• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

GREQIA, E NESËRMJA PEZULL?

July 6, 2015 by dgreca

Opinion nga Abdurahim Ashiku, gazetar-Athinë/
E diela 5 korrik 2015 ishte për Greqinë “lojë në kuaj hamshorë”.
“Loja” në “kuaj hamshorë” është një dënim mesjetar, nga më çnjerëzorët. I dënuari vendosej në mes të dy hamshorëve të “tërbuar”me këmbë të lidhura pas yzengjive në anë të hamshorëve. Kuajt trembeshin në mënyrë që secili të shkojë në drejtim të kundër. I dënuari çahesh më dysh…
Greqia midis “PO” dhe “JO” zgjodhi të dytën.
Të nesërmen e konfirmimit të vullnetit të thellë të grekëve “JO”- ja anoi nga “PO”-ja. Ministri i financave dha dorëheqjen. Një pikëpyetje e madhe kjo! Një dorëheqje e “imponuar” siç deklaroi ai nga “Evropa” e cila nuk e pranonte në negociata. Ai kishte deklaruar se “Do të pres dorën përpara se të nënshkruaj marrëveshjen” çka më kthente (si dy pika ujë në një pjatë të cekët) në nëntor të vitit 1961 kur në një vend të vogël të Evropës deklarohej se “Ne do të hamë barë përpara se të shkelim parimet”. Ministri Varufakis tha se Cipras e pranoi dorëheqjen për t’i hapur rrugë nënshkrimit të marrëveshjeve, atyre marrëveshjeve që populli grek me mbi 61 për qind të votuesve u tha “JO”.
Tradhti!? Apo pazare të bëra me kohë e të nxjerra në shitje tani?
Gjermania pret propozimet e reja greke…
E hëna 6 korrik në mëngjes ishte shpallur dita e hapjes së bankave dhe e tërheqjes së parave pa kufizim…
Sot qepenat e bankave greke ishin të mbyllura. E përcolla vështrimin mbi qepenat hekur fizarmonikë në të gjithë qendrën e Athinës. Vetëm në godinën qendrore të Bankës Kombëtare Greke në sheshin “Kotsia” para Bashkisë, mund të hyje dhe të bëje pak punë, fare pak, ndonjë marrje pensioni për ata që nuk kishin karta krediti apo thyerje të ndonjë çeku…
Lëvizja brenda qytetit; me trenin elektrik, metro, tram, autobus e trolejbus bëhej falas. “Gojët” e mekanizmave të shtypjes së biletave ishin mbyllur me një gjysmë flete format të bardhë.
Supermarketet, njësitë e mëdha dhe të vogla tregtare, ishin hapur për të përjetuar qetësinë nga klientët.
Dita e parë e pas referendumit në dukje ishte e qetë por në brendësi ishte e turbullt, e mbledhur grusht nga nervozizmi dhe nga pasiguria e njerëzve për të nesërmen.
Greqia po përjeton dramën më të madhe në historinë e saj. Grekët me “JO”-në e tyre u treguan “trima” në një betejë të humbur, në një betejë imagjinare ku “ushtria” greke e “JO”-së ishte vënë përballë “ushtrisë” gjermane të “PO”-së, ku Ciprasi i zhytur në borxhe kombëtare ishte vënë përballë Merkelit, borxhe dhënëses më të madhe Evropiane, përballë “Fajdexhiut Gobsek” deviza e të cilit ka qenë “O paratë, ose mallin e gjënë, ose vdekjen”.
Greqia ishte e “dashura” e Evropës dhe e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, oborri i pasmë i lulëzuar i tyre. Ata, për interesat e veta strategjike, ushtarake, ekonomike, turistike etj. e lulëzuan atë, e vunë në “kolltukun e mbretëreshës”, në “fronin e përrallave të lashta”.
Paratë vërshonin në hapje rrugësh, ndërtime urash të nivelit botëror që kapërcejnë dete, ndërtime metrosh… në hua pa mbarim për tu tërhequr nëpërmjet një tregu tërësisht të pabarabartë nëpërmjet “shitjes së armëve” duke e bërë Greqinë në “zemër të NATO-s” vendin më të militarizuar evropian për sipërfaqe në kilometra katrore dhe për frymë të popullsisë.
“Fajdexhiu Gobsek” dha për të marrë. Dha NJË për të Marrë DY, madje edhe PESË, sipas parimit kolonial “investo një dollar për të marrë pesë dollarë”.
Dhe ndërsa gjermani punonte për të krijuar mirëqenien e vet dhe të Gjermanisë me punë në dy ndërresa, gjatë ditës greku në tetë orë dy i ndante për kafe, tre për llafe e katër të tjera për mbajtur mos binte në tokë bishti i belit, lopatës apo kazmës”…
Greku u mësua të mos paguante taksë për shtëpinë, për pagën, për tokën, për delen, dhinë, lopën, ullirin, agrumet, vreshtat, drithërat, perimet…
Greku u mësua që të merrte pensionin e babait apo mamasë së vdekur, të merrte dy pensione; për vete dhe për burrin e vdekur…
Greku, me të ardhur masa e “uritur” për punë dhe për para e shqiptarëve emigrantë u shndërrua në “afendiko”…
Greqia dhjetëra milionat që mori nga Evropa për shkollimin, trajtimin, krijimin e hapësirave për emigrantët i përdori për paga e pensione për “minoritarët grekë” dhe për “arumunët grekë” të ardhur nga Shqipëria duke u bërë shembulli i vetëm në botë në ndarjen “raciale” të emigrantëve.
Greqia krijoi precedentin e “marrjes” dhe “mosdhënies” së borxheve, e krijimit të një dinastie të tërë oligarkësh që u ushqyen dhe u majmën në vorbullën e allishverisheve me paratë e Evropës.
Greqia me veprimet dhe mosveprimet e saj është lidhë këmbësh në dy leqe të kuajve hamshorë, në leqen e majtë dhe të djathtë…
Frerët e kuajve hamshorë i ka në dorë Gjermania e Merkelit…
Do t’i lëshojë frerët Merkeli?!
…
Greqia do të jetë e detyruar të shtrëngojë më fort rripin.
“Fajdexhiu Gobsek” është pjesë e “Kome(tragje)disë njerëzore” të ditëve tona…

Abdurahim Ashiku
Athinë, 6 korrik 2015

Filed Under: Opinion Tagged With: Abdurrahim Ashiku, e nesermja pezull, Greqia

TE KTHEHET DENIMI ME VDEKJE

July 4, 2015 by dgreca

Ftesë për një referendum mbarë popullor për rivendosjen e DËNIMIT ME VDEKJE/
Opinion nga Abdurahim Ashiku, gazetar ne Athine/
Ne Foto:Michal Svatos dhe Anna Kosinova/

Na fton ta bëjmë këtë gjaku i çiftit çek Michal Svatos dhe Anna Kosinova që me miqësinë e dhuruar, me përcjelljen e vlerave të natyrës dhe të popullit tonë do të ishin vlerë e shtuar në fjalët e shkruara të Edith Dyrham, Hahn e shumë njerëzve të mëdhenj që i ngritën lart virtytet e tona…
…Atij që iu pre miku, çdo send do t’i nepet me dorë të majtë e për nën gju, mje qi ki të paguej mikun. Dora e majtë në kanu quhet e pavlefëshme, e cila merr e nuk ep. Me mik nuk falet. Veç i pabesi me të pabesin falen me të…
…Natën e festave, me ndërmjetësinë e dashamirëve ose të ndrikullave që me këtë rast përmbysin djepin, mund të falet djali, babai ose vëllai i vrarë, por kurrë miku”…(neni 110)

Krenohemi se jemi shqiptarë, krenohemi me besën shqiptare, krenohemi me mikpritjen dhe tërbohemi kur dikush na e dhunon me poshtërsi besën tonë, mikpritjen tonë, na vret në mes të ditës mikun që vjen paqësisht.
Dy të rinj, një djalë dhe një vajzë si drita e diellit, dy miq nga Çekia, ditën me dritë, dritën me diellin në perëndim, u vranë me plumb prapa…
Michal Svatos dhe Anna Kosinova u prenë në besë…
E lexova, rilexova, pashë disa herë radhazi lajmin dhe fotografitë që ata kishin përcjellë për ti treguan botës mbarë bukuritë e vendit tim, ndjeva në shpirt të qeshurën që u ndriçonte fytyrën mes mrekullive natyrore të një vendi që ata e deshën që në vështrimin e parë.
Policia kishte vënë në dispozicion tridhjetë mijë euro për këdo që do të informonte për këtë vrasje që se mban toka shqiptare, që se mban shpirti i pastër shqiptar, që e dënon i madh e i vogël.
Policia do t’i gjej vrasësit, e uroj këtë. Do t’i çojë në gjyq ku ndonjë avokat do të dalë (për turpin e profesionit të tij) ti mbrojë. Gjykata do ti dënojë me “Burgim të përjetshëm”. Kështu thotë ligji shqiptar. Madje, po qe se ata e pohojnë vrasjen vullnetarisht, do ti dënojë me njëzet e pesë apo tridhjetë vjet burg. Taksapaguesit shqiptarë do të mbledhin qindarkë pas qindarke për të paguar çdo muaj 480 euro për të mbajte në burg “me të gjitha komoditetet dhe me të gjitha të drejtat” të burgosurin e përjetshëm, vrasësin, kriminelin.
Kështu thotë Evropa…
Evropa i thotë “JO” dënimit me vdekje. Nuk na lejon. Nuk na pranon pjesë të saj…
Shtetet e Bashkuara të Amerikës i thonë “PO” dënimit me vdekje. Dikur e ekzekutonte në “karrigen elektrike”, sot e ekzekuton “me shiringë në damar”. Është vendi më demokratik në botë…
Shqiptarët, në historinë e mbijetesës së vet mijëravjeçare (prandaj nuk jemi shuar) e ka pas në kodin e saj kanunor dënimin me vdekje…
Nga libri “E drejta zakonore shqiptare-1” që e mbaj në bibliotekën time në emigracion, botim i Akademisë së shkencave po shkëpus disa fragmente nga kapitulli “MIKU”.
I shkëputa për kulturë por edhe si një thirrje shekullore të shoqërisë shqiptare që vrasësi nuk falet…


***
 

Në botë theksohet se shqiptari mikpritjen e ka fe dhe me këtë ai dallohet më tepër skocezët, nomadët arabë, dhe fshatarët turq e rusë…(J. Bouchard)
Në kreun III MIKU, neni 97 i Kanunit të Lekë Dukagjinit, mbledhur dhe kodifikuar nga Shtjefën K. Gjeçovi thuhet:
“Shpia e shqyptarit asht e zotit dhe e mikut. 
Për mik kanuja njef çdo njeri qi i thrret në derë të shpisë. Haj i dheas a i fisit, haj mik a anmik, ase i çdo besimi ai kjoftë, kur t’i thërrasë kundrejt ase te dera, asht miku i shpisë.
Miku, sa ma i largët të jetë e sa ma i randë, aq ma të madhe ia nep kanuja nderën e rojës”
Në vijim, neni 98 (pritja e mikut) theksohet:
Shqyptari ka një nderim aq të madh për mik qi bjen në derë, sa shkrihet me gjithshka ka, po guxoi kush me i ba këtij ndoj dhunë, deri sa ta përcjellë atje ku don miku…
Neni 99 (Bukë e kripë e zemër)
Mikut do ti bahet nderë: “Bukë e kripë e zemër”. Buka e kripa e zemra, zjarrmi e trungu e do firi për shtroje do të gjinden gadi për mik në çdo kohë të natës e të ditës. Për çdo mik duhet bukë si han vetë; për mik të mirë duhet kafja, rakija e buka e shtrueme me ndonji send ma tepër; për mik zemre duhet duhani, kafja e ambël, rakia e bukë e mish. “Mikut të zemrës i lëshohet shpija. Mikut të lodhun do t’i vihet rreth me të pritun me nderë. Mikut i lahen kambët. Përpushet zjarrmi, lypen edhe dru. “Miku don dru””
Neni 107 (Kur pritet mik)
“Veç nji gacë me ta lypë te dera për me kallë çubukun, ia dhae e e ngau kush, të pritet mik”…
Neni 109 (Detyra me e pague mikun e premë)
Miku kuj s’i preket; po u prek s’falet…
Neni 110 (përbuzja e atij që iu pre miku)
…Atij që iu pre miku, çdo send do t’i nepet me dorë të majtë e për nën gju, mje qi ki të paguej mikun. Dora e majtë në kanu quhet e pavlefëshme, e cila merr e nuk ep. Me mik nuk falet. Veç i pabesi me të pabesin falen me të…
…“Natën e festave, me ndërmjetësinë e dashamirëve ose të ndrikullave që me këtë rast përmbysin djepin, mund të falet djali, babai ose vëllai i vrarë, por kurrë miku”…(neni 110)



***
Në Dukagjinin e besës dhe të mikpritjes u vranë me nga një pëlumb mbas koke një djalë dhe një vajzë nga Çekia.
U vranë me të pabesë…
U prenë si miq…
Nuk ka shqiptar që në deje i vlon gjaku i të parëve që të mos e dënojë këtë akt të pashembullt…
Nuk ka kandar drejtësie që e mban këtë peshë gjaku që na ka mbetë në derë…
 
 ***


Shqipëria është e mbushur me armë, me kallashnikovë që nxirren nga hatullat e fshehura dhe me breshëri çdo ditë marrin jetë njerëzish.
Në Lazarat u vra një oficer policie…
Nuk janë gjetur ende autorët e vrasjes. Është gjetur arsenali i armëve, nga të gjitha armët e këmbësorisë…
Mbase do të gjendet vrasësi…
Gjykata, me ndihmën e avokatëve të cilat që tani i kanë përgatitur “pistat e mbrojtjes” do të japë, më e shumta “Dënim me burgim të përjetshëm”…
Nuk është rast i vetëm. Janë me qindra. Janë me mijëra. Kudo kërcet kallashnikovi i gjakmarrjes dhe i hakmarrjes. Fëmijë të vegjël, meshkuj e femra, qëndrojnë të ngujuar pa dritën e dijes mes moshatarëve të tyre në shkollë. ..
Në diktaturën e “diktatorit” ai që vriste – vritej,. Këmbëzën e pushkës e tërhiqte ligji, shteti. Gjakmarrja kishte shkuar në shuarje…
Shqipërisë i duhet ligji me vdekje.
Po nuk e vendosi shteti duhet ta vendosë populli.
Një referendum popullor për t’i thënë “PO” dënimit me vdekje nuk do të na ndajë nga Evropa. Do të na çojë në Evropë me kokën e lart e me dinjitet.
Abdurahim Ashiku
Athinë, 4 korrik 2015

Filed Under: Opinion Tagged With: Abdurrahim Ashiku, Anna KosinovaTe kthehet, denimi me vdekje, Michal Svatos

