Universiteti Jezuit Fordham nderon kryepeshkopin e Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë, Anastasios me Doktoraturën e Letrave Njerëzore honoris causa/
Përgatiti per DIELLIN: Aida Bode/
Universiteti i Fordhamit është një universitet jezuit nga më të vjetrit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. I themeluar në vitin 1841 universiteti qëndron me një mision të patundshëm: të zbulojë urtësinë dhe të transmetojë mësimdhënien nëpërmjet studimit dhe arritjeve më të larta mësimore. I udhëhequr nga tradita katolike dhe jezuite, ky universitet mbështet zhvillimin intelektual, moral dhe fetar të studentëve dhe i përgatit të udhëheqin një shoqëri globale. Ky universitet nderoi të martë në datën 28 Janar, 2014 Kryepeshkopin e Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë me Doktoraturën e Letrave Njerëzore Honoris Causa (në latinisht “për hir të nderit”). Ceremonia u zhvillua në kishën e Universitetit në kampin Rose Hill (kodrina e trëndafilit).
Ndonëse një natë e ftohtë me temperatura të pazakonta dhe shumë të ulëta, kisha ishte e mbushur plot me studentë, përfaqsues të ndryshëm të feve, shumë prej të cilëve kishin udhëtuar nga larg për të marrë pjesë në këtë ceremoni nderi, siç ishte, At Aleksandri, një prift katolik, që kishte udhëtuar nga Pensilvania (rreth 250 km) për të nderuar kryepeshkopin e Shqipërisë. Veç të ardhurve dhe studentëve kishte gjithashtu përfaqsues të bordit të universitetit, drejtues dhe profesorë që bashkarisht kishin vendosur në dhënien e këtij nderi të lartë.
Ceremonia u hap nga provosti Stivën Fridman, i cili ndërsa bëri fjalën e hapjes ftoi vetë presidentin e universitetit z. Josif M. MkKshejn të paraqiste në detaj veprën shumë vjeçare të kryepeshkopit. “Sot Fordhami është krenar të nderojë Hirësinë e tij, Anastasios, Kryepeshkop i Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë, një udhëheqës frymëzues i cili gjithmonë bindet të shkojë aty ku e thërret Perëndia, qoftë në Lindje, në Afrikë apo në Shqipëri – ku triumfoi të ringjallte Kishën Ortodokse pas tiranisë komuniste.”
Presidenti e vazhdoi fjalën e tij me një përmbledhje të shkurtër të biografisë të kryepeshkopit dhe më tej theksoi veprën e tij në Afrikë, arritjet e mëdha aty që përfshinin themelimin e Seminarit të Patriarkanës ku u urdhëruan 62 priftërinj afrikanë dhe u bekuan 42 vepra leximi nga tetë fise afrikane. Më pas ai foli për sfidën e madhe kur Patriarkana Ekumenike e caktoi Kryepeshkop të Kishes Ortodokse Shqiptare në 1992. Z. MkKshejn foli për arritjet e Kishës gjatë këtyre viteve duke bërë të dallojnë sidomos rindërtimi i katedrales Ringjallja në Tiranë, një nga më të mëdhatë në botë, ndërtimi i akademisë fetare në Durrës ku u urdhëruan 145 klerikë të rinj, themelimi i një shtëpie fëmijësh, shkolla të ndryshme dhe universiteti Fjala. Presidenti veçoi punën bamirëse të Kishës jo vetëm për besimtarët, por për të gjithë Shqiptarët, përfshi këtu riparimin i rrugëve, urave, klinikave, si dhe mbledhjen e donacioneve për riparimin e një xhamie. Nën udhëheqjen e kryepeshkopit kisha shpërndau qindra ton ushqimesh dhe furnizimesh për refugjatët e gjithë besimeve dhe kombësive sidomos gjatë krizës në Kosovë. Në mënyrë të palodhur kryepeshkopi ka dhënë kontributin e tij për të lehtësuar tensionet në Ballkan dhe për këtë në vitin 2000 ai u zgjodh kandidat për Çmimin Nobel për Paqen. Fjala e presidentit vuri gjitashtu në dukje arritjet e kryepeshkopit në fushën akademike. Hirësia e Tij ka studiuar fetë e botës: Krishtërimin, Hinduizmin, Budizmin, Taoizmin, Konfushianizmin, Islamin dhe fetë afrikane – në vende të ndryshme. Përkushtimi i tij në dialogun ndërkristian i ka dhënë atij njohje ndërkombëtare. Ai flet katër gjuhë dhe lexon pesë. Është autor profilik i një shumice botimesh, duke përfshirë këtu dhe një studim të Islamit në vitin 1975, i pari i botuar në Greqi dhe i pari nga një i teolog i krishterë ortodoks. Në mbyllje të fjalës së tij, presidenti i dhuroi nderin e lartë, Doktoraturën e Letrave Njerëzore honoris causa kryepeshkopit Anastasios i cili më pas vazhdoi me leksionin e tij.
Fjala e Hirësisë e titulluar “Ndarja e Lajmit të mirë në një vend shumë-fetar si dhe reflektime teologjike mbi fetë e tjera” ishte e ndarë në tre pjesë. Ai filloi me paraqitjen e punës së tij në Afrikë dhe më pas tregoi me hollësi momentet e para të vizitës së tij të parë në Tiranë në vitin 1991 ku u takua me një grup të vogël besimtarësh të cilët e çuan në ndërtesën që kishte qënë kishë, por që sistemi diktatorial e kishte shndërruar në palestër. Aty kryepeshkopi zbuloi se fjalët e tij të para në shqip ishin “Krishti u ngjall” të cilat i mësoi nga shoqëruesit e tij dhe me të cilët ndezën qirinj dhe kantuan deri në përlotje këto fjalë të shenjta. Pjesa e dytë ishte mbi botëkuptimin teologjik të feve të tjera, dhe pjesa e tretë mbi tre konstantet ekumenike të cilat i hapin horizontin mendimit: fjala, dashuria dhe drita. Fjala – vetë ky term perfshin nje hapësirë të madhe dhe të pasur të mendimit njerëzor. Kështu fjala (logos) përdorej gjerë nga filozofët grekë ne periudhen e parakrishterë. Kryepeshkopi tregoi se fjala e Perëndisë udhëheq mendjen duke vepruar tek të gjithë dhe për të gjithë, pavarësisht fesë së dikujt. Dashuria e cila është shpalosur aq e plotë në vetë jetën e Krishtit dhe Drita e cila ndonëse e bardhë në dukje, është e përbërë nga një mori ngjyrash dhe gjithë besimtarët janë pikërisht drita e Perëndisë pasi sjellin tek ai gjithë larmishmërinë e shpirtit dhe veprës së tyre.
Ndonëse pjesa në vazhdim e fjalimit të Hirësisë së Tij ishte në fillim të lekturës së tij, po e paraqis në fund të këtij artikulli pasi është thelbi i gjithë këtij takimi kaq të rëndësishëm jo për nga vlerësimi që iu bë një udhëheqësi të përkushtuar, por siç pohoi Kryepeshkopi, vetë Kishës Ortodokse Shqiptare.
“Lajmi i mirë është se Biri i Perëndisë, fjala u bë njeri dhe u ringjall dhe është gjithmonë me ne. Besimi i krishterë thekson se mishërimi i Perëndisë është dashuri dhe në të njëjtën kohë ofron hir hyjnor. Padyshim çdokush është i lirë t’i pranojë ose t’i kundërshtojë këto mësime, por marrdhëniet e krishtera vazhdojnë të shpallin me dashuri se liria për të dashur nuk është e kufizuar nga feja e të tjerëve. Kështu i tha Krishti dhe Shën JoanitË “Lum ti që je i aftë t’i duash të gjithë njësoj” Kemi kuptuar se për të ruajtur një dialog mirëkuptimi midis komuniteteve të ndryshme fetare kanë shumë rëndësi këto vlera: mbrojtja e mjedisit natyror, kundërshtimi i dhunës kudo, pajtimi, zhvillimi, drejtësia botërore dhe paqja në nivel lokal dhe ndërkombëtar.“
Takimi u mbyll me një darkë shoqërore në sallën Tognino të Duane Library; sallë në një nga bibliotekat e Universitetit.