Nga Astrit Lulushi/Gjuha shqipe e mesjetës së vonë: kush mund të ngazëllehet për këtë, përveç studiuesve tanë? Jo vetëm që tema është larg mundësive, por është edhe e pakapshme. Asnjë tekst i vetëm i mbijetuar në gjuhën shqipe nuk daton në shekullin e pesëmbëdhjetë; në fakt, nuk ka asnjë dokument që përmend gjuhën para vitit 1285.
Kjo nuk do të thotë që shqipja nuk ekzistonte më parë. Në një moment në të kaluarën e largët, ajo duhet të jetë ndarë nga familja indo-evropiane, së cilës i përkasin pothuajse të gjitha gjuhët evropiane. Për një kohë mund të ishte quajtur me emrin Thrakisht, Dakisht ose Ilirisht: këto gjuhë ekzistuan dhe njëra prej tyre mund të ketë qenë pararendëse e shqipes moderne. Në çdo rast, gjatë shekujve të pushtimit Romak, shqiptarët huazuan qindra fjalë nga latinishtja, të cilat pasardhësit e tyre i përdorin akoma në forma të transformuara: bekoj vjen nga benedicere, gaz (‘gëzim’) nga gaudium.
Deri në shekullin e njëmbëdhjetë shqiptarët ndoshta jetonin si fermerë në brendësi të Ballkanit, më në veri se tokat e tyre të sotme, me botën e jashtme që i vinte shumë pak në vëmendje – e lëre më të interesohej për mënyrën se si flisnin. Vetëm më vonë ata arritën të zinin një territor të konsiderueshëm dhe një zonë gjuhësore. Shqipja tani është gjuha shumicë jo vetëm në Shqipëri, por edhe në pjesën më të madhe të Kosovës dhe pjesë të Maqedonisë dhe Malit të Zi. Më tej, ka pakica të lashta shqipfolëse në Greqi, Itali, Turqi dhe pothuajse në të gjitha vendet e Ballkanit.
Por mjaft për këtë – në fund të fundit, kush mund të interesohej për historinë e shqipes?
Sigurisht, Norbert Jokli, është një. I ashtuquajturi Ati i Albanologjisë lindi nga prindër hebrenj në Bisenz (sot e njohur si Bzenec, në Republikën Çeke), në 1877. Ai ishte austriak dhe u bë profesor i gjuhësisë indo-evropiane në Universitetin e Vjenës, ku studioi – ndër të tjera – etimologjinë shqipe dhe ndërveprimin gjuhësor midis Greqisë dhe Shqipërisë. Ai ishte i pa martuar, poliglot dhe shoqërisht i ngathët – studiues kryetipik i paraluftës.
Pas aneksimit të Austrisë nga Gjermania Naziste në 1938, Jokl u shkarkua nga universiteti, për shkak të prejardhjes hebraike. Për t’i shpëtuar përndjekjeve të mëtejshme, ai aplikoi për statusin e ‘gjysmë hebreut’, që iu refuzua; u përpoq të merrte një punë jashtë Austrisë, por përpjekjet e tij ishin të kota. Një koleg italian u përpoq ta ndihmojë të transferohej – me gjithë bibliotekën e tij – në Shqipëri, por pa fat. Pastaj, në maj 1942, Jokl u dëbua, ndoshta në një kamp shfarosjeje në Bjellorusi. Pikërisht ajo që ndodhi atje mbetet mister, por një gjë është e sigurt: Jokl vdiq për shkaqe të panatyrshme pikërisht atë muaj, ose menjëherë pas kësaj.
Për dekada, kërkimi i Joklit ishte i harruar; qindra faqe me tekste nga shekujt XVI, XVII dhe XVIII ishin në pritje të dikujt që të tregonte një interes. Ishte sikur, me vrasjen e Norbert Joklit, gjuha e vjetër shqipe mbeti e ve. Gjuhëtarët e huaj kishin pak njohuri për shqipen moderne, dhe aq më pak për gjuhën e vjetër. Dhe në Shqipëri, studiuesit u shmangeshin dokumenteteve. Shqipëria drejtohej nga një diktaturë komuniste dhe studimi i teksteve para-marksiste nuk inkurajohej. Më keq akoma, ato ishin tekste katolike; Shqipëria ishte konvertuar zyrtarisht në ateizëm në 1967. Nazistët vranë ekspertin kryesor të fushës albanologjike sepse nuk u pëlqente besimi i tij; dhe komunistët injoruan tekstet kryesore historike sepse nuk u pëlqente besimi i njerëzve që i kishin shkruar.
Që nga fillimi i viteve 1990, Shqipëria ka bërë rrugën e saj në normalitet. Njerëzit lejohen edhe një herë të interesohen për të kaluarën e tyre dhe për historinë e gjuhës së tyre. Por kush do ta kënaqë kuriozitetin e tyre? Studiuesit vendas që dëshirojnë të studiojnë librat e vjetër përballen me pengesa të jashtëzakonshme. Mungesa e fondeve është një prej tyre, por natyra katolike e teksteve mbetet gjithashtu një çështje. Të rritur si ateistë, brezi aktual i studiuesve ka pak njohuri për çështjet fetare; për më tepër, në këtë pjesë të botës ku krishterimi i dha udhë Islamit shekuj më parë.
As nuk ka shumë interes nga jashtë. Këto ditë, një propozim kërkimor pa perspektivë të ndonjë përfitimi ekonomik ndikon pak për të hapur apetitet e fuqive akademike. Por siç provoi Jokli, një njeri i vetëm nganjëherë mund të sjellë në jetë një fushë kërkimore. Dhe tani një tjetër albanolog ka marrë hovin. Emri i tij është Joachim Matzinger, dhe së bashku me udhëheqësin e ekipit të tij, indo-evropianistin Stefan Schumacher, kanë vendosur përsëri tekstet e Joklit nën mikroskop; dhe kanë arritur të nxjerrin prej tyre disa njohuri të reja befasuese. Gjuha shqipe, thonë ata, rezulton të jetë origjina e shtesës së artikujve në fund të emrave dhe burimi i një numri të mirë të fjalëve huazuese në shumë gjuhë të Ballkanit.
Jokli pa dyshim që do të kishte qenë krenar të dëshmonte përfaqësimin e parë të plotë të sistemit të shqipes së vjetër në formën e leksikut, që pritetet të dalë në përfundim të kërkimit. Duke iu kthyer studimeve të Joklit rreth 75 vjet më parë, Matzinger dhe Schumacher të Universitetit të Vienës po punojnë për një fjalor toponimesh, dhe po përpiqen të sigurojnë një themel për të gjitha hetimet e ardhshme në sistemin verbal të shqipes. Gjithashtu kjo përpjekje e tyre do të rezultojë e paçmuar për studimet indo-evropiane dhe gjuhësinë në tërësi.