DITA E PARE E ALARMIT NE GREQI

June 29, 2015 by dgreca

GREQIA NË ALARMIN E SHPËRBËRJES DHE RRËNIMIT…/

Shënime në ditën e parë të kapitullimit të Greqisë/

Nga Abdurrahim ASHIKU-ATHINE/

Banka Evropiane vendosi për të ngrirë fondet drejt bankave të Greqisë ku sistemi financiar grek gjendet pranë rrënimit…
Sot në mëngjes qepenat e hekurt të të gjitha bankave në Greqi kanë rënë përtokë si në një ditë të madhe zie.
Flitet që kështu do të qëndrojnë deri më 6 korrik, të hënën pas referendumit popullor të nxitur nga Qeveria Cipras.
Radhë të gjata pranë bankomateve në shpresë të tërheqjes së “bukës së ditës”, vetëm 60 euro. Kjo në rastin e lumtur kur në sirtarët e bankomatit ka para…
Në disa bankomatë radha ishte shthurur, ishin mbaruar paratë…
Radhë të gjata për karburant në të gjitha pikat e shpërndarjes. Ke të drejtë të marrësh vetëm 20 euro benzinë, me para të thata në dorë. Kartat e kreditit nuk kanë vlerë…
Dyndje në aeroporte nga turistët në kthim urgjent drejt vendbanimit të tyre në të gjitha shtetet e Bashkimit Evropian…
Alarm në sistemin zyrtar të turizmit. Zëdhënës deklarojnë se për turistët nuk ka kufi pagesash nga bankomatët…
Greqia është në kolaps. Greqia është deklaruar e rrënuar ekonomikisht.
Po kush paguan për këtë gjendje të Greqisë?
Pamja që zotëronte sot Athinën (dhe të gjithë Greqinë), nga vëzhgimi i thjeshtë me sy, tregon se ata që e paguajnë janë njerëzit e thjeshtë, ata që rrinë në radhë për “bukën e ditës”, për “benzinën e ditës”, për shpenzimet për energjinë elektrike, ujin, qiranë…
Në radhë për 60 euro-t e “bukës së ditës” nuk sheh ata që e iniciuan dhe e çuan në këtë derexhe Greqinë, që ia ulën kokën dhe ia thanë të ardhmen.
Greqia nuk sheh të ardhme. Ajo është në kaos. Është para një referendumi ku sido që të votojë, t’i thotë “JO” apo “PO” shpresat i ka të shuara.
Evropa, nëpërmjet “zërave të kamur” është e pranishme në të gjitha dritaret e vogla të televizioneve greke.
Tjerr lesh për të nxjerrë fill në furkë pa bashkë.
Gjendja e tanishme në Greqi, rrënimi ekonomik e shpirtëror i saj, është në baraspeshe midis politikës greke dhe evropiane, midis marrësve dhe dhënëseve të parave, të miliardave.
Evropa kërkon paratë që ka dhënë. Greqia refuzon që t’i japë. Nuk ka ku t’i marrë. Taksat, uljet e pagave dhe të pensioneve, rritja e TVSH për produktet e domosdoshme që mbajnë jetën gjallë kanë një kufi prekjeje. Evropa këmbëngul që këto të ulen, që populli të paguajë dhimbshëm ndërkohë që ata që e çuan Greqinë në këtë derexhe, të pasurit, miliarderët, paratë e krimit dhe të korrupsionit, të vjedhjes së madhe të fondeve akorduar ndër dhjetravjeçarë, janë ngrirë në banka të njohura për hermetikshmërinë e tyre dhe dyert e dritaret e mbyllura.
Evropa i ka dhënë paratë por nuk ka kontrolluar kurrë ku shkuan dhe si u përdorën, nuk ka kontrolluan se si ato u rikthyen në bankat nga ishin marrë në llogari private të pushtetarëve. Nuk kontrolloi se në Greqi djali apo vajza, për 15-20 vjet nga vdekja e prindit merrte pensionin e tij. Nuk kontrolloi se në Greqi askush nuk paguante taksë për shtëpinë, për pagën që merrte, për sipërfaqet e mbjella me ullinj, vreshta, drithëra, pambuk, duhan, agrume…
Ishte jashtë vëmendjes së donatorëve evropianë kontrolli ndaj parave në adresë të zhvillimit të bujqësisë dhe blegtorisë ku një pronar me 10 ullinj shkruante se ka njëmijë, një blegtor me 10 dele shkruante se ka pesëqind…
Evropa që këto në vendet e veta i mat këto me mikrometër nuk e kërkoi dhe nuk e kontrolloi që kjo gjë të bëhet edhe në Greqinë anëtare e Bashkimit Evropian, anëtare e Evropës së Bashkuar, pjesë e të njëjtit sistem monetar, euros.
Greqia livadhisi si deshi, shiu në lëmë pa grurë, mori dhe nuk dha, vodhi ditën me diell…
Populli grek ka hyrë në një tunel pa grykë dalje, udhëton në errësirë pa një qiri të ndezur.
Evropa, nga sa shoh e dëgjoj nga zërat që më vijnë në ekranin e vogël nga Brukseli, është në alarm.
Një personalitet i saj fton popullin grek të votojë “PO” ?!
Njëqind vjet të shkuara një filozof botonte një libër, librin me titullin “Mbi parullën e Shteteve të Bashkuara të Evropës”. Konkluzioni i tij ishte se një Evropë e Bashkuar në kushtet e kapitalizmit është utopi…
Evropa u bashkua…
Evropa po shpërbëhet…
Greqia është hallka e parë e zinxhirit të saj të dobët bashkues…
Mbas saj mund të këputen hallka të tjera…
Mbase hallkën greke, në ditët në vijim, Evropa e pasur do të mundohet ta saldojë me një pikë çeliku apo bronzi.
A do të mbajë?
Dyshoj…
Shpresoj…
Shpresa është e vetmja dëshirë njerëzore që nuk vdes…
Ndërsa ndjek fytyrat dhe zërat në ekranet e vegjël të televizioneve grek mendimi më ndalet tek një e katërta e shqiptarëve, tek mërgimtarët që në këtë rrënim të Greqisë e ndjejnë veten si “kalit kur e godasin në kokë”. Nuk di nga të shkojë…

Abdurahim Ashiku

Athinë, 29 qershor 2015

Filed Under: Rajon Tagged With: Abdurrahim Ashiku, athine, Kriza greke

Atdhetarizmi fillon nga gjuha

June 26, 2015 by dgreca

DY (5) VJET NGA GJYQI I GJUHËS SHQIPE NË ATHINË…/

Rreth harresës së 22 janarit 2010 të “Gjyqit të Gjuhës Shqipe” në Athinë /

Nuk e ndryshova titullin, e lash ashtu siç e kisha përcjellë në media në janar të vitit 2012 në përvjetorin e dytë të procesit gjyqësor për “Gjuhën shqipe”, proces i cili duke shpallur të pafajshme drejtoreshën e shkollës së Gravës Protonotarjo dhe mësuesen shqiptare Karkallo, legalizoi Gjuhën Shqipe.
Kanë kaluar tashmë pesë vjet e gjysmë dhe Gjuha Shqipe në Greqi vazhdon të rritet e përhapet nga mësues vullnetarë, mësues që Dritëro Agolli i madh i letrave i ka quajtur “Rilindës të kohës sonë” dhe asgjë nuk ka ndryshuar në qëndrimin e shtetit dhe në reagimin e shoqërisë civile në përkrahje të mësuesve dhe të Gjuhës shqipe në mërgatë. Shteti shqiptar, Ministria e Arsimit dhe e Sporteve noton në të njëjtat ujëra të turbullta që kanë notuar Ministria e Arsimit dhe e Shkencës…
Me shpresën se shteti dhe shoqëria civile do të zgjohet mora nismën e një projektligji që i bërë LIGJ nga ana e Kuvendit do të krijojë hapësirën e hapjes së shkollave në të gjitha vendet ku kanë emigruar shqiptarët dhe brezi i dytë i mërgimtarëve do të ketë hapësirën të mësojë të shkruajë, lexojë e këndojë shqip…
Po e përcjell shkrimin ashtu siç e shkrova më se tre vjet të shkuara…

Abdurahim Ashiku
Athinë, 23 qershor 2015

* * *

Një “debat” në faqet e facebook, një letër e mbyllur në adresë të Avokatit të Popullit, këto lidhur me “thyerjen” e “kyçit” të shkollave greke për tu krijuar mundësi fëmijëve shqiptarë për mësimin plotësues të Gjuhës Shqipe në Athinë dhe në të gjithë hapësirën gjeografike greke, këto dhe të tjera më kthyen përsëri “tetë orë në këmbë” në një nga sallat e korpusit “Evelpidhon” ku janë tubuar gjykatat dhe gjyqet e Athinës.
Më kthyen me pyetjen: “Çfarë është bërë dhe si është shfrytëzuar nga ne vendimi i gjykatës që shpalli të pafajshme drejtoreshën e Shkollës së Gravës Protonotario dhe mësuesen shqiptare Karkallo, çka do të thotë hapësirë ligjore për zhvillimin e mësimit plotësues të Gjuhës Shqipe në klasat e shkollave greke” ?
Thashë “si është shfrytëzuar nga ne” duke futur brenda edhe vetën time si gazetar, edhe kolegët e mi gazetarë në Greqi, edhe median e shkruar dhe pamore në Shqipëri që pak (për mos me thënë aspak) i kanë mëshuar problemit të legalizimit të mësimit të Gjuhës Shqipe në Greqi e më gjerë.
Thashë “si është shfrytëzuar nga ne” duke nënkuptuar shoqatat, shoqëritë, lidhjet e zgjidhjet, partitë politike në emigracionin shqiptarë në Greqi, sa folën dhe sa hapa bënë rrugës, tashmë ligjore, rrjedhojë e një vendimi gjykate(!)
Thashë “si është shfrytëzuar nga ne” duke nënkuptuar shtetin dhe pushtetin në Shqipëri, Kuvendin dhe Qeverinë, Ministrinë e Arsimit, Ministrinë e Punëve të Jashtme, partitë politike dhe organizatat jo qeveritare. Sa ata folën, përdorën gojën për të artikuluar mësimin legal të Gjuhës Shqipe, përdorën “kartonin e gjelbër” lart për të votuar një ligj të veçantë për mësimin e gjuhës shqipe në të gjithë hapësirën emigratore ku jeton e punon një e treta e popullsisë së Shqipërisë, një detyrim ky kushtetues (neni 8 dhe 57 i Kushtetutës).
Thashë “si është shfrytëzuar nga ne” duke pas parasysh një fakt (më mirë të them ngjarje) të pazakontë, prezencën në gjyq dhe daljen si dëshmitar të Avokatit të Popullit Grek në mbrojtje të drejtoreshës së Gravës Protonotario dhe të mësueses shqiptare Karkallo, domethënë të Gjuhës Shqipe. E ndërsa Avokati i Popullit Grek foli me forcën e mbrojtjes së ligjit Avokati i Popullit Shqiptar heshti, nuk mori as mundimin modest për ta falënderuar kolegun e tij në shtetit fqinjë(!)
Thasë “si është shfrytëzuar nga ne” duke nënkuptuar deklarimet në mbrojtje të drejtoreshës dhe mësueses nga opinioni përparimtar grek, personalitete greke dhe nga opinioni dhe personalitete nga bota mbarë, deklarata të cilat i gjen edhe sot në adresën elektronike www.132grava.com. E ndjej veten të zhgënjyer kur midis asaj përkrahje që po të përmblidhej do të formonte një libër 1000 faqesh, nuk gjeta (me përjashtim të një individi) asnjë reagim nga shoqatat dhe tubimet shqiptare në Greqi, në Shqipëri dhe më gjerë. Një heshtje që vret(!)
Thashë “si është shfrytëzuar nga ne” duke pas parasysh deklarimin e Ministres së Arsimit dhe Besimeve të Greqisë Dhiamantopulo botuar në www.132 grava.com : “Unë jam shumë e kënaqur. Kjo është një çështje e rëndësishme, çështje që e kam pasur nga fillimi të qartë dhe kam shprehur mbështetjen time. Kthimi i Stella Protonotarios, një MËSUESE me germa kapitale, është më aktuale se kurrë, kjo e lidhur edhe me debatin mbi integrimin e fëmijëve të emigrantëve në shoqërinë greke si një nga prioritetet e qeverisë. Roli i mësuesit në këtë proces është katalitik dhe shteti është tani pranë tij.”(!)
Thashë “si është shfrytëzuar nga ne” në reflektim të pyetjes që i bëra në një seminar ministres Dhiamantopulo se a do të hapen në shtator (të vitit 2010) klasat në shkollat greke për mësimin plotësues të Gjuhës Shqipe, përgjigje që ishte PO.(!)
Thashë “si është shfrytëzuar nga ne” në hapësirën që krijon ligji shqiptar për tubimet e ndryshme edhe në emigracion që të marrin nismën shoqërore e shpirtërore që të propozonin që drejtoresha e shkollës së Gravës Stela Protonotario dhe mësuesja shqiptare Denada Karkallo të dekoroheshin nga Presidenti i Republikës për kontributin e tyre për mësimin e Gjuhës Shqipe(!)
Thashë “si është shfrytëzuar nga ne” kjo ngjarje e madhe për Gjuhën Shqipe që në dy seminaret mbarëkombëtare për mësimin plotësues të Gjuhës Shqipe në Diasporë zhvilluar në Vlorë dhe në Prishtinë dhe në dy tubimet e mësuesve emigrantë në Korinth dhe në Athinë, në krye të vendit të ishin këto dy gra që u pushuan nga puna dhe rrezikuan burgun për Gjuhën Shqipe (!)
Më tej dua të pyes: Sa është shfrytëzuar gjyqi dhe deklarimet e Ministres së Arsimit dhe Besimeve për legalizimin zyrtar të Gjuhës Shqipe në shkollat greke? A është bërë ndonjë hap, sado i vogël, nga Ministria e Arsimit dhe e Shkencës e Republikës së Shqipërisë që kjo gjë të futet në binarë të një marrëveshje të plotë midis dy ministrive e më gjerë midis dy qeverive e dy shteteve? A janë hapur klasat e shkollave greke për mësimin plotësues të Gjuhës Shqipe në Athinë dhe në Greqi?
Nga studimet që i kam bërë problemeve të shkollimit shqip në Greqi ndër të tjera në dy libra: Rilindësit e kohës sonë dhe Shkolla shqiptare e Athinës-Rilindësit e kohës sonë-2 dhe një sërë shkrimesh përveç dritës që ka ardhur dhe vjen nga dëshira individuale e marrëveshjesh shoqërore, dritë e cila duhet vlerësuar në shkallë të lartë të mundësisë dhe pamundësisë, hapa konkretë, biseda e marrëveshje, nuk janë bërë. Shkollimi shqip i fëmijëve aktualisht bëhet në mjedise private, mjediset e Shkollës Shqiptare të Athinës (aktualisht mësojnë rreth 150 fëmijë), mjediseve të qendrës kulturore të çiftit amerikan “PORTA” dhe ndonjë zyre private në Athinë. Në Selanik shoqata “Nënë Tereza” ka shfrytëzuar njohjet dhe respektin e Universitetit Aristotelos që auditorët e tij të kthehen në auditorë edhe për mësimin plotësues të Gjuhës Shqipe. Në Kallabaka dhe në Volos gjithashtu për këtë qëllim shfrytëzohen hapësirat shoqërore.
Në Saranti, e vetmja shkollë e mësimit plotësues të gjuhës shqipe në fshatin grek, pas një viti mësimi në bar-restorantin buzë detit marrë me qira nga një emigrant shqiptar, mësimi, me nismë personale të kryetarit të bashkisë së Thisvit filloi në një klasë të shkollës fillore të fshatit Ostje. Në tetor të vitit që shkoi kryetari i bashkisë ndërroi pozicion ( ia ndërruan) dhe i dëboi nxënësit dhe mësuesin nga shkolla.
Në Korinth para disa ditësh u dha lajmi se nxënësit do të marrin mësimet plotësuese të Gjuhës Shqipe në klasat e një shkolle greke, mundësi kjo e krijuar me nismë të kryetarit të bashkisë të Korinthit.
Në Virona të Athinës, sipas një njoftimi të Albnow, me nismën e kryetarit të bashkisë së lagjes është hapur një klasë për mësimin plotësues të Gjuhës Shqipe…
Pamje e varfër, do të thosha, e mësimit plotësues të Gjuhës Shqipe në Greqi, pamje lypëse, lëmoshe zyrtare.
Them “lypëse , lëmoshe zyrtare”, duke përjashtuar nismat “private” që kanë ditur të gjejnë rrugën “Të mos presim lëmoshë…t’ua rrëmbejmë atë-kjo është detyra jonë” hapi dhe ëndrra për zhvillimin legal ligjor të mësimit të Gjuhës Shqipe në Greqi është ende një ëndërr që në çdo sekondë mund të pritet në mes.
Nuk dua të bëj orakullin e të keqes por nisur nga rasti i Sarantit, nga mbyllja e dyerve të shkollës për mësimin plotësues të Gjuhës Shqipe, (hapja e së cilës, më 7 mars 2011, u bë në praninë dhe fjalën e kryebashkiakut të zonës, në praninë e sekretarit të Ambasadës së Republikës së Shqipërisë në Athinë, me një përshëndetje të ngrohtë nga Ambasadori Minarolli, në prani të medies), nisur nga ky rast druaj se një gjë e tillë mund të ndodhë edhe në Korinth e Virona. Le të gabohem!
Pse e them këtë? E them thjesht se shkollim i shqip i fëmijëve në Greqi nuk është i mbështetur mbi baza ligjore, mbi baza marrëveshjesh zyrtare ministrash apo kryeministrash, mbi përgjegjësi të drejtpërdrejtë për shkollimin shqip të fëmijëve nga shteti ynë, posaçërisht nga Ministria e Arsimit dhe e Shkencës, ministri e cila de jure, me ligj, nuk e njeh shkollimin shqip të fëmijëve në të gjithë hapësirën ku punojnë e jetojnë emigrantët shqiptarë, ku lindin e rriten fëmijët e tyre të detyruar të ngjishen në mengenenë e humbjes dhe mohimit të identitetit.
Gjyqi i 22 janarit 2010 ku nën akuzë ishte një drejtoreshë shkolle greke dhe një mësuese shqiptare, pafajësia që u dha, vuri piketat për hapjen e trasesë për legalizim të mësimit të Gjuhës Shqipe në Greqi.
Mjerisht kjo trase mbeti vetëm në piketa, u harrua…(!)
Megjithatë unë shpresoj…

Abdurahim Ashiku

Athinë, 18 janar 2012

Filed Under: Mergata Tagged With: Abdurrahim Ashiku, atdhetarizmi, fillon nga gjuha

RRUGËTIM MES PSHERTIMASH DHE MALL MËRGIMTARI

June 15, 2015 by dgreca

Nga Abdurrahim ASHIKU/
Përshkrim/

Me autobusët e linjës Top-line, udhëtohet rehatshëm, në qetësi, në respekt për pasagjerin e në një komunikim me kulturë. Nuk është pak por rreth katërmbëdhjetë orë ngrirë në ngushtësinë e karriges komoditeti i së cilës ta lehtëson ose jo rrugëtimin.
Kakavinë, pikëdhembjen mërgimtare ku akrepat e orëve ndalen e durimi ngjitet në rezonancë, e kaluam si të ishim në Evropë. Përpara nuk kishim asnjë autobus çka na e ngjiti buzëqeshjen si me zamkë, e një nga një, pa u ngutur zbritëm për tu vënë në radhë për vulën e kalimit mbi pasaportë. Radha u prish. Tre policë, në tre kabina, na e bënin me duart zgjatur si shatë duke na tërheqë secili në drejtim të tij. Në pak sekonda mbaruam e për disa minuta u nisëm drejt pikës kufitare shqiptare.
Një kalim kufiri që do ta donim të ishte çdo ditë, çdo natë, në dimër dhe në verë…
E urova…
Megjithëse dita ditës nuk i ngjan…

ATDHEU IM…/

Kam nëntëmbëdhjetë vjet që udhëtoj, hyj dhe dal në Atdheun tim. Si i ikur nga zori, nga paralajmërimi i majit të egër 1996, ultimatumit për të mbyllur gojën, ultimatumit për të më dhunuar shpirtin e jetës së njeriut, familjen. Dhe në këto nëntëmbëdhjetë vjet mund të ve në llogari edhe gjeografinë edhe numrin e gropave të rrugës mbi zhavorr e kalldrëme dhe në asfalte të moçme të shqyera, edhe rrugën e re me ende “nja dy pëllëmbë” mbetur në të kaluarën. Ajo copë rrugë, vetëm 11 kilometra, nga Tepelena në Memaliaj që përshkohej me shpejtësi traktori me zinxhirë, në kalim të kohës, shtruar me zhavorr nga “ata” dhe asfaltuar nga “këta” tash nuk më trishton, m’i mbledh e m’i hedh në anë kujtimet…
Në udhëtim mbi rrota që lëvizin, meditimi është shok e mik, ciceron që flet dhe hesht, frymëmarrje e thellë dhe ngushtim gjoksi…
Luginën e Dropullit e kam kap në shpirt një ditë të ngrohtë qershori 1962, student, pjesëtar i një ekspedite pedologjike për studimin e tokave acide. Qesh ndalë e pata marrë disa kampione në fshatin Bularat, fshat që e kërkoj në çdo udhëtim. E kërkoj me sytë e asaj kohe, e mbledh dhe e mbaj edhe në vështrimin që e kap në ndryshimet e radhës…
Fusha e Dropullit ka qenë ndër fushat ku kultivohej jonxha për farë dhe duhani gjethe vogël “samsun”. Tabani i saj është shumë i përshtatshëm për plantacione të tëra vreshtash prej nga rrjedha e lëngut të rrushit, vera dhe rakia ta “plasin ballin”…
Toka djerrë dhe “plantacione” ndërtimesh në atë truall që dropulliti nuk e preku asnjëherë me themele ndërtesash….
Hyrja në Gjirokastër, edhe në gjumin më të thellë, të zgjon në hedhjet përpjetë nga gropat e rrugës. Ajo copë rrugë me gropa (cili qytet i Shqipërisë nuk e ka këtë pamje) nuk të lë ta shohësh bukurinë dhe madhështinë e “kryqëzorit” të historisë shqiptare që ka lundruar ndër shekuj pa iu fut uji dhe pa iu prish direkët.
Viroin e kam jetuar një ditë maji të viteve tetëdhjetë në një takim gazetarësh ashtu si kam jetuar uzinat dhe fabrikat e Gjirokastrës që u jepnin jetë njerëzve e tash pamja e mureve në kolona të braktisura betoni më trishton. Dikur një skelet metalik ombrelle nuk prishej pa ndërruar dy-tre veshje pëlhure e pajisjet e kuzhinës kryenin “revolucion” në mënyrën e të ushqyerit deri në skajet më të largëta të vendit…
Udhëtoj në zjarrin e ndezur të një fushate zgjedhjesh për pushtetin vendor e refreni i çdo partie e çdo kandidati më shurdhon veshët…
“Do të hapim…vende pune…”
Ku? Si? Me se?…
Askush nuk e thotë…
Memaliaj, qyteti i punëtorëve të nxjerrjes së qymyrit të gurit, më vjen në sy i mërdhirë kallkan. Minierën e vranë e me të vranë të gjithë banorët…
Nga Qafa e Koshovicës rruga është po ajo, e ngushtë si dikur në kontrast me rrugën e gjerë në hyrje e në dalje të rrethit të skajshëm të qytetit. Pritet të bëhet një baj-pass që makinat të ecin lirshëm. Kjo do të ndodhë dhe trishtimi që të vjen nga “rruga e vjetër” do të shuhet. Por trishtimi kur sheh kompleksin industrial ku në fund të viteve gjashtëdhjetë u ngrit kombinati kimik i prodhimit të plehut të nitratit të amonit që i dha gjelbërim dhe prodhim bujqësisë shqiptare, të mblidhet në shpirt e nuk del. Pa nitratin e amonit të Fierit dhe pa superfosfatin e Laçit nuk bën rrugë bujqësia. Me plehra të dyshimtë që vijnë nga jashtë edhe bujqësia, edhe shëndeti i njerëzve është në dyshim…
Udhëtoj zemrës së Myzeqesë, fushës së ndarë në rripa, pak me bimë e pemë frutore e shumë djerr…djerr…djerr…
Sapo kisha përfunduar së lexuari një libër të mikut tim Dr. Jorgji Muzaka “Njerëz të mirë”.
Libri është një enciklopedi e gjerë e vlerave intelektuale të specialistëve shqiptarë të bujqësisë.
Në faqet e librit të tij Jorgji Muzaka na sjell personalitete të larta të shkencës shqiptare. Na sjell Mentor Përmetin, shkencëtarin, akademikun e madh të bujqësisë shqiptare. Na sjell Andrea Shundin shpirtin shkencor të të cilit pata fatin e njohur kur ai udhëtoi nga Amerika e largët në Greqi ku e përcolla me dashuri e respekt në disa fshatra arvanite ku ai kërkonte fjalën e lashtë shqipe për verëtarinë dhe vreshtarinë për t’i futur në fjalorin enciklopedik shkencor për to… Sjell zooteknikun e njohur Dr. Viktor Pukën, Naun Priftin, Aleksandër Çelikun. Prof.. Adem Salillarin, Enver Isufin, Veli Hoxhën, Fuat Memellin e të tjerë, e të tjerë…
Jorgji Muzaka ka qenë punonjës shkencor i Institutit të Kërkimeve Bujqësore të Lushnjës. Deri në vitin 1996 ai punoi në seleksionimin e pambukut, bashkautor dhe autor i krijimit të disa linjave pambuku. Nuk iu nda pambukut edhe kur atë e anatemuan. Me ndihmën e një miku vazhdoi eksperimentet edhe pse ndodhej larg në mërgim ku edhe atje, në Greqi, ngriti një ngastër eksperimentale. Jorgji Muzaka që nga janari i vitit 1985 mban gradën shkencore “Doktor i Shkencave Bujqësore”…
Tash Jorgji Muzaka, në moshë pensioni, u jep gjelbërim kopshteve përtej oqeanit Atlantik, në Nju Jorkun e largët…
Myzeqeja tash nuk prodhon më pambuk. Mundi, dijet, djersa e një brezi të tërë specialistësh ka humbur. Trembëdhjetë mijë punëtorë të kombinatit të tekstileve të pambukta në Berat kanë humbur punën e tyre…
Dhjetëra mijë punëtorë të Myzeqesë e kanë lënë djerr fushën më pjellore të vendit dhe një ndër fushat më pjellore në Ballkan…
Rripave të tokës së ndarë të Myzeqesë herë – herë më vijnë në ekranin e vogël satelitorë fytyra të gëzuara pushtetarësh të lartë, të krye kuvendarit, kryeministrit, ministrit të bujqësisë.. që reklamojnë “përvojën” e ndonjë fermeri që ka mbjellë “një rrip” nga rripat pambarim të tokës të mbjellë me luleshtrydhe, domate, sallatë, kastravecë që po “mbushin” rrugët e eksportit. Pamjet më kujtojnë një bashkëfshatarin tim nga Brezhdani i Dibrës, Tahsim Karasanin, një bujk i përkryer që në vitet pesëdhjetë në një ngastër me tre dynymë tokë mori njëqind kuintal misër “Farëmadh Dibre” për hektar…
Më ngjan se propaganda e sotme në bujqësi është kthyer më se një gjysmë shekulli prapa…
Një bujqësi ndarë në rripa toke nuk mund të bëjë përpara…
Ligji 7501, i miratuar me konsensus e dy partive të mëdha duke shpërbërë fushat më pjellore të vendit e ka vënë bujqësinë shqiptare në një kolaps që mbase nuk do ta riparojnë disa dhjetëvjeçarë, në mos shekuj…

PALMAT-KJO MANI BASHKIAKËSH…

Me palmën si bimë jam njohur në vitin 1961 kur vazhdoja studimet e larta. Në oborrin para konviktit, ish ndërtesës të Shkollës së Dakos në kodrat e Kamzës, para hyrjes kryesore ngrihej e degëzuar diku tek dhjetë metra lart një palmë trungun e së cilës nuk e mbërthenin hapa krahësh dot dy studentë. Palma duhet të jetë mbjellë nga Dakoja, pronari i vendit dhe i shkollës në vitet tridhjetë të shekullit të kaluar.
Kryebashkiaku i Durrësit Dako (nuk e di në se ka të bëjë me Dakon e “Shkollës së Dakos”) , tek mbillte “Palmën e Njëmijtë” deklaroi se Durrësi është qyteti i palmave dhe se palma e parë daton e mbjellë në vitin…1970!
Tek udhëtoja më bëri përshtypje se palmat janë bërë dru zbukuruesit më të lakmuar dhe më të pranishëm në bizneset e reja shqiptare, në lulishtet që rrethojnë lokalet.
Por palmat janë bërë dhe “vrapojnë” në rreshta të gjatë tashmë në bulevardet kryesorë dhe në autostradat shqiptare.
Hyrja e Durrësit, në tërë gjatësinë e plazhit ta këput kokën në vështrimin lart për të kapur degët e pakta në majë të palmave, gjethet e të cilave më vijnë të zverdhura…
Hyrja e Tiranës, në ndarjen midis dy kursive të autostradës është binjake me atë të plazhit të Durrësit me ndryshimin se për mbajtjen drejt të gjithë asaj “binaje” të lartë trungu është i mbështetur në katër kërraba që luftojnë për t’i mbajtur në rrënjë palmat, në ndryshim me ato të plazhit që nuk e kanë këtë kujdes…
Dakoja në deklaratën e tij për shtyp përgënjeshtroi opozitën që një palmë e vlerësonte me pesëmijë euro duke thënë se kushtonte vetëm 220 euro (!)
Pyjet shqiptare janë të mbushur me dru pyjorë që me një kosto modeste dhe me traditë shqiptare mund t’ia shtojnë bukurinë rrugëve, lulishteve dhe mjediseve të gjelbra të vendit. Peshkopia me Bulevardin e Blirëve mbase jep një shembull të bukur që duhet vlerësuar…
Mania për të kopjuar të tjerët po bëhet sëmundje që kushton…
Të qenit vetja, kombëtarja, shqiptarja më ngroh…
Vijon…

MALI I ROBIT

E bukur është autostrada në dalje të Kavajës e në hyrje të Durrësit. E blinduar me mbajtëse hekuri, dyfish në qendër e tek e tek anash, e projektuar që të mos kalojnë as mizat. Por mizat kanë fletë dhe e kalojnë kur të duan dhe ku të duan pa. Edhe njerëzit e kalojnë por me kokë që lëviz si lavjerrës herë majtas e herë djathtas për të kap çastin e kalim – vrapimit jashtë rrezikut për kokën…
Banorëve të Malit të Robit, siç quhet kodra me një antenë sipër e diku 20-30 shtëpi në pjerrësi, për të kaluar autostradën për në plazh u është dhënë mundësia të shkojnë rrugë pa rrugë deri tek rrethrrotullimi i Kavajës ose deri tek rrethrrotullimi i Shkozetit. Një nënkalim poshtë rrugës së trenit ose një urë kalim mbi autostradë do t’i lehtësonte banorët që ta shijonin bregun e detit që ka emrin e vendit ku banojnë, Plazhin e Malit të Robit…
Autostrada në drejtim jugun e ka një dalje, një vendqëndrim të shkurtër të automjeteve në marrje e lënie pasagjerësh. Në krahun tjetër po të duash të ndalesh tek Mali i Robit nuk ke asnjë shans përveçse rrezikut në kalimin e strukturave metalike dhe…
Unë kam një shtëpi të vogël në plazhin e Malit të Robit, shtëpinë e pleqërisë. Kur shkoj mendohem gjatë ku të ndalem. Preferoj rrethrrotullimin e Kavajës, “Kavajotin” kur dikush më pret dhe autobusin që kalon në rrugën dytësore…
Kësaj radhe më pritën çka mi lehtësoi krahët nga valixhet…

KOMPLEKSI “AGZA-DIBRA” DHE KANALI FOLE MUSHKONJASH…

Agimi dhe Zabiti janë dy dibranë që pak kohë më parë bashkia e Durrësit ku jetojnë dhe punojnë u dha titullin “Qytetar nderi”. Nuk njoh rast tjetër por që t’u jepet titulli më i lartë i qytetit dy ndërtuesve është një vlerë e shumëfishtë. Dhe titulli u është dhënë për korrektësi dhe cilësi në ndërtime…
Agimi dhe Zabiti në plazhin e Malit të Robit i kanë qëndruar paksa larg detit, nuk janë përzierë në mishmashin e ndërtimeve dhe të pushtimit të detit me linja të gjata me gurë e panele çimentoje në mbrojtje të pronave të tyre. Ata kanë ndërtuar një kompleks modest me tre godina tre plus papafingo, rrethuar me mure dekorativë, shtruar me kalldrëm tullash, gjelbëruar me shije urbanisti…
Ke dëshirë të pushosh, madje të jetosh tërë vitin në këtë mjedis. Të përjetosh qetësinë, të dëgjosh zërat e fëmijëve tek luajnë me njeri tjetrin në oborr pa shqetësimin e prindit kur fëmija del nga dera e apartamentit…
Mallin dhe dëshirën ma prish kanali i zhytur në ujëra të zeza e kallamishtesh që gjejnë ushqim të bollshëm për tu rritur e harbuar, fole mushkonjash që nuk ndalen përpara asnjë helmi…
Thonë se kanalin dhe rrugën nga autostrada ende në zhavorr e gropa do ti sistemojnë. Kanalin do ta fusin në tuba e rrugën do ta shtrojnë me asfalt, vetëm pesëqind metro rrugë dhe diku tek dy kilometra deri në derdhje në det…
Thonë…
E kanë thënë tash dhjetë vjet…
Me të thënë e me të bërë kanali vazhdon t’i derdhë ujërat e pista në një det të tërë…

HEKURUDHË NË GRAHMAT E FUNDIT…

Një fishkëllim vjen e më kthen në kohë, dikur pas mesit të viteve pesëdhjetë të shekullit të kaluar. Mua, se të tjerët i kthen pas mesit të viteve dyzetë. Më kthen tek lokomotiva me avull që ndalej kurdoherë sapo kalonte tunelin e Rrogozhinës për tu mbushur me ujë, lënda e dytë pas qymyrit që i jepte forcë…
Një histori e veçantë ndërtimi i hekurudhave në Shqipëri, histori që nis me hekurudhën Durrës Peqin e Durrës Tiranë për të vazhduar udhëtimin drejt Fierit, Ballshit e Vlorës në Jug, drejt Gurit të Kuq në Pogradec në Jug-Lindje e drejt Laçit, Shkodrës, Hanit të Hotit dhe Evropës në Veri. Histori ku u derdh shatërvan djersa e të rinjve dhe të rejave nga i gjithë vendi…
Zëra politikanësh në prag zgjedhjesh diku flasin për hekurudhën. Berisha rreth një dekadë më parë u premtoi Kavajasve së do tu sillte trenin elektrik. Sikur ta kishte bërë atëherë tiranasit do të udhëtonin bregdetit me tren siç udhëtojnë athinasit nga Kifissia në Pire. Qetë – qetë, në stacione afër e afër, vetëm me njëqind lekë…
Po flitet për lidhjen e Kosovës me tren nëpërmjet luginës së Drinit…
Berisha bërtiti fort përsëri të enjten në parlament…
Po flitet për lidhjen e Maqedonisë me hekurudhë nëpërmjet Linit e Strugës…
Fjalë zotërinj, fjalë… si në komeditë dhe tragjeditë e Shekspirit…
Treni kalon duke lënë pas psherëtimën në agoni…
Në dritaret e vagonëve të pasagjerëve pas xhamave të thyera shoh ndonjë fytyrë të ngrysur…
Treni shqiptar nuk arrin në Tiranë. Ia kanë ngrënë stacionin…

NJË NËPUNËS BANKE ANAKRONIK…

Më duhej që të merrja një informacion për gjendjen time të llogarisë, shtesën për paratë nga pensioni im dhe i gruas futur në një llogari ndërtimi.
Nëpunësja e arkës më drejtoi tek një punonjës i shërbimit mbasi vetëm ai kishte të drejtën e informimit.
U ula përballë dhe pasi i paraqita librezën prita sa vallëzimi i gishtave të tij mbi tastierën e kompjuterit të përfundonte…
“Shtesa është një milionë e njëqind mijë e…”
“Sa, sa?”- ia kthej unë i habitur
“Një milionë e njëqind mijë e…”
“Ma shkruaj, sepse nuk e marr vesh.”
Mori një letër dhe mbi të shkroi shifrën njëqind e një mijë e…
“Ua thashë me lekë të vjetra”- foli duke më vënë letrën përpara.
“ Ju jeni i ri, i thashë, nuk besoj se jeni i datëlindjes 1964 kur ndryshoi në masën një me dhjetë monedha shqiptare. Jeni edhe nëpunës në një institucion ku detyrimisht duhet të flisni me të tashmen e lekut dhe jo me të shkuarën”
Më pa si të kisha zbritur nga Marsi…
Në mbrëmje në ekranin e vogël të televizionit shtëpiak veshi më kapi Romen, Bashën e Berishën. Secili, sipas interesit propagandistik fliste herë me “lekë të vjetra” e herë me “lekë të reja”…
“Mirë këta, pyeta veten se bëjnë politikë po ai nëpunësi i bankës çfarë bën?”.
Mbase ky allishverish do të shuhet kur të hyjë euro-ja e leku do të mbetet në skaj të kujtesës…

“NJËZET E KATËR ORË UJË NË DITË…”

Një refren që përsëritet pas çdo fjalimi kandidati për kryetar bashkie veçanërisht në Tiranë e Durrës ku “grushtet” e “boksit elektoral” janë pa doreza…
E thonë të djathtët dhe të majtët me sigurinë që e kanë ujin njeri në xhepin e djathtë të këmishës elektorale e tjetri në xhepin e majtë.
Po si do t’i japin ujë Tiranës dhe Durrësit ku është ngulur gjysma e banorëve aktualë të Shqipërisë askush nuk ta thotë.
Po se ku do ta marrin gjithë atë rrjedhë të madhe uji gjithashtu askush nuk e thotë.
Më se gjashtëdhjetë vite më parë këndohej një këngë: ”Tiranës ujë e dritë i japim për dhjetëvjetor…”. Asokohe Tiranës i mjaftonte uji i Selitës për të pirë, për tu larë dhe për të ujitur kopshtet…
Tirana u rrit. U gjetën ujërat e fushës së Milotit që futur në tuba e shuan etjen jo vetëm të Tiranës por edhe të Durrësit…
Përsëri Tirana vazhdoi të rritet në nevojën e përditshme jo vetëm për të pirë e për tu larë por edhe për industrinë, veçanërisht atë ushqimore, që nuk ngopej me ujë…
U ndërtua ujëmbledhësi i Bovillës deri në përurim…
Tirana, mes përmes e në periferi të saj mblodhi çerekun e Shqipërisë. Bovilla u fut në tuba…
Uji firoi rrugës nëpër të çara të panumërta…
Qytetarët i dhanë rrugë një biznesi të paparë ndonjëherë në vend, pa dyshim edhe në Evropë. Vunë pompa dhe e ngjiten ujin në rezervuarë alumini, inoksi apo plastikë mbi tarraca…
Ujë përsëri me orar, me zgjime për “syfyr” për të mbushë rezervuarët…
Tirana nuk ka ujë, ka rezervuarë…
Kandidatët për kryetar bashkie në çdo takim flasin për “Njëzet e katër orë ujë…”
Jetoj në një qytet evropian që uji ngjitet me vetërrjedhje edhe në katet më të larta të pallateve, edhe në majë të maleve të ulëta që e rrethojnë Athinën. Asnjëherë nuk më mungon uji. Është i pastër dhe i pijshëm më i mirë se ai i shisheve.
Po nga e merr ujin Athina?
Diku, 180 kilometra larg, në vitet tridhjetë të shekullit të kaluar në lumin e vogël Morno, u ngrit një digë. Uji u fut në një kanal betoni, kaloi një rrjet të gjatë tunelesh në një volum njëzet metër kub në sekondë dhe u depozitua në liqenin e Maratonës njërit prej burimeve të ujit jo vetëm për Athinën por edhe për rrethinën, madje edhe për ishujt e afërt.
Një zgjidhje evropiane që me pak mend e me shumë pak shpenzime, pa ndërtime dige e tunelesh të gjatë, mund e duhet të bëhet edhe në Shqipërinë time e tënde. Uji që del nga hidrocentrali i Shkopetit, i futur në tuba apo në një kanal betoni, përcjellë nëpërmjet një impianti modern trajtimi…do ta mbyste me ujë tërë linjën vetë rrjedhëse…Milot, Laç, Fushë Krujë, Vorë, Durrës, Kavajë… jo vetëm në qytete por edhe në fshatra…
Kanali që lidh ujëmbledhësin e Mornosë me Athinën është 188.5 kilometra i gjatë. Ai përshkon 67.5 kilometra tunele, 113,5 kilometra kanale të sistemit të hapur e të mbyllur, 7.5 kilometra sifone…
Kanali që do të lidhte Shkopetin me Durrësin do të ishte diku tek 50 kilometra i gjatë…
Vetëm kaq…
Populli thotë një fjalë…”Më mirë të dish apo të kesh?”
Shqipërisë nuk i mungon uji, i mungojnë mendtë…

Vijon…

MIQ QË MË ÇUAN NË VENDLIDJE

Tiranën në dy tre ditë nuk e sheh dhe as të sheh. Koha në maj edhe të djeg edhe të lag. Ke dëshirë t’i takosh të gjithë, gjini e gjak, miq e shokë por nuk mundesh…
Nuk e njihja Azis Ketën përveçse në komunikimet në internet. Më kishte kërkuar shumë herë që sapo të vija në Shqipëri ta takoja. Kur u nisa i përcolla numrin e celularit në Shqipëri.
Ishte telefonata e parë që mora dhe këmbëngulja e fortë që të takoheshim. Më tha se do të merrte me vete Lutfi Harkun, bashkëmësuesi im në shkollën e mesme bujqësore “Nazmi Rushiti”, autorin e librit për heroin e njohur partizan që hyri në këngë me krismën e pistoletës në Zerqan mbi kapitenin e xhandarmërisë italiane…
“Se ky popull ka djem me huqe,
Këmishën e zezë ta bën të kuqe”…
U ulëm në një lokal ku dikur ka qenë hoteli “Vjosa” dhe gjerbëm kujtimet e viteve të largëta.
Ketët e Bulqizës i kam njohur herët. I pari ka qenë Esat Keta portretin e punës si tornitor në Ndërmarrjen Gjeologjike të Bulqizës e kisha skicuar dhe botuar në “Zërin e Rinisë” në vitin 1964…
Më vonë në jetën time fisi i Kete do të ishte i pranishëm e respekti për ta do të rritej vazhdimisht…
Lutfi Hankun kisha kohë që nuk e kisha takuar, afro njëzet vjet…Ishte po ai Lutfi që njoha nga afër në shkollën e mesme bujqësore, i qetë në nxjerrjen e fjalës, Lutfiu që edhe në emigracion më ka ardhur sa e sa herë në kujtimet e dy ish nxënësve tanë të dhënë pas letërsisë, Gjon Neçaj tash në Tropojë, poet e hulumtues në vlerat e mëdha të trevës verilindore të vendit tonë mbushur me këngë e legjenda që ta ndalin frymën, dhe Gjovalin Lumaj nga skaji më verior i Shqipërisë, Vermoshi, poezitë dhe proza e të cilit më vjen në faqet sociale si margaritar i një malli që nuk shuhet nga Miçigani i Shteteve të Bashkuara të Amerikës…
Kthehemi së bashku në Peshkopinë tonë që me mall e dhimbje e lamë apo na la. Nën kurorën e blirëve, tash kur pemët janë kapur duarsh për të formuar një tunel me gonxhet gati të varin gonxhet në lulëzim për të shpërndarë erën e mrekullueshme, kujtimet na ulen në gjunjë e malli na bërtet “Kthehuni, ju jeni për këtu” …
Lutfiu ka qenë mësues letërsie, ka lëvruar tregimin, reportazhin e përshkrimin në publicistikë. Ka lëvruar edhe romanin. Por mbi të gjitha parmenda e punës së tij letrare ka bërë hulli të thellë në arën e madhe të monografive për njerëzit e mëdhenj të luftës. Pas Nazmi Rushitit ai do të rrëmonte në jetën dhe veprën e Baba Faja Martaneshit. Libri për të do të rrëmbehej pa ra në tokë. Më tej do të vazhdonte me Gjokë Doçin, trimin lurjan që ra në Symizë të Mallakastrës, lapidarin e të cilit banorët e kanë ruajte si në ditën e parë të vendosjes…
Azizi merrej me pikturën, kishte një koleksion të madh me piktura dhe një studio për ruajtjen dhe propagandimin e tyre…
Ishte një mbrëmje e bukur mes dy njerëzish që të “lodhin” në udhëtimin në vendlindje duke të çlodhë me mallin e dashurinë që përcjellin…

PESËMBËDHJETË VJET NË KËRKIM TË TAPISË…

E kam një shtëpi në Tiranë, shtëpia ime, shtëpia e bashkëshortes sime, shtëpia e Altinit, Erblinës dhe Indritit, fëmijëve tanë që punuan dhe dhrahmi pas dhrahmie i mblodhën lekët dhe e paguan.
E porosita në janar të vitit dymijë…
Pagova një për një këstet…
Më thanë se shtëpia është gati dhe pasi mblodha një “krah” plaçka shkova…
Nuk më pëlqeu ndërtimi. Suvaja gërvishtej me gisht. Uji më vinte nëpërmjet një tubi kolektiv që niste në katin e parë për të përfunduar në katin e dhjetë. Vetëm një saraçineskë kishte, kryesorja. Në pikat nyje hidraulike nuk kishte asnjë saraçineskë. Në kontratë thuhej se ndërtimin do të bëhet sipas normave të Bashkimit Evropian. Nuk ishte bërë as me normat e diktaturës. Nuk kishte dhe nuk ka vend për sahat uji. Instalimi elektrik nga sahati në fund të shkallëve e nga kuadri kryesor tek nyjat me ngarkesë të madhe elektrike ishte me tel 1.5 milimetra katror…
E hodha në gjyq. E fitoi ai. Kishte para. Kishte krah të fort në shtet. Kjo është Shqipëria.
Në tetor të vitit 1913, trembëdhjetë vjet më pas, më në fund mu dhanë në dorë dokumentet për hipotekim. Ndoqa rregullat. Pagova jo vetëm ata që më takonin mua por edhe ata që i takonin ndërtuesit…
Më thanë se pas një muaji tapia të vjen në shtëpi…
Më pëlqeu korrektesa…
Por ishin vetëm fjalë…
Tapinë ende nuk e kam marrë dhe nuk e di se kur do ta marr…
Pengesë na qenka se katet e pallatit i paskan llogaritur mbrapsht. Në të gjithë botën kati i parë vjen pas katit përdhes. Ata katin përdhes e kanë llogaritur kat të parë dhe çorba është bërë me kaq produkte sa zyrat e hipotekës së Tiranës nuk po i gjejnë fundin…
Po pres që në shtëpinë e familjes sime ku banon djali i madh një ditë dikush nga zyrat e hipotekës të trokasë dhe t’i thotë djalit…”Urdhëro, firmos këtu se more tapinë e shtëpisë. Ta gëzoni…”
Në Shqipëri Kryeministri po shpërndahen me ruspë hipoteka shtëpish e objektesh ekonomike. T’i gëzojnë…
Pres mos vjen edhe tek unë…
Ta gëzoj me shoqen e jetës, me fëmijë, me nipër e mbesa…
E çfarë e lumturon më shumë një njeri që udhëton drejt të tetëdhjetave?

NË STUDION E BUJAR KAROSHIT…

Nuk mund të shkoj në Tiranë e të mos vizitoj studion e Bujar Karoshit dhe bashkëshortes së tij Miranda Golecit, njeri me rrënjë të vjetra në Fushë të Çidhnës, “një pash” larg Drinit, e tjetra me rrënjë në Rabdisht, “një pash” nga kufiri shqiptaro-shqiptar, një fshat i vogël me bjeshkët në krye e vargmalet që nga njëri krah, majë pas maje kapen dorë për dore me Korabin, e nga ana tjetër me Kërçinin në prehrin e të cilit mban Dibrën e Madhe m’atë anë e fushën pjellore të Maqellarës në këtë anë. Një çift që rrallë e gjen…
Bujari është botues i librave të mi dhe i librave të shumicës së krijuesve dibranë.
Atë ditë, bashkë me mikun tim të viteve të shkuara të punës në një gazetë të madhe të vendit, Naim Zoton, përgatiteshin për festën e librit, festë në të cilën kishin stendën e tyre…
Si gjithnjë, kësaj radhe do të merrja me vete një libër enciklopedi për arsimin në trevën e Dibrës, vëllimin II të mësuesit dhe studiuesit kaladodas Xhemal Domi “Dibra në hulli të historisë” si dhe librin e mikut tim të vjetër Mevlud Buci “Alegoria e Dibrës filozofi e shekujve” (Gjurmime alegorike, anekdota, shprehje popullore) për tua shtuar librave të shumtë botuar nga Bujar Karoshi që zënë një rast të tërë të bibliotekës së mërgimtarit…
Në do ta marrësh Dibrën me vete larg e larg “nëntë male kaptuar” për të shuar mallin e vendlindjes shko në studion e Bujar Karoshit…
MALLI I ERALIT DHE BRENGA IME PËR EBIN

Erali, djali i djalit, nuk mu nda gjatë gjithë ditëve që isha në Tiranë. Me mua do të flinte, me mua do të shkonte mëngjeseve në shkollë, me kënaqësinë që të më prezantonte me mësuesen…
E kishte marrë malli nipin tim si asnjëherë…
E kishte një arsye…
Në mars, në ditëlindjen e tij të shtatë, do të bënte një udhëtim shprese për motrën e tij Ebin.
E donë shumë motrën e tij që ecën për dhjetë vjeç. E donë aq sa nuk lejon askënd t’i bërtasë kur ajo e ngre zërin e saj, të vetmen formë komunikimi me babanë, mamanë, hallën, gjyshin, gjyshen…
Ka lindur me një problem të pashërueshëm, me vatra të gjera të fjetura në tru, mbase përgjithmonë në gjumë, pa zgjim, pa mëngjes jete…
Udhëtuan drejt Stokholmit, vendit të Nobelit ku u kishin thënë se kujdeset si askund për fëmijët; i merr, i strehon, flet me gjuhën e shkencës për shëndetin dhe të ardhmen…
E ëma është mjeke, i ati është specialist ndërtimi. Kanë shtëpinë e tyre. Nuk janë të pasur, por as të varfër që të marrin arratinë për një copë bukë. Mjekja pas përgjigjeve “Shumë, shumë, shumë…keq” në Athinë dhe Tiranë për të ardhmen e vajzës kërkoi të marrë një përgjigje shkencore në Suedi…
I pritën me “këmbët e para”…
Shqiptarët ishin të padëshirueshëm. Kryeministri ynë në vizitën e tij në shtator kishte deklaruar se Shqipëria “është vend i sigurt”…
Edhe ministri i jashtëm disa ditë më parë në atë vrimë i ra fyellit…
Djalin e tij, kryeministri, vite më parë e kishte shëruar në…Amerikë…
I përplasën në një kamp me banjë kolektive e ushqim “kishe”. Askush nuk erdhi ta marrë fëmijën e ta kontrollojë…
Tre javë pa u larë fëmija…
U kthyen në shtëpinë e tyre, në punën e tyre me brengën se humanizmi nuk arrin tek dhimbja njerëzore, i kalon anash…
Erali i shmangej bisedës për udhëtimin në vendin e brezit polar. Edhe për dëborën që përjetoi për herë të parë nuk fliste…
E ka një brengë nipi im shtatë vjeç, brengë fëmije. Brengën për motrën e tij. Brengën se ajo nuk i ka folë asnjëherë, nuk ika buzëqeshë, nuk e ka ledhatuar siç ledhaton motra e madhe vëllain e vogël. Brengë fëmije të rritur para kohe…
Nipi im shtatë vjeç e ka kapërcyer fëmijërinë, është rritur. E ka rritur brenga për motrën që e do…

ZGJEDHJET “EDHE HAHEN, EDHE PIHEN”…

Një reklamë që ku nuk të del e nga kush nuk lëçitet: “Kosi edhe hahet, edhe pihet”. Që kosi hahet të gjithë e dinim, por që pihet tani e mësuam. Kosi që të pihet duhet të hollohet të paktën tre ujë e një kos duke e rrahur me telin e kuzhinës në tasin e porcelanit apo të plastikës apo në mikser. Futet edhe në tundës a dybek, rrihet deri në nxjerrjen e gjalpit dhe bëhet dhallë për tu përzierë përsëri sipas formulës “Dhallë more dhallë unë shti ujë e ti i bardhë”…
Por, si puna e kosit, në Shqipëri janë bërë zgjedhjet e pushtetit vendor. Zgjedhjet në fjalorin e kandidatëve për kryetarë bashkie “Edhe hahen, edhe pihen”.
Si puna e “kosit që hahet edhe pihet”, zgjedhjet e kanë përzierësin apo tundësin e vet. I zakonshëm, i thënë një çerek shekulli pa ndërprerë, në zgjedhje kuvendare e vendare, me të njëjtën formulë, me zëra të ndryshëm herë të qartë si të dalin nga “gryka e pushkës”, e herë të ngjirur si të dalin nga “gryka e çiftes”.
Në çezmat e qyteteve dhe fshatrave shqiptare nuk ka ujë. Në gojën si gjiriz të kandidatëve uji vërshon si i dalë nga turbina e hidrocentralit.
“Ujë njëzet e katër orë”…
Në Tiranë…
Në Durrës…
Në Vlorë…
Në Gjirokastër…
Kudo…
Më tej vijnë të tjerë shatërvanë…
Ulje tridhjetë për qind e taksave..
Ulje njëzet për qind e dritave…
Rrugë të asfaltuara…
Shkolla të bukura…
Çerdhe, kopshte…
Punë një njeri për çdo familje…
O Zot, sa shumë “hahen dhe pihen zgjedhjet”, me një uri dhe etje të partiake për pushtet…
Sa shumë! Sa lartë e ngrenë zërin. Deri pas notës më të lartë të pentagramit ku fillon ngjirja..

“POLICIA EDHE HA, EDHE PI”…

Kakavinë e lashë pas në kalim të dy ditëve…
Si në hyrje, ditë më parë, nuk kishte radhë autobusësh. Vetëm një para nesh…
Nuk kishte, por nuk mund të rrinim pa u vënë në radhë, pa dy orë andej e këndej…
Disa të rinj do t’i kalonin në sitë…
Ku shkoni, pse shkoni, sa para kini…
Pyetje andej. Pyetje këndej…
Një i ri, diku tek të tridhjetat që nëpërmjet Greqisë donte të shkonte në Turqi, na tha me mburrje se e kishte thyer policin me një pesëmijëshe…
“Policia edhe ha, edhe pi”…

*   *  *

…Tash jam në Athinë. Më 22 korrik mbush 19 vjet ikjeje. Ikje natën…
Me trup jam këtu, me mendje jam atje…
Është vendi im…
E dua…
Do të desha që edhe Ai të më dojë, të na dojë…
Jemi gjaku i tij, nuk duam të hollohet…

Abdurahim Ashiku

Athinë-Tiranë-Athinë, maj 2015

 

 

 

 

 

 

Filed Under: Reportazh Tagged With: Abdurrahim Ashiku, DHE MALL, MËRGIMTARI, RRUGËTIM MES PSHERTIMASH

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 7
  • 8
  • 9
  • 10
  • 11
  • …
  • 16
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT