Ne Foto:Shuajb Arnauti, 1928- 2016/
Nga Jeni Myftari/Academic Adviser Embassy of SO -London Cultural Attache/
Më 27 tetor 2016, në Aman-Jordani, ndërroi jetë në moshën 88 vjeçare dijetari i madh i hadithit, jurisprudencës, historisë Islame, Kur’anit, gjuhës dhe retorikës arabe, Shejkh Shuajb Arnauti. Shuajb Arnauti, lindi më 1928 në Damask-Siri, në një familje myslimane, atdhetare shqiptare. Muharrem Arnauti, babai i Shuajbit, mërgoi më 1926, bashkë me familjen, nga Vukatana e Shkodrës dhe u vendosën në Damask-Siri. Dy vjet më pas ju lindi një djalë të cilin e quajtën Shuajb.Familja e Muharremit për të mos humbur origjinën e vendit nga vinin, humbi mbiemrin e familjes dhe adaptoi mbiemrin “Arnauti-Shqiptar”.
Që në fëmijërinë e herëshme, Shuajbi mësoi bazat e besimit Islam dhe pjesë të shumta nga Kur’ani, fillimisht prej prindërve të tij e më pas prej mësuesve më në zë të kohës në Damask. Shuajbi, si fëmijë kishte dëshirë të mësonte të fshehtat e Kur’anit, dëshirë kjo që e nxiti më pas të thellohej në mësimin e gjuhës arabe, mësim të cilit iu përkushtua për 10 vjet me rradhë. Ai jo vetëm që ndiqte të gjitha ligjëratat e gjuhës që zhvilloheshin në medreset dhe xhamitë e Damaskut, por edhe lexonte librat më në zë të dijetarëve të kohës. Nga mësuesit e Shuajbit ishin Shejkh Salih Al Farfuri dhe Shejkh Arif Al Deuxhi, të cilët kanë qenë nxënës të dijetarit të madh të kohës së tij në Siri, Shejkh Bedr Dijn Al Husni. Prej tyre Shuajbi mësoi shkëlqyeshëm jo vetëm gjuhën arabe dhe retorikën por edhe shkencën e Hadithit (fjalës, punës dhe veprës së Profetit Muhamed s.a.a.s), komentin e Kur’anit dhe ligjet e jurisprudencës Islame.
Ndërkohë, për një periudhë të gjatë Shuajbi iu përkushtua Fikhut (Jurisprudencës Islame), duke u thelluar në studimin e 4 shkollave juridike Islame dhe veçanërisht të asaj Hanefi, të cilat i mësoi nga Abdu Rrazak el Halebi, Nuh Arnauti (babai i Shejkh Muhamed Nassru Dijn Albanit), Sulejman Gavoxhi (babai i Shejkh Vehbi Gavoxhit), ndërsa shkencën e hadithit dhe terminologjinë e mësoi nga Abdullah el Habashi, Shejkh el Kallas dhe Shejkh Salih Farfuri.
Gjatë këtyre studimeve, Shuajbi vuri re se për të nxjerrë ligje juridike të sakta dhe mbi baza shkencore, duhej që gjykimet të bazoheshin në burime të sakta hadithesh. Nga këtu i lindi dëshira të merrej me shkencën e hadithit dhe pikërisht me vërtetësinë dhe saktësimin e zinxhirit të transmetimit të haditheve. Kështu që në moshën 27 vjeçare, nga viti 1955 e deri në fund të jetës ia përkushtoi punën dhe jetën e tij saktësimit të transmetimit të haditheve, duke u bërë kështu një prej dijetarëve më të mëdhenj bashkëkohorë të Islamit.
Duke komentuar mbi këtë përkushtim të tij për shkencën e hadithit Shejh Shuaibi është shprehur: -“Një nga arsyet që më nxiti të përqëndrohesha më së shumti tek shkenca e hadithit ishte se një ditë dikush më pyeti për një hadith të cilin unë nuk e dija. I gjendur ngushtë vendosa në vetvete të përqëndrohem në këtë fushë në nderim të sunnetit profetik“.
Më 1958, Shuajb Arnauti filloi punë në Librarinë Islame në Damask, ku për 20 vjet me rradhë drejtoi departamentin e Vërtetimit dhe Saktësimit të Haditheve. Gjatë kësaj periudhe Shejkh Shuajbi saktësoi dhe korrigjoi personalisht si dhe drejtoi punën për saktësimin dhe korrigjimin e më shumë se 70 vëllimeve, nga bazat e trashëgimisë të shkencave të ndryshme Islame.
Më 1982, për arsye të papajtueshmërisë me regjimin e kohës në Siri, shpërngulet së bashku me familjen në kryeqytetin e Jordanisë, Aman.
Këtu Shejkh Shuajbi fillon punë në fondacionin “El-Risaleh” si drejtues i departamentit të “Saktësimit të Trashëmisë” ku punon deri me daljen e tij në pension. Arritjet më të rëndësishme dhe veprat më të mëdha të shkencave të Islamit të përgatitura nga Shejkh Shuajbi i përkasin pikërisht kohës së punës në këtë fondacion.
Shuajb Arnauti ishte bashkëkohës i shqiptarëve të tjerë që kanë jetuar në rajon, të gjithë dijetarë të njohur të shkencave Islame si Shejkh Muhamed Nasru Din Albani nga Shkodra, Shejkh Abdul Kader Arnauti (i lindur Kadri Sokoli) nga Istog-Kosovë, Shejkh Vehbi Suleiman Gavoxhi nga Shkodra etj, me të cilët bashkëpunoi dhe ruajti marrëdhënie të mira gjatë gjithë jetës.
Ndër veprat e shumta që la pas Shejkh Shuajb Arnauti mund të përmendim:
– El Begaui, Sherhul Sunneh (Shpjegime Terminologjike Islame), 16 vëllime.
– El Neveui, Reudatul Talibin (Kopështi i Kërkimtarëve), 12 vëllime. Këtë vepër e ka bërë në bashkëpunim me Abdul Kadër Arnautin.
– Ibn Mendhur, Medhheb El Egani (Shkolla e Lirikës), 12 vëllime.
– Ibn Meflah, El Mebdea Fi Sherh El Muknea (Fillimi në Shpjegimet Bindëse), 10 vëllime.
– Ibn El-Xheuzi, Zade El-Mesir fi Ilmul Tefsir (Rrugëtim në Komentimin e Kur’anit), 10 vëllime. Në bashkëpunim me Abdul Kadër Arnautin.
– El Rehibani, Metalib Euli Neha Sherh Gajetul Munteha (Kërkimet e para në shpjegimin e kohëve të fundit), 6 vëllime, në bashkëpunim me Abdul Kadër Arnautin.
– Ibn Kadame El-Makdasi, El Kafi fi Fikh El-Imam Ahmed ibn Hanbel (Mjaftueshmëria në Legjislacionin e Hanbelit), 3 vëllime. Në bashkëpunim me Abdul Kadër Arnautin.
– Ibn Davjan, Menar El Sebil fi Sherhi Ed Delil (Fryte të dobishme në shpjegimin e argumentave), 2 vëllime.
– Ibn Hibban, El Ihsan fi Tekbir Sahih Ibn Hibban (Mirësitë në Madhështi, Sahih Ibn Hibban), 18 vëllime.
– Edh-Dhehebi, Sijr Alam En-Nubela (Historia e Dijetarëve të Ndritur), 25 vëllime.
– Et-Termidhi, Sunen Et-Termidhi (Libri i haditheve i Termidhi-t), 16 vëllime.
– En-Nisai, Sunen En-Nisai (Libri i haditheve i En-Nisai-t), 12 vëllime.
– Ed-Dar Kutuni, Sunen Ed-Dar Kutuni (Libri i haditheve i Ed-Dar Kutuni-t), 5 vëllime.
– Ahmed Bin Hanbel, Musned El-Imam Ahmed bin Hanbel (Përforcimi, i Ahmed ibn Hambel), 50 vëllime.
– Edh-Dhehebi, Tarijkh El Islami (Historia Islame), 4 vëllime, në bashkëpunim me Dr. Bashar Awad. etj.
– En-Neveui, Rijad Es-Salihin (Udha e të Drejtëve), 2 vëllime.
– Ibn ebi El-Iz, Sherh El-Akide El-Tahauije (Shpjegimi i Doktrinës Sunite), 2 vëllime.
– El-Dhehebi, Tabekat El-Kura (Shkallët e Lexuesve të Kur’anit), 2 vëllime. Në bashkëpunim me Dr. Bashar Awad.
– Ibn Kajm El Xheuzi, Zad el Mead (Dispozitat për Akhiretin -Jetën e Përtejme), 6 vëllime, në bashkëpunim me Abdul Kadër Arnautin, etj.
Puna dhe vepra e Shuajb Arnautit përmblidhet në mbi 600 vëllime.
Përveçse dijetar i shquar, Shejkh Shuajbi ishte edhe një njeri me shpirt të madh, sa i rreptë dhe kërkues në punë aq edhe njerëzor dhe i dhembshur. Ai shquhej për modestinë, sinqeritetin, ndihmesën materiale dhe shpirtërore që iu ofronte të gjithëve, veçanërisht studentëve shqiptarë në Jordani. Nuk ka student nga trojet shqiptare që ka studiuar në Jordani, apo me herët në Siri që nuk e ka ndier nga afër ndihmesën materiale apo mbështetjen shpirtërore të Shehut, siç e thërrisnit të gjithë me rrespekt.
Shejkh Shuajbi, edhe pse i lindur dhe rritur në një familje shqiptare, gjuha e mëmës së të cilit ishte SHQIPJA, u bë një nga njohësit më të mirë të gjuhës dhe retorikës arabe si dhe të shkencave Islame. Ai gëzonte respektin absolut të të gjithë studentëve, hulumtuesve, shkencëtarëve Islam, të të gjithë njerëzve që e rrethonin, që jetonin e punon me të, që e takonin për herë të parë apo që thjeshtë shfletonin veprat e dala nga duart e tij.
Shuajb Arnauti nuk jetoi për pasuri, as për famë apo pozitë shoqërore, ai jetoi për të fituar kënaqësinë e Zotit, me thjeshtësi duke ia përkushtuar gjithë jetën e tij shkencave Islame dhe njerëzve në nevojë.
Shejkh Shuajb Arnauti vërtet nuk la pas pasuri dhe trashëgimi materiale për familjen e tij, por la pas një thesar të paçmuar dijesh që do ti shërbejë pafundësisht brezave.
Shqiptarët kanë përse të krenohen me këtë kolos të dijes dhe shkencës. Edhe pse i lindur në Siri, Shejkh Shuajb Arnauti shprehej me krenari se ishte shqiptar. Ai e fliste rrjedhshëm shqipen madje mbante edhe leksione në shqip.
Pas luftës së Kosovës, Shejkh Shuajbi bëri vizita të shumta në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni. Sa herë vizitonte apo fliste për trojet shqiptare sytë i mbusheshin me lot dhe thoshte: “Aty janë rrënjët e mia. Edhe gjaku ndër deje më lëviz ndryshe kur them se jam shqiptar, edhe jeta më shtohet kur vizitoj viset e mia. Vetë mbiemri i familjes time bart me vete origjinën tonë“- dhe i thoshte këto me krenari, në një shqipe të pastër dhe burimore.
Zoti qoftë i kënaqur me punën dhe veprën e tij, shpirti i tij u prehtë në paqe dhe qoftë vendi i tij në Parajsën më të lartë, së bashku me Profetin Muhamed s.a.a.s.
sami repishti, USA says
Falemnderit Zonja Jeni per kete shkrim ndriçues. Na mbushet zemra me gezim kur mesojme se vellaznit e motrat tona ne boten jashte Shqiperise dallohen me punen e tyne shkencore, artistike ose bamirese ne sherbim te njerezimit. I perjeteshem qofte kujtim i Shehut tone.