Mëngjezin e të dielës që kaloj, tek shkoja për të pirë kafe në qendër të qytetit Medford, i cili ndodhet pranë Bostonit, më bënë përshtypje grupe fëmijësh e të rriturish, që punonin për pastrimin dhe zbukurimin e qytetit. Disa mblidhnin papastërti në trotuaret e qytetit si dhe vendet çlodhëse. Në fakt këtu gjen fare pak mbeturina që prishin pastërtinë e qytetit, megjithatë edhe ato duhen pastruar.
I afrohem një grupi dhe i pyes:-Të kujt shkolle jeni?-Nuk jemi shkollë por një grup prindërish dhe fëmijësh, që dalim në këtë stinë për të pastruar e mbjellë lule për qytetin. Fëmijët janë bashkuar në bazë të shoqërisë që kanë me njëri-tjetrin. Ka disa vjet që e bëjmë këtë punë.-A mund të bëj ndonjë foto?- i thashë unë pasi u prezantova.- Me kënaqësi!- ishte përgjigja e tyre.
Bëra disa foto, një pjesë e të cilave shoqërojnë këtë shkrim. Vazhdova pastaj në grupe të tjerë. Disa pastronin trotuaret , të tjerë mbillnin lule në vazot e mëdha të vendosura aty. Ndjeje kënaqësi të veçantë tek shikoje si punonin së bashku fëmijë e prindër.Te nja nga grupet, ishte edhe kryetarja e bashkisë së qytetit, zonja Stefanie Burke.-Sa pjesëmarrës janë sot këtu? -e pyes unë.-Janë 80 fëmijë e prindër që punojnë vullnetarisht. Ka grupe edhe në pjesë të tjera të qytetit. E bëjmë vazhdimisht këtë punë në stinën e pranverës dhe të gjithë janë vullnetarë.-Po lekët e luleve, kush i paguan? – vazhdova unë.-Lekët i paguajnë bizneset që janë këtu përballë. Ju mund të pyesni ndonjërin prej tyre.
Hyra në kafe dhe pyeta pronaren e lokalit, Sharon Hepburn, për shpënzimet e luleve,- Ka dy vjet që lulet këtu në qendër të qytetit, i paguaj unë. E bëj me kënaqësi këtë pagesë, pasi këtu jo vetëm është qendra e qytetit, por është edhe biznesi im. Të gjithë duhet të kontribuojmë për zbukurimin e qytetit ku jetojmë, më tha ajo. Mësova se punët vullnetare për qytetin, i organizon Koalicioni i Komunitetit të qytetit. Ky grupim, është një organizatë jo fitim prurëse, i dedikuar për të punuar së bashku me qytetarët e interesuar, organizata të tjera të qytetit si dhe bizneset lokale, për të krijuar dhe mbajtur një mjedis sa më të pastër.
Duke parë këto punë, më shkoi mendja te vendi ynë, në Tiranë e qytete të tjerë. Çështë e vërteta , vitet e fundit kur bashkinë e Tiranës e drejton Erjon Veliaj, janë bërë mjaft punë vullnetare për pastrimin dhe zbukurimin e qytetit , bile edhe në disa fshatra që përfshihen në këtë bashki, pa përmendur punët që janë bërë në bashkëpunim me disa biznese për regullimin e kopshteve dhe shkollave, etj. Në krye të këtyre punëve, ka qënë kryebashkiaku Veliaj. Këtë e them, sepse si shumë emigrantë, ndjek çdo ditë televizionet shqiptare dhe shoh se çfarë bëhët në Shqipëri. Punë të ngjajëshme për pastërtinë e mjedisin, janë bërë edhe në ndonjë qytet tjetër të vendit tonë.
Fryma e vullnetarizmit që është aq e përhapur në Amerikë, duhet të përhapet më shumë edhe në vendin tonë. Ka njerëz që e krahasojnë këtë frymë me punët vullnetare të regjimit të kaluar dhe nuk i nuk i vlerësojnë ato. Sigurisht ai regjim e kishte tepruar me punët vullnetare, duke i nxjerrë njerzit edhe me zor e duke i stërmunduar. Sot duhet një frymë tjetër vullnetarizmi, që këto punë të kryhen me vetëdije qytetare, pa u tepruar dhe pa stëmunduar njerzit. Nuk duhen mbajtur sytë vetëm nga shteti për këto punë, i cili sigurisht ka pjesën e vet të detyrimeve. Shoqatat e ndryshme që veprojnë në këtë fushë, shkollat, prindërit, institucionet, bizneset, etj, duhet ta përqafojnë më shumë frymën e vullnetarizmit. Ajo duhet të ndihet aq më tepër në Shqipëri, ku siç dihet papastërtia dhe ndotja e mjedisit, janë me shumicë. Ato lenë një shije të hidhur për banorët, e aq më shumë për turistët.