Nga Kadri Tarelli/ Këto dit shtatori, java e fundit të vjeshtës së dytë, fshati Shënavlash pranë qytetit të Durrësit, përjetoi festë të rrallë, të bukur e të shenjtë. Shkolla e fshatit, kjo çerdhe shqiptarie, u hap në 24 tetor të vitit 1916. Ky tempull i ndritur i gjuhës shqipe, i dijes, kultures, edukimit dhe atdhetarisë, i mbushi plot një shekull, përmes sakrificave, vuajtjes dhe mundimit, përmes punës, qëndresës, dashurisë dhe frymëzimit. Drejtues dhe mësues, nxënës, prindër dhe banorë të fshatit, të Durrësit dhe fshatrave përrreth, mbushën oborrin dhe mjediset e Shkollës së Mesme të Bashkuar “Besnik Hidri”. Mes tyre u ndodhën ish drejtues të shkollës, ish mësues dhe ish nxënës, të ardhur nga të këtër anët e vendit, dikur të bukur e plot vrull, energji dhe ëndërra rinie, sot të urtë e me thinja fisnikërie, e ballin plot brazda mendimi e krenarie.
Përfaqsues të pushtetit vendor, z. Florian Tahiri, n/kryetari i Bashkisë së Durrësit, dhe Lindita Muka, drejtore e DAR-së, të cilët përshëndetën të pranishmit e shumtë në këtë ditë të shënuar për shkollën dhe historinë e arsimit shqiptar. Mësuesve, këtyre misionarëve të dijes, të mësimit dhe të edukimit atdhetar, u takon mirënjohja dhe nderimi, si askujt tjetër. Jo më kot Viktor Hygo shprehet diku: “Dy janë nënpunësit kryesor të kombit, nëna dhe mësuesi”.
100-vjetori është i rrallë dhe nuk mund të festohet pa gjysmën e kombit, pa Kosovën pjesë të trupit dhe shpirtit shqiptar. S’ka si ndodh ndryshe, ndaj për të gëzuar së bashku, erdhën Agim Haxhiu, drejtor i arsimit për komunënë e Istogut, Sadik Bicaj, drejtor i shkollës në fshatin Vrellë, Nuredin Ymeraj, koordinator i arsimit në komunë, Zeqir Mehmetaj, drejtues i radios “Fontana” në qytetin e Istogut. Dikush ardhjen e tyre e quan nder, ndërsa unë e quaj detyrë shqiptarie, pasi në themel të kësaj shkolle janë edhe emrat e mësuesve të ardhur nga Kosova, shtoj këtu edhe një arrsye më tepër: po mbushen plot dhjetë vjet lidhje mes dy shkollave, të Shënavlashit këtu dhe të Vrellës atje.
Drejtore e shkollës znj. Merita Teta (Mema), si nikoqire e shtëpisë, në emër të kolektivit mësimor, u uroi të gjithë pjesëmrrësve mirëseardhjen në këtë ditë të shenjtë për fshatin dhe për shkollën. Mes të tjerave ajo shprehet: “Jam e lumtur që më takoi mua si drejtore e re, që të përjetoj e të organizoj këtë ngjarje kaq të madhe, të pres si asnjëherë tjetër, kaq miq e shokë, kolegë të nderuar drejtues dhe mësues dhe ish nxënës, të cilët u bënë kuadro të zot dhe specialist me emër, të njohur në Durrës dhe në mbarë vendin. Unë i admiroj të gjithë ata drejtues, mësues e mësuese, që ndaj një çshtje kaq të madhe, siç është arsimi, punuan, luftuan dhe përballuan vështirësitë e kohës. Ishin ata që me përkushtim misionari mësuan dhe edukuan breza të tërë nxënësish, duke mbajtur gjallë etjen për liri dhe dëshirën për dije e përparim. Jëmi krenar, që ne brezi më i ri po e vazhdojmë udhën e tyre të ndritur”.
Në një ngjarje të tillë me vlera jo vetëm për Shënavlashin dhe Durrësin, por edhe në rafshin e arsimit kombëtar, urimet burojnë nga shpirti dhe zemra. Këtu e gjen burimin edhe përshëndetja e kryetarit të bordit të shkollës z. Shpëtim Hidri, Fjalët dhe urimet e tij shprehën nderim për të gjithë brezat e mësuesve, duke vlerësuar edhe dëshirën e prindërve, djemve dhe vajzave të fshatit, si arsimdashës për shkollë e dije. Ndryshe nuk ka si shpjegohet krijimi i asaj elite intelektuale, me të cilët krenohemi sot.
Përshëndetja e Agim Haxhiut u prit me duartrokitje, sepse solli zërin e kolegëve mësues dhe të nxënësve shqiptar të Kosovës: “Është krenari për ju dhe për ne ky 100-vjetor, pasi lufta për pavarësi kombëtare dhe lufta për shkollë shqipe ishte qëllimi dhe objektivi ynë i përbashkët. U munduat shumë ju, por vuajtëm shumë edhe ne, pasi historia u tregua e pamëshirshme, sepse na e ndanë kombin në disa pjesë, me kufinj të mallkuar që rrallë kush i klonte. Jemi të lumtur, që tani me Kosovën e lirë e të pavarur, shkojmë e vijmë sa herë të duam, duke marrë pjesë në tubime, festa e ngjarje të tilla, që i bëjnë nder arsimit shqiptar. Është bukur kur jemi bashkë e festojmë sëbashku. Urojmë që përvjetorë të tillë të kenë edhe shkollat e tjera kudo qofshin ato”.
– Kur shikoj këtë shkollë kaq të bukur, – shprehet me nostalgji Fiqiri Resuli, ish mësues në shkollën e Shënavlashit në vitet 1961-1964 – më vijnë ndërmend ato vite të vështira, kur shkolla pikonte, dyshemeja ishte prej dheu, ndërsa dritaret ishin me rrypa xhami ose të zëna me letër, ku era e dimrit loste sinfoni që nga soprano e deri te kondrabasi. Veç kujtoj edhe dëshirën dhe idealizmin e mësuesve. Ishte i magjishëm, i admirueshëm. Besoj se këtu gjen vend edhe fjala e urtë arabe: “Shkolla le të jetë kasolle me kashtë, por me mësues të mirë”.
Bajram Gashi, i cili sapo ka ribotuar librin “NJË SHEKULL NË UDHËN E DIJES. Historia e shkollës Shënavlash”, shprehet: si bir i fshatit dhe ish nxënës, si ish mësues dhe ish drejrues i kësaj shkolle, po me brente meraku për t’i lënë këtij tempulli të dijes, një shkrim, një histori. Jam i lumtur që e realizova. Në punë e sipër mësova e kuptova se sa mund e djersë, dije e shpresë, është harxhuar për ta filluar shkollën, për ta mbajtur e vazhduar për gjatë 100 vitesh, e për ta sjellë deri ditën e sotme. Jam mrekulluar me dokumentat që kam gjetur, veçanërisht me jetën dhe veprimtarinë e mësuesve e më pas të nxënësve të kësaj shkolle.
Ishte data 24 tetor 1916, si sot 100 vjet më parë, kur në Shënavlashin tonë tingelloi për herë të parë, “a-b-c-ja” në shqip. Ishte Stefan Nosi, mësusi i parë i gjuhës shqipe. Shkolla si fillim kishte gjithsej 15 nxënës. Nuk po vazhdoj kronollogjinë e viteve, pasi ato janë në libër, ndaj si fillim po e nis me drejtuesit, për të cilët kam nderim të veçantë, sepse secili në kushtet e kohës bëri ç’mundi për të lartësuar emrin e kësaj shkolle. E filloj nga viti 1947-1948, kur shkolla kaloi në sistemin 7-vjeçar, me drejtore Vasilika Panteqi, më pas Ramadan Kalaci. Elbasanlliu Qazim Kuqashi. Agim Dermani. Zyber Abazi. Naim Hoxha. Loni Tiço. Pandeli Caku. Luan Zenelhoxha. Marika Bardhi. Xhavit Dashi. Riza Gashi. Alma Oshafi. Bajram Gashi. Ismet Laçi. Migena Kola. Bilbil Musai. Aktualisht drejtore kemi znj. Lindita Teta (Mema).Besoj se kam të drejtë të them, që në këtë 100-vjetor të ndalemi të kujtojmë e të nderojmë disa emra mësuesish, te cilët kanë një histori pak ndryshe nga të tjerët, sepse jeta e tyre pati tjetër fund.
Po e nisi me mësuesin kosovar Bajram Sali Gashi, i cili në vitin 1940, la klasën dhe nxënësit dhe msyni në Kosovë, mori pushkën, formoi çetën e tij dhe luftoi dhëmb për dhëmb kundër serbo-çetnkeve. Në luftë me ta u vra, më 8 Shkurt 1945. Fund heroik për një mësues. Çuditërisht, për gjysëm shekulli, emri i Bajram Sali Gashit ishte i anatemuar nga dy palët e komunistëve, jugosllav dhe shqiptar. Megjithse edhe godina e shkollës në Shënavlash dhe në Fllakë, ishin pronë e familjes së Bajramit, s’guxonte njeri të ngrinte zërin.
Po kështu edhe Tofik Deljallisi, mësues disa vjet në shkollën tonë gjatë kohës së monarkisë. Ai rridhte nga një familje fisnike dhe tradita atdhetare shijakase. Ishte ai që u pushkatua nga komunistët e diktaturës, me grupin e deputetëve në vitin 1947.
Ashtu si shumë të tjerë, as unë, nuk dija gjë për mësuesin gjakovar Haki Taha, sepse ishte e ndaluar të flitej për të! Ishte cilësuar si “Nacionalisti i rrezikshem”. Edhe ky në vitin 1940, u kthye në Kosovë, duke vazhduar karierën e tij në mësuesi, në Gjakovën e lindjes. Jetonte dhe nuk e pranonte tragjedinë e kohës që po luhej mbi shqiptarët e Kosovës. Ky ish mësuesi i Shënavlashit, që më 13 mars 1945, kur nga Prizëreni po niseshin për në “Masakrën e Tivarit”, mijëra djem nënash, shkon në Prishtinë për te Miladin Popoviçi, i futet në zyrë, i zhgreh tre plumba në kokë dhe qetë-qetë largohet. Mbas pak, për të mos rënë në duar të serbëve vret veten.
Jam i detyruar që të ndalem në copëza të historisë 100-vjeçare të shkollës sonë, duke i pranuar si pika kthese në veprimtarinë e saj. Koha e kërkonte që në shkollë të kishte mësues, djem e vajza të fshatit. Kështu që, në vitet 60-të, dolen normalistët e parë, si Osman Xhumra, Riza Gashi, Hava Braho, Filip Rikani, Muharrem Dulli, Zija Hyka, Kristo Noni, Nurije Mara (Keta), Hysni Mara, Bajram Gashi, Musa Hasa, Kristina Bardhi, Marika Bardhi, më pas vazhduan edhe plot të tjerë.
Me nderim duhet permendur edhe kontributi i madh në arsim i grave mësuese, të cilat krijuan familje në Shënavlash. Kështu: Liri Dulli. Xhevrije Xhumra, Vito Noni, Proletare Sherifi, Fiqirete Disha, Ruzhdije Plaku, Sabrije Gashi, Frane Ndoj, Xhevedije Krruçi, Fatmira Pashkaj, Shefikate Dedja, Mimoza Bajramaj, Hamide Gashi, duke nderuar edhe mësueset, që vijnë nga qyteti, plot gra e vajza, të cilat ndihmuan në arsimimin dhe civilizimin e fshatit, në veçnti të femrës dhe familjes.
Historia e shkollës në vetvete është jeta dhe veprimtaria e mësuesve dhe e nxënësve të suksesshëm të dalë nga kjo shkollë, të cilët nuk janë pak. Nuk e kam gabim kur pyes: Cili është metri me të cilin masim vlerat e një shkolle, veçse me nxënësit e mirë? Të tjerët mund të shtojnë: Cilët janë disa nga ata, që më pas u bënë të njohur në detyrat që shërbyen?..
Ali Meta (Berisha), sot banor i fshatit Qerret, nxënës në shkollën tonë në vitet 1938-1939, më vonë nxënës i Nomales së Prishtinës, dhe më pas mësues në disa shkolla të vendit.
Umbert Çumashi, kryen universitetin e Pekinit për mjeksi- dhe farmaci, përkthyes, inxhinjer kimist, farmacist.
Enver Plaku, mbaron Akademinë e Arteve në Tiranë, për aktor dhe regjizor. Më von kryen detyrën e drejtorit në Pallatin e kulturës “A. Moisiu” në Durrës. Si artist dhe reegjizor, ka luajtur e realizuar disa role në filmat shqiptar.
Miri Hoti, mjek kirurg, i njohur në mbarë vendin. Pedagog në fakultetin e mjekësisë. Drejtor spitali në Durrës. Deputet në kuvendin e Shqipërisë. Kryetar Bashkie në vitet 2000-2003. I dekoruar disa herë. “Njerui i vitit”, nga Këshilli bashkiak i Durrësit. “Qytetar nderi i qytetit të Durrësit”. Mban titullin “Mjeshtër i Madh”, dhënë nga Presidenti i Republikes.
Leonora Bardhi, kryen universitetin në Pekin. Punon për vite të tëra si përkthyese në organet e larta qeveritare dhe bashkëpunëtore shkencore. Ka kryer kursin e lartë të filozofisë. Në vitin 1993, i akordohet grada “Doktore e shkencave”.
Hazir Gashi, ekonomist, inxhinjer ndërtimi, president i firmes “Dranova”. Gëzon plot tituj: “Nderi i qytetit të Durrësit”, “Fisnikëria e qytetit të Durrësit”. Takon Papa Gjon Pali i II-të në Vatikan, në Romë, në Korrik 2004, si pjestar i një delegacioni nga qyteti i Durrësit.
Dafina Dhima (Bici), mjeke pediatre me nje shpirt te madh dhe shume humane, mike e nënave dhe fëmijëve të fshatit e të Durrësit.
Hysen Gashi i zgjedhur kryetar komune në 4 legjislatura nga vota e popullit. Punoi me shumë përkushtim në infrastrukturë, duke i dhënë një pamje të re komunës sonë.
Lista bëhet e gjatë. Unë po mjaftohem me kaq, pa i mbetur hatëri edhe shumë të tjerëve. Veç për një gjë dua ta ngre zërin: Ne mësuesit mburremi me nxënësit tanë, fshati mburret me bijtë e tij dhe rrethi i Durrësi mburrët me kuadrot dhe specialistët që kaluan në bangat e shkollës tonë. Historia vazhdon. Tani në Shënavlash kemi edhe shkollë të mesme. Të tjerë nxënës dhe bij të fshatit, do të ndjekin shkollat e larta dhe do të bëhen njerëz të zot, që do të nderojnë shkollën e fshatin dhe do të drejtojnë sektorë të ndryshëm të arsimit, kulturës, shkencës dhe detyrave shtetërore.
Jam i lumtur, besoj si shumica në këtë tubim brezash, që po kujtojmë dhe festojmë 100-vjetorin e shkollës së Shënavlashit. Në rrugën e vështirë të dijes, secili nga ne vuri një gurr në historinë e kësaj shkolle. Të tjerët që do vijnë do ta ngrenë më lart emrin dhe nderin e saj.
Unë si bir i këtij fshati, si ish nxënës, mësues dhe drejtues i kësaj shkolle, kam nderin të uroj: Shkolla e Shënavlashit të festojë edhe qindra përvjetorë në udhën e dijes”.
Pas një koncerti festiv, një vizitë në mjediset e shkollës, ku vend të veçantë zinin stendat me foto dhe dokumenta të 100 viteve shkollë.