-Kosovë-Qeveria u kërkon autoriteteve maqedonase lirimin e Dugollit/
-Reagim i Ministrisë sё Drejtësisë ndaj arrestimit tё shtetasit tё Republikës sё Kosovës/
Prishtinë, 11 Mars 2015/ Ministria e Drejtësisë e Republikës sё Kosovës njofton opinionin e gjerё, se Ambasada e Republikës sё Kosovës nё Maqedoni ka pranuar informacionin lidhur me arrestimin e z. Gafurr Dugolli, shtetas i Republikës sё Kosovës ne Republikën e Maqedonisë, sipas kërkesës sё autoriteteve Serbe për dyshimin qё tё ketë kryer veprën penale “Krime Lufte” nё territorin e Republikës sё Kosovës.I menjëhershëm ka qenë reagimi i Ministrit tё Drejtësisë sё Republikës sё Kosovës, Prof. Dr. Hajredin Kuçi i cili fillimisht kishte kontaktuar drejtpërdrejt me homologun e tij nё Maqedoni dhe përmes njё shkrese zyrtare i ёshtё drejtuar autoriteteve Maqedone duke theksuar se “Ushtrimi i juridiksionit nga njё gjykatë serbe për krime që pretendohet tё janë kryer nё territorin e Republikës sё Kosovës, pikërisht dhe vetëm per shkak se ato janë kryer nё këtë territor, konsiderojmë se përbën një shkelje tё rënd tё parimeve themelore tё sё drejtës ndërkombëtare, prandaj duke kërkuar ekstradimin nё bazë tё juridiksionit universal lehtësisht mund tё duket si një ndjekje e motivuar politikisht dhe ne shprehim shqetësimin lidhur me aplikimin e normave ndërkombëtare nё këtë proces, sidomos për një gjyqësor tё pavarur dhe tё paanshëm tё shtetit kërkues”, shkroi Ministri Kuçi.
Gjithashtu nё letrёn e Ministrit Kuçi thuhet se juridiksioni i supozuar i Serbisë, lidhur me dyshimin e kryerjes sё veprës penale “krime lufte” nё territorin e Republikës sё Kosovës nga shtetasit e Kosovës është i paligjshëm dhe politikisht i papranueshëm dhe pёr këtë arsye, nё interes tё Drejtësisë është apeluar tek Qeveria Maqedone qё rreptësishtë tё refuzoj çdo kërkesë pёr ekstradimin e z. Dugolli nё Serbi, pёrfundon letrёn e tij Ministri i Drejtësisë, Prof. Dr. Hajredin Kuçi./b.j/
***
Qeveria e Republikës së Kosovës shpreh shqetësim për ndalimin e shefit të Protokollit në Ministrinë e Forcës së Sigurisë së Kosovës, Gafurr Dugolli, nga ana e autoriteteve maqedonase, duke kërkuar lirimin e menjëhershëm të tij.Ndalimi i z. Dugolli në pikë kalimin kufitar Kosovë-Maqedoni, është bërë duke u bazuar në fletarrestet jolegale serbe, me pretendimin tashmë të njohur “për kryerje të krimeve të luftës”. Qeveria e Kosovës fton Republikën e Maqedonisë dhe të gjitha shtetet fqinje e më gjerë, që të mos ndërmarrin veprime policore ndaj shtetasve të Republikës së Kosovës duke u bazuar në listat e Serbisë, të cilat janë të hartuara në shpërputhje të plotë me aktet juridike dhe praktikat ndërkombëtare në këtë fushë.