
Të shtunën në 18 shkurt 2023, shqiptarët e shoqatës “ILIRIA” Saint Louis sëbashku me miq amerikanë të ftuar festuan 15-vjetorin e shpalljes së pavarësisë të Kosovës. Atmosferën e gëzueshme festive e filluan duke recituar poezi shqipe, nxënësit e shkollës shqipe “ILIRIA”; Eliza Palloshi, Valdrina Fejza, Valdrin Fejza, Albion Palloshi, Valera Dullovi, Sara Dullovi nën përkujdesjen e mësuesës së shkollës znjsh. Rafaela Hajdini. Me një gjuhë të rrjedhshme shqipe në ata rrezatuan dashurinë patriotike duke u pritur me shumë duartrokitje nga të pranishmit në sallë. Fjalën përshëndetëse e mbajti nën kryetari i shoqatës z. Xhevat Dullovi i cili në emër të bordit drejtues falenderoi pjesëmarrësit për prezencën dhe theksoi rëndësinë kësaj dite historike për shtetin e Kosovës. Theks i vuri edhe mbështetjes së madhe të forcave të NATO-s dhe rolit të UÇK-së në çlirimin e Kosovës. Një befasi e këndshme ishte pjesëmarrja dhe fjala e ushtarakut z. John Mitchell i cili i ka përcjellë ato ditë historike të shpalljes së pavarësisë si pjesëtar i forcave të KFOR-it. Ato vite shërbimi ai i solli me emocion dhe respekt të thellë si kujtime të pashlyeshme të një misioni që ka shkruar histori për Kosovën dhe të gjithë popullin shqiptar. Në vijim, znj. Anila Veizi, anëtare e bordit drejtues dhe ish kryetare e gruas së shoqatës mbajti një kumtesë kushtuar femrës kosovare në histori. Në pasqyrën e kujtesës historike ajo solli shëmbuj të ndryshëm të kontributit të tyre që nga thellësia e kohërave e deri në ditët e sotme. Gruaja shqiptare e Kosovës është pjesë e pa ndarë në ndërtimin dhe prosperiten e strukturës familjare, asaj patriotike si dhe konstruktin shpirërtëror dhe kulturor të identitetit kombëtar.
Orkestra dhe këngëtarët Arif Palloshi dhe Gazmend Muslia krijuan atmosferë të gëzueshme gjatë gjithë mbrëmjes me këngë patriotike dhe lirike nga të gjitha trevat shqiptare.
Ky festim ishte shprehje solidariteti, gëzimi dhe bashkimi të komunitetit shqiptar këtu në Saint Louis për ti mbajtur gjallë dhe aktivë lidhjet me trojet e viseve nga vijmë.
Përgatiti: Besian Gjika