• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Gazetarët, mediet dhe koha në të cilën po jetojmë

October 10, 2014 by dgreca

Nga Albert Z. ZHOLI/
Gazetarinë të bukur e bëjnë gazetarët e mirë dhe të zotë- apo të vështirë, ata që ngecin në këtë profesion pa e dashur atë. Ndaj edhe gazetarët që kërkohen, që kujtohen, që merren si pika referimi për kohët, janë pak, shumë pak, por mëse të mjaftueshëm për të krijuar idenë se kur e do një profesion e bën atë të lexueshëm, të shikueshëm dhe tërheq vëmendjen e shoqërisë dhe politikës ndaj tij.
“Ai që nuk lexon kurrë gazeta, është i marrë, por ai që beson çdo gjë që lexon, vetëm se thuhet në gazetë, është edhe më i marrë”, është shprehur para dy shekujsh August fon Shlëcer, historian dhe gazetar gjerman në fundin e shekullit të 18-të, kur ende televizioni nuk ishte shfaqur si ide.
Parë në këndvështrimin e kësaj sentence, del qartë se gazetaria është sa profesion i vështirë po aq i bukur. Është i vështirë sepse duhet ta bësh lajmin në kohë dhe të besueshëm që gazeta të blihet (ndërsa sot televizioni të shikohet), është e bukur sepse nëpërmjet lajmit apo komentit, njerëzve u serviret në duar ushqimi i përditshëm shpirtëror për të ruajtur ekuilibrat e dy marrëzive, atë që njeriut të mos i shkojë ndërmend të lexojë (nqs lajmi është i pa bazë), por edhe atë që jo çdo gjë që lexon ta fusë brenda vetvetes me seriozitetin më të madh.
Shërbimi mediatik është një mjet për të transmetuar jetën e secilit, bashkësisë dhe një globi të tërë, me ngjarjet më pikante, ndaj dhe rëndësia e tij është më shumë se forca e perëndisë.

Dikush mund t’i ketë zili gazetarët
Leximi i emrit në gazetë është disi tundues për lexuesin e thjeshtë, por edhe atë me përvojë (kualifikuar). Lexuesi mendon se një gazetar mund të ndihet disi krenar për veten, ngaqë emri i tij del në gazetë, apo shfaqet në ekran. Por në gazetë apo ekran nuk dalin zhgënjimet, rivaliteti, xhelozitë, fyerjet, poshtërimet, ankthet, montazhet, efektet, zërat, përplasjet që i ndodhin çdo gazetari në profesionin e tij. Gazeta apo ekrani është dukja e një fabrike të madhe e cila punon “nëndheshëm” por me mendjen më të civilizuar dhe me pjekurinë maksimale, se ndryshe, jo vetëm nuk do duket puna e gazetarit, por do mbytet edhe ai vet nën trysninë e shikuesit apo lexuesit që zakonisht di të çmojë dhe të vlerësojë.
… Një gazetare në Poloni ka përmendur një vështirësi tjetër: “Nuk e dimë kur do të pushojmë dhe kur do të punojmë”. Ndonjëherë kjo ndikon për keq në jetën private dhe ritmi i shpejtë i punës mund të na krijojë probleme në jetën familjare. Një gazetar në ish-Bashkimin Sovjetik nxori në pah atë që mund të quhet zhgënjimi më i madh: “u lodha shumë dhe, si përfundim, ( materiali) nuk u botua”. Një gazetare sportive në një gazetë të Hollandës është shprehur: “Shpesh më kanë quajtur injorante. Disa lexues zemërohen ose mërziten, e ngaqë ndonjëherë në sport emocionet dalin jashtë kontrollit, disa janë përpjekur të më vrasin.”
Dhe raste të tilla ka të shumta në Shqipëri. Jo pak kolegëve tanë u është vënë jeta në rrezik. Atëherë, çfarë i shtyn gazetarët të vazhdojnë “rrugën e mundimshme drejt njohjes?” Disa e shohin gazetën si mjet jetese, mënyrën e vetme ose profesionin e vetëm që mund të mbijetojnë, ku marrin një pagë, por nuk është kështu për të gjithë. Po kaq e kanë pasion këtë profesion dhe nuk mund ta kuptojnë jetën pa të. Në mbarë botën është folur për pasionin e shumë gazetarëve të cilët kurrsesi nuk mund ta braktisin profesionin e vështirë edhe kur jeta e tyre është vendosur në fije të perit, ashtu sikundër ka gazetarë, që nuk mund ti përshtaten punës në kompjuter, duke lënë mënjanë tastierën e zhurmshme të makinës së shkrimit, që i ngacmon në punën e përditshme. Një gazetare meksikane ka thënë: “Të paktën u jap njerëzve diçka që ia vlen ta marrin vesh”.
Në Japoni, një redaktor i vjetër i gazetës së përditshme më të madhe në botë komenton: “Kënaqem kur mendoj se i kam ndihmuar njerëzit dhe kur drejtësia vihet në vend. Sigurisht që gazetat nuk janë vetëm fryt i punës së gazetarëve. Në varësi të madhësisë dhe të organizimit të shtëpisë botuese, mund të ketë redaktorë përgjegjës, korrektorë bocash, kontrollorë për verifikimin e fakteve, arkivistë e shumë të tjerë që punojnë pa u lodhur, edhe pse emri i tyre nuk del në gazetë. E gjithë kjo bëhet që gazeta të arrijë deri tek lexuesi”.

Besimi tek gazetaria
Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në një anketë të zhvilluar në vitin 2005, shumica e njerëzve treguan se ende u besojnë gazetave apo lajmeve televizive. Por nga ana tjetër një anketë e organizuar nga Qëndra Kërkimore “Pju” tregoi se përqindja e lexuesve ka rënë. Oshilacionet e tregut të shtypit ndoshta kanë të bëjnë me arsyen e të dyshuarit në vërtetësinë e asaj që thuhet në gazete apo televizion, sidomos kur tema e trajtuar prek interesat kombëtare të vendit. Ç’ndodh në një rast si ky? Shpesh sakrifikohet e vërteta. Siç tha dikur edhe Artur Ponsonbi, një burrë shteti anglez i shekullit të 20-të: “Kur shpallet luftë, viktima e parë është e vërteta. Edhe kur nuk shpallet ndonjë luftë, mirë është t’i shohësh lajmet me një sy deri diku dyshues duke ju përmbajtur një proverbi në raportet gazetar –lexues ku thuhet se “ Kush është pa përvojë, i beson çdo fjale, por kush është mendjehollë, i shqyrton hapat e tij”.

Reklama negative shumë herë e oprimon dëshirën e tyre për të nxjerrë në shesh të vërtetën për shkak të reklamës negative që kanë deri diku mediat shqiptare. Fakti që pjesa më e madhe e mediave shqiptare janë media të varura ekonomikisht nga interesa biznesi që janë të lidhur ngushtë me politikën që e ushqejnë këtë lloj biznesi, bëjnë që të shtohen gjithnjë e më tepër hendeqet që e ndajnë interesat e politikës nga interesat e njeriut të thjeshtë. Lidhja e politikës me biznesin, varësia e tij nga politika dhe interesat partiake humbin mosbesimin e njerëzve, por njëkohësisht ndikojnë negativisht dhe në korpusin kryesor të dobisë së medias që është kërkimi i së vërtetës. Kur flasim për shtresa të varfra, shtresa problematike, gjithnjë e më shumë i afrohemi themelit të së vërtetës.
Shtresa të tilla të braktisura nga fati janë ato njerëz që në mënyrë urgjente shfaqin problematikën e një vendi. Sepse politikat sociale, mbrojtja që ushtrohet ndaj tyre dhe përkujdesja, janë faktorët bazë që tregojnë cilësinë e një shoqërie dhe të menaxhimit të një shteti apo qeverie. Ajo që mund të quhet ura lidhëse ose një lloj ishulli magjik ku njerëzit e kësaj shtrese dëshirojnë të gjejnë limanin e tyre të së vërtetës është një media e lirë dhe e pavarur që të ndihmojë gjetjen e kësaj të vërtete dhe ta vërtetojë atë në bazat e krijimit të saj. Media ka gjithnjë rolin e një gjykate, një gjykate të ashpër ku duhet të sundojë e drejta njerëzore dhe barazia. Duke qenë se gazetarët janë pararojë e shtresës intelektuale dhe pa dyshim një pjesë e madhe e tyre quhen akoma ëndërrimtarë, pa dyshim që është detyra e tyre të krijojnë këtë urë lidhëse.
Parimet e gazetarisë
Që të gjithë ata që kanë preferuar mes profesioneve të tjera gazetarinë, duhet ta dinë që ky profesion ka parimet e tij, kodin kryesor të gazetarisë: – e vërteta. Suksesi i gazetarisë dhe i gazetarit që e përcjell apo punon me lajmin është të zbulojë lajmin dhe ta përcjellë atë në kohë reale, duke ruajtur kodin e etikës, duke qenë sa më korrekt me shikueshmërinë e lajmit, pa mbajtur njëanshmëri dhe pa i dhënë ngjyrimet e dallimit apo konceptit. Përcjellja e lajmit duhet ti përshtatet sa më shumë ndodhisë së vërtetë dhe mbi të gjitha sa më shumë ti shërbejë kombit. E pra ky është qëllimi i mirëfilltë i gazetarisë.
Po si është realiteti i medieve shqiptare?
Një zallamahi e vërtetë e operatorëve të lajmit. Gazetarë që kalojnë nga një televizion tek tjetri, nga një gazetë tek tjetra, nga një bindje politike tek tjetra. Analistë që gdhijnë tek një kanal televiziv dhe ngrysen tek një tjetër. Pa patur pikën e qëndrueshmërisë luhatjet e tyre për mendimet dhe problemet e politikës të krijojnë ndjenjën e përvjeljes. Figura të njohura të analizës politike, që prej kohësh godisnin padrejtësinë dhe ishin bërë shembujt e mendimit potencial bëhen papritur e pa kujtuar benjaminë të politikbërësve dhe politikave në fuqi. Menjëherë sa vijnë në pushtet ndërrohet pllaka, dhe dikur “armiqtë e shigjetuar” kthehen në idhuj, veprimet e tyre vishen me hiperfuqi dhe skandalet e politikës lehtësohen, thjesht për faktin se media ka interesa të caktuara politike të varura nga ndikimet e pushtetit.
Mënyra se si e dredh politika median shqiptare tashmë nuk është më një quiz i vështirë. Të gjithë e kuptojnë moralin e opinioneve, tryezave dhe takimeve të politikanëve dhe të analistëve shqiptarë. Në tryezat e opinioneve në televizionet kombëtare ose gjoja të pavarura, shihet se numri i analistëve është krejtësisht i kufizuar, si të thuash drejtuesi kavardiset me miqtë e tij të idealit, pra me të gjithë ata që e kanë dredhur bishtin “and company” sa herë ka ardhur në fuqi njëra apo tjetra parti. Janë kjo kastë “dredhaxhinjsh” që emigrojnë nga një potencë mediatike në tjetrën duke u shpërblyer me shuma marramendëse, duke u paguar sa 20 shqiptarë të zakonshëm për të propaganduar dhe servirur sillën e pushtetit në fuqi. Ato përbëjnë pjesën më të dukshme të operatorëve të mendimit shqiptar, sepse të gjithë e dinë tashmë që media është një mjet për ti bërë presion politikës, por që në fakt nga shqiptarët kuptohet si konformitet interesash të pista. Të gjithë njerëzit jashtë historisë mediatike, që besojnë tek televizioni, tek vlerat dhe fuqia e magjisë së shtatë, pa dyshim nuk i njohin në disa raste trillet dhe gjirizet gazetareske (që nuk duhet të ndodhin).

Qëllimi i medieve
Media është një shembull për të tjerët, qëllimi i saj është propagandimi i kulturës, i etikës, i gjuhës së bukur, i mendimit të lirë dhe të edukuar, i mendimit të papërlyer me interesin. Gazetaria, si çdo fushe tjetër ka përkryerjen e saj tek e vërteta e përjetshme. Ndërkohë që realiteti është kryekëput ndryshe. Disa analistët kanë formuar ciklet e tyre të mbyllura, ku nuk ka mendim të freskët, analizat kanë nisur të myken brenda standardeve të njohura pa njohur reformime. Analistët që njohin njëri tjetrin shfaqen në të gjitha fushat, në të gjitha televizionet duke dhënë mendime për të gjitha problemet, që nga lakrat, tek decentralizimi, që nga përrallat me mbret tek alergjia e stinës së pranverës, duke e shfaqur veten të kudondodhur dhe të shumëditur, sikur të jenë specialistë për gjithçka.

Por a ndodh gjithnjë kështu? Jo! Shumë gazetarë nuk luajnë me profesionin, shenjtërinë e tij. Disa herë në përballjet televizive mes politikanëve, analistëve dhe njerëzve të thjeshtë që diskutojnë për problemet e tyre, janë njerëzit e thjeshtë ato që dalin liderët e vërtetë të analizës, politikës dhe gjendjes aktuale, duke i befasuar dhe vetë gazetarët që drejtojnë emisionin. Edhe pse janë viktimat e politikave dhe analizave të tradhtuara, që në fakt duhet të shërbejnë për ta vënë para përgjegjësisë dhe ndërgjegjësimit politikën, janë ato njerëzit më të mençur që meritojnë respekt për gjykimin dhe analizën më profesionale të realitetit. Këto dhe shumë të tjera ishte arsyeja pse mora penën për të bërë këtë libër. Sepse shumë figura të fonissë, apo ekranit shqiptar që kanë bërë epokë po harrohen kur ata i kanë dhënë aq shumë shikuesit si dhe një pjesë e gjeneratës së re, shihet si e shkëputur mes brezave të mëparshëm.
Idhujt e fonisë apo ekranit duhet të mbeten të tillë, me të mirat dhe të këqijat e tyre, ata kanë qenë shëmbëlltyra e vetë jetës shqiptare. Zëri i tyre na detyronte dhe na detyron të ngjitemi pas aparateve të radios, apo ekranit të vogël dhe të dëgjojmë ç’po ngjet në atdheun tonë. Këta njerëz që janë në këtë libër meritojnë shumë dhe pse në këtë Shqipëri tashmë mbushur me ngjarje ku dominon politika ata vlerësohen pak. Pak, sepse ata janë pjesë e çdo familjeje shqiptare, pjesë e gëzimeve dhe hidhërimeve tona, pjesë e përditshme e jetës sonë. Ata pa dashur e kanë ngritur piedestalin e tyre të të qënit publik, të respektuar dhe pse koha në të cilën jetojmë i bën disi të ndihen në kufijtë e heshtjes, të mos marrin vlerësimin e duhur. Por mbi të gjitha disa prej folësve, transmetuesve të ndeshjeve, apo themeluesve të radio televizionit shqiptar, mbeten (sipas mendimit të shumë specialistëve), përdoruesit, hulumtuesit më të shkëlqyer të gjuhës shqipe. Ata na kanë paraqitur idealen e një figurë morale të besueshme me pjekurinë, bukurinë e zërit, elokuencën, veshjen, qetësinë, seriozitetin, humanizmin, dinamizmin, prezencën, profesionalizmin, që sot rrallë mund ti gjesh në shumë folës apo drejtues emisionesh.
Të gjitha fjalët që shkrova më sipër për monopolin e medias, një ditë do të harrohen. Shumë shpejt, ashtu si do harrohen këto krijesa të mjera që frymojnë sipas një logjike shterpe. Ajo që do mbetet është gazetaria e vërtetë, ajo që ka mbetur deri tani, gjurmët e së cilës unë do ti përshkruaj një e nga një në këtë libër modest. Besojini këtyre njerëzve, sepse ata nuk janë krijuar nga politika, por nga profesioni.
Dhe jam i bindur që po kështu do t’i kërkoni edhe pas 10, 20, 30 vjetësh, apo më shumë, kur disa nga gazetarët të jenë edhe më pak profesionalë, edhe më pak njerëz. Që të mos humbë sharmi i këtij profesioni çdokush ka kohë të mësojë. Falënderoj gazetën “Telegraf” që nëpërmjet rubrikave të posaçme, më la hapësirat e veçanta, që të gjithë këta gazetarë që ishin ndër nismëtarët e krijimit të RTSH, të shpreheshin lirshëm dhe me sinqeritet.
Por lexuesi le ti gjejë mendimet e mia për ta, vetë jetën e tyre, apo historinë e krjimit të RTSH-së, në vetë fjalët dhe përgjigjet e tyre…

Filed Under: Analiza Tagged With: Albert Zholi, gazetaret, mediet dhe koha, në të cilën, po jetojmë

Një aksion ndërkombëtar të përbashkët kundër imigracionit klandestin

October 10, 2014 by dgreca

EVROPE/ Emigrantët e parregullt do të ndalohen e skedohen në mbarë Evropën. Nis operacioni Mos Maiorum/
*Operacioni i vetmi në 60 vjet, i cili nga data 13 deri më 26 tetor do të angazhojë mijëra e mijëra policë
*Nga 13 deri më 26 tetor policitë e të gjitha shteteve anëtare të BE-së, të koordinuara nga ministria e Brendshme italiane, do të ndërmarrin një aksion kundër imigracionit klandestin. Cospe: “Çnjerëzor dhe i kotë”.
– Policitë e mbarë Evropës po përgatisin një aksion ndërkombëtar të përbashkët kundër imigracionit klandestin. Objektivi i tyre është të ndalojnë e të skedojnë në dy jave sa më shumë migrantë të parregullt për të zbuluar se si kanë ardhur e si zhvendosen në brendësi të zonës Schengen, e që më pas të mund të godasin rrjetin e trafikantëve të njerëzve.
Operacioni në fjalë, i cili nga data 13 deri më 26 tetor do të angazhojë mijëra e mijëra policë, është nismë e qeverisë italiane dhe do të koordinohet nga drejtoria e Imigracionit dhe e policisë së kufirit e ministrisë së Brendshme. Është kurioz fakti që e kanë quajtur “Mos Maiorum”, termi që përdornin romakët për “traditat (e mira) të të parëve”.
Në një dokument të rezervuar të dorëzuar në Bruksel më 10 korrik 2014 nga presidenca italiane delegacioneve të shteteve të tjera evropiane janë renditur të gjitha informacionet që agjentët duhet të mblesdhin nga migrantët e ndaluar.
Në veçanti, kërkohet të zbulohet si vijnë: “rruga që bëjnë, mjetet e transportit që përdorin deri kur mbërrijnë në një vend të BE-së”, por edhe “udhëtimi i programuar e vendmbërritja finale”. Migrantët do të pyeten gjithashtu edhe nëse kanë përdorur “dokumente udhëtimi të falsifikuara, kanë paraqitur kërkesa azili, të dhëna mbi trafikantët e njerëzve, kombësia dhe vendi i rezidencës, sa para kanë paguar për udhëtimin”.
Kontrollet do të bëhen në kufij por edhe në të gjithë territorin evropian, sepse kërkohet të mësohet prej tyre edhe rrugëtimi që bëjnë në brendësi të Schengen-it. Për të gjithë ata që janë pa leje qëndrimi parashikohen dy javë vërtet shumë të rrezikshme. Kush do të ndalohet në kuadrin e aksionit Mos Maiorum, nëse nuk është kërkues azili do të dëbohet ose do të futet në një Cie.
Është i kuptueshëm shqetësimi i shumë shoqatave. “Coordinamento migranti” i Bolonjës, për shembull, ka shpërndarë një fletëpalosje për të informuar të gjithë mbi këtë aksion. Në faqet e tij internet kujton : “Nëse të ndalojnë ke të drejtë të kërkosh azil apo mbrojtje humanitare në çdo moment. Nëse ke paraqitur kërkesë për azil ke të drejtë të paraqesësh një kërkesë të re nëse rrethanat fillestare kanë ndryshuar…”.
Cospe, Cooperazione per lo Sviluppo dei Paesi Emergenti, e konsideron këtë aksion një “fushatë çnjerëzore dhe të kotë”. Ajo pohon se operacioni është “vazhdimësi e përkryer e qasjes policore e shtypëse të politikave evropiane përgjegjëse për vdekjen e mijëra personave në Mesdhe” dhe i kërkon ministrit të Brendshëm Alfano “garanci për respektimin e plotë të të drejtave të njeriut dhe të Konventës së Gjenevës për refugjatët”.
Sh. Ital

Filed Under: Kronike Tagged With: Albert Zholi, ndërkombëtar të përbashkët kundër. imigracionit klandestin, Një aksion

Frederik Ndoci:Para Papës këndova shtatë këngë…

September 24, 2014 by dgreca

PERSONAZH/ Flet këngëtari i mirënjohur Frederik Ndoci/
-Para Papës këndova shtatë këngë, e para “Një ditë shprese”/
-Për këtë ditë bëmë 2 muaj prova, të gjithë në mënyrë vullnetare/
-Kori i liturgjisë kishte 200 këngëtarë, i pesë Diogjezave të Katolikëve Shqiptarë/
– Ne qëndruam pranë altarit prej orës 7 e 30 deri në orën 14-00, pra rreth 7 orë/
-Në mes kishtarëve papa u shpreh, është pritja surprizë e jetës sime/
-Mora rreth 1200 mesazhe nga shumë vende të botës/
– të gjithë më shkruanin sot pamë Shqipërinë e vërtetë, 2 miliardë njerëz ju ndoqën live/
Nga Albert Z. ZHOLI/
Këngët e kënduara në meshën e Papës
-Mesha (koncerti) u hap me këngën “Një ditë shprese”, kënduar në Festivalin e 52 të RTSH. Muzika Frederik Ndoci, teksti Agim Doçi.
-Kënga e dytë ishte “Ave Maria” e Shubert, të cilën e këndova së bashku me bashkëshorten time Alisa Baraku. Këtë këngë e kënduam kur Papa doli nga Presidenca.
– Kënga e tertë ishte kënga “Martirët e fesë”, këngë të cilën e këndova kur Papa rrotullohej rreth sheshit “Nënë Tereza”. Edhe kjo këngë është nën kompozimin tim dhe me tekst të Agim Doçit.
-Pastaj ishin katër këngë të ndryshme liturgjike të cilat u kënduan me korin dhe me sopranon e talentuar Marjana Leka. Disa këngë u përsëritën. Kori me 200 vetë ishte nën drejtimin e z. Lukë Mllugja dhe Gjon Shllaku.
***
Frederik Ndoci ishte këngëtari, i cili këndoi plot shtatë këngë para Papës së Vatikanit. Tre prej këtyre këngëve ishin solo apo duet dhe të tjerat këngë kori. Në këtë ditë feste të madhe, ku Papa bëri vizitën e tij të parë zyrtare në Europë, kori i këngëve liturgjike kishte plot 200 këngëtarë, ku Frederiku ishte ai që hapi meshën me këngën “Një ditë shprese”. Kori ishte vendosur në të djathtë të altarit të papës dhe u vendos aty qysh në orën 07:30 minuta të mëngjesit duke qëndruar deri në orën 14:00. Mesazhet e miqve të mijë nga të katër anët e botësh-shprehet Frederiku- i kaluan 1200, ku ata shprehnin konsideratat e mëdha për popullin tonë, për besimtarët tanë. Në këtë vizitë populli ynë tregoi kulturë, emancipim, harmoni e pashoqe fetare mes katër besimeve.
Këngët liturgjike që këndove me korin kishtar në vizitën e Papës, nga kush u organizua?
Unë në meshën që do të drejtonte Papa i Romës në vizitën e 21 shtatorit në Tiranë isha i ftuar, nga Kisha Katolike e Shkodrës për të kënduar 7 këngë. Pra isha ftuar nga Famullitari i Diogjezës sonë i Katedrales së Shkodrës. Famullitari quhet Don Gjovalin Sotaj.
Me kë këngë fillove liturgjinë me korin kishtar?
Unë e fillova me këngën “Një ditë shprese”. Këtë këngë e pata kompozuar 5muaj më parë me tekst të Agim Doçit. Kjo këngë për martirët e fesë është kënduar në Festivalin e 52 të Këngës në RTSH. Kur kishte disa kohë që kishte dalë kënga u hap lajmi se në Shqipëri do të vijë Papa. Që këtu mendova ta këndoj këtë këngë për vetë arsyen se i kushtohej martirëve. Këtë këngë Don Gjovalini e kishte dëgjuar dhe ishte ai që më kërkoi që unë të isha pjesë e korit të bashkuar, duke kënduar edhe këngë solo.
I kujt ishte ky kor i bashkuar?
Ky kor i bashkuar ishte i pesë Diogjezave të Katolikëve shqiptarë, i Shkodrës, i Malësisë së Madhe, i Lezhës, Rrëshenit dhe Tiranës.
Sa vetë kishte kori i liturgjisë?
Kori kishte rreth 200 veta, një kor i kompletuar dhe me zëra të përzgjedhur.
Ju ishit vendosur djathtas altarit?
Po, aty ishte përcaktuar me protokoll vendqëndrimi ynë, të ishte edhe afër altarit, por edhe në largësinë e duhur për të shmangur zhurmat e tepërta.
Për realizimin e kësaj meshe me këngët tuaja a zhvilluat prova?
Sigurisht. Ne bëmë prova të vazhdueshme për dy muaj. Provat zgjasnin deri në tre orë. Provat i kemi bërë edhe në Shkodër, por edhe në Katedralen këtu në Tiranë. Provat i bënim njëherë në dy ditë.
Gjithë kjo punë është bërë në mënyrë vullnetare?
Sigurisht, ishte një punë vullnetare, punë shpirtërore, punë e bërë me shumë dëshirë në emër të dashurisë së pakufishme për Krishtin. Madje dhe shumë pjesëtarë të korit vinin në Tiranë me autobusë.
Kush e drejtonte korin me këngët liturgjike në këtë ditë të shenjtë?
Këtë e drejtonte z. Lukë Mllugja dhe Gjon Shllaku. Z. Lukë është me origjinë nga Mirdita, por banon në Shkodër. Ka mbaruar studimet në Konservatorin e Veronas për kanto dhe është dhe një pianist shumë i mirë. Ai drejton korin e Katedrales së Shkodrës dhe është një profesionist i aftë. Z. Lulë drejtoi gjithë korin e përbashkët me 200 vetë.
Të gjitha këngët liturgjike ishin shqiptare?
Po, të gjitha dhe me këtë sens ishin punuar. Pra liturgjia bëhet në gjuhën shqipe. Kjo as nuk diskutohet.
Një këngë që kemi ne “Ti je në krahët e shqiponjës”, ajo këndohet në çdo liturgji në Shkodër. Në çdo meshë, çdo të diel këndohet në Katedrale. Apo kur ka ndonjë festë. Kjo simbolizon shpirtin e shenjtë, pasi ne jemi vendi i shqiponjave. Madje, nga Vatikani është kërkuar a keni ndonjë këngë liturgjie për shqiponjat dhe ne e kishim gati.
Kush është kënga e veçantë e krishterimit?
Ave Maria. Kjo këngë në simbol të Ave Maria që është nëna e Krishtit. Pra kjo këngë është kënga e gjithë krishtërimit. Një këngë e bukur si himn e Shubertit. Këtë këngë unë e këndova me bashkëshorten time me Alisa Baraku. Kjo këngë u këndua nga ne sapo Papa Françesku doli nga Presidenca dhe u drejtua për në altar. Kënga e dytë ishte për martirët e fesë.
Po kënga “Një ditë shprese” si u cilësua?
Një këngë e bukur që nuk ju dha vendi i duhur gjatë Festivalit të 52 në RTSH, pasi donin që në Festivalin Europian të shkonte një këngë që plotësonte dëshirat e “x” apo “y”-nit.
Cila këngë ishte e huazuar?
Ishte kënga “O zot i madh” një këngë amerikane, e bukur plot drithërimë. Sa orë ndenjët si kor pranë altarit që Papa do të bënte meshën për shqiptarët?
Ne qëndruam qysh prej orës 7 e 30 deri në orën 14-00. Pra rreth 7 orë, ku në këto 7 orë ne kënduam rreth 3 orë. Një prej këngëtareve që ishte pjesë e stafit të ngushtë ishte dhe sopranoja Marjana Leka. Ajo ishte pjesë e këngëve liturgjike.
Gjithë këngët liturgjike u mbuluan nga kori juaj, nuk kishte pjesë të korit të Vatikanit?
Absolutisht jo. Të gjitha këngët liturgjike u mbuluan nga ne për orë të tëra.
Si është sistemi i meshës?
Është fol dhe përgjigju. Pra, Papa fliste dhe kori përgjigjej, apo pjesëtarët, pjesëmarrësit e meshës. Pra edhe flet edhe këndon. Në dy mënyra komunikimi, me të folur të thjeshtë dhe të kënduar. Kemi pasur disa fenomene shumë interesante gjatë meshës një prej tyre është kur prifti thotë, shkëmbeni një shenjë paqeje me këdo që keni rreth e rrotull, pra edhe para edhe mbrapa edhe majtas apo djathtas. Në këto raste je i detyruar ti japësh dorën kujtdo qoftë dhe kundërshtar. Në këso rastesh nuk mund ta shmangësh mosdhënien e dorës. Një fenomen tjetër, ishte që hoxha atë ditë në shenjë respekti nuk këndoi gjatë gjithë ditës në xhaminë e Tiranës. Kjo ishte një ditë solidariteti. Këtë e theksoi edhe Papa, këtë solidaritet, këtë harmoni mes besimeve të ndryshme fetare.
E keni vizituar ndonjëherë Vatikanin?
E kam vizituar në vitin 1993, pasi kam qenë i thirrur nga Papa Vojtila, me grupin që riparuam dhe hapëm kishën e parë në Shkodër në vitin 1990. Hapëm kishën e varrezave katolike.
A more mesazhe për këtë ditë, me këngët e tua tepër sinjifikative?
Nuk mund ta besosh, por di të them se në celular, në FB, në e-mail më kanë ardhur mbi 1200 mesazhe. Këto më erdhën dhe nga miqtë e mi këngëtarë në Itali dhe Amerikë. Në mesazhet e tyre thuhej se gjithë bota sytë i ka tek Shqipëria. Rreth 2 miliardë njerëz ndjekin live vizitën e papës. Nuk e dinim se kush ishte Shqipëria në të vërtetë sot e mësuam ishin mesazhet e tyre.

Nga bisedat që ke bërë me stafin e afërt të papës në këtë vizitë, çfarë ka shprehur Papa për këtë vizitë?
Papa ka ngelur i mahnitur, i befasuar, i mrekulluar. Ai ishte shprehur se Shqipëria është një vend me popull shumë të ri, me harmoni të pabesuar fetare. Martesat mes besimeve të ndryshme fetare është një ndër shenjat e dallueshme nga çdo komb tjetër në Europë. Ardhja e tij ishte një mesazh i madh për Shqipërinë dhe politikën europiane. Kjo vizitë do të thotë që vendi i Shqipërisë është patjetër në Europë pasi në këto 60 vjet për Lindjen ne kemi qenë perëndim, ndërsa për perëndimin kemi qenë lindje.
Cilat janë avantazhet e kësaj vizite sipas jush?
Kjo vizitë tregon se ky shekull është shekulli i kombit shqiptar. Kjo ka filluar me lumturimin e Nënë Terezës, me formimin e shtetit të Kosovës, me liberalizmin e vizave, me hyrjen në NATO dhe me marrjen e statusit të vendit kandidat. Edhe vete qau atë ditë, pra ra shi i imët në formë lotësh. Është tepër domethënëse që Papa vizitën e parë në Europë e bëri në Shqipëri.

Filed Under: Interviste Tagged With: Albert Zholi, Frederik Ndoci:Para Papës, këndova, shtatë këngë...

Seit Boshnjaku, aktori që u burgos në Shkodër, u torturua në Prishtinë dhe vezulloi në Teatrin Kombëtar

September 15, 2014 by dgreca

Flasin për jetën e Seit Boshnjakut. Margarita Xhepa, Lazer Filipi dhe Birçe Hasko/
Seit Boshnjaku, aktori që u burgos në Shkodër, u torturua në Prishtinë dhe vezulloi në Teatrin Kombëtar
– Në Shkodër ata formojnë shoqërinë teatrale “Atmja e lirë” me afro 20 vetë
-Nazistët e burgosin në burgun e Shkodrës ku e torturojnë egërsisht
– Në kampin e Prishtinës, arratiset kur nazistët pushkatojnë 104 patriotë shqiptarë
-Ai ka luajtur role episodik dhe role karakteri me nivel të lartë artistik
– Në fjalën artistike, në shumë radiodramatizime për të rinj, të rritur e pionierë, Seiti ka dhënë ndihmesën e tij
– Ai i bënte personazhet jetësorë, të besueshëm, konkretë, me tërë karakteristikat e tyre
Shkruan: Albert Z. ZHOLI/
Jetëshkrimi
Seit Boshnjaku u lind më 1 gusht të vitit 1914 në Shkodër dhe vdiq në vitin 1985, ishte aktor i njohur shqiptar. Në vitet 30 ka një aktivitet të dendur teatror në Shkodër dhe në Tiranë me shoqëritë kulturore “Vllaznia”, “Shkëndia” etj.. Fillimisht futet në Teatrin e Ushtrisë dhe më pas në 1949, në Teatrin Popullor. Roli i parë qendror, pas dy roleve të vegjël në komedinë “Prefekti” (polici) dhe “Komploti i të dënuarve” (Kolonel Mill) që interpreton Seiti është roli i Pashait në dramën “Halili dhe Hajria”, rol që pati shumë sukses, edhe pse e pati interpretuar më parë Andon Pano.
I ati
I ati i Seitit ishte një burrë i urtë, i gjendur. Punonte si karrocier ditë e natë për të siguruar bukën e gojës. Por ai kishte dëshirë që djali i tij të mësonte, të bëhej me shkollë. Me shumë vështirësi Seiti mundi të mbarojë gjashtë klasë shkollë, por detyrohet ta ndërpresë pasi babai i tij ndërron jetë. Në këtë mënyrë Seiti futet si çirak në një këpucari në pazarin e vjetër. Por Seiti kishte shumë dëshirë për të mësuar, madje i kishte hyrë në gjak aktrimi. Krahas punë së përditshme, ai së bashku me shokë të tjerë moshatarë si Tefik Cango, Hajrullah Kastrati, Isa Kadria, Tofik Duka, Hasan Reçi, Muhamet grimçi, etj., angazhohet në një trupë teatrale. Ata formuan dhe shoqërinë teatrale “Atmja e lirë” me afro 20 vetë, e cila mbahej nga vetë kontributi i tyre, me të cilat paguanin sallën me qira. Duhet theksuar se, aktiviteti i tyre artistik filloi duke interpretuar skeçe, humore dhe pjesë të vogla teatrale. Në fillesat e aktivitetit të tyre mund të përmenden dramat “Filja” e Hilë Mosit, ku rolin kryesor të kësaj drame e luajti Teofik Duka. Në këtë dramë Seiti luan një rol jo të vogël atë të Cubit, i cili pati sukses. Ky rol, mbahet dhe si roli i parë i Seitit me amatorët. Pas kësaj drame filluan vënien në skenë dhe të disa dramave të tjera si “Testamenti misterioz”, ku Seiti luan rolin e Sherlit. Kjo pjesë ishte përkthyer nga Muhesin Serezi. Një ndër pjesët më ët bukura të asaj kohe të vënë ën skenë ishte “Lufta Silistres”, ku Seiti tashmë me përvojë luajti një ndër rolet më të mirë atë të Kamjmekanit.

Bashkimi
Duhet thënë se në këtë periudhë trupa amatore teatrore kishin lindur në disa qytete të Shqipërisë. Ky ishte një ogur i mirë për dramaturgët dhe aktorët e rinj shqiptarë. Në vitin 1935 në Shkodër kishte disa trupa teatrore si “Atmja e lirë”, “Agimi”, “Taraboshi”, “Malet tona”, etj…Në sajë të gjuhës së përbashkët, për një cilësi më të mira interpretimi të gjitha shoqëritë teatrale u shkrinë në një duke formuar shoqërinë e përbashkët me emrin e bukur “Vllaznia”.

Ecuria e shoqërisë “Vllaznia” dhe Seitit
Fill pas këtij bashkimi, ku Seiti kishte rolin e vet, cilësia artistike e shoqërisë u rrit shumë. Kjo u duk nga vetë pjesët e vështira të bëna në skenë, ku dominonte ndihma dhe konkretizimi i Sokrat Mios. Në këtë kohë u vunë në skenë “Konti i Shen Germenit”, drama, “Lufta e Ali Pashës”, i pari nën drejtimin e Sokrat Mios dhe i dyti me regji të Andrea Skanjetit. Në këto dy pjesë Seiti ishte i padiskutueshëm pjesëmarrës, ku dhe pse me dy role të vegjël, doli në pah siguria, profesionalizmi dhe vëmendja skenike e Seitit. Ajo që duhet evidentuar është se, Shoqëria “Vllaznia” me formimin e grupit teatral të shëndoshë, me pjesët që vuri në skenë filloi të marrë një popullaritet të madh dhe emri i saj i mirë doli edhe jashtë Shkodrës. Aktorët e saj tashmë i kishin kaluar pengesat e para dhe nivelin e të quajturit amator.

Drejt Tiranës

Rolet e luajtura me Shoqërinë “Vllaznia” e bënë Seitin një aktor ndër më të dëgjuarit amator. Por ai punonte dhe vetë individualisht për të bërë përparime në rrugën e aktrimit. Ai tashmë dëshiron të largohet nga Shkodra me synimin drejt Tiranës, i cili ishte qytet më i madh dhe mundësitë e punësimit ishin më të mëdha. Ishte viti 1936 kur ai me peng në zemër vjen drejt Tiranës duke lënë mbrapa Shkodrën për të cilën mallin se hoqi kurrë. Me të ardhur në Tiranë ai angazhohet pranë shoqërisë “Shkëndija”, ku ndihmoi në vënien në skenë me sukses të plotë të pjesës teatrale “të burgosurit”. Kjo pjesë bëri bujë të madhe në Tiranë në të gjitha rrethet intelektuale dhe aktoriale. Për këtë arsye kjo pjesë ndalohet për t’u vënë më në skenë nga regjimi i Zogut.

Varfëria
Por edhe pse dëshira për aktrim ishte e madhe, nevojat ekonomike ishin të mëdha. Ishin vitet kur varfëria kudo në Shqipëri ishte e madhe. Për këto arsye, Seiti lë pak pas dore aktrimin dhe fillon punë në bandën muzikore të ushtrisë. Pra ai bëhet instrumentist për të përballuar nevojat ekonomike të kohës.

Pushtimi i vendit

Me fillimin e punës në bandën e Ushtrisë, Seiti pati fatin të njohë shumë shokë, intelektualë dhe patriotë nga të gjitha trevat e vendit. Seiti ishte shumë i lidhur me shokët. Në këtë punë e gjeti dhe pushtimi i Italisë. Në kohën e pushtimit me pjesën më të madhe të Bandës ai shkon në Itali. Prej këndej ai si patriot që ishte së bashku me pjesëtarët e tjerë të bandës bëjnë një propagandë kundër pushtimit të Shqipërisë. Kudo ata flisnin për një gjëmë që e kishte gjetur Shqipërinë. Aktiviteti i tyre ra në sy. Po përgatiteshin të ktheheshin në Shqipëri, rast të cilin mezi e prisnin. Dhe rasti fatlum vjen, në mesin e vitit 1943, të gjithë pjesëtarët e bandës kthehen me anije në atdhe. Seiti u gëzua pa masë, pasi e dinte shumë mirë që dhe familja e tij ishte lidhur me rezistencën antifashiste. Agjenturat e dinin aktivitetin e tij dhe të familjes së tij. Kundër nazifashizmit, por ai nuk u tërhoq kurrë nga ideali i tij.

Arrestimi dhe Kampi i Prishtinës

Në këtë kohë, kur nazistët gjermanë bënin shumë kujdes në identifikimin e personave që propagandonin dhe luftonin pushtuesit, Seiti pa marrë parasysh asgjë e shtoi veprimtarinë e tij patriotike. Ai fliste kudo kundër pushtimit, merrte pjesë në aksione të ndryshme, shpërndante trakte. Në Shkodër ai ishte ndër të parët në çdo aksion dhe veprim antifashist. Ai e dinte se një ditë do të arrestohej, por luftonte si gjithmonë. Në fundin e vitit 1943, Seiti arrestohet befasisht. Dikush e kishte spiunuar. Ai fillimisht burgoset në Shkodër. Në burg ai njohu tortura nga më të ndryshmet. Tortura çnjerëzore. Për vetë karakterin e tij, për vetë burrërinë duke mos treguar asgjë ai internohet në kampin e Prishtinës. Në këtë kamp dërgoheshin më të rrezikshmit dhe ku thuhej se prej andej si zor të dilje gjallë. Së bashku me të në këtë burg ishte dhe Llazar Siliqi, Sejfulla Boriçi, Xheladin Fishta, e shumë e shumë intelektualë dhe patriotë të tjerë shqiptarë me emër. Ashtu si në Shkodër dhe në Prishtinë nuk ju ndanë torturat. Tortura natë dhe ditë, po ashtu dhe pushkatime. Ishte data 23 tetor 1944. Gjermanët në këtë ditë të zezë pushkatuan plot 104 patriotë shqiptarë. Ishte dita e pushkatimi të shqiptarëve. Kur trupat gjermane merreshin me pushkatimet, Seiti, së bashku me 4 shokë të tjerë arratiset nga kampi në mes të ditës. Nazistët i kuptuan dhe filluan të hapin zjarr. Breshëritë e mitralozave dhe plumbat e pushkëve nuk kishin të sosur. Por ata tashmë ishin larg shënjestrës dhe efektit të plumbave. As vetë nuk e dinin si kishin shpëtuar. Vrapin e lënë drejt perëndimit të Prishtinës. Pasi qetësohen fillojnë lëvizjen në malësinë e Drenicës, ku u bashkuan me forcat e Brigadës së VII të Kosmetit, e cila vepronte në Kosovë. Me këtë Brigadë ai luftoi përkrah vëllezërve kosovarë deri në çlirimin e Shqipërisë dhe për më tej deri në largimin e nazistëve nga Kosova, në janar të vitit 1945. Në këtë kohë ai merrej dhe me profesionin e tij shpirtëror, duke vënë në skenat e improvizuara partizane shfaqje dhe pjesë të vogla teatrale kur luftimet kishin mbaruar.

Kthimi në atdhe dhe Ansambli i Ushtrisë

Në fund të janarit 1945 ai kthehet në atdhe. Shqipëria gëzonte fitoren e madhe ndaj pushtuesve. Në fillim Seiti inkuadrohet në radhët e Brigadës së XVIII Sulmuese në Kukës dhe mbas dy javësh transferohet në Shkodër, në vendlindjen e tij. Këtu ai qëndroi deri në prill të vitit 1945. Tashmë puna e tij njihej edhe si atdhetar edhe si artist. Me kërkesën e Shtabit të Përgjithshëm, ai transferohet pranë Agitpropit, të Divizionit të IV, si organizator i trupave teatrore, ku formoi dhe grupin e ri teatral. Në këtë grup ai kishte dy funksione edhe atë të regjisorit edhe atë të aktorit. Në kohën kur ai kishte realizuar shumë pjesë teatrale në këtë formacion luftarak, krijohet Ansambli Artistik i Ushtrisë, ku drejtor i saj u caktua Gaqo Avrazi. Ky ansambël kishte shumë funksione dhe Seiti së bashku me disa shokë të tjerë transferohen në këtë në këtë Ansambël në grupin e ri teatral.
Shfaqja e parë
Tashmë kushtet ishin ndryshe. Kishte salla, kishte rregull, ambiente, kishte ushqim dhe dhoma. Po krijohej një teatër profesional. Shfaqja e parë e këtij grupi ishte një tablo me pjesë nga shkrimtari Fatmir Gjata. Pra ishin tri pjesë të shkurtra me tematikë nga lufta partizane “Mulliri”, “Vuajtjet partizane”, “Burgu”. Këto pjesë u vunë në skenë me regji të Pandi Stillos. Në këtë pjesë del në pah dhe puna e Seitit. Ai luan rolin kryesor të pjesës atë të Sotirit. Në këtë pjesë ai shkëlqeu. Në këtë kohë pranë këtij Ansambli kishte ardhur dhe aktorja Violeta Mnaushi, e cila më vonë do të bëhej dive e skenës shqiptare. Ajo në këtë pjesë luan rolin e nënës. Duhet theksuar se këto shfaqje u dhanë në skenën e Teatrit Popullor, që atehere ishte vlerësim i madh. Shfaqja doli me shumë sukses. Për Seitin tashmë ishte hapur një rrugë e re, më e bukur, më e gjerë. Më këtë trupë ai luajti mbi 7 role ku u rrit së tepërmi mjeshtëria e interpretimit dhe plastika e roleve.

Në Teatrin Popullor
Sukseset e Seitit ishin të dukshme. Rolet e tij shin të vështirë, por ai me mjeshtëri diti ti realizojë me profesionalizëm të lartë, duke marrë vlerësime të mëdha. Kishte kohë që Teatri Popullor funksiononte më vete, si trupa më profesioniste. Në vitin 1950, Seiti për mjeshtërinë e aktrimit, e ftojnë si pjesë ët stafit të Teatrit Popullor. Ky ishte suksesi më i madh i tij. Ishin të rrallë aktorët që punonin në këtë skenë që kishte në gjirin e saj korifenjtë e aktrimit dhe të regjisurës shqiptare. Me fillim punë në këtë teatër ai lozi dy role të vegjël, roli i policit tek komedia “Prefekti”, dhe rolin e Millit tek “Komploti i të dënuarve”. . Por fill pas këtyre dy roleve, që ai i luajti me atë mjeshtëri artistike sikur të ishin role të mëdhenj, atij i besojnë rolin e Pashait tek drama “Halili dhe Hajrija”. Në këtë rol ai spikati ndjeshëm si aktor dhe pse më parë këtë rol delikat e kishte luajtur aktori i mirënjohur Andon Pano.
Rolet
Këtu, pas këtij roli, fillon dhe veprimtaria më aktive e Seit Boshnjakut, në Teatrin Popullor. Nga viti 1950 dhe deri në vitin 1970 (pasi ai luan dhe pse doli në pension në vitin 1966) në këtë teatër gjigand ai luan mëse 50 role nga më të ndryshmet. Ai tashmë është bërë më i pjekur, më korrekt, më i disiplinuar me veten dhe skenën. Duhet thënë se në përgjithësi, rolet e tij janë role karakteri, role jo kryesor, por me interpretimin e tij ai i dha po atë ngjyrë. Ai i bënte personazhet jetësorë, të besueshëm, konkretë, me tërë karakteristikat e tyre. Interpretimi i tij ishte jetësor dhe shumëplanësh, me një finesë që jo çdo aktor mund ta përcjellë.

Kontribute të tjera

Jo vetëm në Teatrin Kombëtar, por edhe në fjalën artistike, në shumë radiodramatizime për të rinj, të rritur e pionierë, Seiti ka dhënë ndihmesën e tij, artin e tij të vërtetë. Atë njëkohësisht e shikoje të ndihmonte dhe të merrte pjesë dhe në lëvizjen amatore të kryeqytetit. Duhet të theksojnë se në regjimin komunist kjo lëvizje ishte tepër aktive dhe e gjerë.

Seiti dhe Kinematografia

Realizimet e tij teatrale bënë që ai të tërhiqte vëmendjen edhe të regjisorëve të filmit. Pra dhe në Kinematografi Seiti ka realizuar plot 7 role në filma të ndryshëm. Në këto role ai ka qenë i veçantë për mënyrën e interpretimit dhe lojën elegante në rolet episodik dhe rolet e karakterit. Këtu do të veçojmë filmin “Skënderbeu” ku ai luajti rolin e princit, jeniçerit, por dhe dublimin e zërit të një personazhi tjetër. Por rolin më të bukur filmik ai e ka realizuar në filmin “Furtuna”, rolin e kolonelit, që mbahet mend nga të gjithë shikuesit për nivelin e lartë artistik të interpretimit. Ai ka marrë shumë medalje dhe urdhra, ku veçohet Medalja “Naim Frashëri”. Ai u nda nga jeta në vitin 1985 duke lënë pas një vepër të paharruar. Ai mbete ndër pionierët e teatrit profesionist shqiptar dhe si ndër modelet e rralla të interpretimit në rolet e karakterit. I thjeshtë, i dashur, korrekt, i dashuruar me artin, komunikues, kështu mbahet mend Seit Boshnjaku, ky artist i lindur dhe njeri me vlera.

Margarita Xhepa (Artiste e Popullit-Nderi i Kombit)

Ishin vitet e pasioneve të madha. Atëherë ishte koha e të mëdhenjve. Ai i qëndiste karakteret e tij. Ai ishte një prind i shkëlqyer kishte marrëdhënie të shkëlqyera me aktorët. Për ‘të mund të flas shumë, pasi tek ata gjeta njerëz të thjeshtë erdhën nga të gjithë rrethet e Shqipërisë për të bërë Teatrin Kombëtar. Erdhën nga Shkodra, Vlora, Gjirokastra, Korça me dëshirën për të bërë një teatër me emër dhe e bënë në sajë të punës së tyre, të sakrificave të tyre të studimit dhe të dëshirës së madhe për punën. Këta aktorë e rritën shumë nivelin e tetarit shqiptar, ndaj kanë emër dhe sot. Rolet pikante të tij e kanë zanafillën tek dashuria e madhe që ai kishte për teatrin, për aktrimin në të gjitha dimensionet e tij. Kur rrija me ‘të nuk ngopesha duke dëgjuar histori jetësore të pabesueshme, pasi ato histori i bënë ata të ndërgjegjshëm për misionin historik që kishin në Teatrin Kombëtar. Pa ata teatri s’do të kishte famën që gëzon sot.

Lazer Filipi (Artist i merituar).
Seit Boshnjaku ka qenë në fillim në Teatrin e Ushtrisë. Seiti ka qenë një njeri shumë i dashur, por në pamje dukej shumë serioz. Në role ka qenë i planit tragjik dhe i planit dramatik, por në jetë ishte shumë me humor. Na tregonte shumë histori me Gjok Karmën në burgun e Prishtinës. Ishte një burg i tmerrshëm na thoshte. Tregimet e tij për këtë kamp ishin shumë interesante dhe ne magjepseshim shumë me tregimet e tij, madje, hutoheshim fare. Drama e tij në këtë kamp dhe e shokëve të tij na habisnin. Gjok Karma i planit humoristik, kur na tregonte të njëjtin ngjarje ne qeshnim, pasi ai kishte tjetër ngjyrë tregimi. Këto janë dy detaje kryesore të një aktori që është i një plani dramatik dhe një i planit humoristik. Për mua, ishte një njeri shumë i dashur. Ka pas shumë mik Xhevat Çerezin, dhe kur kemi bërë një turne të madhe rreth Shqipërisë, Seiti gjithmonë merrte pjesë në shakatë e mbrëmjeve tona, dhe një prej tyre ishte se, gjoja Seiti ishte shumë sëmurë dhe duhej kthyer urgjent në Tiranë se nuk rron dot pa familjen. Dhe Xhevati miku i tij (Ku babanë e ka pasur dramaturg një ndër themeluesit e Teatrit Amator) duke bërë shaka me të, Seiti duke bërë vazhdimin e shakasë që është sëmurë për familjen, futet në liqenin e Pogradecit megjithë kostum brenda. Të tjerët që ishin jashtë shakasë e besuan se Seiti ishte sëmurur pse ishte larg shtëpisë. Ne qeshnim pasi e dinim se çfarë shakaje luhej. Seiti ishte një njeri i dashur që pranonte çdo shaka. Me Seitin kam luajtur në disa pjesë. Ai ishte aktor i roleve episodike dhe i roleve të karakterit. Ai krijonte imazhin e një personazhi shumë serioz, pasi dhe portreti i fytyrës dhe pamja e tij ashtu flisnin. Zëri i tij, gjatësia e tij trupore, kanë bërë që ai të ishte shumë i suksesshëm në rolet e tij episodike.

Birçe Hasko (Artist i Merituar)

Kam qenë student një vit e gjysmë, kur kam njohur Seit Boshnjakun. Ishte periudha kur të gjithë aktorët e Teatrit Kombëtar ishin të përkushtuar ndaj krijimtarisë. Kishin një disiplinë absolute. Edhe me role të vegjël nuk gjeje role të çara në nivelin artistik. Ai ka marrë pjesë dhe në krijimtari filmike me role të realizuara. Kinematografia ishte në fillimet e veta dhe ai kishte një mobilizim të madh për rolet. Edhe në filma ai ishte po aq i përkushtuar sa në teatër. Nuk i ndante rolet në të vegjël apo të mëdhenj, por luante me atë nivel. Me atë dashuri sikur të ishin role të veçantë. Kjo ishte e veçanta e krijimtarisë së tij.
Rolet e veçanta
Për mëse 2 dekada nga viti 1950, Seit Boshnjaku interpretoi në mbi 50 role në skenën e Teatrit Kombëtar. Edhe pse doli në pension në vitin 1966, Seit boshnjaku interpretoi edhe më pas role, edhe për mëse një dekadë. Veçohen Prela nga “Toka jonë”, Huis “Procesi”, Abazi “7 Shalianët” Gjeloshi “Dragoi i Dragobisë”, Luka plaku “Trimi i mirë…” , Oktavi “Qeni i kopshtarit”, Lleshi “Cuca e maleve” Doktori “Arturo Ui”, etj..
Krahas teatrit ka marrë pjesë edhe në 7 filma artistikë.
• Perse bie kjo daulle – (1969) Shkesi
• Toka jonë – (1964)
• Detyrë e posaçme – (1963
• Debatik – (1961) Toger Franko

Filed Under: ESSE Tagged With: Albert Zholi, ne teatrin kombetar, Seit Boshnjaku, u torturua ne Prishtine, vezulloi

E sotmja është nxënësja e së nesërmes

September 5, 2014 by dgreca

Nga Albert Z. ZHOLI /
“I lumtur është ai njeri,i cili fiton mendjemprehtësinë e të mësuarit që në rini,por tri herë më i lumtur është ai që ruan zellin e rinisë në moshë të kaluar”(Dagobert Rune)
Mendimi s ´është më pjesë e gjykimit kur bëhet prangë e kuriozitetit”, kjo thënie, është thelbi i mënyrës së mësimdhënies. Mësimdhenia nuk është thjesht një profesion; mësimdhenia është art, në të cilin mësuesi me pasionin e tij për dijen, me integritetin dhe përgatitjen e tij arrin t’i frymezojë studentët e vet, pasi nuk është thjesht aftësia për t’i mësuar njerëzit, por është aftesia për t’i frymëzuar ata që e bën ndryshimin midis një mësuesi të zakonshëm dhe një mësuesi të mirë. Mësuesi në klasë nuk jep vetëm njohurinë mbi subjektin, të cilën studenti e gjen edhe nëpër libra, por jep edhe atë ccfarë ai është si person në vetvete, eksperiencën personale, tërësinë e vlerave dhe cilësinë e karakterit të tij. Mësimdhënia e mirë ka për kusht domosdoshmërinë për të pasur një komunikim të hapur e të lirshëm midis pedagogut e studentit, një marrëdhënie të bazuar në respekt të vërtetë e të ndërsjelltë, duke krijuar një ambjent në të cilin studenti nuk do të ketë ndroje të shprehë mendime, të bëjë pyetje, të sqarojë paqartësira, si dhe të ofroje nga ana e tij sa herë që të mundet plotësime e risi në dijet në fjalë, duke u ndjerë i mirëpritur, i pranuar dhe i vlerësuar nga profesori. Eshtë ccështje sedre profesionale dhe një interes parësor që studentet të kuptojnë ccfarë u shpjegohet ne leksion dhe te marrin pjese ne aktivitetet qe ndodhin ne seminar. Nuk ka asnjë gjë tepër të vështirë për t’u shpjeguar; asnjë njohuri apo arsyetim nuk është tepër i komplikuar për t’u sqaruar. Nese pegagogu ka kaluar kohë për ta hulumtuar dhe për ta kuptuar konceptin së pari vetë, atëhere asnjëherë nuk është tepër e vështirë t’ua përcjell atë koncept studentëve, në mënyrë që edhe ata ta kuptojnë. Synimi pedagogut është që studenti ta kuptojë leksionin që në klasë, duke e dëgjuar prej tijë, dhe në shtëpi pastaj t’i mbetet vecse thellimi dhe pasurimi i bazave që ka marrë në klasë me detaje të mëtejshme.. Është cështje dinjiteti për një arsimtar të ruajë ndershmërinë, drejtësinë në gjykim dhe vlerësimin në bazë merite. Ruajtja e dinjitetit ka aspektin e vet profesional; besoj që asnjë intelektual, student qoftë apo arsimtar, nuk duhet të përvetesoje në ndonjë lloj mvnyre punën e një tjetri dhe ta paraqesv atë si të vetën, pa i dhënë kredit autorit, apo të përdorë rrugë të tjera të shkurtra që nuk janë të bazuara në studim e hulumtim të vërtetë personal e në punë të ndershme shkencore. Mësimdhenia dhe studimi janë aktivitete idealiste dhe jo materialiste; në këtë këndvështrim, studenti nuk duhet të vijë në universitet thjesht për të marrë një diplomë, por për të marrë arsimim, dhe pedagogu duhet të ketë qëllime të larta në vetvete dhe ta përdorë mësimdhënien jo si mjet shkëmbimi të interesave materiale, por me një mentalitet të ndërgjegjësuar që ndikimi i tij pozitiv apo negativ jehon në brezat dhe influencon drejtpërdrejt mënyrën në të cilën mbruhet shoqëria e një kombi. Mësuesi duhet të jetë një studiues gjatë gjithë jetës së tij; besoj që në momentin në të cilin një mësues pushon se marri informacion, pushon së lexuari material plus që e tejkalon detyrimin e vet të orës së mësimit, ai pushon së dhëni atë substancë të freskët, të padëgjuar më parë, të vërtetë, bashkëkohore, realisht të dobishme e të shijshme për mendjen e një intelektuali, që është dija e vërtetë. “Njerëzit e zgjuar vlersëojnë të gjithë njerëzit, pasi ata shohin të mirën te secili sidomos tek shkollimi dhe e dinë se sa e veshtirë është të bësh dicka të mirë me anë të dijës” ka thënë mbi këtë problem, Baltazar Graciani. Teknologjia dhe ndihma që ajo ofron në mjete për lehtësimin e punës në arsim janë thelbësore për të pasuruar studentin me dije dhe eksperiencë intelektuale. Arsimtari duhet të luajë një rol aktiv në përdorimin e mjeteve teknologjike në mësimdhënien e tij, si dhe në nxitjen e studentëve për punë të pavarur dhe drejtimin e tyre tek burimet e duhura teknologjike në ndihmë të studimit.
Qëllimi në mesimdhënie duhet të jetë i trefishtë: t’u transmetoj studentëve njohuri të sakta, të plota e të mirëinformuara; t’u transmetoj atyre, megjithëse pa fjale, vlerat bazë të moralit e të karakterit dhe pasionin për dijen; t’i frymezoj ata qe t’i cojnë përpara këto vlera në ccfarëdo profesioni të ndodhen në jetën e tyre.
“E sotmja është nxënësja e së nesërmes”(Tomas Fuller)

Filed Under: ESSE Tagged With: Albert Zholi, e së nesërmes, E sotmja është, nxënësja

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 4
  • 5
  • 6
  • 7
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT