– Zotni Tare, vene gishtin në tamth e mendo mirë kur t’i shpifësh dikuj.-/
NGA LORO STAJKA- VIRGINIA/ USA/
I nderuemi zotni editor i gazetës Dielli,
Ju lutem të botoni këto pak rreshta që kanë të bajnë me nji shkrim, që mu duk shumë i ultë dhe i pa drejtë, kur ban fjalë për Prof Martin Camaj.
I tregoj artikullshkruesit se Prof. Camaj e kam njoftë nër ditë shumë të vështira. E kam njoftë në vend që as gjumi nuk na merte prej ujet.E njofta po sa dola prej burgut famëkeq Bugdanovkraj Cetinë të Malit të Zi ,pra u takuem në kampin e Barashumanovic, Mali I Zi (Cerna Gora) Martin Camaj i flente në nji dhomë me të ndertin P Danjel Gjegjaj e Pader Bernard Serreqin O.F.M .
Mund të them se ishim moshatarë ,ai kje student në gjimnazin e jezuitve e unë student në gjimnazin Iliricum Franceskan ,Shkodër.Ishte i edukuem me nji moral të shndoshë dhe me mish e shpirt antikomunist. Përsëri jemi taku në Beograd ,gjatë studimeve, e kemi pas nji shoqni të ngushtë se na lidhte nji ideal ,pra kje nji kundërshtar i komunizmit e ju me i vue dangën si spiun ashtë krejt gabim. Zotni ju tregoj nji rast; ishte dimni 1954. Në Beograd binte borë. Si unë si prof. Camaj, atëherë studenta, ishim pa kapota dimnit dhe bashkë shkueme deri në Marshallat ( Zyrja e Titos ) me lyp kapota e nuk na u dha. Mendoni ju se U.D.B-ja e la spijunin pa kapotë?!
Zotni vene gishtin në tamth e mendo mirë kur t’i shpifësh dikuj.
Loro Stajka
Virginia/USA