Gentian Shero President i Shoqatës “Nënë Tereza” në Trento, Itali, rrëfen ekskluzivisht për gazetën “Dielli”, Organ i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, New York, ruajtjen e identitetit, historisë, gjuhës, kulturës dhe traditës shqiptare në Trento, Itali, nëpërmjet mësimit të gjuhës e kulturës shqipe. Me Gentian Sheron bisedoi Editori i “Diellit” Sokol Paja.
SHOQATA “NËNË TEREZA” NË NDIHMË TË MËSIMIT SHQIP
Shoqata Nënë Tereza në Trento u themelua në vitin 2017 me qëllimin e vetëm të ruajtjes së gjuhës dhe kulturës shqiptare në Trentino Alto Adige Itali. Bashkë me disa bashkëatdhetarë patriotë këtu në Trento vendosëm që t’u japim mundësinë brezit të ri të mësojnë gjuhën shqipe duke krijuar kurse të gjuhës shqipe falas të investuara direkt nga stafi ynë. Stafi i shoqatës përbëhet nga Presidenti Gentian Shero, stafi Adnand Jovani, Përparim Shaba, Klodian Topi, Taulant Purbollari, Xheik Shero, Dilaver Bajrami, Sajmir Toshkallari dhe Kujtim Mataj. Artur Lleshi ishte një nga shtyllat kryesore të shoqatës “Nënë Tereza” Trento u nda nga jeta në Dhjetor të vitit 2020 në moshën 48 vjeçare. Stafi i shoqatës vendosi që emri i shkollës të ishte ai i Arturit si mirënjohje për punën patriotike që bëri dhe përkushtimin për mësimin shqip e komunitetin shqiptar në Trentino Alto Adige Itali.
THEMELIMI I SHKOLLËS SHQIPE NË TRENTO
Në vitin 2018 kurset e mësimit të gjuhës e kulturës kombëtare patën shumë sukses dhe me ndihmën e faqes tonë atëherë “Shkolla Shqipe Trento” u krijuan edhe në Bolzano, Merano BZ, Bressanone BZ, Levico TN, Mezzolombardo TN me një numër nxënësish të konsiderueshëm afërsisht 250. Një arritje e jashtëzakonshme për të gjthë komunitetin shqiptar. Nuk mund të lë pa përmendur shumë bisnese që nuk na lanë vetëm si Am Costruzioni, Artur Pavimenti, Pizza Grande, Pizza Rimi, Pizza Benyy, Anton Perskura, Enea Pitture, Alb Edil srl, Telecomunicazione Trentino, Landi Costruzioni, Ilir Duka, Nador Çami Bolzano, Auto Trasporti Celhaka Bolzano, Auto Trasporti Bllama Bolzano, Xhelil Xheleshi Merano e shumë patriot të tjerë që na dhanë një ndihmë shumë të konsiderueshme. Kurset e gjuhës shqipe vazhduan edhe në vitin 2019 rregullisht të financuara tërësisht nga stafi ynë. Vend kryesor për hapjen e kurseve të gjuhës shqipe e zë Adnand Jovani përfaqësues i sindakatës UIL TRENTO e cila hapi dyert e saj për të krijuar kushtet e nevojshme të Mësimdhënies në Trento, Bolzano, Merano, Mezzolombardo. Më pas mes vështirësive të ndryshme dhe pandemisë ku u ndalua rreptësisht organizimi i këtyre kurseve kjo mrekulli u zbeh pak. Në vitet e pandemisë vazhduam mësimin online në klasën e Bolzanes falë vullnetit të madh të mësues Esmeralda Sadiku dhe Elona Lapi. Doja të falënderoja Shkollën “Rreze Drite” dhe “Petronini Luarasi” në Tiranë të cilat na dhuruan sasi të konsiderueshme librash. Këto dy vitet e fundit na kanë furnizuar me libra Ministria e Diasporës, kjo është ndihma që ka pasur shoqata jonë. Rëndësi të veçantë në suksesin e këtyre kurseve të gjuhës shqipe e kulturës kombëtare kanë edhe prindërit të cilët na kanë mbështetur në çdo iniciativë. Mbështetja e tyre ka qenë frymëzim dhe emocion i veçantë për gjithë stafin tonë. Njëkohësisht me kurset e gjuhës shqipe u formua edhe grupi i valleve popullore shqiptare i cili pati shumë sukses deri në momentin kur pandemia na e ndërpreu zhvillimin.
NDIHMA HUMANITARE NGA SHOQATA “NËNË TEREZA”
Komuniteti shqiptar në Trentino Alto Adige na mbështeti edhe në rastin e termetit ku u mblodh një shumë e konsiderueshme monetare. Shoqata “Nënë Tereza” dhuroi një shtëpi në Budull, Bubq me vlerë 27000 euro. Atë po e gëzon një familje me një djalë invalid. Shoqata mblodhi 12 T ushqime dhe veshmbathje të cilat u shpërndanë nën drejtimin e stafit tonë dhe bashkisë Bubq në më shumë se 300 familje. Në dhjetor të vitit kaluar, dhuruam në shtëpitë e të moshuarve, të disa qyteteve, veshmbathje të reja (xhupa dimri, bluze, triko, pantallona e tij). Ndihma per nevojtaret dhe aktiviteti humanitar do te rritet ne muajt e ardhshem.
MBËSHTETJA E PRINDËRVE, RRITJA E AKTIVITETEVE TË SHKOLLËS SHQIPE
Falë punës së shkëlqyer të mësuesve dhe mbështetjes së prinderve, shkolla jonë po rritet çdo ditë. Shkolla Shqipe eshte nje krenari e veçantë per te gjithe ne. Në këtë moment kemi rifilluar mësimin në prezencë vetëm në Bolzano dhe Trento pas një pune të mrekullueshme të mësuesve Esmeralda Sadiku, Elona Lapi, Irfan Lumnishta Muslija dhe Lindita Halili. Kurset jane çdo të shtunë për fëmijët nga 5 deri 15 vjeç. Ata mundësohen falas në sajë të punës vullnetare të mësuesve tanë. Këtë muaj më 1 Tetor filluam në në Bolzano dhe 2 Tetor në Trento ishte dita e parë e shkollës shqipe “Artur Lleshi”. Ishte një fillim që na mbushi shpirtin plot. Në faqen tonë FB “Shkolla Shqipe Artur Lleshi” pasqyrojmë gjërësisht aktivitete tona të larmishme.
AKTIVITETE NË KOMUNITETIN SHQIPTAR NË TRENTO
Përveç investimi tonë të madh për mësimin e gjuhës shqipe në Trento, si drejtues ligjor i shoqatës “Nënë Tereza” në Trento kemi edhe aktivitete sportive si një urë lidhese e komunitetit tonë mes vendit tonë të origjinës, ndërmjet njëri-tjetrit dhe Italisë. Vitin e kaluar krijuam ASD Iliria, ku jam dhe president i skuadrës sonë të shqiptarëve. Ky është viti i dytë që po luajmë në kategorinë dytë në Trento. Çdo ditë që kalon skuadra rritet në sajë të punës së djemve kuq e zi. Organizimi sportiv i ka dhënë shumë jetë e gjallëri komunitetit tonë. Skuadra e futbollit mbështetet nga shumë sponsor të cilët kanë një vend të veçantë në përballimin e detyrimeve të skuadrës. Në muajin shtator Shoqata “Nënë Tereza” në organizoi në Trento dhe Bolzano dy mbrëmje të Nostalgjisë, e cila na solli pas nga emigrimi i Arbëresheve më shumë se 600 vite më parë. Ne vazhdojmë të veprojmë e punojmë në komunitet me qëllimin për të bërë më të mirën për vëllezërit e motrat tonë tona e për vendin tonë.