• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Adem Demaçi, frymëzim për shumë breza të rezistencës kundër pushtuesit

July 28, 2016 by dgreca

-Raporti i Adem Demaçit me mërgatën është i veçantë, sepse mërgata e diaspora jonë është ngritur e krijuar edhe si mërgatë politike/

-Në hapje të ekspozitës kushtuar jetës dhe veprës së Adem Demaçit, e cila përkon me mbajtjen e Ditëve të Diasporës, morën pjesë ministri i Diasporës, Valon Murati, kryetari i Shoqatës të të Burgosurve Politikë, Hydajet Hyseni, si dhe veprimtarë e qytetarë të tjerë/

PRISHTINË, 28 Korrik 2016-Gazeta DIELLI-B.Jashari/ Në bashkëpunim me Ministrinë e Diasporës,  mbështetur nga Biblioteka Kombëtare e Kosovës “Pjetër Bogdani”, Instituti Albanologjik i Kosovës dhe Instituti i Historisë “Ali Hadri”, Ministria e Kulturës, sot në ambientet e Shoqatës të të Burgosurve Politikë u hap ekspozita kushtuar jetës dhe veprës së Adem Demaçit, e cila përmban një pjesë të fondit të fotografive, dokumente e  botime të mbledhura të Adem Demaçit.

Në hapje të kësaj ekspozite, e cila përkon me mbajtjen e Ditëve të Diasporës, morën pjesë ministri i Ministrisë së Diasporës, Valon Murati, kryetari i Shoqatës të të Burgosurve Politikë, Hydajet Hyseni, si dhe veprimtarë e qytetarë të tjerë.

Ekspozitën kushtuar Adem Demaçit e hapi Meriman Braha, veprimtar i lëvizjes kombëtare, ish-i burgosur politik, i cili tha se ky aktivitet i dedikohet një figure emblematike të lëvizjes sonë kombëtare, Adem Demaçi. Ky vit është viti shpallur si vit i Adem Demaçit, në 80-vjetorin e lindjes së tij dhe në shënim të gjithë veprimtarisë së tij patriotike, atdhetare, kombëtare, intelektuale, kulturore e humanitare.

“Vepra e Adem Demaçit, qëndresa  e tij, ka qenë frymëzim për shumë breza të rezistencës kundër pushtuesit. Raporti i Adem Demaçit me mërgatën është i veçantë, sepse mërgata e diaspora jonë është ngritur e krijuar edhe si mërgatë politike. Veprimtarët tanë kanë punuar në mobilizimin e njerëzve në diasporë në vitet më të rënda, çdoherë duke e pasur përballë edhe figurën e Demaçit, si një simbol i rezistencës, i lirisë universale për shqiptarët dhe njerëzimin. Adem Demaçi, me veprën  dhe punën e tij, nuk është vetëm një figurë e rëndësishme e popullit shqiptar, por  një figurë e rëndësishme për njerëzimin, sepse përpjekja e tij për liri është një përpjekje universale, është një vlerë njerëzore”, tha ndër të tjera ministri Murati.

Me rastin e hapjes së kësaj ekspozite, edhe Hydajet Hyseni, kryetar i Shoqatës të të Burgosurve Politikë, foli për figurën e Adem Demaçit.

“Njëzet e nëntë vjet të  Adem Demaçit dhe të shumë veprimtarëve të tjerë kaluar nëpër burgje të Jugosllavisë kanë qenë edhe një lloj ekzili i dhunshëm. Nuk është e rastit që Adem Demaçi është perceptuar në  mesin e mërgimtarëve si përfaqësues  i veçantë edhe i së kaluarës, edhe i së ardhmes. Duke nderuar Demaçin, ne i bëjmë një nder edhe mërgatës, duke shprehur mirënjohje për gjithë atë që ka bërë për atdhetarët. Pa kontributin  e mërgatës, nuk do të ishte as Kosova e as kombi këtu ku është”, tha pos të tjerash Hyseni.

Kjo ekspozitë, e cila po mbahet në kuadër të shënimit të vitit Demaçi, do të qëndrojë e hapur deri në fund të verës.

Filed Under: Kulture Tagged With: Adem Demaci, Behlul Jashari, frymezim per brezat, pushtuesit, rezistences

ADEM DEMAÇI, SIMBOL I QËNDRESËS SHQIPTARE

March 1, 2016 by dgreca

Me rastin e 80-vjetorit të lindjes/

Nga Xhelal Zejneli/

Adem Demaçi lindi në Prishtinë më 26.02.1936. Është veprimtar për çështjen kombëtare në Kosovë, por edhe për të drejtat e njeriut. Kreu Shkollën e Lartë Pedagogjike në Shkup, vijoi studimet për shkencat juridike në Prishtinë dhe për letërsi në Beograd. Në vitet ’50 punoi në gazetën “Rilindja” dhe në shtëpinë botuese “Rilindja”, ku botoi një varg shkrimesh publicistike, tregime, vjersha dhe përkthime letrare.

U bë i njohur me veprën “Gjarpinjtë e gjakut” që u botua në vitin 1958 e që trajton plagën e dhimbshme të gjakmarrjes. Qysh në moshë të re u angazhua në lëvizjen kombëtare të shqiptarëve në Jugosllavi, duke ngritur zërin kundër shpërnguljeve dhe diskriminimit kombëtar ndaj tyre. Në vitin 1958 u arrestua dhe u dënua me tre vjet burgim. Pas daljes nga burgu më 1961, vijoi ilegalisht veprimtarinë e tij duke krijuar organizatën “Lëvizja revolucionare e bashkimit të shqiptarëve”, e cila kishte si objektiv bashkimin e Kosovës me Shqipërinë. Për këtë veprimtari, në vitin 1964 u dënua me 15 vjet heqje lirie. Në gjyq mbrojti pikëpamjet e tij për bashkimin e trojeve shqiptare dhe kjo e bëri të njohur ndër shqiptarët në Jugosllavi. Më 8 qershor 1974 u lirua nga burgu, por pas një viti u arrestua për të tretën herë dhe u dënua me 15 vjet heqje lirie. U lirua më 28 prill 1990.

Për qëndresën e tij gjatë 28 viteve në burg, si disident në Jugosllavi, në vitin 1991, u vlerësua me çmimin “Saharov” në Strasburg.

E vijoi veprimtarinë e tij kombëtare dhe në vitin 1998 u bë përfaqësuesi politik i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Këtë detyrë e mbajti deri në shkurt të vitit 1999, kur dha dorëheqje, pasi nuk u pajtua me pjesëmarrjen e shqiptarëve në Konferencën e Rambujesë (1999).

Pas vendosjes së Kosovës nën administrimin e Kombeve të Bashkuara, Demaçi ka mbajtur ligjërata në Degën e gazetarisë në Universitetin e Prishtinës dhe më pas ka ushtruar veprimtari shoqërore për mbrojtjen e të drejtave të njeriut në Kosovë.

Ndër shqiptarë, njihet edhe si baca Adem.

Është një ndër figurat më madhore të kombit shqiptar. Është i njohur edhe në skenën ndërkombëtare. Është simbol i qëndresës së shqiptarëve në Jugosllavi, kundër politikës diskriminuese dhe gjenocidale të serbëve, të malazezëve dhe të sllavo-maqedonasve ndaj shqiptarëve. Ideal i bacës Adem ka qenë dhe mbetet bashkimi kombëtar, përkatësisht krijimi i Shqipërisë etnike. Ky atdhetar i dorës së parë është një personalitet i rrallë dhe i jashtëzakonshëm, me virtyte të larta morale dhe njerëzore. Është nderi dhe krenaria e kombit. Me një fjalë, është institucion në vete. Nuk është anëtar i asnjë partie dhe nuk voton për asnjë parti, edhe pse para rreth një viti e gjysmë ka deklaruar se e mbështet krahun e luftës. Nuk ka dashur të formojë parti politike, vetëm e vetëm që të mos shkaktojë përçarje në hapësirën politike shqiptare. E kanë quajtur Mandela i shqiptarëve.

 

Filed Under: Komente Tagged With: Adem Demaci, ne 80 vjetor, Xhelal Zejneli

Mitrovica, një park me emrin Adem Demaçi

February 25, 2016 by dgreca

MITROVICË, 25 Shkurt 2016/Një park në Mitrovicë merr emrin e veprimtarit të çështjes kombëtare, simbolit të rezistencës Adem Demaçi, me rastin e 80 vjetorit të lindjes. Vendimin e mori unanimisht Kuvendi i Komunës së Mitrovicës jugore, në mbledhjen e mbajtur sot. “Simboli i rezistencës kundër pushtuesit, intelektuali dhe shkrimtari i madh Adem Demaçi, tërë jetën ia kushtoi shqiptarisë, Kosovës dhe Shqipërisë. Është nderë dhe krenari për ne që parku afër Shkollës së muzikës të mbajë emrin e kolosit të çështjes kombëtare”, u shpreh kryetari i komunës, Agim Bahtiri.Vendimi edhe u duartrokit nga këshilltarët e Kuvendit të Komunës jugore të Mitrovicës, qytetit më të madh verior të Kosovës./b.j/

Filed Under: Kronike Tagged With: Adem Demaci, Mitrovice, nje park me emrin

Porosia në përvjetor

November 10, 2015 by dgreca

Nga Hazir Mehmeti, Vjenë/
Me rastin e dyvjetorit të krijimit të Shoqatës së Krijuesve e Shkrimtarëve Shqiptarë në Diasporë/
Fjala e Bacë-Adem Demacit dhe Flora Brovinës/
Një foto kujtim kohe:Sadie Kryeziu (GB), Flora Borovina (RKS), ShenidaBilalli (KRO), Baci Adem (RKS), Silva Tërnava (Zelande e Re), SevëmeFetiqi (D), Besim Xhelili (A); ngritur: Imri Trena (N), Rita Saliu (SHBA), SelveteTërstena – Halili (D), Gonxhe Letmi – Begisholli (D), Hazir Mehmeti (A), Dr. ZejnepeAlili – Rexhepi (Tetovë), Besnik Camaj (CH) dhe Drita NikoliqiBinaj (Vojvodinë)
Para dy vjetëve u vu themeli i bashkimit tĉ krijuesve dhe shkrimtarëve në Diasporë. Nuk ishte e lehtë. Krijuesit veprimtarë të dalluar të brumosur me frymën Rilindëse lëvizën gjithandej globit mundësinë e bashkimit. Kjo u arrit falë edhe ndihmës nga vendlindja, me e për të cilën krijimtaria merr shpirt gjithmonë. Ishte hera e parë që do uleshin së bashku, lexonin para njëri tjetrit, kritikonin e udhëzonin njëri tjetrin. Aty edhe Ministri në Ministrinë e Diasporës z.IbrahimMakolli, aty edhe diplomat e media. Vlera e veçantë e cila peshon kohëve ishin prezenca e dy veprimtarëve të mëdhenj të çështjes kombëtare, Bacë-Adem Demaqi dhe Flora Brovina.
Tani dy vjet më vonë do tubohemi përsëri me temën nga kuvendi themelimit, por pa këta mysafir të respektuar nga gjithë kombi. Do rifreskojmë kujtimet e porositë me fjalimet e tyre, të cilat i incizova tërësisht dhe botohen tani pas dy vjetëve. Porosia e tyre ka aktualitetin e paluhatshëm e ngjizur në bazamentin e interesit kombëtar e njerëzor.
Adem Demaci:” Vëllezër dhe motra. Jam i lumtur që po marr pjesë në këtë hap të rëndësishëm që po bëjnë intelektualët tanë që padrejtësitë historike bënë që të shpërndahemi si vetë e qyqes, që thonë, në gjitha anët e botës. Mirëpo, ne shqiptarët jemi popull i befasive të këndshme, i befasive që asnjë popull në botë nuk i bënë. Ne jemi ata që pavarësisht se humbëm shumë kryengritje, prapë qoheshim në tjetrën. Na qitshin në gjunjë dhe prapë ngriheshim dhe kjo qëndresë e jona, e jo nënshtrim që nuk e njeh historia e njerëzimit, më në fund u shpagua dhe sot jemi më mirë se kurrë në historinë tonë pavarësisht se kemi edhe shumë probleme për të zgjedhur. Jemi më shumë se kurrë në historinë tonë. Kemi njerëz të shkolluar, kualifikuar, ditur si: shkrimtarë, dramaturgë, muzikantë, artistë të mëdhenj, kemi InvaMulen, soprano e cila vjen nga Tirana, kryeqyteti ynë, e cila e tronditë botën. Jemi shumë më mirë por jemi shumë më keq në krahasim me ë tjerët, si në Ballkan, si në Evropë.
Jemi si shtet nganjëherë bira e fundit e kavallit që duhet të na trandë kjo situatë dhe po e shoh se edhe këtu në mërgatë ka arritur ndjenja për ta kuptuar se duhet trandur, duhet të lëvizim. Mërgata e jonë historikisht ka qenë gjithnjë krahu i djathtë i përpjekjeve tona çlirimtare që nga Lidhja e Prizrenit. Sot jemi në një situatë ku luftërat nuk bëhen me plumba, sot bëhen luftërat me dije dhe në ekonomi. Prandaj, duhet të përpiqeni të gjithë ju që me dijen tuaj, talentin tuaj, aftësitë tuaja, të punoni e të veproni duke ngritur më lartë lavdinë e kombit tonë. Duke forcuar edhe më shumë shpirtin tonë të cilin nuk e ndanë, na i ndanë territoret, na i morën copa, por asnjëherë nuk qenë në gjendje të na e ndajnë shpirtin, se kudo që ishim e kishim një shpirt. Dhe kjo ishte ajo që na bëri të mundur që të kalonim nëpër furtuna të pa para. Njëmijë vjet zgjati pushtim dhe përmbytja romake. Me qindra vjet zgjatën pushtimet e përmbytjet sllave, Mbi pesëqind vjet zgjatën pushtimet otomane. Bullgaria ishte dyqind vjet (shk.9 e 10) që na mbajti ne të pushtuar duke depërtuar deri në Adriatik dhe prenë e vranë çdo gjë që u vinte për dore. Ne i kaluam të gjitha këto furtuna dhe ja ku jemi këtu që të bëjmë edhe një detyrë të madhe. Kombi ynë përjetoj padrejtësi të mëdha që nuk i meritoj të ndahet në gjashtë pjesë. Ato pjesë kërkojnë bashkim me trungun tonë dhe atë punë do ta bëjmë ne vet. Është e vërtetë se na ndihmuan edhe të tjerët por pa luftën tonë, pa gjakun tonë, pa vullnetin tonë, pa qëndresën tonë nuk do na ndihmonte askush. Pra lufta e jonë, qëndresa e jonë, rezistenca e jonë e vazhdueshme bëri që edhe bota të ndërroj mëndim për ne. U bind se jemi të vendosur që të shkrijmë veten deri në një që ta fitojmë lirinë tonë dhe që jemi popull i barabartë më të tjerët. Prandaj, ky takim i juaj, kjo vendosmëri e juaja, kjo dëshirë e juaja që të bashkoheni në fushën e artit është hap i mirë, është hap i mbarë, është hap i duhur. Ju në këtë mënyrë do ta fitoni respektin e popullit mik, i vyer e i talentuar gjerman. Ju, siç e dini, këtu jetojnë rreth 200 mijë veta (shqiptarë) dhe kanë mundësi të fitojnë dhe të ndihmojnë vëllezërit e vet në atdhe, edhe të shkollohen e të përparojnë. Arti juaj, puna e juaj dhe sjellja e juaj, ka dhe do të ketë rëndësi të madhe që ju të krijoni miq këtu ku jemi në Gjermani dhe atje ku jeni në vendet tjera deri në Zelandën e Re nga e kemi një shkrimtare, një gocë e jona ( shtim nga autori: shkrimtarja SilvaTernava). Pra, kudo që jeni, ju jeni një lloj ambasadori atje që përfaqëson kombin tonë. Dhe, duhet të silleni në atë mënyrë që të krijojmë miq sa më shumë dhe sa më shumë të ketë të interesuar që të vijnë e të na ndihmojnë. Mos e ndalni punën, sepse ne këtu ju kemi ju si vëllezër dhe si vazhdues të mërgatës sonë të famshme që nga Fan Noli, Faik Konica e shumë të tjerë, të cilët punuan dhe vepruan për çlirimin e kombit, për mbrojtjen dhe bashkimin e kombit. Edhe ju, duhet ti vazhdoni përpjekjet tuaja edhe në atë drejtim. Sot është mirë që po bashkoheni dhe po e krijoni bashkimin e artistëve të gjitha llojeve të mërgatës sonë dhe ju duhet punuar në krijimin e bashkësive shqiptare në çdo vend deri në Alaskë, në mënyrë që ne të dimë se vetëm të bashkuar do ta fitoni respektin e duhur. Vetëm në një vend të bashkuar do mblidhen informatat dhe do merren vendime nga një qendër e cila duhet të jetë obliguese për të gjithë shqiptarët kudo që janë. Ka kaluar koha e klubeve, e organizimeve partiake etj. ka ardhur koha e organizimit kombëtar. Vetëm të bashkuar si komb do qajmë rrugën drejt kalimit të prapambeturës ekonomike. Ju që do organizoheni ju jap detyrën e kombit, e atdheut, e atyre që vdiqën, mijëra heronj e dëshmorë, e shkuan me sy qelë për ta parë njëherë Kosovën e çliruar, për ta parë njëherë kombin e bashkuar. Prandaj, ne që jemi gjallë e kemi borq për ta e për të gjallët, të vazhdojmë rrugën në bashkëpunim me kombet tjera, duke mësuar nga ata se si përparohet e mbahet shteti. Duhet të marrim shembuj nga popujt e vegjël të zhvilluar dhe të mos zhgënjehemi e demoralizohemi në rrugën tonë. E marrim shembull shtetin e Izraelit, një shtet i vogël por i fuqishëm me peshë në rajon. Sot janë popuj të mëdhenj ata që udhëhiqen nga shkenca e nga dija, prandaj ju jeni ata që po e lëvroni artin, shkencën dhe do ta ndihmoni kombin tonë i cili e pret këtë. Ne do kërkojmë mërgimtarët tanë të investojnë në Kosovë si qytetar të Kosovës e jo si të huaj. Në regjistrimet e fundit na e bënë padrejtësi, sepse gati një milion shqiptarë i lanë të pa regjistruar. Mirëpo ju jeni pjesë e pandarë e shpirtit dhe zemrës, ju jeni pjesë e pandarë dhe ju duhet të veproni si pjesë e pandashme e jona. Do krijohen kushtet që çdo shqiptarë të trajtohet si qytetar ashtu si vepron Serbia, Kina e shumë shtete tjera. Puna e juaj do bëjë të ndërrohet qëndrimi ndaj jush. Nëse kapitalistet tanë që kanë para, biznese, duhet të bëhen bashkë dhe ta ndihmoni atdheun i cili i ka punët keq. Vëllezërit tanë në Maqedoni, Luginë të Preshevës, Mal të Zi, Çamëri i kanë punët shumë keq. Çamet u përzunë, iu morën tokat, u dogjën e u poqën, u vranë nga fashistet grek, pra të gjithë këta kërkojnë zgjidhje. Dhe, zgjidhja e sotme është që kudo shqiptarët të bashkohen, ashtu si veprojnë hebrenjtë. Ju formoni qendrën e krijuesve e shkrimtarëve dhe do duhet formimi i Bashkësive Shqiptare në shtete Gjermani, Suedi, Norvegji etj dhe nga kjo do bëhet bashkësia shqiptare e tërë botës. Ju këtu jeni bashkuar për t’i ndihmuar popullit dhe jo për të marr të drejtë që të shkruani, se këtë nuk ua ndalon askush, por me krijimet e juaj ta zgjoni krenarinë kombëtare, por me bashkim i ndihmohet edhe më shumë atdheut. Sot na duhen njerëz që të punojnë për kombin kudo që janë.”
Flora Brovina, kryetare e Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës. “ E përshëndes grupin iniciues për formimin e Lidhjes, me çka bëjmë një punë të rëndësishme për atdheun. Pra, kur shqiptarët duan dhe kanë vizion mund t’ia arrijnë. Kësaj ju ia arritët sot, urime! Dhe, sot ndihem e lumtur që marr pjesë në Kuvendin Themelues të Krijuesve në Mërgim, kjo më jep forcë e shpresë që kështu të veprohet edhe në lëmit e ndryshme. Jam e nderuar që të iu përcjell përshëndetjen dhe përkrahjen e të gjithë anëtarëve të Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës. Ju kishit shembull historinë. Ishin rilindësit që na mësuan se cili është roli i krijuesve dhe cili është roli i një krijuesi në mërgim, ndërtimi i urave të reja në komunikim dhe matje e vlerave në çdo lëmi. Dhe, kur matemi e kuptojmë ku jemi dhe së bashku sa jemi më të fortë dhe sa i japim kurajë dhe fuqi njëri tjetrit. Kur e respektojmë njëri tjetrin e kemi respektuar vetveten, kemi respektuar vendin tonë. Unë besoj në forcën e bashkimit, andaj jam këtu në mesin tuaj. Unë besoj se ju do të arrini shumë. Besoj se do të ndërtoni ura të fuqishme komunikimi nëpër të cilat do të ecin edhe shkrimtarët nga Kosova, ata që jetojnë atje, sepse ju jeni pjesë e pandashme e këtij komunikimi dhe asnjëherë nuk iu quajtëm Ju dhe Ne. Ne do përpiqemi të jemi në konkurrencë me botën tjetër dhe kjo i shton vlerat tona. Ne kemi çka t’i ofrojmë botës, ndoshta edhe më shumë se sa kemi bërë deri tani. Po të kishim mbështetur sa duhet njëri tjetrin sa e si duhet, sot do të kishim në letërsinë tonë më shumë se një nobelist. Dhe nuk e kemi bërë këtë. Ju jeni pjesë e pandashme e jona, e ndjenjave tona. Jeni syri i përlotur nga malli i cili gjithnjë na gërryen. Ju e treguat veten në kohët më të vështira dhe tani vazhdon lufta e prezantimit tonë, shpirtit tonë në botën ku jetoni e veproni. Besoj se edhe ministri i diasporës do jetë në përkrahjen duaj. Do jemi bashkë dhe kurrë nuk do themi se shqiptarët janë zogj të qyqes të shpërndarë anë e mbanë botës. Ne jemi lule të kapura dorë për dore.”

Filed Under: Mergata Tagged With: Adem Demaci, Flora Brovina, Hazir Mehmeti, Porosia ne pervjetor, Vjene

NEN DRITEN E FAKTEVE DHE DESHMIVE HISTORIKE

July 9, 2013 by dgreca

Nga Adem Demaçi/Nderi i Kombit/

Tani për tani, emri dhe bëmat e Astrit Lekës nuk janë të njohura aq sa duhet. Të paktën “me shkrim”. Kjo është arsyeja që
monografia Astrit Leka, Një jetë e stuhishme, e përgatitur me ngrohtësi, profesionalizëm, realizëm dhe objektivitet shkencor, në dritën e fakteve dhe dëshmive historike, nga Akad.
Kopi Kyçyku, përbën një kontribut të rëndësishëm ngaqë, duke marrë shkas nga veprimtaria dhe meritat e mëdha e të shumta të luftëtarit të shquar për liri e demokraci, Astrit Leka, njëherazi hedh dritë në etapat e ndryshme të historisë sonë moderne.Dëshiroj të theksoj se bërja e njohur e figurave si Astrit Leka është më fort një detyrë, sesa një e drejtë, sidomos sot kur mundësitë për t’i paraqitur në dritë të vërtetë janë praktikisht të pakufizuara.

Është bërë zakon të shkruhet vetëm për heronjtë apo dëshmorët që janë flijuar në fushën e nderit. Kjo është mëse e drejtë, madje tingëllon si detyrim ndaj tyre dhe ndaj brezave. Por ka edhe nga ata, shumica luftëtarë të thjeshtë, që kanë mbetur gjallë dhe kanë kryer akte heroizmi njëlloj si të rënët. Pra, janë heronj dhe duhen trajtuar si të tillë.

Sikurse dëshmon autori Kyçyku, Astriti, me gjuhën e përflakur nga pasioni e nga dashuria e pamatë për kombin e nga dëshira për ta parë atë në radhët e para të përparimit njerëzor, ia hapi zemrën, pa mbajtur as më të voglën rezervë. Atëherë Kyçyku mendoi: “Këto duhet t’i mësojë çdo shqiptar, i kudondodhur”. Dhe mendoj se nuk e kishte keq, përderisa mjaft të përmendet fakti që jeta dhe vepra e Astrit Lekës, përpos që përbëjnë një kontribut pa të dytë për mbrothtësinë tonë, shërbejnë si shembull për këdo.

Por, gjithaq me rëndësi është fakti që, njerëz si Astrit Leka, tanimë fort të rrallë, janë dokument i gjallë dhe autentik i gjithçkaje që ndodhi gjatë një kohe tepër të gjatë, që fillon të paktën me periudhën ndërmjet dy luftërave botërore dhe vazhdon, pandëprerje, edhe në ditët tona.

Vlera e pazëvendësueshme e dëshmive të Astritit, – të cilat janë konfirmuar katërcipërisht nga dokumente të panumërta, me shkrim e me gojë, – qëndron sidomos në faktin që nuk mund të “retushohen”, nuk zbukurohen dhe as shëmtohen dot më, siç ka ndodhur tepër dendur, në varësi nga përgatitja dhe përkatësia politiko-ideologjike e përpiluesit, qoftë ky institucion, person juridik, apo person fizik. Për të ilustruar këtë, mjaft të përmendim se figurën e luftëtarit për liri fashistët e vizatonin me ngjyrat më të errëta, ashtu siç vepronin zyrat e kuadrit dhe përgjithësisht organet e diktaturës në komunizëm me demokratët e vërtetë, të ndershëm dhe jokonformistë, si Astrit Leka.

Kur Akad. Kopi Kyçyku e vuri në dijeni se vendosi të merrte përsipër hartimin e një monografie për jetën e veprën e tij, Astriti u prek dhe, pasi e falënderoi, si për ta orientuar që të jetë sa më i saktë dhe i paanshëm, i tha me çiltërsi: “Unë nuk dua të dal para publikut mbarëshqiptar si një figurë me bëmat e mia, por si një aktor aktiv, i cili, në shumë raste është edhe bartës i kujtimeve të drejtpërdrejta të atyre që kanë qenë në odat e burrave në kohën e Lidhjes së Prizrenit, si, bie fjala, Hamdi bej Ohri, nipi i Iljaz pashë Dibrës, e sa e sa të tjerë të periudhës së Shpalljes së Pavarësisë, të Kongresit të Lushnjës apo të kohës së Fan Nolit e të Zogut, kur fillova të bëhem edhe vetë një miniprotagonist, objekt dhe subjekt evenimentesh të ndryshme … Nga ky këndvështrim, vepra që do të shkruash, ka për të qenë sui generis, unikale, se, për hir të së vërtetës, praktikisht nuk kanë mbetur shumë shqiptarë të brezit tim që t’u kenë bërë ballë ashtu siç duhet të gjitha vështirësive në etapat e ndryshme të historisë sonë të dhimbshme, të shoqëruara me goditje të papara në historinë e Ballkanit. Dhe, ç’është më interesantja, kam qenë gjithmonë në ngjitje. Duke sfiduar fiziologjinë, dola në Perëndim kur i kisha mbushur të 65 vjetët. Dhe ti e di mirë se bëj pjesë në radhët e atyre shqiptarëve të rrallë, të cilët pas shembjes së diktaturës kanë në aktivin e tyre gati njëzetepesëvjeçar rezultate mbarëkombëtare, madje edhe ndërkombëtare. Në SHBA, ku shkova fillimisht, para hapjes së ambasadave të huaja në Tiranë, si shtetasi i parë shqiptar atje, me pasaportë dhe vizë të rregullt, pas një ndërprerjeje mbi gjysmëshekullore qysh prej 7 prillit 1939 (me përjashtim të të arratisurve politikë), pata fatin të dëgjoj drejtpërdrejt nga goja e Nelson Mandelës të sapoliruar nga burgu, veprimtarinë në të mirë popullit të vet e të mbarë njerëzimit Nga ai moment, u frymëzova edhe më shumë dhe e quajta detyrë atdhetare të bëja diçka, qoftë edhe modeste, për kombin tim e për të drejtat e njeriut. Dhe mundësitë për një gjë të tillë kishin ardhur, njëherazi me revoltat e mbarë popullit shqiptar në Kavajë, Shkodër e gjetiu dhe që arritën kulmin me ngjarjen e ambasadave në Tiranë. Aq më shumë që edhe shqiptarët në Jugosllavi ishin ngritur në këmbë për të drejtat e tyre të ligjshme, të shprehura me zërin e fuqishëm të Parlamentit të parë të Kosovës, në Kaçanik. Kontaktet që pata në ato ditë të zjarrta në Nju Jork me parlamentarë dhe personalitete të tjera shqiptare të Kosovës, Maqedonisë e Malit të Zi, më dhanë forcë dhe optimizëm të ri“.

Identiteti i Astrit Lekës është shprehja e vullnetit për të respektuar shenjtërisht një program jete dhe e një ndjeshmërie të pazakontë të fituar nga evenimentet shoqërore dhe historike. Pikërisht jeta e nxiti të përcaktonte, të qartësonte opsionet dhe të zbulonte vokacionin e vet të vërtetë. Janë dukuri, të cilat sot përkufizojnë një ndërgjegje, një vepër, një mënyrë origjinale të jetuari e të vepruari në Shqipëri e në dhé të huaj. Bëhet fjalë për ecurinë drejt majash shkencore e shpirtërore, të një europiani të mirëfilltë, të një shqiptari që ka “pushtuar” Europën, por edhe kontinente të tjera. Me forcat e meritat e veta, duke dëshmuar se kombi ynë ka potencial krijues të pamatë.

Dua të veçoj faktin që Akad. Kyçyku, ashtu si për krejt tematikën e gjerë e të larmishme që shtjellon, ia ka dalë mbanë të nxjerrë në pah kontributin vendimtar të Astrit Lekës në njohjen e luftës së drejtë të UÇK-së nga komuniteti ndërkombëtar. Përçapjet e njëpasnjëshme, këmbëngulëse dhe me kompetencë të Astrit Lekës, si ndërmjetës midis NATO-s dhe UÇK-së, duke futur në “valle”, si garante të besueshme, personalitete të dorës së parë të politikës botërore, u kurorëzuan me heqjen e cilësimit të UÇK-së si “terroriste” dhe me futjen në radhët e Organizatës Botërore të Veteranëve të Luftës, si anëtare me të drejta të plota. Sikurse dihet, aleanca NATO – UÇK çoi në fitoren e luftës dhe në çlirimin e popullit shqiptar të Kosovës nga zgjedha e shovinistëve serbë. Dhe, së fundi, – por jo për nga rëndësia, – është rasti të vëmë në dukje se prania, për herë të parë, në Forumin e Kran Montanës, më 1992, e një përfaqësuesi të qeverisë së sapokrijuar të Kosovës, – e cila ishte ende shumë larg njohjes nga bota, – u bë e mundur vetëm falë përpjekjeve diplomatike të Astrit Lekës.

*Parathënie e Adem Demaçit për librin e Kopi Kycukut kushtuar Astrit Lekes

Filed Under: Komente Tagged With: Adem Demaci, libri i Kycykut, per Astrit leken

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT