• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

SHKOLLA E SHËNAVLASHIT NË DURRËS, FESTOI 100-VJETORIN

November 1, 2016 by dgreca

1-samNga Kadri Tarelli/2-sam Këto dit shtatori, java e fundit të vjeshtës së dytë, fshati Shënavlash pranë qytetit të Durrësit, përjetoi festë të rrallë, të bukur e të shenjtë. Shkolla e fshatit, kjo çerdhe shqiptarie, u hap në 24 tetor të vitit 1916. Ky tempull i ndritur i gjuhës shqipe, i dijes, kultures, edukimit dhe atdhetarisë, i mbushi plot një shekull, përmes sakrificave, vuajtjes dhe mundimit, përmes punës, qëndresës, dashurisë dhe frymëzimit. Drejtues dhe mësues, nxënës, prindër dhe banorë të fshatit, të Durrësit dhe fshatrave përrreth, mbushën oborrin dhe mjediset e Shkollës së Mesme të Bashkuar “Besnik Hidri”. Mes tyre u ndodhën ish drejtues të shkollës, ish mësues dhe ish nxënës, të ardhur nga të këtër anët e vendit, dikur të bukur e plot vrull, energji dhe ëndërra rinie, sot të urtë e me thinja fisnikërie, e ballin plot brazda mendimi e krenarie.

1-agim-haxhiu-pershendetPërfaqsues të pushtetit vendor, z. Florian Tahiri, n/kryetari i Bashkisë së Durrësit, dhe Lindita Muka, drejtore e DAR-së, të cilët përshëndetën të pranishmit e shumtë në këtë ditë të shënuar për shkollën dhe historinë e arsimit shqiptar. Mësuesve, këtyre misionarëve të dijes, të mësimit dhe të edukimit atdhetar, u takon mirënjohja dhe nderimi, si askujt tjetër. Jo më kot Viktor Hygo shprehet diku: “Dy janë nënpunësit kryesor të kombit, nëna dhe mësuesi”.

1-drejtore-merita-teta-mema-1

100-vjetori është i rrallë dhe nuk mund të festohet pa gjysmën e kombit, pa Kosovën pjesë të trupit dhe shpirtit shqiptar. S’ka si ndodh ndryshe, ndaj për të gëzuar së bashku, erdhën Agim Haxhiu, drejtor i arsimit për komunënë e Istogut, Sadik Bicaj, drejtor i shkollës në fshatin Vrellë, Nuredin Ymeraj, koordinator i arsimit në komunë, Zeqir Mehmetaj, drejtues i radios “Fontana” në qytetin e Istogut. Dikush ardhjen e tyre e quan nder, ndërsa unë e quaj detyrë shqiptarie, pasi në themel të kësaj shkolle janë edhe emrat e mësuesve të ardhur nga Kosova, shtoj këtu edhe një arrsye më tepër: po mbushen plot dhjetë vjet lidhje mes dy shkollave, të Shënavlashit këtu dhe të Vrellës atje.

Drejtore e shkollës znj. Merita Teta (Mema), si nikoqire e shtëpisë, në emër të kolektivit mësimor, u uroi të gjithë pjesëmrrësve mirëseardhjen në këtë ditë të shenjtë për fshatin dhe për shkollën. Mes të tjerave ajo shprehet: “Jam e lumtur që më takoi mua si drejtore e re, që të përjetoj e të organizoj këtë ngjarje kaq të madhe, të pres si asnjëherë tjetër, kaq miq e shokë, kolegë të nderuar drejtues dhe mësues dhe ish nxënës, të cilët u bënë kuadro të zot dhe specialist me emër, të njohur në Durrës dhe në mbarë vendin. Unë i admiroj të gjithë ata drejtues, mësues e mësuese, që ndaj një çshtje kaq të madhe, siç është arsimi, punuan, luftuan dhe përballuan vështirësitë e kohës. Ishin ata që me përkushtim misionari mësuan dhe edukuan breza të tërë nxënësish, duke mbajtur gjallë etjen për liri dhe dëshirën për dije e përparim. Jëmi krenar, që ne brezi më i ri po e vazhdojmë udhën e tyre të ndritur”.

1-bajram-gashi-pershendet

Në një ngjarje të tillë me vlera jo vetëm për Shënavlashin dhe Durrësin, por edhe në rafshin e arsimit kombëtar, urimet burojnë nga shpirti dhe zemra. Këtu e gjen burimin edhe përshëndetja e kryetarit të bordit të shkollës z. Shpëtim Hidri, Fjalët dhe urimet e tij shprehën nderim për të gjithë brezat e mësuesve, duke vlerësuar edhe dëshirën e prindërve, djemve dhe vajzave të fshatit, si arsimdashës për shkollë e dije. Ndryshe nuk ka si shpjegohet krijimi i asaj elite intelektuale, me të cilët krenohemi sot.   

Përshëndetja e Agim Haxhiut u prit me duartrokitje, sepse solli zërin e kolegëve mësues dhe të nxënësve shqiptar të Kosovës: “Është krenari për ju dhe për ne ky 100-vjetor, pasi lufta për pavarësi kombëtare dhe lufta për shkollë shqipe ishte qëllimi dhe objektivi ynë i përbashkët. U munduat shumë ju, por vuajtëm shumë edhe ne, pasi historia u tregua e pamëshirshme, sepse na e ndanë kombin në disa pjesë, me kufinj të mallkuar që rrallë kush i klonte. Jemi të lumtur, që tani me Kosovën e lirë e të pavarur, shkojmë e vijmë sa herë të duam, duke marrë pjesë në tubime, festa e ngjarje të tilla, që i bëjnë nder arsimit shqiptar. Është bukur kur jemi bashkë e festojmë sëbashku. Urojmë që përvjetorë të tillë të kenë edhe shkollat e tjera kudo qofshin ato”.

– Kur shikoj këtë shkollë kaq të bukur, – shprehet me nostalgji Fiqiri Resuli, ish mësues në shkollën e Shënavlashit në vitet 1961-1964 – më vijnë ndërmend ato vite të vështira, kur shkolla pikonte, dyshemeja ishte prej dheu, ndërsa dritaret ishin me rrypa xhami ose të zëna me letër, ku era e dimrit loste sinfoni që nga soprano e deri te kondrabasi. Veç kujtoj edhe dëshirën dhe idealizmin e mësuesve. Ishte i magjishëm, i admirueshëm. Besoj se këtu gjen vend edhe fjala e urtë arabe: “Shkolla le të jetë kasolle me kashtë, por me mësues të mirë”.

Bajram Gashi, i cili sapo ka ribotuar librin “NJË SHEKULL NË UDHËN E DIJES. Historia e shkollës Shënavlash”, shprehet: si bir i fshatit dhe ish nxënës, si ish mësues dhe ish drejrues i kësaj shkolle, po me brente meraku për t’i lënë këtij tempulli të dijes, një shkrim, një histori. Jam i lumtur që e realizova. Në punë e sipër mësova e kuptova se sa mund e djersë, dije e shpresë, është harxhuar për ta filluar shkollën, për ta mbajtur e vazhduar për gjatë 100 vitesh, e për ta sjellë deri ditën e sotme. Jam mrekulluar me dokumentat që kam gjetur, veçanërisht me jetën dhe veprimtarinë e mësuesve e më pas të nxënësve të kësaj shkolle.

Ishte data 24 tetor 1916, si sot 100 vjet më parë, kur në Shënavlashin tonë tingelloi për herë të parë, “a-b-c-ja” në shqip. Ishte Stefan Nosi, mësusi i parë i gjuhës shqipe. Shkolla si fillim kishte gjithsej 15 nxënës. Nuk po vazhdoj kronollogjinë e viteve, pasi ato janë në libër, ndaj si fillim po e nis me drejtuesit, për të cilët kam nderim të veçantë, sepse secili në kushtet e kohës bëri ç’mundi për të lartësuar emrin e kësaj shkolle. E filloj nga viti 1947-1948, kur shkolla kaloi në sistemin 7-vjeçar, me drejtore Vasilika Panteqi, më pas Ramadan Kalaci. Elbasanlliu Qazim Kuqashi. Agim Dermani. Zyber Abazi. Naim Hoxha. Loni Tiço. Pandeli Caku. Luan Zenelhoxha. Marika Bardhi. Xhavit Dashi. Riza Gashi. Alma Oshafi. Bajram Gashi. Ismet Laçi. Migena Kola. Bilbil Musai. Aktualisht drejtore kemi znj. Lindita Teta (Mema).Besoj se kam të drejtë të them, që në këtë 100-vjetor të ndalemi të kujtojmë e të nderojmë disa emra mësuesish, te cilët kanë një histori pak ndryshe nga të tjerët, sepse jeta e tyre pati tjetër fund.

1-djali-me-cifteli

Po e nisi me mësuesin kosovar Bajram Sali Gashi, i cili në vitin 1940, la klasën dhe nxënësit dhe msyni në Kosovë, mori pushkën, formoi çetën e tij dhe luftoi dhëmb për dhëmb kundër serbo-çetnkeve. Në luftë me ta u vra, më 8 Shkurt 1945. Fund heroik për një mësues. Çuditërisht, për gjysëm shekulli, emri i Bajram Sali Gashit ishte i anatemuar nga dy palët e komunistëve, jugosllav dhe shqiptar. Megjithse edhe godina e shkollës në Shënavlash dhe në Fllakë, ishin pronë e familjes së Bajramit, s’guxonte njeri të ngrinte zërin.

Po kështu edhe Tofik Deljallisi, mësues disa vjet në shkollën tonë gjatë kohës së monarkisë. Ai rridhte nga një familje fisnike dhe tradita atdhetare shijakase. Ishte ai që u pushkatua nga komunistët e diktaturës, me grupin e deputetëve në vitin 1947.

Ashtu si shumë të tjerë, as unë, nuk dija gjë për mësuesin gjakovar Haki Taha, sepse ishte e ndaluar të flitej për të! Ishte cilësuar si “Nacionalisti i rrezikshem”. Edhe ky në vitin 1940, u kthye në Kosovë, duke vazhduar karierën e tij në mësuesi, në Gjakovën e lindjes. Jetonte dhe nuk e pranonte tragjedinë e kohës që po luhej mbi shqiptarët e Kosovës. Ky ish mësuesi i Shënavlashit, që më 13 mars 1945, kur nga Prizëreni po niseshin për në “Masakrën e Tivarit”, mijëra djem nënash, shkon në Prishtinë për te Miladin Popoviçi, i futet në zyrë, i zhgreh tre plumba në kokë dhe qetë-qetë largohet. Mbas pak, për të mos rënë në duar të serbëve vret veten.3-bashkw-ne-festa-e-gezime

Jam i detyruar që të ndalem në copëza të historisë 100-vjeçare të shkollës sonë, duke i pranuar si pika kthese në veprimtarinë e saj. Koha e kërkonte që në shkollë të kishte mësues, djem e vajza të fshatit.  Kështu që, në vitet 60-të, dolen normalistët e parë, si Osman Xhumra, Riza Gashi, Hava Braho, Filip Rikani, Muharrem Dulli, Zija Hyka, Kristo Noni, Nurije Mara (Keta), Hysni Mara, Bajram Gashi, Musa Hasa, Kristina Bardhi, Marika Bardhi, më pas vazhduan edhe plot të tjerë.

Me nderim duhet permendur edhe kontributi i madh në arsim i grave mësuese, të cilat krijuan familje në Shënavlash. Kështu: Liri Dulli. Xhevrije Xhumra, Vito Noni, Proletare Sherifi, Fiqirete Disha, Ruzhdije Plaku, Sabrije Gashi, Frane Ndoj, Xhevedije Krruçi, Fatmira Pashkaj, Shefikate Dedja, Mimoza Bajramaj, Hamide Gashi, duke nderuar edhe mësueset, që vijnë nga qyteti, plot gra e vajza, të cilat ndihmuan në arsimimin dhe civilizimin e fshatit, në veçnti të femrës dhe familjes.

Historia e shkollës në vetvete është jeta dhe veprimtaria e mësuesve dhe e nxënësve të suksesshëm të dalë nga kjo shkollë, të cilët nuk janë pak. Nuk e kam gabim kur pyes: Cili është metri me të cilin masim vlerat e një shkolle, veçse me nxënësit e mirë? Të tjerët mund të shtojnë: Cilët janë disa nga ata, që më pas u bënë të njohur në detyrat që shërbyen?..

Ali Meta (Berisha), sot banor i fshatit Qerret, nxënës në shkollën tonë në vitet 1938-1939, më vonë nxënës i Nomales së Prishtinës, dhe më pas mësues në disa shkolla të vendit.

Umbert Çumashi, kryen universitetin e Pekinit për mjeksi- dhe farmaci, përkthyes, inxhinjer kimist, farmacist.

Enver Plaku, mbaron Akademinë e Arteve në Tiranë, për aktor dhe regjizor. Më von kryen detyrën e drejtorit në Pallatin e kulturës “A. Moisiu” në Durrës. Si artist dhe reegjizor, ka luajtur e realizuar disa role në filmat shqiptar.

Miri Hoti, mjek kirurg, i njohur në mbarë vendin. Pedagog në fakultetin e mjekësisë. Drejtor spitali në Durrës. Deputet në kuvendin e Shqipërisë. Kryetar Bashkie në vitet 2000-2003. I dekoruar disa herë. “Njerui i vitit”, nga Këshilli bashkiak i Durrësit. “Qytetar nderi i qytetit të Durrësit”. Mban titullin “Mjeshtër i Madh”, dhënë nga Presidenti i Republikes.

Leonora  Bardhi, kryen universitetin në Pekin. Punon për vite të tëra si përkthyese në organet e larta qeveritare dhe bashkëpunëtore shkencore. Ka kryer kursin e lartë të filozofisë. Në vitin 1993, i akordohet  grada “Doktore e shkencave”.

Hazir Gashi, ekonomist, inxhinjer ndërtimi, president i firmes “Dranova”. Gëzon plot tituj: “Nderi i qytetit të Durrësit”, “Fisnikëria e qytetit të Durrësit”. Takon Papa Gjon Pali i II-të në Vatikan, në Romë, në Korrik 2004, si pjestar i një delegacioni nga qyteti i Durrësit.

Dafina Dhima (Bici), mjeke pediatre me nje shpirt te madh dhe shume humane, mike e nënave dhe fëmijëve të fshatit e të Durrësit.

Hysen Gashi i zgjedhur kryetar komune në 4 legjislatura nga vota e popullit. Punoi me shumë përkushtim në infrastrukturë, duke i dhënë një pamje të re komunës sonë.

Lista bëhet e gjatë. Unë po mjaftohem me kaq, pa i mbetur hatëri edhe shumë të tjerëve. Veç për një gjë dua ta ngre zërin: Ne mësuesit mburremi me nxënësit tanë, fshati mburret me bijtë e tij dhe rrethi i Durrësi mburrët me kuadrot dhe specialistët që kaluan në bangat e shkollës tonë. Historia vazhdon. Tani në Shënavlash kemi edhe shkollë të mesme. Të tjerë nxënës dhe bij të fshatit, do të ndjekin shkollat e larta dhe do të bëhen njerëz të zot, që do të nderojnë shkollën e fshatin dhe do të drejtojnë sektorë të ndryshëm të arsimit, kulturës, shkencës dhe detyrave shtetërore.

Jam i lumtur, besoj si shumica në këtë tubim brezash, që po kujtojmë dhe festojmë 100-vjetorin e shkollës së Shënavlashit. Në rrugën e vështirë të dijes, secili nga ne vuri një gurr në historinë e kësaj shkolle. Të tjerët që do vijnë do ta ngrenë më lart emrin dhe nderin e saj.

Unë si bir i këtij fshati, si ish nxënës, mësues dhe drejtues i kësaj shkolle, kam nderin të uroj: Shkolla e Shënavlashit të festojë edhe qindra përvjetorë në udhën e dijes”.

Pas një koncerti festiv, një vizitë në mjediset e shkollës, ku vend të veçantë zinin stendat me foto dhe dokumenta të 100 viteve shkollë.

Filed Under: Reportazh Tagged With: 100 vjet, Kadri Tarelli, shkolla e Shenavlashit

100 Vjet nga botimi ne SHBA i Gazetes Kombetare”VULLNETARI”

April 4, 2016 by dgreca

Keto dite ne arkivin e Vatres mberriti koleksioni i Gazetes Kombetare”Vullnetari”, qe nisi publikimin me 18 Shkurt 1916 dhe vijoi botimi per nje periudhe 2 vjecare. GAZETA kishte botues dhe editor vatranin Kol P Rodhe, nje vatran besnik, nje atdhetar qe dha shume ceshtjen Kombetare. Ai ishte kryetar i Shoqates Besa-Besen, shoqates kryesore, nje nga shtyllat e krijimit te Vatres, nje organizator i palodhur i Shoqates “Arsimi”, nje nder kontributoret e rendesisishem ne Fushaten per shpetimin e Shqiperise, organizuar nga Vatra. Kole Rodhe si shume vatrane te tjere lane Ameriken dhe shkuan qe t’i sherbejne Shqiperise. Si shume vatrane te tjere u ndeshkua me burg. Me propozimin e Vatres, Kole Rodhe u dekorua nga Presidenti i Shqiperise z. Bujar Nishani.

Koleksionin e Gazetes “Vullnetari” ne Vater e dhuroi i nipi i Kol Rodhes, z. Emil Nace, qe jeton ne Chikago, te cilin e falenderojme publikisht. Ne numrin e ardhshem te Gazetes Dielli do te botojme nje speciale rreth kesaj gazete.

Filed Under: Vatra Tagged With: "VULLNETARI", 100 vjet, Kombetare, nga botimi ne SHBA i Gazetes

100 vjet me Shën Marinë – me besë dhe shpresë për Shqipërinë

September 23, 2015 by dgreca

 Kisha shqiptare në Amerikë që feston këtë javë 100-vjetorin/

Shkruajne:Franklin Zdruli, Thanas L. Gjika/am-arkivë (23)

(Fotot nga A. Murraj)/

Shqiptaro Amerikanet e qytetit Worcester (Uster) MA, me 26 e 27 shtator do te festoje 100-vjetorin e krijimit te kishes “FJETJA E SHE MARISE”, kishe e cila e bashkoi komunitetin shqiptar dhe i dha mundesi per veprimtari ne sherbim te diaspores dhe te kombit. Kjo jete nje shekullore perben nje faqe nderi per historine e emigracionit tone ne ShBA dhe nje ure lidhese me atdheun meme e mbare kombin shqiptar.
Sot, Worcesteri eshte qyteti i dyte per nga madhesia ne gjithe New England-in, pas Bostonit. Ai ka luajtur nje rol shume te madh ne zhvillimin ekonomik te shtetit Massacusets dhe te mbare ShBA-ve. Qe ne fillim ai u projektua si qytet industrial metropolitan. Kujtojme ketu fabrikat e shumta, ato te armeve e ushqimore, etj. Industrializimi e shnderroi qytetin ne nje kompleks uzinash e fabrikash, por edhe ne nje qytet ku bukuria natyrore ta ben me te lehte jeten dhe pushimin. Ketu gjen gjelberim, pyje, perrenj, liqene. Ne Worcester gjendet parku i pare i krijuar me fonde private te dhuruar shtetit qe mban emrin ELM PARK. Sot Worcester eshte zhnderuar ne nje qytet studentor dhe cilesohet si qyteti i pare ne Amerike per numrin e kolegjeve qe ka ne vetvete. Permendim ketu disa nga me te shquarit si ASSUMPTION COLLEGE, WPI, CLARK University dhe HOLLY CROSS, qe renditen ne nivelet e larta si ne shkalle kombetare dhe ate nderkombetare.
Worcesterit po i ndryshon qendra nga viti ne vit, duke marre pamje gjithnje e me te bukur me dyqanet e shumellojshme, restorantet e guzhinave nga gjithe bota, si dhe ndertesa muzesh, ndertesa e teatrit Hanover, ku ekspozohen arritje te artit amerikan e boteror, si dhe salla famoze “Mechanic Hall”, e cila eshte endra dhe krenaria e cdo muzikanti dhe orkestre pasi eshte e vecante per akustiken e saj te larte . Nuk duhet harruar muzeu i artit i cili gjithashtu ka nje njohje boterore per ekspozimin e shume veprave origjinale me vlere. Me pak fjale ky eshte Worcesteri, te cilit shqiptaret i thane “shtepia jone” qe para vitit 1900, kur erdhen emigrantet e pare dhe sidomos pas krijimit te kishes. Jo rastesisht ne vorrezat e ketij qyteti u varros shqiptari i pare, djaloshi Kristaq Dishnica, te cilin nuk pranoi ta varroste kisha greke e asaj kohe, dhe Noli u detyrua te vishte roben prifterore per te mos i lene shqiptaret orthodokse te nenshtruar ndaj synimeve shoviniste asimiluese te prifterinjve greke te asaj kohe.
Sot ne kete qytet numerohen gati 20 000 Shqiptaro-Amerikane. Kur filluan te vinin shqiptaret e pare ketu, shume pak prej tyre regjistroheshin shqiptare, shumica regjistroheshin si qytetare otomane, ose qytetare greke. Ne Massachusetts, emigranti i pare qe njihet i regjistruar si Shqiptar quhej Kole Kristofori nga fshati Katund i Korces. Ai mberriti ne ShBA ne vitin 1884 dhe jetoi disa vjet ne Worcester e me tej u shperngul ne Boston MA, ku u dorezua me vone prift. Ne vitin 1884 ne zyrat e emigracionit ne State Island u regjistrua si shqiptar edhe nje emigrant tjeter me mbiemrin Konduli, djalosh nga qyteti i Korces, i cili u vendos se pari ne New York, por shume shpejt shkoi ne Alaske ku punoi shume vjet e me tej u kthye ne atdhe. Numeri i emigranteve qe regjistroheshin si shqiptare filloi te rritet mbasi u dorezua prifti i pere shqiptar At Noli dhe sidomos mbas shpalljes se Shqiperise shtet i paverur me 1912.
Askush nuk e harron kontributin dhe perkushtimin e Fortlumturise se tij Fan Stilian Noli ne ngritjen dhe drejtimin e Kishes Orthodokse Shqiptare ne ShBA, por jo kushdo sot i njeh vlerat dhe kontributin e perkrahesve dhe atdhetareve qe e zgjodhen Nolin per udheheqes dhe e ndihmuan ne cdo hap. Shumica e tyre ishin prej kolonive shqiptare ne perendim te Bostonit si Southbridge, Worcester, Natick, Frammingam, Clinton, etj. Deri ne kete kohe shume shqiptare kontribuan ne ngritjen e disa kishave te tjera qe i perkisnin nje komuniteti etnik te perzier me shqiptare, greke, siriane, armene, ruse, e besimtare te tjere orthodokse. Keshtu u ngrit kisha “Shen Kostandini dhe Helena” ne Webster MA nga Polenaket e Korces , apo “Shen Spiridhoni” ne Worcester, te cilen e ndertuan shqiptare te erdhur prej Greqise Veriore ne kufi me Shqiperine. Duke qene se keta emigrante, shteti grek nga ishin nisur dhe komuniteti grek i ketij qyteti qe i priti, i quante greke per shkak se ishin banore te Greqise dhe orthodokse per nga besimi, u deturuan qe te mbeteshin miq me besimtaret greke, fakt qe ndikoi ne greqizimin e plote te femijeve te tyre.

Fotomontazh per 100-vjetorin nga A. Murraj

Per shkak te besimit orthodoks dhe te njohjes se greqishtes qe kishin mesuar neper shkolla greke te Shqiperise, e quajten veten greke edhe mjaft shqiptare qe erdhen nga zonat e Shqiperise se Jugut. Edhe sot disa shqiptare qe e filluan jeten e emigracionit se pari ne Greqi, ku mesuan greqishten dhe shijuan per te paren here jeten e lire, kur vijne ne USA, behen anetare ne kishen greke te “Shen Spridhonit”, me qe ajo eshte me prane shtepive ku ata jetojne dhe ku mesha mbahet greqisht, gjuhe qe ata nuk duan ta humbasin.
Per t’u permendur eshte fakti se kisha e pare shqiptare orthodokse e ndertuar me ndihma financiare dhe pune vullnetare prej emigranteve shqiptare eshte kisha e “Shen Kollit” (Saint Nicola) ndertuar me 1912 ne Southbridge MA. Kurse kisha e pare shqiptare e qytetit Worcester MA kushtuar Hyjlindeses Mari, me emrin “Fjetja e Shen Marise” (Saint Mary Assumption) u inagurua ne vitin 1915 ne nje godine kishe te blere prej shqiptareve, kurse kisha madheshtore qe kemi sot u ndertua me ndihmat financiare te shqiptaro-Amerikaneve me 1982 ne adresen 535 Salisbury Street dhe u zgjerua e zbukurua ne vitet 1995-2000. Mbas shtesave dhe plotesimit te ambjenteve te brendshme me piktura te realizuara prej piktorit te talentuar Dhimiter Chika, kisha jone eshte nder kishat shqiptare me te bukura ne mbare Ameriken. Kjo kishe bashke me Katedralen e “Shen Gjergjit” Boston MA, “Shen Kollit” ne Southbridge, ate te “Ungjillezimit” ne Natick dhe kishat e tjera orthodokse shqiptare ne shtetet New York, Michigan, Ilinois, etj jane anetare te denja te Peshkopates Amerikane Orthodokse.
Gjate ketij shekullit te pare te sherbimit fetar te kishes “Fjetja e Shen Marise” kujtojme me respekt dhe perkulemi me perulesi kujtimit te prifterinjve te pare qe sherbyen ketu si At Stath Melani, Rev. Pandi Sinitza, Arch. Thimi Theodhos, Rev. Naum Cere, te cilet u shquan krahas forcimit te besimit edhe per brumosjen e besimtareve me atdhedashuri dhe mesimin e gjuhes shqipe. Mesimin e gjuhes shqipe me femijet e lindur ne emigracion e vijoi atdhetari Peter Kolonja mbasi At Stathi shkoi ne Permet me 1917 per te vijuar punen ne sherbim te kishes e te atdheut, ku dhe u vra ne dhjetor te atij viti prej disa forcave shoviniste greke. Gjate ketij shekulli ne kete kishe kane sherbyer me shume se 12 klerike, midis te cileve sherbeu me gjate Very Rev. Spiro Page. Sot sherben Very Rev. Father Timothy Lowe.
Gjate dhjetevecareve ne vazhdim shqiptaret jo vetem u ingranuan ne shoqerine amerikane duke u bere anetare te denje te saj por ata identitetin e tyre se bashku me besimin si pjese e pandare e trashegimise identitare e ruajten si nje amanet prej te pareve. Ne bisedat me te moshuarit sot ata tregojne me nostalgji se kur ngrinin dolline e pare ne festat per nder te dites se pavaresise urimi fillonte me fjalet: “Dhe mot ne Shqiperi”.
Ishin pikerisht ndjenjat atdhetare e fetare qe i kane shtyre shqiptaret e Worcesterit per te mbajtur gjithmone flamurin e shqiptarizmes e te ndershmerise ne rrugen e tyre te ngritjes , te integrimit dhe te rruajtjes se identitetit shqiptar ne diaspore dhe me gjere. Ne kete udhetim shekullor do te duhej kohe te shfletonim gjithe te shkuaren aq me teper ta analizonim ate por disa pika te rendesishme eshte e domosdoshme t’i njohim.
Shqiptaret e Worcesterit e kane manifestuar gjithnje hapur e me kurajo ndjenjen e liridashjes dhe ruajtjen e identitetit kombetar me cdo cmim . Ishin pikerisht keta shqiptare qe mbeshteten dhe financuan Ismail Qemalin ne fund te Luftes se Pare Boterore per perfaqesimin e Shqiperise ne oborret e Fuqive te Medha ku luftoi kunder coptimit te metejshem te Shqiperise. Ishin perseri bijte e ketij komuniteti qe perkrahen organizaten “Shqiperia e Lire” dhe vizionin e pare demokratik te shpalosur nga Kostandin Cekrezi per nje Shqiperi te lire dhe zgjedhje demokratike me ndihmen e SHBA-ve mbas Luftes se Dyte Boterore. Po keta shqiptaro-amerikane te Worcesterit derguan qindra mijera dollare ne Shqiperi per te ndihmuar familjet e tyre gjate kohes se monizmit. Kohe, kur populli yne neperkembej prej sunduesve te pashpirt qe mashtronin duke propaganduar nje te ardhme te lumtur, per te fshehur te tashmen e mjerueshme ku zvarritej populli cdo dite. Keta Shqiptaro-Amerikane nuk u dekurajuan nga realiteti i nje shteti mosmirenjohes dhe per gati 50 vjet u munduan te vijonin ruajtjen e shqiptarise, ne ngjashmeri me komunitetin shqiptar te Italise se Jugut, qe perjetoi izolimin nga mema per me shume se pese shekuj.
Komuniteti shqiptar i Worcester-it e di mire se besimi dhe shpresa ne Jezu Krishtin eshte rruga me e sigurt per te care erresiren dhe izolimin drejt nje bashkimi te qendrueshem. Edukimi i femijeve ne shkollen e se dieles (Sunday School) ne ambentet e kishes eshte nje pune e mire per formimin e ndergjegjes se te rinjve me ndjenja fetare. Ndergjegja e te tille njerezve, si te themi paiset me ate llamben qe ndizet ne trurin e tyre sa here ata ndodhen para kryerjes se nje hapi te gabuar ne jete, llampe e cila me driten e saj jep alarmin qe te mos kryhet nje vjedhje, nje genjeshter, ose nje krim. Per nje llampe te tille kemi nevoje te gjithe, prandaj shume prinder te rinj shqiptare i sjellin femijet e tyre ne kishe cdo te djele dhe jo vetem per t’i pagezuar ose kurorezuar. Lum ata prinder qe e kane kuptuar se ardhja ne kishe bashke me femijet nuk eshte humbje kohe, por perfitim i madh moral, eshte nje kapital i rendesishem per jeten e cdo njeriu. Ne kete drejtim shquhen shqiptaro-amerikanet e lindur ketu, te cilet ndjekin rrugen e prinderve te tyre, kane ardhur dhe vijne regullisht ne kishe, kane ndihmuar e ndihmojne kishen financiarisht me dore te hapur duke dhuruar shuma te konsiderueshme. Ne shqiptaro-amerikanet e ardhur rishtas duhet t’i kemi per shembull te tillet besimtare dhe te ecim ne rrugen e tyre.
Ne kete 100-vjetor vlen te permendim disa prej besimtareve e veprimtareve te shquar te kishes sone me familjet e tyre. Le te permendim Mr. Willian Jons (Vasil Kamenica), Dr. George M. Laska, Norman Simon, Dr. Theodor S. Themel, te cilet kene fituar titullin e larte “Kalores i Shen Gjergjit”. Po ashtu permendim Mrs. Mariolla Spiro, Paty Morris, Mr. Louis R. Pero, juristet Gregory Steffo e Gary Peter si dhe shume e shume te tjere, qe kane sherbyer here si kryetare te Keshillit Laik, here si kengetare te korit te kishes, nxites te veprimtarive te ndryshme, ose kane sherbyer si kryetare te shoqerive e organizmave te ndryshme te kesaj kishe. Komuniteti shqiptar prane kishes se Shen Marise ne Worcester ka luajtur rol te rendesishem ndermjet te tjerash ne ngritjen e qendres se pare rehabilituese per te moshuarit, nga besimtaret orthodokse “Holy Trinity” . Ngritjen e qendres se kujdesit per femijet e moshes parashkollore ne ambjentet e kishes “Fjetja e Shen Marise”. Ndertimin e godines se pare per strehimin e te moshuarve me emrin “Illyrian Gardens”, ndertimin e programeve te ndryshme per femije dhe te rinj shqiptare, si dhe organizma te ndryshme. Disa prej tyre jane “Kori i kishes” (The Church Choir) krijuar me 1917, “Bijat e Shen Marise” (Daughters of Saint Mary’s) krijuar me 1951, “Te rinjte e Shen Marise” (Saint Mary’s Youth Group) krijuar me 1968, “Bijte e Shen Marise” (Sons of Saint Mary’s) krijuar me 1972 dhe shume shoqeri e grupe te ndryshme teatrale, sportive, muzikore, etj., si dhe organizaten AANO etj.
Aktiviteti shoqeror dhe besimtar i ketyre organizmave ka qene i larmishem qe prej fillimit te tyre e deri ne ditet tona duke perfshire mesimin e kengeve dhe valleve shqiptare, mesimin e gjuhes shqipe, organizimin e mbremjeve festive per festa te ndryshme, sidomos te 28 Nentorit, dhenie shfaqjesh, si dhe dhenie ndihmash ne komunitet dhe me gjere per te riardhurit, dhenie bursash e ndihmash vjetore per studentet Shqiptaro-Amerikane, si dhe dhenie ndihmash per shkolla dhe organizma bamirese per te realizuar projektet e tyre.
Pas vitit 1991 komuniteti shqiptar i Worcester-it u gjend ne nje realitet shokues, sepse duke u hapur Shqiperia, shqiptaret filluan procesin zinzhir per te terhequr njeri tjetrin ne mergim. Kisha e Shen Marise u be pike referimi per shume e shume shqiptare te riardhur. Duhet te kujtojme se nepermjet dedikimit te anetareve te saj ne bashkepunim me organizaten NEARO u dergun fillimisht ne Shqiperi dhe me pas ne Kosove mijera e mijera pako me ushqime dhe veshje te ndryshme. Gjate luftes se Kosoves e me pas nepermjet fushates fondmbledhese qe Kisha jone mori persiper u grumbulluan dhe u shperndane rreth 300 000 dollare ne forme ndihme monetare per refugjatet kosovare te shperngulur nga trevat e tyre.
Sot qendra komunitare per ndihme sociale per emigrantet “Friendly House” eshte fakti me i gjalle qe te riperterin kujtesen. Kjo qender u krijua per t’u ardhur ne ndihme emigranteve shqiptare qe per vite me radhe nuk pushoi dhe sot vijon veprimtarine e saj ne ndihme te emigranteve te rinj.
Veprimtaria e ketij komuniteti kompletohet dhe me programin e ores shqiptare qe trasmetohet live cdo te shtune nga ora 8-00 deri me 10-00 ne mengjes. Ky radioprogram eshte programi me i vjeter i vazhdueshem ne shqip ne mbare Ameriken, themeluar prej Llazo Progrit e me pas mbajtur prej Dhimiter Stefos, kurse sot mbahet prej ciftit Andrea e Rebeka Tanace. Krahas ketij radioprogrami ka disa vjet qe transmetohet prej z. Arben Kamberi dy here ne jave emisioni televiziv ne gjuhen shqipe ne kanali 13. Pjese e rendesishme e veprimterive kulturore eshte dhe grupi “Vallet Tona”, i cili vijon te pergatite me dhjetera femije cdo vit per me se 10 vjet nen koreografine e zotit Dhimiter Demiri.
Komuniteti shqiptar i Worcesterit ka nje liste te gjate veteranesh qe kane marre pjese ne Luften e Pare dhe te Dyte Boterore, ne Luften e Korese, te ate te Vjetnamit, etj, madje ka dhe deshmoret e vet ne keto luftra. Keto jave komuniteti yne festoi 100-vjetorin e veteranit te L. II B., z. Vangjo Naum, i cili ka ardhur ketu me 1936 nga Drenova e Korces.
Vlen te permendim se ky komunitet i ka dhuruar disa vjet me pare qytetit tone Majoren e pare shqiptare ne mbare Ameriken, zonjen Kostandina Lukes, e cila vijon t’i sherbeje komunitetit si keshilltare ne bashki. Ne festimet e 100-vjetorit te pavaresise se Shqiperise ish Majorja dhe komuniteti i Worcesterit kishin nderin te pershendetnin nga prane Ambasadorin shqiptar te SHBA Mr. Gilbert Galanxhi tre here brenda nje viti.
Ne kete 100-vjetor te kishes sone ky komunitet i dhuron shtetit Massacusets Mbretereshen e Bukurise Miss Massacussets 2015, zonjushen Polikseni Manxhari si nje fakt se vajzat shqiptare nuk jane vetem te zgjuara e nikoqire, por edhe te bukura. Ne kete 100-vjetor komuniteti prane kishes “Fjetja e Shen Marise” i dhuroi qytetit Worcester veprimtarine me te madhe dhe me te bukur shoqerore e familjare, Festivalin Shqiptar . Ky eveniment zhvillohet cdo dy vjet per 33 vjet me radhe ne oborrin e kishes nga anetaret e komunitetit . Kete vit ne kete ngjarje moren pjese me shume se 13 000 vizitore te cilet erdhen jo vetem nga qyteti dhe qytezat rrotull, por edhe nga shtete te ndryshme te Amerikes e Kanadase. Ky festival kete vit iu dedikua 100-vjetorit te themelimit te kishes. Eshte per te theksuar se ne kete festival na nderuan me pjesemarrjen e tyre dhe me urimet personalitete te pushtetit vendor te qytetit, midis te cileve permendim keshilltaret dhe Majorin Joe Petty, kongresmanin Mr. Jim Mcgovern, senatoren locale Harriet Chandler si dhe zevendes guvernatoren e Massacusets Mrs. Karen Polito, sherifin e Worcester County me origjine shqiptare, Mr. Lou Evangjelidhis.
Mirepo nuk mund te leme pa permendur faktin qe per kete ngjarje, e cila ka marre permasat e nje feste kombetare, Shqiptaro-Amerikanet e Worcesterit prisnin te pakten nje urim, nje pergezim, i cili fatkeqesisht nuk erdhi, as nga zyrtare te atdheut e as nga ambasada jone e ketushme. Nje indiference dhe heshtje e tille prej atdheut meme deshmon per mosnjohje dhe mosmirenjohje. Qeveria shqiptare duhet ta marre me seriozisht lidhjen me diasporen, dergimin ne diaspore te teksteve mesimore te gjuhes shqipe, te historise, te letersise dhe harta te ndryshme te atdheut e te mbare trojeve shqiptare. Nese qeveria shqiptare ndihmon seriozisht diasporen ne plan kulturor e shkollor, neser mund te dalin prej saj personalitete te shquar te artit, letersise, shkences, biznesit, etj, si dikur Marin Becikemi (alias Marin Barleti), Leonik Tomeu, etj prej diaspores shqiptare te Italise se Veriut; Jeronim de Rda e Gavril Dara me shoke prej diaspores se Italise se Jugut; Merko Bocari, Anastas Kullurioti e A. Kupitori prej diaspores se Greqise; Fan Noli prej diaspores se Thrakes Lindore etj. Sa me shume kohe kalon aq me shume ky mosinteresim i qeverive te atdheut ndikon ne dobesimin dhe tretjen e diaspores shqiptare ne bote. Duhet pasur parasysh se ne diasporen e re shqiptare po shkollohen studente shqiptare nga me te miret e Amerikes dhe te Europes, po lindin biznesmene, te cilet neser mund te kthehen ne nje burim energjish e pasurish te pazevendesueshme per atdheun…

am-arkivë (2)

Peshkopi Nikon dhe disa klerike, v. 2009

 

Moment Pashkesh, v. 2015

 

Pamje ballore e kishes "Fjetja e Shen Marise"

 

 

am-arkivë (21)

 

 

Peshkopi NIKON dhe Father Timothy mes personaliteteve qe peruruan Festivalin e v. 2015

 

 

am-arkivë (5)am-arkivë (13)am-arkivë (18)am-arkivë (23)am-arkivë (28)am-arkivë (32)ILLYRIA

Filed Under: Histori Tagged With: 100 vjet, Franklin Zdruli, Kisha Shen Marise, Thanas Gjika

100 vjet – marrëdhënie diplomatike midis Rumanisë dhe Shqipërisë

December 22, 2013 by dgreca

Në dhjetor të këtij viti u mbushën 100-vjet që nga dita kur qeveria rumune dërgoi një përfaqësues diplomatik pranë autoriteteve shtetërore të Qeverisë së Durrësit në Shqipërinë  e pavarur, duke pranuar, pa mëdyshje, ekzistencën e shtetit të ri shqiptar. Më konkretisht, Qeveria e Bukureshtit ishte e para qeveri europiane që i shtriu dorën miqësore autoriteteve të reja shqiptare, duke u konfirmuar marrëdhëniet e mira që kishin rumunët dhe shqiptarët përgjatë historisë. Kësisoj, duke filluar nga 15 dhjetori i vitit 1913, mbretëria e Rumanisë dërgoi Ministrin Fuqiplotë dhe të Jashtëzakonshëm, N. Burghele, pranë Qeverisë Shqiptare. Qysh nga ajo kohë e deri më sot, shteti rumun ka akredituar në Tiranë 21 përfaqësues të lartë diplomatikë, ashtu si dhe Tirana ka dërguar një numër të barabartë ambasadorësh në Bukuresht.

Për të shënuar këtë ngjarje, Ministria e Jashtme në Bukuresht, në bashkëpunim me Lidhjen e Shqiptarëve të Rumanisë, organizoi një tryezë të rrumbullakët, që kishte si temë njëqind-vjetorin e marrëdhënieve diplomatike midis Rumanisë dhe Shqipërisë. Nga ana e Ministrisë së Jashtme të Rumanisë morën pjesë Sekretari i Shtetit pranë kësaj ministrie, z. Radu Podgorean, z. Viorel Stanila, ambasadori aktual i Rumanisë në Tiranë (i cili edhe inicioi dhe përkrahu këtë projekt) si dhe George Micu, ish ambasador i Rumanisë në Shqipëri. Lidhja e Shqiptarëve të Rumanisë përfaqësohej, nga ana tjetër, nga znj.Oana Manolescu, përfaqësuese e pakicës shqiptare në Parlamentin rumun, Marius Dobrescu gazetar dhe shkrimtar, kryeredaktor i revistës “ Miku i Shqiptarit”. Në këtë tubim morën pjesë edhe përfaqësues të trupit diplomatik të akredituar në Bukuresht, historianë dhe studiues në fushën e shqipes, gazetarë e përfaqësues të masmedias rumune. Ishte i pranishëm edhe akademiku i njohur rumun, Grigore Brënkush, personalitet shkencor me kontribute të mëdha në fushën e gjuhësisë krahasimtare, sidomos në atë të marrëdhënieve midis shqipes e rumanishtes. Në këtë veprimtari mori pjesë, gjithashtu, Luan Topçiu, diplomat dhe studiues, autor i shumë librave me studime kushtuar edhe marrëdhënieve kulturore midis Rumanisë dhe Shqipërisë. I ardhur nga Tirana, i ftuar posaçërisht për këtë eveniment, shkrimtari shqiptar dhe botuesi Fahri Balliu ishte i pranishëm në këtë aktivitet se bashku me artistin e mirënjohur, piktorin Ali Oseku.

Të gjithë pjesëmarrësit që morën fjalën nënvizuan faktin se, duke u nisur nga faktet historike të evokuara në këtë eveniment, marrëdhëniet midis dy shteteve mund dhe duhet të njohin një zhvillim në nivelin e ndjenjave reciproke të dy popujve, shqiptar dhe rumun. Përfaqësuesi i qeverisë rumune, z. Radu Podgorean, riafirmoi mbështetjen që Rumania i jep Shqipërisë për integrimin e saj në BE. Në fund të këtij takimi jubilar shkrimtarit Fahri Balliu iu akordua „Diploma e Shkëlqesisë” nga ana e Ministrit te Jashtëm rumun, kurse Shoqata e Shqiptarëve të Rumanisë i dha “Diplomën” e Nderit me motivacionin „për kontribut të veçantë në kultivimin e marrëdhënieve kulturore midis Rumanisë dhe Shqipërisë. Z Balliu u çmua për atë që ka bërë dhe vazhdon të bëjë për njohjen në Shqipëri të disa veprave themelore nga letërsia, historiografia dhe filologjia rumune, përmes botimit të tyre në shqip. Gjithashtu, ai është i njohur në Rumani përmes librave të tij të përkthyera dhe botuara nga Shtëpitë Botuese Humanitas dhe Vremea, libra të pritura me interes nga publiku rumun.

Fatkeqësisht, duke përsëritur, edhe kësaj here, ndërhyrjet e tij të dështuara në mjediset diplomatike, ambasadori Sami Shiba, me shumë vështirësi, mezi arriti të artikulojë, në një anglishte të prishur, disa fraza te thata mbi marrëdhëniet dypalëshe. Ky fjalim, i lexuar keq, me ndërprerje dhe belbëzime te gjata, nuk u arrit të kuptohej nga pjesëmarrësit për shkak edhe të diksionit të papërshtatshëm në këtë gjuhë të komunikimit diplomatik. Nëse nuk do të ishte prezantuar nga moderatorja e takimit, prezenca e këtij „ambasadori” në sallën „Gafencu” të Ministrisë së Jashtme të Rumanisë, asqë do të ishte vënë re nga askush. Por, në analizë të fundit, evenimenti shënoi një sukses dhe riafirmoi në një kuadër zyrtar ndjenjat e miqësisë në të shkuarën dhe në të tashmen që kanë ushqyer dy popujt tanë, shqiptar dhe rumun.

Kushtrim Kastrioti, Bukuresht, dhjetor 2013

Filed Under: Rajon Tagged With: 100 vjet, marrdhenie diplomatike, Rumani-shqiperi

PARA 100 VJETËSH E KA THANË I NDJERI MARK KAKARRIQI…

April 12, 2013 by dgreca

Në 100 vjetorin e Shkodres së Lirë…/

 Nga Fritz RADOVANI/

Ne Foto: Mark KAKARRIQI (1891 – 1942) /

Se ku e kam gjetë këte Shkodren e “Lirë”… as unë nuk e dij!

Edhe në kjoftë se gjithë Shqipnia e pranon fjalen “Shqipni e Pavarun”, kur dy të tretat e Saj janë edhe sot të zaptueme, në se jo ushtarakisht, ato s’ janë të Pavaruna mendsisht…Shkodra duhet të pranojmë se nuk e di a i bahen sot 12 muej e “Pavarun”, nga pushtuesit “kulturorë”!

Në vitin 1911 Dedë Gjo’ Luli ngriti Flamurin mbi lamen e Gjakut të Djelmëve të Hotit, pa i marrë leje as turqëve dhe as malazezëve, kur Shqiptarët që kemi nder permendore mbas një viti kerkonin që të “shpallemi shtet nën varsinë e turqëve” e sa e sa “ideve” të tjera, per të cilat u derdhë shumë gjak, edhe pse Ata që kerkuen “Liri dhe Pavarsi” u vranë tradhëtisht nga veglat anadollake, tue fillue nga Luigj Gurakuqi, i cili nxori patllaken në godinen e Vlonës në diten e 28 Nandorit 1912, dhe u tha të pranishëmëve: “Pa u ngritë sot Flamuri, asnjë nuk dalim të gjallë nga kjo shtëpi!” pikrisht, kur Ismail Qemali, po ngurronte me dalë në balkon me vue Flamurin e Pavarsisë, sepse u kishte premtue turqëve “se do të ruejnë kontrollin e tyne në tokat Shqiptare”. E këte veper sa Atdhetare aq Burrnore të Gurakuqit, e persëriti në 1995 në Teatrin “Migjeni” të Shkodres, At Konrrad Gjolaj, në Pervjetorin e “Hyllit të Dritës” kur tha: “Ismail Qemal beg frikacaku…”, ashtu si kishte shkrue atëherë Revista, se edhe këte sot shumica e Shqiptarëve nuk do ta dinte. Askush nuk zen me gojë Memorandumin e Gerçës të firmosun nga Burrat e Malësisë, vetem pse Emnat e Tyne ishin Katolikë, dhe se Ky Memorandum u ba me nisiativen e Imz. Lazer Mjedjes e At Mati Prennushit, bashkpuntorit Dedë Gjo’ Lulit në Maje të Bratilës, dhe jo t’ atyne “frikacakëve” që u atribohet nga pseudohistorianët “prof. dr” fallsifikatorë sot.

Në vitin 1957 – 58 studjuesi i njohun shkodranë Gjush Sheldija, rreshton në një studim të Tij datat kronologjike dhe disa shenime historike të sakta nga viti 635 para Krishtit. Janë lëshue i madh e i vogel tue kopjue në atë studim, madje edhe tue marrë edhe “tituj e grada shkencore” nga ata shenime të Tija, po askush nuk ka burrni me e permendë as me zanë me gojë emnin e Gjush Sheldisë, e pse? – Edhe ky katolik Shkodret! I ndjeri Gjush e pat guximin me thanë se ky material i punuem në 1957 asht bazue në arkivat e Kryeipeshkëvisë Metropolitane të Shkodres dhe Dioqezat Sufragane, arkiva të cilat, edhe ata mbas vitit 1967 u “administruen” nga “kryetari i komisionit përzgjedhjes leteraturës fetare dhe kishtare Jup Kastrati” i cili, i vodhi dhe plotsoi koleksionin e plaçkitun të At Justin Rrotës, bashkë me “tituj dhe dekorata” të dhana nga Ramiz efendi Alia, si shperblim i poshtersisë së tij. Jupi filloi botimet e tyne me emnin e vet e sot zen vend ngjitë me ish oficerin shpifes të sigurimit të shtetit anadollakun Rakip Beqja, në faqe të parë të revistës “Drita Islame”, vetem pse materialet e këtyne shpifësëve agjentë me mllef të madh kanë shkrue kunder Klerit Katolik që e vodhën, po dhe Atdhetarëve Katolikë që vranë!

Kjo ngjet pikrisht në prag të 100 vjetorit të Pavarsisë së 1912…

Po rreshtoj disa data të nxjerruna nga studjuesi Gjush Sheldija:

1858 – Hidhet guri i parë i themelit të Katedrales së Shkodres.

1858 – Kushë Micja çelë shkollën për vajza shkodrane.

1859 – Lindë në Shkodër poeti i Rilindjes Filip Shiroka.

1859 – Themelimi i Seminarit Papnuer të Shkodrës me nxanësat: Prengë Doçi, Ndue Bytyçi.

1860 – Lindë në Shkodër artisti piktor Kolë Arsen Idromeno.Vdiq me 12. XII. 1919.

VIII.1861- Françeskanët ngrisin Kuvendin e tyre në Shkodër.

2.1866 – Lindë në Shkodër poeti e shkrimtari Dom Ndre Mjedja.

1871 – Zef Jubani Ndokillia boton disa rapsodi shqiptare.

10.1874 – Çelet shkolla e Shirokës nga Dom Zef Ashta.

7.1875 – Themelohet Kuvendi i Françeskanëve në Gjuhadol.

X.1877 – Jezuitët çelin Kolegjen Saveriane në Shkodër.

2.1878 – Malet e Veriut protestojnë kundër qeverisë së Athinës për çështjen e Epirit.

4.1878 – Themelohet “Lidhja e Prizrenit”.

1878 – Lidhja e Prizrenit proteston me memorandum kundër vendimeve të Kongresit të Berlinit.

Shkodra    proteston pranë Kongresit të Berlinit për shkëputjen e Podgoricës, Tivarit, Plavës dhe Gucisë.

18.6.1878 – Mirdita, Malsia e Lezhës dhe Lura i luten Kongresit të Berlinit me i dhanë autonominë.

13.7.1878 – Traktati i Berlinit i lëshon Malit të Zi, Ulqinin e Tivarin, Plavë, Guci e Triepsh dhe Greqisë një       pjesë të Epirit. 11.1878 – Nga frika qeveria turke rrethon Shkodrën me 20.000 ushtarë.

2.1879 – Lindë në Shkodër patrioti dhe shkrimtari Luigj Gurakuqi.

1879 – Ushtritë malazeze thehen keqas nga vullnetarët shqiptarë që mbrojnë Plavë e Guci.

1899 Imzot Prengë Doçi, Abat i Mirditës themelon në Shkodër Shoqninë Letrare “Bashkimi”.

28.6.1897 – Murgeshat Stigmatine çelin kopshtin për fëmijë të vogjël me drekë, falas.

1902 – Shkolla françeskane jep mësimet në gjuhën shqipe.

1904 – Lush Kola nga Barbullushi mëson në fshatin e tij. Pse përhapë idena nacionale, pushohet nga puna.

1907 – Themelohet azili i jetimëve nga motrat Saleziane në Shkodër; ma vonë dhe i pleqve të vorfën

1908 – Shkodra merr pjesë në Kongresin e Monastirit ku dergohen: At Fishta, Gurakuqi, Dom Ndre Mjedja, Mati Logoreci, Hilë Mosi. 

– Krijohet klubi “Gjuha Shqipe” në Shkodër. 

1909 – Del në Shkodër gazeta “Koha” e “Bashkimi”. Kërkohet nga Shkodra njohja zyrtare e kombit, e arsimit të detyrueshëm, shërbimi ushtarak në vend, e një sundimtar i përgjithshëm shqiptar…

24.7.1910 – Xhavid Pasha me 20 taborre (batalione) vjen me shtrue Shkodrën.

1910 – Luftë në Kaçanik ndermjet shqiptarëve dhe turqve. Kryengritje e Malsisë së Madhe. 

26.7.1910 – Shefqet Turgut Pasha vjen në Shkodër me shtrue Malsinë. Luftime të përgjakshme në Qafë t’Agrit e në Qafë Shtamë të Shalës ndermjet Dukagjinasve dhe ushtrisë turke.

1911 – Plasë kryengritja e Malsisë së Madhe, në Kastrat.

6.4.1911 – Dedë Gjo’ Luli ngulë në Bratile në majë të Deçiqit flamurin kombëtar dhe Malsia e Madhe lufton për pavarësi e liri.

18.5.1911 – Kryengritësit shqiptarë i përgjegjen Shefqet Turgut Pashës se nuk përulen e se ata, do të luftojnë tue derdhë gjakun deri në fitimin e plotë të lirisë.

23. 6. 1911 – Memorandumi i Gerçes, drejtue Fuqive të Mëdha.

5.7.1911 – Kryengritje e përgjithshme kunder Turqisë për liri.

X. 1912 – Nisë rrethimi i Shkodres nga malazezët.

28.11.1912 – Shkodra merr pjesë me Luigj Gurakuqin në Shpalljen e Pavarësisë Shqiptare në Vlonë, në Qeverinë e përkohshme nën kryesinë e Ismail Qemalit e Don Nikoll Kaçorrit.

30.1.1913 – Esad Pashë Toptani shtin e vret trathtisht Hasan Riza Pashën, dalëzotës i Shkodrës, që donte me ngritë flamurin shqiptar në kështjellë e në kumbonare të Katedrales së Shkodrës.

2 3. 4.1913 – Esad Pasha ia shet Shkodrën malazezve për dy milion florinta, të cilët futen në qytet në tre drejtime: nga Taraboshi, nga Fusha e Shtojit e nga Bardhanjorët.

14.4.1913 – Malazezët djegin Pazarin e Shkodrës, mbasi e grabitën dhe dalin këtej tue ia lëshue vendin në dorë t’ushtrisë nderkombëtare (austriake, italiane, franceze, angleze, gjermane).

13.6.1913-Naltohet në kështjellën Rozafat të Shkodrës Flamuri Kombëtar Shqiptar, dhe atdhetari Karlo Suma mban fjalimin.

7.1913 – Esad Pasha shpallet sundues i Shqipnisë së Mesme. (Nenvizimet F.R.)

1913, Në Vjenë z. Mark Kakarriqi, deklaron: “Shkodranët do të vazhdojmë luften per Liri, kur të vriten të gjithë Burrat, luften do ta vazhdojnë Gratë…”

 Sot në prag të 100 vjetorit të Shkodres së “Lirë”, kur shoh perditë e ma t’ ashper luften ndaj Kulturës së Veriut, Historisë së Lavdishme të Trojeve Shqiptare, perpjekjet dhe kambnguljen e “prof. dr. e akademikëve” me fshi nga Ajo Histori e lavdishme Emnat e nderuem të Atdhetarëve, dijetarëve, luftarëve, klerikëve, intelektualëve të Veriut dhe Gjuhës së Shenjtë të Tyne, Gegënishtes…apo si e quejtën anadollakët komunistë “Gjuha e Krishtit”, edhe pse Shkodranët kam besim se edhe në të ardhmen e ndritun tek e cila do të shpresojmë,  Ata do t’a vazhdojnë luften e Tyne, po kur të mbarohen Burrat…

Po persërisë, të Ndjerin Mark Kakarriqi:  

“Luften per Gegënishte… do ta vazhdojnë Gratë Burrnesha Shkodrane!”

 

Melbourne, 2013.

Filed Under: Histori Tagged With: 100 vjet, e ka thane, Fritz radovani, i ndjeri, Mark kakarriqi

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT