Nga Astrit Lulushi/
A rrjedh koha? Nëse po, sa shpejt? Ndërsa sytë kalojnë nga fjala në fjalë nëpër faqen e një libri, askush nuk ka gjetur provë bindëse, brenda ligjeve të fizikës, që koha rrjedh. Edhe Ajnshtajni e thotë.
Shkencëtarët e shpjegojnë rrjedhjen e kohës me ndarjen e bukës në feta; secila fetë paraqet hapësirë në një moment ose në perspektivë; nga e majta në të djathtë, e para është e shkuara, feta e fundit, e ardhmja, dhe njeriu e fillon aty sepse jeta nis me imagjinatë. E gjithë buka plotëson një rajon hapësinor. Nëse imagjinohet që secila fetë përshkruan të gjithë hapësirën nga e kaluara e lashtë në të ardhmen e largët, buka do të përfshijë të gjithë universin gjatë gjithë kohës.
Nëse do të mund të zmadhonit dhe të ekzaminonit nga afër të gjitha ngjarjet në planetin tokë, do të mund të shihni Aleksandrin e Madh duke marë mësime nga Aristoteli, Leonardo da Vincin me penel në dorē duke pikturuar Mona Lisën, apo Tiranën nga një fushë e zbrazët në vendbanim të stërmbushur. Edhe historinë e Diellit dhe planetit Tokë, do ta shihnit, që nga lindja nga një re gazi deri në fundin e tyre kur dielli fryhet në një gjigant përvëlues; është gjithçka atje, si e shkruar, por jo të gjithë e shohin se koha rrjedh shpejt a ngadalë, pavarësisht nga ne.