Nga Arjan Th. Kallço/
Nëse deri dje dikush kishte guximin që të vinte në lojë gjuhët e huaja dhe të fliste me një lloj përçmimi për to, do të ishte rasti i mirë që të të kthehej prapa në kohë dhe të shihte xhevairet që ka nxjerrë nga goja. Më pas të dilte në ndonjë konferencë për shtyp dhe të kërkonte falje për këtë kaos që shkaktoi me deklaratat e papërgjegjëshme në mediat tona, ose nga kultura e pakët që zotëron në lidhje me rëndësinë e gjuhëve të huaja. Ndoshta një përgjigje e mori dje edhe nga Ministrja e Arsimit që u bëri thirrje të rinjve maturantëve që të zgjedhin gjuhën e huaj për studim në universitet, si mënyrë për t’i sjellë zhvillim vendit. Është një deklaratë që duhet përshëndetur plotësisht dhe përkrahur nga vetë qeveria shqiptare së pari e më pas nga vetë universitetet. Do të ishte e udhës që ministria të mos ndalej vetëm me këto deklarata nën shoqërinë e Ambasadorëve të ndryshëm, por ta çonte punën më tej. Edhe më parë ka patur deklarata të tilla në lidhje me gjuhët e huaja, por asgjë nuk është bërë. Të mos flasim për gabime trashanike dhe të pakontrolluara të futjes së të rinjve pa asnjë kriter, siç ndodhi me gjuhën italiane, kur u regjistruan vetëm në vitin e parë, pak kohë më parë, rreth 700 studentë. Të rinjtë detyrimisht duhet t’i zgjedhin gjuhët e huaja dhe t’i studiojnë ato, por pa kaluar në arbitraritet që, kur nuk kemi ku t’i çojmë, të hapim valvulën e shkarkimit tek gjuhët e huaja. Një artikull në lidhje me rikonceptimin e rolit të madh të gjuhëve të huaja e shkroi javën e kaluar kolegu im i departamentit të Gjuhës italiane në Tiranë Artur Sula, prandaj është momenti për veprim dhe jo për deklarata. Gjuhët e huaja kërkojnë impulse dhe sinjale pozitive për seriozitetin dhe rëndësinë që kanë në jetën e përditëshme.
Fakultetet ku studjohen gjuhët e huaja në radhë të parë duhet të garantojnë një diplomë të qëndruseshme dhe të konkurrueshme në tregun e punës, por kjo kërkon që së pari të përzgjidhen individët që do i studjojnë ato. Është koha që universitetet shqiptare t’i kthehen testeve hyrëse që të përzgjidhet elementi i duhur dhe më pas të punohet me të për të siguruar garanci që formimi i tij nuk do të mbetet në mes, apo do të dështojë pasi e merr diplomën. Nuk mund të tolerohet më mendimi që të gjithë nxënësit e shkollave të mesme duhet me doemos të bëhen studentë dhe që në tetor të këtij viti t’’I thuhet ndal abuzimit me ta. Në universitete duhet të promovohen vlerat e vërteta të individit dhe jo diploma që tek ne mund të blihet fare lirshëm dhe pa asnjë vlerë. Të kesh përkthyes të shkëlqyer sot është një luks edhe për vetë tregun e punës dhe të librit. Por kërkohet që dëshirës së mirë të ministrisë dhe të rinjve t’i jepet edhe një drejtim me kurse të vazhdueshme formimi dhe azhurnimi, pasi gjuha është një element që nuk mbetet në vend, por evolon dhe nëse përkthyesit nuk ecin me hapin e tyre, rrezikojnë që investimi për ta të shkojë kot. Sasia e madhe e të diplomuarve edhe në gjuhë të huaj tek ne, lë shumë për të dëshiruar si rezultat i gabimeve të paprecedenta në këto dy dekada të fundit. Ministria mund të jetë nismëtarja e krijimit edhe të një organizmi që të sigurojë cilësinë e përkthyesve dhe ndihmën që puna të vazhdojë më tej me kërkesa të larta drejt tregut, i cili ka hapësira të panumërta për integrimin e tyre në punë. Turizmi është një prej mundësive që duhet shfrytëzuar maksimalisht tek ne meqë është një nga drejtimet prioritare për një vend si Shqipëria. Turizmi veror ndoshta mbetet më i preferuari, prandaj këtu duhen drejtuar vëmendja dhe synimi në mënyrë që edhe agjensitë e udhëtimeve të mos ndeshen me punë diletanteske në përkthim. Kjo kërkon më tej edhe një formim më të gjerë kulturor për përkthyesit apo simultanët, të cilët nuk duhet ta anashkalojnë këtë formim të dytë pas atij gjuhësor. Tek fqinjët tanë përkthyesi dhe ai simultan kanë një rëndësi të madhe, pasi nuk promovjnë vetëm turizmin, por edhe kulturën dhe gjuhën. Tek ne kjo lidhje duket se është harruar fare dhe i lihet gjithçka rastësisë apo ndonjë lloj klientelizmi që nuk prodhon asgjë të mirë dhe promovuese për vetë vendin. Në një botë që po priret drejt globalizmit, harrimi apo prirja vetëm ndaj një gjuhe krijon një hendek të madh, për të mos folur për moszotërimin e gjuhëve të huaja në rang global. Nuk ka mundësi që me qytetarë të ndyshëm nga bota të flasësh me një gjuhë të vetme, pasi nuk do të ishte produktive edhe për vetë ata që janë të interesuar të investojnë. Në këtë pikë janë përkthyesit ata që mund të luajnë një rol të madh për ta plotësuar këtë vakum, por që nga ana tjetër është një garanci për punësim. Me të drejtë një prej shoqatave të përkthyesve në Itali e ngre zërin kur thotë se në këtë botë përveç gjuhës angleze ka edhe shumë gjuhë të tjera emrgjente që mund të jenë të dobishme për të gjetur një punë. Në Perëndim mjaft efikase është tendenca më e re që të merresh me ndërmjetësim kulturor, pasi emigrantët nga Afrika dhe Azia janë të shumtë, për të mos folur për lulëzimin e biznesit me ologarkët e shumtë rusë që gjithnjë e më shumë kërkojnë tregje në Europë. Edhe tek ne pasi ta kemi një forum të ekselencës për përkthyesit mund të operojmë edhe në një lloj tjetër tregu që përsëri do të sjellë punësim, atë të specialistëve të ndryshëm, pra me diploma në degë specifike, të cilët mund të ndjekin kurse specializmi gjuhësor në sektorin që përfaqësojnë, si p.sh në ekonomi, juridik, mjekësi, farmaci etj. Kërkohet vetëm që këta përkthyes t’i akreditojnë njohuritë e tyre pranë qendrave të specializuara pranë universiteteve apo instituteve përkatëse dhe përmes seminareve, ëorkshopeve, konferencave të jenë pjesë e trajnimit të vazhdueshëm. Të pranosh që një punë të tillë mund ta kryejë edhe një i diplomuar në degë tjetër, me njohurin të pakta gjuhësore, do të thotë që krizësh të mos i përgjigjesh me alternative të reja, informalitetit t’ia lësh të hapur derën, por ta lësh në dorë të fatit këtë sektor, pra secili që ka pak njohuri të marrë përsipër përgjegjësitë e përkthimit. Siç thotë dhe kryetarja e shoqatës italiane Sandra Bertolini : “Ka shumë njerëz që u improvizuan përkthyes, kur tregu i ka përkthyesit e vet që të mund të ofrojnë shërbime cilësore dhe profesionale.”. Ndërsa në Itali ka disa universitete që formojnë përkthyes, nga fazat e para e deri në azhurnim të mëtejshëm, tek ne puna që u nis disa vjet më parë, mbetet vetëm tek masteri dhe më pas vetë studentët braktisen, duke i lënë që të hyjnë vetë në tregun e punës, bile edhe jashtë profesionit për të cilin shpenzoi energji dhe investime monetare. Kohë e humbur kot dhe shpenzime edhe shtetërore të pajustifikuara. Koha sot dhe tregu kërkon zhdërvjelltësi në veprim dhe punë, specialist të mirëfilltë dhe jo Gjithologë, pra njerëz që mund të bëjnë gjithçka, por specialistë të denjë për punën që do kryejnë si në përkthim letrar apo edhe specifik. Nga qeveria kërkohet vullnet për t’i ndryshuar gjërat dhe për të vendosur një lloj disiplinimi në treg, pasi në një shoqëri pa rregulla të qarta, vështirë se kriza mund të kapërcehet lehtë. Zonja Bertolini na fton që udhëtimi deri në diplomin është gjysma e punës, por ka një gjysmë tjetër që nuk duhet anashkaluar, azhurnimi i një përkthyesi duhet të jetë i vazhdueshëm.
TE FTUAR NE SOFREN POETIKE TE DIELLIT
Vullnet Mato/
DUKE FSHIRË LOTËT E SAJ/
Mbesa vogëlushe,/
doli në mesditë,/
kur derdhej /
lumi diellor te sheshi./
Zërat e kalamajve,/
që laheshin në dritë,/
nga dritarja, /
më pllaquriteshin te veshi.
Pas disa çastesh,
dera e dhomës u rihap,
dhe mbuluar nga lotët
hyri mbesa…
Brofa nga divani
dhe renda me vrap,
tronditur nga kuja e saj
plot dënesa…
Zëri i bukuroshes
dridhej si tel violine,
por melodia e dhimbjes
ishte krejt e thjeshtë.
Përplaste krahët,
si fluturim gjeraqine,
se Beni nuk e qaste
në lojën e vet…
Duke pritur rubinët
që i kërcenin mbi faqe,
do vij t’i lutem unë Benit!
thashë dhe mendova kështu:
Eh, ta dinë benët e kësaj lagjje,
me sa përgjërime do i paguajnë
kur të rritesh këta lotët e tu!…
BETIMI BRENDA VETES
Kur më goditën
për gjoja gabime ideologjike,
u betova brenda vetes
tri herë me radhë,
se s’do të shkruaj më poezi
për sferën publike,
edhe po të më nxihej prapë
floku i bardhë.
Por, ja që edhe vjershërimi
qenka një ves,
si cigarja pa të cilën
duhanxhiu dot nuk rri.
Dhe nisa prapë
çibukun e poezisë ta ndez,
si djaloshi,
që fshehtas të mëdhenjve e pi.
Dhe me poezi u fola sërish
njerëzve të zemrës,
të gjithë të dashurve të mi
dhe tërë miqve.
Fillova t’i këndoj bukurisë
dhe hireve të femrës,
ndonjëherë zura të shaj
dhe veset e të ligjve.
U bëra zë gjithë vajzave
dhe djemve të ri,
të duhen pa hile
e paramendime hipokrite,
të shihen me njëri-tjetrin
sinqerisht symësy
kudo qofshin,
në të gjitha gjerësitë gjeografike.
Kësisoj frymëmarrjen njerëzore
e bëra më të gjerë,
hyra kokë e këmbë
në mes të realitetit të prekshëm,
mora përgjegjësi qytetare,
për të folur me të tjerë,
duke qëndruar këmbëkryq
në thelbin e së vërtetës.
Hyra në mesin e logjikës
së mprehtë të kohë sime,
me dashuri dhe urrejtje
mbushur njëkohësisht,
për të përqafuar njeriun
me ndjenja sublime,
duke pështyrë direkt në surrat
djallin me bisht.
Sakaq brenda meje u kryqëzuan
rrufetë e horizonteve,
ylberet shpalosën ngjyrat
në brigjet e shpirtit tim.
Ndjeva se u bëra më i denjë
të quhem njeri i kësaj bote,
njerëzimit të madh t’i thur
edhe unë ndonjë himn…
RIZGJIMI PRANVEROR
Ngazëllon po të soditësh rizgjimin e natyrës,
në këto çaste mëngjesore kaq solemne,
kur toka e përgjumur fillon lan fytyrën,
në dushin e madh e çudibërës të rrezeve.
Fshesa e rrezeve si amvisë e kujdesshme
nis të fshijë nga dheu hijet përrallore
duke zbuluar pak nga pak konturet e së djeshmes,
si mozaikë të kredhur nën blozën natësore.
Pllajat e pyllëzuara vështrojnë majëmalet,
dhe nisin të stolisen para pasqyrës së qiellit.
Kumbullat sykaltra përshkëndisin petalet,
për të pritur vizitën madhështore të diellit.
Zogjtë e tulatur nëpër degët blerore,
shkundin gjumin nga puplat, me cicërima,
qingjat e fjetur staneve ndër bregore,
përshëndesin agimin me të parat blegërima.
Gonxhet mes gjetheve, rihapin gjinjtë
dhe zënë të shkundin kristalet e vesës,
grunjërat e mëndafshta drejtojnë kallinjtë
dhe luhaten në valëzimin e ndritshëm të dehjes.
Gjithë konturet e së djeshmes dritësore,
tashmë shfaqen madhërisht në ripërtëritje,
me zbardhëllimin e së sotmen pranverore,
mbushur plot e përplot me qumësht drite…
ZEQIR LUSHAJ/
MBRETËRESHA TEUTA KALTËRON LOTË…
Loti i Mbretëreshës Teuta u ba Atlantik,
Shpata e saj djep e urë për brezat
Duart i mban si Hark Triumfi
Nga Ulqini… në Rozhajë … Uashington.
Loti i syve të saj kaltron dhimbjen Nane
Çan gurin e kufinit të Tokës Tonë të ndame…
Dy gjinjtë e saj si liqenet Shkodër e Plavë
Ujvarë mbi Xhubletë e mbi Plisin e bardhë.
Gjaku i saj në Lim,Valbonë, Zetë, Moraçë…
Zemrën shkijet po don me ia plasë…!
Shqipëri Etnike, prill 2014/
Angelo Sagnelli – Cikėl poezish, pėrkthyer nga A. Kallco/
BUZĖQESHJA JOTE
E guximshme buzėqeshja jote kur magjeps
Shikimin tim arratisės qė pėrthyhet;
E mė vėshtron pėrbrenda nė shkėlqimit tėnd
S’ka mbrojtje qė tė mė lėrė frymė tė marr.
Kėshtu vjedhurazi befasohem
Tek mbaj duart me gishtėrinj,
Ndėrsa shikimi e derdh fjalėn
Nė fundin e njė gote pa mbarim.
KOHA IME
Kjo, kjo ėshtė koha ime
Kėtu e kam trupin dhe kuptimin;
Zotėroj ėndrra dhe mendime,
Por pėrjetėsisht i vetėm jetoj.
Mė plagos dhe ngushėllon dashuria;
Ia ndryshon rrjedhėn ēdo mendimit tim,
Jeton pėr vete, pėr mua ėshtė mister
Dora qė mė hedh nė skėterr’.
Arti dhe dashuria nė lojėn hyjnore
Nota ėshtė njė tingull i njė violine;
Gjurmėt nuk e mbajnė dot kohėn qė arratiset,
Por fjalėn, po, nė jehonėn e njė fėshfėrime.
MUNGESA JOTE
Mungesa jote bėhet e plotė
Natėn e ftohtė kur mbulesat,
Kur mbėrthimi nuk e gėzon ndjenjėn,
Qė mė kot nė heshtje thėrret.
Dashuria nuk pėrhumbet nė kalldrėm
Pritjet dhe arratisjet e mia nė hapėsirė;
Gjak i ngrohtė qė del nė fyt,
Duke hapur velat e reja futrunės.
Por kur ora kalon dhe gjithēka qetėsohet
Ėndrra pėrmblidhet nė njė pritje tjetėr;
Nė kėto dhoma tė zbrazėta dhe pa kohė
Mbetet shkėlqimi i njė drite tė ndezuar.
DASHURIA ĖSHTĖ ENERGJIA MĖ E PASTĖR
Energjia m’i kap ndjenjat
Dhe i shtegton ku nuk i lejohet;
Shkėlqen me njė ndjesė forca e saj
Dhe fuqia e saj shumėfishohet.
Jetė pėr jetė nė moton e pafund,
Ku ēdo gjė vėrtitet pafundėsisht,
Ku shikimi im ėshtė gjithmonė pak i guximshėm
Dritėn e kohės larg e kap.
Dashuria mė jep energjinė mė tė pastėr;
Ajo qė djeg dhe qė pėrhapet nė univers,
Ajo qė ekzaltohet duke u dredhur nė trup,
Ajo qė frymėzon pa bėrė zhurmė aspak.
NĖ NJĖ PUTHJE
Nė njė puthje
Sa fjalė
Tė zhurmėshme
Shndėrrohen tė shurdhta
Dhe sa shkėmbinj
Mermeri,
Si kulla argjili
Bien mbi tokė!
Nė buzė…
Ngrohtėsia e ėmbėl
E njė foleje
E burgos njė gabian
Gati pėr fluturim.
Kaltėrsia
Ėshtė njė pelerinė me yje,
Njė qiell i pafund
Pėr atė qė i vetėm nuk rron.
PETALET
Edhe petalet
E kėtij trėndafili tė kuq
Do tė bien nė mbrėmje.
Ti… mblidhi.
Janė germat
E njė fjale tė pathėnė.
Nė tasin tėnd tė bardhė
Ende aromė do tė kenė.
E VĖRTETA NĖ KOHĖ
Cdo ide e pranuar ėshtė njė moral,
Qė i shtrin ndjesorėt e vet nėpėr stinė,
Era ėshtė gati ta rrallojė
Atė qė ngrihet qė qiellit t’ia afrojė stuhinė.
Kėshtu prapė kthehet njė diell i ri
T’i sythojė bimėt, lulet dhe barin;
Njeriu lodhet t’i bluajė idetė,
Nė kėrkim tė asaj qė koha do ta prishė…
DUART TONA
Duart tona
Nuk janė unaza
tė thyera zinxhirrėsh,
por njė trup i vetėm,
ku jehona e jetės
rrjedh nėpėr vena.
E kėrkojnė njėri-tjetrin
E gjejnė,
Dėgjojnė.
Angelo Sagnelli (Anxhelo Sanjeli) lindi nė vitin 1945 nė (Lendinara) Romė ku edhe aktualisht jeton. Ėshtė autor i disa veprave poetike si: Ethe nė kohė, Ethe dashurie, Zbrazėti, U kujdesa pėr poetė tek Kafeneja greke, Dita ėshtė kohė, Qytetėrimi i poetėve.
Ka marrė shumė vlerėsime si Germat e argjendta nė vitin 2008. Prej vitesh ėshtė drejtor artistik i Festivalit art tė Spoletos pėr letėrsinė dhe promovon Ditėn Ndėrkombėtare tė Poezisė pranė Kafenesė greke, nėn kujdesin e Presidentit tė Republikės italiane. Ka marrė vlerėsim edhe nga ish-Presidenti italian Karlo Axelio Campi./
Jacques Le Goff – studiuesi më i madh i Mesjetës
“Europa sot ende duket bërë dhe duhet menduar. E shkuara propozon por nuk zotëron. E tashmja është e përcaktuar, sa prej rastit dhe prej arbitrit të lirë, aq edhe nga trashëgimia e së shkuarës”/
Nga Arjan Th. Kallço/Studimet historike europiane këto ditë humbën një prej njerëzve më të shquar të kërkimeve historike, edhe pse francez ai dha një kontribut të rëndësishëm jo vetëm për vendlindjen e tij, por edhe për gjithë kontinentin. Ia dedikoi jetën e vet Mesjetës dhe ngjarjeve historike të kohës, duke sjellë në vëmendjen e të gjithëve mendimin e vet. Shtypi i huaj e konsideron si Historianin më të madh francez që me punë e tij shkencore, së cilës i bashkoi edhe atë përhapëse, e bëri Mesjetën të gjallë dhe popullore, duke i apasionuar edhe lexuesit e zakonshëm. Dhe mendja detyrimisht na shkon tek historia jonë dhe moria e studiuesve të cilët në këtë kohë, të shumtë si kërpudhat, të kapur nga kushedi se çfarë ethesh, në vend që të ndjekin shembullin e historianëve, si Jacques Le Goff, bëjnë të kundërtën, duke dashur ta prishin imazhin e historisë sonë me një arbitraritet të pashoq. Historia si dhe shumë shkenca kanë nevojë për një studim të gjatë dhe të hollësishëm, ku ngjarjet të mos studiohen në sipërfaqe, por në brendësi të tyre. Historia e shkuar e largët nuk ka gojë, por ka dëshmi të gjalla të ruajtura në memorjen e një kombi, fakte dhe të dhëna të cilat duhet të studiohen drejt, të kuptohen dhe interpretohen nga një mendim i pjekur dhe autoritar, duke mos i lënë vend amatorizmit apo studimeve të përcipta dhe me karshillëqe. Në histori ka patur dhe do të ketë gjithmonë edhe mendime të kundërta për ngjarjet e së shkuarës, por gjithësesi këto duhet të mbeten larg imponimit të komanduar nga politika, sepse dihet që politika është e kapur nga interpretime jo të drejta dhe të pranueshme që detyrimisht lidhen me interesin e vet dhe të paraardhësve të tyre. Një histori e politizuar do të ecë gjithmonë me dy kahe, njëri pro përpjekjeve të popullit dhe patriotëve që, në shumicën e rasteve, dalin fitimtarë dhe tjetri me humbësit. Historia jonë e shekullit të kaluar që nga viti 1900 ka shumë probleme për të zgjidhur dhe për të hedhur dritë mbi ngjarjet, por kurësesi nuk mund ta fshijë boshtin themelor të ecurisë së saj. Një popull me histori të përçarë dhe me dy kahe, do të mbetet gjithmonë i ndarë dhe pa asnjë qartësi në ngjarjet që i siguruan mëvetësinë dhe lirinë. Por po i kthehemi modelit të historianit francez që dje e nderoi jo vetëm Franca. Përse e nderuan? Sepse në punë e vet ai u udhëhoq nga puna e tij plot pasion, pra një historian nëse nuk ka pasionin në punë, por thjesht është robot, kurrë nuk do t’i marrë seriozisht gjërat. Së dyti kërkohet një qëndrim i pavarur në lidhje me ngjarjet dhe faktet, ndryshe do të bjerë nën ndikimet e këtij apo atij grupimi politik. Së treti në mendjen e tij duhet të ekzistojë vetëm e vërteta historike, natyrisht racionalizmi të jep mundësinë t’u afrohesh atyre, por dihet, pa mundur kurrë ta zbulosh në tërësinë e pakundërshtueshme të tyre.
Historiani francez pati edhe fatin që të ishte jetëgjatë në dy kohë si të Luftës dhe të paqes në Europë dhe kjo i krijoi mundësitë që të punonte i çliruar nga presionet dhe konjukturat e kohës. Le Goffi lindi në Tolonë më 1 janar 1924, më vonë ishte nxënës i Shkollës Normale të Lartë dhe më pas, në vitin 1950, u bë profesor i asociuar i historisë në Universitetin e Parisit. Më pas u zhvendos në Lilë dhe në gjithë vitet ’60 ishte studiues në Qendrën Kombëtare të Kërkimeve Shkencore të Parisit. Në atë kohë u bë edhe koordinator i revistës së famshme Annales. Sipas shtypit italian ishte një prej figurave të shquara që doli nga shkolla e “Annales” franceze që drejtoheshin nga mjeshtërat Ferdinand Braudel dhe Maurice Lombard. Mendimi i tyre karakterizohej nga gjithështrirja e vëmendjes së tyre ndaj problemeve të ditës dhe jo vetëm ndaj ngjarjeve të mëdha; ndaj bashkimit të historisë dhe gjeografisë me optikën sociologjike dhe antropologjike, për një rindërtim historik dinamik që e kthen vëmendjen ndaj lindjes së ideve, zakoneve, modifikimeve të modeleve ekonomike.
Në vitin 2000 mori Honoris Causa në Filozofi në Universitetin e Pavias. Në Francë ai
konsiderohet babai i Historisë së re, duke dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në të vërtetat hsitorike të Mesjetës. Ka botuar shumë vepra dhe ese’, ku mund të përmendim ato që i dhanë famën e një studiuesi tepër të përkushtuar dhe të drejtë, si Intelektualët e Mesjetës, Fillimet e Mesjetës, Qytetërimi i Perëndimit mesjetar, Tregje dhe bankierë të Mesjetës, E mrekullueshmja dhe përditësia në Perëndimin mesjetar etj. Por veprimtaria e tij i kapërceu kufijtë francezë dhe mbërriti në Itali, ku kishte bashkëpunim shumë të mirë me Einaudin për librin Historia e Italisë, por në të njëjtën kohë kishte edhe shumë miq, midis të cilëve historianë dhe intelektualë, veçanërisht mund të përmendim studiuesin Umberto Eko, i cili e atashoi si ekspertin e padiskutueshëm të Mesjetës tek filmi Emri i Trëndafilit..
IKJA E NOBELISTES POLAKE WISLAWA SZYMBORSKA
Nga Arjan Th. Kallço/ Disa vite më parë, disa miq të mi italianë më sollën një përmbledhje me poezi të poetes polake që dilte me njërën prej gazetave më të mëdha. Në kopertinën e librit, e thjeshtë dhe me disa ngjyra të bukura që të japin imazhet e natyrës, emri i saj të duket i vështirë për t’u shqiptuar, por kur shikon se është nobeliste, atëherë hyn e depërton thellë në botën e saj të pasur dhe tepër jetësore. Kam përshtypjen se hyra një pasdite në shtëpi dhe dola pas disa orësh, i befasuar nga vargjet e saj që më pas disa prej poezive edhe i përktheva, edhe pse të përkthera në gjuhën italiane. Të duken imazhe që vetë i kishe jetuar dhe po i jetoje tek i lexoje më një endje të madhe. Por sot lajmi se ndëroi jetë poetja që dhimbjen e ngriti në lavdi, sikur më shtun që t’i rikthehem librit të saj me poezi, vendosur diku në morinë e librave të shumtë që janë në pritje të shfletimeve. Kush do që i lexon, befasohet dhe sikur bien në një flirt dehës, ëndërr që do të të vinte keq që të mbaronte. Ëndrra e jetës së saj sot mopri fund, por jo ëndrrat e vargjeve të saj. Wislawa Szymborska, u nda nga jeta në moshën 88 vjeçe, është fituese e Çmimit Nobel në Letërsi në vitin 1996. Lindi në vitin 1923 në Kornik, pranë Pozanit. Fati i buqëqeshi jashtë shtetit, kur filloi të botohen për herë të parë në vitin 1960 me përkthimet e poezive të saj në Gjermani, Angli, Rusi, Suedi. Në kujtimet e përkthyesit të saj në gjuhën italiane, Pietro Marchesani, shohim se çfarë natyre merr miti i saj i poetes KULT.
Si e takuat Nobelisten?
E njihja poezinë e saj prej vitesh, duke qënë një studiues i letërsisë polake dhe ajo një prej figurave më të rëndësishme në Poloninë e pasluftës. E takova vetëm 4 vjet më parë në Krakovia, në shtëpinë e saj.
Szymoborska ia del mbanë me një stil të thjeshtë dhe të thatë të na befasojë me poezitë që e çajnë sipërfaqen, në dukje banale të realitetit, duke e lënë të shihet sythi i pafundësisë që fshihet në çdo gjë të krijuar? A nuk është kështu?
Po kështu është, një figurë jashtë së zakonshmes, e jashtëzakonshme në poezinë e saj. Bën atë që të tjerët nuk e bëjnë dot. Sigurisht është pas ideologjive, gjuhëve të përgjithësuara dhe aderon tek realiteti në një mënyrë të jashtëzakonshme. Realiteti i kapur në të veçantën e vet. Në poezinë e saj çdo fjalë është thellësisht me kuptim, në atë që thotë dhe që e lidh thjeshtësinë e gjuhës me kompleksitetin e jashtëzakonshëm të mendimit. Unë besoj se suksesi i saj në të gjitha vendet perëndimore dhe Amerikë qëndron në faktin se aderon shumë mirë me realitetin dhe flet një gjuhë moderne që është komplekse.
Poetja brumos imazhe konkrete me një përzjerrje ironie që e lehtëson poezinë nga çdo pretendim pikërisht kur qendra e vargjeve të saj duket se janë pyetjet e mëdha dhe kuptimi. Si e gjykoni këtë përafrim të temave të mëdha dhe të buzëqeshjeve?
Ironia është një komponent thelbësor jo vetëm i poezisë së saj, por edhe i personalitetit. Kjo i bën të lehta poezitë e saj dhe që e transformon pathosin në një buzëqeshje, por gjithmonë inteligjente.
Cilat janë vështirësitë kryesore të përkthimit me të cilat u ndeshët?
Szymborska prapa kësaj thjeshtësie fsheh një dituri gjuhësore dhe letrare të jashtëzakonshme. E përdor shumë gjuhën e bisedës që në dukje duket e lehtë dhe e thjeshtë, por është rezultat i një ndërtimi krejt kompleks : frazeologjizma, struktura sintaksore të një lloji, ndonjëherë edhe neologjizma, përdorim të proverbave, nga të cilat merr njjë pjesë apo elementë, ose merr dy dhe i përzjen bashkë, i jep një kuptim të ri, duke i ruajtur të dy segmentet bashkë, një kalim tek kuptimet origjinale. Një poezi me një kompleksitet ekstrem për përkthyesin. Është e vësjtirë të përkthehet, si gjithë poezia e saj.
Sa e rëndësishme është tek Szymoborska aftësia e mrekullisë, e çudisë, ta shohë çdo ditë botën, siç deklaroi me rastin e dhënies së çmimit Nobel? Nga lind ky vizion?
Duke e marrë në konsideratë se bëhet fjalë për një person që i ka kaluar 80 vjet, është e pabesueshme që ka të njëjtën habi, mrekulli që kanë fëmijët 3-4 vjeçarë, që siç thoshte Emile Zola, në saj të kësaj habie, arrijnë ta shohin universin në brendësinë e vet. Ky është një komponent shumë thelbësor tek poezia e saj.
Ndonjëherë tek tekstet e saj duket pak melankoni që si hija e një gjysëmdrite, duket se i jep kontrast më të madh shikimit drejt piksës së fundit të historisë së njeriut. Nga lind kjo melankoni?
Sigurisht nga përvojat historike. Është një shkrimtare që jetoi përvojën e totalitarizmit nazist, komunist, humbjet, vuajtjet, edhe ato që të jep jeta, por brenda saj ka një pranim të jetës… ka një varg të bukur në një poezi : E kap jetën nga një gjethe, u ndal? E vure re? A u ndal të paktën një herë? Jeta siç thotë ajo është e vetmja gjë që kemi dhe ia njeh asaj vlerën e madhe.
NJE LIBER HUMORISTIK ME TE VERTETA TE PAKUNDERSHTUESHM
Të punosh pak, të përfitosh nga të tjerët – libri humoristik me të vërteta të pakundërshtueshme i Pieranxhelo Filigedut/
Nga Arjan Th. Kallço/
Nëse puna ishte e mirë, do punonin edhe priftërinjtë ( Enzo Del Re )/
Të dashur njerëz pasivë, në fillim ishte Edeni, Parajsa në Tokë dhe fjala punë, ende nuk ishte shpikur. Përkundrazi ekzistonte, edhe më e pafat fjala lodhje, nëse është e vërtetë se ditën e shtatë vetë Perëndia e ndjeu nevojën që të pushonte. Por është edhe e vërtetë se, pasi u krijua universi, bimët, kafshët, njeriu dhe gjithçka tjetër, puna më e madhe ishte bërë dhe për disa miliona vjet, në pritje të argëtimit më të mirë, Perëndia jonë mundi të kthehet tek puna e tij (dhe e jona) e preferuar, d.m.th tek dembelizmi më absolut. Edhe Adami nuk ia kalonte keq. Duke mosditur se çfarë ishte puna, nuk vuante nga mungesa e orëve, edhe e atyre me zile. Sigurisht, mërzitej disi, pikërisht për këtë Hyjnia e mendoi mirë që t’i vinte përbri Evën, e paraqitur nga shumë njerëz si një budallaqe e madhe dhe kështu Adami gjeti sesi t’i mbushte ditët e tija. Për bukurinë e Evës do të isha disi i kujdesshëm. Vetë Adami, po ta mendosh mirë, duhet të ishte i ngjashëm me njeriun leshtor të Neandertalit dhe jo me kryqëzimin mes Tarzanit dhe Shvarcenegerit, ku pasqyrohet, jo në mënyrë besnike në pikturat e lashta dhe moderne. Vetë Perëndia, nëse është e vërtetë se njeriun e kishte bërë sipas imazhit dhe ngjashmërisë së vet, duhej t’i ngjante dhe ai një lloj King Kongu, sesa atij Plakut të madh të thinjur, i dalë mrekullisht nga dora e Mikelanxhelos. Dhe nëse kaq më jep aq, edhe Eva duhej të ishte gati një majmune e bukur dhe joshëse.
Megjithatë dukë mos qënë në atë vend dhe në atë moment alternativa më e mirë, ish brinjës, iu desh sigurisht të bënte figurë të keqe, aq është e vërtetë sa Adamit iu desh pak kohë që t’i zbulonte përdorimet e shumëfishta, duke e konsideruar shumë më zbavitëse dhe interesante nga njëmbëdhjetë të tjerat. Siç thuhet si rrethanë lehtësuese në atë kohë nuk duhej të kishte dhe gjuhë, kështu që është legjitime të supozojmë se gruaja e parë ishte pak më llafazane se modelet e mëpasme, duke i ofruar kështu partnerit ndonjë apo aspak raste për kunja reciproke.
Pra duke konsideruar pro dhe kundër, mund të themi se prindërit tanë më të parë bënin një jetë, po ta përmbledhim, gati perfekte, jo shumë larg nga parimet e shëndetëshme që u japin jetë shkrimeve të Bashkimit tonë shumë të dashur Kombëtar të Luftëtarëve Kundër Punës, për të cilën ndihem i nderuar ta kryesoj.
Nëse do të deshim t’i bënin një apel Krijuesit, mund ta kritikojmë me të drejtë faktin se, si Adami dhe Eva ishin, për fat të keq, pa atë mjet të çmuar pa të cilin, shumë prej anëtarëve tanë, nuk do të dinin sesi ta përdornin kohën e tyre : në fakt as ai, as ajo nuk kishin kërthizë. Duhet për këtë të presim ngjarjen e trishtë të mollës dhe të gjarpërit, pra të marrim pjesë në eksodin e parë masiv të historisë, kur e gjithë popullsia prej dy banorësh u shporr nga Parajsa dhe u dërgua në Tokë. Që të punonin me djersën e ballit (ai), që të lindte me dhimbje (ajo), dhe ndoshta nuk është e rastësishme që të dy vuajtjeve iu dha i njëjti emër ankth. Dhe kjo nuk mund veç të konfirmojë sa iu dorëzuar përjetësisë së Librit të shenjtë, pra se puna nuk është dhuratë e Perëndisë, por ndëshkimi i tij maksimal!
Pasi përfundoi transferimi, të dy iu dedikuan lindjes së fëmijëve dhe menjëherë kërthiza dhe me të arti fisnik i të kruarit të të ngjashmit (edhe sot alternative e vlefshme ndaj përuljes së kurrizit në veprimtaritë më turpe të punës) dhe lindja e udhërave të para soditëse, të prirur ndaj vrojtimit të përjetshëm të shenjës së rumbullaktë, pra kozmogonia e parë, ku të shumtë krijojnë bindjen më të vendosur se kërthiza e vet paraqet qendrën e saktë të krijesës. Edhe pse sot është vetëm Xhovanoti që e mbështet publikisht, të shumtë janë ata që kultivojnë fshehtazi atë teori tërheqëse.
Sigurisht kërthiza nuk do të ishte, nëse gruaja nuk do të dënohej që të lindte me dhimbje, por me teknika më pak të përgjakshme. Kërthiza është aty që të na kujtojë se të gjithë ne vijmë nga mëkati fillestar, pasi humbëm një botë të përsosur për të cilën njeriu ishte i dëstinuar të ishte Sovran i padiskutuar.
Është detyra jonë ta kujtojmë, edhe pse mënyra tjetër për ta kujtuar mëkatin fillestar (të punosh me djersën e ballit), jo vetëm që nuk është soditur nga statuti i Bashkimit tonë të lavdishëm, por është më i lodhshëm se një vrojtim i rregullt dhe metodik kërthizor.
Puna na u sanksionua si ndëshkim dhe jo si vlerësim. Përkundrazi, si dënimi maksimal mes të mundshëmve për mëkatin më të madh : mosbindja ndaj vullnetit të Perëndisë! Ndoshta për këtë që fetarët, të paktën me fjalët e më të bindurve ndaj Krijuesit, e konsiderojnë veten të përjashtuar përjetë nga i ashtuqujaturi dënim, pra me të drejtë të plotë që të mos punojnë. Është e drejtë që të mos rrezikojmë që të biem në gabimin që e dënoi Adamin, betohen për “kreshmë” dhe e mbajnë në distancën e duhur femrën.
Le t’i nderojmë pra këta luftëtarë që prej dymijë vjet tallen me punën dhe lodhjen. Sigurisht u desh pak kohë që të krijosh një strukturë si Kisha, por askush nuk mund ta mohojë se sot Kleri, si Aristokracia dje, jetojë në kënaqësinë më të shenjtë pa patur nevojë të praktikojë asnjë lloj pune.
Betejat kundër punës janë sot më të drejtat dhe të detyrueshmë ndaj të gjitha betejave. Ështrë lufta e Bashkimit që të fitojë një Parajsë të humbur, por që i është premtuar dhe që i detyrohet.
Sigurisht ky është shpirti që i jepte jetë në vitin e largët 1996, njërit prej baballarëve tanë themelues, kur nën petkun e rremë të Pantagruelit firmosi atëherë, në kohët që s’mund të vihej në dyshim, apelin e tij, që ta këput shpirtin, drejtuar të rinjve.
Punë? Jo, faleminderit, preferoj të jetoj!
Përgatiti për botim
Arjan Th. Kallço
- « Previous Page
- 1
- 2
- 3
- 4
- …
- 10
- Next Page »