• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Kërkohet reformë e sistemit të pensioneve

May 16, 2016 by dgreca

 PENSIONISTËT PËRKRAHIN NDRYSHIMET, POR KËRKOJNË REFORMË  RRËNJËSORE TË SISTEMIT  PENSIONAL/

Nga  Adil FETAHU/

Kohë më pare, Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale ka vënë në diskutim publik Projekt-ligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit Nr.04/L-131, për Skemat Pensionale të Financuara nga Shteti. Shihet  qartë se ai Projekt-ligj është bërë në bazë të opsionit 3 të rekomandimeve nga një analizë e paradokohshme e Ministrisë, e titulluar: “Draft koncept-dokumenti për rregullimin e fushës së pensioneve”, ku dominonte përcaktimi që tashpërtash të bëhen vetëm disa ndryshime e plotësime të ligjit ekzistues. Projekt-ligji përmban tekstin për ndryshimin dhe/ose plotësimin e pjesërishëm ose të tërësishëm të  6 neneve të ligjit bazik (neni: 3; 7; 10;  12; 19; 24).

Çka ndryshohet a plotësohet dhe cilat kategori i tangon?

Ndryshimi i nenit 3 të ligjit bazik, konsiston në përkufizimin e emërtimeve, dhe plotësimin e disa kushteve shtesë. Kështu, emërtimi i deritashëm “pensioni bazik i moshës”, zëvendësohet me fjalët: “pensioni social i pleqërisë”, ndërsa emërtimi “pension i paaftësisë së përhershme”, zëvendësohet me: “pensioni i aftësisë së kufizuar”. Gjithnjë, në kapitullin e përkufizimit të shprehjeve në ligj, pas  pikës 13 të nenit 3 të ligjit bazik, janë shtuar dy pika (14 e 15),  për të sqaruar se çka konsiderohet “vendbanim i përhershëm”, dhe kushti që duhet plotësuar për t’u konsideruar si banor aktual. Neni 7 i ligjit bazik, që ka të bëjë me kushtet dhe kriteret për njohjen e të drejtës së pensionit bazik të moshës (tash: “pensioni social i pleqërisë”), ndryshohet dhe plotësohet me elemente të reja, që kanë të bëjnë me dokumente valide për të dëshmuar se janë qytetarë  (ndoshta mendohet: shtetas), ose banorë të përhershëm në Republikën e Kosovës (së paku 10 vjet, prej të cilave së paku 5 vjetët e fundit me venbanim të përhershëm në Kosovë. Kjo vlenë edhe për shtetasit e huaj me vendbanim të përhershëm në Kosovë. Është përcaktuar se pensioni social nuk do t’iu paguhet personave të cilët kanë përfitime tjera nga buxheti i Kosovës,  atyre që marrin pension nga Trusti i kursimeve pensionale të Republikës së Kosovës, apo çfarëdo përfitimi financiar nga ndonjë vend tjetër, ose marrin të hyra tjera të rregullta mujore. Ministria do të nxjerr akt nënligjor lidhur me monitorimin dhe verifikimin e përmbushjes së kushteve të përmendura më sipër dhe masat që do të merr ndaj keqpërdoruesve eventualë. Projektligji ashpërson kushtet për njohjen e të drejtës së pensionit të parakohshëm, të parapara në nenin 10  par.1 të ligjit bazik, e që kanë të bëjnë me punëtorët e kompleksit “Trepça” dhe të minierave tjera, të cilët janë larguar nga puna pas datës  1 janar 1989, e që kanë pritur por nuk kanë gjetur punë në periudhën prej 1.07.1999 deri më 31.12.2004. Edhe për këtë kategori është thënë se të drejtat e tyre do të caktohen me akt nënligjor (gjë që nuk është në rregull, sepse të drejtat  dhe kushtet  caktohen vetëm me ligj, ndërsa me akt nënligjor mund të caktohet vetëm procedura e realizimit të të drejtave të parapara me ligj).  Edhe për pensionet familjare (neni 12 i ligjit bazik), është thenë se kjo e drejtë dhe procedura e realizimit të saj, do të caktohen me akt nënligjor të cilin e nxjerr Ministria! Pas nenit 12 të ligjit bazik, shtohet neni i ri (12/A),  në të cilin përcaktohen dokumentet që duhet paraqitur me rastin e aplikimit për cilëndo nga skemat pensionale të financuara nga shteti, ku janë numëruar taksativisht dokumentet kumulative ose alternative që do të konsiderohen të vlefshme. Me këtë plotësim të ligjit, ashpërsohen kushtet për realizimin e të drejtës së përfitimit nga cilado skemë e përmendur. Ndryshimi i pjesëshëm i nenit 19 të ligjit bazik, ka të bëjë me shkurtimin e afatit për të vendosur për kërkesën e aplikuesit, prej 60 ditëve, në 30 ditë. Edhe më tutje mbetet obligimi i lajmërimit të pensionistëve çdo gjashtë muaj, në zyrat e pensioneve, me dokumente përkatëse të identifikimit, që përcaktohet me akt nënligjor të Ministrisë, kurse aktet nënligjore duhet të nxirren në afat prej 6 muajve pas hyrjes në fuqi të ligjit mbi ndryshimet dhe plotësimet, e këto ndryshime e plotësime do hyjnë në fuqi 15 ditë pas publikimit në “Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës”. Cilat ndryshime e plotësime do të mbeten, do të shihet pasi ato të miratohen në Kuvendin e Kosovës.

Qëllimi i ndryshimeve dhe plotësimeve

Marrë në përgjithësi, me këtë Projekt-ligj synohet të vehet një rend, rregull, kontrollë dhe disiplinë më e rreptë në shfrytëzimin e mjeteve të buxhetit, të destinuara të drejtave të caktuara në skemat  pensionale të financuara nga shteti.  Janë detajuar dhe pakashumë janë ashpërsuar kushtet dhe kriteret për pensionin social, si për qytetarët e Kosovës, ashtu edhe për shtetasit e huaj që banojnë në Kosovë (10 vjet banorë, e 5 vitet e fundit me vendbanim të përhershëm në Kosovë). Veç kësaj, pensioni social nuk do t’iu jepet (nuk do t’iu paguhet) personave të cilët marrin çfarëdo pagese të rregullt mujore nga buxheti i Republikës së Kosovës, apo nga Trusti i Kursimeve Pensionale, ose çfarëdo përfitimi  tjetër (të rregullt mujor) financiar nga ndonjë vend tjetër e që është baras ose mbi nivelin e “pensionit social”.  Ministria do të monitorojë dhe inspektojë rregullsinë e përmbushjes së kushteve të caktuara. Në praktikën e deritashme është vërejtur se pagesa nga skemat pensionale të financuara nga shteti kanë marrë persona të cilëve këto pagesa nuk do iu takonin, ngase kanë pasur përfitime e pagesa mujore edhe nga burime tjera, qoftë nga buxheti i Kosovës, apo nga burime tjera brënda ose jashtë vendit, si dhe persona të cilët fare nuk janë banorë të përhershëm të Kosovës. Me ndaljen e kepërdorimeve të vërejtura, do kursehen mjete të konsiderueshme, të cilat mund të përdoren për destinime të caktuara përfituesve të ligjshëm.

Për pensionet e kontributpaguesve, nuk ka ndonjë ndryshim esencial as plotësimi të ligjit në fuqi.

 Pensionistët përkrahin ndryshimet, por edhe kërkojnë reformë të sistemit të pensioneve

Organet e Lidhjes së Pensionistëve të Kosovës e kanë shqyrtuar dhe mbështesin  ndryshimet e propozuara, për qëllime të vënies së një rendi, rregulli, drejtësie dhe disipline në shfrytëzimin e mjeteve të  buxhetit të varfër të Kosovës,  të pengimit dhe evitimit të keqpërdorimeve nga njerëz të pandërgjegjshëm, apo nga persona të cilët nuk do duhej të kishin të drejtë në pagesat që marrin, qoftë në bazë të kriterit të përfitimeve nga burime tjera, qoftë të kriterit të statusit civil qytetarit ose banorit (jo)resident në Republikën e Kosovës. Në Kuvendin vjetor të Lidhjes së Pensionistëve, që u mbajt më 14 maj k.v, në të cilin mori pjesë edhe ministri Arban Abrashi dhe foli për nevojën dhe qëllimin e ndryshimeve, pensionistët i dhanë mbështetje ndryshimeve të propozuara, por njëherit kërkuan  që sa më parë të fillohet me hartimin dhe miratimin e një ligji të përgjithshëm reformues të sistemit të pensioneve.

Pensionistët e Kosovës konsiderojnë se ky Projekt-ligj është vetëm një “harrnim” i përkohshëm i Ligjit në fuqi, i të ashtuquajturave “skema pensionale”, e nuk është zgjidhje e duhur, dhe se është e domosdoshme një reformë rrënjësore,  gjithëpërfshirëse e sistemit të pensioneve dhe sigurimit pensional dhe invalidor. Sepse, sistemi aktual i skemave pensionale, nuk është sistem pensional, por tërësisht është skemë e ndihmave sociale, derisa të gjitha paguhen nga buxheti i shtetit, në parametra të barabarta, e jo pensione që burojnë nga sigurimi pensional dhe invalidor dhe kontributi individual.  Fjala është për pensionistët nga marrëdënia e punës, të cilët gjatë punës aktive kanë paguar (dhe paguajnë) kontribute nga të ardhurat e tyre. Një ligj sistemor gjithpërfshirës për sigurimin pensional dhe invalidor, që do të krijonte një reformë të këtij sistemi, sipas modelit të bazuar në solidaritetin midis gjeneratave; modeli i Bizmarkut, që ka funksionuar dhe akoma funksionon me sukses qysh prej vitit 1839, dhe të cilin e kanë edhe sot e kësaj dite shumë shtete të zhvilluara,  dhe modaliteteve shtesë të kursimeve individuale, është më se i domosdoshëm. Fundi-fundit, eforma e sistemit pensional do të jetë obligim i shtetit të Kosovës edhe në procesin e stabilizim-asocimit dhe të integrimit në Bashkimin Evropian.

Reforma e sistemit të pensioneve, për shkaqe të njohura, është një temë aktuale edhe në shumë vende të zhvilluara, dhe është temë e ndieshme dhe e dhemshme, sepse përfshinë një popullatë të gjërë: pensionistët aktualë të të gjitha kategorive, dhe punëtorët aktualë (pensionistë të ardhshëm). Mirëpo, nevoja dhe arsyet e reformës janë të shumta. Sepse, sistemi aktual është i paqëndrueshëm dhe jo  i drejtë; është barrë e rëndë  dhe e papërballueshme për buxhetin e shtetit, ndërsa  niveli i pagesave aktuale  nuk siguron një jetesë të dinjitetshme të pensionistëve. Me një ligj të reformës së sistemit pensional, duhet të përfshihet e gjithë popullata me sigurimin pensional dhe invalidor: punëtorët në sektorin publik dhe privat, zejtarët, të vetëpunësuarit, bujqit, por edhe duhet të ashpërsohen kushtet për pension të parakohshëm dhe pension invalidor; të shtyhet gradualisht mosha e daljes në pension; të reduktohen të drejtat e kategorive të privilegjuara dhe lista e punëve me stazh të beneficuar; valozirimi vjetor i pesioneve të bëhet sipas formulës zvicërane: 50% me shpenzimet e jetesës dhe 50% me inflacionin, – e modalitete tjera të përshtatura nevojave, kushteve dhe mundësive të Kosovës.

Me ligj reformues të sistemit pensional-invalidor, duhet të sigurohen burime reale të mjeteve për fond të qëndrueshëm pensional-invalidor. Atom und të sigurohen në përqindje të caktuar nga çmimi i artikujve luksozë, duhani, pijet alkoolike, nafta e benzina, etj. Trusti i tashëm i kursimeve pensionale duhet të transformohet, ndërsa mjetet e lira të grumbulluara në Trust, të shfrytëzohen për pagesat e pensioneve vijuese, duke garantuar mekanizma të sigurtë që të mos dëmtohen kursimtarët e atij Trusti kur të arrijnë moshën ose  kushtet tjera të caktuara për shfrytëzimin e mjeteve të kursyera. Është jashtë çdo logjike që pensionistët të mos kenë kurrëfar përfitimi nga ndërmarrjet e privatizuara, në të cilat kanë punuar e kontribuar 30 a 40 vjet, ndërsa punëtorët që ishin në marredënie pune në kohën e privatizimit, vetëm me 3 vjet stazh, përfituan 20 përqindëshin, ndonëse nuk ishte ndonjë përfitim i madh, për shkak se ndërmarrjet u shitën me çmime tejet të lira. Prandaj, një pjesë (së paku 20 përqint) e mjeteve të grumbulluara nga procesi i privatizimit, do duhej të shkonte në fondin e pensioneve. Ka edhe shumë mundësi tjera të sigurohen burime mjetesh për fondin e pensioneve.

 

Filed Under: Analiza Tagged With: Adil Fetahu, e sistemit të pensioneve, Kërkohet reformë

POST SKRIPTUM VENDIMIT SKANDALOZ PËR LIRIMIN E KRIMINELIT SHESHEL

April 3, 2016 by dgreca

Shkruan: Adil FETAHU/

Fundi i marsit të këtij viti, qoftë edhe fundi i turpshëm i Gjykatës Ndërkombëtare për Krimet në ish-Jugosllavi (ICTY), me aktgjykimin skandaloz për shpalljen e pajfasisë dhe lirimin e kriminelit të terbuar serb Vojisllav Sheshel, të cilin aktakuza e ngarkonte me së paku 9 vepra penale, krime të rënda: 3 krime kundër njerëzimit dhe 6 krime të luftës. Aktakuza e ngarkonte Sheshelin me veprat kriminale: përndjekje dhe krim kundër njerëzimit; shkelje e zakoneve të luftës; mundim dhe shkelje të ligjit; sjellje të vrazhdë; përzënien si krim kundër njerëimit; sjellje jonjerëzore dhe zhvendosje të dhunshme të popullsisë joserbe; shkatërrime të paskrupullta; shkatërrime të qëllimshme të institucioneve; dhe plaçkitje të pasurisë publike dhe private.

Me aktgjykimin, të cilin ai Tribunal e shpalli më 31 mars 2016, me 2/3 e votive, dhe arsyetimin që dha kryetari i kolegjit gjyqësor, francezi Jean Claude Antonetti, i kumtoi Sheshelit, i cili në stilin e tij të sjelljes arrogante ndaj Tribunalit gjatë gjithë kohës së qëndrimit në paraburgim dhe gjatë procesit të gjykimit e injoronte dhe shante Tribunalin dhe vet gjyqtarët, e që i liruar përkohëssisht nga paraburgimi gjoja për shkaqe humanitare-shëndetësore, as nuk denjoi ta dëgjojë e shikojë përms linkut shpalljen e aktgjykimit,- gjyqtari Antonetti kumtoi se Shesheli nuk është fajtor  dhe lirohet nga çdo pikë e aktakuzës, dhe ndërpritet paraburgimi kundër tij (ndonëse Shesheli nuk ishte në paraburgim dhe ishte betuar se nuk do të kthehej më në Hagë!).

Në arsyetimin e shkurtër të aktgjykimit lirues, gjyqtari Antonetti dha shpjegime të cilat shkonin përtej argumenteve juridike e provave të vërtetuara, dhe dilnin në sferën e politikës dhe shfajësimin e njëanshëm të kriminelit Sheshel dhe kriminelëve tjerë të bashkuar në ndërmarrjen e përbashkët të krimit.

Rekrutimin, organizimin, indoktrinimin, nxitjen dhe dërgimin në luftë të paramilitarëve të partive dhe grupacioneve të ndryshme, ndër të cilët edhe çetnikët e Sheshelit si grupacioni më i madh, gjyqari Antonetti e arsyetoi me faktin, se Kushtetuta e RSFJ-së, në kontekst të luftës, lejonte rekrutimin e vullnetarëve, dhe se ata vullnetarë i janë bashkangjitur mbrojtjes territoriale dhe hierarkisë ushtarake të Ushtrisë Jugosllave, ku Shesheli as nuk ka pasur rol komandues, as nuk ka qenë epror dhe as nuk ka pasur  kurrëfar ndikimi në luftimet e zhvilluara në terren. Sipas gjyqtarit Antonetti, prokurori nuk ka mund të ofrojë prova të pamëdyshje, se ka pasur sulme sistematike mbi popullsinë civile në Kroaci e Bosnje. Ka ekzistuar konflikti i armatosur midis dy palëve, ndërsa civilët kanë ikur nga rajoni i konfliktit, kurse bartja (transporti) i tyre me autobusë ka pasur karakter humanitar, konkludon kryetari i trupit gjykues (!) Sa i përket ndjekjes së Kroatëve nga Vojvodina (Hërtkovci), gjyqtari Antonetti e shfajson kriminelin Sheshel, pasi atje nuk kishte konflikt të armatosur ushtarak as që ka pasur lidhje me konfliktet e tjera,  dhe se banorët e Hërtkovcit nuk kanë qenë të përndjekur, veçse kanë kërkuar strehim për motive personale, prandaj Shesheli nuk ësht fajtor për ikjen e tyre. Duke u ndërlidhur me akuzën që i bënte prokurori dhe rolin e Sheshelit në projektin për Serbinë e Madhe, gjyqtari Antonetti thotë se ai është projekt politik, e jo projekt kriminal (!). Marrëveshja midis Millosheviqit e Sheshelit ka qenë ruajtja e Jugosllavisë, ose e territoreve tradicionalisht serbe, dhe kjo nuk ishte ndërmarrje e përbashkët kriminale, vlerëson Antonetti. Roli i Sheshelit në pastrimet etnike dhe shpalljen e autonomisë së territoreve me shumicë serbe në Kroaci e Bosnje, sipas vlerësimit të gjyqtarit Antonetti, nuk ishte me qëllime kriminale. Dërgimi i vullnetarëve atje, nuk është krim, veçse dëshirë për të mbrojtur serbët.

Nga arsyetimet e tilla, fitohet përshtypja se gjyqtari Antonetti ishte përqëndruar në mbrojtjen e krimeve dhe të kriminelit Sheshel, ma tepër se vet Shesheli dhe Serbia!

Gjyqtarja italiane Flavia Latanzi – zëri i ndërgjegjës nga trupi gjykues

Në trupin gjykues që ka zhvilluar procesin gjyqësor kundër kriminelit Sheshel, ishin tre gjyqtarë: Jean Claude Antonetti (nga Franca), Mandiaye Niang (nga Senegali), dhe Flavie Lattanzi (nga Italia). Kryetar i trupit gjykues ishte francezi Antonetti, i cili gjatë gjithë procesit dhe në fund të tij, lujati rolin skandaloz. Gjyqtari Antonetti nuk ka qenë ndonjë autoritet i njohur në fushën e drejtësisë në vendin e vet. Për gjyqtarin Niang, nga Senegali, mund të thuhet se “ai nuk përzihet në punët e veta”, vetëmse detyrën e gjyqtarit në Tribunalin e Hagës e ka si parajsë i kësaj bote. I vetmi zë i ndërgjegjës, dhe një pikë e ndritshme në errësirën e drejtësisë së këtij rasti, ishte gjyqtarja e denjë italiane, Flavia Lattanzi, gjyqtare me pedigre profesionale e profesoreshë e të drejtës ndërkombëtare në disa universitete të Italisë. Gjyqtarja Lattanzi ishte gjyqtare ad-hoc, e angazhuar në rastin konkret. Përveç një pike të aktakuzës (atë për plaçkitjen e pasurisë publike dhe private), gjyqtarja Lattanzi e kishte ndarë mendimin nga dy anëtarët e tjerë të kolegjit gjyqësor për të gjitha pikat e tjera, duke konsideruar se Shesheli për të gjitha ato ishte fajtor dhe mbanë përgjegjësi penale.

Në praktikën gjyqësore në përgjithësi, dhe në praktikën e Tribunalit të Hagës në veçanti, gjyqtari që ndanë mendimin nga kolegët e tjerë, jep opinion e vet me shkrim, për arsyet dhe argumentet e veçimit. Mendimi i tillë paraqet pjesë përbëarëse të aktgjykimit, që mbetet në shkresat e lëndës dhe u jepet palëve dhe komunikohet në mjetet e informimit kur raportojnë për rastin.  Gjyqtarja Lattanzi vetëm në një pikë, nga 9 pikat e aktakuzës, ishte pajtuar me mendimin e kolegëve sa i përket pafajsisë së Sheshelit; pikën që e akuzonte për plaçkitje, që nuk ishte argumentuar e vërtetuar me prova të sigurta. Për të gjitha pikat e tjera të aktakuzës, gjyqtarja Lattanzi kishte mendimin se janë argumentuar me prova e dëshmi, dhe se për to Shesheli duheh të gjykohej. Ja  arsyetimi i shkurtër i mendimit të ndarë të gjyqtaret Lattanzi.

Ata (fjalën e ka për dy kolegët e tjerë të trupit gjykues) nuk kishin marrë parasysh faktin, se Sheshli I kishte kërcënuar dhe frikësuar dëshmitarët brënda Gjykatës, kurse bashkëpunëtort e tij këtë e kishin bërë jashtë Gjykatës. Ato kërcënime e frikësime kanë bërë efekt, që disa dëshmitarë i kanë ndryshuar ose tëherqur krejtësisht dëshmitë e tyre. Nga ana tjetër, kolegji nuk ka dhënë arsyetimet e duhura në aktgjykim, por më tepër ka dhënë arsye të cilat shkojnë në favor të lirimit të Sheshelit nga përgjegjësia, siç ishte e drejta kushtetuese jugosllave e luftës për mbrojtjen e Jugosllavisë. Sipas mendimit të veçuar të gjyqtares Lattanzi, kishte mjaft prova, se në Kroaci dhe në BeH janë kryer sulme sistematike të hapura, në të cilat janë kryer krime kundër njerëzimit dhe se ato ishin ndërmarrje e përbashkët kriminale, për t’i detyruar joserbët të lëshojnë pjesë të territorit të Jugosllavisë. Kishte mjaft prova se Shesheli ka nxitë krimet përmes fjalimeve me retorikë luftënxitëse. Por, në aktgjykimin e kolegjit nuk janë shpjeguar arsyetimet për faktet dhe arsyet juridike të konkludimit të shumicës së anëtarëve të kolegjit. Nuk janë marrë parasysh të gjitha provat që ka ofruar prokuroria në tërësinë e tyre, por me vetëdije janë koncentruar në disa prova më të pakta të mbrojtjes. Kështu, kolegji gjyqësor ka zbatuar kritere të cilat nuk i parasheh praktika e Gjykatës Ndërkombëtare. Shumica e anëtarëve ka marrë si rrethanë lehtësuese për të akuzuarin konekstin e “luftës së drejtë” për për mbrojtjen e Jugosllavisë dhe mbrojtjen e interesave serbe. Por, kompetenca e Gjykatës Ndërkombëtare duhet të përkufizohej e koncentrohej në vërtetimin, se a janë kryer krime të luftës dhe krime kundër njerëzimit, dhe sa ka përgjegjësi i akuzuar për ato krime. Unë jam bindur se në shkresat e lëndës ka prova e dëshmi të mjaftueshme për të konkluduar se në Kroaci dhe BeH janë kryer krime kundër njerëzimit dhe se ka ekzistuar ndëmarrja e përbashkët kriminale, në të cilën ka marrë pjesë aktive Vojisllav Shesheli, bahkë me forcat e tjera serbe, dhe se qëllimi i asaj ndërmarje të përbashkët kriminale ka qenë që, përmes krimeve, të detyrohet popullsia joserbe të lëshojë pjesë të caktuara të territoreve të ish-Jugosllavisë. Për rolin e Shesheli në kryerjen fizike të veprave penale, janë plotësuar kushtet që atij t’i shqiptohet aktgjykimi dënues, e jo lirues, ka shkruar në mendimin e saj të veçuar gjyqtarja Lattanzi.

Shesheli vet i ka caktuar se në cilat vende e fushëbeteja do shkojnë vullnetarët të cilët ai i ka rekrutuar, përgatitur, indoktrinuar e nxitur dhe i ka vizituar disa herë në terren, duke ua kujtuar detyrat e pastrimit etnik, duke i motivuar moralisht e materialisht ata dhe familjet e tyre. Ata Sheshelin e kanë konsideruar si udhëheqës dhe komandant suprem të tyre. Fakti se vullnetarët e Sheshelit janë përfshirë e vu nën kierarkinë dhe komandën e forcave të armatosura, është vetëm edhe një element dhe argument shtesë për përgjegjësinë e Sheshelit në kontekstin e ndërmarrjes së përbashkët kriminale, së bashku me të tjerët, për të arritur qëllimin e spastrimit etnik, konkludon gjyqtarja Lattanzi.

Kur e lexova aktgjykimin e shumicës së anëtarëve të Trupit Gjykues, mu bë sikur u ktheva për shumë shekuj prapa, në kohë të hershme të historisë së njerëzimit, kur Romakët, për të arsyetuar pushtimet e tyre të përgjakshme dhe vrasjet e armiqve të tyre politik në luftërat civile, thoshin: “Silen enim legel inter arma” (Në luftë, ligjet heshin), përfundon gjyqtarja Lattanzi, mendimin e vet të veçuar nga mendimi i dy kolegëve tjerë në procesin gjyqësor kundër kriminelit Sheshel.

Po të ketë njeri i interesuar dhe i përgatitur mirë profsinalisht,, duke hulumtuar tërë procesin  gjyqësor kundër kriminelit Sheshel, dhe vendimi sklandaloz i Trupit gjykues për lirimin e tij, do të mund të nxirrte një libër të mirë për anën e errët të gjykimeve të atij Tribunali, që nuk është vetëm ky rast, por edhe shumë raste tjera.

Filed Under: Komente Tagged With: Adil Fetahu, Krimineli Sheshel, lirimi

MBRETIN E SHQIPTARËVE, ZOGU 1, DIKUSH E SHANË, DIKUSH E LAVDON

March 18, 2016 by dgreca

Historia jonë akoma nuk e ka qartësuar objektivisht figurën e  Ahmet Zogut/

Nga Adil FETAHU/*

Rrallë  mund të gjendet në historinë e burrave shtetëror ndonjë personalitet aq kontraverz, për të cilin nga njëra anë flitet zi e ma zi, e nga ana tjetër lavdërohet deri në kupë të qiellit, sikur është rasti me Ahmet Zogun, mbretin e shqiptarëve në periudhën 1928-1939. Por, me qenë se historia jonë akoma nuk e ka ndriçuar objektivisht sa duhet figurën e Ahmet Zogut, si burrë shteti, si politikan e si njeri, me të gjitha virtytet e të metat, tundimet e vlerësimit të kësaj figure shkojnë nga njëri skaj  në tjetrin, varësisht nga cila palë vijnë: nga kundërshtarët politik, apo nga simpatizantët e tij. Eugen Shehu, autori i librit në fjalë, duket se është njëri nga simpatizantët më të flakët të gjallë të Ahmet Zogut dhe të Monarkisë shqiptare. Të paktën, kështu fitohet përshtypja nga libri i tij.

Libri  Monarkia shqiptare – ese historike, përmban  41 ese për personalitete të ndryshme të Monarkisë, duke filluar prej Abaz Kupit deri te Ahmet Zogu, si dhe shumë ese tjera për ngjarjet, luftërat, traktatet ekonomike e politike, kongreset, grushtetin (1924), atentatet, Shën Naumin, Kushtetutën e vitit 1928, reformat në administratë, ushtri e xhandarmëri, drejtësi, arsim, besime fetare, kujdesin për shqiptarët jashtë shtetit (Kosovë e Çamëri), pushtimin nga Italia, ikjen e mbretit me familje dhe aktivitetin e Lëvizjes së Legalitetit e të mbretit Zog pas pushtimit italian (7 prill 1939), deri në vdekjen e mbretit, në Paris më 9 prill 1961. Në 666 faqe tekst (e 12 fotografi individuale e familjare), autori nuk gjen asnjë të metë në personalitetin e mbretit Zog, as si njeri, as si  udhëheqës e burrshteti, në të gjitha funksionet që ka pasur, si ministër, deputet, kryeministër, kryetar i republikës dhe mbret.

“Zogu tradhtar, që mori arratinë dhe florinjtë”

Duket se mendësia e propagandës komuniste gati gjysmëshekullore ka bërë që edhe sot shumica e njerëzve në Shqipëri kanë mendimin se Zogu ishte një autokrat,  tradhtar, ryshfetçi  dhe plaçkitës i thesarit të shtetit me rastin e arratisjes nga vendi. Në shkrimet dhe komentet e  botuara nën shkrimet e autorëve të ndryshëm për mbretin Zog dhe Monarkinë, dominojnë vlerësime të tilla. Po këto vlerësime nuk janë vetëm të njerëzve anonimë, autorë komentesh, por janë edhe nga historianë e personalitete të njohura publike në Shqipëri. Historiani Pëllumb Xhufi, në një shkrim autorial: “Tradhtia dhe paburrnia e Zogut që mori arratinë dhe florinjtë”, botuar në gazetën “Panorama” (23 shtator 2013), e baltos figurën e Zogut me epitetet më të rënda: tradhtar, mashtrues, ryshfetçi, plaçkitës i thesarit të shtetit. Xhufi e akuzon Zogun se u rikthye në pushtet me ndihmën e Serbisë e Rusisë, se për këtë lidhi marrëveshje me Pashiqin për t’ia dhënë Jugosllavisë Shën Naumin dhe një pjesë të Vermoshit. Xhufi thotë se Zogu u bë deputet si mashtrues me dokumentin e datëlindjes, dhe erdhi në funksionet më të larta të pushtetit: ministër, kryeministër, kryetar shteti dhe mbret – me ryshfete, dhe me rastin e arratisjes mori me vete thesarin e shtetit?! Duket se këto vlerësime për mbretin Zog, historiani Xhufi i ka dhënë më tepër nga urrejtja ndaj Sali Berishës, i cili u angazhua që me rastin e 100-vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë, të kthejë eshtrat e Zogut në atdhe dhe t’ia ngritë bustin në Tiranë, se sa që ka argumente të sigurta historike, e aq më pak aso juridike për ato që flet për Zogun.

Nuk kam kualifikim formal të flas për aspektin historik, veçse nga aspekti juridik marrëveshja e shpifur Zogu-Pashiq, de iure nuk ka ekzistuar as nuk ekziston. Edhe nëse është shkruar e nënshkruar nga Zogu e Pashiqi, ajo nuk ka pasur karakter të marrëveshjes ndërshtetëror, sepse as Zogu as Pashiqi asokohe (14 gusht 1924) nuk kanë qenë në detyrë shtetërore (kryeministra as kryetar shteti), prandaj  ajo do të mund të konsiderohet vetëm si një marrëveshje midis dy individëve privat. Ahmet Zogu kishte dhënë dorëheqje nga pozita e kryeministrit më 23 janar 1924, ditën kur u plagos në atentatin (e Beqir Valterit) kundër tij, ndërsa Pashiqi kishte dhënë dorëheqje nga pozita e kryeministrit më 16 korrik 1924, për shkak të mospajtimeve në Kuvendin e MSKS. Ajo “marrëveshje” nuk është ratifikua as nga Parlamenti i Shqipërisë, as i Jugosllavisë, dhe nuk u botua në gazetat zyrtare të shteteve përkatëse si akt ndërshtetëror. Dhe nëse ajo “marrëveshje” pa bazë shtetërore, ka përmbajtur pikat që i përmend Xhufi, asnjë prej atyre pikave nuk janë zbatuar kurrë. Shën Naumi i mbeti Jugosllavisë, jo në bazë të “marrëveshjes” Zogu-Pashiq, por në bazë të vendimit të Komisionit për caktimin e kufijve të Shqipërisë, respektivisht vendimit të arbitrazhit te Konferencës së Ambasadorëve, dt.6 gusht 1925, pasi që në bisedimet midis palëve të interesuara nuk ishte arritur marrëveshja. Për këtë ka dhënë sqarimet në Parlamentin e Shqipërisë Mit-hat Frashëri, duke treguar se për 0,5 km katrore të Shën Naumit, Shqipëria ka përfituar 22 km katrore territor strategjik.

Ahmet Zogu ishte “Ataturku” i Shqipërisë

Duke ditur angazhimin e Zogut qysh i ri në aktivitetet e tij  luftarake për mbrojtjen e integritetit të vendit, askush nuk mund ta besojë tezën e Xhufit, se ai paska ardhur në pozitat më të larta shtetërore me ryshfete. Zogu ka arrit pozitat më të larta shtetërore në bazë të aftësive dhe meritave qysh prej rinisë së tij, si një pinjoll i një familje të njohur patriotike matjane. Ahmet Zogu zotëronte një inteligjencë të jashtëzakonshme, ishte patriot i vendosur, trim, vizionar, largpamës dhe me angazhimin e tij  e me përkrahjen e popullit që e donte, e bëri Shqipërinë shtet të konsoliduar, njëherë republikë e mandej monarki, dhe vet arriti deri në pozitën e mbretit.  Në moshën 17-vjeçare, Zogu në krye të një grupi trimash matjanë vajti në Vlorë, për të siguruar mbajtjen e Kuvendit, me rastin e shpalljes së pavarësisë (28 nëntor 1912), ku arrin me pak vonesë, për shkak të kushteve të vështira të motit dhe rrugës së gjatë e plot rreziqe. Vet Ismail Qemali e përqafoi, e puthi në ballë dhe i tha: “Mirë se erdhe more biri im, se për këtë punë që po bëjmë ne sot këtu për të mirën e Shqipërisë, kemi pasë mësues gjyshin tënd Xhelal Pashë Zogun” (“Monarkia shqiptare”, fq.404).

Çështja e thesarit nuk është vërtetuar asnjëherë. Më shumë ka gjasa, se thesarin e shtetit e kanë marrë pushtuesit e Shqipërisë: së pari Italia e pastaj Gjermania, dhe se një pjesë e atij thesari ka shkua për të paguar dëmshpërblimin Anglisë, për anijet e dëmtuara në incidentin e Korfuzit. Arratisja e mbretit nga vendi i pushtuar prej një fuqie fashiste të kohës, nuk është rast i vetëm në historinë e shteteve, dhe nuk mund të  konsiderohet tradhti e vendit.  Por të gjitha këto duhet të vërtetohen, argumentohen e vlerësohen nga historia e paanshme dhe pa inate.

Zogu i gjeti shqiptarët turmë, i bëri popull, komb dhe shtet të respektuar

Shqipëria ndërroi regjimin politik nga republika në monarki, më 1 shtator 1928, kur Ahmet Zogu u zgjodh Mbret i Shqiptarëve. Këtë akt të ndryshimit të statusit shtetëror, e para e njohu Italia. Në qëndrimin e Italisë ndaj shpalljes së Monarkisë theksohej: “Qeveria Mbretërore Italiane e konsideron vendosjen e regjimit monarkik në Shqipëri një ngjarje të lumtur që, ndërsa forcon më tej lidhjet që ekzistojnë midis dy vendeve, do të sigurojë vazhdimësinë e politikës së tyre të përbashkët që gjen në Traktatin e Aleancës shprehjen e saj më të lartë. Prandaj Italia do t’i mbetet gjithnjë thellësisht besnike atij mirëkuptimi organik, rezultatet e shkëlqyera të të cilit në politikën e përgjithshme ka dëshiruar t’i nënvizojë Shkëlqësia Juaj. Mund t’ju siguroj se qeveria italiane nuk do të mungojë kurrë të këshillohet me qeverinë shqiptare për çdo problem që mund të ketë të bëjë me interesat tona të përbashkëta dhe të veprojë në marrëveshje me te për të gjitha çështjet që lidhen me situatën në Ballkan” (Joseph Swire: “Shqipëria – ngritja e një mbretërie”, fq.408). Statusin monarkik të Shqipërisë e njohën shumë shpejtë edhe shumica e fuqive të Evropës dhe ShBA-të. Jugosllavia dhe Greqia nuk ishin të kënaqura dhe e pritën me nervozë emërtimin e Zogut “Mbret i Shqiptarëve”, për shkak të aludimit edhe në shqiptarët jashtë shtetit shqiptar. Mirëpo, Jugosllavia asokohe kishte problemet e veta të brendshme, për shkak të  vrasjes së deputetëve kroatë në Kuvendin e Jugosllavisë,  dhe për këtë shkak shpalli diktaturën, prandaj nuk kishte shumë kohë të merrej me politikën e jashtme.  Ismail Kadarea në librin e tij “Mosmarrëveshja” (fq.26), thekson se “Vet shpallja e mbretit Zogu 1  Mbret i Shqiptarëve (e jo vetëm i Shqipërisë), ishte aludim i bashkimit të shqiptarëve”.

Kur flitet për Monarkinë Shqiptare dhe Mbretin e Shqiptarëve, Zogu 1, duhet pasur parasysh kohën, kushtet dhe rrethanat në të cilat punoi dhe qeverisi (apo sundoi) Zogu, kush ishin miqtë dhe armiqtë e Shqipërisë. Duhet pasur parasysh se në çfarë gjendje ishte Shqipëria para dhe  çfarë arriti në kohën e Monarkisë, kur u bë një shtet i konsoliduar, i reformuar dhe i respektuar nga brenda e nga jashtë. Gjatë asaj kohe u zhvilluan reforma të rëndësishme për një administratë efikase e të pa korruptuar, gjë që ishte një segment i rëndësishëm për stabilizimin e shtetit. Me reformat në drejtësi që u bënë në kohën e Monarkisë, Shqipëria jo vetëm se u shkëput nga sistemi feudal, por me ligje dhe me një gjyqësi të pavarur u avit me sistemet demokratike të kohës. U miratua kodi i ri penal dhe kodi civil, sipas shembujve më të mirë të kohës (të Italisë dhe Francës), me të cilët  bëri reformë në lëmin e të drejtës penale dhe civile. U bë reforma në sistemin e arsimit, me program kombëtar, laik, iluminist, e me pozitë të volitshme materiale, në suaza të mundësive të vendit e të kohës. Bëri reforma në ushtri e xhandarmëri. Zogu bëri reforma edhe në aspektin fetar: hoqi ferexhen dhe qylahin; ndaloi poligaminë, martesat dhe divorcin i trajtoi si çështje civile, e jo fetare.  Reforma agrare e miratuar (1930), nuk mundi të realizohej për shkak të mungesës së fondeve për t’i kompensuar pronarët. Pak kush e din  se në kohën e Zogut president (1925), në Shqipëri ishin vu katër linja të brendshme  të komunikacionit ajror për pasagjerë dhe postë. Të gjitha këto Zogu si president dhe si mbret, i korri në saje të zgjuarsisë, vendosmërisë, intuitës, vizionit, ambicieve, patriotizmit, politikës largpamëse dhe bashkëpunimit ndërkombëtar.  Për nga  rrugëtimi i ardhjes në pushtet dhe reformat e bëra, Ahmet Zogu për Shqipërinë ishte sikur Ataturku për Turqinë. Por, derisa Ataturkun e nderoi dhe gjithnjë e nderon  populli dhe shteti i Turqisë, Ahmet Zogun  e shau, mallkoi e dënoi shteti dhe populli i Shqipërisë, sidomos regjimi komunist,  një konstantë kjo e përbashkët e metodave të luftës politike e për pushtet e shqiptarëve edhe në Kosovë edhe në Shqipëri.  Kundër Zogut u bënë dhjetë përpjekje për ta vrarë, dy atentate të drejtpërdrejta, dhe shteti dy herë e dënoi me vdekje; njëherë në kohën e qeverisë së Nolit, e herën tjetër nga diktatura komuniste. Fatmirësisht, më në fund, shteti shqiptar bëri një gjest të mirë në 100-vjetorin e pavarësisë, e ndreqi një padrejtësi, duke i kthyer eshtrat e Zogut e rivarrosur në Tiranë, ku i është ngritur edhe busti.

Për personalitetin e Ahmet Zogut kanë dhënë mendimet e tyre shumë personalitete të njohura të kohës së Zogut, të cilët e kanë njohur nga afër: historianë, ambasadorë,  zyrtarë e bashkëpunëtorë

tjerë, madje edhe kundërshtar politik. Historiani britanik Joseph Swire, në fund të librit të tij (“Shqipëria – ngritja e një mbretërie”, botim i vitit 1929), shkruan: “… Shqipëria u ngrit nga thjesht një shprehje gjeografike, në një mbretëri. Nga një rajon i një perandorie të rrënuar ajo u bë shtet i pavarur, me të gjitha mundësitë për përparim, me një monedhë të stabilizuar, një politikë të jashtme të arsyeshme, një aleat të fuqishëm  dhe një sovran të aftë …”. Ambasadori i ShBA-ve në Shqipëri (1933-1939), Hugh H.Grant, në fjalimin e tij të mbajtur me rastin e varrimit të Zogut (në Paris, 1961),  ka thënë: “Unë besoj se historia në gjykimin e saj të fundit, të paanshëm dhe të drejtë, do ta përmend Mbretin e Shqipërisë Zogu 1, si një nga udhëheqësit më të famshëm ushtarak dhe politik të kohës së tij, një prijës patriot dhe trim, me një inteligjencë edhe zgjuarësi të jashtëzakonshme, me të cilat mundi të përballojë dhe të zgjidhë problemet e koklavitura të mbajtjes gjallë të popullit liridashës dhe patriot shqiptar” (“Monarkia Shqiptare”, fq.391). Ahmet Zogun ndoshta askush nuk e ka sharë më shumë e më rënd se Faik Konica, i cili ishte përfaqësues e ministër i Shqipërisë në ShBA gjatë tërë kohës kur Zogu ishte në pushtet në Shqipëri. Mirëpo, Faiku, pas takimeve me mbretin Zog, më në fund e kishte kuptuar se Ahmet Zogu,  ishte një prijës atdhetar i padiskutueshëm. Pas një vizite që i kishte bërë Shqipërisë dhe bisedave me Zogun, në pyetjen e gazetarëve se si e pa Shqipërinë, Faiku kishte deklaruar: “Rregull në vend të trazirës, qetësi shembullore…, udhë të mira dhe tregti atje ku s’kishte veçse pronjë e shpella dhe papunësi, ushtarë të stërvitur në vend të bashibozukëve. Dhe vullneti i patundur që pruri këto ndryshime aqë të shpejtme, është një djalë i ri, të cilit i ka hije kurora e mbretërimit. Vetëm tru të sëmura, s’kanë zotësinë të kuptojnë madhështinë e kësaj fytyre historike” (“Dielli”, 25 tetor 1929).

* * *

Ndonëse libri Monarkia Shqiptare i kushtohet periudhës së monarkisë (1928-1939), prekë edhe shumë ngjarje tjera historike të mëhershme e të mëvonshme, duke bërë një retrospektivë të shtetit shqiptar para e pas monarkisë, dhe rolit të personaliteteve të ndryshme të njohura e më pak të njohura. Libri përshkohet me një analizë të politikave etnike në Ballkan, por autori është shumë i preokupuar me frymën kombëtare gjithëshqiptare. Si një legalist i flakët, tregohet i njëanshëm me  figurën e mbretit Zog të cilin e lartëson në kupë të qiellit, pa gjetur asnjë të metë dhe asnjë faj (qoftë tradhti apo gabim) përgjatë gjithë kohës së sundimit si ministër, kryeministër, president, mbret. Për ta lartësuar më tepër figurën e mbretit, e shpie në gjenealogji si pasardhës i largët i Skenderbeut? Askund nuk e përmend se Ahmet Zogu u rikthye në pushtet me ndihmën e Serbisë, por gjoja se u kthye me ndihmën e ithtarëve të vetë (dibranë) dhe me përkrahjen e Anglisë, Francës dhe Italisë, nga frika e tyre se pushteti i Nolit do ta instalonte bolshevizmin rus në Shqipëri. E lartëson Lëvizjen e Legalitetit dhe fajëson e urren lëvizjen komuniste që nuk bashkëpunoi për çlirimin e vendit dhe të gjitha trojeve shqiptare. Libri është i vështirë për ta lexuar, jo vetëm se është voluminoz, veçse edhe për shkak se ka përsëritje të shumta në kontekste të ndryshme të eseve për personalitetet dhe ngjarjet. Ajo që ia prishë shijen leximit për një lexues të pasionuar, janë gabimet e shumta, pothuajse në çdo faqe nga disa gabime, të natyrës së lekturës e korrekturës, ndonëse në libër figurojnë emrat e redaktorit letrar dhe korrektores. Libri “Monarkia Shqiptare-ese historike”, është një lum i burimeve të shumta për historinë e shtetit shqiptar, veçmas për Monarkinë: publikime, dokumente arkivore, dokumente diplomatike, intervista, deklarata, gazeta. Ndonëse i vështirë, ia vlen të lexohet, sepse prej burimeve të shumta mund të nxirren edhe informacione të reja. Shkrimtari i ndjerë italian, Umberto Eco, ka thënë se librat që janë të lehtë për lexim, të vejnë në gjumë.  Libri i Eugen Shehut “Monarkia Shqiptare – ese historike” – nuk është i tillë.

*Eugen Shehu: MONARKIA SHQIPTARE, ese historike, botoi “Urtësia”, Tiranë 2010,fq.681

Filed Under: Analiza Tagged With: Adil Fetahu, Eugen Shehu, Mbreti Zog

NË PRITJE TË 7 MARSIT– DITËS SË MËSUESIT

March 5, 2016 by dgreca

Mësonjtorja e parë, Korçë 7 Mars 1887. Kjo ndërtesë monument e mbushur me histori të gjuhës dhe arsimit shqip/

Nga Adil FETAHU/

Në kalendarin e historisë së arsimit në gjuhën shqipe, 7 marsi shënohet si – Dita e Mësuesit, për ta përkujtuar një ngjarje me rëndësi për arsimin shqiptar, që ishte themelimi i Mësonjëtorës  së Parë Shqipe në Korçë (7 mars 1887), e cila u hap  publikisht në qytetin e Korçës. Mësimi i shqipes deri atëherë bëhej fshehurazi nëpër shtëpi private, ngase ishte i ndaluar nga administrata e pushtuesit osman dhe i anatemuar e përndjekur nga propaganda dhe bandat klerofashiste greke. Mësonjtorja e parë e Korçës ishte shkolla e parë publike në gjuhën shqipe asokohe. Fillimisht ajo Shkollë kishte 35 nxënës, por pas tre muajve numri i nxënësve arriti në 60, kurse vitin e dytë ai numër arriti në 300 nxënës. Në te mësohej, lexohej dhe këndohej vetëm shqip. Ishte kjo një fitore e madhe e lëvizjes së Rilindjes kombëtare shqiptare,  prandaj ka mbetur simbol i ruajtjes së identitetit, dimensionit, lirisë dhe progresit kombëtar.   Mësuesit e parë ishin Pandeli Sotiri, Thoma Sina, Thoma Avrami, etj., ndërsa drejtuesit e shquar të asaj Shkolle ishin: Petro Nini Luarasi, Nuçi Naçi, etj. Kur e përkujtojmë atë ditë të shënuar, duhet të kemi parasysh se asokohe populli ynë ishte nën pushtimin otoman, dhe nën presionin e egër të klerit ortodoks grek e të Patrikanës së Stambollit, dhe propagandës dashakeqe sllave (serbe, bullgare e ruse). Pushtuesi atëherë nuk lejonte mësimin në gjuhën shqipe, por vetëm në gjuhën greke ose turke, dhe atë kryesisht mësime fetare. Në Mësonjëtoren e Korçës mësimi i të gjitha lëndëve nisi të zhvillohej në gjuhën shqipe, dhe ishte kjo shkollë laike dhe kombëtare, në të cilën mësimet i vijonin nxënës të të gjitha shtresave, djem dhe vajza bashkë.

Mësonjëtorja e Parë në gjuhën shqipe

Hapja e Mësonjëtores së parë shqipe u arrit në saje të nismës së një grupi të rilindësve, dhe me përkrahjen e masave patriotike të vendit dhe të mërgatës shqiptare. Kontribut të veçantë në këtë drejtim ka dhënë Shoqëria “Drita” e Bukureshtit, vëllezërit Naim e Sami Frashëri, por edhe aktivistë e patriotë tjerë të shumtë. Korçari Mandi Tërpko e fali shtëpinë e vet për këtë shkollë. Në Mësonjëtore përdoreshin tekstet të cilat i kishin përgatitur Naimi e Sami Frashëri, e që ishin shtypur me ndihmën e Kolonisë dhe të Shoqërisë “Drita” në Bukuresht. Disa javë më vonë u hapën shkolla shqipe edhe në qytete tjera shqiptare, por nuk vonoi shumë kohë dhe në bazë të propagandës klerofashiste greke, administrata osmane i mbylli, kurse drejtorin e parë të Mësonjtorës shqipe, Petro Nini Luarasin e mbytën ( e helmuan) në Stamboll qarqet reaksionare të xhonturqve, në bashkëpunim me klerofashizmin grek dhe me Patrikanën e Stambollit. Dy vjet pas hapjes së Mësonjëtores së parë, po në qytetin e Korçës u hap Shkolla e Parë Shqipe për Vajzat. Ishte ajo kohë e vlugut të  aktiviteteve të gjithanshme të lëvizjes së Rilindjes kombëtare për krijimin e kushteve për çlirimin kombëtar, prandaj armiqtë e shqiptarëve ishin të tërbuar nga kjo lëvizje.

Me rastin e hapjes së Mësonjëtores së Parë Shqipe në Korçë, Naim Frashëri shkroi këto vargje:

Hapu, hapu errësirë,

Pa jakë tëhu o dritë,

Se arriti kohë e mirë,

U gëdhi nata – u bë ditë!

– – – – – – – – – – – – – – – –

Lumja ti moj Korçë o lule,

Q’i le pas shoqet e tua,

Si trimi në ball u sule,

Të paçim për jetë hua!

Dita e Mësuesit

 

Dita e Mësuesit, që shënon datën e fillimit të punës së Mësonjëtores së Parë Shqipe në Korçë, është dita kur i kujtojmë edhe mësuesit tanë  të parë, prej ditës së parë të shkollës. Por i kujtojmë me respekt edhe mësuesit e të gjitha brezave, dhe të paktën njëherë në vit i falënderojmë ata për gjithë punën e vyeshme e të vështirë, por me shumë rëndësi, që kanë bërë për arsimimin tonë kombëtar. Nuk thuhet kot, se mësuesit janë arkitektët e kombit. Ata i arsimojnë, edukojnë, formojnë, reformojnë dhe transformojnë nxënësit e tyre në qytetarë të vyeshëm, të denjë e me integritet.. Në këtë mënyrë krijojnë potencialin kombëtar, me vlera të larta njerëzore e patriotike. Edhe personalitetet me gradat më të larta të çfarëdo profesioni e me pozitat më të larta të arritura, i kujtojnë me respekt mësuesit e vet të parë dhe të gjithë periudhës së arsimimit të tyre. Unë me shumë dashamirësi e respekt e kujtoj mësuesin tim të parë, Et-hem Pajazitin, një emigrant nga Shqipëria, ish-oficer i Ushtrisë së Mbretit Zog. Ishte viti 1948, kur në fshatin  tim (Rimanishtë), u hap shkolla për herë të parë, në një shtëpi private. Fshatarët kishin bërë ca banka, si ato të parkut, por shumë ma primitive, sa për t’u ulur nxënësit. Orën e parë mësuesi na e dha nga një gjysmë fletore, gjysmë lapsi dhe gjysmë gome, sepse nuk kishte të tëra për të gjithë nxënësit. Nxënësit ishim të moshave (viteve të ndryshme të lindjes), prej 7 deri 14 vjeçe. Po ajo që sot më bënë përshtypje dhe krenar, në shkollën tonë kishte edhe shumë vajza, që për atë kohë (viti 1948), ka qenë diçka e rrallë.

 

Shkolla shqipe – në shënjestër të regjimeve antishqiptare

 

Nuk është e rastësishme që të gjithë okupatorët dhe armiqtë tanë u vërsulen mbi arsimin. Shkolla shqipe dhe mësuesit qysh prej fillimit kanë qenë në shënjestër të regjimeve antishqiptare. Sepse, e dinin ata se po ta pengojnë arsimimin e popullit, e ndalin zhvillimin e tij të gjithanshëm. Për këtë qëllim, okupatori serb  gjatë gjithë kohës, me metoda të ndryshme të presionit e represionit, ka penguar hapjen dhe punën e shkollave për mësim në gjuhën shqipe. Madje, edhe në prag të shekullit XXI, kur pa se arsimimi shqiptar kishte marrë hov dhe ishte forcuar ndjenja për çlirimin e Kosovës,  pas një okupimi të egër, në periudhën 1990-1999, goditjet e para ia dha arsimit shqip në Kosovë, prej institucioneve parashkollore deri në universitet, duke i quajtur ato çerdhe e nacionalizmit. Ndërpreu financimin, pagat për personelin,  persekutoi e vrau mësues, i përjashtoi prej objekteve të shkollave e fakulteteve.  Por, duke ditur rëndësinë, se arsimimi është investimi më i mirë, populli hapi shtëpitë private dhe grumbulloi mjete vetëkontributi për të mbajtur arsimin në kushte e rrethana që të mos ndërpritej. Për fat, pas çlirimit të Kosovës (1999), arsimimi në gjuhën shqipe u kthye ne rrjedha normale, u bënë shumë investime në ndërtimin e objekteve shkollore, pajisjen me mjete mësimore, literaturë etj. U përmirësua dukshëm edhe pozita materiale e mësimdhënësve.  Por akoma në trevat shqiptare jashtë Kosovës e Shqipërisë, bëhen trysni të ndryshme mbi arsimin shqip, si bie fjala në IRJ të Maqedonisë, kur e fusin me zor mësimin e gjuhës maqedone në shkollat shqipe, qysh prej klasës së parë të shkollës fillore! Apo në Luginën e Preshevës pushteti serb nuk ua lë nxënësve tekstet shkollore në gjuhën shqipe të botuara në Kosovë, dhe nuk ua njeh diplomat nxënësve e studentëve shqiptarë të cilët i kanë kryer shkollat në Kosovë! Kurse për shqiptarët në Greqi. jo vetëm  se nuk lejohen shkolla në gjuhën shqipe, por nuk lejohet as të flasin  gjuhën amtare. Sa të dhembshme janë vargjet e këngës çame, kur thonë:

“Gjuha jonë vetëm thuhet,

Nuk e lënë që të shkruhet,

Bëmë këngë këshillat e urta,

Që të mos harrohet gjuha”…

Këto vargje të këngës, tregojnë gjendjen, dhembjen dhe mënyrën e ruajtjes së gjuhës, pa shkollë!

Sot arsimi shqip në Shqipëri e në Kosovë po bënë hapa të rëndësishëm në reforma e modernizim, në pajime dhe në  përmirësim të kushteve të arsimit. Arritjet janë të pamohueshme. Natyrisht, mbetet edhe shumëçka për t’u dëshiruar në përmirësimin e kushteve dhe në arritjen e cilësisë dhe përshtatjen e arsimit nevojave të vendit. Mjerisht, sot gjithçka është “komercializuar”, prandaj ky sindrom ka depërtuar thellë edhe në lëmin e arsimit. Hapja e shkollave dhe kolegjeve private, është bërë kryesisht për interes fitimi komercial të individëve e grupeve, dhe aty kriterit të cilësisë nuk i jepet rëndësia e duhur. Kjo dhe atmosfera e përgjithshme shoqërore, ka mundësua paraqitjen e formave të ndryshme të korrupsionit në arsim, dhe ndotjen e profesionit të mësuesit-arsimtarit-profesorit. Po, këtu po e përkujtojmë një përvjetor të rëndësishëm të historisë së arsimit, dhe po flasim për Ditën e Mësuesit, prandaj nuk duam t’ia prishim imazhin e kremtës, me deformimet dhe pandërgjegjësinë e individëve a grupeve të caktuara.

 Kur flasim për Ditën e Mësuesit dhe për arsimin shqip në përgjithësi, gjithsesi duhet të kujtojmë Shkollën Normale të Elbasanit, Shkollën Normale të Prishtinës, dhe shkollat e tjera që përgatitën mësues të kualifikuar, për mbajtjen, zhvillimin dhe përparimin e arsimit në gjuhën shqipe. Nxënësit e atyre shkollave normale u shpërndanë gjithandej në trojet shqiptare dhe punuan në kushte të vështira e të rrezikshme. Sepse, puna e mësuesit nuk ishte vetëm të mësuarit e shkrim-leximit, por krahas punës edukativo-arsimore me nxënës, bëhej luftë kundër primitivizmit dhe analfabetizmit në masat e gjera popullore. Duhet t’u mësonte kulturën, traditën, historinë, vlerat morale njerëzore e kombëtare. Ata kishin ideal, vullnet e pasion për punën që bënin. E kuptuan se profesioni i mësuesit është i mirë, por i vështirë dhe me përgjegjësi. Punuan me zell, vullnet, enthusiazëm,  nderë, ndërgjegje e përkushtim në zhvillimin e arsimit shqip. Ata e quan në vend amanetin e rilindësve tanë: Mjedës, Naimit, Çajupit e të tjerëve, veprat e të cilëve edhe sot i mbajmë mend dhe recitojmë.

Është një gjeneratë i ish-normalistëve të Normales së Prishtinës (gjenerata e viteve 1956-1961), qe edhe sot e kësaj dite,  mbanë takime të rregullta vjetore, takohen për Ditën e Flamurit dhe për Ditën e Mësuesit, i kujton ditët e shkollës, ditën e parë dhe tërë shekullin e të punës, dhe akoma në këtë moshë, rreth 80 vjeçe, përcjellë ecuritë, u gëzohet sukseseve dhe preokupohet me problemet e arsimit në gjuhën shqipe. Kjo gjeneratë elite, që arsimin e ka në zemër,  është njëra nga gjeneratat më të mira dhe më e organizuara që edhe pas 55 vjetëve të diplomimit në Normalen e Prishtinës, akoma mbanë lidhje të pashkëputura. Prandaj, si pjesëtar i saj, në emër të asaj gjenerate dhe në emrin tim, të gjithë mësimdhënësve aktivë, kudo që punojnë në arsimin shqip ju uroj: Gëzuar Ditën e Mësuesit. Nxënësit tuaj ua kalofshin me të arritura më të larta. Ju uroj edhe atyre mësuesve e veteranëve që tash janë në pension, pas dyzet e sa vjetëve të punës edukativo-arsimore, të cilët ndërtuan dhe forcuan themelet e arsimit në gjuhën shqipe. I kujtojmë me pietet edhe ata mësues e arsimtarë që nuk janë më në mesin e të gjallëve, e të cilët kontribuan në arsimin shqiptar.Ju që punoni në arsim, duajeni dhe ruajeni prestigjin e profesionit të shenjtë të mësuesit, se nuk ka nderë më imadh se të jesh mësues i mirë dhe i nderuar.

 

 

 

 

 

 

 

Filed Under: Histori Tagged With: – DITËS SË MËSUESIT, Adil Fetahu, NË PRITJE TË 7 MARSIT

“MAKIJAZH” APO REFORMË TË SISTEMIT TË PENSIONEVE?

February 27, 2016 by dgreca

Vështrim Konceptit të MPMS për Rregullimin e Fushës së Pensioneve /

  • Nga Adil FETAHU/

Pensioni është kategori ekonomike, sociale dhe financiare dhe është pronë private-personale e pensionistit (shih:Vendimi i GjEDNj në Strasburg, nr.31925/08: rasti Grudiq kundër Serbisë). Është kategori ekonomike, ngase  është siguruar në bazë të kontributit në punë dhe kursimit të punëtorit gjatë kohës sa ka qenë aktiv.  Është kategori sociale, ngase siguron të ardhura për moshën kur nuk mund të punojë e të krijojë të ardhura. Është edhe kategori financiare, sepse është pjesë e konsumit dhe financave publike.  Në vendet ku ekzistojnë fondet private të pensioneve, mjetet e grumbulluara në ato fonde paraqesin një burim të rëndësishëm të financimit në tregun financiar. Prandaj, sistemi i pensioneve është segment i rëndësishëm i sistemit ekonomik, social dhe financiar të secilit shtet. Sistemet e pensioneve të shumicës së shteteve të botës mbështetën në financimin vijues, dmth. në solidaritetin midis gjeneratave. Gjenerata aktive që punon, paguan kontribute për sigurimet sociale dhe kështu financon pensionet për ata që kanë kryer shekullin e punës dhe kanë dalë në pension. Edhe ky sistem, ndonëse është më i miri, ka mangësitë e veta, veçmas në rastet kur është i pavolitshëm raporti midis numrit të punëtorëve aktivë dhe numrit të pensionistëve, gjë që ndikon në lartësinë e kontributeve që duhet të paguhen. Në të gjitha vendet, shekulli i jetës po zgjatet, prandaj nga aspekti demografik po rritet numri i pensionistëve dhe periudha e shfrytëzimit të pensioneve. Në Kosovë dhe në Shqipëri tendenca e plakjes së popullsisë është më e madhe se në të gjitha vendet, për shkak të rënies së natalitetit dhe emigrimit të të rinjëve. Ky fakt ka imponuar domosdonë e shtyrjes së moshës për pensionim. Në Kosovë, për fat të mirë, aktualisht mosha e popullsisë është e re, prandaj numri i pensionistëve është i vogël, edhe për faktin se mosha e pensionit (65 vjet, si për meshkuj ashtu edhe për femra) është ndër më të lartat në botë (vetëm katër shtete: ShBA =66, Norvegjia, Islanda dhe Izraeli =67) kanë moshën më të lartë të pensionimit. Mirëpo, problemi këtu qëndron në numrin e vogël të punëtorëve të angazhuar në punë, në pagat e vogla, dhe se një përqindje e madhe e atyre që punojnë në sektorin privat, nuk paguajnë kontribute për shkak të informalitetit në punë, por edhe ata që paguajnë këtë e bëjnë në bazën e pagës minimale. Për të qenë i qëndrueshëm sistemi i pensioneve, raporti i punëtorëve aktivë që paguajnë kontribute ndaj numrit të pensionistëve duhet të jetë 4:1. Në Kosovën e pasluftës, për shkak të mungesës së fondit pensional,  “pensionet” janë paguar kryesisht nga mjetet e buxhetit të varfër të Kosovës, sepse nuk ka funksionuar sistemi i kontributeve, përveç një pjese të vogël të Trustit, të themeluar në vitin 2002, në kuadër të cilit funksionon vetëm shtylla e parë: pagesa e obligueshme me ligj e kontributit (5+5% nga lartësia e të ardhurave të punëtorit), që nuk siguron kurrëfar baze të mjaftueshme për pension.  Sistemi aktual, që as nuk mund të quhet sistem i pensioneve, por i pagesave sociale, është edhe i paqëndrueshëm, edhe i padrejtë, por edhe po keqpërdoret. Është i paqëndrueshëm, sepse pagesa bëhet kryekëput nga mjetet e buxhetit. Është i padrejtë, sepse nuk merr parasysh kontributet individuale të atyre që nga pagat e veta kanë ndarë një përqindje të madhe për sigurimin pensional. Në bazë Ligjit (aktual. 04/1-131) mbi Skemat Pensionale të Fianncuara nga Shteti, dhe Udhëzimit Administrativ nr.09/2015 për Kategorizimin e Shfrytëzuesve të Pensionit Kontributpagues sipas Strukturës Kualifikuese dhe Kohëzgjatjes së Pagesës së Kontributeve-Stazhit Pensional, të gjithë pensionistët që kanë mbi 15 vjet stazh pune të kryer para vitit 1999, kanë “pensionin” e njëjtë (78 euro) për stazhin, pa marrë parasysh a kanë 15, apo 40 vjet stazh! Veç kësaj, nuk merret parasysh se kush sa ka paguar kontribute nga të ardhurat, sepse nuk është njësoj sikur ai që ka pasur pagën (në kundërvlerë) 2000 marka gjermane, si ai që ka pasur 200 marka! Prandaj, kjo nuk është pagesë në bazë të kontributit, dhe këtu qëndron padrejtësia e instaluar me Udhëzimin Administrativ mbi kategorizimin. Kjo padrejtësi kurrsesi nuk mund të ndreqet me shumat që do paguhen pas kategorizimit sipas kualifikimit shkollor, kur mund të bëhet edhe një padrejtësi tjetër.

Është çështje më vete, që Ligji mbi Skemat Pensionale të Fianncuara nga Shteti, as që ka filluar të zbatohet për pensionet e invalidëve të punës dhe për pensionet familjare, dhe nuk dihet kur do të fillojë të zbatohet!

Kur është fjala për të ashtuquajturin “Pensioni bazik” (thuhet 80 euro, por shfrytëzuesve iu paguhen vetëm 75 euro?!) për të gjithë qytetarët që janë banorë të përhershëm në Kosovë, është vërejtur dhe vërtetuar se ka keqpërdorime nga një numër i konsiderueshëm ( rreth 12000-15000 veta), të cilët marrin këtë “pension” edhepse vendbanimin e përhershëm e kanë në shtetet tjera. Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale po bënë përpjekje që këto keqpërdorime të ndërpriten, dhe  mjetet e kursyera prej keqpërdorimeve, të shfrytëzohen për rritjen e “pensionit bazë” atyre që kanë të drejtë.

Në sistemet e pensioneve po ndikon edhe procesi i globalizimit dhe integrimit. Vendet të cilat aspirojnë të integrohen në BE, po detyrohen të zvogëlojnë shpenzimet për sigurim pensional, që kështu të zvogëlojnë ngarkesat e ekonomisë me taksa, tatime e kontribute, gjë që drejtpërsëdrejti ndikon në zvogëlimin e masës  për financimin e pensioneve. Diktati i Bankës Botërore dhe i Fondit Monetar Ndërkombëtar në lëmin e financave publike, dhe Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit e harmonizimi i legjislacionit me standardet e BE-së, imponojnë nevojën e reformës së sistemit të sigurimeve sociale dhe të pensioneve edhe në Kosovë.

Inicim i reformës apo vetëm “makijazh” i ligjit ekzistues?

Nisur nga situata aktuale e gjendjes sociale në Kosovë, Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale ka iniciuar një Koncept-dokument për reformën e sigurimeve sociale, duke përqendruar kryesisht në reformën e sistemit të pensioneve. Pas një analize solide të gjendjes dhe problemeve, Ministria ka ofruar tri opsione për reformën e sistemit të pensioneve:

Opsioni 1: Status-quo (asnjë ndryshim) – Në analizën e Ministrisë është konstatuar se korniza ligjore aktuale është e mangët, ka lënë pa sqaruar disa aspekte dhe ka lënë  hapësirë për interpretime të ndryshme, keqpërdorime dhe padrejtësi ndaj kategorisë së caktuar të pensionistëve kontributpagues të cilët nuk kanë vendbanimin e përhershëm në Kosovë. Gjendja aktuale nuk është e përshtatshme, prandaj duhet ndryshuar diçka.

 Opsioni 2: Ndryshimi i politikës aktuale.-  Sipas këtij opsioni, do duhej ndryshuar korniza ligjore ekzistuese dhe të bëhet një reformë në skemat e pensioneve dhe benefiteve tjera të cilat paguhen nga buxheti i shtetit. Për këtë nevojitet hartimi i një ligji (të vetëm) bazik për sistemin e pensioneve, me të cilin do rregulloeshin të gjitha skemat pensionale dhe invalidore, kontributive dhe jokontributive.  Ai ligj do duhej të përfshinte edhe përkrahjen financiare, shërbimet dhe përkujdesjen për personat me aftësi të kufizuara, varësisht nga kategoria, sipas standardeve ndërkombëtare. Po të bëhej reforma sipas këtij opsioni, Ministria konsideron se duhet formuar një organ i pavarur (agjension) në kuadër të Qeverisë së Kosovës, i cili do të menaxhonte dhe administronte dhe do t’iu ofronte shërbime shfrytëzuesve të të gjitha skemave pensionale dhe invalidore të përcaktuara me ligjet aktuale, respektivisht me ligjin e ri bazik. Ligji do të përcaktonte elemente të reja, të moniturueshme, sa i përket “pensionit bazik” (social), ashtu që këtë lloj “pensioni” nuk mund ta marrin personat të cilët kanë të hyra (mujore) nga ndonjë burim tjetër,e që janë më të mëdha se sa “pensioni social”. Për pensionet kontributpaguese do qartësoheshin kriteret ekzistuese dhe do caktoheshin edhe kritere të reja.

Edhepse e ka shtruar në Koncept-dokumentin e saj këtë opsion, Ministria shprehimisht ka qëndrim të kundër, refuzues të këtij opsioni, duke arsyetuar se do ishte i pazbatueshëm, për shkak të kostos së lartë financiare, duke marrë si shembull, se në Kosovë ka diku rreth 200.000 persona me aftësi të kufizuara (!), dhe se buxheti i Kosovës nuk mund ta përballojë një kosto të tillë.

Opsioni i tretë: Ndryshimi  dhe plotësimi i Ligjit (ekzistues).-  Duket se synimi kryesor i propozimit të Ministrisë është që të bëhen ndryshime (“kozmetike”) në Ligjin  (aktual, nr.03/L-131) mbi Skemat Pensionale të Financuara nga Shteti, i cili në disa segmente as që ka filluar të zbatohet, ndonëse ka hyrë në fuqi qëmoti. Në Koncept-dokumentin e Ministrisë, ky opsion konsiderohet më i zbatueshmi për kushtet aktuale, dhe se do të ndërpret keqpërdorimet e pensioneve bazike të moshës. Me ndryshimet që do bëhen, do iu mundësohet që shtetasit e huaj që janë banorë të përhershëm të Kosovës, të mund të shfrytëzojnë pensionet kontributpaguese dhe/ose ato bazike.  Duke ndalë keqpërdorimet, do kursehen mjete të konsiderueshme financiare, dhe do të përcaktohej koha e fillimit të zbatimit të dy skemave tjera: pensionet familjare dhe të invalidëve të punës (që sipas tekstit  të Ligjit aktual, është dashur të fillojë zbatimi prej 01.01.2015; neni 30, në lidhje me nenet 11 e 12 të Ligjit!).

Duhet  bërë reformë rrënjësore (jo “kozmetikë”) të sistemit të pensioneve

Kosova është bërë një mikrokosmos social, me  forma shumëdimensionale të varfërisë së kategorive të ndryshme të shoqërisë: të rinjë të papunë, punëtorë pa paga e pa sigurime shoqërore, pensionistë pa pensione, fëmijë pa shtesa fëminore, invalidët e punës dhe familjet e pensionistëve dhe invalidëve – pa pensione. Të gjitha këto dhe kategori tjera të popullsisë janë pa mbrojtje shëndetësore, pa mbrojtje, kujdes e shërbime shoqërore të mjaftueshme për jetë të dinjitetshme, për zgjidhjen e të cilave kërkohet një strategji e të drejtave sociale gjithëpërfshirëse, në kuadër të së cilës duhet të zhvillohet edhe reforma e sistemit të pensioneve.Politika sociale është një nga fushat sovrane të  secilit shteti. prandaj ekzistojnë dallime midis sistemeve dhe mirëqenies sociale edhe brenda shteteve të BE-së, me gjithë përpjekjet për unifikimin e vlerave dhe standardeve.

Në Kosovë, prej pas luftës, sistemi i pensioneve po shtërzen midis diskriminim të pensionistëve (kontribupagues) dhe reformimit të sistemit. Deri më tash nuk u bë ndonjë reformë, përveçse u ndërpre dhe u degradua sistemi  i qëndrueshëm dhe shumë human që ka funksionuar  para lufte.  Formimi i Trustit të pensioneve, me përqindje aq të vogël të kontributeve për pension, në pagat aq të vogla, nuk është kurrëfar garance për ata që do varen prej atij pensioni, edhe sikur të mos ketë kurrëfar humbje të mjeteve të tyre në ndërkohë.  Pagesa e pensioneve nga buxheti i varfër i Kosovës ish-punëtorëve, të cilët me decenie kanë ndarë nga të ardhurat e tyre shuma të konsiderueshme për pension, nuk është zgjidhje e qëndrueshme, e aq më pak është e mjaftueshme  (78 euro, linearisht; 158-80=78), dhe është një padrejtësi ndaj kësaj kategorie.

Prandaj, reforma duhet të bëhet ashtu që të mbulojë të moshuarit e tashëm dhe ata të ardhshëm, jo vetëm  nga radhët e punëtorëve, por edhe bujqit e të vetëpunësuarit, duke marrë parasysh edhe ndryshimet demografike që do të ndodhin me plakjen e popullsisë; të sigurohet sistem i përshtatshëm, i qëndrueshëm dhe i mjaftueshëm. Reforma e sistemit të pensioneve duhet të

shqyrtohet, debatohet e përkrahet nga grupet e interesit: sindikata e punëtorëve, organizata e pensionistëve, shoqëria civile, dhe për miratimin e zbatimin e saj të arrihet konsensusi në Kuvendin e Kosovës. Edhe për shumë kohë duhet të zbatohet sistemi i solidaritetit midis gjeneratave, të cilin po e zbatojnë edhe shumë vende tjera jo vetëm të rajonit, por edhe më gjerë, dhe është një sistem i provuar që ka funksionuar dhe funksionon. Për reformë të mirëfilltë, duhet të shfrytëzohet eksperienca e sistemeve më të mira, që mund t’i përshtatet kushteve, nevojave dhe mundësive të Kosovës.

Filed Under: Opinion Tagged With: Adil Fetahu, Makjazh apo Reforme, ne sistemin e pensioneve

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 3
  • 4
  • 5
  • 6
  • 7
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT