• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Search Results for: themistokli germenji

NGA HISTORIKU I GJUHËS LETRARE SHQIPE

November 26, 2024 by s p

Dr. Bexhet Asani/

52 vjet Gjuhë Letrare (1972 – 2024 )

Shqiptarët para Kongresit të Manastirit në shkrimet e tyre përdornin disa alfabete. Pas Kongresit të Manastirit përdornin disa gjuhë letrare për gati gjashtëdhjetë e katër vjet. Intelektualët shqiptarë vazhdimisht bënin përpjekje që populli shqiptar të kishte një gjuhë të njësuar për përparimin e kombit. Nuk mund të shkonte më kush si të mund të shkruante?!

Preokupim i gjuhës letrare shqipe nuk ishte vetëm e intelektualëve shqiptarë por ishte edhe preokupim i Serbisë dhe i Federatës së Jugosllavisë. Të preokupuar ishin Komiteti Qendror i Federatës të Jugosllavisë, Komiteti Qendror i Republikës Popullore të Maqedonisë etj. Kohët e fundit u zbulua analiza e prof. dr. Petro Janurës nga historian Qerim Lita. Nënshkruesit e raportit janë edhe Myrteza Peza atëherë Kryeredaktor i gazetës “Flaka e vëllazërimit” dhe Krume Jakovski nga Dibra njohës i cili e fliste gjuhën shqipe që të dy të besuarit e Komitetit Qendror të Republikës Popullore të Maqedonisë. Për këtë elaborat para shumë vitesh kisha dëgjuar nga profesor Zeqirja Neziri dhe ja tani analiza është botuar komplet dhe mund ta lexojë kushdo me qëllim të dijë më tepër për peripecitë e Gjuhës së Sotme Letrare Shqipe. Analiza e profesor Petro Janurës mban këtë titull: “ÇËSHTJA E GJUHËS SË VETME LETRARE TË PAKICËS SHQIPTARE NË JUGOSLLAVI”. Kjo analizë e thukët i ka 50 faqe.

Argumentet e profesorëve të nderuar të cilët kanë qenë në një presion të paparë, kanë një vështrim shkencor në diakroni dhe në sinkroni. Kështu argumentet e tyre gjuhësore i nisin që nga “Meshari” i Gjon Buzukut e shkrimtarët e tjerë të letërsisë së vjetër, shkrimtarët e Rilindjes, Shkrimtarët e Realizmit e gjer te shkrimtarët e viteve pesëdhjetë të shekullit të njëzetë. Ata kanë marrë në shqyertim edhe veprat e albanologëve të huaj.

Për përpjekjet e intelektualëve kosovarë të kohës për unifikimin e drejtshkrimit të gjuhës sonë shkruajnë:

“Këtu në Jugosllavi janë bërë dhe bëhen përpjekje për unifikimin e drejtshkrimit të gjuhës shqipe që përdoret në shkolla dhe në shkrime të ndryshme. Për atë duhet të lavdërohet dhe t’i jepet mirënjohje Komisionit për Arsim dhe Kulturë të Krahinës Autonome të Kosovës dhe Metohisë, që në mënyrë reale ka kuptuar këtë problem shumë të rëndësishëm, duke mos kursyer asgjë që ky problem të zgjidhet njëherë e përgjithmonë. Në këtë drejtim, janë mbajtur dy konferenca të gjera gjuhësore në Prishtinë dhe rezultatet e tyre premtojnë, por diversiteti nuk është mënjanuar tërësisht. Ende kemi mozaik në drejtshkrim dhe në gjuhë dhe, kjo gjendje nuk do të zhduket derisa të zgjidhet edhe këtu çështja e gjuhës së përbashkët letrare për të gjithë shqiptarët”.

Për gjuhën shqipe në Maqedoni midis tjerash vënë në dukje: “Gjuha shqipe, të cilën e përdorin shqiptarët e RP Maqedonisë, nuk është studiuar në mënyre thelbësore që të dihen mirë të gjitha karakteristikat e saj, por dihet se shqiptarët e kësaj republike flasin një nëndialekt gegë periferik, në pjesë më të madhe, ndërsa një pjesë e vogël flet dialektin toskë.

Dialektin gegë e flasin shqiptarët e Shkupit, Tetovës, Gostivarit, Dibrës, Kërçovës dhe Kumanovës me fshatrat përreth ku ka shqiptarë dhe disa fshatra të Strugës. Në qytetin e Strugës vërehet ndikimi i dialektit toskë, ndërsa në Manastir dhe Prespë, me fshatrat e tyre ku ka shqiptarë, flasin vetëm dialektin toskë, me përjashtim të dy fshatrave në Manastir. Dialekti gegë flitet edhe në disa fshatra të Prilepit, Velesit dhe Rekës së Epërme”.

Kur bëjnë fjalë për leksikun e pasur të të dy dialekteve të shqipes ata shkruajnë: “Kjo pasuri e fjalorit tregon fuqinë e gjuhës shqipe për të kundërshtuar rrezikun nga asimilimi prej gjuhëve të tjera. Ky fjalor i përbashkët, që është pronë e gjuhës shqipe “është pronë e gjallë që tregon se dialektet tona nuk kanë ndonjë dallim të madh mes vete, që dallimet e tanishme dialektore lejojnë që njëri dialekt, i pasuruar me veprimtarinë e përbashkët të dialektit tjetër, mund të shërbejë si bazë e gjuhës letrare “të përbashkët” .

Duke i ilustruar edhe me shembuj si: “Te ne në Jugosllavi, dialekti toskë nuk është i përdorur aq shumë, edhe pse në Prishtinë janë ribotuar disa vepra origjinale, si dhe disa vepra të përkthyera në dialektin toskë. Kjo është shenjë se nuk ka pengesë nga përdorimi i këtij dialekti edhe te lexuesit shqiptarë në vendin tonë. Veprat origjinale të shkrimtarëve tanë, gjuha e të cilëve është mjaft letrare, çdo ditë e më shumë e humbë koloritin lokal”.

Në përfundim të analizës ata janë tepër të matur:

“Pra, numri më i madh i veprave të shkrimtarëve, të cilat vepra mësohen në shkollat tona, janë të shkruar në dialektin toskë, përkatësisht në atë gjuhë letrare. Nisur nga kjo intelektualët e rinj shqiptarë në Jugosllavi, jo vetëm se e njohin gjuhën toskërishte letrare, por ata janë të formuar si të tillë. Intelektualët me të mund shumë lehtë t’i shkruajnë veprat e tyre si shkrimtarët, punëtorët e arsimit nëpër shkolla, gazetarët nëpër gazeta, radio, zyra dhe atje ku është e domosdoshme.

Duke propozuar që gjuha letrare shqipe të futet edhe për shqiptarët në Jugosllavi, e kemi parasysh faktin se drejtshkrimi i cili sot përdoret në librat dhe shkollat shqiptare, si dhe në radio-emisionet, bazohet në atë laramani që ekzistonte më herët. Nëse do të futej gjuha e përbashkët letrare, do të ishte e një dobie shumë të madhe në radhë të parë për zhvillimin e vetë gjuhës, e pastaj për nxënësit, sepse ajo që sot përdoret në shkollë nga ana e nxënësve dhe nga një pjesë e madhe e punëtorëve të arsimit e intelektualëve, nuk është as letrare e as nëndialekti kosovar, por nëndialekt me partikularizma lokale. Gjuha letrare nuk lejon të ketë lokalizma kur për to nuk ka nevojë.

Është koha që të gjithë shqiptarët në Jugosllavi të shfrytëzohen me gjuhën letrare – pa laramani. Në këtë kuptim përbëhet edhe ky propozim.”

Profesor Zeqirja Neziri sqaron se kur duhet të jetë shkruar përafërsisht ky raport:

“Analiza është nxjerrë nga Arkivi Shtetëror i Republikës së Maqedonisë, Fondi Lidhja Socialiste e Popullit Punues të Maqedonië (465), Ai është përgatitur nga grupi i ekspertëve gjuhësorë të Komisionit për pakica nacionale të LSPPM-së: dr. Petro Janura, Murteza Peza dhe Krume Jakovski. Për fat të keq, në të nuk ka ndonjë datë të saktë se kur është hartuar, mirëpo, terminologjia e përdorur nga grupi në fjalë, veçmas në Rezymenë, si për shembull, RP e Maqedonisë, RFP e Jugosllavisë etj., arrijmë deri te konstatimi se ajo është hartuar midis periudhës 1959-1962. Ky konstatim mbështetet edhe në procesverbalin e mbledhjes së Këshillit Ekzekutiv të KQ LKM-së, të mbajtur më 19 nëntor 1959, në të cilin, veç tjerash, është shqyrtuar edhe problemi i gjuhës letrare shqipe. Lidhur me këtë në procesverbal, shprehimisht thuhet: “U konkludua se çështja e gjuhës shqipe duhet të zgjidhet në mënyrë parimore. Këtu ka luhatje midis gjuhës letrare shqiptare dhe gjuhës së Kosmetit. Kjo çështje duhet të shtrohet edhe para KQ të LKJ-së dhe së bashku me shokët nga Kosmeti të zgjidhet. U shprehën mendime se nuk mund të shkohet në një gjuhë tjetër, përveçse gjuhës së shtetit amë“.

Është për t’ u habitur fakti se anëtarët e Komitetit Qendror të Lidhjes Komuniste të Maqedonisë, janë pajtuar se nuk mund të shkohet në një gjuhë tjetër, përveçse gjuhës së shtetit amë.

Përpiluesit e përfundojnë rapotin pothuaj me hare:

“Sot është arritur një pozitë relativisht e mirë në punën e drejtshkrimit, sepse ai po unifikohet edhe te ne, dhe prandaj jemi në pozitë të themi “A Habemus ortographiam” (Kemi ortografi), pse mos të merremi vesh edhe për çështjen e përbashkët letrare, kur afrohen të dyja dialektet, jo vetëm në fushën e morfologjisë, por edhe në pikëpamjen e fonetikës, sepse ato i kanë lënë anash dallimet që kanë ekzistuar mes dy dialekteve që i kanë sot vetëm në gjuhën popullore. Gjatë asaj kohe dhe pasi që mes vete, drejtshkrimi dhe gjuha letrare janë të ndërvarura, ato janë të lidhura edhe me gjuhën e përbashkët letrare, dhe, kështu atë që e themi për drejtshkrimin, themi edhe “Habemus communem linguam literarem” (Kemi gjuhë të unifikuar letrare)”.

Në rezymenë e raportit dalin me propozim konkret:

“Ne propozojmë që edhe shqiptarët në Jugosllavi ta përdorin një gjuhë letrare të përbashkët – atë e cila përdoret në Shqipëri. Për një propozim të tillë kemi sqarime të shumta në analizë, si dhe nga kjo shkëputje e asaj analize. Kryesisht për shkak të asaj se në Shqipëri disa shkrimtarë gegë, edhe pse shkruajnë në atë dialekt, sërish 90% kanë premisa toskërishte ose thënë më saktësisht, është gjuhë e përbashkët letrare, e cila sot përdoret në Shqipëri.

Propozojmë që gjuha letrare në Shqipëri të vendoset edhe në territorin tonë (në Jugosllavi-n[ Maqedoni, Kosovë, Mali i Zi, Lugina e Preshevës- shënimi im B.A.), për arsye se thuajse të gjithë intelektualët tanë ose thënë më drejtë do të duhej ta njohin, për arsye se janë shfrytëzuar me atë gjuhë”.

Akademik Rexhep Qosja ka plotësisht të drejtë kur thotë se:

“Me të, me këtë Drejtshkrim, në të vërtetë me këtë gjuhë letrare të njësuar, varroset përgjithmonë përpjekja e Serbisë për t’i ndarë shqiptarët në dy kombe: në kombin e, si e thotë ajo, albancave që përbëjnë Shqipërinë dhe në kombin e shqiptarëve, në të vërtetë shiftarëve, si na quante përbuzshëm, që përbëjnë kombin kosovar, Kosovën!”

Profesor Idriz Ajeti si njeri që mbante mbi supe peshën e rëndë të robërisë, ai e dinte sesa vlerë ka për një komb gjuha letrare, përveç rrojtjes së tij mbi një shekull e që gjithë jetën ia kushtoi gjuhës shqipe, veç asaj që ishte pjesëmarrës në Kongrsin e Drejtshkrimit dhe nënshkrues i rezolutës, ai do të mbahet mend edhe për thënien e tij, e me peshë kombëtare:

“Gjuha letrase s’ është vetëm thesari i kulturës sonë, por mjet i fortë për mbrojtjen e etnisë shqiptare!”

Profesor Rexhep Qosja me rastin e 50 vjetorit të themelimit të Gjuhës Letrare Shqipe deklaron;

“Kongresi i Drejtshkrimit i Gjuhës Shqipe, i mbajtur në vitin 1972, është ngjarja më e madhe në historinë e kulturës shqiptare.”

Në shekullin e njëzetë që lam pas, mund të shënohen vetëm dy ngjarje të mëdha historike: Kongresi i Manastirit dhe Kongresi i drejtshkrimit. Intelektualët e mëdhenj të Kongresit të Manastirit përveç halleve të mëdha që kishin me unifikimin e alfabetit ata ishin tepër largpamës që atëherë hodhën idenë për unifikimin e gjuhës shqipe. Për unifikimin e Gjuhës letrare shqipe kanë merita edhe shqiptarët e Maqedonisë. Ishte gazeta “ Flaka e vëllazërimit” e para që vuri në praktikë Gjuhën letrare shqipe, shumë vite më parë, në vitin 1960 pastaj vazhdoi në Kosovë me Konsultën e Prishtinës në vitin 1968 dhe përfundoi, pra, u kurorëzua me Kongresin e Drejtshkrimit në Tiranë në vitin 1972.

Prof. dr. Rami Memushaj ka të drejtë kur pohon se: “Edhe pas viteve ’90, kur ndër gjuhëtarët shqiptarë zunë të shfaqen mendësi të kohës së pashallëqeve – pashallëku i Veriut dhe pashallëku i Jugut, Republika e Dardanisë dhe Republika e Shqipërisë, që duan gjuhë të veçanta – faktori shqiptar i Maqedonisë ka luajtur një rol përbashkues. Këtë rol do të luajnë edhe në të ardhmen intelektualët shqiptarë të Maqedonisë së Veriut, të cilët janë të vetëdijshëm se vetëm nën ombrellën e gjuhës standarde është i sigurt jo vetëm zhvillimi i shqipes së kësaj dege të trungut kombëtar, po edhe ruajtja e identitetit të shqiptarëve të kësaj Republike”.

Për nder të gjashtëdhjetë vjetorit të Kongresit të Manastirit më 1968 u ngrit pllaka përkujtimore te restoranti i Themistokli Gërmenjit, aty ku u mbajtën mbledhjet plenare të Kongresit me këtë rast shkrimtari i njohur maqedonas Vlado Maleski, njëherit dhe njohës i mirë i çështjes shqiptare tha:

“….Jetojmë afër njëri tjetrit. Jetojmë rrëzë malit e buzë detit. Jetojmë me vizionin për një të ardhme më të bukur, me kujtime të bukura për të kaluarën. Një kujtim i tillë është edhe kjo pllakë e mermerit, të cilën po e inaugurojmë në emër të Këshillit republikan për kremtimin e këtij jubileu. E mermeri nuk thyhet lehtë “.

E ka thënë bukur. Ky mendim i artë i Vlado Maleskit vlen edhe për Kongresin e Drejtshkrimit të cilit i është vënë pllaka e granitit, e pllaka e granitit nuk thyhet lehtë!

Katër vjet pas Konsultës së Prishtinës (1968), pikërisht më 20-25 nëntor të vitit 1972 në Tiranë u mbajt Kongresi i drejtshkrimit, i cili nuk ishte asgjë tjetër përveçse vazhdimësi e Kongresit të Manastirit. Kongresi i Manastirit si dhe Kongresi i Tiranës janë Kongrese gjithëkombëtare. Që të dy Kongreset janë mbajtur në muajin nëntor, në muajin e festave, kështu që të dy Kongreset e kanë kryer me sukses misionin e madh historik e kombëtar.

Themelet e Gjuhës së sotme letrare u vunë në zemër të gegërishtes në Shkup e në Prishtinë nga studiues e gjuhëtarë të mirëfilltë të gjuhës shqipe. Në Kongresin e drejtshkrimit në Tiranë nga Kosova, Maqedonia dhe Mali i Zi morën pjesë këta delegatë: Idriz Ajeti, Rexhep Qosja, Remzi Nesimi, Ajet Bytyçi, Besim Bokshi, Isa Bajçinca, Ismail Bajra, Ismail Doda, Petro Janura, dhe Sefedin Sulejmani.

Muaji nëntor është muaji i dy Kongreseve, që të dy Kongreset kanë hyrë në historinë e gjuhës shqipe si ngjarjet më të mëdha të shekullit të njëzetë, të cilët janë mbështetur thellë në tabanin kombëtar.

SHQIPJA GJUHË ZONJË

Më 25 nëntor të vitit 1972, në Kongresin e drejtshkrimit në Tiranë, gjuha shqipe u kodifikua, u ngrit në një gjuhë standarde kombëtare shqiptare.

Gjuha letrare shqipe me përgjegjësinë më të madhe filloi të përdoret në institucionet e shtetit shqiptar, në Kosovë, në Maqedoni, në Mal të Zi dhe kudo në botë ku kishte shqiptarë.

Gjuha letrare shqipe u bë gjuhë e administratës shtetërore, e univerisiteteve, e shkollave fillore dhe të mesme. Gjuhë e ushtrisë, policisë dhe e gjithë popullit punonjës. Gjuhës letrare shqipe i kushtonin rëndësi tepër të madhe gazetat, radiot e televizionet.

Ka 50 vjet që botohen librat letrare, shkencore dhe fetare. Janë botuar gjer më sot me milionë ekzemplarë. Gjuha shqipe më 1972, tanimë si gjuhë e qytetëruar, u radhit me motrat e saja në të gjithë botën. Në gjuhën letrare shqipe u përkthyen dhe u botuan kryeveprat e letërsisë dhe shkencës botërore.

Letërsia artistike shqiptare me në krye veprat e të madhit dhe të papërsëritshmit Ismail Kadare u përkthyen në shumë gjuhë të botës si dhe veprat e autorëve të tjerë shqiptarë.

Gjuha letrare shqipe tani është një gjuhë zonjë në mesin e gjuhëve më të zhvilluara të botës.

Duhet ta kemi të qartë edhe pse e flasim gjuhën e nënës, Gjuha letrare duhet të mësohet!

Gjuha letrare jo, vetëm që shkruhet, por, edhe flitet nga njerëz intelektualë.

Filed Under: Kronike

PETRAQ KATRO, KRONIKANI I ÇETËS SË SALI BUTKËS SQARON SHKAQET E DJEGIES SË VOSKOPOJËS MË 1916

September 30, 2024 by s p

Prof. As. Dr. Thanas L. Gjika/

Jeta dhe vepra e atdhetarit Sali Butka, komandant çetash që luftuan për lirinë e atdheut kundër pushtuesve turq e më pas kundër andartëve grekë, është vlerësuar prej shkencës zyrtare shqiptare si një atdhetar i shquar, bashkëpunëtor i vëllezërve Bajo e Çerçz Topulli, i Mihal Gramenos, Themistokli Gërmenjit, Ismail Qemalit, etj.. Mirëpo propaganda antishqiptare e qarqeve shoviniste greke nuk ia fal Sali Butkës shpartallimin e detashmentit ushtarak grek të strehuar në Voskopojë më 1916, prandaj ka sajuar shpifje kundër tij.

Fatkeqësisht ka edhe sot shqiptarë të cilët të ndikuar prej shtrembërimeve që ka sajuar prej kohësh propaganda shoviniste greke, vijojnë të përsëititin në media, nëpër kafene dhe në ndonjë libër shkencor, shpifjen sikur Sali Butka më 1916 kreu djegien e tretë të Voskopojës. Sali Butka u zgjodh komandant i çetave atdhetare të Kajo Babjenit, Qazim Panaritit, Kozma Trebickës, Vasil Tromarës, Hysen dhe Asllan Gurit, etj, dhe drejtoi marshimin drejt Korçës për tu bashkuar me forcat e Themistokli Gërmenjit. Detyra e forcave që drejtoi Sali Butka ishte, që bashkë me forcat e Th. Gërmenjit të çlironin qytetin dhe rrethinat e Korçës nga forcat greke, që i mbanin të pushtuara që nga korriku i vitit 1914. Mirëpo rrugën ua prenë ushtarët e një detashmenti të ushtrisë greke, që ishin strehuar në disa shtëpi grekomanësh në Voskopojë.

Gjatë viteve 1970-1996, kur punoja në Institutin e Gjuhësisë dhe të Letërsisë, duke studiuar jetën dhe veprat e rilindasve tanë, kisha krijuar bindjen e drejtë për karakterin atdhetar të Sali Butkës, i cili bashkë me djemtë luftoi për lirinë e atdheut. Djali i tij i madh, Gani Butka, më 1914 ra dëshmor në krye të batalionit kolonjar kundër forcave rebele të Haxhi Qamilit në Pogradec.

I kisha kundërshtuar, si në atdhe dhe këtu në emigracion, opinionet e gabuara të disa miqve të mij, të cilët vijonin të ngarkonin S. Butkën me faj për disa vjedhje që kishin bërë një a dy anëtarë të çetës së tij dhe sidomos për djegien e Voskopojës në vitin 1916.

Tani, pasi lexova librin e Petraq Katros po përpiqem t’i sqaroj edhe më mirë këta miq dhe të gjithë lexuesit duke recensionuar librin e Pertaq Katros “Kronikë Historike: KUSH ISHTE SALI BUTKA”, 2020, redaktor Alfred Çako. Titulli i dorëshkrimit, që kishte lënë autori më 1936, ishte “Jeta dhe veprimtaria patriotike e Sali Butkës”. Ndryshimi i titullit u bë për të theksuar karakterin kronikal të librit, pra për të treguar se ky libër mbështetet tek dokumentat origjinale dhe jo thjesht në kujtime dhe interpretime të autorit, i cili kishte qenë sekretari i çetës së Sali Butkës.

Në vitet 60-të të shekullit të XX-të shkrimtari Sabri Bodo, duke u mbështetur tek dotëshkrimi i Petraq Katros dhe në disa dokumenta historike, hartoi librin e tij biografik “Plaku i Butkës”, ku përshkroi jetën e veprën e atdhetarit Sali Butka. Mirëpo e vërteta mbi figurën e këtij atdhetari nuk zuri vendin e duhur, sepse mjaft lexues të ndikuar nga propaganda e qarqeve shoviniste greke, përhapën mendimin se shkrimtari S. Godo kishte shtuar nga fantazia e tij situata e shpjegime personale.

Besueshmëria e dokumentave që janë shpalosur në librin kronikal të Petraq Katros është plotësisht e besueshme mbasi dokumentat janë autentike dhe janë dhënë pasi mbesa e autorit, zonja Donika Katro Ristani ka shpalosur shkurt jetën e intelektualit atdhetar Petraq Katros. Për këtë shtesë që ajo i bëri dorëshkrimit origjinal, do të ketë mirënjohjen e gjithë lexuesve…

* * *

Petraqi u lind më 21 nëntor 1892 në familjen e atdhetarit Spiro Katro në fshatin Lavdar të Oparit. Kjo familje, ashtu si gjithë oparakët, për nga gjaku, gjuha e zakonet ishte thjesht shqiptare. Ajo kishte lidhje origjine me familjen e madhe të piktorëve dhe ikonografëve të famshëm shqiptarë KATRO. Mirëpo Patrikana e Ohrit, duke qenë se kishte si gjuhë zyrtare sllavishten e vjetër, ua përktheu mbiemrin shqiptar “KATRO” në formën sllave “ÇETIRI”. Prandaj ikonat e pikturat e tyre janë firmosur me këtë mbiemër. Ikonat e tyre ruhen sot në disa kisha të Beratit, Myzeqesë, etj, si dhe tek Muzeu Kombëtar i Ikonave. Sot propaganda keqdashëse sllavomadhe i quan ata piktorë maqedonas edhe pse nuk ka mundur ta ndryshojë dot origjinën e tyre si bij të krahinës së Oparit, kurse propaganda arumune i quan arumunë nga fshati Grabovë. Piktorët e kishave jetonin me vite në fshatrat ku pikturonin. Ndoshta në Grabovë, ku jetonte një koloni e lashtë aromune / rëmëne, që fliste gjuhën rëmëneshti, mundet që të kenë lindur një a dy nga piktorët e brezit të dytë të kësaj familjeje.

Babai i Petraqit jetonte me gjithë familjen në Lavdar dhe që aty merrej me tregtinë e lëndës së drurit në tregun e Korçës e të Manastirit (Bitolas). Ai mbante lidhje me atdhetarët shqiptarë të qytetit Manastir, si me djemtë e familjes Qiriazi, familjes Gërmenji (Telemakun dhe Themistokliun), familjes Zavalani (Fehmiun), etj. Duke qenë se Spiro Kosturi ra në sy për shqiptarizmin e tij, forcat antishqiptare e vranë tek Qafa e Bigllës kur kalonte më 1905, pra po atë vit kur vranë dhe shkrimtarin klerik Papa Kristo Negovanin bashkë me vëllain e tij ,Atë Vasilin.

Petraqi, djali i tretë i familjes, u lind më 21 nëntor 1892, mbas vëllezërve Marko dhe Vasil. Mësimet e para i mori greqisht tek shkolla greke e fshatit, kurse shkollën e mesme me profil tregtar, e kreu në Selanik. Jetimin e vogël e ndihmuan financiarisht dy vëllezërit, të cilët kishin emigruar në Odesë të Rusisë, ku punonin si furxhinj (rrëfim gojor i Vasil Katros gjatë takimeve që pata me të në vitet 1972-1973 në Korçë, Th. Gj).

Kur mbaroi këto studime, ekonomisti i ri, zotëreonte krahas shqipes dhe greqishten, frëngjishten dhe Italishten, por ai nuk qëndroi të punonte në Selanik, por u kthye në Shqipërinë e saposhpallur shtet i pavarur, ndonëse situata ishte e trazuar. U vendos në Korçë, ku mori dhe nënën e tij. Këtu ai u lidh me atdhetarët e qytetit.

I frymëzuar nga akti i poetit kryengritës M. Grameno, i cili në vitet 1907-1908 ishte bashkuar me çetën e Çerçiz Topullit si luftëtar e kronikan i saj, Petraqi 23 vjeçar, iu bashkua çetës së Sali Butkës në vitin 1915, për të shërbyer me pushkë e penë. Gjatë viteve 1915-1917 mori pjesë aktive në luftimet e çetës, mbajti shënimet e nevojshme për ngjarjet, kopjoi dokumenta, etj. Më tej u rivendos në Korçë, ku u lidh me intelektualët Milto Sotir Gura, Dhori Fallo, Ilo Mitkë Qafëzezi, Petraq Harizi, Dhori Kotti, pedagogët e Liceut Francez sidomos me drejtorin, Prof. De Courville, etj. Gjatë viteve 1923-1924 ishte pronar përgjegjës i gazetës “Zëri i Popullit”. Në vitet 1930-të shkroi kujtimet e tij për Republikën Shqiptare të Korçës, të cilat i pasoi me kujtimet për jetën e komandantit Sali Butka, të cilat i përfundoi më 1936. Në këtë vit krahas punës si pedagog i frëngjishtes në klasat e ulta të Liceut Frances, Petraqi vijoi punën edhe si pranar i fabrikës së kauçukut, ku prodhoheshin galloshe, çizme, opinga, këpucë verore prej llastiku, etj. Mirëpo sukseset e Petraq Katros, donacionet e tij për kishat dhe për të varfrit, pjesëmarrja në takime me nacionalistë dhe në demonstrata antifashiste shkaktoi urrejtje për të tek autoritetet e pushtimit italian dhe tek Enver Hoxha, kolegu i tij i Liceut Frances, diktatori i ardhshëm.

Karabinieria italiane e arrestoi Petraqin dhe e internoi gjatë viteve 1940-1941 në Noventa, Vicentina, kurse urrejtja e E. Hoxhës shpërtheu egërsisht mbas nëntorit 1944. Kur u kthye nga Italia më 1941, Petraqi qëndroi në Tiranë. Aty u afrua me shokët e tij nacionalistë disa prej të cilëve ishin bashkuar me organizatën atdhetare “Balli Kombëtar” që kishte krijuar dhe e drejtonte Mit’hat Frashëri. Ai nuk mori pjesë në formacionet ushtarake dhe as në poste drejtuese të kësaj organizate. Vijoi të merrej me fabrikën e kauçukut, që u bë e njohur me emrin Shoqëria “STIK”.

Qeveria komuniste e dëboi nga Tirana në fillim të vitit 1945 si “të padëshirueshëm”. Ia shtetëzoi pasurinë dhe shtëpinë e Tiranës dhe e detyroi të kalonte me banim në Korçë. Ndonëse Retraqi i pagoi të gjitha detyrimet ndaj shtetit si pronar fabrike, organet e Sigurimit të Shtetit e arrestuan bashkë me vëllain e madh më 19 korrik 1956, kuse vëllain e vogël e lanë të lirë.

Më 18 janar të vitit 1947, Gjykata Ushtarake e Tiranës, pa pasur asnjë fakt, dha dënimet e veta, për Petraq Katron 7 vjet burgim dhe për Marko Katron 5 vjet, me akuzën “amriq të Pushtetit Popullor që donin të përmbysnin Pushtetin”. Petraqit ia shtetëzuan edhe pasurinë e tundshme dhe të patundshme të Korcës dhe e dërguan nga burgu i Tiranës te kampi burg i Maliqit, ku ai vijoi dënimin. Pak më vonë ia arrestuan dhe bashkëshorten, të cilën e detyronin të pastronte banjat e godinës së Policisë. Djali i vetëm Piro mbeti jetim. Nëna u lirua pasi kreu dënimin, por duke qenë tepër e sëmurë, jetoi vetëm dy vjet.

Petraq Katro pasi kreu vitet e dënimit u lirua. U vendos në Korçë, ku u mblodh me djalin e nusen e tij dhe me dy fëmijët e tyre: Aurelin dhe Donikën. Në Korçën e viteve 1955-1967 nuk jetonte asnjë nga miqtë e tij. Disa prej tyre nuk kishin lënë trashëgimtarë e disa të tjerë i kishin fëmijët në Tiranë, ose në emigracion. Më 9 maj të vitit 1967 u shua Petraq Katro 75-vjeçar, i mënjanuar nga jeta dhe i përçmuar prej organeve të pushtetit diktatorial.

Natyrisht kujtimi i këtij intelektuali do të mbetet i pavdekshëm, jo vetëm përmes pasardhësve, por edhe përmes aktivitetit atdhetar, kujtimeve, letrave, dokumentave dhe fotografive, që kanë vlera kombëtare…

* * *

Pjesa tjetër e librit parashtron jetën e Sali Butkës që nga lindja deri në vitin 1936 kur u përfundua libri, dy vjet para vdekjes së heroit Sali Butka, i cili me aftësitë dhe guximin e tij ariti t’i mposhtette kundërshtarët turq, grekë dhe gjeneralët aleatë austriakë e francezë.

Duke qenë se jeta e S. Butkës është bërë e njohur prej shumë shkrimve të historianëve, prej ribotimit të ripunuar të librit biogradik të Sabri Godos (2014), dhe prej fjalimeve e artikujve që u botuan me rastin e përurimit të monumentit të tij në Kolonjë, unë do të ndalem kryesisht tek dokumentat që ka sjellë në librin e tij Petraq Katroja. Këto materiale sqarojnë plotësisht situatën dhe shkaqet pse u krye beteja midis forcave shqiptare të Sali Butkës dhe forcave të detashmentit grek të strehuara me qëllim që ta kishin Voskopojën si një pikë strategjike të ushtrisë greke për ta përdorur kundër forcave patriotike shqiptare të Korçës, që drejtoheshin prej Themistokli Gërmenjit.

Kur forcat shqiptare që drejtoheshin prej S. Butkës aritën në Lavdar të Oparit, mësuan se në Voskopojë ishin strehuar forcat e një detashmenti grek, të cilat duheshin larguar nga Voskopoja për ta pastruar zonën nga mbeturinat e forcave pushtuese greke. Kapedani Sali Butka i diktoi sekretarit të tij Petraq Katron këtë letër drejtuar Pleqësisë së katundit Voskopojë:

“Lavdar, më 13 tetor 1916

PLEQËSISË SË VOSKOPOJËS.

Me vendim të Qeverisë Shqiptare dhe me urdhër të Komandës Austriake jemi të detyruar të kalojmë përmes Voskopojës për të vajtur në Korçë. Prandaj ju lutemi shumë, si vëllezër që jemi, të mos bëni kundërshtime dhe të bëhi shkaktarë që të bëjmë luftë në mes tonë, pa patur ndonjë dobi, se sapo që të na kundërshtoni, do të jeni përgjegjës, se neve nesër do të vijmë.

Komandant i çetave shqiptare

Sali Butka (d.v.)”.

Të nesërmen i erdhi S. Butkës përgjigja e hartuar po më 13 tetor 1916 greqiasht prej komandantit të forcave greke, Kapitenit Theodhoros Maromatis, me emrin e mbiemrin e shkruar prej tij. Ky dokument riprodhohet në libër, në origjinalin greqisht dhe shqip i përkthyer prej sekretarit P. Katro. Këtu po riprodhoj përkthimin shqip:

“Voskopojë, më 13 tetor 1916.

KRYETARIT TË ÇETAVE SALI BUTKA.

Letra juaj drejtuar Pleqësisë së Voskopojës, ra në duart tona, e gjetur në xhepat e të dërguarit tuaj. Ju lajmërojmë në formë të prerë dhe kategorike të mos guxoni të vini për në Voskopojë, ku gjendet ushtëri greke me mbrojtës kombëtarë se do të gjeni përpara të radhitura sfungjitë greke dhe do të pendohi.

Kryetar i Detashmentit Grek,

Theodhoros Maromatis Kapiten (d.v.)”

Kjo përgjigje sqaron se forcat greke nuk ishin një grup i vogël prej 15-20 vetësh, si thonë të gënjyerit prej propagandës greke, por një detashment (batalion) i plotë. Këta pasi kishin kapur të dërguarin e forcave shqiptare, ia kishin marrë letrën dhe ia kishin dorëzuar kapitenit grek. Ky, pasi ia kishin përkthyer greqish, hartoi përgjigjen e vet, pa vënë në dijeni Pleqësinë e Voskopojës.

Të nesërmen, sqaron P. Katro, Saliu dërgoi letrën e dytë me Gaqi Leno, nipi i Dhimitër (Bitër) Dallamanga, një nga përfaqësuesit e parësisë së Voskopojës:

“Lavdar, më 14 tetor 1916.

ZOTIT BITRI DALLAMANGO DHE PLËQESISË SË VOSKOPOJËS

Dje i dërguam Pleqësisë së Voskopojës një letër, por për fat të keq, nga përgjigja që muarmë, kjo letër paska rënë në duar të grekëve dhe na përgjigjet një Kapiten me mënyrë frikësimi, që të mos guxojmë të afrohemi në kufijt’ e Voskopojës, se do bëhemi pashman. Prandaj po ju dërgojmë këtë letër të dytë, se e kemi për detyrë t’ju sqarojmë dhe t’ju bëjmë të ditur se në bazë të vendimit të Qeverisë Shqiptare dhe me Lejën e ndihmën e Komandës Ushtarake Austriake, jemi të urdhëruar që të çlirojmë të gjitha vendet e Kazasë së Korçës, me kufijtë e caktuar nga Konferenca e Ambasadorëve në Londër nga të gjithë mbeturinat e ushtrisë greke dhe nga andartët, të cilët vazhdojnë të bëjnë dëme në fshatrat tona duke munduar popullin e duke plaçkitur. Prandaj, u vemë në dijeni që të mos tërhiqi na ca pak andarë, që keni aty dhe disa çobenj, që kërkojnë turbullira dhe të guxoni të na kundërshtoni. Çdo kundërshtim do të jetë në dëmin tuaj, se neve do të vimë me çdo therori, për të vazhduar rrugën tonë për Korçë dhe kështu e plotësojmë misionin tonë të shenjtë. Po të jetë se ju do të kuptoni interesin tuaj dhe të Voskopojës, duhet të ngrini flamurin kombëtar të Skënderbeut, dhe ju sigurojmë se nuk do të hyjë në Voskopojë asnjë komit nga çetat tona përveç Qazim Panaritit me 10 shokë, i cili është urdhëruar që, në marrëveshje me ju, të emërojë një Krahinar vendës dhe një numër gjindarmësh papë nga fshati juaj për të mbajtur regullin dhe qetësinë në Voskopojë.

Për çdo kundërshtim përgjegjësia ju mbetet juve.

Me nderime Sali Butka Komandant i Çetave Kombëtare (d.v.)”

Gaqi Lenoja u nis nga Lavdari me këtë letër ditën e premte më 14 tetor 1916 dhe u porosit që përgjigjen ta shpinte në fshatin Gjergjevicë të nesërmen në drekë, ditë e shtunë më 15 tetor. Mirëpo, si sqaron autori i librit, komandanti grek dhe paria grekomane e fshatit Voskopojë hartuan përgjigjen greqisht në mungesë të Kryekatundarit. Ata kishin vjedhur vulën dhe pasi kishin hartuar përgjigjen si donin vetë kishin shkruar emrin e mbiemrin e Kryekatundarit dhe e kishin vulosur letrën.

Po jap këtu variantin e përkthyer shqip prej P. Katros:

“Katundaria e Voskopojës, më 14 tetor 1916.

Zotit Sali Butka.

Muarmë letrën tuaj dhe mësuam se kini vendosur të vini në Voskopojë. Po u lajmërojmë dhe duhet ta dini, se nuk do të lejojmë kurrë, sepse është gjynah, që me këmbët e ndyra të shqiptarëve të shkelet Voskopoja antike greke. Nuk do të pranojmë kurrë tjatër flamur pëveç atij grek dhe do ta mprojmë deri në pikën e fundit të gjakut tonë.

Katundari i Voskopojës

Lluka Fundo

(Vula e Katundarisë)”

Petraq Katro sqaron se Gaqi Lenoja ia dorëzoi sipas porosisë Bitri Dallamangës. Aty ndodhej dhe dhaskali grek Foça Gjeorgjiadhi, që ishte dhëndër i Bitrit. Ky e shpuri letrën jo tek katundaria e fshatit, por tek komandanti grek dhe paria grekomane. Pas dy orësh këta formuluan përgjigjen greqisht dhe e nisën po me Gaqi Lenon. Petraq Katroja vijon sqarimin se kur Sali Butka ariti në Korçë, takoi lluka Fundon dhe ky i tha se ai nuk ndodhej në Voskopojë kur ishte shkruar letër-përgjigjia dhe se vulën e katudarisë ia kishin vjedhur grekomanët e Vosokopojës.

Libri vijon me përshkrimin e ngjarjeve. Shumica e banorëve të Voskopojës donin që fshati të dorëzohej pa luftë, por ushtarët grekë dhe paria grekomane vendosën të kundërshtonin. Filloi këmbimi i predhave të pushkëve. Sali Butka, për t’i trembur kundërshtarët, i vuri zjarrin një plevice aty pranë. Nga shtëpia e grekomanit Ilo Ziu ushtarët grekë hapën zjarr të përqendruar. Këmbimi i të shtënave u shtua. Morrën flakë mullaret e barit dhe shtëpitë ku ishin strehuar forcat e detashmentit grek. Flakët dhe tymi shaktuan turbullirë. Shumë banorë të fshatrave rrotull u turrën dhe u vunë zjarrin shumë shtëpive të tjera. Filloi plaçkitja e shtëpive dhe largimi i voskopojarëve të lemerisur. Vetë Saliut i vodhën levenxen që mbante mbi kalin e tij aty pranë.

Midis plaçkaxhinjve që filluan sulmuan mbi shtëpitë e fshatit, autori i kronikës përmend hajdutin me damkë Malkë Zvarishti. Me të, për fat të keq, shton ai, u bashkua dhe Zenel Braçe, një nga komandantët e çetave të Sali Butës.

Forcat greke, pasi u thyen e braktisën në panik Voskopojën. Sali Butka me forcat e tij i ndoqi dhe kur i ariti u hapi zjarr. Në këto luftime u vranë 6 ushtarë grekë, kurse të tjerët u kapën rob dhe u shpunë në Korçë.

Këto letra me vlerë të madhe dokumentare dëshmojnë qartë se shkaktarët e vërtetë për djegien e tretë të Voskopojës nuk ishte Sali Butka, por komandanti i forcave greke, Kapiteni Theodhoros Maromatis, i cili nuk pranoi ta lëshonte pa luftë Voskopojën, si dhe fshatarët fqinjë, që sulmuan për të bërë plaçkë të nxiur nga lakmia dhe veprimet e kriminelit Malkë Zvarishti.

Atdhetari intelektual Petraq Katro ka meritën se i ruajti origjinalet e këtyre letrave bashkë me përkthimin shqip të letrave që ishin hartuar greqisht. Ai i ruajti këto dokumenta në arkivin e tij edhe pasi i riprodhoi në librin dorëshkrim të vitit 1936. Dëshmi e formimit dhe e ndërgjegjes së tij shkencore.

Filed Under: Histori

“EPILOGU” I BANDËS KOMBËTARE “VATRA”

September 9, 2024 by s p

Kristaq BALLI

Banda Vatra Worcester mass. 1916.jpgBanda Kombëtare Shqiptare “VATRA”  u themelua në qytetin Worcester Mass. (Uster)  të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në   fund të vitit 1916 (apo në fillim të vitit 1917). Presidenti i saj ishte Kostë Pano dhe drejtues artistik e dirigjent Thoma Nassi (Nga Dardha e Korçës), një personalitet i spikatur muzikor shqiptar, i studiuar në Konservatorin e New England të Bostonit për  kompozim e dirigjim, kompozitori i parë shqiptar i shkolluar në ShBA, organizatori, drejtuesi, instrumentisti, dirigjenti e veprimtari i shquar artistik e patriotik që ka lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë e muzikës shqiptare dhe që muzikantët e studiuesit e mëvonshëm kontemporanë i referohen shpesh. (K. Balli: Thoma Nassi- Portreti mediatik, monografi  2006, f.7) 

Banda “Vatra” përbëhej nga rreth 30 instrumentistë amatorë të rinj(punëtorë fabrikash me origjinë nga Dardha, Korça, ose fshatrat përreth), shumica me vegla frymore, mandolina, kitara e violina. Qëllimi i krijimit të këtij  formacioni muzikor ishte, pa dyshim, së pari veprimtaria koncertore e artistike në ShBA, kryesisht nëpër komunitetet shqiptare e në kuadër të Kryqit të Kuq amerikan, emancipimi dhe prosperiteti kulturor, por jo më pak edhe kontributi i tij në mbajtjen gjallë dhe kultivimin e pathosit e ndjenjave patriotike në shërbim të Shqipërisë, me çrast  kjo bandë nuzikore kishte marrë edhe emrin e Federatës Panshqiptare në ShBA,  “VATRA” që kishte si kryetar Fan S. Nolin.

BandaVatra Para nisjes +.pngBANDA VATRA ne Worcester Mass (1).pngPas një sërë aktivitetesh artistike në ngulimet shqiptare të Bostonit dhe rrethinave të tij në New England në momente ngjarjesh e retrospektivash me karakter kombëtar, fetar, e kulturor,  ku dallohej qartë pathosi  i binomit art dhe patriotizëm për më se tre vjet, rrethanat historike të dëshpëruara por edhe luftarake në Shqipëri i bënë thirrje ndërgjegjes kombëtare të një shpure shqiptarësh të rinj vatranë (rreth 120) nga ShBA-ja për t’iu përgjigjur asaj me vendimin e tyre për t’u kthyer në Shqipëri e për t’ju bashkuar rezistencës shqiptare. Midis tyre edhe Banda “Vatra” me në krye Thoma Nassin, si një trupë civile. 

Kështu, të mbledhur në New York, duke pritur urdhërin dhe  datën e nisjes ata dhanë koncertin e fundit në Shtetet e Bashkuara, në  Broadway  Central Hotel më 13 Mars 1920 nën dirigjimin e Thoma Nassit. Më 16 Mars ata u nisën me  vapor drejt Mesdheut dhe pas një qëndrimi të shkurtër në Brindisi të Italisë, në fillim të muajit Prill zbarkuan në Durrës për t’u inkuadruar në zhvillimet konfliktuale rreth kufijve të lakmuar e të cunguar të Shqipërisë. Pas udhëtimit për në Tiranë, ku vendin e qeveriste regjenca e kryesuar nga Sotir Peci (edhe ky nga Dardha e Korçës) dhe ku të gjitha institucionet shtetërore e shoqërore i pritën me entusiazëm, bandës “Vatra” i ishte siguruar një turne në gjithë qytetet e Shqipërisë me qëllim ngritjen e moralit qytetar për kauzën shqiptare. Shkodra, Elbasani, Delvina, Gjirokastra, Saranda, Tepelena, Përmeti, Erseka dhe së fundmi Korça, më 26 Prill 1920,  ishin destinacionet e koncerteve të bandës, por jo edhe pa implikimet e saj në mbrojtje, pjesëmarrje, apo veprime luftarake kundër forcave të shteteve të huaja që pretendonin territore shqiptare. Në qershor të po këtij viti bandës “Vatra” iu bë apel nga luftëtarët për të shkuar në Vlorë, ku luftohej kundër pushtuesve Italianë dhe ku Thoma Nassi, ndërmjet të tjerassh, kompozoi këngën himn “Vlora, Vlora”.

Banda Vatra ne Vlore.pngMë tej banda “Vatra” e zhvilloi aktivitetin e vet në Korçë dhe rrethinat e saj qytetin, ku ajo gjeti një terren të përparuar qytetar e kulturor, të pakrahasueshëm me çdo qytet tjetër. Koncertet e hapura, shfaqjet teatrale, organizimi dhe ngritja e formacioneve të reja muzikore e korale, pjesëmarrja në çdo ngjarje madhore, apo kishtare dhe progresi kulturor qytetar ishin në fokusin e kësaj bande. Deri në Qershor të vitit 1924 banda e zgjeroi dhe perfeksionoi fizionominë e eksperiencën e saj profesionale e artistike nëpërmjet udhëheqësit të saj artistik Thoma Nassi, i cili, njëheresh, u bë edhe drejtuesi i Shoqërisë se Arteve dhe la kontribute të vyera në fushën e muzikës moderne shqiptare, impakti i të cilave  vijon të jehojë edhe sot. Por banda pati edhe problemet e saj, veçanërisht në aspektin financiar, ku, për shkak të gjendjes politike e ekonomike shqiptare, efekt të veçantë negativ luajti mosmarrja e rrogave të premtuara për mbijetesën e familjeve të tyre.

Banda Vatra ne Gjirokaster, Maj 1920.pngAktiviteti i Bandës “Vatra” gjatë viteve 1920-1924 është pasqyruar gjerësisht në shtypin e kohës me konsiderata mediatike shumë pozitive, ashtu sikurse edhe roli protagonist i Thoma Nassit në hopin muzikor që ai i dha muzikës qytetare jo vetëm në Korçë. Ndërkaq, planet për globalizimin territorial e shtetëror të bandës si një institucion kombëtar nuk u realizuan gjatë qeverisjes gjashtëmujore (Qershor 1924-Dhjetor 1924)  të kryeministrit Fan S. Noli, i cili,  edhe pse ishte një dashamirës i njohur i muzikës dhe bëri tratativa për ta realizuar atë, nuk mundi ta materializonte dedikimin e tij në një kohë aq të shkurtër.

Me rikthimin e Ahmet Zogut në fronin kryeministror në Dhjetor 1924 e më pas si president i Republikës Shqiptare (1925-1928) Banda “Vatra” u zhvendos në Tiranë. Thoma Nassi deklaron se  Zogu kishte etje të pashuar për muzikën, sidomos për Vagnerin. Ata ishin takuar së bashku disa herë dhe ishin shprehur pozitivisht për të ardhmen e bandës, si edhe për zhvillimin e të ardhmen e muzikës në Shqipëri  (Thoma Nassi: Ligjërata në Organizatën e  Studentëve Shqiptaro-Amerikanë të Universitetit të  Harwardit, Cambridge Mass., 1960) Thoma Nassi e riorganizoi dhe e kompletoi bandën “Vatra” duke angazhuar edhe instrumentistë të tjerë. Në këtë kohë dhe më pas kjo bandë do të njihej e konfirmohej me atributet e një formacioni muzikor shtetëror e kombëtar dhe do të vijonte aktivitetin e saj artistik e ceremonial. Kurse Thoma Nassi krahas drejtimit të kësaj bande, kompozoi edhe disa prej këngëve të tij të njohura dhe u angazhua me synimin për  mësimin e muzikës në shkollat shqiptare. Gjatë kësaj kohe banda bëri edhe një turne të gjatë kryesisht nëpër qytetet malore, ku Thoma Nassi krijoi edhe “një koleksion muzikor”,  midis të tjerash “Kënga e Mullirit”, “Kënga e Bariut”, “Katër Valle” të cilat u bënë gjithashtu krijime klasike shqiptare.

TH.NASSI 1.pngPor në vitin 1926, i detyruar nga disa rrethana politike e familiare, të cilat Thoma Nassi i qartëson vite më vonë, më 1960 në  ligjëratën  në Organizatën e Studentëve Shqiptaro-Amerikanë të Universitetit të Harwardit, Cambridge Mass.  ai vendos të shkojë përfundimisht në ShBA. Ai kishte filluar të ndjente intuitivisht se Zogu kishte filluar ta shihte veten si një mbret dhe  superambicioz. Thoma Nassi pësoi kështu një dekurajim ”me këtë të ri brilant, i cili kishte drejtuar mirë demokratikisht, por që, më pas, u bë, fillimisht, një president ekstravagant i republikës dhe pastaj, më vonë, projektoi  shenjat e bërjes mbret… Me zemër të thyer, ju dhashë lamtumirën shumë e shumë miqve, anëtarëve të bandës Vatra dhe Zogut(i cili nuk donte të më linte të shkoja). Unë e dija fare mirë që misioni im ishte ende në Shqipëri, por unë parapriva pasoja të këqija për familjen time, nëse unë qëndroja. Re të zeza po mblidheshin. Musolini kish hartuar programin e tij ambicioz të pushtimit dhe Shqipëria ishte një nga vendet e para që do të sulmohej pa mëshirë dhe do të pushtohej prej tij” (Thoma Nassi: Ligjërata në Organizatën e  Studentëve Shqiptaro-Amerikanë të Universitetit të  Harwardit, Cambridge Mass., 1960)

FOTOJA E BANDES VATRA (shteterore) ne V. 1926.pngPor ai s’kish si të parandiente, gjithsesi, edhe fatin e tij pas  çlirimit të Shqipërisë dhe ardhjes në pushtet të një regjimi totalitar komunist, i cili për analogji e,  siç ndodhi në fakt, do të spastronte nga faqja e dheut intelektualët e shquar që kishin lidhje me botën perëndimore. Dhe vërtet, qëndrimi ndaj Thoma Nassit dhe veprës së tij politike, intelektuale e artistike iu nënështrua një “harrese” e indiference, edhe pse disa nga këngët dhe kompozimet e tij vijuan të interpretoheshin anonimisht, pa autorësi, pasi ato ishin ngulitur në memorjen e kombit dhe nuk kish si të çrrënjoseshin. Fati fatal i shumicës së intelektualëve 

ekselentë krijues shqiptarë  që studiuan dhe u promovuan në Perëndim e qëndruan në Shqipëri gjatë komunizmit do të ishte mbase edhe fundi tragjik i Thoma Nassit dhe familjes së tij. Mbase kjo ishte, ndërmjet të tjerash,  edhe fakti që ai, madje, nuk u kthye më në Shqipëri gjatë gjithë jetës, qoftë edhe si vizitor në vendlindjen e tij, Dardhë. 

 Kësisoj, përbën një koincidencë, apo një gjest të ndërgjegjshëm e simbolik fotografia e mëposhtme?

Në të paraqitet ansambli i “Bandës Shtetërore” (“nukli magnetik” i së cilës ishte padyshim ai i Bandës “Vatra” dhe dirigjentit Thoma Nassi) dhe,  siç e konfirmojnë të dhënat e saj të dukshme, është realizuar në vitin 1926 nga fotografi mjaft i njohur tiranas Ymer Bali (Foto Bali), pra brenda atij viti kur Thoma Nassi kishte vendosur të shtegtonte përgjithnjë në ShBA. 

Fotoja ekspozon me një kompozicion mjaft të gjetur 31 instrumentistët e bandës me instrumentet muzikore në dorë, të rinj apo të pjekur në moshë, me veshjen e posaçme ceremoniale e në qendër të të cilëve vendoset drejtuesi  Thoma Nassi, me kostumin e papionin e dirigjentit. Fotoja është bërë ekskluzivisht për anëtarët e bandës, jashtë, në një mjedis të gjelbëruar,  ndoshta para një platformë enkas për  interpretimin e  koncerteve, (ashtu si edhe në Korçë  platforma e bandës në Lulishten Themistokli Gërmenji, ku vijon tradita e interpretimit të  bandës së qytetit dhe Korit Lyra)  të cilëve iu është dhuruar e mirëpërgatitur, e paspaltuar dhe e vendosur në një kornizë druri të mbuluar me xham. Kjo foto origjinale (afërsisht 30cm x 22cm) është ofruar pas 87 viteve nga familja e njohur dardhare Koço e Palo Çomi, një pjesëtar i së cilës ka qenë, si shumë dardharë të tjerë, anëtar i Bandës “Vatra” e më pas i bandës së riorganizuar shtetërore në Tiranë. Edhe pse, jo e mbajtur në kushte të mira dhe e dëmtuar fragmentarisht, por edhe për shkak të “moshës” së saj ajo është ende  e qartë, e lexueshme mirë edhe në detaje dhe e prodhuar fillimisht me cilësi shumë të lartë në kondicionet ndriçim, kontrast, qartësi e mprehtësi. Në krahun e djathtë poshtë (pranë një fëmije të rastësishëm) ndodhet një mbishkrim me  gërma të bardha “Foto Bali, Tiranë, 1926).

Kjo është një foto e rrallë dhe e pabotuar a e  riprodhuar që prej “lindjes së saj”. Ajo paraqet një rëndësi të veçantë historike e kulturore, pasi është “dokumenti” i fundit pamor i “finalizimit” dhe  epilogut të  veprimtarisë kulturore e artistike të një prej formacioneve më të spikatura muzikore – Bandës Kombëtare Shqiptare “Vatra”, si dhe përmbylljen   e një faze të rëndësishme të krijimtarisë dhe kontributit të paçmuar të muzikantit dhe muzikologut të shquar Thoma Nassi në Shqipëri. 

Zhvillimet e  mëtejshme të formacioneve koncertale  do të ndiqnin rrjedhën e zhvillimeve historike, politike, kulturore e artistike që sugjeronte koha më pas.

Bibliografi:

  1. Ballauri V.: “Një dritare në historinë e muzikës së Korçës”, Selanik 2002
  2. Balli K.: “Thoma Nassi, portreti mediatik, monografi”, Libraria Kotti, 2006
  3. Bello P.: “Lëvizja muzikore në Korçë në fund të shek. XIX deri në çlirimin e vendit”, revista “Nëntori”, Nr. 5, 1987
  4. Jorgji K.: “Banda Kombëtare “Vatra”, Gazeta “Korça demokratike” 15 Dhjetor 1995 dhe 2 Janar 1996.
  5. Jorgji.K: “Veprimtaria atdhetare dhe muzikore e Thoma Nassit”, revista “Tempulli” Nr. 1, 2000
  6. Koço E. “Korçare Distinctive Songs”, On line.
  7. Koleksioni i gazetave të Korçës 1920-1926
  8. Nassi Th.:“Ligjërata në Organizatën e studentëve shqiptaro-amerikanë të Universitetit të Harvardit, Cambridge Mass., në vitin 1960”
  9. On line: linku Thoma Nassi
  10. On line: linku Banda “Vatra”
  11. On Line:linku Ahmet Zogu
  12. On line: linku Fan S. Noli
  13. Tërpini F.: “Korça vatër e artit dhe kulturës Shqiptare”, Korçë, 2002

Filed Under: Politike

“Mbi peizazhin politik dhe parlamentar të Shqipërisë nga Kongresi i Lushnjës në vitin 1920 deri në Revolucionin e Qershorit 1924”

July 20, 2024 by s p

Prof. Romeo Gurakuqi/

Një skicë e paraqitjes sime, të titulluar: “Mbi peizazhin politik dhe parlamentar të Shqipërisë nga Kongresi i Lushnjës në vitin 1920 deri në Revolucionin e Qershorit 1924”, mbajtur ne Konferencen e organizuar ne Akademia e Shkencave e Shqipërisë, më, 24 qershor 2024. Në prezantimin tim në konferencë ofrova një lexim/ kuptim personal dhe disa përkufizime mbi kohën e pas Luftës së Parë Botërore në Shqipëri, mbi rrugën drejt stabilitetit institucional të shtetit, kahun nga eci Legaliteti Institucional në raport me periudhën pararendëse (1912-1914) të themelimit të shtetit shqiptar si subjekt i të drejtës ndërkombëtare, elitat drejtuese themelvënëse dhe mënyra e pasimit të tyre në krye të punëve mbi atdheun, eliminimin në harkun kohor 1913-1926 i një aradhe të tërë të themelvënësve të shtetit kushtetues dhe të europianizuem, dhe kundërshtarëve të tyre, origjinat dhe prejardhjet e Kreut të Shtetit dhe përplasjet për udhëheqësinë, jetën politike dhe parlamentare të Shqipërisë në përiudhën nga Kongresi i Lushnjës i janarit 1920 deri në Revolucionin e Qershorit 1924 dhe Kundër-Revolucionit që pasoi 6 muaj më pas, me themelimin e një kuadri të ri institucional, me fshirjen dramatike të pjesës fundore të themelvënësve të Shqipërisë nga Regjimi i Ri. Përkufizimet janë të mbështetura mbi burime arkivore të vëzhguesve dhe diplomatëve amerikanë, italianë dhe britanikë dhe i përkasin historisë politikë. Po ashtu leximi dhe kuptimi i ngjarjeve, zhvillimeve të kësaj periudhe nuk mund të mos kishte dëshminë e personaliteve më të rëndësishme me formim oksidental dhe patriotik të botës shqiptare. Kjo sepse, Shqipëria e asaj kohë ka pasur korrektorë të brendshëm mendjehapur dhe vullnetmirë, lexues të kthjellët të thelbit të zhvillimeve politike në vend, analizues të fakteve të shkëputura, që ia kanë dalë të kapin fillimet dhe fundet e fenomeneve historike me impakt afatgjatë.

I mbetëm qëndrimit se Revolucioni i Qershorit 1924 , ose Kryengritja e armatosur për përmbysjen e sundimit të oligarkisë konservatore të pjesës më primitive të bejlerëve prej forcave përparimtare, modernizuese, ende në pakicë në një shoqërie të prapambetur dhe të pa zgjuar nga gjumi otoman, nuk mund të kuptohet si një akt i shkëputur historik nga periudha pararendëse e jetës politike për kontrollin e vendimmarrjes shtetërore, nga konflikti i thellë mes dy pjesëve të botës shqiptare me vizione të ndryshme mbi vendin e Shqipërisë në kontinentin e vjetër dhe nga ndërhyrjet e vendeve drejtëpërdrejtë të interesuara për mbajtjen e Shqipërisë vend të përçarë në shtyllat përbashkuese të nacionit.

Përfundimi i LPB dhe 6 vitet që e pasuan janë të shënuara Koha e Rithemelimit të Shtetit, Ripërcaktimit të Kufijve, Rivendosjes së Konstitucionalizmit, Lirive, stabilizimit të Shekullarizmit dhe e vendosjes së Ekuilibrit të Brendshëm Ndërkulturor dhe Krahinor, në aspektin administrativ dhe udhëheqës institucional.

Mbi të gjitha, jetën politike të Shqipërisë e ka trazuar vakumi i krijuar në Kreun e Shtetit, kuptuar si figurë institucionale unike vendimmarrëse dhe përbashkuese e qytetarëve, prejardhur ky vakum prej vendimit të paplotë të 9 nëntorit 1921 të Konferencës së Ambasadorëve në raport me vendimin e 29 korrikut 1913, nga mosgjetja e zgjidhjeve të përshtatshme edhe prej faktorëve të brendshëm që endeshin, nga aspirata për vijimësinë e para luftës, tek përsëritja e modeleve esadiste në zënien me forcën e mercenarëve krahinarë dhe qarqeve shoviniste fqinje, të pushtetit në Tiranë, për llogarina individuale dhe ballkanike. Normalisht që edhe prishja e konsensusit të Fuqive të Mëdha në lidhje me Shqipërinë ndikoi mjaft në këtë zbrazëti.

Një kombinim i faktorëve të jashtëm ndërhyrës që lidheshin me interesat xhonturke, serbe dhe malazeze dhe greke, me aleatët e brendshëm esadistë dhe elikjamistë, respektivisht otomanistë, kishin rrënuar Themelimin e Parë Shtetëror të Shqipërisë pas shtatorit të vitit 1914 në kaosin e vitit 1915.

Austro-Hungaria dhe Italia, më pas, për interesa të përkundërta strategjike, në zonat e tyre të kontrollit ushtarak, në 3 vitet fundore të Luftës, përveçse njohën formalisht nën kontrollet e tyre ushtarake, autonominë në Veri (njoha e vetëqeverimit për gjithë Shqipërinë me 24 janar 1917 brenda Perandorisë) dhe pavarësinë e Shqipërisë në Jug (pas shpalljes së 3 qershorit 1917 të Komandantit të Giacinto Ferrero për bashkimin dhe pavarësinë e gjithë Shqipërisë nën mbrojtjen e Mbretërisë së Italisë), nxorën jashtë ushtritë e vendeve fqinje, rindërtuan administrimin e brendshëm shqiptar, që edhe pse në rrafshe të ndryshme strategjike, shërbeu si proces për ringritjen shtetërore të pas luftës, kur diskutohej rendi i ri europian, jeta shtetnore e Shqipërisë dhe kufijtë e njohur ndërkombëtarisht.

Austriakët gjatë kontrollit shtetërorë 3 vjeçar (1916-1918) arritën të stimulonin mjaft impulse të qytetërimit dhe administrimit europian dhe vendosën në drejtim të punëve shumë prej njerëzve të shkolluar, nga të gjitha viset që ato kontrollonin.

Mbi të gjitha, sundimet e lartpërmendura, austriake në njërën anë dhe italiane në jug, shuan gjurmët e lëvizjes otomaniste, ndërsa Tërheqja e Madhe Serbe (nëntor 1915-shkurt 1916) mori me vete dhe transferoi jashtë Shqipërisë, Esadin dhe burimet e tij njërëzore, institucionale dhe ushtarake të shtetit të vogël arnaut. Ishte mirë që fundi i luftës e gjeti Shqipërinë me faktorët destabilizues të qeverisjes së parë shtetërore të neutralizuar, por hija e tyre do jetë ende vepruese dhe kujtuese edhe më tutje.

Gjithsesi, edhe pse kemi mbërritur në “post” luftë, valët e pushtimeve serbe, malazeze dhe greke, kishin lënë pas goditjen e krahut të armatosur të Lëvizjes Kombëtare Albanianiste të Vlorës 1912:

Eliminimet e Dedë Gjo Lulit, Isa Boletinit, Çerçiz Topullit, Themistokli Gërmenjit, Mustafa Qullit, Gjeto Cokut disa dhjetra pasuesve dhe bijve të tyre, ishin vetëm fillimi i një serie eliminimesh të udhëheqësve politike të Pavarësimit të Parë, që do të përmbyllen në rrjedhën e pas të ashtuquajturit “Triumf i Legalitetit”, ose i eliminimit të faktorëve relevantë që llogarisnin në mënyrën shqiptare të politikbërjes dhe vendimarrjes së brendshme.

Kjo fazë e dytë fillon me vdekjen e papritur i helmuar në Perugia (Itali), të Babait te Kombit, Ismail Qemali, ndërkohë që ishte nën mbikqyrje të rreptë prej autoriteteve italiane të sigurisë dhe inteligjencës , vijon me vrasjen me atentat të figurës më të fuqishme të Shqipërisë, të Princit Trashëgimtar të Mirditës, Preng Bib Dodës, ekzekutimin për arsye të ndryshme nga të parët, të Essad Pashë Toptanit, udhëheqësit të rrymës së fuqishme politike dhe ushtarake për një Shqipëri të Vogël të qethur nga kristianizmat e lashtë autoktonë arbnorë, nga Kosova, nga Malësia dhe nga Epiri, gjegjësisht Shqipëria Natyrale e Jugut.

Nuk kemi të bëjmë thjesht me eliminimin e dy personazheve, por kemi daljen nga skena të dy faktorëve vendimtarë, që kishin mundësinë, për arsye të ndryshme nga njëri tjetri, Bib Doda për arsye princore tradicionale, Essad për arsye të një tradite formative pashallarësh otomanistë dhe mercenarë, të organizimit brenda natës së dy forcave ushtarake, që impononin pushtet në Shqipërinë ende të pastabilizuar.

Edhe pse e privuar nga forca mbështetëse pararendëse politike e Ismail Qemalit dhe ushtarake e Bib Dodës, e Dedë Gjo Lulit dhe Isa Boletinit, Rryma Albanianiste e Shtetformimit të Vlorës dhe Principatës së Wied, tharmi i asaj kohe krenare të bashkimit të elitës së vetëdijshme dhe të përgjegjshme, kishte lenë pas një trashëgimi të rëndësishme, një frymë që u përforcua me pasues të një kualiteti të lartë politik dhe diplomatik. Mërgata shqiptare në SHBA (Fan Nolin, Faik Konica, etj.) dhe në Zvicër (Mihal Turtulli, Pandeli Cale, Sotir Kolea) ushqeu me udhëheqësi të një kualiteti të epërm intelektual, nuklet e gatshme patriotike në vend, të ringjallura nga koha e artë e Austrisë për kombin shqiptar, pas traumes esadiste dhe elikjamiste (kryengritëse). Kjo rrymë ia doli të “prodhojë” dy kongrese nacionale dhe dy qeverisje kushtetuese, patriotike mbarëkombëtare pas luftës, në Durrës në dhjetor 1918 dhe në Lushnjë në janar 1920, të mbronin me përkushtim të patriotik çështjen e Shtetit në kufijtë etnikë, të ristabilizonin kushtetutshmërinë dhe legalitetin e paraluftës dhe të fillonin për herë të parë në historinë tonë, jetën politike parlamentare, por pa zgjidhur dot në mënyrë përfundimtare problemin e vijimësisë së Kreut të Shtetit.

Gjithsesi, vërtet nga skena ushtarake e Mbrojtjes së Nacionit si Një i Tërë, ishin larguar prijësit e rendit të parë tradicionalë të trojeve, por vendin e tyre e plotësuan me po aq vendosmëri të mbijetuarit e një kohe sakatimesh të atdheut si Hasan Prishtina, Bajram Curri, Kadri Prishtina;

largimin nga kjo jetë të bashkëthemeluesit të Shtetit, Dom Nikollë Kaçorri, e vijuan me një përkushtim në planin e brendshëm dhe ndërkombëtar Luigj Gurakuqi, Faik dhe Mehmet Konica, Imzot Luigj Bumçi, Atë Gjergj Fishta, Fan Noli, Stavri Vinjau, Abdi Toptani, Mihal Turutulli, Lef Nosi dhe mbi të gjitha, figura më e fuqishme dhe më e respektuar në vend ndër shqiptarët e të gjitha besimeve, Aqif Pashë Biçakçiu nga Elbasani.

Ndërkohë mes prijësve krahinorë që ia kishin dalë të përforcoheshin nën Austrinë, të kishin forca ushtarake krahinore, krahas grupeve kosovare të Hasan Prishtinës dhe Bajram Currit, ishte Ahmet Bej Zogolli, i dalluar ky i fundit në dy faza: në avancimin e trupave austro-hungareze në territorin e Shqipërisë në fundin e dimrit 1915- 1916 dhe më pas në rivendosjen e autoritetit shtetëror dhe nxjerrjen jashtë të trupave pushtuese jugosllave nga Kongresi i Lushnjës dhe në vijim. Transformimi i tij nga një Prijës Ushtarak Lokal i një krahine të brendshme në përkrahje të rrymës progresiste të nacionalistëve, në një politikan që mban gjithmonë me vete forcën e tij pararendëse të besnikëve të krahinës dhe mbetjeve mercenare të Essadit të shuar, në Tiranën tanimë me Parlament, Qeveri dhe jetë civile, do të ushtrojë ndikime përcaktuese, vendimtare, do të thoja, mbi gjithë jetën politike, institucionale të Shqipërisë 1920-1926, rendin publik, në të dy kahet, pozitivë dhe negativë, por mbi të gjitha në neutralizimin dhe nxjerrjen tërësisht jashtë Shqipërisë të burimeve njerëzore politike progresiste të Vlorës 1912, të Durrësit 1918 dhe Lushnjës 1920, pas Kundërrevolucionit, ose Rikthimit të Legalitetit qeverisës për të vendosur një Legalitet të Ri krejt të ndryshëm nga Marrëveshje e Brendshme dhe e Jashtme për Shtetin, një Legalitet të transformuar, në dhjetorin e vitit 1924.

Si paraqitej Shqipëria e viteve 1920’?

Shqipëria ishte shfaqur në dekadat e para të shekullit XX tërësisht e deformuar nga pikëpamja kulturore nga Arbëria e dikurshme Adriatikase. Ky deformim në mënyrë të natyrshme do te reflektohej në vizionet politike të shtresave të ndryshme shoqërore, krahinave, partive parapolitike, që ngjizen, formësohen dhe shkërmoqën brenda ditëve, javëve dhe muajve, të individëve me edukatë europiane dhe demokratike dhe të fortëve me mercenarë dhe gangsterë të paskrupuj, të mbetur trashëgim nga koha otomane. Gjithsesi fryma demokratike që kishte përfshirë mbarë kontinentin u ndie edhe në këtë vend: Shqipëria, pas Luftës së Parë Botërore, doli nga feudalizmi dhe mesjeta dhe dalëngadalë filloi të marrë ngjyrën e një shteti modern , por ky modernitet do të ecë vështirësisht për shkak trashëgimisë që i rëndonte nga pas.

Problemi kryesor për shtetin ishte se nga do të ecte procesi stabilizues i Shqipërisë?

Nga linja e përcaktuar nga vendimi i 29 korrikut 1913, i konkretizuar me Monarkinë e Wilhelm von Wied, d.m.th. nga Ripërtëritja deri ne fund e Legalitetit të afirmuar tanimë, të lënë hapur si opsion nga kuvendet e Durrësit dhe të Lushnjës? Apo do të prirej drejt zgjidhjeve të reja, drejt një legaliteti të ri të prodhuar me forcën e armëve të turmave, të financuara nga fqinjët, që kërkonin në këmbim heshtjen ose teatrin kinse nacionalist, të Tiranës zyrtare, për tokat shqiptare të lëna jashtë sërish prej vendimit të 9 nëntorit 1921?

Në çdo skicë të kompleksitetit politik të Shqipërisë do të duhet të kemi parasysh se ky vend kishte mbërritur në modernitet pas aq trazimesh, i copëtuar jo vetëm territorialisht, por edhe me vektorët e vet kulturorë përbërës të copëtuar, të Veriperendim, Verilindje, Lindje dhe Jug, me balanca natyrore të prishura artificialisht, me dallimet ndërfisnore dhe krahinore që ushtronin një rol vendimtar në cilësinë e produktit modernizues dhe europianizues. Për rrjedhojë edhe ndarja në partitë e reja politike që fillojnë e formësohen vetvetiu, sapo pluralizmi u impostua në qendrat politike, në Durrës ose në Tiranë, ishte në një farë mase një pasqyrim i dallimeve të mprehta që ekzistonin në besimin fetar, formacionin kulturor dhe krahinor, shkollimin dhe rrethet kulturore nga vinin.

Mes kësaj tërësie që mbërriti nga mesjeta në modernitet dallonin dy qendra:

Korça në mënyrë të veçantë ishte shtëpia e shkollës progresive dhe demokratike, e burrave të shtetit që pak nga pak, në vitin 1922 do të vendosën në kontroll të qeverisë, por si apendiks i atyre qe kane forcën e armëve.

Shkodra, qyteti më modern në Shqipërinë e asaj kohe, ishte jo vetëm qendra më e madhe tregtare dhe ekonomike, por edhe kryeqyteti moral intelektual, që prodhonte përfaqësi politike intelektuale për shkak të shkollave të kahershme, rolit të klerit katolik në përcjelljen e frymës arbnore në të gjithë grigjen e vet, dhe hapësirës publike me përmbajtje nacionale që u mundësua ndër sundimet ndërkombëtare dhe posaçërisht në kohës e Austrisë.

Elita pro europianizimit të vendit, e mberthyer ne Boshtin Korçë -Shkodër kërkonte që në Shqipëri të vendosej një sistem perëndimor i demokracisë, me një opozitë parlamentare, por bejlerët e botës së vjetër provinciale, pra jo aq pjesa më elitare e tyre, dëshironin të përjetësonin një stil të administrimit të trashëguar që nga koha e Perandorisë Otomane, e kështu pushteti të mbetej edhe më tutje në duart e pronarëve të mëdhenj të tokave.

Shqipëria e sapodalë nga sundimi i gjatë obskurantist otoman ishte vendi më i prapambetun i Europës, e nga nji vend i tillë nuk mund të prisje që të dilnin në mënyrë demokratike, apo të vetëvetishme, administratorë me përvojë dhe të aftë. Pjesa më e madhe e popullsisë ishte një klasë fshatare pa tokë, e shfrytëzuar prej shekujsh në emër të të huajve nga ata që këto kohë kontrollonin jetën politike të Tiranë; ishte analfabete në mënyrë masive, e kësisoj liderët e kësaj klase, bejlerët e trashëguar nga Perandoria Osmane, nuk mund ta kuptonin dot ndryshe dashurinë për atdheun, vetëm si një dashuri dhe prirje drejt pushtetit. Personat e arsimuar ishin të paktë në numër, kryesisht nga radhët e popullsisë së krishterë, që përbënin një të tretën e numrit të popullsisë, por ata nuk ishin të pajisur me artin e të qeverisurit, e mbi të gjitha ishin pa kurrfarë të drejte nga klasa e bejlerëve të ish perandorisë, e cila kishte zënë tanimë, njëlloj si më parë, vendet në administratë dhe i mbarështronte punët me metodat e vjetra otomane. Pas shpalljes së pavarësisë kjo klasë i drejtoi tashmë sytë nga marrja e pushtetit në Shqipëri, duke kërkuar që të përfitonte nga kushtet politike primitive që ekzistonin në vend.

Si në çdo shkencë, mbledhja e të dhënave (dokumenteve), menaxhimi i tyre mbi kritere përzgjedhore dhe sistemimi, është shumë i rëndësishëm edhe në studimin e historisë.

Bazuar mbi prioritetet kryesore të jetës politike dhe parlamentare të Shqiperisë nga Kongresi i Lushnjës deri në prag të Revolucionit të Qershorit, Prirjen Vendimarrëse në Zgjidhjen e Problemit Themelor të Stabilizimit Institucional – Kush do ta drejtojë vendin?, Rrugës së vështirë dhe mundimshme për transformimin e Statutit në Kushtetutë Shtetërore, thyerjeve në udhëheqësinë e përkohëshme të vendit mes dy rrymave kryesore, spikatjes se individeve të udheheqesise, në ballë ose në hije, jetën politike dhe parlamentare në këtë hark 5 vjeçar une kam menduar ta ndaj në pesë faza, por me dy spikatje në tërësinë e vet:

Nga janari 1920 deri ne dhjetor 1921, figura me e rendesishme politike ka qene Babai i Kongresit te Lushnjes: Aqif Pashe Elbasani, figurë tërësisht e respektuar ne vend. Ai, Imzot Bumçi, Abdi Toptani, Mihal Turtulli, donin t’i jepej fund situatës së anarkisë së shkaktuar nga ndërhyrja gjithnjë e më e përshkallëzuar e elementeve kundërshtarë të linjës politike rilindase, përmes rikthimit të legalitetit kushtetues të vitit 1914, kthimin e monarkisë dhe restaurimin e Princ Wied-it në fronin e Shqipërisë, por nuk dëshironte të bënin presion për një gjë të tillë, në qoftë se kjo nuk do të pëlqehej nga Fuqitë Aleate.

Dokumentacioni arkivor italian, amerikan dhe britanik tregon se në vitet 1920’ në Shqipëri ekzistonte një deshirë e përgjithshme për të pritur sërish në vend sovranin legjitim të njohur ndërkombëtarisht, Princin Wilhelm von Wied, ose në qoftë se ai nuk do të mund të rikthehej si sovran i vendit, djalin e tij të vogël. E gjitha kjo me qellim që dinastia e shtëpisë mbretërore të Shqipërisë të mund të vazhdonte, së paku shteti i paraluftës të krijonte vazhdimësi e legalitet, një arbitër mbi palët të komandonte vendin e përçarë kulturalisht dhe krahinarisht, faktorët agresive dhe primitive të modelit esadist të shmangëshin nga mundësia e imponimit me armë mercenarësh. Ardhjen e Tij sërish e favorizonte fakti se në Shqipëri nuk kishte ndonjë traditë të përhapur republikane, dhe partizanët e Republikës llogariteshin shumë pak, vetëm disa qindra, kryesisht ndër emigrantët e kthyer nga ShBA.

Kauza e Princ Wiedi-t, përfaqësonte sipas Ministrit Fuqiplote Italian ne Durrës, sinjalin e pavarësisë së njohur nga Londra (1913) dhe të sanksionuar nga të gjitha fuqitë, me dërgimin e përfaqësuesve të tyre pranë Princit në Durrës dhe tani në vitin 1921 merrte fizioniminë e një qëllimi për t’u arritur për të kënaqur “l’amor proprio nazionale”, por jo vetëm, edhe si provë më e lartë dhe e fundit e shpirtit të ri demokratik, fitorja e rrymës që kishte mundur esadizmin dhe regjimin e bejlerëve deri në shfuqizimin e këtij titulli me vendim në Parlament.

Signor Pollanz, triestin, për një përiudhë të gjatë diplomat i ish Konsullatës Austro-Hungareze në Durrës, njohes krejt i mire i Shqiperise jepte këtë sondazh mbi preferencat politike në Shqipëri në shënimet e tij të datës 28 prill 1921: atij i rezultonin se 70 deri 75% e popullsisë së Shqipërisë prireshin për Partinë e Wied; 25 % ishte e formuar nga republikanë të ndarë në Cecilisti (partia angleze), italofilë, grekofilë dhe serbofilë. Ai shtonte se edhe shifra prej 75% do të mund të shtohet drejt 80% mbasi asaj mund t’i shtohen edhe ata që deri më tash nuk kanë një ide të qendrueshme, por për maturi qendorojnë në hije.

John F. Carter Jr., diplomat i i atashuar pranë ambasadës amerikane në Romë në vitin 1921 në një raport të hollësishëm mbi gjendjen në Shqipëri deklaronte se rajonet qendrore dëshirojin rivendosjen e monarkisë së William of Wied, për të cilën gjeta një prirje të konsiderueshme pajtimi. Është e mundshme që në rrethanat aktuale, vendi është më i përshtatshëm për një monarki liberale, sesa për një formë republikane të qeverisjes. Bejlerët do të favorizonin Monarkinë, qoftë edhe për t’i vendosur ata si një aristokraci trashëgimore, shkruan ai.

Nga ana tjeter, duhet të nenvizojmë se Traktati i Saint Germain, neni 158 i tij, ua ndalonte nënshtetasve të shteteve ish armike të Antantes, te merreshin në shërbim ushtarak në vende të tjera dhe kjo e vështirësonte rikthimin e së njejtës dinasti në Shqipëri.

Derisa Aqif Pashë Elbasani ishte në krye të Regjencës, 22 dhjetor 1921, derisa vetë Regjenca ishte një institucion i pavarur e dirigjues dhe një kryetar i mirëfilltë kolektiv i shtetit, mendoj se brenda shtetit ka ekzistuar një mbështetje për rikthimin e Legalitetit Origjinal në Kupolën shtetërore, ashtu sikurse kanë ekzistuar edhe kandidatura të tjera të vendosjes së princërve të tjerë në huaj, për të kapërcyer pengesën e nenit 158.

Mirepo, pas grushteve të shtetit të fundvitit 1921, rënies Regjencës së Parë, pra në fund të fazës së tretë, me ardhjen në kontroll të punëve të qeverisë, fillimisht si ministër i brendshëm, më pas si kryeministër dhe në fund si kryeministër hije dora e e fortë e një klike post esadiste, të Ahmet Zogut, mund të themi opsioni i lartpërmendur fillon rënien dhe gradualisht, kur të fortët e tjerë të Shqipërisë janë fshirë më kohë, mbetej veç ai figura kryesore më e mundshme për të ushtruar diktatin, imponuar zgjidhjen dhe marrjen e drejtimit të vendit.

Ai paraqitej figura më e fuqishme e Shqipërisë dhe në përiudhën në vijim ai do të jetë aktori kryesor i ngjarjeve në Shqipëri. Besoj se viti 1922 do shënojë këtë impostim përfundimtar të tij në skenën politike shqiptare, që me pak muaj ndërprerje ne kohen e Revolucionit/Kryengritjes se qershorit 1924, ai do ta luaje për 17 vite me radhë. Sjellja e tij politike dhe ushtarake, pozicionet që ai ka mbeshtetur në skenën politike të Shqipërisë së prapambetur dhe në shtet në fazen ende embrionale, janë të lidhura me origjinen, formimin dhe interesat e grupimit nga ai rridhte.

Sidomos qendrimi i tij kundërshtar ndaj rikthimit të sovranit të ligjshëm të Shqipërisë, Princ Wiedit, është një element që mund të nxjerrë mirë në pah ambicjet e tij për të qenë njëriu me i rëndësishëm i shetit shqiptar, siç edhe u bë, kur të gjithë pretendentët e deritanishëm ishin larguar nga kjo jetë.

Cili ishte qendrimi zyrtar që mbante Ahmet Zogu?

Cila ishte perpspektiva e tij politike mbi vendin dhe si e konceptonte ai të ardhmen e Shqipërisë?

Për t’i dhënë përgjigje këtyre pyetjeve, po sjell një bisedë që diplomati britanik Robert Parr pati me Ahmet Zogun në shtëpi të tij, në 10 ditëshin e fundit të muajit tetor 1923:

Përsa i përket situatës së brendshme të Shqipërisë, Zogu mendonte se Shqipëria në vitin 1923 nuk qeverisej sipas institucioneve, mbasi ato nuk ishin ndërtuar sipas zakoneve të vendit dhe sipas kuptimit mbi politikën të popullit, por ishin kopjuar, ose marrë hua nga një vend tjetër.

Në këndëvështrimin e tij autoriteti i postit të Kryeministrit ishte i vogël, ose krejtësishit i pandjeshëm. Përndryshe, pozitat e tij si kryetar i trashëguar i Matit ishte më e madhe se sa pozita e tij si kryeministër.

Në këndëvështrimin e Ahmet Zogut, Shqipëria karakterizohej nga tre ndarje, nënsisteme, për të cilat qeveria ishte e shqetësuar:

Në Veri dhe në zonat malore përgjithësisht, mund të ishte e lehtë të sundohej sipas disa formave të ngjashme me sistemin feudal.

Në Shqipërinë Qendrore njerëzit ishin përgjithësisht më të bindur ndaj autoritetit qëndrorë shtetërorë. Në këtë pjesë të vendit nuk mund të luhej shumë duke përdorur bindjet e tyre fetare.

Jugu i vendit ishte rajoni ku nuk ishte e lehtë të gjendeshin parime të përgjithshme mbi bazën e të cilave mund të ruhej një qeverisje e mirë.

Vështirësia më e madhe në Veri vinte nga fakti që prefektet dhe nën prefektet që ishin caktuar atje nuk ishin njerëz që i përshtateshin postit. Shumë prej tyre ishin njerëz jo të degjuar, që vinin nga Jugu i Shqipërisë, të cilët, edhe pse dinin të lexonin dhe të shkruanin, kishin edhe njohuri ligjore, por qenë krejtësisht të paaftë për qeverimin e krahinave ku ishin caktuar.

Problemi tjetër që synonte Ahmet Zogu ishte themelimi i një dhome të dytë parlamentare. Për mënyrën hierarkike se si ishte qeverisur prej shekujsh veriu i vendit, ky projekt, sipas tij, nuk do të gjente kundërshtim as në Veri dhe as në Shqipërinë Qendrore.

Por problemi më i madh mbetej Shqipëria e Jugut. Kjo sepse, në fillim të shekullit XIX, Reshid Pasha kishte masakruar familjet kryesore drejtuese në Shqipërinë e Jugut dhe që atëherë askush nuk e kishte zënë vendin e tyre. Kjo pjesë e Shqipërisë, sipas Ahmet Zogut, ishte plot me njerëz të rinj, të cilët pas disa vitesh në emigracion në SHBA, ishin kthyer si apostuj të demokracisë dhe po e trazonin rendin tradicional arkiak të vendit. Në mendimin e Ahmet Zogut, Klika në vitin 1923 e kishte të pamundur të vepronte sërish si një organizatë. Falë ndërhyrjeve të tij, ai kishte arritur të konfiguronte bërthamat e katër partive parlamentare, të cilat ai i emërtonte: Rojaliste, Republikane, Liberale dhe Konservatore.

Në politikën e jashtme, Ahmet Zogu ka qenë partizan i ruajtjes së status quo-se politike të Shqipërisë në Ballkan, me fqinjët, qoftë edhe me koston e lëshimeve të vogla të metëjshme ndaj Mbretërisë SKS dhe Greqisë, mjaft që të ruante marrëdhëniet miqësore dhe pozicionin e tij në krye të qeverisë dhe politikës shqiptare.

Ai i përmbahej asaj që Shqipëria dhe Greqia duhej të formonin në bashkim të ngushtë politik dhe ekonomik, që do të shikonte nga Britania e Madhe si frymëzim për politikën e tyre të jashtme, dhe në këtë mënyrë të formonte një lloj balance ndaj mbizotërimit të Francës dikund tjetër në Gadishullin Ballkanik. Mirëpo kjo deshirë e tij për përmirësimin e marrëdhënieve me Greqinë nuk koincidonte me palen greke, e cila vazhdonte t’i përmbahej politikës së jashtme jo aq miqësore të Greqisë ndaj Shqipërisë.

Mirëpo, mes asaj çfarë Ahmet Zogu komunikonte me diplomatët e huaj dhe lëvizjeve të tij të verteta në terrenin shqiptar, kishte një ndryshim thelbësor. Ahmet Zogu ishte i përfshirë drejtpërdrejtë nën veprimin e Klikës së tij, një parti e mirëfilltë reaksionare, e cila përdorte metodat e vjetra turke dhe fanatike dhe që shkonte përkundër ideve liberale, bartësit e të cilave synonin t’i jepnin vendit një zhvillim të qendrueshëm duke rivendosur unitetin kombëtar.

Parlamentarizmi në kuptimin perëndimor të fjalës, bazuar mbi votimin e përgjithshëm nuk dukej se në atë kohë ishte i një sistem i përshtatshëm për Shqipërinë të cunguar territorialisht në gjysmen e saj natyrale dhe palcën e kombit (Malesia e Madhe, Kosova, Çamëria), me një popullsi kaq heterogjene nga pikëpamja kulturore dhe e kuptimit e formësimit të ndjenjës kombëtare, me një përhapje aq të madhe të analfabetizmit, në të cilen, format e feudalizmit ishin ende mbizotëruese për një pjesë të madhe të vendit. Ishte e nevojshme me pasë një qeveri të fortë qendrore, por në të njejtën kohë u duheshin lejuar krahinave të ndryshme një masë të caktuar të administrimit krahinor, gjë që udhëheqësit e papërvojë dhe jo aq vullnetmirë të vendit nga klasa post otomane dhe që shihnin vetëm nga interesat e veta, nuk mund ta kuptonin asokohe.

Shqipëria nuk ngjante ende që të kishte përqafuar edhe standardet minimale të një shteti konstitucional. Ajo vazhdonte të ngjante më së shumti si një Turqi e vogël e dikurshme, në të cilën administrata qeveritare përdorte format e hershme otomane për të dhunuar liritë dhe për të fshehur përsekutimin e ndaj shtetasve të vet.

Incidentët e fillim vitit 1924 të cilat çuan në Revolucion ishin rezultat i përpjekjes së Ahmet Zogut për të krijuar përshtypjen se vendi kishte nevojë për një dorë të fortë. Gjitha ngjarjet në vitin 1924 shkrinë nje here e mire, të gjithë përspektiven e kthimit të Legalitetit Themeltar te Shqiperise Shtet, te Princ Wied-it,, çështja e të cilit erdhi dhe u harrua dhe filluan të projektonin marrjen e pushteteve nga Ahmet Zogu, dora e re e fortë që zëvëndësoi Essadin. Vetë çështja e rendit kushtetues dhe e formës së regjimit, mbeti një çështje e pazgjidhur në këtë kohë, duke hapur rrugën Ahmet Zogut të luaj siç dëshironte ai pas dhjetorit 1924, fillimisht si president autoritar i një republike formale dhe më pas si mbret i gjithpushtetshëm në një Monarki Kushtetuese që nuk mbronte dot liritë, parlamentarizmin, të drejtat e njeriut dhe demokracinë e mirëfilltë.

Kryengritja e qershorit 1924 ishte nje perpjekje e armatosur, (e fundit para mohimit afatgjatë të demokracisë dhe parlamentarizimit të mirëfilltë, do të thoja), e forcave te mbetura nga Elita Shtetformuese, progresistëve të vërtetë europianistë, e nacionalistëve albanianistë e demokratë, ne rrethanat e mungesës së një shumice të kjartë legale në Parlament per te gjitha palet, per te ndaluar rrugen e ngritjes se Ahmet Zogut drejt pushtetit absolut, te mbetur vakant.

Karl Gurakuqi shkruan ne kujtimet e tij:

“Qetsija e mbrendëshme ishte tronditë; nji hije e rândë i kishte rá Tiranës; pritej nji shkëndí e vogël për me e ndezë zjarmin. Nepër zyra e nepër kafe nuk bâhej tjetër veç komendoheshin ngjarjet e ditës. Fletoret frŷjshin në zjarm sá ku mujshin nga të dyja anët; i a hudhshin fajin grindjes njêna tjetrës.”

Dý ngjarje me rândësí e turbulluen edhe mâ fort atmosferën:

1.-me 6 prill 1924 dy gazetarë amerikanë po udhëtojshin prej Tirane në Shkodër me automobilin e Llukës. Të mrrijtmën në Mamurras, pak përtej pijetores, tue i u afrue Laçit të Kurbînit, shofin rrugën e pengueme me trupa lisash. Zbresin për të hapë rrugën, por menjiherë i presin disá batare pushkë e rrëxihen vdekun për dhé. Lluka, shoferi, nuk pëson gjâ… Vrasësit zhduken….

Kush qiti me i vrá Amerikanët?… Nuk dihej me sigurí, por opinjoni botnuer i a vînte fajin partís së Zogut, e cila me këtë vrasje donte me lânë me kuptue se pá Zogun në qeverí, nuk mund të kishte qetsi në Shqipní.

2.-Por ngjarja qi i hapi derën plasjes së luftës qytetare, qe vrasja e Avni Rustemit. A jemi , apo s’jemi në Shqipní?…. Atentati kundra Zogut (23.II. 1924), simbas mendësís shqiptare, nuk mund të rrinte i pa –shpaguem…. Dikush e armatosi dorën e mullísit-qiros tiranas për me vrá Avni Rustemin, kryetár i Shoqnís “Bashkimi”, qi dyshohej se kishte qênë shtŷsi i parë i atentatit në parlament.”

Vendi po shkonte në revolucion.

Vrasja e Avni Rustemit, udhëheqësit të rinisë më patriotike shqiptare, ishte një sinjal për një ndarje në Asamblenë Kushtetuese:drejt Vlorës u nisën deputetët e pakënaqur me pretekstin e pjesëmarrjes në funeralin e Avniut, i konsideruar tanimë si hero kombëtar. Perveç kësaj, Deputetët e Shkodrës u kthyen në qytetin e tyre. Një Manifesto me përmbajtje të qartë revolucionare u dërgua nga Vlora për Qeverinë, por ajo nuk kreu detyrën e vet dhe nuk mori asnjë veprim. Ushtria kaloi nga urdhnimi i Qeverisë tek kryengritësit. Filluan përgatitjet ushtarake. Tirana ishte e pambrojtur dhe në këto rrethana qeveria iku nga detyra. Shefqet Verlaci dha dorëheqjen, ndërsa Ministri i jashtëm Iliaz bej Vrioni fomoi një qeveri, e cila ishte aq jetëshkurtër, sa nuk është regjistruar fare ndër faktet historike, mbasi nuk prodhoi rezultatet e dëshiruara dhe vetë kryeministri i ri nuk shfaqi ndonjë energji të ndryshme nga paraardhësi i tij. Ahmet Zogu tentoi të ndërtonte mbrojtjen e kryeqytetit, por qeveria nuk e lejonte atë të merrte terren, mbasi frikësohej se Tirana do të ngrihej sërish për shkak të urrejtjes kundër tij në qoftë se ai ndërmerrte ndonjë veprim. Bajram Curri në veri, Rexhep Shala në Shkodër, Kolonel Kasem Qafzezi dhe Major Shefqet Korça në jug, sulmuan ashpër forcat e mbetura qeveritare. Qeveria shfaqi një pavendosmëri dhe mungesë efektiviteti të plotë dhe pas disa ditësh përplasjesh, kryengritësit në Shkodër ia arritën të çajnë rrugën ndërsa forcat qeveritare në jug dezertuan. Të gjithë Ministrat dhe shumë deputetë ikën në mënyrën më të turpshme në Itali ose Korfuz, duke e lënë Ahmet Zogun të vetëm në Tiranë. Pas kësaj edhe ai u tërhoq me nge drejt veriut, me një forcë të përbërë nga anëtarët e klanit të tij dhe me pak topa. Ai kaloi kufirin shtetërore me Serbinë dhe kërkoi strehim në Beograd.

Kjo është historia e një kryengritjeje kundër qeverisë, një revolucioni kundër autoritarizmit qeverisës, në qoftë se dëshirojmë ta thërrasim, për të parandaluar kontrollin e kamufluar absolut, me mjete kercenuese për lirinë civile dhe parlamentare, të Ahmet Zogut mbi shtetin, një pëmbysje e legalitetit formal të qeverisë, me objektiva progresistë, të demokratizimit dhe rikthimit të parlamentarizmit real dhe kontrollit te gjithanshëm të institucioneve prej pjesës patriotike dhe te qytetëruar të shoqërisë.

Ishte një sipërmarrje e pamundur, jo vetëm për shkak të mungesës së vendosmërisë për të imponuar një Diktat të pandërprerë governativ për të konsoliduar fitoren ushtarake dhe politike, mungesës së mbështetjes perëndimore mbi regjimin e demokratë dhe patriotëve intelektualë e të qytetëruar, por edhe për shkak pamundësisë së shoqërisë për ta kuptuar dhe mbështetur ndryshimin. Rrëzimi i dhjetorit 1924 me ndihmën e jugosllavëve, që nuk mund të pranonin elitën e vërtetë dhe të pakët të Shqipërisë në krye të një vendi që duhej të mendej me “Kokë të Turbullt”, i Kontrollueshëm, i dorëhequr nga nacionalizmi, ishte logjik.

Pas të ashtuquajturit “Triumf i Legalitetit” të qeverisë pararendese te qershorit 1924, shkatërrimit definitiv të “Legalitetit të Kreut të Shtetit Themeltar”, vendosjes së një akordi të heshtur me Mbretërinë Serbo Kroato Sllovene në lidhje me neutralizimin e rrymës politike nacionaliste kosovare brenda vendit, premtimit për respektimin e disa akordeve bazë me Italinë e Musolinit, pasoi neutralizimi i përgjakshëm dhe afatgjatë i kundërshtarëve politike, Luigj Gurakuqit, Bajram Currit, Hasan Prishtinës dhe pikëtimi i një numri personazhesh të rëndësishme të Opozitës. Shënjestra kryesore e represionit u vendos kundër komunitetit katolik edhe malësive mbështetëse.

Dokumentet e zbuluara së fundmi në Arkivin e Shtetit të Republikës së Kroacisë, Fondi i Ministrisë së Punëve të Brendshme, viti 1926, muaji shkurt, nga studiuesi nga Shkupi, Skender Asani, që lidhen me marrjen në pyetje të Baltion Stamollës në Policinë Kroate (pas 5 muaj e gjysëm burg në Itali, atentatori i Luigj Gurakuqit ishte shndërruar menjëherë në biznesmen i pajisur me disa liçenca në Tiranën e Triumfit të Legalitetit dhe po pergatitej te vriste Dom Loro Caken dhe Luk Luken ne Kroaci), 6 raporte të tilla, deshmojnë qartësisht komplotin shtetëror mbi eliminimin e Opozites Demokratike dhe Europianiste.

I represionit të kësaj kohe, pas Kryengritjes së Dukagjinit, është e ekzekutimi i martirit të Shqipërisë dhe Kishës, i sapo lumnuar nga Ati i Shenjtë Papa Françesku, Dom Gjon Gazullit.

Kjo është pra historia 13 vjeçare e marrjes së kontrollit të Shqipërisë prej duarve të Elitës Patriotike Nacionale e Rilindjes, e Pavarësisë së Parë (Vlore) dhe të Dytë (Durres dhe Tirane), tek nje 28 vjeçari qe ia doli te mbisundoje ne Shqiperine qe zhdukë dhe syrgjynos vetë Bijtë e Vet më të Mirë. Rruga e Ahmet Zogut drejt pushtetit absolut ishte hapur prej eliminimit të faktorëve të tjerë imponues politikë, nga rastësitë, kombinacionet e brendshme dhe të jashtme, meritat e tij personale në ndjekjen me ndihmën e çdo mjeti, të objektivit të tij të vendosjes në krye të punëve të Shqipërisë, fshirjes së legaliteteve pararëndëse kushtetuese dhe institucionale dhe krijimit shkallë-shkallë të një legaliteti të ri, të cilin forca e pushtetit dje, paqartësia dhe pasionet me afilacion kulturor dhe religjioz te perkunderta me albanianizmin, sot, ua kanë ofruar publikut si një të vertëtë të pakontestueshme.

Filed Under: Opinion

A kaloi flamuri i përvjetorit të parë të pavarësisë së Shqipërisë në duart e Dedë Gjo Lulit?

June 3, 2024 by s p

Zef Ujkaj/

Ja si shprehet Themistokli Pollo (patriot nga kolonia e shqiptarëve të Amerikës, i cili bashkë me shumë bashkatdhetarë të tjerë iu bashkangjit vullnetarisht Kryengritjes së Malësisë të vitit 1911 dhe më vonë Kryengritjes së Përgjithshme një vit më vonë, në luftën për liri e pavarësi të Shqipnisë):

“Kishte hyrë marsi i vitit 1912. Ishte koha kur duhej vepruar, duheshin rrëmbyer armët e duhej filluar kryengritja e re kundër zgjedhës turke. Sali Hoxha, Gore Dindi dhe unë ndodheshim në Podgorië dhe po bënim pregatitjet e fundit per t’u nisur për në atdhe. Para se të largoheshim shtruam një drekë në të cilën ftuam Dedë Gjo Lulin me të dy djemtë e tij. Ne kishim dëgjuar shumë për këtë trim nga Troboini. Në takimet që kishim pasur me të Dedë Gjo Luli na kishte bërë për vehte. Ne e konsideruam njerinë më të përshtatshëm për t’i dorëzuar një amanet të shënjte: flamurin shiptar që kisha sjellë nga Amerika. (Në një vend tjetër autori shprehet, citoj: “Këtë flamur te kuq me shkabën e zezë dykrenore e kisha porositur në Amerikë për 100 dollarë dhe e mbaja me vehte për ta ngritur në tokën e lirë të atdheut.”) Gjatë periudhës kur ne do të bënim jetën e kaçakut nëpër male e nëpër pyje nuk mund ta terhiqnim me vete flamurin. Me atë rast ne vendosëm t’i kërkonim Dedë Gjo Lulit edhe ndihmë për t’u hedhur ne Malësi.

Dorëzimi i flamurit u bë me një ceremoni të thjeshtë, por prekëse. U ngritëm të gjithë në këmbë. Unë i tregova Dedë Gjo Lulit se me ç’sakrifica është blerë ai flamur, i thashë se ne do të shkonim në athe për të luftuar kundër turqvet e se flamurin, atë simbol të Shipërise së lirë ja dorezonim atij, patriotit të shquar, me porosinë që t’ja jepte qeverisë shiptare, kur të çlirohej Shipëria.

Pastaj, Sali Hoxha, Gore Dindi dhe unë u gjunjëzuam dhe e puthëm flamurin. Dedë Gjo Luli e mori në dorë flamurin dhe na u përgjegj përafërsisht kështu: «këtë flamur do ta ruaj si sytë e ballit. Porosinë që më dhatë do ta plotësoj: flamurin do t’ja dorëzoj qeverisë së parë të Shipërisë së lirë. Në qoftë se unë nuk do të jem gjallë amanetin do ta plotesojnë djemt e mi.»

Më vonë mora vesh se Dedë Gjo Luli ja dorëzoi këtë flamur Themistokli Gërmenjit. Ky flamur valoi në ndërtesat qeveritare të Vlorës së lirë me 1913…”

Filed Under: Politike

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 3
  • 4
  • 5
  • 6
  • 7
  • …
  • 29
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • QERIM VRIONI DHE FOTOGRAFËT QË SHKRUAN HISTORINË
  • Çamëria, kur e vërteta kërkon shkrim, përgjegjës dhe afat!
  • Dhurata, buzëqeshje dhe urime në shkollën shqipe “Skenderbej”
  • ROLI I PRESIDENTES OSMANI NË RIKTHIMIN E BESIMIT DHE BASHKËPUNIMIT TË KOSOVËS ME SHBA-NË DHE BE-NË
  • WHEN KOSOVA WORKS, AMERICA SPEAKS
  • Shkolla shqipe “Gjergj Fishta” – Long Island, New York festoi festat e fundvitit
  • Fotografia e Gjon Milit dhe CHARTRES CATHEDRAL -Një monument i entuziazmit Kristian
  • Lamtumirë legjenda jonë e mikrofonit në gazetarinë sportive Ismet Bellova!
  • Politika e mençur…
  • VEPËR NGA MË TË PASURAT E MË NJERËZORET NË MENDIMIN KRITIK
  • KOZMOPOLITIZËM
  • “Kur shpirti kthehet në gërmadhë lufte”
  • VATRA TELEGRAM URIMI AKADEMIKES JUSTINA SHIROKA PULA ME RASTIN E ZGJEDHJES KRYETARE E AKADEMISË SË SHKENCAVE DHE ARTEVE TË REPUBLIKËS SË KOSOVËS
  • Suzana Shkreli: “We can make history by electing Michigan’s first Albanian Secretary of State”
  • NDAA i SHBA-së dhe pozicioni i Kosovës në arkitekturën e sigurisë

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT