Nga Astrit Lulushi/Dalë nga një periudhë e shtypjes dhe izolimit, frikës, torturës dhe errësirës 45 vjeçare, politikanët e sotëm janë të gjithë prodhim i një epoke të vdekur – ata dëshirojnë ta quajë veten “viktimë” mes viktimave të asaj kohe. Kjo është forma e shtrembëruar e lirisë së tyre – të tillë ia kanë ofruar edhe popullit
Ata thonë se janë të lirë të bëjnë si të duan, por nuk hezitojnë të mohojnë ekzistencën e përgjegjësive të tyre. Vullneti, që kalon nga dëshira në vendim, dhe së fundi në veprim, është një aspekt i lirisë. Por ky tipar as që duket në sjelljet e tyre; nuk duan ta kuptojnë se vazhdojnë të jenë skllevër të një pronari të vdekur dhe rrinë e luajnë me hijet e veta si në muret e Shpellës së Platonit.
Shumë njerëz kanë vështirësi të mëdha në shprehjen e dëshirave të tyre. Të tjerët mund të jenë jashtëzakonisht të qartë për atë që duan, por nuk janë në gjendje të vendosin, e lëre pastaj të veprojnë. Ata shpesh përjetojnë marrjen e vendimeve në panik, janë të gatshëm t’ia japin të drejtën e marrjes së vendimeve dikujt tjetër, ose të veprojnë në atë mënyrë që vendimi të merret për ta nga rrethanat.
Kalimi nga liria në dëshirë, në vendimmarrje, në veprim është një proces i dhimbshëm që shumë njerëz preferojnë ta shmangin.
Një tjetër shqetësim është pasoja e izolimit që tek ‘ta duket se ka marrë formën e sëmundjes. Të terrorizuar nga jeta mes krimeve të prindërve të tyre, ata ndjehen të izoluar nga vetja, nga përvojat, ndjenjat dhe dëshirat; duke injoruar ekzistencën e tyre, ata përpiqen ta përballojnë izolimin përmes përhapjes; shmangin ndjenjën e izolimit, duke preferuar të zbusin kufijtë e egos për të minimizuar dëshirat e tyre, për të jetuar përmes jetës së një personi tjetër, duke e quajtur këtë ndryshim; shpërndahen nëpër parti, marrin një kauzë, ose një projekt. Duke u bërë si të tjerët, duke u përputhur me veshjen, me fjalën dhe me zakonet, për të fshehur mendimet, ndjenjat dhe dëshirat e veta, ata e ruajnë izolimin e tyre siç bëjnë murgjit në manastirin e tyre.
Një tjetër reagim i zakonshëm ndaj izolimit është seksualiteti obsesiv. Secili, përveç gruas, edhe një dashnore, nuk është i lidhur me ekzistencën e të tjerëve, por vetëm me atë pjesë që plotëson nevojat e tyre. Shqetësimi është edhe mungesa e kuptimit në jetë. Kur ballafaqohen me një rreth të paplotë, ata automatikisht e imagjinojmë atë të plotë, prandaj janë gjithmonë të pakënaqur me raportet që vijnë nga jashtë. Bota e tyre është e lëkundshme, e çrregullt, botë të sëmurësh psikikë.