• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Izolacionizmi dhe kritika e sfumuar gazetareske …

December 14, 2016 by dgreca

Dy gjëra mund të rrezikojnë Amerikën për të rënë në unilateralizëm: Shpëndarja e NATO-s dhe injorimi i botës muslimane./

Alfons-Grishaj1-250x300

NGA ALFONS GRISHAJ/Pas fitores së Donald Trump, analiza e sfumuar “kritike” është shpërndarë si retë pa shi… Le Pen?! Brexit?! (British exit). “Extremizmi” Donald Trump?! Stilistika e gazetarisë tonë nuk njeh “Journal Entry!”, por vetëm modelin e negativit me bojë të kuqe (duke mos hyrë në vlerat e gazetarëve tanë, Mini-Me, të cilët kopjojnë gazetarët e huaj si, Bill O’ Reilli, Sean Hannity ose një tjetër si Anderson Cooper… ). Në këtë batak ranë si gjatë zgjedhjeve edhe pas zgjedhjeve Presidenciale të 2016 shumë gazeta dhe media në perëndim, ku humbën fuqinë e njohjes së informimit, duke e zëvendësuar profesionalizmin me militantizmin grotesk. Urrejtja dhe pasioni e mundën arsyen kritike reale të gazetarisë… Forca e gazetarisë qëndron tek analiza e faktit që dokumenton të vërtetën. Nëse lajmi degradon dhe deformohet në qëllim në vetvete, aty nuk flitet më për profesionalizëm, por për influenca karekteristike të momentit që komandohen nga qëllimi dhe jo nga lajmi… Këtu nuk ka më gazetari, sepse ajo vdes.

Format e informimit janë njohur që në kohën e Romës, kur Senati komunikonte me anën e një pllakate druri të shkruar që vendosej në sheshet qëndrore, në të cilën, qytetarët lexonin me një frymë informacionin e servirur… Kjo mund të quhet sot, “Gazetë Muri”, ashtu si ne, në fillimet e para të demokracisë, të gjitha shkrimet e njerëzve i varnim në një stendë ose i afishonim në xhamat e Selisë së PD-së, ku qindra lexues vërshonin për t’i lexuar. Në shekullin XVI, në Itali, Venecia filloi të paraqiste informacion mujor të shkruar me shkrim dore ku fliste për problemet e ndryshme të kohës. Dekadat e para të shekullit XVII në Francë, Angli, Gjermani dhe Spanjë njihen dhe si fillimi i erës së gazetarisë së shtypur që shpërndahej me rregull.

Janë shkruar me dhjetra volume për gazetarinë që shpjegojnë historinë e saj dhe specifikat ndër rajone të ndryshme. Në Shqipëri kemi pasur gazetari të centralizuar në dorën e PP-së, e cila njihte vetëm një rregull: Gënje, gënje dhe mos thuaj kurrë të vërtetën! Sistemi komunist, duke ndaluar të vërtetën krijoi formatin monstër, e cila besonte në manipulim, duke u bërë vetë një tregues manipulimi. Kjo shkatërroi jo vetëm shtypin, por dhe historinë që u shkrua gjatë 47 viteve, që pothuajse nuk ka prodhuar aspak vlera shkencore, por vetëm mjegull dhe pluhur propagandistik Gebelsian…(Sepse komunizmi dhe nazizmi janë moter e vëlla). Këtë lloj historie do ta quaja me plot gojë: “Histori e Porositur!”

Fatkeqësisht, në kohën e qoftëlargut jemi njohur në botë për dy gjëra:

1.Vendi i parë ateist në botë.

2.Kampion i izolacionizmit në planet.

Pra, kemi pse “krenohemi”, kemi pasur dy vende te para në botë, për medalje anti-njerëzore.
Faleminderit prej Shenjëtores Nënë Tereza, që rikuperoi imazhin nga ateizmi në humanizëm. Dhe prej George W. Bush, që na bëri faktor me pranimin në NATO, duke na shkëputur përfundimisht nga izolacionizmi.

Ndjej dhimbje, kur ende shoh “inteligjencën” tonë të kushtëzuar dhe të lodhur si nga ana intelektuale dhe nga pavarësia e ndërgjegjes.

Shikova një emision të drejtuar nga Ylli Rakipi. Të ftuar ishin katër“burra zakoni” (njëri nga ata, produkt i Sorosi-t), që me zërat e tyre “kritikë” bënin politikë të madhe, për Amerikën dhe presidentin e sapo zgjedhur Trump. Ata nuk e kuptojnë se u ka ikur koha analizave që shoqërohen më tepër me grimasa e gjestikulacione se sa me sens logjik… Për të bërë analizën e një shteti, një subjekti, një dukurie apo një personaliteti, duhet njohje e plotë e të dhënave për të gjykuar dhe nxjerrë konkluzion. Në të kundërtën, paraqitja e varfër intelektuale nuk justifikon programin. Opinioni mund të jetë i lirë, por kur cektësia e gjykimit moleps ambientin nuk e vlen të bëhet publike. Sigurisht, të ftuarit e Rakipit, kanë hapur libra aty-këtu dhe kanë botuar nganjëherë dhe ndonjë gjë të mirë, por nuk disponojnë as të dhënat e duhura as thellësinë e gjykimit, të cilat duhen për të kuptuar ndryshimin mes filozofisë perëndimore dhe hamendësimeve ideologjike të lindjes. Si kopiacë defraktarë, dijet e tyre të cunguara nuk i lejojnë të kuptojnë se izolacionizmi (që e përdorën aq shpesh atë natë) nuk njihet në superfuqitë botërore. Presidenti Theodor Rusvelt, e bëri Amerikën imperialiste e deri më sot, Amerika u fuqizua dhe u bë faktor numër një në botë.

Kontributi ekonomik dhe ushtarak nuk i lejon Amerikës tkurrje, por rishikim dhe reflektim. Muri i Trump, mbase nuk realizohet dhe mbetet metaforë, ashtu siç shprehen disa gazetarë, por dhe nëse bëhet do t’i shërbejë sigurisë nacionale dhe jo izolacionizmit.

Proteksionizmi i paralajmëruar i Presidentit të ri, nuk i prish punë Amerikës, përkundrazi i krijon atmosferën e kthimit të fabrikave që kanë lënë vendin për një përfitim më të madh brenda dhe jashtë kontinentit.Ashtu si në kohën e Theodor Rusvelt dhe Ronald Regan, Amerika kërkon riciklimin e vlerave, të qytetarisë dhe kapitalit. Nëse, Trump, me zgjuarsi e largëpamësi do rindërtojë dhe rifitojë terrenin e humbur nga tregtia e “lirë”, Amerika do jetë në gjendje të rimëkëmbë jo vetëm ekonominë e saj dhe të shlyejë borxhet, por dhe të ndihmojë vendet partnere europiane, ku patentat dhe teknologjitë moderne që u krijuan nga vetë ata, u kopjuan, ose u vollën nga vende komuniste si Kina, Rusia etj. Kina ka kohë që mundohet të lozë rolin e padronit. Shikoni Presidentin e Kines, Xi Jinping. Në çdo takim me presidentë, ai nuk lëvizë nga vendi, presidentët e tjerë ecin per të shkuar tek ai, përfshi Barak Obama, Vladimir Putin etj. kurse ai nuk lëviz, sikur të ishte Perandor planeti. Dikur, Perandori i Kinës, kishte një ushqim që nuk guxonte askush t’a hante përveç atij. Ky ushqim quhej “forbidden food“. Ushqimi i ndaluar nuk kishte lidhje me Biblën e Shenjtë, por me “orizin e zi” që prodhohej enkas për Perandorin e Kinës. Nëse dikush do guxonte ta hante, ai ose ajo do vdiste nga ndënshkimi. Ne, tani e konsumojmë “orizin e zi”. Por, kosumojmë dhe veshim shumë prodhime që bëhen në Kinë. Shpesh ato kanë një shije aspak origjinale, ose prodhimet e tyre shkërmoqen para kohe.

Tani, Dragoni i Verdhë, tallet, kërcënon, biles guxon ta quaj Presidentin Trump: “si fëmi injorant ”. Ata e dinë mirë se ai nuk është i tillë, por i tërbon filozofia proteksioniste e Trump. Ka gjasa që Panda të mbesë pa biberon. Rreziku i “Forbidden Food” do ta zgjojë ekspanisionizmin e Kinës, dhe bota do pendohet për çiliminllëkun e treguar gjatë gjithë këtyre viteve. Rreziku i botës mund të jetë dhe ekstremizmi Islam (Jo Muslimanizmi), dhe rrymat e tjera ekstremiste, por vëmendja duhet me qenë tek Dragoni i Verdhë, i cili një ditë do kafshojë… Gazetaria e botës së qytetëruar duhet t’i kushtojë më vëmendje Kinës, se sa budallallëqeve empirike.

Dy gjëra mund të rrezikojnë Amerikën, për të rënë në unilateralizëm: Shpëndarja e NATO-s dhe injorimi i botës muslimane.

Robert Art, dhe disa të tjerë thonë se, Amerika ka pasur një histori izolacionizmi, nuk qëndron! Babai i Amerikës, Washington, ishte skeptik në marrëdhëniet ndërkombëtare, për arsye se mendonte se Anglia dhe aleatet e saj ishin të interesuar në mënyrë të një anshëme dhe jo në sensin bilateral e multilateral. Në atë kohë Amerika ishte unilaterale. Duke hequr vetë mbi shpinë vujatjet koloniale, porositë e Washingtonit, për të bërë kujdes në mos ndërhyrje në punët e të tjerëve ishin të drejta dhe pragmatiste. Ky nuk ishte Izolacionizëm siç predikojnë disa vogëlushë, por unilateralizëm.

Ka pasur disa vende izolacioniste. Japonia ka qenë një vend i tillë. Gjatë historisë së komunizmit, Shqipëria ka qenë numër një botë. Tani është Koreja e Veriut.
Duke bërë paralelizëm midis Enver Hoxhës dhe Kim Jong-ut, shpresoj se intelektualët shqiptarë, mos të ngatërrojnë më izolacionizmin me unilateralizmin, ose izolaconizmin me kapitalizmin dhe globalizmin!

Filed Under: Opinion Tagged With: alfons Grishaj, dhe kritika e sfumuar, gazetareske ..., Izolacionizmi

Post Election

November 10, 2016 by dgreca

Shpresoj se në  SHBA dhe në botë do të fryjë një erë e re.  Amerika nuk do të jetë  kurrë më si  para këtyre zgjedhjeve , por do jetë si dikur  kur familja dhe shteti ishin të shenjta…/

Alfons-Grishaj1-250x300

Nga Alfons Grishaj/

Amerikanët  janë të qetë tashmë. Retorikat dhe ekstaza e Nëntorit  pushuan pas zgjedhjes për President të  Donald Trump, i cili  fitoi 279 elekrovota  përballë Klinton me 228. Kultura dhe atdheu i amerikanëve  përqafon traditën e shkëmbimeve paqësore të urimeve tradicionale  të lëvdatave per njëri-tjetrin sikur mos të ishin njerëzit e akuzave dhe kundërakuzave si në fushatë . Po kush janë humbësit e mëdhenj?

Në këtë fushatë humbësi i madh ishte gazetaria dhe media, veçanërisht , “CNN” , dhe “New York Times” humbën  autoritetin e paanësisë , duke humbur respektin e një pjese të madhe të popullit amerikan. Jim Rutenberg , i New  York Times , do të shkruante : “ News Media yet again misreads America’s Complex Pulse” Poashtu dhe disa gazeta me emër dhe gazetarë. Ekstaza e Nëntorit përfshiu dhe disa artistë dhe këngëtarë që përkrahën Klinton…Ata arritën deri aty sa të shprehen se nëse fiton Trump , do të largohen nga Amerika. Por pas kësaj fillon heshtja e çlirimit të energjisë …

Kryeministja e Anglisë , Theresa May , e cila para dy muajve do të kritikonte ashpër kandidaturën e Trump, “bie në paqe”, duke uruar Trump , dhe  afruar bashkëpunim. Poashtu dhe disa udheheqës Europian… përfshirë këtu dhe Kryeministrin e Shqipërisë , Edvin Rama , i cili pat “zhveshur shpatën” si  padishah  për prishje marrëdhënie me Amerikën , nëse fitonte Trump. Më qesharakja është se ky person që pat kërcënuar  prishje marrëdhënie me shtetin më të fuqishëm , tani kërkon të mbledhë atë diasporë të prerë në besë nga ana e tij…  Gazetarucët dhe ucët analistë  gjoja profesionalë të Shqipërisë , të cilët  shpikën e sajuan si gjithnjë , heshtin pas një uragani të një populli me traditë demokratike të vjetër, i cili  e din mirë çfarë të bëjë në momente delikate të vendit  të vet. Nga ana tjetër  , Presidenti i Rusisë  , Putin  shtrin dorën për rikuperimin e marrëdhenieve midis dy vendeve , të cilat patën një rënie të ndjeshme deri në kërcënim …

Senatorja  Demokrate Elizabeth Warren , e cila u shpreh gjatë fushatës së Trump nuk do të bëhej kurrë President i Amerikës… Pas zgjedhjeve ajo i afron bashkëpunim : “President-Elect Trump promised to rebuild our economy for working people, and I offer to put aside…our differences and work with him on that task.”

Lëvizja Trump , e vetme , kundër një makine mediatike dhe shtetërore  , kundër pjesës dërrmuese te elitës Republikane , por në emër të asaj partie dhe të popullit amerikan  fitoi zgjedhjet , duke fituar presidentin e  45-të Amerikës. Barak Obama , pas sarkazmës dhe përpjekjes për ta ndaluar  Trump , ndërgjegjësohet se ai nuk ishte vetëm , por me të ishte  Amerika  dhe filosofia pragmatiste. Obama,  ndryshe me herët  e tjera premtoi për një kalim të butë tradicional të pushtetit në duart e kundërshtarit , duke treguar dhe njëherë se Amerika është më e shenjtë se çdo pushtet…

Po a ndikoi Obama në humbjen e Zonjës Clinton? Sigurisht që po. Autoriteti i tij ishte në rënie , duke pasur parasysh “Obama Care” , takimin me udhëheqësin Raul Kastro , pa pyetur Kongresin Amerikan . Paktin e fshehtë me Iranin , ku pagoi mbi 1.5 bilion dollarë… Vakumi që la me  tërheqjen e trupave nga Iraku , duke lënë shteg  për ISIS…

Gjatë qeverisjes së tij , Amerikës iu dyfishua borxhi i jashtëm  në 20 trilion dollarë . Papunësia dhe Foodstamp pësoi një rritje drastike etj…Vetë Klinton , pati probleme ndër vite me dekleratat kontraversale dhe emailat që i shpërdoroi, mbase dhe nga pakujdesia ,  por që i sollën një kokëçarje te vazhdueshme gjatë fushatës deri në hetimin e FBI . Përpjekja e  fundit  e Byrosë Federale  për rihapjen e dosjes  në  rastin Anthony Weiner,   dhe  Huma Abedin  ishte më tepër një kor fanfaresh se sa  përpjekje investigative. Një gabim që Amerikanët nuk ia falen Hillarit , ishte Bengazi…Kurse për mendimin tim , ajo gaboi në shprehjet e saja gjatë fushatës për perkrahësit e Trump…, deklarimi i rritjes së taksave, internacionalizmi kolaborativ ku përfshiheshin dhe vendet e dyshuara për lojën e dyfishtë kundër Amerikës. Ironia e saj kundër  katolikëve  dhe evangjelistëve i kushtoi shtrenjtë në votime , pikërisht se ata votuan në masen 81% për Trump kundrejt  16% për Hillary.

Rreth shtatëdhjetë përqind e Amerikanëve , mendojnë se Hillary është gënjeshtare dhe e pavendosur… Pjesa dermuese e shqiptaro-amerikanëve  në votime i  qëndruan besnikë Hillary , duke i larë borxhin  për  çfarë bënë Klintonët  për shqiptarët …Por , populli Amerikan mendoi  dhe gjykoi ndryshe…

Bill O’Reilly do të theksonte  : “ The folks rejected corruption and unfair federal policies and delivered vast power to a maverick political novice. The Democratic machine waged an arrogant campaign that justified Hillary Clinton’s incredible record of ethical deficiencies.While many politicians disort and mislead, Clinton seems incapable of speaking the truth. Americans , even some who voted for her, noticed the narcissism. Thus they denied her power.” Ai vazhdon : “Malcom Gladwell’s theory says bad things mount up, then suddenly , at dramatic moment , everything comes crashing down.”

Ky shpjegim i gazetarit te famshëm të FOX , duhet të jetë një paralajmërim dhe për qeverinë e korruptuar të Tiranës…

Pas humbjes , Hillary Klinton tha : Loss is painful and disappointing…Donald Trump is going to be our President. We owe Trump “ An open Mind and chance  to lead ”. Kurse Trump , vlerësoi figurën e Hillary Clinton , për shërbimin që ajo i ka  bërë Amerikës. Ai theksoi : “We will all come together as never before!”

Trump, ka dy privilegje që e ndihmojnë në përmbushjen e misionit të tij  presidencial.Ai  ka me vete Senatin dhe Kongresin. Trump ka 51 vota në Senat dhe  nga 218 vota që  duhej për shumicën e Kongresit , ka  238.

Paul Ryan , ngriti lart figurën e Trump , duke i dedikuar atij fitoren e një numri te madh të Kongresistëve Republikan. Interesantja qe se  , disa kandidatë kongresistë që nuk suportuan Donald Trump , humbën karriget e tyre në Kongres…Kjo tregon se populli Amerikan ishte tepër vigjilent dhe aspak tolerant lidhur me vendosmërinë e ndryshimit.Tani flitet për pozicionet  e përkrahësve  të Trump , të cilët do të jenë në administratën e ardhshme të Trump. Në një intervistë të Bill O’ Reilly me Rudy  Juliani , hamendësuan administraten e re të Presidentit Trump …,  Rudy Juliani  , Attorney General .  Chris Kristi , Homeland Security . Newt Gingrich , Secretar of State

Kellyanne  Conway , Chef of Staff . Ben Carson , Humane Service . Michael T. Flyn , Chief of Stuff  United States Army etj…

Unë shoh se,  Donald Trump , do të jetë një President  energjetik i palodhur për ti shërbyer çeshtjes  Amerikane . Intuita  prej biznesmeni të madh  dhe misioni  aspak i rastësishëm do i sjellë shërbim dhe prosperitet  popullit . Në marrdhëniet diplomatike , ai do  rregulloië  mardhëniet e ngrira me  vendet ish- partnere  dhe do rinegocioië   planin ekonomik. Përkohësisht  do  sjellë një impact në emigracion , por do t’i sigurojë popullit Amerikan qetësi  më tepër se kurrë. Kujdesin më të madh duhet ta ketë me  NATO , e cila i shërben jo vetëm Amerikës , por të gjithë botës së qytetëruar…Donald Trump , do të ndeshet dhe me protesta të instrumentarizuara  ose dhe me ndonjë  atentat  , të cilat nuk do ta pengojnë në misionin e  shenjtë…Sot Presidenti Obama dhe Presidenti i zgjedhur Trump,  u takuan dhe biseduan rreth bashkpunimit të tranzicionit presidencial dhe më pas…

Shpresoj se në  SHBA dhe në botë do të fryjë një erë e re.  Amerika nuk do të jetë  kurrë më si  para këtyre zgjedhjeve , por do jetë si dikur  kur familja dhe shteti ishin të shenjta…

 

 

 

 

Filed Under: Opinion Tagged With: alfons Grishaj, Post Election

“Jeta ime midis tre Kontinenteve”

October 31, 2016 by dgreca

Vëzhgim kritik mbi librin “Jeta ime midis tre Kontinenteve” i autorit, Nrekë Guri./

Nga Alfons GRISHAJluigjNE FOTO: Alfons Grishaj duke folur per vlerat e librit “Jeta ime midis tre Kontinenteve” i autorit, Nrekë Guri gjate promovimit.
1-librat
1-salle-alfons

NE FOTO:Pjesemarres ne promovimin e librit “Jeta ime midis tre Kontinenteve” i autorit, Nrekë Guri …/

Libri i autorit Nrekë Guri, “Jeta Ime Midis Tre Kontinenteve”, që në titull të intrigon për ta lexuar. Pasi shfleton librin dhe ballafaqohesh me prozën dhe poezinë e tij, nëpërmjet memuareve  sjell kalvarin e vuajtjeve të familjes, Dukagjinit  dhe heronjtë e Malësisë së Madhe. Atë nuk e shqetëson thjeshtë vetëm historia e tij, por e gjithë vargmaleve kreshnike, që ashtu si Fishta, dhe Ndreka, i përjeton në vargje…

Duke  lexuar Parathënien e Lisandër Kolës, dhe Opinionin e Prelë Milanit …krijon një tabllo për librin “Jeta Ime në Tre Kontinente”, por jo  këndvështrimin thelbësor të librit. Dr. Lisandri me një kompetencë profesionale paraqet anën gjuhësore me një ilustrim special në dialektin Gegë librin e autorit , Ndrekë Guri . Ndër të tjera ai  shkruan :

“Pa u ndalë në aspekte kompozicionale dhe vlera estetike të këtij libri, për shkak të pozicionit tim si redaktor, në vijim po paraqes disa valenca fonomorfologjike dhe leksikore, që janë të pranishme në veprën e Z. Guri. Kjo besoj asht edhe puna ma e dobishme e krejt parathënies, sepse marrëdhaniet e leximit vendosen sipas kahes vetiake!”

Duke kundruar anën letrare të librit shikojmë se në poezi, autori përdor vargun popullor tetërrokësh, herë më rimë të rregullt ABAB dhe AABB. Autori përdor dhe vargun e lirë, duke ruajtur kantalenën e rimuar. Fuqia e vargut të autorit mbështetet në themelet e epikës dhe lirikës popullore, çka tregon lidhjen e tij shpirtërore me vlerat etike e artistike të traditës së zonës ku ka lindur dhe jetuar. Muza e tij është diktuar nga kushtet dhe rrethanat  jetësore. Ai  skalit  në vargje si një rapsod i madh popullor  ngjarjet anti-komuniste të veriut. Këto vargje do t’i quaja: “Elegji për Veriun”. Pena e Ndrekës, bëhet më e ndjeshme kur flet për prindërit që  i përshkruan deri në apoteozë, çfarë tregon për respektin dhe dashninë ndaj prindit.Kam lexuar së fundi disa memuare e shkrime historike, të cilat më kanë pëlqyer jo vetëm si rrëfime por dhe por edhe për rëndësinë dokumentuese të të vërtetave historike që u shërbejnë brezave. Ndër to  do të  veçoja penën e madhe të Naum Priftit, gërshetimin historik të Uran Butkës, akt-akuzen marathonomake kunder-SSerbisë  të Nusret Pllanes,  sinqeritetin e Kolë Bibë Mirakës, faktet  e Gjon Kaçes  etj… Sot, do shtoj dhe librin e Ndrekë Gurit, i cili, refkekton në vargje dhe në prozë botën e pasur shpirtërore të autorit, e lidhur ngushtë e përjetësisht me rrënjët edhe pse udhëpêrshkimi i tij jetësor përfshin itineraret e tre kontinenteve. Kështu, Guri, bëhet bartës i vlerave të patjetërsueshme të trevës së origjinës. Nga njëra anë, pasuria leksikore e frazeologjike, sensi i urtisë që vijnë si material burimor evokojnë jehonën e traditës së njërës prej vatrave poetike shqipe, Dukagjini i eposit kreshnik dhe i perlave të lirikës sonë popullore. Nga ana tjetër vjen me ngjyra të theksuara fizionomia e popullit fisnik përballë travajëve të hisorisë. Tematika imponon realizmin, por në nivelin përshkrues diktohet edhe frymëzimi romantik, veçmas kur  mjedisi natyror vendoset në funksion të një kuptimi sa më të plotë të vetë karaktereve njerëzore. Këtu qëndron dhe rëndêsia nga pikëpamja estetike  e librit. Kategoritë etike shndërrohen në kategori estetike, nga të cilat unë do veçoja katër si të tilla në veprën e Ndrekës:

1-Vlera Tradicionale.

2-Vlera Historike.

3-Vlera Humane Edukative

4- Vlera Letrare Popullore.

Tregimi i autorit për historinë e mushkës Kuqo, është  më vlera antologjike, jo vetëm për rastin unik  të tregimit, por dhe anën njerëzore.Në fakt, filozofia popullore e ka bazën në përvojën kolektive, përulësinë dhe respektin për mendimin ndryshe. Duket paradoksale kur mendon se shekulli i njëzetë u mbizotërua nga totalitarizmat, ndêrsa filozofia popullore mbetej nga shumë pikëpamje demokratike dhe për rrjedhojë shumë më përparimtare. Autori është i vetdijshëm për përparësinë e kësaj filozofie sepse i njeh asaj prirjen e universalitetit.Besoj, lexuesve u kujtohet Diogjeni që shëtiste ditën me diell me kandil të ndezur dhe kur e pyetën se pse vepronte ashtu, ai iu përgjigj: “Jam duke kërkuar të gjej njeriun e vërtetë”! Ne në Shqipëri kemi pasur Curr Gjeloshin e Kastratit. një tip filozofi popullor, truri i tij ishte në gjendje të prodhonte përgjigje filozofike në çdo kohë… Po e ilustroi me një rast të njohur: Kryetari i Kooperativës së zonës sheh gomerët duke kullotur në grurë. Ai i drejtohet Currit, që ndodhej aty pranë: “Curr, a i sheh gomerët që po hanë grurin, bukën e popullit, largoji prej aty!” – Curri ia kthen aty për aty: “Kryetar, populli han buk kollomoqi, kurse ju hani bukë gruri. Të takon ty me i trem gomart dhe jo mu. Po të ishin në kollomoq, më takonte mu”! Kështu dhe Dedë Mhill Guri, me sensin e filozofisë popullore, ai zgjidh paasnjë konflikt vjedhjen e mushkës së tij, të cilën arrin ta gjejë pas tre vitesh. Sot, këtë zgjidhje do ta kishin zili dhe gjykatësit tanë që kanë më vete “Kodin Penal” që jo rrallë herë e përdorin vend e pavend.

Kulmin e dhimbjes së kujtimeve të autorit e përbën historia e ekzekutimit të babait tij. Ngjarja të kujton gjithë atë kalvar vuajtjesh e përndjekjeje gjatë rregjimit komunist. Një nga mijëra të vrarët nga diktatur ishte dhe babai i Ndrekës, i cili ishte një patriot fisnik i zonës së Dukagjinit. Patriotët nuk i duheshin komunistëve se i prishnin punë në misionin e tyre të shëmtuar. prandaj ato ndënshkuan familjet me në zë, për të mbajtur nën zgjedhë pjesën tjetër të popullsisë me mesazhin që synonte të ndillte terror: “Shiko çfarë i punuam burrave të mëdhenj, pa kush ju vë në listë ju…!”Autori, përdor nganjëherë parabolën dhe eufemizmin gjatë përshkrimit të situatave dhe ndjenjave. Parabola është e kuptueshme si komponente e një stili konfesional të rrëfimit, por për vrasësin e babait të tij nuk duhej të përdorej eufemiza. Kjo është e vetmja pikë të cilën unë nuk e kam aprovuar në këtë libër. Kriminelët duhen të kenë emër, për arsyen e thjeshtë se  brezat që do të vijnë pas nesh duhet t’i dinë  faktet ashtu siç kanë ndodhur. Vrasësi i Dedë Mhill Gurit, babait të Ndrekës, qe Xhemal Selimi, një kriminel dhe vrasës i ftoftë. Ai, pasi i vriste personat ulej  mbi trupin e viktimës dhe i thyente me pistoletë arrat mbi kokat e tyre, për t’i ngrënë pastaj si një barbar i vërtetë. Po, Zoti është i madh , Ai punon në mënyra misterioze…

Memuaret flasin natyrisht edhe me gjuhën e ndjenjave dhe principeve që ka autori në shpirtin dhe personalitetin e tij. Por aspekti dokumentar nuk duhet reduktuar.  Kujtimet janë jeta e gjallë e njeriut dhe personazhet përreth duhet të kenë emër. E kuptoj fisnikërinë e autorit dhe normat e Kanunit të Lekë Dukagjinit, por kjo normë dëmton historinë se lë kriminelët e Partisë së Punës anonim…Personazhet e kujtimeve  të Ndrekës, marrin jetë dhe vërtetësi nga puna e kujdesshme e autorit.

Sinqeriteti i Ndrekës është në pikën më të lartë. Hiperbola për heroizmat e familjes së tij janë të huaja. Klemenca e kristaltë është dhe reflektimi i kulturës që ka trashëguar dhe prej priftërinjve që kanë qëndruar pranë tij gjatë  viteve  të  emigrimit.Unë e uroj Ndrekën,  dhe shpresoj që të kemi sa më shumë libra të tillë për të krijuar një krestomaci antologjike për të përndjekurit që bota e qytetëruar të njihet me krimet kundër njerëzimit që kanë ndodhur në Shqipëri.

 

 

Filed Under: LETERSI Tagged With: alfons Grishaj, i autorit, mbi librin “Jeta ime midis tre Kontinenteve”, Nrekë Guri., Vëzhgim kritik

ALFONS GRISHAJ NE SOFREN E “DIELLIT”

October 18, 2016 by dgreca

Alfons-Grishaj1-250x300

Alfons Grishaj/

1-PENELI FRYMOR

Pa penel frymor…,/

Shtëpitë si fantazma neutroni ,/

Shtojzovallet si mermer i palëmuar ,/

Njeriu si kurth i ngrehur në korrnizë ,/

Ndjenjat si akulli kozmik ,/

Nektari si pluhur shkretëtire,/

Dashuria si far i fikur,/

Kënga si përshpëritja e një memeci !/

 

Kompozimi i luleve në burgun vazo/

Petalet copë–copë si copat e pëlhurës së vjetër./

Me penel frymor ,

Prarim i jetës si serë diellore

Mbledh dritën dhe ngrohtësinë

Brenda kulmit të ligjit natyral, ku shpërthejnë gonxhet në lule.

E fshikëza e mëndafshit mbulon lakuriqësinë

e larvës që bëhet flutur!

 

E ne , ne gëzojmë frytin frymor…

Endërrojmë shtojzovallet , shijojmë rrezet plot jetë,

Duke shpërfillur mesazhin hyjnor !

 

KURIOZITETI I FEMRËS

Mes nesh delikate perëndia femër !

Poret si inxhi me diademë misteri,

Dridhet në reverance kavalieri,

Zbuten luanë , në këmbë ngrihen mbretër. 4

 

Por atje , tej në shekuj molla zemër,

Histori e krijesës që sot njeri,

Kaluan mijëvjeçarë , por jo evari ,

Kureshtja, padurimi i njëjti emër! 8

 

Kredhur në hijesira, zgjohet me diellin,

Në fushat plot grurë falet me melin

Me lugë druri përzier padurimi… 11

 

Sa veshi dhe syu peshore mundimi,

Si gazele e etur mbrrin tek burimi,

Në vend të trofesë , ajo puth velin ! 14

 

ZOGJTË

Eufoni e krahëve fluturakë,

Më e mrekullueshmja gjuhë mbi tokë,

Frymorë aerodinamike këmb e kokë

Vepër e përkryer e Hyut , portret farkë. 4

 

Pashpresë provuar në tmerrin darkë,

Në gjallesa mbi dhe as ngjasim as shokë,

Kaluar oqeanit , degën e ullirit rrokë,

Solle shpresën e jetës mbi Noes Arkë. 8

 

“Stinët” e Vivald’ nisin me pranverën,

Muza e proshkët zgjon dhe Minerven.

Mbi bisqet jeshil dirigjent kardinal. 11

 

Zogjtë e zogjve qumështor racional,

Sa polenë e jetës kulmon eternal,

Muzika e shpendve , Hadit i kyç derën! 14

Alfons Grishaj

Tetor , Miçigan

Filed Under: LETERSI, Sofra Poetike Tagged With: alfons Grishaj, ME 3 SONETE NE, Sofren e Diellit

Mjerimi i vetëdijes historike

September 21, 2016 by dgreca

Nga Alfons Grishaj/

Bota e qytetëruar përpiqet që historinë ta sjellë sa më reale, mbështetur në një aparot të mirëfilltë shkencor, pa ngarkesa emocionale e romantizma, pa hiperbolizma e fanatizma, pa subjektivizma krahinorë e pa hamendësime ideologjike.

Historia, është çmimi i kujtesës që ndrit të shkuarën, programon të tashmen dhe  tërheq vëmendjen e shoqërisë drejt së ardhmes. Gjatë viteve të komunizmit jemi lodhur me gënjeshtrat e neveritshme të një armate historianësh të pandërgjegjshëm, të cilët vunë në funksion të diktaturës, gjithë energjitë e tyre, sa sot i gjithë opinioni e pohon nevojën për ta rishkruar historinë nga e para, edhe pse ka ende zëra që thonë se “edhe një retushim do të ishte i mjaftueshëm”, propozime që vjen kryesisht nga ata të cilët, e kanë të vështirë të shohin përmbysjen e tezave të tyre pseudoshkencore.

Shkrimtari dhe mendimtari anglez , George Orwell, shkruan : “Rruga më efektive për të shkatërruar njerëzit është dënimi dhe fshirja e kuptimit të historisë tyre!”.

Fshirja e kuptimit të historisë i pat dhënë dhe vazhdon t’i japë efektet e veta edhe në në periudhën postkomuniste. Konfuzioni dhe çorientimi i klasës politike është vetëm njëra nga dëshmitë e shumta e kësaj pasoje. Dëmi tjetër dëshmohet nga fakti se rëndom pranohet një nivel i ulët kulturor, që është dukshëm i pamjaftueshëm për sfidat historike të shekullit të parë të mijëvjeçarit të tretë. Vetëm një grup i vogël studiuesish konseguentë, si dhe puna tejet e vështirë që menaxhon Instituti i Studimit të Krimeve të Diktaturës, ka dhënë disa fryte vërtet të dobishme lidhur me ndriçimin e periudhës së komunizmit në Shqipëri. Krahas tyre janë për t’u shënuar  edhe botime me kujtime apo ditarë të ish të vuajturve dhe familjareve të tyre, të cilat edhe kur nuk japin të dhëna që i shërbejnë çështjeve madhore historike, prapëseprapë, ato vlejnë sepse dokumentojnë shkallën e lartë të terrorit dhe krimit shtetëror. Historianë  e studiues si Uran Butka, Kolec Topalli, Romeo  Gurakuqi etj, kanë shkruar studime e monografi të rëndësishme për ngjarjet kryesore të historisë së dekadave të pushtetit komunist. Rrugëtimi i tyre ka ndeshur dhe ndesh shpesh në ato vështirësi që lidhen me dokumentacionin që sot gjindet i shkapërdarë në xhunglat arkivore të shtetit, të cilat, sidomos në lidhje me të përndjekurit politik apo klasën e të përmbysurve, siç e quhej dikur, deri në 1991, ruheshin të plota madje me indekse të gatshme për t’u përdorur edhe në raste urgjente. Kuptohet që veprat e këtyre studiuesve, mund të mos jenë të mirëpritura nga grupi i historianëve të tezave të historigrafisë totalitariste, por a janë ato burim referimi, për ata të cilët, të paktën për trashëgimi, duhet t’i kishin lexuar këto vepra qoftë edhe për hir të unitetit kulturor?! Mjerisht, duket se jo.

Lexova së fundi dy shkrime të njëpasnjëshme për “Kryengritjen e Postribës”, si “kryengritja e parë” antikomuniste në Shqipëri. Nderim për të martirët Kryengritjes së Postrribës, të cilët, i dëshmuan botës jo vetëm trimërinë legjendare, por edhe vetdijen e lartë politike, duke kërkuar demokraci, kur e gjithë Europa lindore ishte zhytur nën terrin e komunizmit. Por ajo nuk është kryengritja e parë. Tetëmbëdhjetë muaj më parë, në Malësinë e Madhe, më saktë në aksin Shkrel-Kastrat-Këlmend, në harkun kohor janar – shkurt 1945, është zhvilluar kryengritja antikomuniste e Malësisë, ndërkohë që rezistenca kreshnike e kësaj treve ndaj forcave të ndjekjes, ka zgjatur deri në pranverën e vitit 1946. Unë nuk mund ta kuptoj se si antikomunistët në vitin 2016 të shfaqen përtej një uniteti kulturor me dy apo tri histori që kundërthonë rendin kronologjik të ngjarjeve. Këtë gjë, unë nuk mund ta konsideroj ndryshe veçse shprehje të mjerimit të vetdijes historike.

Fatmirësisht, gjatë lëvizjes demokratike për përmbysjen e komunizmit dhe instalimin e demokracisë në Shqipëri, kam njohur mjaft nga pjestarët e familjeve të Kryengritjes së Postrribës, me të cilët kam pasur nderin të bashkëpunoj për të njëjtat ideale. Duke qenë dhe unë me prejardhje nga e njëjta shtresë, kam ndarë vazhdimisht me miqtë nga Postrriba të njëjtën ndjeshmëri dhe të njëjtin respekt për vlerat e përbashkëta.

Kemi folur për dy lëvizjet e asaj kohe, të “Kryengritjes së Malësisë së Madhe” dhe “Kryengritjes së Postrribës”. U kam shpjeguar për luftën antikomuniste të Malësisë së Madhe të vitit 1945, për rezistencën dhe terrorin, për qindra të pushkatuar, për burgosjet,  për shtëpitë e djegura dhe të plaçkitura, për internimet e panumërta në kampet famëkeqe. Pinjollët e familjeve të patriotëve të Postrribës më patën treguar se si dhe familjet e tyre ishin ngritur në vitin 1946 duke marshuar me armë në dorë kundër komunistëve në Shkodër, mjerisht duke pësuar të njëjtin fat si kryengritësit e Malësisë së Madhe. Bisedonim për kohën e shkuar por dhe për ditët që ne ishim protagonistë, e natyrisht për një të ardhme më të mirë, për një të ardhme ashtu siç e kishin dëshiruar dhe ëndërruar edhe të parët tanë. Nuk  rrihnim gjoksin, se kush ishin të parët e kush të dytët. Ishim pjesë e së njëjtës njësi vlerash, dhe ndjenim edhe përgjegjësinë për ta ruajtur atë unitet.

Në mos gabohem, me 9 Janar të Vitit 1991, në mitingun që organizoi PD në  Bajzë, Dodë Kaçaj,  lartësoi  pas 46 vjetësh, të gjithë  emrat e nacionalistëve të  Malësisë së Madhe, që u pushkatuan, u burgosën dhe interrnuan. Shtypi i PP-së volli vrer ndaj mitingut dhe figurat e nacionalistëve i përdhosi edhe një herë si kuislingë e tradhtarë. Ai ishte mitingu i parë publik që lartësonte martirët e lirisë, ndërsa Enver Hoxha u krahasua me Hitlerin. Doda u kërcënua me vdekje, poashtu edhe Azem Hajdari, i cili në fjalën e tij sulmoi ashpër Ramiz Alinë. Të gjendur në atë atmosferë të vetdijes së lartë politike, besonim dhe shpresonim shumë, ndoshta edhe sepse jehona e ngjarjeve të mëdha historike ishte në kulmin e vitalitetit të vet.

Më vonë,  pinjolli i familjes së madhe patriotike  Butka, Uran Butka, trokiti derë me derë për të ndriçuar këtë histori të varrosur nga diktatura. Ai nuk u lodh kurrë duke pyetur dëshmitarët e mbijetuar të asaj kohe dhe duke gërmuar arkivat e Ministrisë së Brendshme, realizoi një vepër monumentale historike: “Kryengritjet e Para Kundërkomuniste”. Kjo vepër madhore na ka dhënë tablonë e ngjarjeve në dimensionet e tyre historike, shkaqet dhe rrethanat në të cilat linden kryengritjet, pasojat e shtypjeve të tyre, jo vetëm në planin lokal e individual por si humbje mbarëshoqërore. Vepra e Butkës nuk ka në faqet e veta asgjë për t’u kontestuar. Sigurisht, ajo mund të pasurohet me daljen në dritë të dokumenteve të reja, por esencialja, ajo që shërben për ta përcjellur mesazhin historik tek lexuesit është dhënë, dhe për këtë, përveç lëvdatave, autorit i duhet dhënë respekti maksimal duke ia lexuar veprën me mirënjohje, dhe jo duke ia injoruar atë, siç u bë me apo pa dashje në shkrimet e fundit

Me veprën e tij “Kryengritjet e para antikomuniste në Shqipëri”,  Z. Butka bëri që psudohistorianët të turpëroheshin duke u bërë dëshmitarë të përmbysjes së tezave të tyre. Butka na ofroi krahas veprës edhe modelin e historianit modern. I tillë nuk është thjesht ai që mbaron shkollën për histori, por cilido studiues, që duke u mbështetur në metoda rigorizisht shkencore, gjurmon të vërtetat historike dhe i pasqyron me vërtetësi ato. Vetë historiografia botërore na ka dhënë shembuj të shkëlqyer të këtij modeli. Por ne s’kemi pse shkojmë larg. Shqiptarët,  “Historinë e Skënderbeut”,  e mësuan nga një prift shkodran, Marin Barleti, i cili duke iu qasur humanizmit, u bë ndër humanistët më të rëndësishëm të kohës! E pra, me Barletin shënohet edhe lindja e historiografisë shqiptare.

Çka ndodhi me shkrimet për Kryengritjen e Postrribës e natyrisht edhe me fjalimet e mbajtura me rastin përkujtimor, i shkon për shtat më së miri atyre që shohin në këtë diskordancë kulturore mungesën kohezionit dhe të vitalitetit të vetdijes historike, e po ashtu fragmentarizmin, krahinorizmin dhe egoizmin në rradhët e shtresës së ish të përndjekurve politikë. Mjerisht këto gabime janë bërë edhe nga përfaqësuesit e subjekteve politike të qendrës së djathtë!

E vërteta është se, “Kryengritja e Postrribës” nisi një vit e tetë muaj pas “Kryengritjes Malësisë Madhe”. Malet e Malësisë së Madhe me në krye Kelmendin luftuan me javë (!) kundër Briagadave  I, XXIII, XXIV *. Vlen për t’u theksuar se Brigadat e komunistëve në shtypjen e kësaj kryengritjeje u mbështetën  dhe nga ushtria Jugosllave! Pra, Internacionalizmi Proletar, kundër Nacionalizmit Shqiptar! Ky ishte definicioni i asaj lufte. Ka pasur përpjekje për ta ndryshuar këtë definicion, duke e quajtur si luftë vëllavrasëse. Nuk është bërë pa qëllim. Të fshihen fajtorët. Komunizmi dhe  Nacionalizimi nuk kanë asgjë të përbashkët vëllazërore.

Nacionalizmi dhe Komunizmi janë dy teori  të ndryshme si në filozofi dhe praktikë.  Komunizmi nuk ka atdhe! Beson në internacionalizëm proletar, nuk njeh  besimin në Zot dhe pronën private …, Nacionalizmi ka atdhe, beson dhe mbron vlerat e veta, të popullit të vet, ruan  pronën dhe besimin si vlera të çmuara të civilizimit dhe identitetit kombëtar.

Dhe pse  kanë kaluar disa vite dhe të vërtetat janë shtjelluar si në bazë të arkivave të diktaturës, apo dhe dëshmive të të mbijetuarve, bëhen të njëjtat gabime. Injorimi i fakteve dhe të vërtetave historike, me termin më të butë mund të quhet diletantizëm. Dhe këtu lind përsëri një problem identiteti.  Diletantizmi nuk është tipar i forcave të djathta. Mos ndoshta e djathta shqiptare ka nevojë për një skanim multidimensional të vetvetes, aq për më tepër kur dëshmon tashmë hapur se nuk e njeh as historinë e vet?!  Si lejohet që diletantizmi të shndërrohet në modus vivendi tek e djathta pse përvoja historike na mëson se me diletantizëm nuk mund shkohet përpara. Shkenca e historisë nuk është laropitë*.

Amerikanët kanë një frazë  të bukur : “Enough is enough!”  që shqipërohet, “Nuk do të tolerohet më”!

Nuk do t’u bëj analizë shkrimeve të fundit e as fjalimeve të mbajtura në Përkujtimoren e Lëvizjes së Postrribës. Nëse do ta bëja veç do të përsërisja ato që ka shkruar për mrekulli Z. Butka. Unë e kam lexuar veprën e tij dhe u them të gjithëve që duan vërtet të respektojnë gjakun e martirëve: lexojini të vërtetat ashtu siç e kërkon detyrimi ndaj veprës dhe gjakut të martirëve. Ruani unitetin kulturor të shtresës së cilës i përkisni. Bëjeni këtë edhe duke respektuar veprat e historianëve seriozë, lexojini ata që të kuptoni edhe madhështinë e veprës së martirëve të demokracisë. Ata nuk luftuan për të parë as për të dytë, ata luftuan për një kauzë, të cilën ne  akoma sot e kësaj dite nuk jemi në gjendje ta vlerësojmë si sakrificë sublime, por lurtojmë artificialisht sedra private e lokale në mënyrë të dëmshme. Një lexim i keq i historisë e akoma më keq mosleximi i saj s’ është tjetër veçse shenjë e mjerimit të vetëdijes historike. Datat janë data, faktet janë fakte, dhe ato në histori nuk lexohen së prapthi!

  • Butka, “Kryengritjet e Para Kundërkomuniste” F,116.
  • Laropitë = Lloj lakrori që bëhet me miell misri dhe me barishte të ndryshme të përziera me djathë.

 

Filed Under: Histori Tagged With: alfons Grishaj, Mjerim, vetedije historike

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 17
  • 18
  • 19
  • 20
  • 21
  • …
  • 28
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT