bukur shqipe Parlamenti pastaj ,eshte sheshi ku perdorimi fjalorot te huaj ,eshte moda e dites .Gjuha duhet pastruar mire nga keto influenca teper negative dhe eshte detyre kjo e Akademise se Shkencave ta marr se me shpejt ne dore kete problem kyc (me falni se padashje perdora nje fjale turke ne vend te CELS )Gjuha duhet krehur mire .per sa fola me siper dhe te pastrohet nga morrat e pleshtat qe po i pijne gjakun gjuhes perdite e me shume .Dua te shtoje se fundi edhe punen e pakujdeseshme te perkthyesve te fimave ,ku edhe ata kane faje plot ne kete drejtim Ju faleminderit per mirekuptimin —-Jakov Solomon me banim ne Israel
Mala says
Dy krahet e Lindjes,dmth,Lindje per shqiptaret ishte shemetia penguese deri ne “mallkim” te gjuhes,shkronjes shqipe,librit shqip dhe vete shqiptareve dhe trollit te tyre, vetem mos te degjohen zeri dhe ndjenja shqiptare e perendimit. Fatkeqesia shqiptareve dhe Shqiperise gjithmone e vazhdimisht, ju vinte dhe do ju vije edhe sot, vetem nga Lindja,kr ahu ortodokes sllave dhe krahu orientale musliman.
Ismail says
Kongresi i Manastirit priu pavarësinë e shtetit shqiptar
PERPJEKJET PER ALFABETIN E SHQIPES
Rruga e shkronjave shqipe, është rruga e gjuhës dhe historisë së popullit shqiptar. Rruga e shkronjave shqipe, është rruga e shkollës e librit dhe shkrimit shqip. Rruga e shkronjave shqipe, është rruga e jetës dhe rruga e lirisë shqiptare.
Shkruan : Ismail Gashi-Sllovia
Tash kur shkruajmë këta rreshta, në shënim të përvjetorit të shkronjave shqipe. Kthehemi 104 vjet mbrapa, më 14-22 nëntor të vitit 1908 në Manastir, tash qytet nën juridiksionin e Maqedonisë, ku pat filluar punimet Kongresi me rëndësi të madhe për gjuhën, kulturën, historinë dhe çështjes shqiptare përgjithësisht. Ruga e shkronjave shqipe, është rruga e gjuhës dhe hsitorisë së popullit shqiptarë. Rruga e shkronja shqipe, është rruga e shkollës e librit dhe shkrimit shqip. Rruga e shkronja shqipe, është rruga e jetës dhe rruga e lirisë shqiptare. Kongresi i Manastirit, tuboi personalitetet më të ditur, intelektualët dhe shkrimtarët më të angazhuar të gjuhës, letërsisë dhe kulturës shqiptare, të cilët në këtë kongres do të vendosnin njërën nga problemet themelore të gjuhës shqipe, vendosjen e një alfabeti të shqipes. Kongresi i Manastirit u mblodh në kohën, kur Lëvizja Kombëtare Shqiptare, po arrinte kulmin e qëllimet e saj kundër synimeve të krahut të Lindjes orientale osmane te dobesuar, e krahut të Lindjes sllave-greke synuese e gallabrimit te trojeve shqiptare, për të cilën shumë patriotë e pishtarë të shkrimit,e të shqipes shqipe flijuan jetën.
Rruga e mundimshme
Përpjekjet e tyre për shqipen e shkruar kishin një vazhdë të përgjakshme në kohë dhe hapësirë shqiptare. Që nga viti 1462, kur merret dokumenti i parë i shkruar në gjuhën shqipe e gjerë në vitin 1908, kur u mbajt Kongresi i Manastirit, 36 shkronjat, shenjat grafike të cilat shënojnë 36 tingujt e gjuhës sonë, kaluan rrugë të mundimshme, shkronjat tona kaluan këtë rrugë sa edhe vet populli që fliste gjuhën e këtyre shkronjave. Sa me të drejtë Sami Frashri për këtë thotë; “Është për tu çuditur, qysh ka rrojtur gjerë më sot kombi shqiptarë, duke mos shkruar e duke mos kënduar gjuhën e vetë, kur janë humbur kaq kombe, që shkruanin e këndonin gjuhën e tyre. Siç janë syrjanët, kaldënjasit, latinët e të tjerë”. Kushtet e egra që i rrezikonin nga të gjitha anët, të cilat i kaloi gjuha dhe alfabeti ynë, që nga osmanët që synonin të përhapnin përmes mejtepeve e medreseve sa më bindshëm fenë islame e kultin e saj, në të cilat shkrimi i fëmijëve shqiptarë bëhej me alfabet arab. Kishat në anën tjetër vepronin me alfabet latin e grek, e një kohë edhe me atë sllav. Kishin të vetmin qëllim, shkombëtarizimin e shqiptarëve, sepse ndjenja shqiptare ishte pengesë që jo vetëm pengonte fenë islame dhe shtrirjen e ortodoksizmit, por, ajo edhe urrehej me gjelazi në formë e përmbajtje primitive. Patriarkana Greke, aleate e këtij morali të keq, mundohej me gjitha mjetet të formojë bindje, se shqiptarët janë të topitur për kulturë, madje shqiptarët nuk kanë asnjë dëshmi nga e kaluara e tyre primitive. Ky veprim grek mundohej të bind opinionin e kohës, se shqiptarët që më kohë nuk kanë pasur elementin qenësor kombëtar GJUHËN, mjetin elementar, jo vetëm kulturor, por edhe kombëtar. Ata injoronin, se gjuha e shqipe është gjuhë barbare. Andaj e mallkonin dhe e ndëshkonin çdo shqiptarë, që përpiqej të shkruante e të mësonte gjuhën kombëtare. E si duket, çdo veprim që me masa shtrënguese mundohej ta ndalonte i huaji, shqiptarëve iu shtonte rrezistencën. Kjo përpjekje e vetëdisimit shumë shqiptarë të moteve të rëndë i ka bë të mëdhenj kombëtarisht. Përkundër urrejtjes e represalieve të të huajve kundër gjuhës, kulturës dhe popullit tonë, iluministët tanë, dëshmorë të gjuhës e kombit, kurrë nuk u përulën para sakrificave. Me vetsakrificë ata shkruanin abetare e tekste shkollore dhe ato i shpërndanin ndër bashkombasit, që të mësojnë gjuhën e tyre. Në këto rrethana, ata hapën edhe shkollat e para, si ajo e Korçës dhe simotrat e saj të mëvonshme. Nuk ka dyshim se fara e hedhur nga Naum Veqilharxhi, Pandeli Sotiri, P. K. Negovani, P. N. Luarasi e rreshti i madh pas këtyre pishtarëve të arsimit tonë kombëtarë, do të jetë ftillues i mbarsëm nga farëhedhësit e mirë, të niset kjo rrugë e mbarë e të vijë gjerë në ditët tona. Pionierët e saj të nderohen e të çmohen prej gjithë breznive që vijnë pas tyre. Kësaj rrugë të trasuar, kësaj kulle të madhe e të fortë, të cilës themelin ia vuan pishtarët tanë të lavdishëm, më vonë çdo shqiptarë atdhedashës “i ka vuar nga një gurë, që ajo të jetë edhe më e madhe e më e fortë”. Kjo është kalaja e kulturës sonë kombëtare sot.
Rruga e shkronjave shqipe
Alfabeti ishte problem i dorës së parë për gjithë shqiptarët përparimtarë të shekullit 19-të. Megjithëkëtë, ky shekull kaloi pa e zgjedhur problemin e shkronjave të shqipes. Edhe pse kësaj rrugë rrugëtuan personalitetet e gjuhës dhe kulturës kombëtare, që nga Buzuku, Budi, Bogdani, Matrënga, Bardhi e të tjerë shkrimtarë të veriut, që veprat e tyre i shkruanin me alfabet latin, ata herë-herë tentuan që ato ti zëvendësojnë me ndonjë shkronjë të veçantë përshtatur natyrës fonetike të gjuhës shqipe. Shkrimtarët e jugut, të njohur me emrin Bejtexhi, Nazim Frakulla, H.Z.Kamberi. M.K.Çami, Dalip e Shahin Frashri e të tjerë, shkruanin shqipen me alfabet arab, nga të cilët nuk vërehet ndonjë tentim në drejtim të zgjidhjes së një alfabet të shqipes. Ndërsa arbreshët matanë Adriatikut, patën angazhime në zgjidhjen e alfabetit të gjuhës arbëreshe. Veçohet De Rada me dy Kongreset e mbajtura për gjuhën shqipe. Kamarda bëri tendencë për një alfabet të ri, por nuk pati jehonë /Alfabeto generalo Albano Epirotika/. Rrugës së shkronjave shqipe, pos individëve prinë edhe shoqëritë patriotike të shqiptarëve jashtë dhe brenda atdheut. Alfabeti gjatë ishte pikësynim i të gjithë shqiptarëve, sepse shkrimi i shqipes me shkronja të njësuara, peshonte edhe njësimin e vet shqiptarëve. De Rada me të drejtë shkruante, “Alfabeti nuk duhet të shkaktojë, që ne të zihemi si gratë” Kjo zgjidhje do të bënte një zgjim të tërësishëm dhe do të ndihmojë për shkëputje nga okupuesit dhe aspirantët grabitqarë. Përpjekjet e Rilindëseve ndikuan që ata të veprojnë të përbashkuar në çështjen kombëtare, ata krijuan alfabete të shqipes dhe ato i përhapnin ndër shqiptarët. Kështu, Naum Veqilharxhi hartoi alfabetin origjinal në vedi, të cilin u mundua ta përhap në Shqipëri. Kristoforidhi përdori alfabetin e veçantë me vetëm dy shkronja të huazuara nga greqishtja, Jubani përdori alfabetin latin edhe pse ai numërohej ndër autorët e parë të shekullit të kaluar me veprën “Raccolta di conti popolari rapsodia albanesi”. Edhe Pashko Vasa në vitin 1878 kishte një alfabet të veçantë, i cili pati afirmim bukur të gjerë dhe pati ndikim edhe në alfabetin e sotëm, për dallim ka vetëm 10 shkronja. De Rada me punën e tij prej vigani, gjashtë dekada u muarr me letërsinë dhe gjuhën shqipe, por edhe çështjes së shkronjave të shqipes nuk iu nda. Më 1836 botoi veprën “Këngët e Milosaut” me alfabet latin, të kombinuar me disa shkronja greke e disa të tjera konvencionale. Kurse më 1894 dha një alfabet të veçantë të kombinuar me shkronja latine e greke. Më parë kishte botuar edhe një gramatikë në Firence më 1870, “Grammatica della lingua Albanese”. Kamarda hartoi tri alfabete të një pas njëshme. Më 1870 botoi alfabetin e tij më të përsosur i cili ofrohet shumë me këtë të sotshmin, edhe pse siç thamë më parë, ai nuk kishte ndonjë shtrirje të madhe, ai i jep shkas Kamardës të numërohet ndër filologët tanë të mëdhenj. Kuptohet edhe me veprat tjera nga fusha e gjuhësisë.
Përpjekjet shqiptare për alfabetin e shqipës
Përpjekjet shqiptare për alfabetin e shqipes, gjatë gjithë shekullit 19-të, ishin të pandërprera. Nuk ka dyshim, patriotët e Rilindjes Kombëtare këtë çështje e kishin me prioritet që kërkonte zgjidhje të shpejt. Nuk mungonin shkrimet e angazhimet personale të autoriteteve kompetente, të shkrimtarëve dhe dijetarëve, as angazhimet e tyre në grupe dhe shoqëri të organizuara shqiptare jashtë e brenda atdheut. Një tentim për këtë çështje të madhe e njohim edhe nga i madhi Ismail Qemaili me bashkëveprimtarë, V. Pashën, Kristoforidhin e Hoxhë Tahsinin, Poashtu një tjetër iniciativë e njohur më 1869 dhe prapë më 1872, që nuk u kororizuan me ndonjë sukses. Megjithëkëtë, këto njihen për fille të mbara në këtë drejtim. Filologu ynë i famshëm Kristoforidhi edhe një herë tentoi më 1877 të bëjë një zgjidhje, por edhe kjo nuk doli fatlume. Megjithatë, këto tentime nuk janë të pafrytshme, meqë, mu këto ishin nisje e mbarë për një shtruarje të përbashkët të kësaj çështjeje kombëtare. Vetëm një vit pas Lidhjes Shqiptare të Prizrenit më 1879, u formua Shoqëria e Stambollit, çështjen e alfabetit e shtroi në përmasa të gjëra. Këtu mbahet mbledhja e 28 personaliteteve autoritative, mes tyre edhe tre Vëllezërit Frashri, Abdyli, Naimi e Samiu, së bashku edhe me P.Vasën, Said Toptanin, H. Tahsinin, Ali Vrionin, Koto Hoxhin, Ibrahim Dimën, Nikollë Bonotin, Anastas Frashërin e shumë atdhetarë të tjerë. Këto autoritete formojnë në Stamboll shoqërinë “Drita” dhe pas tre numrave të revistës me emërin “Drita”, revista merr emrin “Dituria”, e cila nga katër variantet e mundshme të alfabetit të kësaj shoqërie, ai i Sami Frashërti u bë bazë për hartimin e teksteve dhe veprave të botuara më vonë nga kjo shoqëri. Në shoqërinë e Stambollit u botua Abetarja e parë shqipe në 20.000 kopje, që doli me emrin “Alfabetore e Gjuhës Shqipe”. Alfabeti i kësaj shoqërie u njoh me emrin Alfabeti i Stambollit, ose edhe Alfabeti i Frashërve, i cili një kohë pati jehonë të madhe edhe në shumë koloni shqiptare, si në Bullgari, Rumani dhe në disa hapësira të trollit amë në Shqipëri. Çështja e një ABECEDE të gjuhës shqipe, ishte jo vetëm aktuale, por edhe e domosdoshme në këtë vlug të ngjarjeve historike të popullit tonë. Në të njëjtën kohë shqiptarët ishin përballur edhe me kërkesa të vështira politike teknike dhe praktike, për shkak të gjeturisë së shtypjes, mundësisë tipografike që dispononte autonomia turke. Se kishte disa propozime në këtë tubim.
Shekulli 20-të shqipen e gjeti pa një alfabete të përbashkët për gjithë shqiptarët
Alfabeti i Stambollit dominoi shumë kohë, megjithatë, nuk pati shtrirje në gjithë kombin. Ai u përhap shumë në shqipen e jugut, ndërsa në veri dominonte Alfabeti i Shoqërisë “Bashkimi” të Shkodrës. Alfabeti i Stambollit u pranua për shumë arsye, në dorë të parë ishin arsyet politike, fonetike dhe gjeolinguistike, me të cilat ky alfabet ju dha grusht të fortë armiqve të gjuhës sonë në aspektin politik, ndërsa në parimin fonetik kishte “çdo shkronjë të ketë vetëm një zë dhe për një zë një shkronjë në vete”. Parim që nuk do të zbatohet as në Kongresin e Manastirit, edhe pse ky alfabet do të shërbejë për bazë dhe kishte idhëtar edhe Mjedjen. Për çështjen e alfabetit, përpjekjet shqiptare nuk marrin fund, Shoqëria e Stambollit përdori për bazë shkronjat dhe fonemat e alfabetit latin me çka iu kundërvu tendencave armiqësore të më parshme turkomane e grekomanë. Përkundër shtrirjes së tij në trollin shqiptarë, jashtë tij gazetat përdornin alfabetet e tyre të veçanta. Kjo ishte frymë e pa konsoliduar në shkallë të gjerë kombëtare dhe tendencë e pashuar nga armiqtë, që gjuha shqipe të mos ngrite nivelin e saj me shkronja të veçanta. Andaj, nga shqiptarët me kënaqësi vështrohej përcjellja e shkrimeve të saj, po aq sa vështrohej me kërcënim nga të huajt. Kështu vepruan “Albania”e Konicës, që ishte tribunë e shtypit të kohës, “Kombi” në Amerikë dhe të tjera, përveç Bukureshtit dhe Sofjes.
Shekulli 20-të shqipen e gjeti pa një alfabet të përbashkët për gjithë shqiptarët. Sipas dokumenteve të njohura, shqipja e fillimit të shekullit 20-të, përdorte shtatë apo tetë alfabet të ndryshme, vitet e mëhershme në shkrimet e pakta të shqipes përdoreshin edhe 52 alfabete, nga kjo me të drejtë ankohej lexuesi i kohës, çka do të bënte i mjeri shqiptarë për ta kënduar gjuhën e tij? Cilat ti merr, e cilat ti lë? Gjendja e tillë për shqiptarët e atëhershëm, me shkallë të ultë të arsimimit, ishte shumë e komplikuar dhe kërkonte një zgjidhje sa më të shpejtë e fatlume. Përball forcave përparimtare kombëtare, armiqtë e gjuhës shqipe dhe të shqiptarëve, përpiqeshin që me çdo kusht, ta mbanin popullin tonë në një gjendje pakrye. Disa nga ata dilnin gjëja se përkrahnin myslimanët, e të tjerët dilni, se përkrahnin të krishterët. Kështu me këto “përkrahje” të njërës palë të pengonin palën tjetër, thjeshtë ata pengonin gjitha proceset shqiptare në këtë drejtim. Fundi i shekullit 19-të dhe fillimi i shekullit 20-të, përveç rritës së madhe të Lëvizjes Kombëtare për lirimin e shqiptarëve nga zgjedha pesë shekullore e Turqisë. Patriotët shqiptarë vazhduan luftën, lëvizja rritej, lufta politike pa aleatë thuaja vendnumëronte, ndërsa lëvizja kulturore zgjerohej. Rritej numri i krijuesve dhe veprave artistike në gjuhën shqipe si edhe numri i revistave, gazetave, shoqërive kulturore jashtë dhe brenda tokave tona, Rrjeti dhe niveli i shkollës shqipe u zgjerua, krahasuar me atë të fillimit në Korçë (7 mars 1887), Realisht u poqën kushtet që edhe çështja e alfabetit që ishte afër zgjidhjes të përkryhet. Me iniciativën e Klubit “Bashkimi” të Manastirit, u ftua Kongresi i Manastirit, i cili do të mbahej në Manastir prej 14 deri më 22 nëntor të vitit 1908. Për këtë ngjarje monumentale të gjuhës, kulturës dhe historisë shqiptare, që merret ndër ngjarjet dhe datë më e madhe historike e shpirtërore kombëtare, pas Lidhjes Shqiptare të Prizrenit 1878, Kongresi i ABC-së shqiptare i priu shpalljes së Pavarësisë së shtetit shqiptar, më 28 ëntor 1912 në Vlorë.
Roli i shoqatave “Bashkimi” dhe “Agimi”, e Shoqëria e Stambollit.
Iinfluencë të madhe kishte kleri katolik i veriut At Gjergj Fishta, që atë kohë drejtonte shoqërinë “Bashkimi” në Shkodër. Temë e vetme e këtij Kongresi ishte zgjidhja e alfabetit të shqipes. Në Kongres morën pjesë 150 të deleguar nga të gjitha viset dhe kolonitë shqiptare, në mesin e tyre kishte edhe konzujë të huaj, në Kongres ishin të përfaqësuara edhe besimet fetare. Delegatët, sipas dëshmive të kohës, vinin të hipur në kuaj, ishin të veshur solemnisht dhe solemnisht priteshin nga shqiptarët anas të Manastirit me rrethinë. Përfaqësuesve në Kongres të Manastirit, vendorët para ndërtesës ku mbahej kongresi ju shtruan rrugën me qilima e sixhade, që nga ura gjer te ndërtesa tri katshe me kupolë, ku tuboheshin të deleguarit, të cilëve nga vendorët iu sigurua edhe roje për mirëvajtjen e sigurisë gjatë punës së Kongresit. Delegatët ishin nga Manastiri, Shkodra, Durrësi, Elbasani, Vlora, Gjirokastra, Shkupi, Kolonja, Janina, Selaniku, Bukureshti, Konstanca, SHBA-të, Sofja, Egjipti dhe Italia. Kongresi zgjati disa ditë. Për datën e fillimit ka mendime kontestuese, disa thonë Kongresi filloi më 12 nëntor, disa mendojnë më 1 nëntor, madje një konzul serbë thotë se Kongresi u mbajt diku në dhjetor. Por, data e 14 nëntorit, sipas gjithë dokumentacionit dëshmon realitetin dhe saktësinë e vërtetë të mbajtjes së Kongresit të Manastirit. Kongresi që në fillim zgjodhi kryetarin e Kongresit Mit-hat Frashërin të birin e Abdyl Frashërit, Sekretare u zgjodh Parashqevi Qiriazi ndërsa nënkryetar i Kongresit u zgjodh Grigori Cilka dhe 11 anëtarë të tjerë. Kongresi zgjodhi edhe një Komision të zgjeruar nga shoqëritë “Bashkimi dhe “Agimi”, Shoqëria e Stambollit dhe personalitete tjera nga shoqëritë dhe kolonitë shqiptare, që pas diskutimeve, propozimeve dhe mendimeve të ndryshme, më 22 nëntor 1908 Komisioni solli një konkluzë. Në të cilën para Kongresit u sollën dy alfabete alternative të mundshme për përdorim të barabartë, të cilat vet koha, në zbatueshmërinë praktike të tyre, do të dëshmojë cili nga ata të merret për alfabet të shqipes dhe për gjithë shqiptarët. Për variant u moron Alfabeti i Stambollit dhe një alfabeti me bazë alfabetin latin. Komisioni dhe Kongresi vendosen, që në të gjitha shkollat dhe në të gjitha revistat dhe shkrimet e shqipes, të përdorën këto dy alfabete alternative. Komisioni përbëhej nga këta anëtarë: Atë Gjergj Fishta, Kryetar. Luigj Gurakuqi, Sotir Peci, Mit-hat Frashri, Shahin Kolonja, Dhimitrak Budi, Ndre Mjedja, Fehmi Topuli, Nuset Vrioni dhe Grigor Cilka, anëtarë. Të gjithë u zgjodhën me votë të fshehtë. Në këtë komision u zgjodhën personalitete eminente me qëllim të mos bazohen në alfabetet e deri atëhershme të përdoruar në gjuhën shqipe, edhe pse më parë Kongresi kishte vendosur që për alfabet të shqipes të mbështetej në alfabetin latin, i cili për gjitha parimet gjuhësore i përgjigjej shqipes. Komisioni mori për çdo tingull të shqipes veç e veç një shenjë grafike të veçantë, gjegjësisht për çdo tingull një shkronjë. Analiza e thellë e praktikës gjuhësore për disa tinguj kërkoi një punë e gjatë. Pas diskutimeve të rrepta, të nivelit gjuhësor e shkencor, në mes të delegatëve në Kongres, u murr vendim, që disa tinguj të shqipes, duhet të shënohen me dy shenja grafike. Kështu që, më 22 nëntor 1908, Komisioni arriti të propozon qëndrim definitiv para Kongresit. “Pasi që u kënduan verbalist ditëve tjera, e pasi që e pamë, se puna që kishim bërë ishte mjaft e madhe, por jo aq sa të na kënaqë të gjithëve, e ti shërbente si përparim dhe diturisë ndër ne; Të shtyre edhe nga disa shkaqe të përjashtme e shtyem prapa, e me pëlqim të të gjithëve u vendos që: Të merret ABECE-ja e Stambollit, e me te së bashku, një ABECE thjeshtë latine, që të përdorën bashkërisht në mes të shqiptarëve”. Nga kjo vërehet, se Kongresi i Manastirit nuk e zgjodhi përfundimisht çështjen e alfabetit të shqipes. Por, Kongresi e thjeshtoi shumë rrugën e pakrye që deri atëherë e mundonte shkrimin e shqipes. Padyshim ky trasim lehtësoi shumë zgjedhjen definitive, që do të arrihet brenda një kohe relativisht të shkurtër më 1910. Korpusi fonetike e fonologjik i shqipes, ligjet dhe zhvillimet e brendshme të gjuhës sonë, përmbushen me 36 shkronjat e kërkuara kahmot, që janë përkatëse me 36 tingujt fonetik të shqipes, shkronjat me bazë latine të cilat i kemi sot të afërta me shkronjat e shumë gjuhëve të zhvilluara të botës. Prej këtu e tutje shqiptarët me punën e tyre i dhanë hov luftës dhe punës krijuese mendore edhe kundër pushtuesve dhe lakmisë së tyre për të imponuar shqiptarëve gjuhën e tyre. Hovi i zhvillimit të gjithmbarshëm të vetëdijes shqiptare për gjuhën dhe zhvillimin e vlerave pozitive shpirtërore kombëtare, dobësoi furinë e synimeve imponuese dhe nëpërkëmbjen e këtyre vlerave kombëtare nga të huajt.
Kongresi i Elbasanit vendosi, që nga mesi i shtatorit të hap Shkollën Normale në Elbasan
Për Kongresin e Manastirit gjithë pjesëmarrësit e në veçanti Fishta, Mjedja, Mit-hat Frashri, Gurakuqi, Grameno, Hilë Mosi, Bajo e Qerqiz Topuli e shumë të tjerë, kanë luajtur rol me rëndësi, alfabetet e të cilëve kanë pasur ndryshime gjatë kohës, gjerë në Kongresin e Manastirit. Vitet e para pas Kongresit të Manastirit filluan protestat shqiptare për mbrojtjen e alfabetit kombëtar të Manastirit, në Berat masa dogji abetaren me shkronja arabe-turke, ndërsa në Korçë protestuesit kënduan këngën e alfabetit shkruar nga mësuesja Parashqevi Qiriazi. Protesta u organizuan për mbrojtjen e alfabetit kombëtar të Manastirit nga gjonturqi dhe fryma greke. Në mbrojtje të alfabetit shqiptarët u organizuan edhe në Përmet e Elbasan. Përkundër kërcënimeve antishqiptare turke e greke, Kongresi i Elbasanit vendosi, që nga mesi i shtatorit të hap Shkollën Normale në Elbasan, e cila për shkak të rrethanave filloi punën më 1 dhjetor 1909.
Tash kur po përmbyllet një përvjetor i moshës së moçme për shkronjat tona, që po rrugëtojne në fillmshekullin e dyte te jetes së tyre dhe nismen e rrugëtimit e rritës së gjuhës gjuhës kombëtare shqipe, e cila këtë vit mbushi shekullin “Komisija Letrare e Shkodrës 1916”. Përkujtojmë vështërsitë dhe punën e mundimshme të atdhetarëve shqiptarë, përpjekjet shumëvjeçare të tyre, që ne sot të ligjërojmë e të shkruajmë alfabetin e trashëguar nga stërgjyshërit tanë të lavdishëm. Ky alfabet ka ngritur lartë kalanë gjithëdijes shkencore dhe vlerave shpirtërore të artit e kulturës sonë kombëtare. Sot jemi të barazuar me civilizimin e popujve që dikur ua kishin laminë, dhe ka bërë të na lakmojnë edhe ata, që dikur nuk na kanë shikuar me simpati, as neve për popull të moçëm, e as gjuhën tonë për vlerë të veçorisë kombëtare.
Edhe njehere po e shtoj ne koment shkrimin tim per Kongresin e Manastirit